Nga Neritan Kolgjini/
Ramiz Mena u largua prej kësaj bote në dt.24 korrik 2015, e premte, shtatë ditë pas bajramit. Peshën e këtij lajmi të idhët e kemi të vështirë ta shprehim me fjalë. Sepse të flasësh për jetën e personalitetin e Ramiz Menës, të zbërthesh thelbin e asaj çka ai përfaqësonte si për familjen e farefisin e vet, ashtu dhe për rrethin miqësor e shoqëror, është gati e pamundshme. E sigurt është që ai do të ketë përherë një vend të posaçëm në zemrën e secilit prej nesh, njerëzve që e kemi njohur nga afër. Personaliteti i tij, njerëzillëku, mençunia dhe sensi i ëmbël i humorit do të na mungojnë tashmë pa kthim. Na qetëson disi veç fakti që ai do të kujtohet më së shumti si nji shtyllë apo kollonë e moralit njerëzor. Për familjen dhe të rinjtë e lindur kryesisht në kampe internimi, ai ishte “Babloshi”, “baba i zemrës”. Dhe kështu do të jetojë në kujtimet tona.
Në këtë shkrim nuk do të zgjatem shumë për historinë e tij të vuajtjeve në burg e internim. As për rezistencën me armë në dorë kundër regjimit komunist. Dokumentet e arkivit dhe dëshmitë e ndryshme janë aty që ta thonë këtë. Për këto aspekte le të shkruajnë historianët, studiuesit e njerëzit që kanë kushtet dhe mundësitë ta bëjnë.
Unë do të rrëfej për Babloshin që kam njohur vetë, që kam zbuluar përmes shkrimesh e dokumentesh. Nga ky vështrim them me plot gojën se bashkë me Ramiz Menën, vdiq edhe një copëz e gjallë e me peshë e historisë së këtij vendi.
Më kot prita ditë me radhë nëse në faqet e gazetave apo ndonjë Tv do të jepte ndonjë shkrim nekrologjik, ose qoftë një lajm të shkurtë a kronikë. Asgjë… as nga gazetarët, – që justifikohet të mos e njohin, – por më e çuditshmja, as nga njerëzit që e kanë njohur! Secili mund të ketë arsyet e veta të heshtjes. Por kjo as e ul e as e zhvlerëson këtë vigan të racës shqiptare. Vdekja e Ramiz Menës na solli parasysh pasojat që mund të shkaktojë humbja e kujtesës historike dhe ndërgjegjes shoqërore në këtë vend.
Për ta qartësuar idenë, le të sjellim një shembull këtu nga media botërore, që ka pasur jehonë edhe në Shqipëri. Konkretisht në Top Channel, me kronikën: “Shuhet i mbijetuari i fundit i ‘arratisjes së madhe’!” të datës dt. 28/08/2015, ku njoftohet për vdekjen e Paul Royle, 101 vjeç, pilot australian, i cili kishte rënë rob në duart e gjermanëve, duke bombarduar në Poloni. Ai u kap rob dhe u dërgua në një kamp përqendrimi, prej ku arratiset bashkë me 76 pilotë të tjerë nga të cilët mbijetuan vetëm 3 gjithsej. Mbijetesa e tyre u përjetësua në filmin e vitit 1963, “Arratisja e Madhe”, ku luante si aktor edhe Steve McQueen. Kjo ishte me pak fjalë kronika e TCh.
Australianët janë një komb dinjitoz dhe të vetëdijshëm për vlerat njerëzore që kanë në shoqëri, prandaj mediat kanë shkruar e nderuar vdekjen e një të mbijetuari të luftës.
Nga ana tjetër një personalitet, edhe më i madh se Paul Royle për australianët, ka qenë Ramiz Mena për shqiptarët. Megjithatë mediat tona nuk prodhuan dot as një nekrologji të shkurtë, e jo më të bënin një film për të. Zaten në një kohë kur vlerat njerëzore po bjerren e injorohen, duket si pasojë logjike lënia në errësirë e emrit, vlerave dhe kontributit atdhetar të një kolosi si Ramizi. Afërmendsh që në këtë zallamahi ku njerëzit nuk po njohin as veten, pak gjasa kishte të kujtohej dikush që të shkruante për një monument morali siç ishte Ramiz Mena.
Por, kush ishte Ramiz Mena? Me dy fjalë mund ta portretizojmë: Ishte një legjendë njerëzore që i mbijetoi skëterrës komuniste; ishte një luftëtar i rezistencës antikomuniste për disa vite me radhë; ishte një i burgosur politik; një i internuar i kampit më të tmerrshëm të Lushnjes, Gradishtës; ishte mishërim ekzemplar i genit dhe racës së pamposhtur shqiptare që si feniksi lind nga hiri i vet. Për familjen dhe miqtë ishte një njeri me moral e virtyte të rralla, të cilit pak mund t’i aviteshin; një diamant për nga karakteri! Ai ishte praktikisht si një copëz legjende e shkëputur nga e shkuara dhe e vendosur në të tashmen.
Ja si e përshkruan z.L.Pepmarku figurën e Ramizit, në një shkrim homazh të botuar në gazetën “Dielli” të Vatrës në SHBA:
“Ai nuk u dëgjua të fliste ndonjëherë për vuajtjet e tija, në mal gjatë viteve të arratisë, në burg gjatë viteve të vuajtjes së dënimit, në internim ku e kaloi jetën bashkë me familjen e tij, deri në vitin nëntëdhjetë, të shekullit XX-të. Ndonëse kujtonte me dhimbje dhe tregonte rrjedhshëm e deri në detaje, për qëndresën dhe vuajtjet e shokëve në burgjet dhe kampet e internimeve. Skena të tmerrshme nga qelitë e burgjeve, Këneta e Maliqit, Kampi i Bedenit e deri te mbathja e nallçeve në shputat e këmbëve me gozhdë në Kalanë e Gjirokastrës, janë disa nga skenat rrënqethëse që nuk të shqiten nga mendja.”
Ky shkrim ishte i vetmi botim nekrologjik me rastin e vdekjes së Ramizit, që gjithsesi u publikua përtej Atlantikut. Si duket, shqiptarë të denjë për këtë emër sot ka vetëm në Amerikë, kurse në këtë anë ku ka sunduar “dreqi i kuq”, nuk gjenden më, edhe sikur të dalësh rrugëve me qiri në dorë si Diogjeni i lashtësisë.
Nuk ekzagjerojmë po të themi se Babloshi kishte prerjen e një mendimtari të thellë e gati filozofi. Im atë Ahmeti më thoshte se inteligjenca e Ramizit ishte e një niveli tepër të lartë. Sipas tij ajo ishte e dallueshme madje edhe në disa shenja fizike. Ajo që të binte në sy nga portreti i tij ishte balli me rrudha të imëta e të shumta. Ato dukej sikur reflektonin volumet e arkivës që kishte në kokë. Por edhe të dhimbjes e tmerreve që kishte vuajtur e parë me sy në kohën që ishte në arrati kundër regjimit komunist, apo në burgjet e frikshme të viteve ’50-të.
Babloshi ishte një kuvendar i rrallë e njohës i thellë karaktereve të ndryshme të shqiptarëve. Njeri që zotëronte në mënyrë të përkryer të folurën alegorike të maleve të veriut, të pagëzuar rëndom si “e folura e Dibrës”, por që në fakt shtrihet në gjithë alpet shqiptare, ashtu edhe në Labëri e deri në Çamëri.
Por nga ana tjetër, Babloshi ishte tepër i përkorë kur vinte puna të fliste për veten, apo historinë e fisit të Bajraktarëve të Lurës, pinjoll i të cilëve ishte. Për këtë histori theroresh e sakrificash atdhetare, ai nuk fliste praktikisht kurrë. Natyrisht këtë duhet ta bënin miqtë e dashamirët, mbi të gjitha historianët, ata që kanë bindjen se opinionit u duhen thënë të vërtetat me rëndësi për këtë vend.
Nuk pranoi t’i botojë kujtimet familjare, për sa kohë ishte gjallë, megjithëse i kishte bërë gati për botim qysh në 2004-ën nën redaktimin e z.Xh.Martini.
Ja ç’shkruan prof. Miftar Spahija në një letër të dt.19 nëntor 1997, rreth fletoreve me kujtime të Babloshit:
“Kujtimet qё i vune pёrmbi kartё duhet t’i dije, duhet t’i nxane çdo djalё e vajzё e Menajve; ato janё ushqim atdhedashunie pёr tё gjithё ata e ato qё duen Shqipninё. Ato kujtime qё i vune nё kartё nuk janё fjalё filosofie, fjalё abstrakte as nё qiell as nё tokё, janё fjalё qё prekin me dorё, se folin me gjakun e tetё-nandё djelmve tё Menajve, qё ia falёn jetёn Shqipnisё. Ato janё historia, jo llapkimet e krimit; pёr atё gjak qё derdhёn Menajt folin gurёt, folin prrojnat, folë Pllaja e Lurit, folë Guri i Vashёs.” North Bergen, NJ.
Rrethit të ngushtë familjar dhe miqësor, Babloshi u kishte rrëfyer me detaje tmerret e burgjeve komuniste, ndër të cilat ato të burgut të Kalasë së Gjinokastrës, të kënetës së Maliqit, kanalit të Bedenit etj… shtoi dhe burgun e Elbasanit… Ai na kishte rrëfyer gjithçka përshkruhet me hollësi nga Patër Zef Pllumi në veprën e tij monumentale “Rrno për me tregue”. Ne i kishim dëgjuar prej Babloshit tonë këto horrore, vite përpara, madje që në kohë të komunizmit. Prandaj kur lexonim At Zefin, shpesh përsërisnim: “ja këtë na e ka thënë Babloshi! Kështu na e ka thënë Babloshi! etj”.
Babloshi ishte antikomunist në çdo qelizë të trupit. Kjo dëshmohet me aktivitetin e tij që në ditët e para të vendosjes së terrorit komunist në vend, e deri në grahmat e fundit të regjimit në 1990-ën! Unë disponoj dy dokumente: vendimin e gjykatës për dënimin e tij me 10 vjet burg si luftëtar kundër skuadrave të ndjekjes së Sigurimit, si dhe një dokument të arkivës, ku dokumentohet se Ramiz Mena ndiqej nga Sigurimi deri në prag të viteve ’90-të.
Nuk e di pse, por qysh nga fëminija ime, Babloshi më ngjante me Mujo Ulqinakun. Një luftëtar, i cili thjesht duhet të kapte armën, për ta ngjallur heroin që shihnim në libër! Nuk jam i sigurt nëse ky imazh më ishte krijuar prej mënyrës se si i mbante mustaqet e shkurtra, apo ngaqë e dija se ishte mbretnor e zogist!
Babloshi ishte një lexues i vëmendshëm i zhvillimeve politike dhe zbërthente saktë ngjarjet politike. Më pas, ky talent i tij do të shfaqej pas viteve ’90-të në radhët e Legalitetit. Personaliteti i Ramizit ishte i tillë saqë mund të quhej fare mirë si zemra e Lëvizjes së Legalitetit. Kjo, për sa kohë ai pati gjendjen shëndetësore të kontribuonte, sepse tashmë mosha dhe vuajtjet e kishin bërë të veten. Babloshi po shtynte çapat e fundit të jetës, të cilës i shijoi vetëm frytet e hidhura.
Babloshi e kishte njohur kodin e komunikimit politik qysh i ri, kur në 1944, në kullat e fisit të tij të Bajraktarit të Lurës, u mbajt mbledhja apo Kuvendi i Lurës. Një tubim që mund të konsiderohet si tentativa e fundit serioze për bashkimin e forcave nacionaliste kundër murtajës komuniste.
Nga ajo kohë, ai na ka rrëfyer mjaft biseda e deklarata të krerëve të nacionalizmit shqiptar si Abaz Kupi, Mitat Frashëri, Muharrem Bajraktari etj., të cilët i kishte dëgjuar me veshët e vet duke diskutuar.
Poeti Ramiz Lushaj ka shkruar një poezi kushtuar Ramiz Menës, me titull “Bajraktarët e Lurës – Kulla në Histori”, që mban datën 24 maj 2015, ku thuhet:
“Kulla e moçme e Menëve, bajraktarit të Lurës/ E thjeshtë si pushka./ E madhe si lufta./ E dashur si liria.”
Dhe vërtet, Babloshi, më shumë se bajraktar, ishte vetë bajrak! Më shumë se luftëtar, ishte një arsenal lufte! Më shumë se mbretnor, ai qe mbret i moralit njerëzor. Nga goja e tij nuk u dëgjua kurrë një fjalë negative apo rënduese as për karakteret e dobët që gjendeshin në kampet e tmerrshme të Lushnjes.
Babloshi ishte njëherësh nji lexues i pasionuar. Kushdo që e ka vizituar në shtëpi, me siguri mund të dëshmojë se ai mbante gjithmonë në komodinën e vet nji botim të ri, që kishte të bënte me historinë, politikën apo nacionalizmin shqiptar.
Por ndoshta figura e këtij burri të rrallë do të dukej e paplotë sikur ta portretizonim vetëm si nji luftëtar antikomunist, politikan nacionalist, të burgosur të ndërgjegjes, e pinjoll të bajraktarit të Lurës! Kështu mund të themi se ai ishte njëherësh edhe një familjar shembullor, një prind fantastik, një Bablosh i pashoq! Megjithëse kishte kaluar rrathët e ferrit komunist, ai mbeti thellësisht njerëzor! Dinte të shfaqte butësinë e një fëmije, kur ishte fjala për të trajtuar një çështje familjare. Zëri i tij edhe pse me tone të forta baritoni, nuk është dëgjuar kurrë i lartë. Kush ka biseduar me të, e mban mend të flasë mjaft lehtë e qetësisht. Qoftë edhe kur trajtonte probleme nga më delikatet, që kishin të bënin me politikën, apo vështirësitë e jetës së njeriut!
Një njohës i arabishtes ka shpjeguar se emri Ramiz në gjuhën semite ka pakashumë kuptimin “njeri i shënuar nga fati, i veçantë”. Sipas tij fjala “Ramiz” rrjedh nga folja re-me-ze, dhe do të thotë: ai që shënon, bën një shenjë, vendos simbol. Pra Ramiz, do të thotë: ai që vendos një simbol, shenjë. Besoj pak njerëz e dinë si unë, që Babloshi ishte një besimtar nga të rrallët. Ai thoshte përnatë lutje dhe dinte disa sure të Kuranit.
Humbja e tij na ka pikëlluar, sepse nuk e shohim më fizikisht dhe nuk do të kemi kurrë mundësi të flasim me të. Nuk do ta kemi kënaqësinë shpirtnore me folë me një burrë të fisit tonë, i cili si nji pater familias, të na udhëzojë, mësojë e urdhërojë për gjërat më me vlerë në jetë.
S’kemi ç’bëjmë tashmë. Ky është ligji i pamëshirshëm i njerëzimit dhe kështu është caktuar rrisku prej Allahut të Gjithëfuqishëm. Ne thjesht bindemi.
Ai shkoi i realizuar në atë botë pa kthim. La mbrapa fëmijë e nipa plot. Iku me nder e faqe të bardhë!