Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/
Lindi në Edërne (Adrianopojë), Turqi në një familje intelektule libohovite. Kur familja e saj u kthye në atdhe, Kasimati vijoi studimet në Liceun Francez të Korçës, si e para femër që ndoqi këtë shkollë. Më pas, punoi si mësuese në Normalen Femërore të Korçës, në Shkollën Amerikane të Kavajës, në Institutin “Nana Mbretneshë”, si dhe në Liceun e Korçës.
Në vitin 1936 iu akordua bursë shtetërore për studime në Itali, në Fakultetin e Shkëncave Biologjike, në Universitetin e Torinos, ku u dallua për rezultate të shkëlqyera. Në 18 shkurt 1943, Instituti Mbretëror i Studimeve Shqiptare, vendosi të krijojë pranë tij, një muze të shkencave dhe për këtë u ngarkua Sabihaja. Edhe gjatë viteve të para të komunizmit, ajo vazhdoi kërkimin shkencor krah figurave të shquara, si: Çabej, Buda, Gjergj Komnino, Gjergj Ashta etj.
Shpërthimi në oborrin e ambasadës sovjetike më 19 shkurt 1951, u konsiderua si “akt terrorist” nga regjimi, i cili e përdori si pretekst për arrestimin e 22 intelektualëve që do të pushkatoheshin në netët e 26 dhe 27 shkurtit. Mes tyre gjendej e vetmja vajzë, Sabiha Kasimati. Ndonëse e shpallur “armike e popullit”, puna shkencore e saj do të përvetësohej dhe do të botohej në vitin 1955, nën emrin e shkencëtarit sovjetik Anatoli Poljakowa dhe të dy studiuesve shqiptarë.
Më poshtë portreti i Sabihasë, si dhe korrespodenca e Ernest Koliqit, kryetar i Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare me shkencëtaren.