PRISHTINË, 30 Shtator 2021-Gazeta DIELLI/
Në shtëpinë e Ramadan dhe Ali Latifit, në rrugën “Haxhi Zeka”, në lagjen Kolovicë, të Prishtinës, para saktësisht 30 viteve mblidheshin raportet përfundimtare të referendumit të vitit 1991 për Kosovën sovrane.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ish-presidenti, prof. dr. Fatmir Sejdiu, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Hydajet Hyseni, z. Gani Krasniqi e veprimtarët, znj. Hanëmshahe Ilazi, znj. Sanie Zeqiri dhe z. Hamdi Gërvalla, evokuan kujtime nga ajo kohë në të njëjtën shtëpi.
Më 30 shtator 1991, në mbarë Kosovën u kumtua rezultati i referendumit tre ditor. Nga numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote morën pjesë 87.19%, prej të cilëve 99.87% u deklaruan për Kosovën sovrane. Për tri ditë me radhë punuan shumë qytetarë e ishin arrestuar 63 aktivistë, ndërkaq në Leshan të Pejës, do të qëllohej për vdekje nga forcat serbe avokati Mikel Marku.Kryeministri Albin Kurti shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë ata që kontribuuan në organizimin e atij referendumi që ndodhet si vlerë në themelet e pavarësisë së shtetit tonë.