Nga Alfons Grishaj/
Ta marrësh “gjarpërin në gji” është njëlloj si të bësh akrobaci mbi heshta buzë një gremine. Mbretër , princër , shtete , kanë pësuar disfata prej kësaj. Njeriu, e din shumë mirë që gjarpëri nuk duhet të mbahet afër , por përsëri ai ka qejf t’a vërtetojë se serpent nuk është aq i pabesë sa thonë gojët e liga…Latinët kishin një fjalë brilante për të pabesin : “Si gjarpëri në gji”! Troja u rrënua pikërisht prej këtij gabimi. Dobësia burrërore prodhon gjithnjë instrumentin e pabesisë . Sikur të dëgjohej fjala e Kasandrës , që Kali i Trojes të digjej jashtë mureve të fortesës , Troja do të ishte ende sot pjesë e qytetërimit. Kështu ndodh dhe në kohën tonë. E shohim gjarpërin-njeri , e përqafojmë , e bëjmë mik të familjes dhe të shoqërisë . Pas kësaj , i bëjmë publicitet se gjarpëri është dele që nxjerr qumësht, dhe nga qumështi bëhet gjalpë dhe djathë. Jo vetëm kaq, po mos të harrojmë , leshin… që vesh njeriun. Gjarpëri krenohet për të gjitha këto mrekulli iluzive , duke u shtriqur në fronin e miqësisë dhe duke nxjerrë gjuhën e zezë herë në njërin krah e herë në krahun tjetër…Ai mbledh gjarpërinj të tjerë rreth vetes, jo për mirësjellje , por për hir të hises së zvarranikut…
Zvarranikët mblidhen në tubime e konventa… fjalime gjarpërinjsh, sjellje gjarpërinjsh në folenë e gjarpërinjve ku pjellin gjarpërinjë . Zvarranikët kanë për kodoshë qëniet më të dobëta që u bien fanfareve . Praktikisht, zhabat dhe minjtë janë krushqit e parë…
Brohoritjet frentike të korit të bretkosave vijnë nga oazet e kanaleve …Minjtë rrinë asnjanës në tubime të tilla , se thonë : “Kushedi sa bretkosa do të bëhen kurban pas fitores së gjarpërinjve dhe kërmat e tyre do të jenë ushqim dhe për ne”.
Leksionet e demokracisë që dalin nga tubime të tilla , lindin “progresin metalik”, ku krijesat analoge ecin vranshëm mbi qilimin e lëkurës së gjarpërit , duke bojkotuar progresin e zhvillimit shoqëror që siguron të tashmen dhe kulmon në të ardhmen .
E pra , fodulli-njeri krenohet se gjarpërinjtë kanë përparuar shumë… , biles më tepër se njeriu. Megjithëse , gjarpërit , nuk mund t’ia dallosh buzëqeshjen nga ngërdheshja, e as defektin e këmbëve që fshihen nën lëkurë , të cilën e ndërron buzë shkurreve dhe zallit në kulmin e kënaqësisë trupore . “Çfarë përsosmërie…gjarpëri është mister”!- thotë fodulli-njeri. E misteri i gjarpërit mbulon si ombrelle e zezë diellin , vrasësin e shumë viruseve e mikrobeve që rrezikojnë jetën në tokë…Pas kësaj, gjarpëri krenohet se njeriun e ka shërbëtor , por dhe ushqim… Ai mund ta përdorë atë si të dojë , dhe kur t’i mërzitet e kafshon për ti hequr vuajtjen e dashurisë për të…
Publiciteti i gjarpërit është kulmi i mrekullisë “sublime”, kulmi i sacrificës së idiotësisë së njeriut në Shekullin XXI.