Nga Astrit Lulushi/
Lufta e brezave vazhdon, ajo nuk mëshiron as shoqëri, familje a “vatër”. Asgjë nuk e ndal progresin. Kjo është një e vërtetë. Por, ndërsa vitet përparojnë, edhe cilësia e teleskopit rritet, dhe njerëzit shohin a zbulojnë gjëra të reja edhe në ato që i kanë parë, ashtu si Toka që mbetet dhe tallet me njerëzit që përpiqen ta blejnë e shesin.
Vetë vazhdimi i progresit krijon probleme që nuk është në gjendje t’i zgjidhë ose nuk ka burime, dhe bëhet pengesë për progres të mëtejshëm, duke shkaktuar ngërce, trazira e revolucione në emër të progresit.
Atëherë ku eshte e vërteta? Ajo ka dy faqe; në anën e atij që adhuron dicka me të cilën është brumosur a mendja e tij është ushqyer, ose bëhet servil i më të fortit dhe pret të shpërblehet; dhe në anën e atij që i shtyrë nga logjika e pamëshirëshme e besimit a idesë, nuk për-ulet, dhe kur i thonë “pranoje!”, ai heq dorë nga gjithçka, miq, post e famë, dhe hynë në rradhë si ushtar pa-emër.
Njeriu kur shkruan është vetëm dhe me gjithë botën njëherësh, sepse asaj i drejtohet; dhe kur flet ndjehet i humbur, nuk di se ku është. Eshtë logjika që e drejton njërin në një përfundim, dhe tjetrin në përfundim krejt ndryshe – si shkrimtari që i jep librit një fund të dëshpëruar dhe deklaron, me sytë e lotët dhe duart deri në qiell, zemërimin e tij dhe rrëfimin.