• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Jahjaga, presidentja e imazhit të Kosovës

April 7, 2016 by dgreca

Presidentja e deritashme e Kosovës Atifete Jahjaga, nga analistë të çështjeve politike dhe përfaqësues të shoqërisë civile, po vlerësohet për përfaqësim dinjitoz në arenën ndërkombëtare, përmirësim të imazhit të Kosovës në botë, por që nuk arriti të bëjë reforma substanciale brenda vendit.

Pesë vite më parë, Atifete Jahjaga ishte bërë presidentja e parë femër e Kosovës, kandidimi i së cilës për postin e presidentit të vendit buroi nga marrëveshja ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike dhe Aleancës Kosova e Re, ndërmjetësuar nga ambasadori i atëhershëm amerikan në Prishtinë, Christofer Dell.

Analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ka bërë një përfaqësim mjaft të mirë në arenën ndërkombëtarë, por që një përfaqësim të tillë nuk kishte arritur ta bënte edhe brenda Kosovës.

“Presidentja Atifete Jahjaga në përfaqësimin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, në forume të ndryshme evropiane, në veçanti në SHBA, ka ngritur imazhin Republikës së Kosovës, mirëpo sa i përket funksionimit të saj brenda vendit si unifikuese e popullit dhe garantuese e institucioneve demokratike, ajo nuk mbahet në mend për asgjë. Përkundrazi ajo ka legjitimuar një keqqeverisje”, vlerëson Matoshi

Ndikimi i presidentes Jahjaga, jashtë kufijve ishte çmuar edhe nga ndërkombëtarët.

Në shtator të vitit 2014, ajo pati pranuar Çmimin për Promovim të Paqes nga Iniciativa Globale Clinton.

Presidentja Jahjaga, ishte ftuar në të gjitha Samitet, ku bënin pjesë shtetet e Evropës Qendrore dhe Juglindore, ndërsa në Samitin e vetëm që nuk ishte ftuar, ishte ai në Ohër të Maqedonisë, në maj të vitit 2013.

Por, me gjithë sukseset që iu njohën në arenën ndërkombëtare, sa u përket politikave të brendshme, analistët vlerësojnë se presidentja Jahjaga nuk ka iniciuar ndonjë reformë substanciale në të mirë të vendit.

Publicisti Halil Matoshi, duke folur për krizën politike që kaloi Kosovë gjatë kohës kur Atifete Jahjaga ishte në krye të shtetit, thotë që kjo e fundit, nuk arriti të tejkalojë problemet më të cilat përballej skena politike.

“Në kulimin e mandatit të saj, para dy viteve ka ardhur deri tek kriza institucionale gjashtë mujore, pastaj ndërtohet qeveria e re, fillon prapë kriza, protesta, dhe presidentja nuk mundi që t’i ulë tensionet në mënyrë që të ketë funksionim demokratik të institucioneve të vendit”, shton Matoshi.

Gjatë mandatit pesë vjeçar, presidentja Jahjaga nuk ishte përfolur përasnjë aferë korruptive dhe as keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Si një personalitet që kishte ardhur nga hierarkika e Policisë së Kosovës, ajo ishte e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe në ndërtimin e një sistem të pavarur të drejtësisë, në shërbim të qytetarit dhe në shërbim të shtetit ligjor.

Ajo çfarë e karakterizoi presidenten Jahjaga, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, thuhet të ishte zëri i grave të cilat ishin viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Jahjaga themeloi Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale ku edhe ishte kryesuese e këtij Këshilli.

Përveç, kësaj ajo kërkojë ndihmë nga ndërkombëtarët që kriminelët e këtyre veprave të ndiqen edhe penalisht.

Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, thotë se presidentja Jahjaga, gjatë mandatit të saj bëri kthesë historike për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.

“Për herë të parë është arritur që çështja e këtyre vikamave të vihet në agjendë shtetërore. Presidentja përmes Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale ka arritur të përshpejtojë njohjes e statusit të viktimave të dhunës seksuale, të fuqizohet rehabilitimi i këtyre viktimave, të ndërkombëtarizohet si çështje”, thotë Rushiti.

Radio Evropa e Lirë ka marrë edhe mendimet e disa qytetarëve të Kosovës, për rolin e presidentes Jahjaga gjatë mandatit të saj pesë vjeçar.

Isuf Gashi, rreth të 50-tave thotë të jetë i kënaqur me punën që presidentja e Kosovës ka bërë për qytetarët e vendit.

“Ne jemi të kënaqur me punën e saj, ajo ka kontribuar për Kosovën aq sa ka mundur. Ne do të ja vazhdonim mandatin edhe për pesë vite tjera. Ajo nuk ka qenë e korruptuar”, thotë ai.

Derisa, Njaziu një qytetar tjetër nga Prishtina, mendon se presidentja Jahjaga është dashur të bëjë një luftë më të ashpër kundër korrupsionit.

“Është dashur të merr vendime më të prera, i ka zhargitur disa vendime. Ajo nisi me luftimin e korrupsionit, por nuk ka arritur asnjë rezultat në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, është dashur të jetë më e fuqishme në këtë fushë”, shton ai.

Ndërkaq, për pensionistin Haki Makolli, presidentja Jahjaga, do të jetë njëra nga presidentet që punoi më së miri për vendin.

“Jemi të kënaqur me punën e saj. Ka bërë sa ka mundur. Ajo punoi drejtë”, thotë ai.

Presidentja e deritashme Atifete Jahjaga e ka dorëzuar të enjten detyrën tek pasardhësi i saj Hashim Thaçi.(Luljeta Krasniqi – Veseli-Europa e Lire)

Filed Under: Komente Tagged With: e imazhit, Jahjaga, Presidentja, te Kosoves

FORCA E GRUAS KOSOVARE

March 8, 2016 by dgreca

 Nga Atifete Jahjaga-Presidente e Republikës së Kosovës/

Secila grua e këtij vendi ka histori të çmuar sakrifice, rezistence, besimi, shprese. Histori të cilat mund t’i kemi dëgjuar, të cilat i kemi ndarë me njëri-tjetrin me krenari apo për të cilat kemi kërkuar të veprojmë së bashku për t’i ndryshuar e për të mos lejuar që të përsëriten më. Janë edhe me qindra mijëra histori të cilat përbëjnë jetën e shoqërisë sonë, që na flasin për të shkuarën tonë e që përcaktojnë çdo ditë të sotmen e të ardhmen që na pret. Histori të cilat nuk i dimë e që jo rrallë herë zgjedhim të mos i dëgjojmë.
Në këto pesë vite si Presidente e vendit, kam pasur nderin dhe privilegjin e veçantë t’i dëgjoj nga afër shumë nga këto histori, të përlotëm e të gëzohem me to, të ndjej dhimbje e të ndjehem krenare, të marr forcë prej tyre e kurajo, të bëhem njësh me to e të përbetohem për të punuar çdo ditë pareshtur që forca që ato përfaqësojnë të jetë forca që e shtyn përpara shoqërinë tonë.
Kam ndarë në vende të ndryshme të botës historinë e grave të Kosovës, të zërit të tyre të fuqishëm në kohëra rezistence e lufte, të përpjekjeve të tyre stoike për të thyer izolimin, për të dokumentuar krimin, për t’i kërkuar botës t’i thotë ndal atij, të pathyeshme e të gatshme për çdo sakrificë për të mbrojtur familjen e vendin, për t’na mbrojtur të gjithë ne.
Kam dëgjuar me emocion të veçantë edhe rrëfimet e shumë miqve tanë për forcën e krenarin që kishin parë te gratë e Kosovës si te ato që kishin artikuluar e mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve, po ashtu edhe te ato që kishin takuar në kampet e shumta të refugjatëve në kohën kur kishim humbur pothuajse çdo gjë.
Kam refuzuar të pranoj dhe ende refuzoj, që këtë vlerë të shoqërisë sonë e cila duhet t’na bëj të gjithëve të ndjehemi krenar çdo ditë, ta lejmë në heshtje, apo ta përkujtojmë e ta njohim vetëm në ditë si kjo e sotmja, në ditën ndërkombëtare të gruas.
Sot kur e gëzojmë lirinë, kur e nderojmë sakrificën e gjeneratave të tëra, kur jemi duke e ndërtuar shtetin tonë me përpjekje të shumta, duhet të rikujtojmë se me shekuj rezistuam së bashku, andaj sot duhet të punojmë shumë më shumë që këtë rrugëtim të ndërtimin të shtetit tonë ta vazhdojmë, ashtu siç ia nisëm, së bashku, duke e pranuar që ky vend na përket të gjithëve.
Dy vite më parë, në këtë ditë, morra vendim të udhëheq diskursin institucional e shoqëror për një ndër pasojat më të rënda që lufta la mbi popullatën e pafajshme të vendin tonë, një krimi makabër lufte që ktheu në fushëbetejë trupat e mijëra qytetarëve tanë.
Vendosa ta bëj këtë pasi për shumë kohë kishim heshtur për këtë anë të historisë tonë, duke e kthyer atë në histori të ndaluar e të fshehtë tonën, duke e kthyer padrejtësisht në histori turpi që rëndonte mbi supet e shpirtin e viktimave të këtij krimi e jo mbi ata që e kryen këtë krim.
Me krenari do e kujtoj gjithmonë atë ditë, takimin e parë të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, pasi së bashku institucione dhe shoqëri civile, e ndryshuam kursin e historisë sonë, e njohëm dhunën seksuale si krim lufte, viktimat i quajtëm të mbijetuar duke i respektuar dhe duke njohur publikisht si asnjëherë më parë sakrificën e tyre dhe padrejtësinë e kryer mbi to.
U përbetuam se do të ndërmarrim çdo hap të mundur për të rehabilituar, riintegruar, risocializuar të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, për të kërkuar drejtësi për to. U mbështetem në vlerën tonë më të madhe që ne nuk lëmë prapa askënd.
Në këto dy vite me anë të Këshillit kemi arritur të shembim njëherë e përgjithmonë heshtjen institucionale e shoqërore, tabunë në adresimin e këtij krimi lufte dhe punuam pareshtur për të luftuar stigmën që ende e rrethon këtë krim.
Arritëm që të ofrojmë njohjen ligjore për të mbijetuarit, t’ju ofrojmë të mbijetuarve kushte e shërbime më të mira psiko-sociale e shëndetësore, të përpilojmë plan të qartë veprimi për të lehtësuar qasjen e tyre në drejtësi dhe t’ju ofrojmë atyre gjithmonë e më shumë mundësi për fuqizim ekonomik.
Ia kthyem botës sytë drejtë këtij krimi lufte që ka ndodhur në Kosovë dhe i kërkuam ta njoh e ta dënoj atë duke u bërë edhe pjesë e nismave globale për ta parandaluar përdorimin e dhunës seksuale si mjet lufte.
Me anë të Këshillit u bë shumë punë, u vendosen objektiva afatgjate për trajtimin e drejtë dhe dinjitoz për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, duke i ofruar edhe vendeve të tjera të botës që përballen me pasoja të ngjashme lufte, shembullin e mirë se si një shoqëri duhet të trajtoj të mbijetuarit e saj, duke e marr nën udhëheqjen e institucionit më të lartë të vendit, atë të Presidentit.
Por institucionet e vendit kanë ende punë për të bërë për të përmbushur obligimet që kanë ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Unë pres nga institucionet e vendit të jenë vigjilent dhe të marrin përsipër përmbushjen e të gjitha obligimeve që u takojnë.
Tashmë unë pres që Qeveria e vendit të përmbush obligimin e saj dhe të formoj sa më parë Komisionin qeveritar për njohje dhe verifikim dhe që procesi i njohjes së statusit ligjor për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës dhe beneficionet e parapara me ligj të gjejnë zbatim. Çdo vonesë në këtë drejtim është humbje e besimit nga të mbijetuarit, besim të cilin e rifituam me aq shumë mund e përpjekje.
Unë pres nga sistemi i drejtësisë i vendit të vazhdoj përpjekjet dhe përkushtimin për t’ju ofruar të mbijetuarve mbrojtjen e duhur dhe qasjen e merituar në drejtësi edhe në të ardhmen.
Pres që të vazhdojnë hapat e ndërmarr në integrimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në të gjithë kornizën legjislative në mënyrë të barabartë dhe të denjë, ashtu siç kemi bërë me të gjithë kategoritë e tjera të dala nga lufta.
Duhet të vazhdojmë të kërkojmë më shumë angazhim nga komuniteti ndërkombëtar për të njohur krimin e dhunës seksuale që u krye gjatë luftës në Kosovë dhe dënim për kriminelët e këtij krimi.
Dhe mbi të gjitha kërkoj dhe pres nga e gjithë shoqëria jonë, që të njohin këtë krim lufte, që të respektojnë sakrificën e të mbijetuarve dhe të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e tyre për të ndërtuar një jetë në paqe larg këtij krimi.
Unë sot këtë ditë ua dedikoj atyre, forcës së tyre, respektit për to duke ju thënë se nuk do të ndalem së ofruari mbështetjen time deri në realizimin e plotë të të gjithë të drejtave të tyre. Do t’ju jem gjithmonë mirënjohëse që hapen zemrën e tyre me mua, që më bën pjesë të tyren.
Ato nuk pëshpërisin më, ato flasin qartë dhe më zë të lartë kërkojnë drejtësi.
Edhe ne e kemi për obligim që të vazhdojmë të flasim shumë qartë, brenda dhe jashtë vendit, si institucione e si shoqëri e tërë, që nuk do rreshtim së kërkuari drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dhe nuk do të ndalemi deri në realizimin e plotë të të gjitha të drejtave të tyre.
Nuk duhet të ndalemi më derisa drejtësia të vihet në vend.
Një shoqëri e cila di të mburret me vlerat e qytetarëve të saj, me sakrificën e forcën e tyre, është një shoqëri e cila mund të përballoj çdo sfidë e qartë në vizionin e saj për të ardhmen. Unë kam besim në shoqërinë tonë.
Prishtine,E martë, 08 mars 2016

Filed Under: Editorial Tagged With: Ahtifete Jahjaga, FORCA E GRUAS KOSOVARE, Presidentja

PRESIDENTJA MORI NE DOREZIM PETICIONIN E SHOQERISE CIVILE

July 19, 2013 by dgreca

Përfaqësues të shoqërisë civile i dorëzuan të premten presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, peticionin e nënshkruar nga mbi 12 mijë qytetarë, me të cilin shprehet mospajtimi i tyre me versionin e tanishëm të Ligjit për Amnistinë.
Rrjedhimisht, përfaqësues të shoqërisë civile kërkuan nga presidentja që të përdorë autoritetin dhe kompetencat ligjore dhe të mos e nënshkruajë këtë ligj, para se ai të pësojë ndryshime shtesë.
Bashkë me peticionin, përfaqësuesit e disa organizatave qeveritare i kanë dorëzuar presidentes edhe një letër ku shoqëria civile pajtohet me miratimin e një Ligji për amnistinë, por se ai duhet të vlejë për integrimin e qytetarëve serbë të veriut në institucionet e Kosovës.
Ilir Deda, drejtor ekzekutiv i Institutit KIPRED, tha para mediave se shoqëria civile nuk është kundër Ligjit për amnistinë, por kërkon që ky ligj, si një akt që derivon nga Marrëveshja me Beogradin, të vlejë vetëm për integrimin e serbëve të komunave veriore dhe të mos amnistojë edhe vepra të jashtëligjshme të kryera në pjesët tjera të vendit.

“Republika e Kroacisë ka sjell Ligj të amnistisë vetëm për serbët për integrimin e tyre, Republika e Serbisë për shqiptarët në Luginë të Preshevës, Republika e Maqedonisë ka nxjerr Ligj për amnisti për shqiptarët në Maqedoni dhe për integrim të pjesës veriore të Kosovës duhet të amnistohen ata që duan të integrohen. Nuk mund të ketë amnisti për njerëz që janë edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe të cilët e kanë shkelur ligjin apo të cilët janë afër partive politike”, tha Deda.
Ndërkohë, edhe Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike tha se në emër të nënshkruesve të peticionit, i kanë kërkuar presidentes që të kthejë ligjin në Kuvend për ndryshime të mëtutjeshme.
“Ne i kërkuam presidentes që të ushtrojë kompetencat e saj kushtetuese për ta kthyer ligjin në Kuvend dhe për t’i dhënë specifikisht ato zbrazësi juridike që ne mendojmë se ky ligj i ka. Ne jemi për një ligj mbi amnistinë, i cili i arrin dhe plotëson standardet bazike të një shteti të së drejtës dhe për një ligj mbi amnistinë që nuk amniston dikë, i cili nuk është objekt i marrëveshjes Kosovë – Serbi”, u shpreh Korenica.
Më pas, përmes një komunikate me shkrim, presidentja Atifete Jahjaga ka thënë se do të marrë parasysh shqetësimet e paraqitura nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, përmes peticionit të nënshkruar nga qytetarët e vendit.
Ajo është zotuar se do të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke shqyrtuar edhe respektimin e normave ndërkombëtare në interes të përgjithshëm të Kosovës dhe të proceseve që çojnë drejt realizimit të synimit për integrim në BE.
Po sot, Lëvizja Vetëvendosje procedoi për në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për amnisti, duke e cilësuar atë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Kërkesa Gjykatës Kushtetuese iu procedua nëpërmjet deputetes Albulena Haxhiu.
“Ne e kontestuam këtë projektligj në dy aspekte; në atë përmbajtjesor, ngase me miratimin e tij u shkelën të drejtat e njeriut, pra u shkel Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si dhe aspekti i dytë, me miratimin e tij u shkel edhe Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut”, theksoi deputetja Haxhiu.
Dallimi ndërmjet qëndrimeve të Vetëvendosjes dhe shoqërisë civile qëndron në faktin se ky subjekt politik e ka kundërshtuar në tërësi ligjin, pasi që ai buron nga Marrëveshja për normalizimin e  marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Ky ligj ishte miratuar në Kuvend me dy të tretat e votave, Siç është prezantuar nga Qeveria, amnistia ka si qëllim integrimin e serbëve të veriut në kuadër të sistemit dhe institucioneve të Kosovës.(Kortezi Zijadin Gashi)

Filed Under: Kronike Tagged With: Jahjaga, Peticioni, Presidentja, shoqeria Civile

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT