-Kryeministri Isa Mustafa, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie dhe përfaqësuesi i Zyrës së BE-së, Libor Chlad, në inaugurimin e platformës/
PRISHTINË, 5 Janar 2016-B.Jashari/Prokurimi elektronik rrit transparencën dhe minimizon korrupsionin në proceset e prokurimit, tha sot kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Kreu i qeverisë kosovare, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie dhe përfaqësuesi i Zyrës së BE-së, Libor Chlad, morën pjesë në inaugurimin e platformës së prokurimit elektronik “Go Alive”, ku u prezantua faza e parë.
Kryeministri Mustafa, e ka quajtur të mbarë vitin 2016, i cili po fillon me aplikimin e prokurimit elektronik në Kosovë dhe që pritet të zgjerohet në të gjitha agjencionet kontraktuese në gjysmën e këtij viti. Ai ka vlerësuar se ky është një proces shumë i rëndësishëm për Kosovën.
Përfaqësuesi nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Chlad, ka theksuar rëndësinë e prokurimit elektronik në rritjen e transparencës, lehtësimin e procesit dhe në zvogëlimin e të gjitha parregullsive.
Në inaugurimin e platformës, organizuar në Prishtinë nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik,u bë prezantimi i arkitekturës dhe funksionimit të sistemit të prokurimit elektronik.