Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”/
Revolta e Spaçit (21 -23 maj 1973) përbën një pikë kulmore në historinë e qëndresës antikomuniste, por edhe të lëvizjes për liri e demokraci Shkaqet e kësaj revolte ishin kushtet çnjerëzore në të cilat vuanin të burgosurit e burgut, puna e tyre skllavëruese, përdorimi i torturave psikologjike dhe fizike, si edhe gjendja e mjeruar e popullit nën diktaturën komuniste, kundër së cilës ata u ngritën dhe qëndruan heroikisht.
Revolta e të burgosurve të Spaçit ishte një lëvizje politike. Ajo vërtet shpërtheu në mënyrë spontane në mbrojtje të jetës së shokut të tyre Pal Zefit, por menjëherë mori formë të përgjithshme e të organizuar me një shtab drejtues e me kërkesa kryesisht politike të përcaktuara. Parullat kryesore të revoltës ishin: “Nuk pranojmë të shkojmë në punë. Qeveria komuniste e Tiranës është e poshtër. Kjo qeveri së shpejti do të përmbyset. S’ka liri, s’ka demokraci, ka vetëm diktaturë. Duam drejtësi. Ushtria është me ne. Vëllezër ushtarë, hidhni armët e bashkohuni me në! Poshtë komunizmi! Poshtë Enver Hoxha! Duam bashkim me Evropën e lirë! Rroftë Evropa e lirë! Ja vdekje, ja liri, nuk shkojmë më në galeri!” etj. Heronjtë e Revoltës së Spaçit ishin Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashaj – si dhe protagonistët kryesorë: Luan Burimi, Dashamir Kazazi, Hodod Sokoli, Luan Koka, Sami Dangëllia, Paulin Vata, Syrja Lame, Fadil Dushku, Gëzim Medolli, Demir Pojani, Kostandin Papaj, Rexhep Lazri, Ferit Kumanaku, Pal Marku, Bedri Çoku, Murat Marta, Jonuz Norja dhe pjesëmarrësit e tjerë: Çaush Çoku, Ndrec Çoku, apo flamurtari që mbante lart flamurin pa yll, Seliman Çuni, Sherif Allamani, Haxhi Bena, Mersin Vlashi që vizatoi shqiponjën në flamurin e kuq, Naim Pashai, Napolon Koleci, Shuaip Seti, Nuredin Vargo e mjaft të tjerë. Pas përleshjeve me gardianët e policët, pas shpërthimit të dyerve të birucave, pas thyerjeve të tabelave të emulacionit, ballafaqimeve dinjitoze me autoritetet e shqetësuar të burgut, me drejtorin e përgjithshëm të policisë dhe zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, të cilit ia ktheu vëndçe Hajri Pashai: “Së shpejti do të vini ju këtu, në vendin tonë. Ju jeni qeveri e poshtër, e gjakosur, që shtypni popullin dhe këtu do ta paguani së shpejti” etj. Po akti më madhor ishte heqja e flamurit të kuq mbi tarracë e mandej vendosja e flamurit me shqiponjën dykrenore, që u përshkrua nga plumbat, por nuk u ul dhe valoi për herë të parë në qiellin e tokës shqiptare, pas 30 vjetësh pa yllin e kuq, simbolin e komunizmit. Menjëherë pas shtypjes së revoltës, filloi gjyqi kundër organizatorëve e pjesëmarrësve të saj, në kundërshtim me premtimet e angazhimet demagogjike të mëparshme, për ta shuar revoltën. Gjykata e Lartë vendosi më 25 maj 1973 dënimin me pushkatim për Skënder Dajën, Dervish Bejkon, Hajri Pashain, dhe Pal Zefin, ndërsa për të tjerët ridënime me 25 dhe 20 vjet të tjera burg. Gjithsej 60 të ridënuar, që përbëjnë me qindra vite burgu.