• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

QEVERIA E RE E KOSOVËS FILLIM TË MBARË TË PUNËS…

March 23, 2021 by dgreca

-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pranon detyrën e kreut të Qeverisë/

-Qeveria e re zhvillon mbledhjen e parë ceremoniale. Kryeministri Kurti: Kjo është mbledhja e parë e Qeverisë së Republikës së Kosovës të zgjedhur mbrëmë, që mbahet më datë 23 mars 2021, mbledhje ceremoniale e cila shënon fillimin tonë të mbarë të punës së kësaj qeverie, e cila u votua dje, bazuar në vullnetin e popullit të shprehur në zgjedhjet e parakohshme, të lira e demokratike të 14 shkurtit/

-Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës urojnë qeverinë e re dhe Kuvendin dhe i nxitin të gjitha partitë politike të luajnë rol të përgjegjshëm në njohjen e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit si mandat i dhënë nga populli për qeveri efektive/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari*

PRISHTINË, 23 Mars 2021/Pas votimit të Qeverisë së re mbrëmjen e djeshme në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, sot paradite Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar edhe zyrtarisht detyrën e kreut të ekzekutivit nga ish-kryeministri Avdullah Hoti. Sipas ceremonisë shtetërore dhe pas nderimit të himnit shtetëror, Kryeministri Albin Kurti dhe ish-Kryeministri, Avdullah Hoti kanë parakaluar para Gardës Ceremoniale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti dhe ish-kryeministri Hoti vazhduan në ambientet e zyrës së Kryeministrit, ku ish-Kryeministri i uroi mirëseardhje dhe suksese në punën e tij, si dhe ia dorëzoi raportin e punës së deritashme të Qeverisë.

Ceremoni të dorëzim-pranimit të detyrës kishte edhe në ministritë e Qeverisë së Republikës Kosovës. 

Po sot, Qeveria e re e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar mbledhjen e parë ceremoniale, në të cilën është zotuar për angazhim dhe veprime konkrete në përballje me sfidat që po kalon vendi ynë dhe qytetarët e Republikë së Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka uruar kabinetin e tij për marrjen e përgjegjësive në drejtimin e vendit, duke shprehur besimin e tij në kapacitetin e të gjithë anëtarëve të këtij kabineti dhe ka kërkuar angazhim të menjëhershëm të kabinetit për identifikim të masave për përballje me situatën e pandemisë me COVID-19 dhe me recesionin e shkaktuar nga kjo gjendje në ekonominë e vendit.

Në vijim fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti:

Të nderuar zëvëndëskryeministra Bislimi,  Gërvalla dhe Rexhepi,

Të nderuar ministra të kabinetit qeverisës,

Kjo është mbledhja e parë e Qeverisë së Republikës së Kosovës të zgjedhur mbrëmë, që mbahet më datë 23 mars 2021, mbledhje ceremoniale e cila shënon fillimin tonë të mbarë të punës së kësaj qeverie, e cila u votua dje, bazuar në vullnetin e popullit të shprehur në zgjedhjet e parakohshme, të lira e demokratike të 14 shkurtit.

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,

Së pari, urime për mandatet që keni marrë secili. Ju dëshiroj suksese dhe punë të mbarë.

Po e fillojmë këtë mbledhje ceremoniale të qeverisë në një kohë të shqetësimeve të mëdha për qytetarët e si rezultat edhe i pritjeve të mëdha për punën e këtij kabineti tonë.

Jemi ende në një krizë shëndetësore dhe ekonomike. Deri sot kemi mbi 83 mijë persona të infektuar dhe 1,776 të vdekur deri dje zyrtarisht. Vetëm në 24 orët e fundit kishim 827 raste të reja dhe 16 të vdekur. Këto nuk janë thjesht numra dhe statistika por janë jetë njerëzish, janë familjarë, vëllezër e motra, prindër e gjyshër të cilët do të mungojnë në tavolinat e ushqimit në secilën shtëpi.

Andaj duhet të veprojmë me urgjencë që të ulim rastet dhe të eleminojmë vdekjet e reja si rezutat i virusit Covid-19, por duhet të ketë plane të zbatueshme të cilat marrin parasysh shëndetin fizik dhe mendor të qytetarëve si dhe shëndetin e ekonomisë së vendit tonë. Balancimi i këtyre duhet të bëhet përmes një plani që duhet të hartohet me urgjencë nga Ministria e Shëndetësisë, e Ekonomisë dhe ministrive tjera.

Kërkohet punë konkrete dhe rezultate sa më të shpejta.

Këtu do të punojmë si ekip, por rezultateti i këtij kabineti varet nga puna e secilit nga ju dhe ekipit që ju ndërtoni. Ju takon juve që problemet që janë brenda ministrisë tuaj t’i ktheni në projekte për zgjidhje.

Nga zyra ime do të ketë bashkëpunim në çdo kohë por do të ketë edhe veprim.

Qytetarët presin punë dhe angazhim, përfaqësim të dinjitetshëm dhe udhëheqje përmes shembullit.

Në ditët në vazhdim pres që secili nga ju të vini me propozime për vendime konkrete të cilat i kemi identifikuar me vite e të cilat kërkojnë zgjidhje.

Unë besoj në dijen dhe kapacitetet tuaja, por tash është koha që ju ta dëshmoni para qytetarëve se në pozitat që jeni vendosur, që jemi vendosur, jemi meritor. 

Sfidat janë të mëdha.

Përtej veprimeve urgjente në menaxhimin e pandemisë, duhet të veprojmë shpejt që të ndalim humbjet financiare nga kompanitë publike por edhe të ndalim recesionin ekonomik duke ndihmuar sektorin privat që të shpëtojmë vendet e punës dhe prodhimin.

Në ndërmarrjet publike duhet të ketë auditime dhe vlerësim të performancës. Aty ku gjejmë shkelje të ligjit dhe performancë të dobët duhet të veprojmë shpejt në kthimin e ligjshmërisë por edhe në vendosjen e një menaxhmenti i cili ka aftësinë dhe vullnetin dhe vizionin që të kthejë ndërmarrjet publike në mbështetës të ekonomisë.

Pres që në tavolinën time të vij urgjent si plani për menaxhimin të pandemisë po ashtu edhe plani për ringjalljen ekonomike.

Le të punojmë me nder dhe përgjegjësi.

Të udhëhiqemi nga parimet më të mira, nga zotimet tona dhe nga interesat e qytetarëve,

Të kërkojmë ndihmë dhe bashkëpunim nga të gjithë, dhe le t’i përvjelim mëngët e të fillojmë punët e mëdha që na presin neve dhe angazhimin e përditshëm që pritet prej nesh.

Urime dhe suksese të gjithëve dhe secilit. Na priftë e mbara. 

Ju faleminderit. 

AMBASADORËT E QUINT: KOSOVA KA NEVOJË PËR UDHËHEQËSI TË VENDOSUR

Nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë u dërgua sot kjo Deklaratë e ambasadorëve në Prishtinë të vendeve të QUINT-it:

Deklaratë e shefave të misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës  

Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës urojnë qeverinë e re dhe Kuvendin dhe i nxitin të gjitha partitë politike të luajnë rol të përgjegjshëm në njohjen e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit si mandat i dhënë nga populli për qeveri efektive. Në këtë kohë të pandemisë dhe sfidave ekonomike, Kosova ka nevojë për udhëheqësi të vendosur dhe institucione qeverisëse funksionale që sigurojnë stabilitet, përfshirë edhe presidencën. Adresimi i këtyre sfidave do të kërkojë që prijësit e partive politike dhe deputetët e zgjedhur tani t’i vënë nevojat e qytetarëve të Kosovës mbi çështjet partiake politike dhe që opozita dhe qeveria të punojnë për prioritetet e përbashkëta, e detyra e parë është zgjedhja e presidentit të ri.  

*Per me shume fotografi shih ne FB

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Qeveria e re

Kosova me Qeveri të re, me 61 vota të Kuvendit 120 anëtarësh

June 3, 2020 by dgreca

-JA KUSH JANE MINISTRAT E KABINETIT HOTI-4 ZEVENDESKRYEMINISTRA/

Kundër 24 ishin deputetë, abstenoi 1./

PRISHTINË, 3 Qershor 2020- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/Qeveria e re e Kosovës me Kryeministër Avdullah Hotin e LDK-së u zgjodh sot me 61 vota të Kuvendit 120 anëtarësh në një seancë të jashtëzakonshme, pas shkarkimit në 25 Mars 2020 të Qeverisë së Albin Kurtit të LVV, të zgjedhur pikërisht para 4 muajëvë – në 3 Shkurt.Kundër ishin 24 deputetë, abstenoi 1. Kryeminsitri Hoti dhe Kabineti Qeveritar i sapozgjedhur dhanë betimin.

KABINETI HOTI

QEVERIA E RE E KOSOVËS:

Avdullah  Hoti –  Kryeminstër i Kosovës

Besnik  Tahiri – Zëvendëskryeminstër i parë

Driton Selmanaj – Zëvendëskryeminstër

Albulena Balaj Halimi – Zëvëndëskryeminstre

Goran Rakiç – Zëvendëskryeminsitër dhe Ministër i Pushtetit Lokal

Hykmete Bajrami – Ministre e Financave

Besian Mustafa – Ministër i Bujqësisë

Vlora Dumoshi  – Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Anton Quni – Ministër i Mbrojtjes

Agim  Veliu – Ministër i Punëve të Brendshme

Arban Abrashi – Ministër i Infrastrukturës

Armend Zemaj – Ministër i Shëndetësisë

 Selim Selimi – Minisitër i Drejtësisë

Blerim Kuqi – Minisitër i Ekonomisë dhe Ambientit

Meliza Haradinaj Stublla – Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës

Ramë Likaj – Minisitër i Arsimit dhe Shkencës

Skender Reçica – Minsitër i Punës dhe Mirëqeniës Sociale

Vesel Krasniqi  – Ministër i Tregtisë dhe Industrisë

Dalibor Jevtiç – Ministër për Kthim dhe Komunitete

Enes Kervan – Ministër i Zhvillimit Rajonal

***

PRESIDENTI THAÇI URON QEVERINE

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

I përgëzoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për votimin e Qeverisë së re. Kjo është një ditë e rëndësishme për demokracinë tonë dhe për qytetarët e vendit. Qeverisë së re i uroj sukses në përmbushjen e programit qeverisës dhe i ofroj bashkëpunim të plotë në jetësimin e agjendës kombëtare dhe ndërkombëtare.

Me bashkëpunim dhe koordinim ndërinstitucional mund ta rimëkëmbim ekonominë tonë dhe të lëvizim me hapa më të shpejtë drejt integrimit euroatlantik, duke e fuqizuar partneritetin me SHBA-në dhe me të gjitha shtetet mike. HTH

Filed Under: Politike Tagged With: kosova, Qeveria e re, Qeveria e re Hoti

Kosova, zhvillime drejt një qeverie të re…

April 30, 2020 by dgreca

-Presidenti Thaçi dekreton Avdullah Hotin si kandidat për kryeministër për të formuar Qeverinë e re të Kosovës/

-Lëvizjes Vetëvendosje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kërkoi masë të përkohshme/
-Lidhja Demokratike e Kosovës kërkonr seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të shtunën e 2 Majit/

-Në 25 Mars 2020, Kuvendi i Kosovës votoi mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës të kryeministrit Albin Kurti/
PRISHTINË, 30 Prill 2020-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot e ka dekretuar të propozuarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotin, si kandidat për kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Presidenti Thaçi pas konsultimeve me partitë parlamentare gjatë javës së kaluar, ku shumica absolute e tyre u shprehën për shmangien e zgjedhjeve dhe krijimin e Qeverisë së re, sipas rezultateve të zgjedhjeve së 6 tetorit, ka marrë konfirmimin zyrtar të kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, se kjo parti ka shumicën e votave në Kuvendin e Republikës së Kosovës për ta formuar Qeverinë e re. 
“Sot kam marrë një letër nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Isa Mustafa, përmes së cilës ai konfirmon që i plotëson të gjitha kriteret mbizotëruese për krijimin e Qeverisë së re, duke përfshirë edhe atë të sigurimit të shumicës parlamentare për Qeverinë e re. Në përputhje me këtë letër, sapo kam dekretuar z. Avdullah Hoti si të nominuar për kryeministër të ri të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.
I pari i vendit theksoi se në ditët në vijim një Qeveri e re mund të votohet sërish në Kuvendin e Kosovës, në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me rendin demokratik të vendit, duke marrë një legjitimitet të qartë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Presidenti Thaçi u shpreh i bindur se në politikën kosovare do të mbizotërojë arsyeja, maturia dhe pjekuria politike, duke shtuar se askush nuk duhet të pretendojë që me metoda të tjera jodemokratike mund ta marrë ose ta mbajë pushtetin.
“Të gjithë ne, si zyrtarë dhe si politikanë të Kosovës, duhet t’i respektojmë këto procedura. Duhet të pajtohemi me faktin që pushteti fitohet dhe humbet në respektim të plotë të Kushtetutës së Kosovës dhe të rendit demokratik”, ka përfunduar presidenti Thaçi.
Menjëherë pas këtij zhvillimi nga Partia e Kryeministrit në detyrë Albin Kurti u njoftua: 
“Lëvizja Vetëvendosje dorëzoi sot në Gjykatën Kushtetuese dekretin e presidentit që qartazi shkel kushtetutën për t’i bërë të bindurit e tij qeveri të ardhshme. Ne nuk do të ndalemi së mbrojtur kushtetutën dhe kushtetutshmërinë, demokracinë dhe Republikën e Kosovës.”
Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje bënë të ditur se Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i kanë bërë kërkesë për masë të përkohshme dhe u kanë bërë thirrje deputetëve që të mos marrin asnjë veprim pa ndonjë vendim të Kushtetueses.
Po në orët e fundit u njoftua se Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Kuvend kërkesën me 61 nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme për të shtunën e 2 Majit, në ora 13:00, ku pikë e rendit të ditës do të jetë zgjedhja e Qeverisë së re Kosovës. 
Kuvendi i Kosovës ka 120 deputetë dhe Qeveria e re mund të zgjedhet me votat e së paku një më shumë se gjysma e depuetëve.

Në 25 Mars 2020, Kuvendi i Kosovës pas shumë debateve e replikave në seancën plenare, më shumë se një orë para mesnate, votoi me 82 vota pro, 32 kundër e 1 abstenim mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës të kryeministrit Albin Kurti. Mocioni ishte kërkesë me nënshkrimet e 44 deputetëve, propozuar nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës – partner i koalicionit qeverisës.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës pasditen e 3 Shkurt 2020 u votua me 66 vota pro e 10 abstenime Qeveria e Republikës së Kosovës e kryeministrit Albin Kurti – liderit të Lëvizjes Vetëvendosje në bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, derisa opozita kishte braktisur sallën.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Qeveria e re

QEVERIA E RE, PËRPJEKJE PËR TË SHPËTUAR TË VJETRËN

December 29, 2018 by dgreca

Fundi i paralajmëruar i një qeverisje demode…./

Ilir-Levonja-300x298

– Lufta brenda llojit është po aq shtërpëzuese sa droga dhe prostitucioni. Edi Ramën nuk mund ta mbroj dot një propaganduese studiosh, a komisarja politike e ekraneve, si Spiropali. As patosi socialist i Erionit të vogël… ai babai i Elbasanit të ha të gjallë. Po kështu edhe xhuxhi i Durrësit… Shpëtimi qëndron tek katarsisi, rruga, masat, përmbysja.

Nga Ilir LEVONJA/

1) Të gjitha këto lëvizje, në qeveri, nuk janë asgjë tjetër veçse ca përpjekje të kota për të shpëtuar rënien e saj. Por ajo ka marrë rrugën. Madje mos u çudisni kur t’i shikoni me ca xhaketa të shqyera, ose të përbuzur, vërtitur qosheve si plaçka të panevojshme. Në një farë mënyre ky është një sinjal i qartë për klasën politike në përgjithësi. I ka rënë për rrisk Edi Ramës që të mbaj mbi shpinë gjithë fytyrat e shushunjëzimit të vendit. Dhe lum shqiptarët nëse veprojnë në kohë, duke hequr përfundimisht dorë nga gara e shpërblimeve për një gjel deti a ca ditë pushimi. Këto statutet limfatike në fb, të të dorëhequrve, nuk janë asgjë. Mos u merrni me përshembull ish ministren e arsimit Nikolla. Si ia dhjeu kryeministrit me diplomaci etj. A lotët e iks a ypsilon ministri. Nuk kishin asgjë në dorë. As ai, as ajo, as ajo tjetra e kulturës, apo ai që dilte nga shtatë herë në ditë, ai i pusetave dhe bërrylave të rrugëve. Ai i energjisë a i turizmit… Ishin të gjithë ca kuklla tavoline, që zhvendoseshin kollajllisht. Jo nën petkun e intelektualit a sharmin e shtetarit që punon për vendin, por ca figurinave që janë gati të përpëliten në litar mjaft që t’i shërbejnë shefit. Ka marrë gremisjen e gjitha. Dhe kjo jo për hatër të opozitës. Jo, jo aspak… Jo për hatër të këtij apo atij, por për hatër të kohës. Si opozitarizmi dhe qytetaria janë mundur prej kohës. Kjo për faktin se opozitarizmi nuk e njeh qëllimisht sublimitetin. Dhe Edi Rama, nuk ka se çfarë të bëj me pushtetin. Nuk di ku ti shpjerë duart. Kanë marrë fund pasi koha i ka nxjerrë zbuluar.

2) Në fakt vendi ynë ka nevojë jo vetëm për një katarsis politik, por edhe një lëvizje me veprim të drejt për drejtë në dënimet publike. Dhe kam përshtypjen se po i vjen era. Ka nevojë për një parapërgatitje burgjesh, për konfiskime etj…, pasi vetëm kështu mund të shkarkoj dëmin e madh moral karshi qytetarit që po e braktis, por edhe atë ekonomik të faturave të mbarsurave, të prishjeve pa fund, borxhe që u takojnë atyre që nuk kanë lindur akoma. Deri sa na ka mundur koha, them se këtë nuk pres ta bëj përshembull ish ministrja e kulturës. Apo ai i pusetave etj. Ka vdekur një herë e mirë dinjiteti intelektual. Janë të gjithë ca zorraxhinj të tenderimeve duke bërë garë me njëri-tjetrin në përqindjet e zhvatura. Kjo është arsyeja që nga dje e sot vlaga e internetit yshtet mbi atë që se çfarë thotë a si i përgjigjet ky ministër apo ai ministër pas shkarkimit të beftë prej Edi Ramës. Eshtë një qejfhumbje kohe, sepse asnjë prej tyre nuk ishte i dobishëm. Ishin thjesht ca marioneta që firmosën pa fund, fonde me destinacione përfitimesh personale. Përshembull kjo kulutra shqiptare, një dështim total, i gjithi. Një theqafje me sukses…, pasi ironia më e madhe është një fakt që të dërrmon sytë. Thua viti i Skënderbeut, dhe hapësirën televizive të shqiptarëve e mbush me telenovela Turqie. Askush nuk pyeti se sa është përqindja e kohës që shqiptarët të njohin hallet e vetveten midis atyre vet, Skëndërbeut dhe Mehmet pushtuesit. Është një absurditet social. E për më tepër për një shtet që akoma nuk i ka dhënë një dorë gëlqere shtëpisë së poetit kombëtar Gjergj Fishta. Kjo është çështje gjenetike e kohës, kur nuk di se çfarë bën tjetër me pushtetin veçse të vjedhësh. Ndaj mos u kënaqni me këto se si ia ktheu iksi apo ypsilon ministër Edi Ramës. Mos u kënaqni, por qani.

3) Eshtë një nga ato përpjekje djallëzore për të shpëtuar jo për të ndrequr qeverisjen e vendit. Nuk ka më qeveri ai vend. Dje studentët, sot ca mërgimtarë. Nuk e di deri ku arrijnë fjalët e manipulimeve nga partitë, por për një gjë ju siguroj… në sytë e emigrantëve, sidomos atyre që kanë kapur dekadën, përdorimi politik është një strategji e dalë boje. Pasi në raport me vendin ku jetojnë, duke parë se si bëhet politika aty, nuk intimidohen nga afshet partiake, qofshin majtas apo djathtas. Të jeni të bindur se tek një emigrant perëndimor nuk ka dashuri të përjetshme karshi njëshave. Nga ajo dashuria me aromë diktature proletariati etj., vrit e prit e prij Enver, jemi grusht bashkuar rreth teje. Përkundrazi ka neveri me shumicë kur shohin akoma fytyra që bëjnë politikë prej gati tridhjetë vjetësh tashmë. Sidomos kur ata janë emigrantë ekonomikë…, ruhuni nga emigrantët e rrahur prej politikës.

Eshtë një nga ato përpjekje e stërmunduar, ku ai që e di më mirë se kushdo tjetër, që e ka humbur betejën është vetë Edi Rama. Dhe me siguri është duke studiuar obsionet a modelin Gruevski. Kjo nga betejat e humbura me klanin e oligarkëve dhe kartelin e drogës. Por dhe rrathët e shtuar të emisarëve klanore brenda llojit. Lufta brenda llojit është po aq shtërpëzuese sa droga dhe prostitucioni. Edi Ramën nuk mund ta mbroj dot një propaganduese studiosh, a komisarja politike e ekraneve, si Spiropali. As patosi socialist i Erionit të vogël… ai babai i Elbasanit të ha të gjallë. Po kështu edhe xhuxhi i Durrësit… Shpëtimi qëndron tek katarsisi, rruga, masat, përmbysja.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, PËRPJEKJE PËR TË SHPËTUAR, Qeveria e re, TË VJETRËN

Kurti thërret bisedime për krijimin e qeverisë së re

June 13, 2017 by dgreca

Kosovë-Kurti thërret bisedime për krijimin e qeverisë së re të drejtuar nga Vetëvendosje/

“Si kandidati për Kryeministër, me legjitimitetin më të qëndrueshëm të fituar prej votës së qytetarëve, do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të nisur e drejtuar bisedimet me subjektet e tjera politike në kuadër të krijimit të qeverisë së re të Kosovës, që do të hiqte regjimin e vjetër nga pushteti, me drejtësi e pa hakmarrje do ta çlironte shtetin, dhe do t’i hapte rrugën zhvillimit ekonomik të vendit”, theksoi Albin Kurti./

1 albin kurti

PRISHTINË, 13 Qershor 2017-Gazeta DIELLI/ Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, thërret bisedime për krijimin e qeverisë së re të drejtuar nga Vetëvendosje.

“Zgjedhja e re qytetare tash duhet të bëhet qeveri e re progresive që zgjidh problemet e vendit tonë. Nëpërmjet 40 Prioriteteve të Republikës dhe marrëdhënies së afërt me popullin, me votën e tyre, qytetarët e vendit jo vetëm kanë afirmuar Lëvizjen Vetëvendosje si partinë më të madhe politike në Kosovë, si partinë e parë në Republikë, por edhe kanë krijuar një situatë krejtësisht të re politike”, deklaroi Kurti në konferencën e sotme për shtyp.Tutje ai tha se Lëvizja Vetëvendosje, si askush tjetër në këto zgjedhje, ka fituar një legjitimitet të madh e të fuqishëm nga qytetarët e Republikës së Kosovës, ndërsa dy koalicionet përballë tha se kanë pësuar humbje të thella.

“Në këto kushte plotësisht të reja politike, dhe bazuar mbi përkrahjen e madhe qytetare, ne deklarojmë se jemi të gatshëm për të ndërmarrë të gjitha përgatitjet e nevojshme për ndërtimin e një qeverie të re të vendit të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Qytetarët kanë votuar për ndryshim, dhe ne e kemi dëgjuar mirë e qartë zërin e tyre. Prandaj, e kemi obligimin që të japim maksimumin tonë për ta çuar përpara vullnetin e tyre”, shtoi Kurti.Ai ka ftuar të gjitha subjektet politike të koalicionit LDK-AKR-Alternativa si dhe të gjithë ata deputetë të koalicionit PDK-AAK-Nisma që janë “kundër vazhdimit të regjimit të vjetër, pra kundër pushtetit të Klanit Pronto, që të na bashkohen në tryezë për të diskutuar mbi situatën e re politike të vendit pas këtyre zgjedhjeve si dhe për programin politik të një qeverie të re të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje”.

“Lëvizja Vetëvendosje ka marrë një mandat të qartë dhe të fuqishëm prej qytetarëve për të sjell ndryshimin në qeverisje. Si kandidati për Kryeministër, me legjitimitetin më të qëndrueshëm të fituar prej votës së qytetarëve, do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të nisur e drejtuar bisedimet me subjektet e tjera politike në kuadër të krijimit të qeverisë së re të Kosovës, që do të hiqte regjimin e vjetër nga pushteti, me drejtësi e pa hakmarrje do ta çlironte shtetin, dhe do t’i hapte rrugën zhvillimit ekonomik të vendit”, theksoi ai.Në fund, Albun Kurti iu ka bërë thirrje gjitha partive të tjera dhe deputetëve që janë të përcaktuar për t’i sjell vendit ndryshimin, që të bashkohen në këto bisedime për përgatitjet për ndërtimin e një qeverie te re të Republikës së Kosovës.Në zgjedhjet e parakohshme parlametare të së dieles së 11 qershorit në Kosovë, sipas rezultateve preliminare të 99,88% të vendvotimeve të procesuara deri sot në mëngjes nga KQZ, koalicioni i 13 partive shqiptare – Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës për Kosovën dhe 10 të tjerave ka 33,98% të votave, Lëvizja Vetëvendosje që garoi e vetme ka 27,12%, ndërsa koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re, ku në listë përfshiheshin edhe kandidatët për deputë të subjektit politik më të riut drejt regjistrimit si parti – Alternativa e të Lëvizjes për Drejtësi ka 25,74% të votave. /b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, Kurti, Qeveria e re, vetvendosja

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT