PRISHTINË, 27 Qershor 2016-B.Jashari/ “Sfidat e shtetndërtimit në Kosovë”, ishte tema e ligjëratës së ministres kosovare për Dialog, Edita Tahiri, në tryezën e gjashtë globale me titull “Rimendimi i qeverisjes në shoqëritë e brishta”, mbajtur në Santpoort, Holandë.Ajo theksoi “nevojën e rimendimit konceptual dhe praktik të mandateve dhe misioneve ndërkombëtare për paqendërtim dhe shtetndërtim duke nxjerrë përvoja nga rasti i Kosovës”.
Ministrja Tahiri tha se praktikat e mëhershme të intervenimit ndërkombëtar na japin mundësi që të nxjerrim mësime në përpjekjet tona të përbashkëta për atë se si ne mund të përmirësojmë ndërtimin ose rindërtimin e shteteve të suksesshme dhe të paqes e stabilitetit në vendet që kanë kaluar luftëra e konflikte.
“Për mendimin tim, ndërtimi i institucioneve shtetërore dhe të qeverisjes mund të quhet i suksesshëm në qoftëse qeverisja e vendit është e aftë dhe efektive që të ofrojë shërbime publike që përmbushin nevojat dhe pritjet e qytetarëve, në kushtet e një demokracie gjithëpërfshirëse”, u shpreh ajo.
Sipas ministres kosovare Tahiri, rasti i Kosovës sjell gjetje interesante që zbulojnë dobësitë dhe mangësitë e përfshirjes së OKB-së, përkatësisht UNMIK-ut, jo vetëm në aspektin praktik, por edhe në aspektin teorik dhe institucional.
“Mësimet që dalin nga rasti i Kosovës mund të shërbejnë si rekomandime të vlefshme për axhendën e arkitekturës së re të paqendërtimit që OKB është duke e përgatitur”, tha ajo.Problemet që i la pas vetes UNMIK-u, vijoi ministra, janë sfida që po i adreson qeveria e Kosovës së pavarur me axhendën e saj reformatore si dhe dialogun e Brukselit, i cili po mundëson zhbërjen e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, ku shumë prej tyre janë zhbërë tashmë, si dhe po ndihmon integrimin e një pjese të serbëve që ishin penguar të integrohen në sistemin e Kosovës.
“Kosova si shteti më i ri në Evropë, pas një lufte të gjatë për pavarësi dhe me ndihmën e aleatëve perëndimorë në radhë të parë SHBA-ve dhe vendeve evropiane, tashmë është njohur nga shumë vende, ka hapur kapitullin zyrtar të integrimit evropian përmes MSA-së dhe është anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare”, tha ministrja Tahiri.
Tryeza në Santpoort, Holandë, u organizuarnga Fondacioni BMW Herbert Quandt i Gjermanisë dhe Instituti i Hagës për Drejtësi Globale prej 23-26 qershor.