• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Basha pakt të ri me Ramën?!

September 13, 2017 by dgreca

Pas “vdekjes” së 18 majit, Basha pakt të ri me Ramën: ndryshime në ndarjen territoriale/

1 Basha LU

Shpallja  e djeshme nga Lulzim Basha se “marrëveshja e 18 Majit me Edi Ramën ka vdekur”, është dhe zhvillimi kryesor politik i ditës përpos debatit dhe votimit për “Rama 2”, e cila gjithsesi nuk ka problem numrash në Kuvend.

Kreu i opozitës shqiptare, deklaroi literalisht se pakti parazgjedhor me të gjitha pikat e tij nuk ekziston më.

Lulzim Basha e grisi atë marrëveshje në mënyrë publike, duke e cilësuar si një relike të vjetër, a thua se e kishte firmosur dikush tjetër dhe jo personi që e deklamonte atë.

Por, cili ishte mesazhi i Lulzim Bashës në fjalimin e tij, që ka tërhequr edhe vëmendjen e ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili drekoi me kreun e PD-së.

Mesazhi i Bashës ishte i qartë: marrveshja e 18 majit ka vdekur, nuk njoh asnjë pikë të saj, dhe jam gati për një marrëveshje të re, me kushte të reja, ndryshe do të ketë kryengritje!

Po ç’përmban marrëveshja e re? Në një farë mënyrë, ose thënë qartë, atë që përmbante “e vjetra” që vrau kreu i PD. Pra reformë Kushtetuese, Zgjedhore dhe ajo që është më e rëndësishmja Administrative.

Burime pranë mazhorancës, i bënë të ditur tesheshi.com se mesazhi është përçuar si një ftesë e Lulzim Bashës për një pakt të ri me Edi Ramën, pra për një vazhdim të 18 majit me një format të ri.

Një format, që Lulzim Basha kërkon ta shesë brenda partisë së plagosur Demokratike si një paketë e re me kushte ndaj qeverisë.

Siç mësohet ajo që është më e rëndësishmja nga kushtet që PD-ja pritet t’i vendosë qeverisë, ose më mirë mazhorancës në këmbim të luajalitetit për të miratuar së bashku reformat e mëdha, është rishikimi i Ndarjes Administrative dhe Territoriale.

Partia Demokratike kërkon të hyjë në zgjedhjet lokale të vitit 2019 me një ndarje të ndryshuar, ku të ketë më shumë qendra administrative, pra bashki në veri të vendit, dhe më pak në jug.

Siç mësohet, PD-ja do të kërkojë që Lezhën dhe Shëngjinin ta ndajë sërish në dy bashki, Shkodrën dhe Dukagjinin, si dhe nënshkodrën në bashki të veçanta, por ajo që është më dramatikja në këtë mesele, është se ka gjasa që të vihet dorë edhe mbi Himarën.

Pra që të kthehet ndarja administrative ku t’i hiqet Himarës pjesa e Labërisë. Në këtë aspekt Athina po bën presion të madh, duke vendosur edhe kushtin e vetos për negociatat me BE-së.

Vetë takimi i ambasadorit amerikan Donald Lu, me ambasadoren greke në Tiranë, gjatë seancave të Kuvendit në mënyrë demonstrative, ishte një sinjal për një mundësi të tillë.

Ndërkaq, edhe Rama këtë herë nuk ishte aq i ashpër me Athinën si herët e tjera.

Lulzim Basha, siç e kemi shkruar më herët, pritet të jetë protagonist i reformës kushtetuese dhe zgjedhore, ku sipas parashikimeve do të drejtojë ai vetë Komisionin e Posaçëm Parlamentar.

Dhe duke marrë rolin e protagonistit, pra prodhuesit të reformës de fakto, ai do të negocojë edhe për Himarën, e cila po kërkohet me ngulm nga Athina.

Një tjetër kërkesë e PD-së për reformën territoriale është që edhe Paskuqani të jetë bashki në vete, duke i bashkëngjitur Valiasin, i cili aktualisht është në bashkinë e madhe të kryeqytetit.

Tiranës, pritet që të kërkohet edhe shkëputja e periferisë pra që Farka bashkë me ish-komunat e pjesës Lindore të grumbullohen në një bashki më vete, sikur edhe Kashari, të cilit mund t’i bashangjitet pjesë të Domjes apo Laknasit që sot janë pjesë e bashkisë Vorë.

Me këtë ndarje, PD-ja shpreson të faktorizohet duke fituar më shumë asete elektorale që mund ta ringjallin atë politikisht, duke mos e lënë në kushtet aktuale ku PD mendon se është e destinuar të humbasë.

Nuk dihet nëse do të pranohen të gjitha nga Edi Rama, por ka gjasa që një pjesë e madhe të këtyre kushteve të pranohen edhe si pjesë e vullnetit politik të shprehur nga Kryeministri për marrëveshje institucionale.

Lulzim Basha, do ta përdorë rolin e tij si inspirues i reformës si një atu politik, për tu ringritur si brenda PD-së, por edhe në elektorat.

Përmendja  e termit “kryengritje”, kreu i opozitës synon ta mbajë si një “shpatë Demokleu” që të rrijë si një kërcënim për Edi Ramën se ai kurdoherë mund ta hapë çadrën e famshme, që mazhorancës së vetme të Ramës, mund t’i shkatërrojë imazhin duke rrezikuar izolimin politik.

Dhe këtu Basha nuk ka gjë për të humbur, ç’pati, i humbi më 25 qershor.

Është Edi Rama, ai që rrezikon të prishë një fitore që e kishte kërkuar prej kohësh. Ndaj sipas të gjitha gjasave ai do ta hapë krahun lirisht për atë që e quajti hapur në Kuvend: “konkurrent, e jo kundërshtar”.

CFARE THANE RAMA E BASHA NE KUVEND

 

 

RAMA

Askush nuk fiton nga diskretidimi i qeverisë shqiptare në botë. Në shumë vende kurrë konkurrentët nuk njollosin njëri-tjetrin. Zgjedhjet nuk fitohen duke nxitur të huajt të deklarojnë sensacione të zymta për vendin që është i të gjithëve. Pushteti nuk merret duke shkuar në Bruksel të ndarë. Dekriminalizimi dhe kanabsi, probleme reale, por u frynë. Opozita luajti një rol në shkundjen tonë ndaj këtyre problematikave.

Edhe opozita ka rolin e saj në rezultatin e sotëm ndaj kanabisit. Problemet t’i zgjidhim njëherë në shqip. Po flitet për krim shqiptar në disa kryeqytete, ndaj kësaj duhet të jemi bashkë. Transparenca është gjë e madhe që na bashkon, por cfarë na pengon të hapim një dialog serioz për të mos vijuar edhe 4 vite në avazin e vjetër, për të mos i lënë këto probleme në rrjedhje të lirë për të gjetur zgjidhje në minutë n e fundit, pasi jemi bërë gazi i botës.

Kush fiton prej nesh kur përballemi me njëri tjetrin. Ne emër të shumicës unë u shpreh sot opozitarëve gatishmërinë për një nisëm të hapur për gjërat që na bashkojnë, paketa e detyrimeve madhore e partive të vërteta dhe politikanëve seriozë të cdo vendi. Shqipëria e bashkua me europën dhe bashkimi i shqiptarëve janë apo nuk janë pjesë e kësaj pakete. Kush fiton nga mosmarrëveshjet, që kthehen në pengesa në rrugën drejt BE. Nuk po flas për Shqipëri të madhe or një popull të vetëm shqiptar, që sot ka dy shtete, është ende larg i lidhur në të drejta dhe detyrime me qëllimet e mëdha dhe i unifikuar në përpjekjet.

Axhendat partiake nuk do të marrin peng rendin e ditës së Kuvendit. Jemi të vetëdijshëm për gabimet dhe defektet tona. Jo armiq, por konkurrentë, shpresoj të jetë kështu edhe për ju. 25 qershori provoi se në Shqipëri nuk fiton kur i fryn konfliktit, akuzon, shan dhe fyen, kush bllokon.

BASHA

“Ky parlament nuk shpreh vullnetin e qytetarëve por tjetërsimin dhe vjedhjen e vullnetit të tyre. Raporti paraprak i OSBE-ODIHR sikundër edhe ai i ministrave teknikë faktojnë shitblerje masive të votave, përdorim të grupeve të strukturuara kriminale, skedimin dhe matrikullimin e shqiptarëve, duke i shantazhuar, intimiduar, frikësuar dhe terrorizuar për t’u blerë varfërinë dhe mjerimin e thelluar nga kjo qeveri”.

Thelbi i marrëveshjes së 18 majit, ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ndaj, dhe zgjedhjet e 25 qershorit shënuan edhe vdekjen e kësaj marrëveshjeje. Aleanca e pandërprerë asnjë cast e Ramanjishit me krimin dhe shitblerja e votave me paratë e drogës dhe të korrupsionit e vranë marrëveshjen dhe rikonfirmuan problemin numër 1 të Shjqipërisë: vjedhjen dhe tjetërsimin e vullnetit të shqiptarëve për hir të pushtetit personal dhe privat të Edi Ramës.

E vetmja gjë që arriti  8 maji është që 450.000 shqiptarë përfaqësohen sot këtu në këtë sallë nga opozita, nga Partia Demokratike. I vetmi sukses i 18 majit është që ti nuk arrite ta emërosh opozitën tënde siç e kishe nisur dhe siç doje ta bitisje

Nëse 25 qershori e vrau marrëvëshjen e 18 majit, 9 shtatori e varrosi atë përfundimisht. Jo vetëm zgjedhja në krye të kuvendit e Gramoz Rucit, të cilit i është ndaluar përjetësisht hyrja në SHBA për shkak të lidhjeve të tij me krimin dhe trafiqet, por edhe akti mafioz i blerjes apo tjetërsimit të 2 votave opozitare, është shprehja më e qartë se në vend të bashkëekzistencës demokratike me kundërshtarin, t’i zgjedh gjithmonë shitblerjen dhe manipulimin.

 

(tesheshi)

Filed Under: Analiza Tagged With: Basha, marrveshja, qeveria, Rama

E vërteta është se Basha i mbrojti katolikët nga njolla e turpit që ju ngjiti Rama

May 17, 2017 by dgreca

Anti -“fake news”: Intervista e Bashës te `Der Standard` dhe një grep i Ramës, për peshq të trullosur/

auto_Untitled-111495018453Një intervistë e kreut të opozitës Lulzim Basha në prestigjiozen austriake “Der Standard”, është shndërruar me shpejtësi nga mediat shumëpërdorimëshe të kryeministrit, në një “fake news” që ka infektuar me shpejtësi rrjetet sociale. Gati të gjitha mediat në shërbim të kryeministrit morën prej kësaj interviste një pasazh, ku Basha tregon për kriminalizimin e politikës, administratës dhe pushtetit lokal prej kryeministrit që në fushatën zgjedhore të vitit 2013 dhe më pas në zgjedhjet e pushtetit lokal dy vjet më vonë.Loja me kontekstin e fjalëve të Bashës u shndërrua me shpejtësi në tituj dhe shkrime që e paraqisnin atë si një antikatolik të madh, madje duke i kriminalizuar të gjithë “në tufë”. Grepi i këtij “fake news”, edhe pse i fabrikuar trashë kapi mjaft individë të frustuar që po mbushin mediat e pushtetit dhe rrjetet sociale me “revolta” kundër Bashës, në mbrojtje të katolikëve shqiptarë. Janë thirrur në ndihmë Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi e gjithë korifejtë e klerit katolikë.

Por si është e vërteta?   

“Lidhja mes krimit dhe politikës në Shqipëri është e veçantë. Në Parlament, në bashki, në institucionet e Administratës Publike janë ulur njerëz, që nuk kanë qenë kurrë në politikë. Ajo që i bashkon është fakti se kanë ngecur nëpër burgjet europiane për trafik droge, trafik të qenieve njerëzore, trafik armësh dhe vrasje. 95% e atyre me të shkuar kriminale, që ulen sot në Parlament, dhe 70% e atyre që drejtojnë bashkitë janë nga veriu i Shqipërisë”, i ka thënë Basha gazetarit austriak pasi u pyet për kriminalizimin e politikës nga Edi Rama.Në asnjë rresht të retorikës së mësipërme nuk thuhet nga Basha, se 70% e katolikëve shqiptarë janë kriminelë siç po e paraqesin me djallëzi malinje mediat e Ramës. Përkundrazi; ai i rrëfen gazetarit një të vërtetë që tashmë e dimë të gjithë dhe këtë e shpjegon më poshtë në të njëjtën intervistë.
“Katolikët e veriut kanë qenë bastioni ynë. Por Edi Rama rekrutoi në veri llumin e llumit për të shkatërruar fortesën tonë atje. Ata janë fuqizuar e kanë caktuar krerë policie e taksambledhës”.Me pak fjalë, Lulzim Basha ka rrëfyer maskaradën që ka bërë Rama me Veriun e Shqipërisë. Ka treguar sesi ai është tallur dhe ka denigruar katolikët duke emëruar si përfaqësues të tyre, ata individë që në fakt janë turpi dhe përgërja e tyre; derrat më tipik të “pyllit” ku jetojnë, i cili ka nxjerrë njerëz të shquar, të shkolluar, idealistë që kanë nderuar jo vetëm Veriun dhe katolikët, por gjithë kombin shqiptarë. Basha ju thotë që Rama në pamundësi që të fitojë me garë të pastër zgjedhjet në këto treva të njohura si bastion i të djathtës dhe djep i demokracisë shqiptare, rekrutoi të fortët dhe kriminelët e të gjithë llojeve,  për të mbledhur me mënyrat e tyre votat që nuk kishte shans ti merrte kurrë. Prandaj edhe 70% e “përfaqësuesve” të popullsisë katolike të Veriut në parlament, bashki dhe administratë janë trafikantë, përdhunues, vrasës, `llumi i llumit` të katolikëve, siç i quan Basha.

Ndryshe nga si po përpiqet ta paraqesë ky “superfakeneës” deklaratën e tij e vërteta është që Basha ka ndarë “llumin e llumit”, nga gjithë pjesa tjetër. Dhe për këtë fajtor bën vetëm një njeri; Edi Ramën dhe strategjitë e tija kriminale për të marrë e mbajtur pushtet…jo vetëm në Veri (ku eksperimenti ishte masiv dhe i paprecedentë), por në  gjithë vendin.  Është për të ardhur keq që pas gjithë kësaj, shfaqen “katolikë të revoltuar” me Bashën të cilët dërdëllisin përçart për “njollën” që ju paska ngjitur ai pa të drejtë ai. Është e vërtetë që gjatë këtyre 4 viteve popullsia e veriut dhe veçanërisht katolikët janë turpëruar si kurrë më parë. Por autori i kësaj njolle është vetëm një; Edi Rama që përzgjodhi me kokrra mes tyre, individë të krimit që jo vetëm nuk i përfaqësojnë, por përkundrazi i turpërojnë. Krimi nuk ka as fe as krahinë, e as atdhe.

Këta “katolikë” të revoltuar do të kishin bërë mirë që të kishin folur gjatë këtyre katër viteve, kur Rama ju tregoi hapur se sipas tij, ata e meritojnë të përfaqësohen nga “llumi i llumit” të tyre.Nëse Armando Prenga dhe Mark Froku me kompani, na qenkan njësoj si Gjerg Fishta dhe Luigj Gurakuqi, atëherë le të jetë edhe Edi Rama, Ismail Qemal e Gjergj Kastriot se nuk bëhet qameti.E vërteta është që Basha i mbrojti katolikët nga njolla e turpit që ju ngjiti Rama. Të tjerat janë “lajme të rema”, ose grep për peshq të trullosur, “katolikë” qofshin apo jo…(Kortezi:SYRI.net)

Filed Under: Politike Tagged With: Basha, Katoliket, njollate turpit, Rama, Standart

Armiku i Edi Ramës është një grua

May 10, 2017 by dgreca

Armiku i Edi Ramës është Monika Kryemadhi!/

1-elida-bucpapaj-300x130Nga Elida Buçpapaj/

Armiku i Edi Ramës nuk është Sali Berisha.

As Lulzim Basha!

As Ben Blushi apo Koço Kokëdhima,

Bile as Ilir Meta!

Armiku i Edi Ramës është…një grua

Natyrisht jo nga ato gratë e veta, deputetet, ministreshat, drejtoreshat, fotografeshat, që e adhurojnë si të ishte Zot!

Armiku i Edi Ramës është Monika Kryemadhi!

Harrojeni atë proverbin që thotë se koha i shëron plagët!

Se bashkëqeverisja ja shëroi pezmin Monikës!

Koha dhe durimi, sipas Lev Tolstoit, janë dy luftëtarë të fuqishëm, për t’u hakmarrë.

Në Shqipëri nuk ka drejtësi,  ka hakmarrje.

Edi Rama ku ta gjente që të kishte armik njërin prej atyre të përmendurve më sipër, ose të ndeshej me të gjithë ata së bashku, veç me Monika Kryemadhin të mos kishte të bënte, së cilës i ka ardhur ora që t’i lajë hesapet me Edi Ramën për vitin e mbrapshtë kur Ilir Meta u detyrua të japë dorëheqjen dhe të heqë dorë nga imuniteti.

Të jetë për Monika Kryemadhin, ajo bëhet menjëherë me Berishën dhe e kalon në opozitë Edi Ramën, që tashmë ka kaluar në opozitë.

Të jetë për Monika Kryemadhin, Edi Rama ishte djegur në turrën e druve, metaforikisht.

Dhe me të drejtë, sepse asaj i del në ëndërr si makth dhe ankth 2010  kulmuar me janar-shkurtin e vitit 2011 kur PS kishte dalë në demonstrata me në krye Edi Ramën, pasi Dritan Prifti shfaqi videon e famshme dhe opinioni shqiptar u ngrit në këmbë.

Nuk e harron atë kohë apokaliptike Monika Kryemadhi, që e bëri të urrente në heshtje dhe me durim Edi Ramën dhe t’i ishte mirënjohëse për gjithë jetën Sali Berishës!

Edhe në intervistën e saj më të freskët, kur Edi Rama tashmë e ka luajtur kartën fatale, që e bëri Ilir Metën President të Republikës, Monika Kryemadhi shpërtheu pa doreza fare!

Iu bëri thirrje gjithë simpatizantëve të PS të votojnë për LSI, pastaj si kryetare partie, sepse Petrit Vasili është sa për sy e faqe, i doli hapur dhe ballë për ballë.

Tani që Ilir Meta ka siguruar vendin e Presidentit të Republikës, paçka se e shkel çdo ditë Kushtetutën e vendit, duke bërë fushatë për LSI, Monika Kryemadhi e ka ngrehur shpatën kundër Edi Ramës. Mllefet e kohëve të shkuara, të grumbulluara nëpër vite dhe me durim tani ka ardhur koha që t’i shprehë lirshëm.

Edhe Monika Kryemadhi është shkelëse e  Kushtetutës, sepse ka konflikt të hapur interesi. Kushtetueshmërisht Presidenti duhet të shprehë unitetin kombëtar, dhe nuk ka sesi, kur bashkëshortja është kryetare e LSI-së, partia, që bashkëshortët e trajtojnë si pronën e tyre të patundëshme.

Por në  Shqipëri nuk ka shtet ligjor! Dhe deri kur të vendoset shteti ligjor, kupola e faktorëve politikë që kanë 26 vjet duke e hequr zvarrë këtë vend, e bëjnë vetë ligjin!

Dhe Monika Kryemadhi e ka nënshkruar fermamin, për ta nxjerrë jashtë loje Edi Ramën, të cilit i ka shpallur hapur luftë.

Do të vijë një kohë, shumë shpejt, kur Edi Rama do të mbetet pa kryeministrinë dhe pa partinë, veç me lapsat për të zhgarravuar!

Nuk i ka fajin kush! As atij dhe as Berishës!

Edi Rama deri tani e ka patur kohën e të përpjetës. Tani i vjen rradha kohës së tatëpjesës, kur rënia është sikur e thonë italianët me fjalën e tyre më të gjatë me 11 rrokje e 26 gërma, precipitevolissimevolmente, por që ka kuptimin e kohës skajshmërisht të limituar, të zvogëluar e të shkurtër, që shqip thuhet, do të bjerë sa hap e mbyll sytë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Armiku, Elida Buçpapaj, Lulzim Basha, Rama, Sali berisha

Hahn: Deklaratat për ndryshim kufijsh, të papranueshme

April 24, 2017 by dgreca

Komisioneri për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, i ka cilësuar ‘të papranueshme’ dhe ‘kundërproduktive’ deklaratat e liderëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor që implikojnë ndryshimet e kufijve, ka njoftuar Shërbimi për Ballkanin i Radios Evropa e Lirë.

“Shpreh zhgënjim dhe nëse mund të them edhe zemërim për shkak të deklaratave nxitëse të disa liderëve në rajon. Deklaratat e tilla, që mund të cilësohen edhe si përzierje në shtetet e tjera dhe implikojnë ndryshime të kufijve, janë të papranueshme dhe për më shumë janë të panevojshme dhe kundërproduktive”, tha Hahn pas takimit me shefin e diplomacisë serbe, Ivica Daçiq në Bruksel.

Deklaratat e Hahn pasuan intervistën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në portalin Politiko në të cilën nuk e ka përjashtuar mundësinë e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, ‘nëse perspektiva e anëtarësimit të vendeve të rajonit të Ballkanit në BE, vazhdon të zbehet’.

Johannes Hahn tha se do të ishte e gabueshme të mendohet se me deklarata të tilla ‘mund të bëhet trysni ndaj BE-së’, për anëtarësim.

“Deklarata e tillë shumë lehtë mund të shkaktojë kundërefekt. Duhet të jemi të vetëdijshëm se evropianët kanë një interes të fuqishëm për paqe, përparim dhe stabilitet në rajon, dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes marërdhënieve të mira fqinjësore, ku të gjithë punojnë bashkë dhe ndihmojnë në zhvillimin e mëtejmë të rajonit”, tha Hahn.

Komisioneri për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn tha se suksesi i negociatave të Serbisë drejt anëtarësimit në BE varet edhe nga dialogu i Beogradit me Prishtinën.

“Shpresoj se të dyja palët do të tregojnë një qasje konstruktive dhe do të vazhdojnë më tutje me rezultate të prekshme. Jam i bindur se së shpejti do të hapim kapituj të ri dhe duhet të shfrytëzojmë çdo rast që ta mbajmë dinamikën”, tha Hahn. (REL)

Filed Under: Politike Tagged With: Hahn, ndryshim kufijsh, Rama

Vucic, kundër shqiptarëve për idenë e bashkimit

April 20, 2017 by dgreca

-Ne pergjigje Edi Rames dhe te deklarates se Presidentit Thaci:”Nëse BE na e mbyll derën, të gjithë shqiptarët do të jetojmë në një hapësirë të vetme”/

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje politikanëve shqiptarë që të mos dalin në publik me deklarata për nevojën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve në një shtet, nëse procesi i integrimit evropian ngec.

“Ne i lusim, po e përsëris, i lusim që me deklarata të tilla të mos dalin në publik, sepse ato nuk u kontribuojnë marrëdhënieve të mira në rajon dhe as krijimit të atmosferës së bashkëpunimit dhe punës së përbashkët në projekte të rëndësishme”, tha Vuçiq në konferencën për gazetarë në Qeverinë e Serbisë, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të mërkurën për Radion Evropa e Lirë se nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, atëherë të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme

Reagimi i Thaçit pasoi deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka thënë se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk mund të përjashtohet nëse perspektiva për anëtarësimin e Ballkanit në BE venitet.

Thaçi: Nëse BE na e mbyll derën, të gjithë shqiptarët do të jetojmë në një hapësirë të vetme/

Nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, atëherë të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Reagimi i tij, pason deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama i cili ka thënë se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk mund të përjashtohet nëse perspektiva për anëtarësimin e Ballkanit në BE venitet.

“Bashkimi Evropian, aktualisht as në raport me Kosovën dhe as me Ballkanin Perëndimor, nuk ka as vizion dhe as lidership për integrimin apo zgjerim me përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Thaçi.

“Këtë vonesë, këtë ngurtësi, e këtë jovizion për Ballkanin Perëndimor, për fat të keq janë duke e shfrytëzuar ideologji dhe vende joevropiane dhe të frymës dhe vizionit jo euroatlantik”, ka theksuar ai.

“Natyrisht që qytetarët e Kosovës janë të frustruar me Bashkimin Evropian, me ngurtësinë e tyre, me bllokadën e tyre dhe padrejtësinë dhe ndëshkimin që po u bëhet qytetarëve të Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave, sepse Kosova ka përmbyllur të gjitha kriteret e nevojshme dhe të domosdoshme dhe krejtësisht me të padrejtë e ka vënë edhe çështjen e demarkacionit”, ka thënë tutje presidenti i Kosovës.

“Natyrisht, atë që e kam thënë edhe në vitin 2013 e them edhe tani, nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme për t’u integruar pastaj tutje në familjen evropiane”, është shprehur Thaçi.

Ditë më herët, në një intervistë për “Politico”, Edi Rama ka paralajmëruar se “Evropa mund të përballet me një makth” nëse vendet e Ballkanit “çmenden” si pasojë e nxjerrjes së zgjerimit jashtë agjendës së BE-së.

Ai në plan të parë e ka vënë bashkimin e shqiptarëve në kuadër të integrimit të tyre në Bashkimin Evropian. Por, nëse kjo rrugë pamundësohet, ai ka paralajmëruar edhe mënyra tjera.

“Askush nuk do të shohë drejt unioneve më të vogla. Të gjithë duan që të bashkohen në Unionin e madh. Por nëse nuk ka shpresë, nuk ka perspektivë dhe nuk ka hapësirë, atëherë bashkimet e vogla mund të ndodhin”, ka thënë Rama.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i kishte cilësuar si populiste deklaratat e homologut të tij nga Tirana, Edi Rama.

Në një intervistë për “KTV”, ai është shprehur se Kosova nuk synon bashkim tjetër veç BE-së.

“Ne nuk e kemi orientimin që të bëjmë bashkime tjera, përveç Bashkimit Evropian. Edhe nëse s’na pranojnë për dere, do të hyjmë për dritareje”, ka theksuar ai.

Filed Under: Komente Tagged With: Bashkimi Kombetar, kidney shqiptareve, Rama, Thaci, Vucic

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 11
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT