• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJERIU QË NUK E DURON DOT KURRË JETËN E MËRZITSHME E MONOTONE

December 15, 2017 by dgreca

Duke biseduar me një telepati të zakonshme me mikun tim, Qatip Mara, në mëngjesin e shtatëdhjetë vjetorit të tij…/

Nga Xhevair Lleshi

1 qatip Mara

Në Foto: Qatip Mara me mjekun e tij në Nju Jork/

Po. Te ky njeri, që kur ishte djalë i ri, student, se atëherë pata fatin ta njoh, edhe sot që mbush shtatëdhjetë vjeç, vura re një ndjesi të çuditshme: nuk e duronte kurrë jetën e mërzitshme e monotone. Edhe si mendim sepse kurdoherë e e vija re teksa përdridhte hundën, herë-herë edhe kur përhumbte vështrimin dhe gjithnjë më dukej se i vishte vetes mendimet që zgjidhte, sikur donte të ndërtonte gardërobën e fjalëve: fliste dhe flet edhe tani që mban një zemër të re në trupin e tij të shkathët. Bën një mëkat të madh sikur t’ia largosh sadopak këtë gardërobë atij. Njihuni prej meje me të: Qatip Mara, një mësues epope, që të vështron në sy me ngashëri, që gjithnjë e merr me vete kudo që të jetë gardërobën e vjetër dhe të re të fjalëve, spërkatur me aromë trëndeline. Ju nuk besoj ta kini parë ndonjëherë si rritet trëndelina në lëndinat e Kropishtit të tij të vegjëlisë, sepse kjo bimë aromatike dhe e pazëvendësueshme ka qenë edhe bar mole edhe bimë dashurie. Bie fjala i spërkatur me ujë trëndeline mund t’i tërboje vashat e reja në teatrin kombëtar teksa luheshin dramat dhe tragjeditë e mëdha të historisë. Sepse asokohe luanin në skenë të mëdhenjtë e lavdishëm! Dhe pikërisht kjo gardërobë e përzgjedhur fjalësh do ta bënte atë veç të tjerash edhe një mësues të madh, bashkëpunues të pazëvendësueshëm, me të cilin ndjehesh lirshëm, fare shpenguar, se aty sigurisht që je në shtëpinë e fjalëve. Dhe e di mirë: atë gardërobë e mori me vete kudo që shkoi e jetoi : në Armen, në Selenicë, në Greqi (për të fituar jetën dhe për të shëruar të bijën!), në Vlorë e në Tiranë. Edhe tani në New York ai s’di punë tjetër, pasuria e tij e madhe e fjalëve përdoret kur ecën në park, kur shkon në një shkollë, kur shkruan (dhe jo vetëm kujtime të mahnitshme!), kur gjen befas një mik, apo kur i hipën në kokë të endet në botën e bejteve të Labërisë.

Unë e njoh mirë këtë njeri të madh, atë mësuesin idealist të Selenicës, zboristin hokatar të Armenit, që e adhuron të shoqen, edhe ajo një mësuese e njohur por që di aq shumë të kujdeset për gardërobën e fjalëve të burrit të saj, që nuk iu nda as asaj gardërobe edhe atij vetë edhe në udhëtimin e mahnitshëm me aeroplan të posaçëm nga Milano në New York, për të fituar zemrën e re djaloshare. Ky njeri është fare i rrallë, i them nganjëherë si ato speciet në zhdukje, me një kujtesë të llahtarshme, një nga gjërat e spikatura të një njeriu që di ta mbajë me kujdes tharmin e tij të bukur që tani aktualisht është në apogje, sidomos kur pret e përcjell miq apo grupe miqsh, se të gjithë janë adhurues të fjalëve të buta e të egra, të dendura e të rralla. Ai e dashuron jetën më shumë se askush: dhe Zoti ia shpërbleu, e mori dhe e çoi me zemër në dorë (bashkë me bijën e tij të çmuar) në New York-un e madh. E kur u kthye së andejmi me zemrën e re, fluturonte nëpër Tiranë e në Vlorë, kudo, duke folur vazhdimisht, po edhe duke fshirë nganjëherë një pikë lot në cep të qepallës. I mahnitshëm edhe me zemrën e re. Sikur e ndihmuan fjalët, thosha me vete. Ah! Nuk e duronte dot t’i vinte vetes dhe fjalëve këllëf, sidomos nuk e duronte kurrë jetën monotone (as fjalët monotone, as zërin monoton!) sepse i bëhej çdo çast e më shumë e mërzitshme, e lodhshme vetë jeta. Ndaj dhe ishte gati të ikte, të largohej. T’i largohej çdo njeriu. Një ditë, nga ato të rinisë, këputem dhe shkoj në Selenicë. E kërkova gjithandej, në shkollë, në muze, në rrugë, kafene por e gjeta disi larg qytetit, në buzë të Vjosës. Rrinte në breg të saj, shikonte zallishten e gjerë dhe ujët e saj të kaltër, që kur i ngrihet mendja hardalloset e bëhet e tmerrshme. Më pa, përdrodhi buzët siç bënte për të fshehur habinë dhe më tha se aty gjente prehje, aty nuk komunikonte me njeri, mbetej vetëm, përtypte mendime të çastit në këmbë, kërkonte edhe më tej përpikëri të tjetërfarme dhe sikur fshihej për të mos rënë fare në sy. Aty pranë Vjosës, që shihte matanë fushën e Frakullës dhe vdiste (madje vdes akoma për një urë, që do të ishte urë jete e qytetërimi të jashtëzakonshëm!)  mund të tregonte edhe historinë e tij të dashurisë, duke i regjistruar një për një fjalët, që edhe tani s’i ka harruar. Fjalët i japin hijeshi të rrallë dashurisë, i japin atë që quhet ndryshe regjistrin poetik, i veshin romantikën e veçantë, e mbushin pse jo edhe më një melankoli e trishtim aq të ëmbël sa më s’bëhet. Vërtet ato çaste janë jetëshkurtra, nisin në një breg lumi, ose në buzë deti, plot kuptim e me një sensibilitet tronditës e pastaj përfundojnë në një tjetër zjarrmi, me mjaft kuptim, gati si përmbushje e një rasti për të kaluar mërzinë. Po, mërzinë. Se jeta jonë rrethohet nga kjo vrasëse e paskrupullt: mërzia! Ka pasur të drejtë që shprehej aq hapur kundër saj, duke ndjekur rrugën e kundërt me të përplot ëndrra dhe qëllime fisnike, që për fat të keq ose mbetën në mes të rrugës, ose nuk u bënë dot kurrë të tijat. Ato ishin dhe janë gjëra që filluan, po nuk u kryen prej pamundësisë që e ndjek njeriun. Ose më saktë prej pamundësisë klasike që gjithë jetën e ka rrethuar mikun tim të mirë e të pazëvendësueshëm. Pamundësia e gjërave të vogla të përditshme, ama, i dhuroi një mrekulli magjike: e çoi tek zemra e re dhe ai i bindet një tjetër jete, atje në New York-un e largët (për ne). Se po të rrethohej nga mundësitë e mëdha miku im do ishte «harruar» me kohë…

Përkujdesja e përkorë e mikut tim të vërtetë, djaloshit të dikurshëm me sytë shpuzë – Qatip Mara – po edhe tani vrapuesit shtatëdhjetëvjeçar që i gëzohet zemrës së re, është mjaft prekëse që ia çoi edhe atje në kryeqytetin e botës gardërobën e fjalëve, me siguri sepse fjalët e duan njeriun ashtu siç është, treçerek ëndërr e një çerek re­alitet. E di miku im, ti mendon se ky realitet i ashpër e i padurueshëm (në Shqipërinë tënde e time!) është si një kosh plehrash për ëndrrat dhe qëllimet e mira! Asgjë nuk u bë mirë, edhe kur ti ndiqje demonstratat, mitingjet, ngrije lart gishtat, kur more arratinë sepse i doje fjalët të kishin tingull tjetër dhe elegancë, pasi njerëzit kudo të jenë duhet të mbeten gojëhapur prej fjalëve. Ama prej fjalëve të gardërobës sate! Ti, or mik, edhe atëherë, i rrethuar nga mërzia dhe monotonia e ngahershme, nuk e ke besuar se do të ishte mundësia gati e pamundur gjer në fund e njeriut ajo që do të triumfonte edhe tek ty vetë, edhe pse e shikoje gjithnjë si individualist i pandreqshëm. Ti i ke dashur njerëzit me një dhembshuri në përgjithësi dhe udhëhiqeshe nga ideali i intelektualit humanist për ta parë jetën e mërz­itshme e monotone e të përsëritshme me dashurinë e zakonshme të njeriut të vuajtur.

Po, miku im, ti e di se edhe sot njerëzit i mbyt makutëria, batakçillëku dhe sidomos injoranca, hipokrizia e padurueshme, pa lëre pastaj kurvëria, deliri i pandreqshëm, vetëkënaqësia e mrekullueshme, hajdu­tëria dhe krimi, lakmia e përbindshme, aventura e përhershme, shto pastaj edhe profecinë e gënjeshtërt. Dhe dashuria nuk përfun­don kurrë, kurdoherë është aty pranë, me buzagazin e përjetshëm e të përndritur. Pastaj vjen zemra e re e Qatip Marës që merret vetëm me punët e mira, me njerëzit që kanë shpirt e mend, me ata që përfun­dojnë punët e bukura por që atë urën që lidh Selenicën dhe Buzëmadhin nuk e bënë dot kurrë. Aq më tepër që tani atu shkon edhe rruga e re drejt Tepelenës dhe buzë Vjosës. Ti i ruan shpresat se mos e mbyll atë punë miku yt i mirë Genc Pollo, ndoshta nga që është bir i profesorit tonë Stefanaq Pollo. Sa herë e dëgjon atë në parlament ndihesh disi i trishtuar, madje me një tis trishtimi, po jo mbytës dhe pastaj dalldisesh pas një dhembshurie të madhe me një sens bukurie të përjet­shme, rrëqethëse, të provuar rrallë e pa shumë dritë si në vjeshtë kur dielli ndriçon përmes vranësirave dhe gjethet bien mbi lulet e thara. Ja, këtë ndjesi ke, sepse vendi ynë, or mik, kështu vazhdon të jetë: i mërzitshëm dhe monoton, në dimër e në verë. Dhe ne kurdoherë i ndjejmë kaq thellë këto gjëra! Sepse vjen dikush pranë teje e meje dhe dëgjon në vet­minë tënde (time), vazhdimisht duke folur me gojën tonë, ti me gardërobën tënde e unë patjetër me timen, po ja që s’na kupton njeri, ndoshta për ty ngaqë je delikat dhe aq i sjellshëm në fjalë. Me sa duket unë qenkam miku i trishtimit tënd dhe tgi i trishtimit tim…

Sot, miku im i mirë, ato provincat tona të largëta po braktisen dhe po bëhen akoma më të mjerë qytetet e mëdhenj si Tirana, Vlora apo edhe Berati, që janë shndërruar në qytete pa kripë. Aty (a e ke vënë re?) rilind çuditërisht njeriu i vogël i cili megjithatë ndjehet keq. Sot këta njerëz janë më vulgar dhe më të paturpshëm, më të tharë nga ndjenjat (madje ndjenja s’ka më fare!), janë më lakmitar se kurrë dhe më të korruptuar se ndonjëherë. Sot s’flitet më për ideale dhe gardëroba e fjalëve (e di, jo gardëroba jote!) dërdëllit më cinizëm: Ma thuaj troç, sa fitoj unë! Sot flet pasuria makute e cila ndërron shpesh makina, nuk dashuron por ka neps e bën seks, se nuk e njeh më pasionin (madje as pasionin satanik!), sot veç të prishin punë, sot edhe moti i keq kurvëron me personalitetin e njeriut, sot gjyqtari i tregon pasuritë e tij me prejardhje nga ruleta ! Prandaj qenka kaq e mërzitshme jeta ? S’e di !

Prandaj gardëroba e fjalëve të tua është shprehje e zhgënjimit fisnik, me aq shumë karaktere që nuk fitojnë asgjë, që vetëm humbasin, që fisnikëria e tyre mbetet bashkë me një nën­qeshje të çuditshme prej komediani. Se ty dhe fjalën tënde nuk e intereson shumë fabula, po karakteri. I kemi në jetën tonë të gjithë këta që ti i përçmon me të drejtë, për­ditë përshëndetemi me ta, i dimë bëmat e tyre, po nuk kemi kureshtje të kthejmë kokën për t’i bërë edhe njëherë në sy. Sepse kurdoherë bëmat e tyre janë të trishtme, të mërzitshme, ndonëse në dukje argëtuese e të jashtëzakonshme, sepse jeta e tyre (po edhe jona!) nuk e ka atë tharmin lektisës që të rrëmben e bën për vete. Se ti kërkon sjelljen njerëzore, nuk ke kohë të merresh me veset sepse e do pa masë virty­tin! E pra, virtyti është gjithnjë specie e rrallë, në zhdukje. Dhe ti, ndërkaq, nuk proteston, nuk kundërshton më me forcë, duke mbetur si gjithmonë kumtuesi më besnik dhe më i ndershëm i jetës, të cilës nuk i bën koment, por vetëm e këqyr, e vëzhgon hollë dhe thellë, si në një heshtje nate, pastaj pjesën tjetër të padukshme ia kërkon rishtas zemrës së re në kraharorin e bërë copë nga bisturia moderne. Ah sa do të doje një degëz trëndeline mali apo livadhi, të ta sillnin aty në dhomën tënde dhe të bëje gjumë shqerke me të nën jastëk, duke u kujdesur që ta mbaje pranë gardërobën tënde të fjalëve për ta bërë jetën më pak të mërzitshme e më pak monotone…

Tiranë, më 15 dhjetor 2017, në ditën e shtatëdhjetë vjetorit tënd, Qatip Mara !

Filed Under: ESSE Tagged With: Njeriu qe nuk duron jeten e merzitshme, Qatip Mara, Xhevair Lleshi

TEK MJEKU I FAMILJES NE NJU JORK, KUJTOJ MJEKEN E FAMILJES NE TIRANE

December 7, 2017 by dgreca

NE VEND TE FALËNDERIMIT PËR MJEKUN E FAMILJES DR. KARDIOLOG ANDRE SPINDLER/1 qatip MaraNë ditë e para të dhjetorit  në një mëngjes befasisht më goditi një kollë e pandërprerë që gjëmonte si bubullimat e vetëtimat e shtërngatave natyrore. Megjithëse e kisha bërë vaksinën kundër gripit,dyshova se më sulmoi gripi dimrit, Nata arë ishte pa gjumë. Edhe pse kam dy mjekë në familjen time,vajzën e dhëndërin mjek kirurg, ata njoftuan mjekun e familjes sonë Andre Spindler,dr cardiolog, i cili me njëherë pranoj të shkonim në klinikën e familjes afër shtëpisë sonë të banimit.Në mesditën e 5 dhjetorit u nisa tek klinika duke qetësuar kollën me një karamele zbutëse kundër zhurmës së kollës. Kur shkova te dera e klinikës ,doja të trokisja për të hyrë,por dera u hap automatikisht.Në hyrje të klinikës ishte dhoma e dokumentacionit,kartoteka. Dy punonjëse na përshëndetën me një buzëqeshje humane njerëzore. Na dhanë një formularë për të plotësuar identitetin,adresën e banimit dhe listën e ilaçeve që përdor për trasplantin e zemrës. Me mirësjellje të kulturuar njëra nga punonjset na drejtoi të uleshim te salloni pritjes, i cili me kolltuqe komode, me një tavolin në mes me revista të ftonte të lexoje deri sa të vinte radha për vizitën tek doktori familjes. Në sallon ishin vendosur paketa me kartopeceta për hundët,ena me ujë të higjenizuar dhe piktura në muret.

Ndërkohë që prisja radhën për vizitë kujtova klinikën e mjekes të familjes sime në Tiranë tek njësia bashkiake 5 Tirana e Re, në të cilën kur shkoja duhej të qëndroja me orë në këmbë te dera, deri sa të dilte një infermiere me fytyrë të ngrysur dhe shumë e ashpër në shikim, e cila të fuste te dhoma e doktoreshës. Ishte një dhomë e vogël ku në një raftë ishin dokumentat ,kartoteka. Klinika e familjes në Tiranë i ngjante një garazhi makine dhe pasi të vizitonte të jepte recetën që të shkoje te farmacia e miqve të saj, të cilat ishin të pa sigurta, edhe kur i pije të shtonin sëmundjen. Kjo që shkruaj është e dhimbshme,sepse duke ecur rrugës në Tiranë u tondita nga vjelljet e stomakut dhe shkova tek ambulanca e lagjes Tirana e re duke kërkuar shërbimin mjeksor. Mjeku shërbimit nuk kontrolloi tensionin,por urdhëroj të më bënin një serum kundër helmimit. Më këshilluan të shkoja në shtëpi për regjim shtrati. Pas tre ditësh në shtëpi kisha kaluar në gjendje kome. Më kishin çuar vajzat në spitalin “Nënë Tereza”, të cilët kishin deklaruar se isha pa shpëtim,dhe kishin rekomanduar të vdisja në shtëpi. Familja ime më kishte shtruar në spitalin gjerman Tiranë.Kur u zgjova nga koma kuptova se isha në spitalin gjerman Tiranë, të cilët me mjekuan me përkushtim të përballoja udhëtimin për në Milano Itali. E shkruajta këtë faktë se mjekët në Shqipëri sapo marrin diplomën nuk pasurohen me dituri të reja mjeksore. Në klinikën e ambulancës te Tirana e re kisha mjek të njohur,ku disa ishin prindërit e nxënësve të mi te gjimnazi “Ismail Qemali!”,Tiranë që vazhdimisht kur shkoja për ti takuar do ti gjeja nëpër lokale,ndërsa mjekët amerikanë i gjen pran tavolinës së punës në compjuter duke pasuruar mendjen me të rejat shkencore.

 

Në momentin që po kujtoja klinikën e  mjekjes së familjes Tirana e re, një punonjëse e shërbimit më ftoi të shkoja tek doktori familjes sime Andre Spindler, i cili sapo hyra në zyrën e tij u çua në këmbë duke më takuar me shumë humanizëm.Ishte hera e parë që e shikoja. Pasi më pyeti ,unë i thashë se më ka zënë gripi, e kolla më ka mbërthyer keq duke më lënë pagjumë. Ai, qeshi dhe më tha: “Do të bëjmë një kontroll të hollsishëm dhe pastaj do të kuptojmë në se është gripi,apo ndonjë infeksion.

Ai menjëherë thirri specialisten e laboratorit për të bërë analizat e përgjithshme. Specialistja me kujdes më kontrolli tensionin, temperaturën me një aparat kontaktues te veshi. Bëri me kujdes elektrocardiogramën e zemës së trasplantuar dhe me buzëqeshje na përcolli te labortori ekos së zemrës. Kur hyra te dhoma e ekos,specialsti një burrë shtatëlartë më mirëpriti me shumë humanizëm. Me kujdes më ekzaminonte duke fotografuar rrahjet e zemrës sime amerikane. Pasi mbaruan ekzanimet na thanë të prisnim pak te salloni klinikës,që të klasifikonin rezultatet e analizave.Duke shfletuar disa revista te tavolina e sallonit të klinikës u mrekullova me mjedisin e klinikës së mjekut të familjes, me disa dhoma laboratori dhe mbi të gjitha nga kultura humane e shërbimit mjeksor.

 

Pasi kishin përfunduar konsultën e analizave, na priti me shumë buzëqeshje në zyrën e tij dr cardiolog Andre Spindler, i cili fjalën e parë e kishte me shumë gëzim,duke deklaruar se trasplanti zemrës është shumë mirë dhe nuk keni gripin që dyshonim edhe ne si mjekë. Analizat tregojnë se keni një infeksion akut në rrugët e sipërme të frymarjes, për të cilin do ju japin një antibiotikë dhe do qetësoheni shpejtë. Duke buzëqeshur na pyeti se në cilën adresë farmacie e keni suguracionin e ilaçeve. U fut në compjuter duke shkruar recetën elektronike të antibiotikut. Na përcolli me shumë mirësjellje. Tek farmacia mora ilaçet falas nga siguracioni shëndetsor. Pasi piva tabletat e para të antibiotikut prita se si do të kaloja natën me kollën e bezdishme,sepse shqetësoja edhe të tjerët me gjëmimet e kollës së ashpër.

Nata kaloi me një zbutje të kollës, e cila afër mëngjesit pothuajse ishte ndërprerë. Në mesditë duke ndjerë përmirësimin e shëndetit tim, shkova përsëri te klinika e dr.Andre Spindler,  nuk shkova për vizitë mjeksore,por për ta falënderuar se kisha fjetur gjumë. Kur shkova dhe hyra te salla e pritjes,punonjëset e dokumentacionit u shqetësuan,sepse kujtuan se isha keqësuar. Vajza ime Anita që më shoqëronte i sqaroi se kisha ardhur për të falënderuar dr.Andre Spindler dhe gjithë personelin e klinikës. Ato kur mësuan se isha përmirësuar buzëqeshën me shumë dashamirësi dhe rrezatonin kulturën e mirënjohjes për falënderimin e pacientit. Falënderimi vlerësohet shumë në këtë vend të bekuar. Jo më kot këtu 23 nëntori është dita e falënderimeve. Është intersant se unë për herë të parë kam ardhur në Nju Jork ditën e falënderimeve në 23 nëntor 2005.Kur shkela në tokën amerikane, kujtova vitet kur na jepnin të studionim librin “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”, të diktatorit komunist stalinist dhe ndjeva fajësinë e dyzimit, të depersonalizimit të ndrëgjegjes sime që kisha pranuar me detyrim të propangandoja në orët e mësimit ideologjinë orgurzezë komuniste staliniste,sepse rreziku real Shqipërisë është armiqësia midis shqiptarëve dhe sidomos armiqësia e egër midis politikanëve, të cilët luajnë teatër me një popull duke e varfëruar e duke e detyruar të largohet nga atdheu.

 

Në atdheun tim punova 45 vite mësues dhe kur do të shijoja daljen në pension, paaftësia e mjekve të spitalit shtetëror në Tiranë më rrezikoj jetën me vdekje të sigurtë. Sigurisht atdheu që linda dhe u rrita është i shtrenjtë për mua,por edhe atdheu tjetër USA që më dha shansin e jetës së dytë është i shtrenjtë për jetën time. Nuk kam punuar asnjë ditë në këtë vend të bekuar të lirive njerëzore dhe spitali Nju Jorkt më bëri dy operacione falas në vitet 2013 -2014 duke më trasplantuar një zemrë amerikane. Siguracioni amerikane ka shpenzuar mbi dy miljon dollarë me shërbimet e pandërprera mjeksore dhe në këto pesë vite edhe ilaçet  mi dërgojnë falas në shtëpi duke u kujdesur me përkushtim për jetën time. Ndonëse ndjehemi krenar për emrin shqiptar që e tarshëgojmë nga atdheu, por nuk duhet të ndjehemi krenarë me realitetin e hidhur të populit tonë që është keqëqeverisur duke pasuruar politikanët e pangopur. Ndjej krenari e mirënjohje pakufi për atdheun tjetër USA që është atdheu jetë sime të dytë.

Falënderoj nga zemra mjekun e familjes Andre Spindler për aftësitë shkencore  dhe përkushtimin e shërbimit mjeksor. Mirënjohje për siguracionet shëndetsore amerikane që kanë mbuluar e mbulojnë shërbimet falas mjeksore për jetën time si shqiptar,pa qenë akoma nënshtetas amerikan.

Qatip Mara

Nju Jork  6 dhjetor 2017

Filed Under: Komunitet Tagged With: dr. Andre Spindler, falenderim, Qatip Mara

POETI LIRIK HIQMET MEHMETAJ

March 5, 2016 by dgreca

Nga Qatip MARA-New York/

Poeti lirik Hiqmet Mehmataj ka lindur  në Drashovicë të Vlorës, aty ku fillon porta ‘Lumit të Vlorës’ e lodrojnë ujërat e kristalta të Shushicës.Në kohën e fëminisë  Hiqmeti dallohej për zgjuarësi, fliste  me mençuri, çdo veprim e kryente me maturi. Me duar të arta e mendje hollë u dallua në shkollë. Shkrimi tij i dorës ishte  kaligrafi, bukurshkrim që e kishin zili. Ishte i talentuar kishte zell për të pikturuar.Nëna e tij gufonte e gëzuar që djalin e kishte të zgjuar. Me merak kërkonte djalin ta arsimonte. Pasi kreu shkollën 7-vjeçare në  Drashovicë,vazhdoi mësimet në shkollën pedagogjike 2 vjeçare Tiranë..Nisi punën e  nderuar me pasion duke arsimuar brezin e ri.Vazhdoi  shkollën për t’u diplomuar në normalen e Elbasanit  zgjeroi shumë njohuri ,u diplomua për Mësuesi. Rifilloi punën si mësues në vendlindje. Me performancë të kualifikuar ishte mësues i admiruar Gjithë njerëzit e respektonin dhe nga goja nuk e lëshonin. Sjellja e tij ishte model i kulturuar edhe ligësinë e kish gjunjëzuar. Me pasion duke studjuar  vijoji studimet e larta,dega Gjuhë-letërsi.Emërimin drejtor shkolle e mirëpriti me përgjegjësi. Me thjeshtësi e korrektësi drejtoi shkollën me aftësi. Ishte racional në gjykime shumë i matur në veprime.    Fshati Drashovicës, lumi Shushicës , stina e pranverës, cicërima e zogjve,bukurie e vashës, jeta me prindët e tij , e frymëzuan për poezi. Krijimtaria e tij përbën në thelb aktivitetin e palodhur të një krijuesi të vullnetshëm e të pareshtur në punën e tij krijuese në shërbim të kulturës, moralit, edukimit dhe fisnikërimit shpirtëror të brezave.Thelbësore te krijimtaria e Hiqmetit është  gjithashtu fryma e saj popullore e cila e përshkon atë tej e ndanë, duke i dhënë “liçencën“ e komunikimit të përgjithshëm masiv. Hiqmeti është i kuptueshëm për të gjitha moshat. Poezite e tij janë si receta me ilaçe që u jep të sëmurëve mjeku.Në këtë  krijmtari  Hiqmet Mehmetaj e ka drejtuar  penën në hallet e dertet e njerëzve të ditëve tona, në prapësitë e marrëzitë e kohës në të cilën jetojmë…

Hiqmet Mehmetaj poezinë e gatuan me brumin e magjes së vet…E njeh mirë gjuhën e gurrës popullore, veçanërisht ligjërimin e trevës së Labërisë, frazeologjinë e saj, urtësinë e saj. Dhe, në atë mori pasurish, si nikoqir i kujdesshëm, di të mbledhë e të shoshitë fjalën para se ta hedhë në letër. Qëmton, si bleta nektarin, fjalë e shprehje të lëna, e që, kur të na marrë malli t’i gjejmë, duke shfletuar  poezinë e tij..

Lirikat e tij dallohen për frymën e dashurisë , janë me figura artistike dhe metafora të goditura  duke nxjerrr vargje pafund në dedikim të ndjenjës më të bukur : Dashurisë së shëndetshme dhe njerëzores.Ato janë krijuar me finesë ,harmoni në varg , kanë muzikalitet- .

Poeti Hiqmet Mehmetaj  është  shumë modest , me një shpirt të madh, i ndjeshëm,që vetëm dashuron të bukurën ,të mirën -njerëzoren..Për herë të parë me vargjet poetike të poetit Hiqmet Mehmetaj jemi ndeshur në këngët e bukura  polifonike të Drashovcës në vitet ’70 , ku autori me thellësinë e shpirtit të tij nisi të thur vargjet e para, si një nevojë shpirtërore të jetës së banorëve ku lindi dhe u rrit.

Duke lexuar poezinë e Hiqmet  Mehmetaj kupton se shpirtin e poezisë së tij e ka mbrujtur kënga e Labërisë, embëlsinë ia ka dhënë vargu i poetit  të shquar të Labërisë Ali Asllani.   Duke lexuar disa nga poezitë e këtij poeti si :”Lida moj të marrtë lumi”, “Salushe medet u çmënde”, “Gjitonia shkon e s’më flet”,  etj shikon që në lirikën e Hiqmet Mehmetaj ka një  origjinalitet  me vargje konçize, me figuracion të pasur dhe me mendim të fuqishëm poetik. Bukuria e jetës   jepet shumë natyrshëm, në poezitë “Drashovicë gurë stralli”, “Qani fusha, brigje, male”, “Do këndoj për labërinë”,  “Shqipëri pse s’të zë gjumi”, “Vëllait emigrant” etj, të cilat me forcën e vargut të tyre filozofojnë për jetën dhe botën në  zonën e Labërisë.

Krijmtaria poetike e Hiqmet Mehmetaj tregon se autori  është njohës i mirë i poezisë labe dhe me mjeshtëri artistike ka ditur të thotë zërin e tij me kolorit në vargjet poetike e tërë frymëzim.Për  vëllimin “ Endrrat e trëndafilit” .

Dritëro  Agolli  ka shkruar : “ Lirikat e Hiqmet Mehmetaj janë të sinqerta dhe kanë thjeshtësinë e këngës. Ato nuk janë rritur në serrat e librave, por në livadhet e natyrës. Me këtë dua të them, se autori e ka asimiluar pasurinë shpirtërore të popullit dhe si nektar  e ka shpërndarë në vargjet e tij dhe ky nektar i ka dhënë çiltërsinë e natyrshme jashtë skemave libreske”

Qatip Mara

New York 3 mars 2016

Filed Under: LETERSI Tagged With: POETI LIRIK HIQMET MEHMETAJ, Qatip Mara

JUG – VERI NJËSH ME PAVARËSI, PREJ KOSOVE E ÇAMËRI

November 26, 2014 by dgreca

Nga Qatip Mara/ New York/
Akti i shpalljes së Pavarësisë është një akt madhor që e ndan kohën e re historike të shqiptarëve në dy kohë: para dhe pas Pavarëisë. Deri para saj, historia jonë kombëtare kishte rrjedhur në një shtrat të ngushtë, ku shpesh rrebeshet dhe cunamet e ardhur nga jashtë, por herë –herë dhe nga brenda, e kishin dëmtuar dhe pse jo devijuar rrugëtimin natyral të verdiktit të botës shqiptare. Pavarësia bëri që ky shtrat të shkonte në normalitetin e vet dhe, pavaërisht nga sfidat me të cilat ajo do të ndeshej, deviza historike e saj do të mbetej e patjersueshme.
Ky akt, i realizuar pas vendimit historik për të shpallur Shqipërinë të lirë e të mosvarme më 28 nëntor 1912, i shoqëruar me ngrirjen e Flamurit Kombëtar, përbën një faqe të ndritur në analet e historisë sonë, me të cilën do të identifikohen në shekuj e mijëvjevcarë bijtë e shqipes krenare, sa kohë që të ketë jetë mbi këtë tokë, në të gjitha kohët dhe dimensionet e shpalimit të botës shqiptare. Pavarëisa do të mbetet në jëtë të jetëve, në të gjithë shekujt dhe mijëvjeçarët që do të vijnë, një orë e mbarësisë së botës shqiptare, në rrugën e identifikimit të saj me sistemin e vlerave të një bote, e cila ka gjithnjë e më shumë prirje për nga shembja e mureve izolacionistë dhe integrimi i gjithëkahshëm.
Pavarësia ishte dhe mbetet kurërozimi i ideve të gjeniut të lëvizjes sonë kombëtare Gjergj Kastriot Skënderbeu, sendërtimi i vizionit arkitipal të rilindasve tanë për Shqipërinë, mishërim i platformës së Lidhjes Shqiptare të Prizerenit, kulmim i gjithë akisonit historik të kombit tonë, për të gjetur vetveten në udhëtimin e tij sa të vështirë e kapriçoz, aq dhe të lavdishëm historik. Në analet e kësaj Pavarësie u shkrinë në një të gjitha viset shqiptare, jugu dhe veriu, mali dhe fusha, Vlora, Dibra, Shkodra, Ulqini, Elbabani, Kosova etj, duke sjellë protagonistë që me bëmat e tyre atdhetare e mbartën atdheun si një peng dashurie të përjetshme, duke na treguar udhët nga mund të kalojë në të gjitha epokat dashuria për trojet stërgjyshore.

Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë përfaqësonte fitoren e përbashkët të të gjitha trevave shqiptare prej Rrafshit të Dukagjinit në veri e deri në Çamëri në jug, prej brigjeve të Adriatikut e të Jonit në perëndim e deri në fushat e Kosovës, të Tetovës, në pellgun e Shkupit, në luginën e Preshevës e të Kumanovës, në lindje. Këto treva, duke marrë pjesë gjallërisht me pushkë e me penë në lëvizjen për çlirimin kombëtar, vunë gurë në themelet e pavarësisë shqiptare, i çimentuan ato me gjakun e bijve më të mirë dhe i hapën rrugën, me mund e sakrifica të pashembullta, deri në sublimitet, formimit dhe funksionimit, ndonëse në rrethana të disfavorshme,të shtetit shqiptar.
Kuvendi i Vlorës, duke shpallur Pavarësinë në emër të të gjithë shqiptarëve, të të gjitha trevave shqiptare, që dërguan përfaqësuesit e tyre në të, institucionalizoi një Besëlidhje të Re të shqiptarëve, në gjurmët e Besëlidhjes së Lezhës, të kryer nga Skënderbeu. Ky Kuvend e trajtoi Shqipërinë një e të pandarë, shembi muret dhe muranat e kobshme të ngritura nga fryma e ndasive të gjithëfarësojshme, të ushqyera nga armiqtë tanë tradicionalë dhe projektoi bashkimin kombëtar. Në këtë mënyrë, qeveria shqiptare e Ismail Qemalit, e dalë nga ky kuvend me frymë profetike, doli në rrafshin ndërkombëtar si përfaqësuese e gjithë popullsisë shqiptare dhe e të gjitha tokave shqiptare, pavarësisht se një pjesë e konsiderueshme e territoreve të kombit tonë ishte e pushtuar nga ushtritë e shteteve ballkanike.
Fakti që edhe në deklaratat e notat e protestës, që qeveria e Ismail Bej Qemalit iu dërgoi shteteve ballkanike e komandave të tyre ushtarake, kërkonte largimin e menjëhershëm të forcave të huaja ushtarake nga trojet e pushtuara shqiptare dhe kthimin e tyre Shqipërisë, tregon se Asamblesë Kombëtare, që përfaqësonte të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët, nuk mjaftohej me një pavarësi të redaktuar dhe e shikonte aktin e Pavarëisë si një akt gjithëpërfshirës, brenda kufijve të Shqipërisë Reale, Shqipërisë Etnike apo thënë ndryshe, Shqipërisë Natyrale. .
Akti i 28 Nëntorit 1912 sanksionte të drejtën legjitime historike të kombit shqiptar për të qenë i bashkuar, i lirë e i pavarur në trojet e tij, bashkë me popujt e tjerë të Gadishullit të vjetër. Kjo ishte një e drejtë e mohuar nga paragjikimet e të mëdhenjve të kësaj bote, e drejtë që buronte nga qenia e tij si popull me gjuhën, me kulturën, me individualitetin e me historinë e vet, e drejtë e fituar me mundime e sakrifica të panumërta në llogoret e luftës, e drejtë që i takonte për ndihmesën e vyer në dëbimin nga Ballkani të sunduesve të huaj osmanë.
Nëse Kuvendi i Vlorës hodhi themelet e shtetit të ri sovran shqiptar, ne do t’i referohemi atij në të gjitha kohërat dhe brezat që do të vijnë, si një etalioni të së drejtës shqiptare, për të pasur një përfaqësim institucional të vullnetit tonë kolektiv, për institucionin e shtetit dhe të drejtën njerëzore e gjithëkombëtare, për t’u vetëqeverisur. Nga ana tjetër, me shpalljen e Pavarësisë, shqiptarët nënshkruan vullnetin e plotë të bashkimit nga skaji më i thellë i Veriut në skajin më të thellë të Jugut, duke hedhur në erë psikozat dashakeqe të çdo përçarje, qoftë trevore, qoftë politike apo fetare, në emër të unitetit kombëtar, të mishëruar në simbolin e flamurit dhe të lirisë e prosporitetit të bijve të shqipes..
Për t’u ngritur në lartësinë e këtij mesazhi gjithëkohor, popullit shqiptar iu desh të bënte një luftë të gjatë kundër sundimtarëve osmanë dhe synimeve grabitqare të fuqive të huaja. Një varg rrethanash të brendshme e të jashtme kanë bërë që këto lëvizje të mos arrinin dot objektivin. Por në çdo etapë ato kanë vënë në provë forcat materiale e morale të popullit shqiptar, kanë pasuruar përvojën e traditat e tij luftarake dhe kanë krijuar premisat për zhvillimin e mëtejshëm të luftës. Në shek. XIX e në fillim të shek. XX kjo luftë u zhvillua mbi baza të reja shoqërore e politike dhe mori karakter të ndërgjegjshëm kombëtar. Ajo mobilizoi vetëdijen kolektive të bashkimit kombëtar në llogoren e një qëndrese të pashembullt, gjatë së cilës u promovua dinjiteti i një kombi që kërkonte me çdo çmim të rilindte si Feniksi nga hiri i kohëve të këqija dhe paragjykimi i dritëshkurtërve të kontinentit të vjetër.
Autonomia e shpallur nga Lidhja e Prizrenit dhe Pavarësia e institucionalizuar nga Kuvendi i Vlorës më 1912 janë dy hallkat themelore në zinxhirin e ngjarjeve të lëvizjes kombëtare, të lidhura organikisht ndërmjet tyre, si shprehje e vullnetit popullor dhe si pasojë e drejtpërdrejtë e përfundim logjik i luftës çlirimtare. Por, Shpallja e Pavarësisë shqiptare ishte në të njëjtën kohë një etapë më e lartë, e përcaktuar nga zhvillimi progresiv i lëvizjes dhe nga rrethanat ndërkombëtare.
Prapambetja ekonomike e shoqërore e vendit ishte padyshim një faktor që vonoi rritjen e forcave organizuese e drejtuese të lëvizjes kombëtare e si pasojë e vështirësoi dhe e vonoi Shpalljen e Pavarësisë. Nga ana tjetër, grinjdet dhe përçarjet e vazhdueshme të parësisë, me anë të grupimeve dhe lobingjeve të tyre politiko-fisnore e të tjera dukuri penguese e shtynë për një kohë relativisht të gjatë shpalljen e Pavarësisë. Por, edhe pse Shqipëria ishte një vend i vogël e mbi të rëndonte zgjedha e një perandorie të madhe, një faktor themelor që e vonoi për dhjetëra vjet pavarësinë shqiptare ishte ai i jashtëm. Populli shqiptar ka qenë gjatë gjithë lëvizjes për çlirimin kombëtar thuajse i vetëm, pa aleatë të vërtetë, herë herë me aleatë të çastit, që hynin në lojë jo për hir të ndonjë dashurie për Shqipërisë, por për shkak të konjukturave të kohës. Ajo që e bënte më të trishtë gjendjen, ishte fakti se shtetet ballkanike fqinje, të cilat të parat patën siguruar pavarësinë, luftuan me të gjitha mjetet, duke filluar nga presionet diplomatike e duke mbaruar edhe me ndërhyrje të armatosura, kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, e cila për nga qëllimet e saj ishte në kundërshtim me planet e tyre të skllavërimit ekonomik e politik dhe të copëtimit të Shqipërisë.
Edhe Fuqitë e Mëdha, të cilat, gjatë gjithë shek. XIX patën përkrahur popujt e krishterë të Ballkanit (serbët, grekët, rumunët e bullgarët) të formonin shtetet e tyre të pavarura, për një kohë të gjatë, mbajtën një qëndrim mospërfillës ndaj çështjes shqiptare, duke iu dhënë “alibi” armiqve tanë tradicionalë në aventurën e tyre pushtuese e aneksuese ndaj trojeve historike të kombit shqiptar.Në këtë qëndrim pati ndikimin e vet edhe fakti që shqiptarët, të ndarë në tri fe (edhe pse i bashkonte një ndërgjegje e vetme kombëtare), me një shumicë zotëruese myslimane, shiheshin nga Evropa e sidomos nga Rusia e krishtere si një popull i huaj me to dhe më i afërt me turqit myslimanë. Jo vetëm Rusia, por edhe shtetet e tjera evropiane nuk qenë shkëputur ende në atë periudhë nga konceptet e vjetra teokratike për kombin, edhe pse perandorive shumëkombëshe teokratike, tashmë të lodhura e të drobitura, po iu vinte fundi. Në këto kushte, lufta për Pavarësinë e Shqipërisë nuk mund të mbështetej veçse në forcat e popullit shqiptar dhe mund t’ia arrinte qëllimit vetëm kur të krijohej një konjunkturë e favorshme ndërkombëtare, kur kontradiktat ndërmjet Fuqive të Mëdha mund të shfrytëzoheshin me sukses për një platform reale për realizimin e saj.
Pavarësia e Shqipërisë u shpall në kushte të tilla ndërkombëtare. Udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në fazën e fundit të saj, ditën të shfrytëzonin me mjeshtëri koniunkturën politike që u krijua me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike, kur në çështjen shqiptare u ndeshën me forcë interesat e kundërt të Fuqive të Mëdha. Është meritë e këtyre atdhetarëve largpamës dhe, në mënyrë të veçantë, e atdhetarit dhe e diplomatit të shquar Ismail Qemali, që, duke u mbështetur në luftën e popullit shqiptar brenda vendit, zgjodhën drejt çastin e përshtatshëm për të kaluar nga platforma e deriatëhershme politike e lëvizjes për autonominë në atë të pavarësisë. Dhe kjo u realizua pikërisht më 28 Nëntor 1912, kur Turqia po dëbohej nga Ballkani, kur Fuqitë e Mëdha vendosën të hiqnin dorë nga ruajtja e status quo-së në Ballkan dhe kur planet e aleatëve ballkanikë për ta zhdukur Shqipërinë, të përkrahura edhe nga fuqitë e Antantës, u kundërshtuan nga fuqitë e Lidhjes Tripalëshe.
Vendimi historik i 28 Nëntorit drejtohej megjithatë jo vetëm kundër politikës së Fuqive të Antantës dhe të shteteve fqinje të Ballkanit, por edhe kundër planeve të fuqive të Lidhjes Tripalëshe. Këto të fundit, sidomos Austro-Hungaria e Italia, si më të interesuarat për çështjen shqiptare, ishin në atë kohë për autonominë e Shqipërisë, nën sovranitetin e Sulltanit. “Pavarësinë” e saj ato e shihnin si një variant të mundshëm të zgjidhjes së çështjes shqiptare dhe e kuptonin nën prizmin e interesave të veta, si mjetin që do t’u hapte rrugën për të vendosur kontrollin ekonomik e politik mbi Shqipërinë, për ta përdorur popullin shqiptar si gardh kundër shtrirjes së shteteve sllave drejt perëndimit të Shqipërisë, si mbështetje për shtrirjen e tyre në Gadishullin vjetër problematik të Ballkanit.
Kthesa historike e 28 Nëntorit 1912 ishte premisa politike themelore për organizimin mbi baza më të përparuara të jetës shtetërore të pavarur të shqiptarëve dhe për zhvillimin më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor të vendit. Duke formuar Shtetin e Pavarur Shqiptar, Pavarësia objektivisht krijoi gjithashtu premisat dhe atë bazë shtetërore e politike, aq të nevojshme për ta mbajtur të gjallë çështjen e çlirimit dhe të bashkimit të të gjitha trevave shqiptare dhe për zgjidhjen përfundimtare të problemit shqiptar në Ballkan. Epoka aktuale e riformulimit të problemeve të Ballkanit dhe tentativa për zgjidhjen e tyre duke ridimensionuar botën shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve të imponuar politikë, e vërteton më së miri këtë devizë të saj dhe e konturon aktin e Pavarësisë si një akt të plotë lirie e sovraniteti të një kombi, që i ka dhnënë qytetërimit modele rezistece ndaj të keqes dhe prêt prej tij të paktën një gjest mirënjohje për vlerat dhe kontributet e shpalosura.
Qatip Mara
New York 26.11.2014

Filed Under: Histori Tagged With: JUG – VERI NJËSH ME PAVARËSI, PREJ KOSOVE E ÇAMËRI, Qatip Mara

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT