Media në Kosovë- Nuland: SHBA e do Kosovën shtet të fortë e të zhvilluar
-Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland: Shtetet e Bashkuara kanë pothuajse njëzet vjet të investimit në sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, dhe në prosperitetin e saj si shtet demokratik, duke ju ndihmuar që të ndërtoni një Kosovë të pastër, demokratike/
PRISHTINË, 11 Korrik 2016/ SHBA e do Kosovën shtet të fortë e të zhvilluar, citohet ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland në një intervistë ekskluzive për radiotelevizionin publik kosovar, RTK, gjatë vizitës dje në Prishtinë.
“Mendoj se e dini që Shtetet e Bashkuara kanë pothuajse njëzet vjet të investimit në sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, dhe në prosperitetin e saj si shtet demokratik, duke ju ndihmuar që të ndërtoni një Kosovë të pastër, demokratike”, ka theksuar ajo.
“Dëshirojmë një Kosovë të fortë, të pavarur e demokratike. Këtë e duam për ju”, ka theksuar ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Nuland.
“Afat deri në vjeshtë”, është kryetitulli sot i gazetës kosovare Zëri, e cila thekson se, ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, ua ka rikujtuar liderëve shtetërorë luftën kundër krimit e korrupsionit, si dhe përfundimin e demarkacionit me Malin e Zi para pushimeve të verës, në mënyrë që të ecet përpara drejt integrimit evropian më së largu deri në vjeshtë. Nuland gjatë vizitës në Kosovë injoroi opozitën duke mos i takuar fare, derisa u takua me shoqërinë civile.
Gazeta merr vesh nga burimet e saj brenda takimit se Nuland ka kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa dhe kryeparlamentari Kadri Veseli, si dy liderët e partive në koalicionin qeverisës, që para pushimeve ta ratifikojnë Marrëveshjen për Demarkacion, ndërsa ka qenë e pakompromis në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sidomos në nivel të lartë.
“Nuland e ka quajtur artificial debatin për demarkacionin”, thekson në kryetitull balline gazeta tjetër e Prishtinës, Koha Ditore. Kjo gazetë shkruan se ndihmëssekretarja e Shtetit, Victoria Nuland, ua ka bërë të qartë udhëheqësve shtetërorë kërkesat që duhet t’i plotësojë Kosova për të arritur perspektivën evropiane.
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, proceset integruese evropiane dhe ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, kanë qenë tema diskutimi në takimet e ndara që ajo pati, të dielën, me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, gjatë vizitës njëditore në Prishtinë.
Në takimet, ajo pohohet të ketë theksuar rëndësinë e adresimit të çështjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi si një proces shumë i rëndësishëm për hapjen e perspektives eurointegruese të Kosovës./b.j/
EKSKLUZIVE – NULAND: SHBA E DO KOSOVËN SHTET TË FORTË E TË ZHVILLUAR
Intervistë ekskluzive e ndihmëssekretare ammerikane të Shtetit për çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, për RTK-në
RTK: Zonja ndihmëssekretare, mirë se vini në Kosovë! Kjo është vizita juaj e dytë në Kosovë gjatë një viti. Sa është e rëndësishme Kosova për Shtetet e Bashkuara dhe cilat janë synimet tuaja në Uashington, për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës?
Ndihmëssekretarja Nuland: Ju faleminderit Xhevdet, për këtë mundësi. Po, kam qenë këtu me sekretarin Kerry në dimër dhe përpiqem që edhe vetë të vij çdo vit. Mendoj se e dini që Shtetet e Bashkuara kanë pothuajse njëzet vjet të investimit në sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, dhe në prosperitetin e saj si shtet demokratik, duke ju ndihmuar që të ndërtoni një Kosovë të pastër, demokratike. Porosia jonë sot ishte se Kosova ka arritur përparim të konsiderueshëm, përfshirë edhe prej herës së fundit kur isha këtu me sekretarin Kerry në dimër. Gjykata Speciale po ecën, keni zgjidhur çështjen e EULEX-it, kemi stabilitet politik relativ. Por, tani është koha që Kosova të marrë hov dhe t’i adresojë disa prej problemeve që të gjithë njerëzit në këtë vend po presin që të adresohen, duke përfshirë vazhdimin e pastrimit të sistemit të drejtësisë, të pastrohen krimi dhe korrupsioni, të siguroni se po e rritni ekonominë tuaj, po krijoni një mjedis që stimulon investime. Kemi investitorë amerikanë që duan të vijnë këtu, por ata duan ta dinë se vendi është në një trajektore të fuqishme. Dhe, natyrisht edhe integrimi juaj me Evropën dhe procesi juaj me Serbinë. Pra, këto ishin temat kryesore sot.
RTK: Duke folur për përparimin në Kosovë, kemi parë shumë pak përparim në Kuvend, në veçanti çështja me partitë opozitare që e kundërshtojnë marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi dhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Si e shihni punën e Kuvendit dhe si e shihni zgjidhjen e këtyre dy çështjeve të rëndësishme?
Ndihmëssekretarja Nuland: Gjatë tërë kësaj periudhe, fare nuk e kemi fshehur brengën tonë se Kosovës i duhet një Kuvend dinamik dhe funksional, ku politikanët e zgjedhur vijnë dhe debatojnë, e jo që hedhin gaz lotsjellës ose bojkotojnë e bëjnë gjëra të tilla. Nëse dëshironi të keni një demokraci të fortë, duhet të merrni pjesë në procesin demokratik. E pashë kryetarin e Kuvendit sot, e takova për herë të parë si prijës i Kuvendit. Ne e nxitëm për përshpejtimin e punës në Kuvend. Ne jemi mbështetës të fuqishëm të marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi sepse kjo është çështje e sovranitetit për Kosovën. Vendeve sovrane u duhen kufij stabilë dhe të sigurt. Është diçka që duhet ta bëni për të ardhmen tuaj. Sinqerisht, nga këndvështrimi ynë, i tërë ky debat rreth kësaj çështjeje është relativisht artificial. Është problem i sajuar dhe sinqerisht, ne dëshirojmë ta shohim Kosovën duke pasur mundësi për integrim më të thellë në Evropë. Dëshirojmë të shohim se si kosovarët e rinj kanë rastin të udhëtojnë andej-këtej, që të mos ndihen se u duhet të dalin jashtë, por që kanë mundësi këtu për ta bërë Kosovën qendër të vërtetë për Evropën. Pra, kjo është çështje e rëndësishme. Është çështje e sovranitetit, është çështje e së ardhmes suaj dhe nuk duam ta shohim duke u politizuar. Dëshirojmë t’ju shohim duke e zgjidhur këtë çështje këtë verë dhe të ecni tutje.
RTK: Serbia vazhdon ta bllokojë integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare. Udhëheqësit e saj politikë kanë deklaruar se kurrë nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Si i ndihmon kjo marrëdhëniet ndëretnike dhe si mund të ketë përparim në dialog me këto lloj deklaratash provokative nga udhëheqësit serbë?
Ndihmëssekretarja Nuland: Shtetet e Bashkuara, siç e dini, kanë qenë përkrahëse e fuqishme gjatë këtyre viteve e dialogut Kosovë-Serbi. Është arritur një lloj përparimi, por mendoj se çka duam të shohim tash është zbatimi i marrëveshjeve të arritura më herët. Na vjen mirë që po shohim se tashmë është formuar grupi për hartimin e legjislacionit për Asociacionin e komunave. Natyrisht, kur të shkoj në Beograd do të flas me kryeministrin dhe qeverinë atje për zbatimin e atyre marrëveshjeve që tashmë janë arritur. Por, më gjerësisht, dëshirojmë ta shohim që procesi i dialogut po vazhdon dhe dëshirojmë të shohim që po arrihet një zgjidhje e plotë e çështjeve të sovranitetit ndërmjet të dy vendeve. Por, po aq me rëndësi është që Kosova të punojë vetë në ndërtimin e vet, që të jetë shtet sa më i fortë i mundshëm, si dhe si vend shumetnik, ku shqiptarët dhe serbët dhe të gjitha etnitë e tjera mund të jetojnë në paqe sepse jo vetëm që një gjë e tillë i duhet rajonit, por i duhet dhe planetit dhe Kosova ka mundësinë për ta dhënë këtë shembull.
RTK: Shqetësimet për ekstremizmin fetar në Kosovë vazhdojnë të jenë në lajme në Shtetet e Bashkuara kohët e fundit. Këto janë shqetësime edhe këtu në Kosovë. Kosova është pjesë e aleancës botërore kundër terrorizmit, por a po bëjnë mjaft institucionet e Kosovës për luftimin e ekstremizmit?
Ndihmëssekretarja Nuland: Xhevdet, do të thosha se Kosova ka arritur përparim vërtet të mirë në rajon sa i përket punës që e bëni për t’i identifikuar të rinjtë në rrezik, për t’i rritur ndëshkimet penale për ata që luftojnë në luftëra të huaja, për penalizimin e ekstremizmit, por natyrisht duhet të bëhet më shumë. Dhe kjo vlen për çështjen në përgjithësi – nuk është vetëm çështje e Kosovës, por është edhe rajonale – se kur nuk ka rritje mjaft të shpejtë të ekonomisë, kur papunësia ndër të rinjtë është në nivel aq të lartë, veçanërisht jashtë qyteteve, këta të rinj bien pre e rekrutimit. Pra, për këtë arsye na nevojitet një Kosovë që është e fortë, e pavarur, që rritet ekonomikisht, është e integruar me Evropën, ashtu që të rinjtë shohin të ardhme pozitive dhe që i thonë ‘Jo’ thirrjes së sirenave për ekstremizëm të dhunshëm. Por, po ashtu është me rëndësi edhe puna në komunitet që të gjithë po e bëjnë: marrëdhënie të forta ndërmjet prindërve, punëdhënësve, udhëheqësve fetarë dhe qeverisë për të ditur se çka po ndodh në komunitetin tuaj dhe për ta ndërprerë këtë në ngjizje. Mendoj se Kosova po ia del mirë në këtë. Ne, në Shtetet e Bashkuara po përpiqemi që të nxisim më shumë punë rajonale në këtë aspekt, po punojmë edhe me Shqipërinë dhe mendoj se fakti që vendet e këtij rajoni po fillojnë të punojnë së bashku për ta luftuar ekstremizmin është zhvillim i mirë. Pra, vazhdoni kështu.
RTK: Zonja ndihmëssekretare, ju faleminderit për kohën tuaj.
Ndihmës-sekretarja Nuland: Xhevdet, faleminderit juve për mundësinë për të folur me ju dhe me shikuesit tuaj. Dëshirojmë një Kosovë të fortë, të pavarur e demokratike. Këtë e duam për ju.
RTK: Ju faleminderit.
Intervistoi: Xhevdet Sfarça
SHBA- Komuniteti Shqiptar, solidarizim me qytetarët e Dallasit- mbështetje policisë
Kolegët shqiptarë nga NYPD, -Shoqatës Amerikane Shqiptare të Policisë Iliriane – “Illyrian Society of Law Enforcement”, bëjnë thirrje për ndihma për familjet e 5 policëve të vrarë ne Dallas/
Nga Beqir Sina/
DALLAS TX- Në Dallas të Teksasit, këto ditë u mbajtën manifestime solidariteti, dhe disa ceremoni lutjeje në kishat e qytetit, për 12 policët, të cilët u qëlluan me armë zjarri gjatë një proteste paqësore të mbajtur të enjten e kaluar në mbrëmje.Pesë prej policëve, që vrojtuan protestën humbën jetën, ndërkohë, që shtatë tjerë mbeten të plagosur.Sulmi ndaj uniformave blu të Dallasit, u krye nga dy snajper, njëri mbahet i arrsetur, dhe tjetri i vetëvrarë. Ngjarja, thuhet se ka marr si shkas nga dy vrasjet e policisë ndaj dy afrikano-amerikanëve, në Luiziana dhe Minesota, disa ditë më parë.
Komuniteti i Dallasit, përfshirë edhe komunitetin shqiptarë, i cili përjetojë një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura kohët e fundiit në SHBA, me policinë – mësohet se ka treguar një solidaritet, dhe dashamirësi të jashtëzakonëshme, me uniformat blu – poliicinë, e Dallasit , ku ndodhi edhe ngjarja .
Flamujt në të gjithë vendin u lëshuan në shenjë nderimi dhe respekti në gjysmë shtize, ndërsa ndërtesa e qeverisë së shtetit të Teksasit, dhe ajo e Bashkisë së Dallasit, u ndriçuan mbrëmë tërësisht në blu, në shenjë respekti, për pesë uniformat blu që humbën jetën.
Këto ditë, përpara selisë së Departamentit të Policisë, në Dallas, mijëra qytetar u panë të vendosin në rradhë, kartolina me shënime prekse, kryenin lutje për të vrarët, vendosnin një tufë me lule të freskta, ndiznin qirinjë me ikonat e Jesus-it, vendosnin ndonjë kukull, apo balona, me shënime, ku qytetarët shprehen respektë e mirënjohje njerëzore, dhe lutje.
Qytetarët, gjitthashtu, janë duke treguar me këtë rast edhe ndihmën e tyre, për pesë policët të vrarë, tek familjet e tyre, nëpërmjet fondit ” Dallas Fallen Officer’s Foundation”
Simbas, Ylber Korçës, një veprimtar i dalluar i këtij komuniteti, banor i dallasit, thuhet se edhe komuniteti shqiptarë në Dallas, mbarë shqiptarët në Teksas, po e përcjellin me shqetësim ngjarjen e ndodhur tre ditë më parë, duke treguar një solidarizim, dhe, mbështetje për poliicinë, duke iu bashkëngjitur këto ditë kësaj dhimbje të madhe për të gjithë amerikanët.
Dje, gazeta jonë mësojë se kryetari i këtij komuniteti, veprimtari i njohur shqiptarë, zoti Nazar Mehmeti – biznesmen i sukseshëm, priti në një takim ngushëllimi – duke i shprehur atij në emër të komunitetit shqiptarë, edhe Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Botë, ngushëllimet e tij – për humbjen e pesë kolegëve të vrarë”
Zoti Mehmeti, njoftohet se të hënën, ka një takim me Kryetari e Bashkisë në Dallas – zotin Mike Rawlings, ku përsëri, ai në emër të komunitetit shqiptarë, Albanian American Culture Center, dhe Albanian Heritage Community in Dallas, Texas, ka për t’i shprehur atij ngushëllimet dhe lutjet e shqiptarëve, për pesë policët e varë, dhe do të tregojë edhe një herë solidaritetin e gjithë shqiptarëve të Amerikës, për uniformat blu – dhe policinë në SHBA.
Ndërkohë, të gjithë shqiptarët e Amerikës, në medien sociale kan shprehur solidarizim dhe janë lutur për pesë policët e varë.
Policët shqiptarë në Nju Jork, thuhet se janë duke u solidarizuar me kolegët e tyre nga unifromat blu në Dallas – Teksas, madje ata kan bërë thirrje për t’ju bashkuar Fondit për Familjet e Grave të Veja -” Dallas Fallen Officer’s Foundation” , pra atyre që kan humbur bashkëshortët, nga rradhët e uniformave blu.
Zoti Ylli Dautaj, me gradën Lejtnant nga NYPD – Presidenti i Shoqatës Amerikane Shqiptare të Policisë Iliriane – “Illyrian Society of Law Enforcement”, shkruan në statusin e tij në Facebook, se 5 Zyrtarët e Policisë në Dallas janë vrarë në krye të detyrës, duke lënë pas familjet , prindëritt, gratë dhe fëmijët.
Dautaj, duke i bërë edhe thirrje kolegëve të tij, për ndihmë nëpërmjet organizatës për të ndihmuar të vejat dhe familjet e pesë zyrtarëve të Policisë, në Dallas, njofton komunitetin, dhe kolegët e tij duke thënë se :” Nëse ju doni për të ndihmuar familjet e pesë policve të vrarë, ;“Ju lutem ato mund ti bëni përmes postës elektronike, dhe mund t’i dërgoni në adresen ” Dallas Fallen Officer’s Foundation” ose kutinë postare Dallas Fallen Officer’s Foundation – 1414 North Washington Avenue Dallas, Texas 75204 – USA”
Përmes një video emocionuese në Facebook, shpërndar dje në të gjitha rrjetet sociale në internet , shfaqen qytetarët në rradhë, duke u dhënë, ngushëllime policëve, që qëndronin përjashta, oborrit të Departamentit të Policisë Dallas.
Ata kan bërë që policët shkruan shtypi amerikan, të ndihen më të mbështetur, me gjithë dashurinë, dhe respektin e madh e komunitetit të Dallasit.
Në video shihen qytetarët e të gjitha komuniteteve, të gjitha racave , duke përcjell me përqafime policët, derdhur lot e lutur për jetën e tyre, dhe duke u thënë atyre se “Policët nuk janë vetëm dhe ne qytetarët jemi këtu me ju policët e Departamentit të Policisë Dallas”.



SHBA, sot 240 vjetori i pavarësisë
Shtetet e Bashkuara festojnë sot 240 vjetorin e pavarësisë nga Britania me piknikë, parada dhe fishekzjarre/
Presidenti Barack Obama do të presë në Shtëpinë e Bardhë familjet e ushtarakëve, ku do të jepet edhe një koncert nga Kendrick Lamar dhe Janelle Monae. Nëse sonte në Uashington nuk bie shi, njerëzit do të mund të shohin fishekzjarret në Shëtitoren Kombëtare në qendër të qytetit.
Por festimet kryesore do të jenë gjatë rrugës nga Shtëpia e Bardhë tek ndërtesa e Arkivave, ku është ekspozuar Deklarata e Pavarësisë, që u hartua nga Thomas Jeffersoni dhe u miratua nga Kongresi më 4 korrik, 1776.
Më shumë se çdo gjë tjetër, deklarata është një kritikë e mprehtë ndaj mbretit britanik George, duke e cilësuar atë një tiran që kishte shpërfillur në mënyrë të përsëritur lutjet e kolonive amerikane për trajtim më të mirë.
Deklarata përmbante thelbin e idesë mbi lirinë amerikane dhe mbi të drejtat e natyrshme njerëzore:
“Ne besojmë se këto të drejta janë të natyrshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Ne besojmë se për të siguruar këto të drejta njerëzit krijojnë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurve, se sa herë që një formë qeverisjeje i minon këto qëllime, është e drejta e popullit ta ndryshojë, apo ta heqë atë”, thuhej në deklaratën e hartuar nga 32 vjeçari Thomas Jefferson.
Ajo që do të pasonte ishte Lufta Revolucionare e cila do të vazhdonte deri në 1783, kur Traktati i Parisit njohu zyrtarisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës si vend sovran dhe të pavarur. Traktati është gjithashtu pjesë e koleksionit të Arkivave Kombëtare.
Mes 27 ankesave të renditura nga Jeffersoni, ishin edhe ato për stacionimin e një numri të madh trupash britanike në koloni, shkëputjen e lidhjeve tregtare të kolonive me botën dhe pezullimin e legjislaturave lokale.
Do të duheshin edhe disa vjet luftë me Britaninë, në atë kohë shteti më i fuqishëm ushtarakisht në botë, që Amerika të fitonte pavarësinë e plotë.
Festa e 4 korrikut përfshin një lexim tradicional të Deklaratës së Pavarësisë në shkallët e ndërtesës së Arkivave. Brenda ndërtesës, dokumenti origjinal është ekspozuar dukshëm për publikun së bashku me Kushtetutën dhe Kartën e të Drejtave.(VOA)
PREZANTOHEN NË SHBA ARRITJET NË ORGANIZIMIN E ZGJEDHJEVE NË KOSOVË
Ne Foto:Valdete Daka dhe kryetarja e KQZ Shqiperi, Lefterije Luzi/
SHBA, 30 Qershor 2016-Gazeta DIELLI/ Me ftesë të Asociacionit Ndërkombëtar të Nëpunësve, Regjistruesve, Zyrtarëve Zgjedhor dhe Financierëve (IACREOT) kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e Kosovës, Valdete Daka mori pjesë në konferencën vjetore të organizuar në Memfis, Tenessee SHBA.
Në këtë konferencë disa ditore morën pjesë zyrtarë të lartë në fushën e zgjedhjeve nga vende të ndryshme të botës, të cilët patën mundësinë për të ndarë përvojat e tyre në fushën e zgjedhjeve.Para pjesëmarrësve, kryetarja Daka prezantoi një historik të krijimit të shtetit të Kosovës si dhe organizimin e zgjedhjeve pas shpalljes së pavarësisë. Po ashtu, Daka u ndalë në përvojen e krijuar dhe arritjet në organizimin e zgjedhjeve të fundit lokale (2013) dhe ato parlamentare (2014).
Në vazhdim të kësaj konference u prezantuan zhvillimet më të reja teknologjike në fushën e zgjedhjeve, financave, etj. Asociacioni Ndërkombëtar i Nëpunësve, Regjistruesve, Zyrtarëve Zgjedhorë dhe Financierëve (IACREOT) mbledh së bashku qindra zyrtarë zgjedhorë nga shumë vende për zhvillim profesional dhe për të mësuar për teknikat dhe teknologjitë në fushën e zgjedhjeve./b.j/
- « Previous Page
- 1
- …
- 11
- 12
- 13
- 14
- 15
- …
- 22
- Next Page »