Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se propozimi i ri i partisë që ai drejton ka në thelb Komisionin e Venecias, pa asnjë kërkesë shtesë dhe shtoi se nuk dëshiron që faktori ndërkombëtar të ketë kompetenca kushtetuese.
“Në këtë propozim inkorporojmë 95% të propozimit hibrid të ambasadorëve Lu dhe Vlahutin. PD-ja jo se nuk ka besim ndaj faktorit ndërkombëtar, pasi e kemi thënë që nuk do të ketë votë pa Komision Ndërkombëtar Monitorimi, por jo kompetenca kushtetuese. Nëse diçka nuk shkon mirë, ku do e drejtojë gishtin qytetari shqiptar: te kryeministri i Finlandës? Ne duam monitorimin më të fuqishëm, por jo ndërtimin e perdeve”, theksoi Basha.
“Konfirmoj se PD-ja e konsideron propozimin hibrid si një hap drejt marrëveshjes. Konfirmoj vullnetin e PD-së për të arritur një marrëveshje sa më shpejt. Vullneti ynë është që reforma që të votohet pa vonesë, pasi është kthyer në një alibi për Edi Ramën për krimin dhe korrupsionin që është ulur këmbëkryq në aeroporte dhe banka”, shtoi Basha.
Në lidhje me Donald Lu, i cili shprehu zhgënjimin e tij për propozimin e demokratëve, Basha tha: “Ambasadori amerikan ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm. Unë besoj në një vend proamerikan. Miqtë flasin hapur me njëri-tjetrin, si kur bien dakord dhe po ashtu kur nuk bien dakord“.
Lu: Jemi të zhgënjyer
Pas publikimit të propozimit të ri të Partisë Demokratike, ambasadori amerikan tha se “është i zhgënjyer me përgjigjen e zotit Basha ndaj propozimit hibrid për reformën në drejtësi, që iu la në dorë kryetarit të Partisë Demokratike nga ana e Viktoria Nuland gjatë vizitës të së dielës në Tiranë”.
Siç e përshkruan ambasadori amerikan, propozimi ishte një zgjidhje në mirëbesim, gjysma nga qeveria, gjysma nga opozita. Ndërsa për propozimin e Partisë Demokratike, Donald Lu thotë se kjo është diçka që vetë zoti Basha ka pranuar se është në konflikt interesi dhe jo në përputhje me paragrafin 61 të Komisionit të Venecias.
Megjithatë, ambasadori amerikan thotë se është ende duke vazhduar bisedën me të dyja palët në përpjekje për t’i sjellë përsëri tek mbështetja për propozimin hibrid, të diskutuar të dielën me Ndihmëssekretaren Nuland.
Rama: PD-ja nuk i do të huajt se ka frikë profesionalizmin e tyre
Edi Rama, në një konferencë për shtyp pas propozimit të ri të Partisë Demokratike për reformën në drejtësi, theksoi se nuk habitet “nga refuzimi i radhës”, pasi, sipas tij, PD-ja “i ka dhënë sinjalet që nuk e do reformën”.
“Partia Demokratike e ka bojkotuar procesin për një kohë të gjatë; ka hyrë e ka dalë nga procesi vetëm për ta ngatërruar atë; ka abuzuar me opinionin e Komisionit të Venecias, duke u kapur fillimisht pas një paragrafi 55 e më pas me paragrafin 88; është tallur me partnerët strategjikë të Shëipërisë duke u thënë se kishte frikë që Rama do të kapte drejtësinë… PD-ja nuk e ka patur hallin te vendet e rezervuara, por ka rezerva për besueshmërinë e partnerëve strategjikë të Shqipërisë”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se PD-ja tregoi me propozimin e ri se “nuk i do të huajt nëpër këmbë sepse i frikësohet profesionalizmit të tyre. Çfarë do të thonë tani? Se kanë frikë që Amerika dhe Europa do i kapë drejtësinë?”
Edi Rama shtoi se “t’i thuash ndërkombëtarëve mbani distancë, është e papranueshme”. “Të gjitha kërkesat për hetime ndërkombëtare për skandale dhe korrupsion që ka bërë prej vitesh PD-ja, paskan qenë tallje”, tha Rama.
“E ftoj Lulzim Bashën të ulemi përsëri që t’i japim shqiptarëve një vend të integruar në Bashkimin Evropian”, deklaroi Rama.