• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NE SHQIPERI MUNGON SHOQENIA CIVILE AKTIVE

September 30, 2018 by dgreca

2 Sami-Repishti

  Shkruan: Sami Repishti*/

Ridgefield.CT.- Me shumë përpjekje, informohem mbi gjendjen dhe zhvillimin e atdheut shqiptar nga lajmet e marruna prej vizitorëvet të shpeshtë shqiptarë, por kryesisht nga shtypi. Kjo nuk mjafton! Për këte mangësi me karakter objektiv, unë kerkoj falje, sepse në mënyrë të paevitueshme krijohet mundësia e gabimit.

Pse shkruej? Shkruej, sepse e due Shqipërinë, dhe vuej!

Vuej nga ajo që ndigjoj, vuej nga ajo që lexoj! Vuej sepse nuk ndigjoj zanin e matun dhe të arsyeshëm të shoqënisë civile që karaktarizon çdo vend të qytetnuem. Shkruej sepse shoh në këte heshtje dekurajimin e përgjithëshëm, dhe mospjesëmarrjen në proceset demokratike, konditë esenciale për demokracinë. Por ndigjoj kudo zanin e zemrimit, pakënaqsisë, dhe  të deshprimit!

E ndigjoj kudo këte za të mbrapshtë: në Kuvend, në shtyp, në transmetimet televizive, në rrugë, në shkollë dhe në fqinjtë që shumë herë nuk flasin njeni me tjetrin, sepse nuk mbajnë kontakt. E ndigjoj nga zyrtarët, nga udhëheqsit politikë të të gjitha partive politike dhe organizatave qeveritare. Toni ashtë i ashpër dhe ultësia e shprehjes, nji rrugaçëri e shkallës së fundit (ndigjoni diskutimet ,qe veç diskutime nuk jane, në Kuvend!) E ndigjoj nga familjet që vuejnë për bukën e gojës, dhe nga katundet që po zbrazen nga të rinjtë që kërkojnë nji rrugëdalje në emigracion. Ndigjoj këte za që thrret në shkretinën shqiptare, pa zemër, pa mend , e vuej!

Nji vizitor amerikan që posa u kthye nga Shqipëria dhe Kosova, shkruente:”Pakënaqsitë janë të përgjithëshme, dhe të theksuara. Duke filluar nga kamerierët, shoferët e taksive, e deri tek pronarët në gjendje të mirë ekonomike, por sidomos të rinjtë dhe të rejat janë me të shgënjyrët dhe shohin emigrimin si të vetmen alternativë….Pakënaqsia në rradhët e shqiptarve ndaj zhvillimeve në vend, kudo në trojet shqiptare nuk përcaktohet nga mbështetja që ata mund të kenë për një parti ose për një tjetër…”.

Pakënaqsia ashtë e përgjithëshme në nji kohë kur  Shqipëria ashtë zhytë në nji konflikt politik, objektivi i të cilit ashtë shkatërrimi i kundërshtarit, jo shpëtimi i atdheut nga vorfënia dërmuese dhe nga frika e bandave….!

Këto ditët e fundit, duket se edhe “shteti” ashtë i frikësuem nga bandat kriminele dhe drogistët me shumicë. Simbas shtypit vendas, ka kaos në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Prokurori i çeshtjes merr “leje të gjatë” për “arsye shëndetsore”. Dhjetë prokurorë të tjerë kan evitue marrjen e përgjegjsisë nga frika e bandave, dhe po u nënshtrohen “një hetimi disiplinor”, njofton “Zëri i Amerikës”. Ashtë nji opinion i perhapun se gjykatësit janë disa nga personat ma të korruptuem, prandej mbas vitit 1990, ata u vuen në sherbim të mshehtë ndaj ish Sigurimit të Shtetit në veprimtarinë e tij për të pengue vendin dhe çdo veprim demokratik të udhëheqjes së re të ardhun në fuqi me 1992.

Në opinionin publik ashtë formue bindja se baza e nji kaosi të këtill ashtë frika nga bandat, dhe korrupsioni që pothuejse ashtë zyrtarizue. Trafiku masiv i drogës, krimi i organizuem, shkatërrimi i administratës publike, ngecja në reformën për drejtësi, dhe ate të zgjedhjeve vendore dhe kombëtare, kerkojnë ndërhymjen energjike të autoritevet të rendit publik dhe reagimin e fortë të shoqënisë civile shqiptare KJo ashtë dëshpruese; heshtja që mbahet për arsye të ndryshme rrezikon vdekjen e shoqënisë civile shqiptare, shpresën e funidt të ringjalljes sonë. Kjo formë heshtje masive na kujton thanjen e diktatorit fashist: “Sot, detyra e nji Italjani të mirë  ashte mospasja e nji opinioni”. (Mussolini)

Procesi i vettingut në drejtësi ka verifikue vetëm 57 gjykatës nga nji numër prej 800 syresh, tue meritue kritiken e ardhun nga Gjermania, Franca, e Holanda, vende kyçe të Bashkimit Europian. Para nji gjendje të këtill, në qoftë se zgjedhjet vendore të vitit 2019 do të zhvillohen simbas ligjit të vjetër zgjedhor, në përgjithësi nuk shihet asnji shans real për hapjen e negociatave për anëtarsim në BE në vitet e ardhme.

Sepse sistemi zgjedhor në Shqipëri që nga viti 2005, ashtë formue simbas dëshirave të dy partive kryesore të vendit, Akoma ma keq: ai përfaqson pushtetin e plotë të udhëheqësve partiakë, dhe mohon zgjedhjen e lirë të kandidatëve direkt nga populli, ashtu si premton Kushtetuta. Sistemi i sotëm ashtë illegal në substancë dhe imoral në formen e tij. Ai duhet ndryshue menjiherë!

Pak ditë ma parë, Partia Demokratike në opozitë dhe aleatët e saj politikë përcaktuen kërkesat e tyne:”… për nji dekriminalizim të plotë të strukturave qeveritare nepërmjet të nji procesi të vettingut të të gjithë politikanëve të shoqënuem me krimin, për “çlirimin” e sistemit gjyqsor nga kthetrat e (KM) Rama, për zgjedhje të lira e të nderëshme, dhe për nji ekonomi të çlirueme nga presionet e monopoleve, oligarkëve, dhe korrupsionit qeveritar”, simbas shtypit shqiptar. Për habinë e të gjithëve, KM Rama pranoi me zgjanue rrjetin e vettingut tue përfshi të gjithë politikanët dhe zyrtarët e naltë të Qeverisë, dhe shtoi se ai ishte gati me bashkëpunue me opozitën me qellim që të përmirësohet jeta e qytetarëve në vend. Dhe, gjithçka përfundoi në dosje! Akuzat dhe kunderakuzat vazhdojnë.

Çdo përpjekje që shqiptarët do të bajnë me ndertue nji të ardhme premtuese duhet të filloj me bisedime të ndershme mbi të kaluemen e me pastrimin e atmosferës helmuese që shkatërron gjithçka. Sot Shqipëria përballet me nji fenomen të paparashikuem, por shumë damtues. Ashte aftësia e ish komunistëve me u kthye në pushtet mbas disfatës së vitit 1991, pa u gjykue për krimet e së kaluemes. Të pasunuem me grabitjen e pamëshirë të pasunive shtetnore gjatë ditëvet të fundit të kolapsit komunist, dhe me eksperiencë të fitueme në lamin politik të demokracisë, këta kameleonë pa ndërgjegje janë transformue sot me ndjenjën e nji narcisizmi, të bindun se Shqipëria u takon atyne, dhe vetem atyne, dhe me nji mendjemadhësi (“hubris”) të cilën ata janë kryenaltë me e shpalosë në jetën e tyne të përditëshme dhe me suksesin e femijëve të tyne në pozitat kyçe te Adminsitrates. Shqipëria në vitin 1944,, shkruente nji vrejtues i vemendshëm, zevendsoi nji okupacion të huej me nji tirani vendëse që ngriti urrejtjen në mes të qytetarëve në sistem, dhe pruni degjenerimin e mbrendshëm të vetë politikës dhe pushtetit. Këtu ka burimin degjenerimi i sotëm.

Jo kështu në botën e qytetnueme! Në vitin 1977, me qellim të simbolizimit të kalimit në demokraci, Spanja deklaroi nji amnesti për krimet e kryeme gjatë luftës civile (1935-38). Por jo të gjithë e pranuen këte akt!. Gjykatësi i njohun spanjol. Senor Garzon, e kundërshtoi, me këte argument:“Simbas ligjit ndërkombëtar, nuk mund të shpallet nji amnesti për krimet kundër njerëzimit, sepse zhdukjet e viktimave – me mijëra tani akoma në gropat e pazbulueme – përfaqësojnë vazhdimësinë e krimit të kryem”.

Komunizmi në Shqiperi ka qenë, dhe mbetet, nji krim kunder njerëzimit, nji fakt kokëfortë që duhet të pranojmë!

Shqipëria vazhdon me vuejtë sepse ka akoma diferencat e saj politike, tribalistike, fetare, dhe krahinore, ndoshta edhe ma shumë se vendet tjera për rreth . Akoma edhe ma me randësi, Shqipëria nuk e mësoj kurr sa duhet randësinë e mjanimit të këtyne diferencave dhe me u përqendrue në ndertimin e bazave solide për nji komb zot i vetes, paqësor dhe punëtor, me tregëti, e superstrukturë të mirë, kapital njerëzor të shëndosh, dhe veçanërisht respekt për shtetin ligjor e marrëdhanje miqësore me të gjithë, tue krijue kështu konditat me qene nji vend i lirë nga frika dhe i lirë nga uria.

Shqipëria duhet të mësojë e të siguroje për popullsinë e saj instrumentet që plotësojnë potencialin e kësaj popullsie.

*******

Sot, nuk mund të kthejmë mbrapa vitet e humbuna me praktika e programe zhvillimi të gabueme. Sot, na mundemi me reflektue dhe me përfitue nga gabimet e së kaluemes tue mos i përsëritë. Sot, na mundemi me rindertue vendin tonë me mënyra të reja, praktika dhe programe të reja. Sot kemi mundesi me i tregue, vetes dhe botës mbar, se vlerësojmë si duhet peshën e randë të gabimeve tona dhe meritojmë  mirëbesimin publik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Integriteti moral dhe aftësia e jonë profesionale – me ndërtue nji shtet ku popullsia të jetë në gjendje me jetue e lirë dhe pa frikën e papunësisë dhe vorfënisë që ajo sjellë- janë në balancë.

Seria e gjatë e dështimeve politike të njimbasnjishme duhet ndërpre. Kemi nevojë për nji sukses real, jo fiktiv, jo slogane propagandistike e formula të mbështjelluna në ideologji të falimentueme, ose të pavertetueme. Me thjeshtësin e nji filloristi kemi nevojë për paqë e bukë në nji Shqipëri të lirë! As ma shumë, as ma pak!

Frika e vorfënia kane lodhë të gjithë.  Duhet të lirohemi nga ato, njiherë e përgjithëmonë. Ky duhet të jetë angazhimi i jonë, i të gjithëve, i dy “gjysmave politike” që përbajnë nji të tanë: shoqëninë tonë shqiptare. E ardhmja e jonë ashtë në balancë: të mbijetojmë të gjithë pa asnji dallim, ose të përfundojmë të gjithë me turp në oqeanin e harresës!

Sot, na duhet riformimi i nji koshience kombëtare kolektive me sensitivitet të ngritun për llogari-dhanje – konditë esenciale për demokratizim!- që nga rradhët ma të ulëta të strukturës shtetnore deri në kulmin e Administratës. Na duhet manifestimi i nji kuptimi ma të mirë të mungesës së kësaj llogari-dhanje si nji smundje shoqënore e jona e cila pret përgjigjen tonë sot, e jo nesër!

Na duhen ekspertët që i kanë kushtue djersë e studime njohjes së situatës së krijueme, dhe që kanë vullnetin me e përmiresue me çdo kusht. Mjeku nuk reparon maqinat; as mekaniku nuk sherben në spitale. Na duhen mendje të ndrituna që nuk “ndezen” nga flaka e propagandës partiake, as nuk “ftohen” nga dështimi i përpjekjeve t sinqerta, mendje të qendrueshme nen presion, dhe të afta me veprue pa u dekurajue nga mospërfillja e mosmirënjohja. Na duhen kuadro të pjekuna dhe me pervojë të njimendtë, pavarësisht nga bindjet dhe orientimet e tyne personale idelogjike; teknologjia dhe eksperienca afariste nuk kanë parti. Ata kanë njohunitë e domosdoshme. Nuk ashtë e nevojshme të jeshë socialist ose demokrat kur bahet fjalë për sherbim ndaj Shqipërisë. Mjafton të jeshë njeri i ndershëm dhe shqiptar i kushtuem.

Na duhet planifikimi dhe fillimi i nji procesi të drejtë, neutral, e të sajuem me shumë kujdes; hollësitë e ktij procesi që përjashton “aktin  spontan”, duhet të përgatiten me qellim sherbimi planit të përgjithëshëm të zhvillimit të balancuem të vendit, e jo kapriçeve të “udhëheqësve” që frymëzohen me veprue nga hopet e “stinëve elektorale”, e që përfundojnë në rrenimin e mijëra jetëve te pafajshme qytetarësh të denuem me vuejtje, në vorfeni e papunësi afatgjata.

Në situata të këtilla, interesi i përgjithëshëm kërkon integritet moral nga të gjithë me qellim që, së bashku, të luftojmë korrupsionin e krimin e organizuem që bren shëndetin e shoqënisë sonë. Kryesisht, na duhet të sigurojmë konditat për nji sistem gjyqsor që vepron me legjitimitet, e jo për interesa personale ose partiake që damtojnë shoqëninë tonë shqiptare. Dhe kjo arrihet me kuadro profesionale dhe të ndërgjegjëshme kombëtare.

Miqtë tonë ndërkombëtarë na këshillojnë; na duhet të ndigjojmë. Por puna kryehet, dhe duhet te kryehet nga ne, me mendjen dhe krahët tonë, punë dinjitoze që na mbushë me krenari. Mos të harrojmë se vetëm puna e kryeme me djersë ashtë ndershmëni!

Pa qellim dramatizimi, unë e shikoj Shqipërinë si nji vend në udhëtim të gjatë, sot në nji udhëkryq. Nga larg, unë ndigjoj vetëm britma e jo zane të qetësuem, grindje dhe jo bashkëpunim, nepotizëm ekstrem dhe jo profesionalizëm, akte spontane dhe jo vendime të marruna nga ekspertët, partizani politike e jo sherbim për atdheun, grupime elementësh me interesa personale që afrohen të tërhequn nga përfitimet vetiake, jo grupime teknikësh të grumulluem me sherbye interesat e popullsisë, sidomos të atyne zonave ku mbrapambetja ashtë literalisht  mbytëse….!

Jemi para nji momenti historik vendimtar!

Strategjia e deritashme e zhvillimit ekonomik dhe rindertimit të nji shoqënie shqiptare të çlirueme nga ankthi i diktaturës së kuqe nuk dha frytet e duhuna. Tendenca me fajësue të kaluemen komuniste ka humbë peshën e madhe politike të dekadës së parë, si rrjedhim i konfuzionitpolitik, korrupsionit moral dhe ekonomik, dhe krimit të organizuem. Status quo që jetojmë sot dermon vendin me vorfëni e mungesë shprese. Ajo ashte ba e padurueshme për të gjithë –perveç spekulatorëve dhe drogistëve që gjinden kudo.

Autoriteti moral e ligjor i Administratës duhet të rifitojë respektin dhe bindjen qytetare që në kondita të përshtatshme, e meriton. Sabotimi i vazhdueshem i Kuvendit nga nji parti ose nji tjeter nuk ndihmon dhe ashtë nji papërgjegjsi ndaj votuesve që presin zgjidhje të problemeve jetësore. Nuk fitohet gja nga kaosi i gjithanëshëm, thirrjet për rrëzimin e qeverisë pa votime,(ose me votime te vjedhuna si ma pare!), demonstratat e panevojshme, mos respektimi i ligjit, mospjesëmarrja në votime, mos pagimi i taksave të arsyeshme, dhe nga përvetësimi i pasunisë së paligjëshme.

Akoma sot, tri dekada mbas shkërmosjes së murtajës komuniste në Shqipëri, mijëra qytetarë e katundarë shqiptarë, nuk janë në gjendje me riposedue pasunitë e tyne të grabituna gjate 45 vjetëve të diktaturës, e vërdallen nga nji zyrë në tjetrën nga nëpunës të korruptuem që zbatojnë akoma “porositë e shokut Ramiz” për krijimin e nji atmosfere të përgjithëshme pakënaqsishë në vend- me gjithë ndërhymjet e institucioneve europiane…..në nji vend që shpreson hymjen në Europë!

Autorja anglo-italiane, Iris Origo, në nji libër mbi jetën nen fashizëm gjatë L2B, shkruen: ”A ka mundësi me hjedhë nji popull në luftë kundër traditave të tia historike, kundër instinkteve të tia natyrale, dhe kundër karakterit të shumicës së banorëve të vendit dhe me shumë mundësi edhe kundër interesave të vetë atij populli? Siç duket (nga ekspeprienca) ka mundësi!”

Kjo ashte pyetja e ime sot rreth tragjedisë gjysëm shekullore komuniste në Shqipëri: si ka qenë e mundun? Ashte akoma e mundun?

Dhe përgjigja duhet të jetë: “Na nuk mund të lejojmë nji pakicë zhurmëmadhe me mashtrue përsëri shumicën e katër milionë shqiptarëve !” Kjo ashtë detyrë qytetare për nji shoqëni civile të aktivizueme.

——————————————————————————————–

  • Autori ashtë qytetar amerikan me kombësi shqiptare.

Filed Under: Opinion Tagged With: Mungon, ne Shqiperi, Sami repishti, Shoqeria civile aktive

Lufta ndërmjet kodeve kulturore

August 19, 2018 by dgreca

NGA AGRON GJEKMARKAJ*/

“Tërësia komplekse që përfshin njohjet, besimet, artin, moralin, të drejtën, traditat e çdo gjë tjetër të prodhuar nga aktiviteti i njeriut si anëtar i një shoqërie mund të quhet kulturë”. Së paku kështu mendon E. Tylor, sipas “Kulturës së tij primitive”, një libër ky i vitit 1871 dhe të gjitha këto nocione mund të konsiderohen kode kulturore, sipas tij dhe të tjerëve. Letërsia vetë si kulturë funksionon mbi këto kode, ekziston prej tyre dhe njëkohësisht kontribuon që ato të mbeten gjallë. Edhe e jona nuk bën përjashtim.
Autorët At Zef Pllumi, Sami Repishti dhe Mustafa Kruja, të ndryshëm deri në kundërshti bindjesh politike, si personalitete kulturore e shoqërore, me karakteristika dalluese brenda letërsisë shqipe kanë realizuar një vepër, e cila dëshmon një të përbashkët që konsiston te qëndresa e kodeve imutabile në luftë me kodet, mbi të cilat ka funksionuar letërsia shqipe nga periudha 1944-1990.
Duhet thënë që vetëm Kruja e shkroi veprën e tij epistolare “Kuvend letrash me miqtë” paralelisht me realizmin socialist në vitet ‘50. Repishti pjesërisht, mund të përmendim “Dialektika e rendit dhe e rebelimit tek Andre Malraux” në fund të viteve ‘60 në USA, tekst ky paraardhës natyral në lëmin e ideve të “Nën hijen e Rozafës”, vepër memuarialistike, botuar në 2004 (mbase të shkruar më parë).
Pllumi fillon publikimin vetëm në 1994 me pjesën e parë të trilogjisë “Rrno vetëm për me tregue”. Secili, memuaret i publikoi pasi metoda socrealiste, së paku zyrtarisht, kishte rënë, por jo veprat që u pllenuan me kodet e saj. Kjo trio gegësh shkrimtarë projektojnë një ndeshje hipostazash, një luftë kodesh.  Kjo luftë ka kuptim edhe me një gjë që formalisht nuk ekziston më, siç është realizmi socialist, sepse substancialisht produkti i saj nuk u mohua kurrë dhe askush nuk u distancua prej tij. Ajo e plazmon kuptimin në sferën etike, morale dhe formën e shkrimit. Kruja, Pllumi, Repishti rrëfejnë si personazhe dhe si autorë një kohë të gjatë kujtimesh mbi 50 vjet, kohë jete dhe mendimi, e cila nuk përputhet me kodet dhe nënkodet e reja të socit e shi për këtë, autorët vihen në altarin sakrifikal. Sakrifica qenka rojtari më i mirë dhe i vështirë i kodeve. Në këtë rast ajo shfaqet fizike, intelektuale e shkrimore.
Ideologjia gjithmonë është paraqitur si kod, por duke qenë më i paqëndrueshmi dhe i ndryshueshmi. Për letërsinë shqipe nuk ishte e pandehur, por kryesisht për arsye të zhvillimit kombëtar, kishim të bënim vetëm me ideologji kombëtare rilindëse, të tipit “feja e shqiptarit është shqiptaria”, ndërsa nga 1944-ta kemi ideologjinë marksiste-leniniste dhe realizmin socialist si nënkod. Qëllimi madhor dhe tejet ambicioz i kësaj të fundit ishte formimi i njeriut të ri. Ndryshe nga njeriu i vjetër, që mbështetej te familja, Zoti, tradita, të përfshira këto brenda kanunit ose kanuneve, ky njeri, personazh i një magazine të madhe librash që prishi pyjet e Shqipërisë për të ba letër, besonte te Partia, pagabueshmëria e saj dhe nuk gjente paqe, derisa të vendosej besimi i vetëm. Besimin e vetëm e predikojnë edhe doktrinat fetare, por dialektika e imponimit të tyre është krejt tjetër.
Një studiues beson se “Njeriu i ri krijoi vërtet një letërsi të re, të paparë, me formë të çuditshme dhe nga prizmi i sotëm pothuaj të pabesueshme. Mbase të qenit e pabesueshme është vetë fati i letërsisë, por kjo letërsi e çuditshme u bë e përçudnueshme”.
Ndërsa “Rrno vetëm për me tregue” i Pllumit, “Nën hijen e Rozafës” të Repishtit dhe “Kuvend letrash me miqtë” i Mustafa Krujës, janë të çuditshëm sa të duash përtej pritshmërive dhe aspak të përçudnueshëm. Këto tri tekste bazohen në kode të qëndrueshme, të aplikuara nga letërsia shqipe qysh prej Buzukut e  deri në bashkëkohësi. Akti i shkrimit dhe morali i shkrimit në këto tri raste, sipas meje, ndërthuren për të dëshmuar qëndrueshmërinë e kodeve të mëdha të botës shqiptare. Ato janë, gjuha, Bibla, Kanuni me të gjithë komponentët e tij, dija universale dhe nacionalizmi.
E fillojmë me Pllumin.  Nga mënyra e shkrimit, kryevepra e tij “Rrno për me tregue …” është e organizuar me bërthama rreth të cilave organizohen kontekste të pavarura, kjo ngjet me vetë organizmin tekstor të Biblës, “kodit të madh të kulturës perëndimore”. Faza metaforike e gjuhës, faza metonimike dhe ajo deskriptive shfaqin ngjashmëri me librin e shenjtë, parabola dhe digresioni gjithashtu. Këtu kemi rastin kur kodi shndërrohet edhe në model stilistik e jo vetëm ideor. Gjithashtu, ky tekst memuarilaisti trajton gjerësisht individin, si krijesë e Zotit e  si “zot i vetvetes”, si anëtar i familjes që beson në Zot për të mbërritur tek identiteti i tij nacional, si përkatësi e qartë shqiptare, por edhe lokale, domethënë malësor. Të dy në nji zgjedhin të bëhen klerikë, frat françeskan, duke u magjepsur nga  misteri i besimit edhe kur materializmi e kërkon si triumf të tij Zotin të zbresë në tokë, në shesh, në gjyq, në burg, në torturë. Ndonëse ai nuk zbret, domethënë Zoti, besimi nuk zbehet, por e shtyn Pllumin të besojë se është vënë në provën e tij. Edukuar kësisoj, konturohet një tip i ri heroi, njeriu që ndien dhimbje, që derdh lot, që ka frikë, i cili qëllim në vetvete ka të zakonshmen, jetën me trajtat e saj, por që në rrethana të jashtëzakonshme bëhet i tillë në përputhje me natyrën e njeriut, kundër vetë denatyrimit të saj, aspak i ngjashëm me personazhet   e realizmit socialist, stereotipa të sforcuar propagande. Kanuni  po ashtu shfaqet si një kod shpirtëror e pragmatik shekullor,    me të cilin letërsia do t’i bëjë gjithmonë llogaritë me të, në mos edhe vetë jeta reale me nënkodin e tij etik “O Kanuni i maleve, ti je ma i urti në botë” esklamon Pllumi, kur i duhet të zgjidhë një dilemë të madhe në jetë. Ndërsa gjithçka tjetër, doktrinat politike, organizmi i shoqërisë, sistemet, raporti me lirinë, përfshihen te dija universale, që i formëson botëkuptimin. Letërsia e Pllumit ka përmasën profetike, atë të mëshirës dhe faljes si reagim ndaj një periudhe, ku “mohimi i pakushtëzuar i shoqërisë, i ligjeve të saj, i vetë parimeve të çdo marrëveshjeje e tradite, u pasua nga një valë dhune që mori përmasa katastrofike”. Gardiania fizike e shpirtërore e letërsisë së realizmit socialist ishte kjo lloj dhune që Zotin e zëvendësoi me udhëheqësin e pagabueshëm, familjen me kolektivin, rrëfimin me fletërrufenë dhe autokritikën, nacionalizmin me internacionalizmin. Kodet e Pllumit janë në luftë me kodet e realizmit socialist, në luftë e çfarë lufte. Krejt vepra e tij  është një fushëbetejë e kësaj ndeshjeje. Ai i nominon qartë  kundërshtitë kodike. Le të përmendim disa prej tyre: hetuesit, personazhit kyç të regjimit, i vë përballë klerikun me qëndresën e tij doktrinare biblike ose kuranore. Diktaturës (tirani ishte termi që ai përdorte për regjimin shqiptar) po aq përballë lirinë si koncept të hershëm, formuluar nga njeriu, çka na shpie te përcaktimi si “ideologu i lirisë kundër tiranisë”, duke anuar për vete, domethënë Pllumi, nga liria anarkike e Kanunit. Letërsisë së re nuk ngurron t’i kujtojë Fishtën, shkollën françeskane, Rilindjen e më poshtë. Heroit pozitiv që vdes nga rrufeja, duke ruajtur dhitë e kooperativës i vë përballë njeriun që nuk vdes  rastësisht, por që përzgjidhet. Njeriu mbijeton dhe shpëton trupin, por humbet shpirtin, vdes dhe humbet trupin, por shpëton shpirtin, këto janë dilemat e Pllumit, të cilat “nëse nuk janë rast për individin, por dukuri për kolektivitetin”, sa më të ndryshme do ta bënin historinë e re shqiptare?!
Gjuha vetë është një kod, kemi thënë më sipër, një mjet identiteti dhe në emër të tij “At Zef Pllumi kthehet në letërsinë shqipe për të dëshmuar gegnishten në një vepër të madhe… Ai nuk shkruan gjuhem amtare, por gjuhën e nanës. Termi nuk prek vetëm gjenezën, por edhe zhargonin e autenticitetit: nga fjalori, në forma e sintaksë, për të dëshmuar një identitet gjuhësor”. Do ta vëmë re edhe te Sami Repishti që “diferencimi në shkrim shkon deri në përmasa të ndeshjes ideologjike. Në proceset e montuara,  viktimat flasin gegnisht, kurse prokurorët e ndjekësit flasin toskërisht”, ndoshta edhe për këtë shkak nga këta autorë patën dhe kanë marrëdhënie të vështirë me standardin, i cili për ta, me sa duket është një “newspeak” apo “neolingua” që u kujton një persekutim disa shtresash.
“Nën hijen e Rozafës” të Sami Repishtit, libër ky që përmbledh  tri periudha, kohën e mbretërisë, Luftën e Dytë Botërore dhe vitet e diktaturës, maksima “Njeriu nuk duhet sakrifikuar në altarin e ‘kauzës’ për arsye të ‘fitores’” ndërton virtualisht arenën e ndeshjes së kodeve. Njeri, kauza dhe fitorja. I pari ka sajuar të dytat, e dyta ka mundur të parin. Për mua janë pikërisht heronjtë pozitivë të letërsisë së realizmit socialist ata që për Repishtin janë njerëzit e “rinj, aktivistë këmbëngulës që vrapojshin me pasion mbas dëshirës së tyne. Nuk kishte skrupull që i ndalonte. Ata nuk mendojshin, ata veprojshin, ndjejkshin urdhnin e eprorit, ose të instiktit të tyne vetjak. Ata nuk bajshin pyetje, as ndiejshin nevojën për përgjigje. Ata nuk ishin tolerantë dhe nuk kishin frikë nga opinionet e të tjerve. Me këtë ndërgjegjësim, ata nuk ndaloheshin para krimit të vrasjes së kundërshtarit. Ata vritshin sepse zani i ndërgjegjës së tyne ishte mbytë”.
Një analizë e shpejtë e këtij teksti krijon përballjen dëshirë-arsye, skrupull-mungesë e tij, mendim-veprim, tolerancë-intolerancë, ndërgjegje dhe krim ose vrasje në emër të ideologjisë, shqiptar i vjetër-shqiptar i ri. Revolta si institucion moral është tipar i letërsisë së Repishtit jo vetëm i  Malraux dhe kusht i domosdoshëm për revoltë është pafajësia, Repishti ndihet i tillë. Revolta duket se është një tipar i përbashkët i Repishtit me shkrimtarët e realizmit socialist, por jo. Kjo është revolta e individit që lirinë e ka gjendje të domosdoshme, i cili ndjen se jo vetëm ajo, por gjithçka ka besuar i fyhet dhe mohohet. Në vend të saj ofrohet terrori, tortura, depersonalizimi dhe deklasifikimi qytetar. Kjo është dialektisht e ndryshme nga revolta që shpie në revolucion politik me movent luftën e klasave dhe hero Stavri Larën apo Koz Dynjanë. Kjo është revolta e humanizmit dhe jo e ideologjisë, homo meditans përballë homo militants.
Revolta nga pafajësia dhe kërkimi i lirisë pa izma janë dy skajet e një nënkodi të papranueshëm nga realizmi socialist. Kur Repishti merr vendimin të arratiset nga Shqipëria, vendos të vizitojë varrin e babës dhe nga ky “takim” ai arrin në përfundimin se “Baba im, si fetar i bindun, kishte pranue pa kundërshtim ‘kismetin’ që e mundonte si ‘vullneti i të madhit Zot’!”. Më dukej sikur, në brendinë e tij, nuk kishte dilema. Paqsor për natyrë, ai jetonte nji jetë të mbështetun në parimet fetare e traditat shekullore të qytetit tonë; ishte nji tradicionalist i përkryem! Kur u gjinda para vorrit të tij i gjunjëzuem nga malli e respekti për kujtim e tij, nuk munda me kuptue, si ai nuk u revoltue kundër vuajtjes e vorfnisë që e munduen aq shumë në jetë, si i qëndroi besnik fatalizmit nënshtrues të islamizmit! Vuajtje e qetësi e brendshme; nuk kishte vend për revoltë. E tashti, djali i tij gjunjëzohej para vorrit, por me frymën e revoltës që ushqeu gjatë rezistencës kundër të huejit, gjatë burgimit të gjatë, e që tashti e shtynte me abandonue familjen e me rrezikue jetën, me arratisje në nji vend të huaj, me të paprituna e plot të panjohuna… si aventurier”. Shkrimtari liberal Repishti dhe shkrimtari françeskan Pllumi kanë përputhje për formën e kodeve, por jo për mënyrën sesi duhen ruajtur ato. Ata ngjajnë si homo poeticus, por ndryshojnë si homo politicus. Zoti, individi dhe liria është trinia e mendimit të tyre. Te sintonia  mes tyre apo mungesa e saj rrinë të përbashkëtat dhe diferencat.
Aventura shfaqet si shpëtim kur jeta dhe vdekja janë pothuaj ngjitmas, qoftë kur të çon te vdekja, qoftë te jeta. “Vdekja është shpëtim kur tortura të merr në pyetje dhe flet më tepër se dhimbja dhe frika e vdekjes”. Aventura dhe vdekja nga mungesa e lirisë janë dy skaje të një nënkodi tjetër që personazhi i letërsisë së socrealizmit nuk mund t’i ëndërrojë. Ai predikon qartësinë racionale dhe jetën përtej vdekjes si mit që i shërben revolucionit, jo si paqe në amshim.
Repishti ka jetuar gjatë nën shoqërinë e torturës, si personazhet e Malroux që analizon te vepra  e tij më e hershme, jo thjesht me tonet e saj dramatike, por edhe me karakterin e vet metafizik. “Në këtë rast shkrimtari është i detyruar të përgjigjet jo vetëm për atë çka do të bëjë, por edhe për atë çka pandeh se është”.  Repishti është një rebel tradicional në raportin mes të mirës dhe të keqes. Zotin e beson si ide të këtij konteksti dhe e  vë në diskutim si Shën Toma, megjithëse ai nuk është aq fatlum sa t’i shfaqet si totem, por e gjen atë te njeriu përmes gjesteve. A nuk është kështu kur në temperaturë nën 20 gradë në mënyrë të pabesueshme dikush heq pallton e tij dhe ia jep Repishtit, pothuaj në agoni në një kamp burgosjeje duke ia larguar vdekjen atij dhe afruar vetës?! Kështu mund të kenë vepruar edhe partizanët në luftë, del në shumë vepra letrare, por pastaj aty ku përfundon letërsia fillon krimi dhe vrasja e të njëjtave personazhe nga verbëria ideologjike.  Siç mund të kuptojmë edhe ky autor është një arkitekt i luftës së kodeve në letërsinë shqipe.
“Përmes një dukurie që askush nuk ka mundur t’i japë shpjegim, ndjeshmëria letrare përherë u ka paraprirë gjatë shekullit tonë ngjarjeve historike që do vinin e do mbështesnin më pas vërtetësinë e tyre… kjo ngaqë ata që lëvrojnë lëmin e letrave “ndiejnë” në vetvete kohën që do ndodhë, të nesërmen, erën morale apo imorale që do fryjë, vetë stuhitë e historisë”. Është Repishti që ka cituar R. M. Alberes tek përpiqej te hynte thellë në botën e personazheve të Andre Malraux, e cila më vjen e dobishme për të kuptuar vetë Repishtin, por edhe një tjetër shkrimtar shqiptar.
Jo vetëm me Ernest Koliqin ka ndodhur kështu siç thotë Alberes,  por edhe me Mustafa Krujën dhe epistolarin e tij shumë të gjerë. Si albanolog, shkrimtar, gjuhëtar e publicist dhe si ish kryeministër autoritar nën fashizmin, vepra e tij është dëshmi me karakterin e kundërvënies historike.
Ai gjindet në anën e të mundurve dhe u referohet pikërisht atyre kodeve apo nënkodeve që kanë strukturuar shoqërinë shqiptare dhe kulturën e saj para fitores politike e ushtarake të kundërshtarëve të tij. Për epistolarët gjithmonë ka pasur debat nëse duhen konsideruar letërsi apo jo e sa më të shumtë kanë qenë kundërshtarët, po aq të zellshëm e të panumërt mbrojtësit, aq sa shumë histori letërsie i kanë pjesë të tyre. Personalisht rreshtohem me të dytët, ndaj zgjodha t’i shoh si të tilla sidomos në raport me kodet.
Ai është parashikues dhe i bindur se ato që konsiderohen kode të mëdha të botës shqiptare apo të kulturës së saj do ta fitojnë betejën kulturore me kodet dhe nënkodet me karakter ideologjik. Ai e thotë këtë sapo realizmi socialit ka filluar revanshin e tij në vitet ‘40-‘50.  Ndonëse shpjegimet e tij janë të karakterit historik, gjuhësor dhe sociologjik, ai flet gjatë për gjuhën shqipe dhe veçoritë e saj, për plazmimin e identitetit nacional duke u autopërcaktuar si nacionalist, për peshën që feja dhe dy librat e mëdhenj, Bibla dhe Kurani, kanë në shoqërinë shqiptare dhe marrëdhënien e tyre me letërsinë, traditën, Kanunin me ritet e lindjes, vdekjes, jetës në gëzime e hidhërime. Pasi ka dështuar eksperimenti fashist në rrafshin politik, Kruja është konvertuar (akt ky gjithmonë i diskutueshëm, por që nuk mund t’i mohohet askujt) në mbështetës i demokracisë oksidentale dhe në këtë këndvështrim ai ndërton përballjen liri-komunizëm si kundërshtar i së dytës. Kjo del e qartë në shumicën e letrave të gjata që u dërgon miqve të tij e formuluar si ide dhe jo si art, por shkruar me thagmë. Ndryshe nga Pllumi dhe Repishti, të cilët bëjnë konkluzionet e historisë së jetuar, Merlika Kruja hipotetizon mbi atë që do ndodhë dhe në vija të përgjithshme hipoteza dhe konkluzioni përputhen e bashkohen në një “luftë” të luftuar nga tre të ndryshëm, tejet të ndryshëm, në emër të kodeve të mëdha.
Në qoftë se përdorim parimin e Frye-t të “Kërkimit të arketipave”, do të shohim se metaforat, sidomos të Pllumit dhe të Repishtit, por edhe analizat epitolare te Kruja shfaqen si paradigmë simbolike e antropologjike, të cilat na bëjnë të kuptojmë se çdo epokë është e ndryshme, por të gjitha epokat mbahen brenda një skeme “vdekje-lindje”, “gëzim-dhimbje”, “shpirt-mish” dhe kodet e mëdha, le të themi ato me origjinë hyjnore, marrin kuptim nga këto binome. Dhe meqenëse ato e kushtëzojnë natyrën e njeriut, bash për këtë arsye e fitojnë betejën me kodet ideologjike që krijon njeriu për të kënaqur egot dhe fantazitë, apo dominuar të ngjashmit e vet.

*Botoi Panorama. Dergoi per Diellin Prof. Sami REPISHTI

Filed Under: Analiza Tagged With: Agron Gjekmarkaj, At Zef Pllumi, Codi moral, Sami repishti

Fondacioni Biberaj, Nji Hap i Madh në Rrugën e Duhun

July 22, 2018 by dgreca

Nga  Sami Repishti/

1 Sami Repishti1

Ridgefield, CT.-Nji ngjarje me randësi ka entuziasmue bashkësinë shqiptaro-amerikane. Me 14 korrik 2018, mora nji mesazh nga kolegu i im i vjetër, Dr.Elez Biberaj, me të cilin më njoftonte formimin, nga familja e tij, të Fondacionit Biberaj “….për të mbështetur profesionistët shqiptarë”.

Dr. Biberaj vjen nga nji familje e persekutueme nga rregjimi kriminel komunist.

Niman Kadri Biberaj, xhaxhai i tij, u arrestue, torturue dhe dënue me burgim për “agjitacion dhe propagandë”. Me që nuk kishte vend për të dënuemët në burgjet e Kukësit, ai dhe rreth 60 të dënuemë politikisht nga Tropoja, u trasferuen në burgun politik të Shkodrës (1947). Shumica e tyne u dënuen si bashkëluftarë të grupit anti-fashist të kryesuem nga dëshmori i lirisë Ramë Muja, i Tropojës

Rastisi që Nimani të vendoset në dhomën Nr.9 , ku ishe i mbyllun edhe unë. U miqsuem shpejt. I shkathët, i vrullshëm, i pa fjalë, ai ziente përmbrenda nga nji ndjenjë që e mundonte shumë. “Burgu” më tha nji ditë, “nuk ashte për mue. Mali, po!” Unë buzëqesha, por e kuptova mirë. Në prill 1949, u ba nji falje e pjesëshme me ulje denimesh për nji grup katundarësh që besohej se ishin “të parrezikshëm për shoqërinë”. Në mes tyne edhe miku i im i ri. Sot, me kujtohet fjala e ndamjes: ”Jaran! “ më tha, “ në se arrestohem përsëri i gjallë, e meritoj burgun…. Veç due pak kohë, me shkue në shtëpi, me marrë pushkën e me dalë në mal….. Unë, i gjallë nuk kapem kurr!”

E ndigjova me habitje këte rrfim të guximshëm. Por në fëtyrën e Nimanit shihej qartë ndriçimi e nji zjarri të mbrendshëm që priste vetëm momentin me shpërthye. I lirë nga burgu ai kreu nji akt ndershmënie qe nuk e harroj; shkoi drejt në shtëpinë time me falënderue nanën që gjatë qendrimit të tij në burg pastronte rrobet tona nji herë në muej. Familjet tropojane ishin larg e të burgosunit tropojanë kanë vuejtë shumë, jashtë çdo mase. Disa prej tyne kanë vdekë, literalisht, nga uria. Me kujtohen dy vëllaznit Uka. U shuen fare ngadalë ngadalë. Sepse, deri në vitin 1951, në burgun e Shkodrës , jepej vetëm racioni 600 gramësh i bukës dhe uji…..!

Pake ditë ma vonë, erdhi lajmi se familja Biberaj në nji karvan të drejtuem e të mbrojtun nga vëllaznit Niman e Hysen Biberaj ishte arratisë në Jugosllavi- burra, gra e fëmijë bashkë me bagëti!. Mbas disa viteve, ata emigruen në Shtetet e Bashkueme të Amerikës (1968). Për 50 vjet të gjata, ata punuen, u arsimuen, e arritën sot me formue nji Fondacion bamirës. Në këte vend që ofron mundësi të mëdha erdhi edhe suksesi e përparimi. Breznia e re e familjes Biberaj u rrit, u edukue dhe korri suksese të mëdha akademike dhe ekonomike.

Tradita fisnike atdhetare e kësaj familje vazhdon! Ajo rrjedh nga patrioti Haxhi Zekë Biberaj i Pejës, (udhëheqës i dy kryengritjeve të viteve 1883 dhe 1896 kundër turqve në Kosovë , dhe i njohun në historinë e Shqipërisë  si ”atdhetar kosovar” dhe “udhëheqës i lëvizjes kombëtare në Kosovë)”. Sot, kjo familje vendosi të kontribuoj për vëllaznit e motrat shqiptare të hapësinës shqiptare në Ballkan, tue themelue  nji Fondacion dhe bashkë-financim (me nji fond fillestar prej 2.5 miljonë dollarë) për programin e nivelit Master – “për të mbështetur profesionistët shqiptarë”. Urime të përzemërta dhe sukses të plotë!

Financime për studime kemi edhe fondin e Federatës VATRA (edhe unë kam marrë nji ndihmë financiare), fond që vazhdon edhe sot. Kemi pasë edhe Fondacionin Peter Kole, nga Cleveland ,OH., por i kufizuem për studentë nga qyteti i lindjes, Pogradeci. Fondacioni Biberaj ashtë plotësisht modern dhe gjithpërfshirës.

*******

Gjesti i familjes Biberaj ka randësi të veçantë sepse ashte hap i madh i këtyne viteve të fundit në rrugën e duhun: fillimin e nji tradite bashkëkohore të kontributit vullnetar e qytetar për avancimin e arsimit, kulturës, artit e muzikës, biznesit dhe administrimit të tregëtisë; ashtë fjala për ndihmë kur krahu i qeverisë nuk arrin,

Fjala “Fondacion” (Foundation) teknikisht do të thotë themelimi i nji institucioni me përcaktime të sakta për mbajtjen dhe forcimin e tij.  Në esencë, ashtë nji “dhuratë” që bahet për këte qellim, me mbrojtë ose avancue qellimet e nji institucioni që synon të përjetësohet. Pikësynimi i institucionit të ri ashtë interesi publik ose domosdoshmënia shoqënore.

Në vitin 2016, Fondacioni Shqiptaro- Amerikan për Zhvilimin (AADF) u themelue me qellim “…për t’u dhenë profesionistëve të rinj shqiptarë dhe udhë-heqësve të ardhshëm nji mundësi të veçantë për të ndjekur studimet për nivelin Master, si dhe për të kryer praktika profesionale në fushët e Menaxhimit dhe Adminstrimit të Biznesit, Trashëgimisë Kulturore, Eko-Turizmit, dhe Mikpritjes, Arsimit, Teknologjisë Informative, Shkencave Kompjuterike, Politikave Publike dhe Administratës Publike,” spjegon komunikata e lëshueme nga Fondacioni Biberaj.

Me 14 korrik 2018, ky Fondacion shpalli Projektin e tij të parë, i cili konziston në bashkëfinancimin e Programit të Studimeve të Nivelit Master dhe Internship (MIP).. Z. Ken Biberaj, zadhanës i Fondacionit shton:” Familja Biberaj ndiehet e nderuar për të bashkëfinancuar me nji donacion prej 2.5 miljonë dollarësh…që u drejtohet profesionistëve të rinjë shqiptarë që synojnë të përparojnë duke studjuar në Shtetet e Bashkuara”. Ai shton:” Ne u jemi thellësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara për suksesin që kemi arritur, dhe ndiehemi krenarë për trashëgiminë tonë shqiptare. Shpresojmë që ky program do të ndihmojë brezin e ri të studentëve shqiptarë drejt arritjes së suksesit të tyre akademik, duke përmbushur angazhimin për të ndihmuar më pas në shkëmbim shoqëninë e tyre shqiptare”.

Në komunikatën e Fondacionit theksohet mbështetja “….e mundësive për të ndjekur studimet e larta të studentëve shqiptarë nga Ballkani në institucionet amerikane. Pas studimeve, përfituesët e ndihmës financiare duhet të kthehen në vendin e tyre….”

Për  aspektin teknik të kësaj ndermarrje pozitive Këshilli Amerikan për Arsimin Ndërkombëtar (American Council for International Education) do të ndihmojë studentët për vendosjen e tyre në Shtetet e Bashkuara, dhe do të ndjekë përparimin e tyre akademik”, nji tregues i seriozitetit të punës së Fondacionit.

(Për informata të plota kërkoni në : http://mip:aadf.org)

*******

Fondacioni shqiptaro-amerikan themelohet me rastin e 50 vjetorit të emigrimit të familjes Biberaj në Shtetet e Bashkueme të Amerikës (1968-2018). Mbas largimit të detyruem nga shtypja qeveritare dhe për t’i shpëtue persekutimit komunist në Shqipëri, ardhja e tyne në Amerikë ashtë nji shembull i ndritun, dhe deshmi e gjallë e plotësimit të “Endrrës amerikane” (the American Dream), mishërimi i thanjes “Amerika të ofron oportunitetin me u zhvillue plotësisht (self-realization)”. Me punë, studim e ndershmëni, si qytetarë koshient të shoqënisë amerikane, individualisht dhe bashkërisht, anëtarët e familjes Biberaj zotënojnë sot bizneset e tyne dhe kanë ndjekë karriera të ndryshme që nga arsimi, teknologjia, drejtësia, sherbimi publik, financat, tregëtia, pasunia e patundëshme (real estate), filantropia, arti dhe aktivizimi në jetën politike të këtij vendi. Z. Hasan Biberaj ashte nji sukses i jashtëzakonshëm financiar, dhe pronar  i restaurantit të privilegjuem të New York-ut “Russian Tea Room”. Dr. Elez Biberaj, autor, ashtë sot nji figurë qendrore e grupit të intelektualëve shqiptaro-amerikanë. Z. Ken Biberaj, aktivist i Partisë Demokratike Amerikane asht nji yll në ngritje, dhe shpresa e jonë se ai do të jetë kongresisti i parë i bashkësisë sonë në Amerikë.  Të gjithë djelmt dhe vajzat e familjes Biberaj janë shembuj të admirueshëm për të gjithë!

Tetë fëmijtë e familjes Biberaj kanë krye studimet e tyne universitare në institucione prestigjoze të Amerikës. Ata besojnë në nevojën me mbështetë shoqëninë e tyne si nji cilësi qytetare e nivelit të naltë, dhe dëshirojnë që arsimi i naltë që u ashtë dhanë atyne nga prindët, të vazhdojë edhe tek të tjerët.

Dr. Elez Biberaj rrfehej pak ditë ma parë:”Ne mbetemi shumë të lidhun dhe jemi mirënjohës të prindëve tonë që na pasunuen me besimin e thellë në avantazhet e arsimit, punës së pandërpreme,  dhe mbështetjen e kontributet për bashkësinë tonë shqiptare”.

Njiqind vjet ma parë, Imzot F.S.Noli shkruente vjershën e tij lapidare: “Jepni për Nenën!”. Formimi i Fondacionit Biberaj ashtë përgjigja e jonë ma e mirë!

Urojmë që kjo frymë e naltë humanitare të përhapet dhe të përjetësohet tek breznitë e reja shqiptaro-amerikane.

================================================================

Filed Under: Featured Tagged With: FONDACIONI BIBERAJ, Sami repishti

URIME BASHKEVUEJTSI I IM!

July 14, 2018 by dgreca

1-Sami-Repishti-ok.JPG-250x275Nga Sami REPISHTI, Ph. D./Me gëzim mora lajmin se Këshilli Bashkiak i Qytetit Shkodër ka vendosë të deklarojë qytetarin shkodran, dhe bashkëvuejtës i im, Z. Ahmet Bushati “Qytetar Nderi” i qytetit të Teutës. Urimet e mia për këte akt që plotëson nji mungesë të ndieme për nji kohë të gjatë.

E kam njohun Ahmet Bushatin në vitet e rinisë së parë (Nana e ime vjen nga familja Bushati). Por e kam njohë ma mirë vetëm kur ai u arrestue si student aktivist antikomunist, u torturue mizorisht, dhe u denue me shtatë vjet burg të randë e punë të detyrueshme. Në burgun e Shkodrës ku ai u mbyll, me gjithë vështirsitë e Rregullores, jemi takue dhe natyrisht kemi bisedue për gjendjen tonë të randë si dhe kemi ushqye shpresën e nji dite lirimi për të gjithë. Ahmet Bushati më la përshtypjen e nji të riu entuziast por i matun dhe impresionoi të gjithë në burg me tregimin nga shokët e tij për torturat shnjerëzore që u përdorën kundër tij, dhe rezistencën e jashtëzakonshme që tregoi gjatë “hetuesisë” së Sigurimit të Shtetit.

Bashkë me ate, erdhën në burg edhe shumë studentë të “Liceut At Gjergj Fishta” të akuzuem për veprimtari kundër pushtetit, të rij të djegun për demokraci në vendin tonë. Ishte kjo rini që frymëzoi të gjithë, sepse dha të kuptojmë që rezistenca nuk ishte shue përjashta burgut dhe se parashikimet ishin optimiste: rinia shqiptare i rezistonte propagandës dhe praktikës së  rregjimit të hunit e të litarit.

Ditët, javët e vitet kalojshin në këte atmosferë mbytëse dhe nën kercënimin e përherëshëm të vdekjes në torturë. Por edhe rezistenca e jonë bahej ma e fortë, ma koshiente sepse njohëm “anmikun” ma mirë, dhe ma kambëngulëse kundër egërsisë së policit. Njikohësisht, pjekunia që vjen me moshën krijoi nevojen e pakundërshtueshme me analizue jo vetëm gjendjen tonë, por edhe fatin tonë në burg, dhe sidomos në ditët kur dënimi i jonë plotësohej dhe pritej lirimi. Cilët jemi ne që dalim të gjallë nga burgu, dhe cili ashtë “roli” i jonë në nji shoqëni që eventualisht do të jetë e ndryshme nga ajo që na mbante të mbyllun në burgje?

Këtu më duhet të pohoj se ajo që gjetëm jashte burgut ishte e pandryshueme, dhe ajo që u krijue mbas ramjes së komunizmit akoma edhe ma deshpruese.

Në burgjet e errëta e kampet e punës së detyrueshme na kishim fillue me u ba të ndërgjegjshëm për pasojat e komunizmit: a do të ishim na në gjendje me rikrijue bashkësinë e vëllazënve e motrave shqiptare mbas nji katastrofe përmbytëse? A do të ishim na të ndërgjegjshëm, nesër në botën tonë pa burgje për rolin tonë të ri në shoqëninë që andrrojshim të lirë, pa frikën e persekutimit dhe pa kercënimin e urisë që sistemi shtetnor komunist kishte organizue në nji shoqëni të shtypun?

Vetë ideja që kujdesi i jonë përqendrohej në mendime të këtilla fisnike e larg konceptit të shtypjes e mjerimit që na kishte mbulue, na mbante gjallë, të fortë, kryenaltë e të vendosun. Edhe ma parë kam deklarue se “në burgjet e fashizmit dhe komunizmit, rinia shqiptare që u dogj gjatë atyne viteve heroike, po hidhte themelet e nji bashkësie vëllaznore të lirë, e të çlirueme nga mentaliteti i persekutimit nga nji shtet monster”.Ajo që na imponohej ato ditë ishte thanja e filozofit gjerman, F.Nietzsche, :”Ata që luftojnë kundër përbindshit, duhet të kenë kujdes të mos kthehen në përbindsha” Duhej ruejtë e forcue fryma njerëzore në mbrendinë tonë, të luftohej pa mëshirë çnjerëzimi i jonë…humbja e jonë e plotë dhe e pareparuesme.

Për fatin tonë të mirë, kaluem këte fazë kritike me suksesin ma të plotë: përbuzëm urrejtjen per “anmikun” kriminel- urrejtjen, këte smundje që vret të gjithë ata që e ushqejnë-  dhe vendosëm besimin tonë në aftësitë tona me zbatue drejtësinë. Fatkeqsisht, optimizmi i jonë u trathëtue nga karrieristët e politikës së ditës….! E kaluemja e jonë u venit nga vitet e mos-veprimit për ndertimin e demokracisë, dhe vuejtjet tona i mbuloi harresa! Akoma sot, Shqipëria nuk ka pranue fajin publikisht; ajo jeton me ndërgjegje të randueme nga pesha e fajit të kryem. Kjo gjendje pa zgjidhje na frikëson. Në qoftë se refuzojmë me përballue përbindshin e së kaluemes, breznia e re do të pësojë rrjedhimet e paevitueshme. Sepse, në Shqipëni, komunizmi ka çveshë shqiptarin nga rrobet e trupit e të shpirtit!

Sot, mbas shumë vitesh aventure politike nga klasa të pa ndërgjegjëshme të partive politike, shumica e të cilave të daluna nga gjiu i PKSH/PPSH kriminele, na kujtohen ditët e vështira, dhe dyshimin tonë të justifikuem se, qytetarët shqiptarë do të dilshin nga shoqënia komuniste si qenie të sakatueme, dhe do të vazhdojshin me jetue nën peshën e frikës, frikës së madhe të kafshës që tërhiqet zvarrë, me dru e me litar, në kasaphanet e qyteteve tona….!

Në bankët e shkollës së mesme, kur Shqipënia nuk kishte akoma institucione të arsimit të naltë, gjatë viteve të pushtimit të huej, rinia studenteske e moshës së Ahmet Bushatit zgjodhi alternativen e nderit që kushtoi shumë vuejtje e gjak. E shgënjyeme nga eksperienca komuniste, kjo rini vazhdoi me ndjekë rrugën e vetme që mbetej: rrugën e nderit. Per Ahmet Bushatin dhe kolegët e tij, me kundërshtue “diktaturën e proletariatit”, me mbrojtë të drejtat e Kosovës e Çamërisë, me refuzue duertrokitjet për marrëzitë e diktatorit, nuk kanë qenë akte të thjeshta; ata kanë qenë gjeste të jashtëzakonëshme, detyrë morale, e korrekte politikisht për të gjithë. Edhe këte detyrë breznia e re-sidomos ajo studenteske- e kreu me nder e guxim. Pjesa ma aktive ku bante pjesë edhe Ahmet Bushati u përballue dhe u përlesh me “të keqen” që mbuloi vendin tonë; ajo rini, ende e parritun mirë, u hodh në zjarrin e nji lufte të pabarabartë që nuk mund të fitohej…..jo për fajin e tyne. Sot, breznitë e reja shqiptare kanë nji trashëgim të ndritun me ndjekë: me ndigjue zanin e ndërgjegjes dhe me ndjekë ate me pasionin e tyne rinor!

Sepse pasiviteti mundëson ushtrimin e dhunës kundër të pafajshmit. Heshtja nuk ashtë përgjigje; ashtë nji e keqe pasive. E kur kjo “e keqe” vret e copton, me heshtje na kryejmë aktin e vetëvrasjes sonë morale. Breznia e Ahmet Bushatit përbuzi heshtjen, përballoi fortunën, dhe u dogj në flakën e lirisë që aq shum kërkoi!

Historia na mëson se ata që harrojnë të kaluemen e errët janë të dënuem me e përsëritë. Në Shqipëninë tonë ky fenomen negativ ka triumfue: terrorin komunist e ka mbulue heshtja, dhe heshtja zakonisht vret ata që e përqafojnë. E kundërta ngjau në vendet e përparueme, me kulturë politike ma të zhvillueme, dhe me sensin e plotë të marshimit të historisë. Në ish Gjermaninë naziste ky problem u përballue direkt dhe pa kompromis me mobilizim të përgjithshëm, nji konditë kryesore që në Shqipëni na mungon. Gjermania ka krijue nji identitet politik të ri,  tue shlye turpin e së kaluemes saj kriminale.

Këtu kemi para vetes ekperiencën shqiptare: falimentimin në çrranjosjen e efekteve të komunizmit në Shqipëni. Por me kalimin e kohës harresa përparon. Duhen akte që pengojnë fitoren e harresës  Monumentët për viktimët, dhe Muzeumet për popullsinë  e gjanë, së bashku me programe shkollore për të rinjtë tonë, janë hapat e parë.

Në Shkodrën tuej e timen, nji qendër e rezistencës demokratike, kjo inisiativë u ba pikësynimi i bashkëvuejtsit tim, Ahmet Bushati. Me punë të pa ndërpreme, me ballafaqim të të gjitha vështirësive që ndeshi në rrugën e tij, ky demokrat ia doli me përfundue themelimin e Muzeut të Dëshmisë dhe Memorjes që Shkodra sot posedon, nji pasqyrë e qartë e së kaluemes së errët komuniste. Vetëm për këte ndërmarrje, Ahmet Bushati meriton titullin “Qytetar Nderi”.

I dashtuni Ahmet! E gëzofsh mirënjohjen e  qytetit të Shkodrës!

14 korrik 2018                                                                       Sami Repishti, Ph.D.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ahmet Bushati, Sami repishti, Urime bashkevuajtesi im

PROF.SAMI REPISHTI:SHQIPTARE TE AMERIKES-VATRA NA BASHKON*

June 2, 2018 by dgreca

Sot, unë baj thirrje të gjithëve: anëtarsohuni në Federatën VATRA; ndihmoni Kryesinë e Vatrës dhe editorin e dedikuem të gazetës Dielli; zhvilloni, bashkë me Vatrën, sentimentin tonë të atdhe-dashunisë tradicionale./

1 samiu fletFalemnderit Zonjusha Aida Gashi!

I nderuemi Z. Mishto, kryetar i Federatës VATRA,

Vëllazën e motra anëtarë dhe miq të Vatrës,

Mirëmbrama! Urime me rastin e 106 vjetorit të formimit të Federatës VATRA!

Falënderime për akordimin e certifikatës LifetimeAchievement.Jam mirënjohës, dhe si shqiptaro-amerikan jam krenar!

VATRA ka qenë, ashtë dhe do të mbetet për mue “Shqipëria e dytë në Amerikë”. Që nga ditët e para të emigrimit, unë e kam konceptue Vatrën në këte kuadër dhe e kam respektue, sidomos gjatë 45 viteve të regjimit komunist, kur Shqipëria ishte për ne tokë e ndalueme. Për këte fitore, na falënderojmë vatranët e vjetër që lanë Vatrën trashëgim në duert tona.

Që nga viti 1990, gjendja e re ka krijue kondita të reja. Ajo ma kryesore ashtë emigracioni i madh nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Çamëria martire. U formue këtu në Amerikë nji komunitet i madh, aktiv dhe ekonomikisht i fortë. E ardhmja  e Vatrës u sigurue!

Sot, kemi nji Vatër të re, dhe detyra të reja. Sot kemi intelektualë dhe afaristë të suksesshëm. Sot kemi mundësi me ba ma shumë. 

E para: me njohë mirë dhe me dashtë Amerikën, për ne atdheu i jonë. Le të mësojmë historinë e këtij vendi të madh, të respektojmë Kushtetutën dhe ligjët e vendit, si dhe të përvetësojmë vlerat e nalta të lirisë dhe drejtësisë për të gjithë. Le të forcojmë lidhjet shqiptaro-amerikane çdo ditë e ma shumë.

E dyta,me ruejtë gjuhën shqipe, traditat e besës, nderit, burrënisë, mikpritjes tradicionale e sidomos dashuninë tonë për trojet shqiptare në Ballkan. Le të hapim shkolla të reja shqipe, të festojmë ditët tona kombëtare, të përhapim librin shqip, të shkruejmë e të flasim për Shqipërinë, dhe të përfaqsojmë komunitetin tonë në organet qeveritare lokale, shtetnore dhe federale. Ka ardhë koha me pasë kongresmenin, senatorin, governatorin me origjinë shqiptare. Z. Mark Gjonaj ashtë nji shembull i mirë!

E treta, me ndihmue shqiptarët në trojet ballkanike ku jetojnë në kondita të vështira. Ata kanë nevojë të madhe për ndihmën tonë.

E katërta, me mbrojtë trojet shqiptare në Ballkan. Shqipëria dhe Kosova janë vende të vogla dhe kanë shumë anmiq, mbrenda dhe jashtë vendit.

E pesta, me forcue lidhjet tona njeni me tjetrin. Jemi vëllazën, jemi motra, jemi bijtë e bijat e Nanës Shqipëri: nuk na ndajnë dot! Së bashku, na lëvizim malet!

Sot, unë baj thirrje të gjithëve: anëtarsohuni në Federatën VATRA; ndihmoni Kryesinë e Vatrës dhe editorin e dedikuem të gazetës Dielli; zhvilloni, bashkë me Vatrën, sentimentin tonë të atdhe-dashunisë tradicionale.

Falemnderit!

* (Sami Repishti-Pershendetja ne 106 vjetorin e krijimit te FEDERATES VATRA (1912-2018)

*Per me shume fotografi shihni ne facebook (dielli vatra)

 

Filed Under: Featured Tagged With: 106 vjetori i themelimit, Sami repishti, Vatar na bashkon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 20
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT