NGA NGA ALMA LIÇO/
Disa ditë më parë mbylli sytë një vogëlushe tetë vjeçare. Largimi nga jeta i një fëmijë përcillet me dhimbje nga të gjithë, të njohur e të panjohur. Historia e trishtë e jetës së asaj vocrrakeje dhe familjes së saj, ishte bërë publike disa muaj më parë. Përmes lotësh, ajo i kërkonte Zotit shpjegim, pse ishin dënuar aq keq. Çfarë të keqe kishin bërë!!!
Ishte jetime nga i ati, që kish ndërruar jetë disa vite më parë nga një sëmundje e pashërueshme. Me një nënë pothuajse të verbër, dhe një vëlla gjithashtu të mitur, jeta e saj ishte skëterrë. Në varfëri totale, në një shtëpi te rrënuar…dhe një shtet indiferent dhe të pandjeshëm për të aplikuar politika sociale, aq të nevojshme për të garantuar një minimum jetik .
Nuk e di se çfarë sëmundje pati ajo vogëlushe. Por një gjë është e qartë. Atë e vrau indiferenca e institucioneve shëndetsore, që ajo të merrte në kohë ndihmën e duhur.
Kalon kufijtë e dhimbjes e gjithë kjo tragjedi për atë familje të pafat. Por ajo që më dëshpëroi jashtë çdo përfytyrimi ishin klithmat e vogëlushes për të qenit e mospranuar dhe e refuzuar nga moshatarët e saj. Ajo nuk kishte shoqe. Nuk mund të kishte. Fëmijët e shkollës e përbuznin për varfërinë, e tallnin se kishte nënën qorre, dhe se nuk kishte baba.
KEMBANA ALARMI…Çfarë fëmijësh po rrisim???…monstra të pandjeshme dhe barbarë…Si janë fëmijët sot, do jeta bota nesër. Dhe për këtë do jemi përgjegjës ne të rriturit, që nuk edukojmë tek fëmijët tanë dashurinë për tjetrin, empatinë për të ndihmuar ata që kanë nevoje, solidaritetin kundër fenomeneve të shëmtuara te jetës…dhe mund të vazhdoja pa mbarim.
Dhe kjo do të jetë një tragjedi pa kthim…