• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHËN VALENTINI DHE DASHURIA

February 14, 2019 by dgreca

Asllani 21

Nga Asllan BUSHATI/

Të paktën ka më shumë se tri mijë vjet që shkruhen e këndohen këngë  për dashurinë si ndjenja më e bukur njerëzore. Kjo shprehet qartë  në librat e hershëm dhe në këngët popullore (folkun)  e shumë popujve që i rezistuan  asimilimit e zhdukjes. Edhe në këngët tona popullore shqiptare , të herëshme e të ditëve të sotme , ndenja e dashurisë është mjaft e fortë  dhe gjurmlënëse. Mbi këtë bazë (traditë),  është mbështetur edhe kënga popullore qytetare, muzika e lehtë dhe shumë zhanre  të  tjera muzikore.

Kurse për Shën Valentinin si simbolizimi dhe mbrojtësi i dashurisë, të paktën  shkruhen e krijohen thënie, anekdoda, poezi, shkrime etj, këto  njëmijë e shtatëqind vitet e fundit. Në Shqipëri komuniste  të E. Hoxhës, ishte herezi ta përmendje emrin ”Shën Valentini”, por mund të pranohej me gjysëm zëri  vetëm “dita e të dashuruarve” duke parafytyruar vetëm një tufë me lule “mimoze” ose një kartolinë. As që mendohej për dreka, darka e aktivitete  muzikore  si sot, sepse partia shtet kishte futur e ligjësuar në jetën e shqiptarëve , datat e veta.

Unë nuk kam talentin as të shkrimtarit e as të poetit  dhe nuk zotroj mjetet e duhura të të shprehurit  artistik për të dhënë përcaktime  për Shën Valentinin  dhe dashurinë. Por duke qenë se sot është 14 shkurti, i shenjuar në kalendar si dita e të dashuruarve (Shën Valentini), si shumë njerëz të tjerë  në botën shqiptare  e më gjërë, po shpreh disa mendime nga përvoja ime dhe  nga c’kam lexuar e dëgjuar  për këtë temë.

Më përpara martesat (jo vetëm tek ne shqiptarët), kanë qenë objekt interesash dhe shumica nuk kanë patur asnjë lidhje me dashurinë. Kështu kanë vepruar mbretëritë, bajraqet, fiset, shtëpit etj, duke thënë :” kemi zënë një miqësi të mirë, derë fisnike, derë bujare, shtëpi pushke e trimërie, shtëpi e kamur etj etj.

Por dashuria në të vërtetë nuk është interes. Për të ka shumë përkufizime, thënie të qëlluar dhe zbërthime, të cilat vërtetojnë se ajo është ndjenja më e thellë dhe më e bukur  njerëzore  që të jep qetësinë e duhur shpirtërore dhe të motivon për të jetuar me të gjitha të mirat që na rrethojnë. Dashuria është plotësim i shpirtit të boshuar, në ankth ,në  pritje, në  ekstazë, në zemrim, në stres e  trysni,  madje edhe  në rutinën e përditëshme. Pa dashurinë s’do të kishte kuptimin e duhur vetë  jeta, sepse ajo kërkon më së pari të falësh dhe të marrësh dashuri, madje të kujdesesh se mos ajo venitet, dobësohet ose humbet. Humbja e dashurisë është errësirë e madhe dhe boshllëk shpirtëror.

Në gjykimin tim dashuria nuk është gjithnjë në  brendinë e një lidhjeje,( fejese, bashkjetese apo martese). Madje statistikat dhe studiuesit tregojnë se martesa në shumicën e rasteve është vrasëse e dashurisë. Por edhe si e tillë martesa (bashkjetesa), është domosdoshmëri se pa të cilën, ska  riprodhim  të jetës, ska familje si bazë e shoqërisë, ska vijimsi dhe në fund ska edhe dashuri.

Dashuria në një aspekt tjetër, cfaqet edhe si një lidhje  e fortë shpirtërore me prindërit, bashkëshorten, fëmijët, vllezërit , motrat, nipat, mbesat, kushërinjt, gjakun e gjininë, shokët, miqt, kolegët, dashamirët etj. Po ashtu cfaqet edhe për kombin si një forcë e brendëshme  shtytëse për mardhënie të forta e të qëndrueshme  politike, ekonomike, kulturore, etike, estetike, morale, ushtarake, shkencore, sportive etj.

Nuk ka gjë më të keqe për dikë, që nuk dhuron  e nuk pret dashuri. Shpirti i tij i boshtë, ka humbur cdo gjë, përfshi dhe shpresën që thonë se vdes e fundit.

GËZUAR  këtë Shën Valentinin dhe shumë e shumë të tjerë shoqëruar me  një oqean me dashuri.

Filed Under: ESSE Tagged With: asllan Bushati, Shen Valentini

Shën Valentini – tregti apo dashuri?

February 14, 2018 by dgreca

blerta-haxhiaj

Nga Blerta Haxhiaj /

Të quash tjetrin jo romantik është një vlerësim paska sipërfaqësor vetëm për faktin se tregon se dita e Shën Valentinit është e komercializuar, ky nuk mund të paragjykohet me parime deterministe. Si dita më kreative dhe fitimprurëse për bizneset e ndryshme – restorante, dyqanet e bizhuterive, pastiçeritë, vendet luksoze ofrojnë shumë shërbime për të kënaqur të dashuruarit jo të një ditë por edhe ata që dashurojnë dhe dinë të respektojnë të dashurit e tyre, paraqitet si një ditë aktive dhe dinamike. Më e pritshmja nga meshkujt është që ata të dërgojnë një kartolinë apo tashmë në epokën e internetit një kartolinë online, ndërkohë që femrat janë më të kujdesshme dhe kanë pritshmëri më të lartë sepse ato nuk kënaqën vetën më një kartolinë. Duke patur parasysh se Dita e Shën Valentinit është një krijim i epokës sentimentale viktoriane që në fillim të traditave është rrënjosur në një referencë të errët nga Chaucer, në ditën e shenjtorit të një martiri të hershëm, nuk kishte asnjë interes në dashuri apo romancë. Shfrytëzimi i madh i mundësive komerciale në diten e shën Valentinit tashmë edhe në shoqërinë tonë shkruhet dhe ekzistojnë dhjetra artikuj rreth asaj se çfarë të bëjnë, çfarë të blejmë, çfarë të hahet dhe si të sillet në këtë ditë. Gjithashtu, ipet fund seksualizimit modern që në kohët Viktoriane, u pa si një festë e dashurisë së pafajshme, shpesh duke i përfshirë edhe fëmijët. Si një ditë e kushtuar ndjenjave seksualiteti pushon së ekzsituari dhe ajo totalisht i kushtohet ndjenjës. Megjithatë, dita e shën Valentinit mbetet dita e preferuar e njerëzve për propozimin e martesës, deklaratave të dashurisë, planifikimeve afatgjata, por ka nga ata që këtë ditë e shikojnë si një virus duke e cilësuar si virusi i Shën Valentinit që është më i rrezikshëm se Aids, Ebola ose kolera, një virus që ishte gati për të sulmuar zemrat e rinisë. Rinia dhe njerëzit kanë domosdoshmëri për dashuri ndaj ajo mund të jetë një virus dëshiror. Autorë si Chaucer and Shakespeare e kanë popularizuar ditën e shën Valentinit me veprat e tyre dhe me kontributin e tyre për ta trasformuar atë në një festë që mos të harrohet ku gjithmonë duhet të dhurojmë diçka dhe të dalim në takim. Mirëpo më vonë kjo festë fillon dhe merr përmasa mishëruese konsumuese ku konsumimi shkëmbehet më të ardhmen e të dashuruarve ndaj aktiviteteve sofistikuese. Si një shoqëri konsumuese me një kulturë të thekshme nxitur nga ndikimi i reklamave dhe zhvillimet e saj në shtypjen dhe prodhimin masiv kontribuon në një efekt anësor të saj. Njerëzit me një kohë konsumuese dhe destruktive kanë nevojë për më shumë lojë shpirtërore dhe reduktim të kohës së punës gjatë festave që të paraqitet mundësia për mosbraktisjen e ndjenjës apo që ta gjejnë atë tjetërkund. Me raste kuptimi i festës merr formen e një objekti që shkembehet duke humbur mbulesen e artë të ndjenjës. Aparatet prodhuese të marketingut të kompanive të ndryshme kanë joshur shumë klientë për festimin e festave – shën Valentini – për të dashurit dhe me të dashurit e tyre ku edhe personat jofestues krijojnë marketingun e tyre anti shën Valentin. Funksioni i festës nuk duhet të anashkalohet apo të trajtohet ndryshe nga festat tjera apo se si njerëzit e kanë festuar atë që nga fillimi. Kjo e shndërruar si nje ritual bën pjesë në kulturë dhe ndihmon të inovacionin e ndjenjës dhe shprehjen e saj si ndjenjë. Simboli më i rëndësishëm i saj që është dhurata shërbën si mënyrë për paqe e respekt reciprok. Edhe pse e shndërruar si mjet i kapitalizmit por që qetëson partnerin, bashkëshortin apo njeriun e dashur dilni dhe festoni shën Valin.

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: – tregti apo dashuri?, Blerta Haxhiaj, Shen Valentini

SHËN VALENTINI NË VARGJE- RAIMONDA MOISIU DHE PERPARIM HYSI

February 13, 2015 by dgreca

Nata e Shën Shpirtit/
nga Raimonda MOISIU/
Mezi pres natën e Shën Valentinit,/
atë natë që ka aq orë, sa netët e shkurtit,/
por unë dëshiroj të mos mbarojë kurrë,/
duke harruar edhe lindjen e diellit!/
Atë,/
natën e Shën Valentinit,/
të vetmen natë në netët e mia,/
natën e Shën Shpirtit tim./
Unë dua të më mbërthejnë prangat e ledhatimeve,/
dhe përskuqja e puthjeve të nxehta,/
si trëndafilat e Shën Valentinit./
Mezi pres agoninë e puthjeve,/
të magjepsura nga nxehtësia e tyre,/
të shkrijnë acarin e shkurtit./

Mezi pres të marrësh peng përhumbjen e syve të mi,
ndriçimin e tyre të qeltë e të gjelbër,
si blerimi në pranverë,
t’i japë dritë errësirës.
Të zbukurojmë bardhësinë e çarçafëve,
me aromën e kurorës së shpërthimit
t’u japë frymë trëndafilave të ndezur,
në kopshtin tim.

Jashtë bien qeparisët e flokëve të borës,
si nostalgjia e syve të qelqtë,
atë pranverë të parë, teksa çelje lulet e përgjumura,
në livadhin e mermertë si bora.

Mezi pres të ngrohim me frymën e ofshamave,
qeparisët dhe
t’i tretim në shtratin e virgjër të dëshirave,
kur hëna zbret në dritare e na shikon.

Mezi pres strehën e hajthshme të duarve tua,
në mashtrimin e brishtë të trëndafilave të bardhë,
që lulëzojnë në zjarrminë dehëse,
nën hutimin e diellit të mëngjesit,
nën fëshfëritjen e gjetheve ledhatuese,
që unë i dua kaq shumë,
jo vetëm në një natë me Shën Valentin,
për Shën Shpirtin tim.

Raimonda MOISIU
HARTFORD CT USA

SHËN VALENTINI NË VARGJET E MIA

( cikël me poezi)

Nga Përparim Hysi

Mirëse erdhe SHËN VALENTIN!

As e dinim nëse kishte, ditë si kjo: e dashurisë!
E panjohur fare ishte ( si dhuratë erdh prej demokracisë).
E festuam ne së pari veç pas viteve nëntëdhjetë
Se i mprehtë qe “hanxhari”, një hanxhar made in Mesjetë!

S’ka ç’na duhet “brishtësia”, është e huaj dhe me “njolla”
Tek ne ndryshe dashuria (ndryshe të zinte kolla?)
Po ku kish Shën Valentin (shën partia dhe Enveri)
Ferrobeton dhe dashuria që armiqtë t’i zijë tmerri!!!

S’kam pse vazhdoj më tutje, brezi ynë qe i pafat
Qe një kohë e mbushur “turpe”;qe një kohë mbushur gjezapë
Dashuri veç për partinë dhe, patjetër, për Enverin
Dashuri për dashurinë?! Nëse kërkoje “sherrin”.

14 shkurt 1992

A të kujtohet?

A të kujtohet,e bukura si yll?
Qe 14 shkurt kur u futëm në pyll.
Paska qenë Shën Valentin kur hymë atje
Por hiç nuk e dinim( e morëm vesh,tash,se…

Se kjo “Ditë Dashurie” qe mbajtur e fshehtë
Se dhe dashuria do bërë me “recetë”
Shën Valentini “ish festë e burgjezisë”
Dhe në dashuri: me mësimet e partisë.

Ndryshe dashuria jonë, ndryshe burgjezia
Po ne qemë “etalon”,se na “bekonte” partia
Vij vetëm tek pylli,kot sa për nostalgji
Sot është SHën Valentini! pa shih: ç’dashuri!

Dalin me buqeta, dalin me dhurata
Ka ikur mesjeta, e keqe si nata
Zënë puthen çiltër; çlirojnë ngrohëtsi
Përzënë çdo dimër! Kumbojnë dashuri!

14 shkurt 1996

SHËN VALENTINI

Erdhi! Erdhi Shën Valentini! Çiftet zbresin dy nga dy
I shikon Përparimi! Ah. që s’jam dhe unë i ri!
Dorë për dorë janë kapur, njëri-tjetrit i shtien çikë
Unë, tani, jam flokëzbadhur, por zili i kam njëçikë.

Këngë e valle zënë e hedhin, edhe puthen hapur fare
Unë i shoh dhe më shtojnë shendin (si me ta po hedh “valle”)
Sado jam azmatik (mezi mbushem unë me frymë)
Entuziazmi seç më mpik: ta gëzojnë Shën Valentin!

14 shkurt 2000

Ah, kjo “Dita e dashurisë!”

Ah, kjo “Dita e dashurisë” të vë flatra, të vë krahë
I hip delli pleqërisë, si të rinjtë të bëjë sevda
Kur shoh çiftet që po puthen se kanë Shën Valentinin
Unë i shoh dhe pak krrusem (se ka “cipë” Përparimi???)

Pse s’ dëgjojnë Përparimi që i ka mbetur ora prapa
Por festojnë Shën Valentinin sikur “lozin hapa-dollapa!
Puthen hapur dy nga dy dhe s’e kanë fare për pesë
Dhe çlirojnë ngrohtësi, sikur kanë vënë krahë si shpezë.

Kohë e re, or tunjatjeta! Kohë e re dhe janë të lirë
Ja tek shkëmbjenë buqeta, unë i shoh dhe ndihem mirë
Kthehem prapa unënë kohë, kur Çeçua kish biçak
Dhe regëtij e po bëj oh! Se regjimi qe farmak.

14 shkurt 2010

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: - RAIMONDA MOISIU DHE, NË VARGJE, perparim Hysi, Shen Valentini

Shën Valentini në Opera

February 14, 2014 by dgreca

Nga Besi Londo/TIRANË.Shën Valentini ka sjellë në skenën e Universitetit të Arteve në Tiranë disa prej kryeveprave operistike të kompozitorëve me famë botërore të cilat kanë si libret historitë e dashurisë, të përjetësuara me personazhe të njohura si Violeta, Alfredo, Toska, Rozina,..

Koncerti simfonik “Shën Valentini në Opera”, nën dirigjimin e Lorenzo Turchi-Floris, i ofroi te premten ne mbremje publikut kryeqytetas pjesët më të famshme të autorëve klasik si, Rossini, Verdi, Puccini, Mozart, Lehar, etj. Koncerti u shoqërua nga baritoni Armando Lika, soprano Anila Gjermeni dhe tenori italian, David Sotgiu. Publiku duartrokiti ariet e operave te njohura si, “Berberi i Seviljes”, “Traviata”, “Toska”, “Turando”, etj.
Dirigjenti Lorenzo Turchi – Floris, i cili erdhi në Shqipëri për të drejtuar orkestrën e RTSH-së, në të njëjtën kohë është edhe pianist e kompozitor. Ai u formua së pari në Itali dhe pastaj në Rusi, ku perfeksionoi njohuritë e tij për piano në Rachmaninov Musical Institute.Nga viti 1998 Maestro Turchi – Floris është drejtor muzike i Choeur et Orchestre Symphonique du Mont-Blanc dhe nga viti 2008 drejton Musicfor International, përmes së cilit shumë aktivitete të tij muzikore ia kushton mbështetjes dhe zhvillimit të muzikës në vendet në zhvillim. Maestro ftohet rregullisht si solist dhe dirigjent nga orkestrat prestigjoze si: tilla Orchestre Symphonique du Mont-Blanc (Francë), i Musici Estensi (Itali), St Laurent KammerOrchester (Gjermani), Sarajevo National Orchestra (Bosnia Herzegovina).

I ftuar në këtë koncert ishte dhe tenori David Sotgiu i lindur në Perugia, ku edhe u diplomua në oboe pranë Konservatorit Francesco Morlacchi. Ai ka studiuar më pas kanto me Sesto Bruscantini, Renato Bruson, Raina Kavaibanska, Luciano Pavarotti dhe Mirella Freni. Në 2002 ishte ndër fituesit e sezonit të 56-të Konkursit të Komunitetit Evropian për të Rinjtë Këngëtarë Lirkë të Teatro Lirico Sperimentale Adriano Belli të Spoleto-s. Nga 2003 deri më sot ka performuar në shumë skena të teatrove evropiane. /k.sh/

 

Filed Under: Featured Tagged With: ne Operan e Akademise, se Arteve, Shen Valentini

SHEN VALENTINI: HISTORIA , DASHURIA, MARTIRET DHE KURIOZITETE

February 14, 2013 by dgreca

Rreth 110 milionë trëndafila të kuq dhe një miliard çokollata shiten dhe dërgohen gjatë tri ditëve para festimit të Shën Valentinit/

Shën Valentini është një shenjtor gjerësisht i njohur, që ka jetuar në shekullin e tretë në Romë, i cili përkujtohet në datën 14 shkurt. Ai është lidhur që nga mesjeta me simbolin e dashurisë së sinqertë. Asgjë nuk dihet me siguri për të, përveç faktit që quhej Shën Valentin dhe se vdiq më 14 shkurt në rrugën “Flaminia” në veri të Romës. Sot, Dita e Shën Valentinit është një ditë feste në komunitetin e besimit anglikan dhe në atë protestant. Kisha Ortodokse e feston ditën e priftit Shën Valentin më 6 korrik, ndërsa ditën e martirit Shën Valentin më 30 korrik. Dita e Shën Valentinit festohet në shumë vende të botës edhe pse është një ditë pune. Kjo ditë u lidh fillimisht me dashurinë nga vargjet e Xhefri Kaucer në mesjetë, kohë kur lulëzoi tradita e romancës. Simbolet e ditëve të sotme për Shën Valentinin janë zemrat, pëllumbat dhe engjëlli Kupid. Në shekullin e 19, dedikimet për Shën Valentinin jepeshin përmes kartolinave, të cilat u bënë shumë popullore.

Fakte historike

Shumë martirë të krishterë quheshin Valentin. Valentinët e martirizuar më 14 shkurt janë Valentini i Romës dhe Valentini i Ternit. I pari ishte një prift në Romë, i cili u martirizua në vitin 269 pas Krishtit dhe u varros në rrugën “Flaminia”. Në bazilikën “Santa Maria in Cosmedin” gjendet e ekspozuar kafka e Shën Valentinit së bashku me një kurorë me lule. Relike të tjera të tij gjenden në bazilikën “Santa Prassede” dhe në kishën “Carmelite” në Dublin të Irlandës. Valentini i Ternit u bë peshkop në Interamna (Terni i sotëm), në vitin 197 pas Krishtit dhe thuhet se është martirizuar gjatë persekutimeve të perandorit Aurelian. Ai është varrosur gjithashtu në rrugën “Flaminia”, por në një vend të ndryshëm nga ai i Valentinit të Romës. Reliket e tij gjenden në bazilikën “Saint Valentine” në Terni. Enciklopedia katolike përmend gjithashtu një shenjtor tjetër të quajtur Valentin, i cili përmendet në martirizimet e hershme të datës 14 shkurt. Ai u bë martir në Afrikë bashkë me disa të tjerë, por nuk dihen më shumë fakte rreth tij.

Legjenda e Shën Valentinit të Ternit. Peshkopi Dimitri i Institutit Ortodoks të Kërkimeve shprehet se Shën Valentini ishte një prift në Romën e viteve 270, një kohë kur kisha ishte duke pësuar persekutime të mëdha. Detyra e tij ishte të ndihmonte të krishterët t’i shpëtonin persekutimit dhe t’u siguronte atyre rite si martesat, të cilat ishin të ndaluara nga Perandoria Romake. Të dhënat mbi Shën Valentinin ka mundësi të jenë shkatërruar në fillim të shekullit IV nga persekutimi i fundit dhe më i rëndi i të krishterëve. Në shekullin V dhe VI u publikua një vepër e quajtur “Passio Marii et Marthae”. Në të pasqyroheshin histori të trilluara rreth martirizimit të Shën Valentinit dhe të shenjtorëve të tjerë. Kjo vepër deklaronte se Shën Valentini ishte persekutuar për shkak se ishte i krishterë dhe se ishte marrë në pyetje nga vetë Perandori Klaudi II. Ky i fundit ishte impresionuar nga Valentini dhe se kishte diskutuar gjatë me të, madje ishte përpjekur edhe ta bindte të kthehej në pagan, që në këtë mënyrë t’i shpëtonte jetën. Valentini kishte refuzuar dhe përkundrazi ishte përpjekur që ta kthente Klaudin në të krishterë dhe për këtë shkak ai ishte ekzekutuar. Përpara se të ekzekutohej, ai kishte shëruar vajzën e verbër të rojës së burgut Asterius. Që prej kësaj mrekullie, vajza dhe dyzetekatër anëtarët e familjes së saj, kishin filluar të besonin tek Jezusi dhe ishin pagëzuar. Veç kësaj, Shën Valentini shquhej edhe për martesat e paligjshme që u bënte ushtarëve, të cilët e kishin të ndaluar të martoheshin. Perandori Klaudi II e kishte ndaluar këtë, në mënyrë që të rriste ushtrinë e tij, duke i bërë të mendonin se burrat e martuar nuk ishin ushtarë të mirë. Sipas legjendës, në mënyrë që t’i kujtonte ata për dashurinë e Zotit dhe për t’i nxitur të mbeteshin të krishterë të devotshëm, Shën Valentini kishte prerë nga pergamenët zemra dhe ua kishte dhënë ushtarëve dhe të persekutuarve. Kjo e dhënë cilësohet si origjina e zemrave të përhapura aq shumë në ditën e Shën Valentinit. Një vepër e mëvonshme shtonte një detaj, sipas të cilit Papa Julius I ndërtoi një kishë mbi varrin e tij, por ky detaj ngatërrohet me një tribun të quajtur Valentino, i cili dhuroi tokë për të ndërtuar një kishë mbi të. Pavarësisht pavërtetësisë së këtij versioni, ai u huazua si i vërtetë dhe qarkulloi nëpër shekuj duke iu shtuar legjendës së Shën Valentinit. Në mbrëmjen para ekzekutimit, Valentini shkoi kartolinën e parë të Shën Valentinit për vajzën e rojës së burgut, e cila nuk ishte më e verbër. Shprehja “Nga Valentini yt” e përdorur në atë letër, është e njohur ende dhe sot. Historia u bë e njohur në ditët e sotme nga publikimi prej kompanisë më të madhe të kartolinave amerikane dhe nga kanali televiziv i historisë. Xhon Foks, një historian anglez, shprehet se Shën Valentini është varrosur në Kishën Praxedes, në Romë, pranë varrezës së Shën Hippolytus. Ky version thotë se, sipas legjendës, Xhulia mbolli një filiz rozë bajameje në varrin e Shën Valentinit. Në ditët e sotme pemët rozë të bajames janë simbol i dashurisë dhe miqësisë së vërtetë.

Ritet tradicionale romake, Lupercalia. Nuk ka prova që të lidhin Ditën e Shën Valentinit dhe festivalet tradicionale të Romës së lashtë, pavarësisht pretendimeve të disa autorëve. Burime bashkëkohore pretendojnë për një lidhje mes festave të shkurtit greko-romake, të cilat, sipas tyre, kremtonin pjellorinë dhe dashurinë. Nga ana tjetër, dita e Shën Valentinit nuk kishte ndonjë kuptim romantik derisa Xhefri Kaucer, një shkrimtar anglez, shkroi një poezi rreth Valentinit në shekullin 14. Lidhje të mëparshme përqendroheshin tek sakrifica, më tepër sesa tek dashuria dhe romanca. Në kalendarët e Athinës së lashtë, periudha e mesit të janarit dhe mesit të shkurtit ishte muaji i luanit, dedikuar martesës së shenjtë të Zeusit dhe Herës. Në Romën e lashtë, Lupercalia ishte një festival vendas, që kremtohej nga data 13-15 shkurt dhe ishte një rit i lashtë i lidhur me pjellorinë. Alban Butler në veprën e tij “Jeta e shenjtorëve kryesorë” pretendon pa asnjë provë se në festën Lupercalia, burrat dhe gratë për t’u bërë çift shkruanin emrat e tyre dhe i fusnin në një enë qelqi, nga ku e kanë origjinën edhe letrat e sotme të dashurisë. Në të vërtetë, kjo praktikë u has në mesjetë dhe nuk ka lidhje as me Lupercalian dhe as me ditën e Shën Valentinit.

Shën Valentini në poezi. Lidhja e parë e Shën Valentinit me dashurinë ishte poezia “Parlement of Foules”, e shkruar në vitin 1382 nga Xhefri Kaucer. Vargu që e bëri këtë ditë të njohur ishte:

“Për këtë ishte Dita e Shën Valentinit,

kur çdo zog fluturonte për të zgjedhur partnerin e tij…”.

Kjo poezi u shkrua për nder të përvjetorit të parë të martesës së Mbretit Rikardi II i Anglisë me Anën e Bohemisë. Kontrata martesore ishte firmosur më 2 maj 1381, por martesa e tyre u bë tetë muaj më vonë pasi ishin vetëm 15 vjeç. Lexuesit mendojnë se Kucer i referohej 14 shkurtit, Ditës së Shën Valentinit. Nga ana tjetër, polemikat vazhdojnë me faktin se mesi i shkurtit nuk është koha e përshtatshme për çiftëzimin e zogjve. Ndaj studiues të tjerë mendojnë se Kraus po i referohej 3 majit, ditës së Valentinit nga Xhenova, prift i cili vdiq rreth vitit 307. Xhek Orç hedh hipotezën se Kaucer mund të jetë duke iu referuar periudhës së 23 shkurtit me kalendarin gregorian, kohë në të cilën disa lloje zogjsh fillonin çiftëzimin në Angli. Janë edhe dy autorë të tjerë, të cilët krijuan poezi rreth zogjve që zgjidhnin partnerët e tyre Ditën e Shën Valentinit, Xhon Gouer nga Britania dhe një luftëtar i quajtur Pardo nga Valencia. Deri më sot, nuk dihet me siguri se cili e bëri lidhjen e parë të Shën Valentinit me dashurinë dhe romancën.

Shën Valentini në periudhën mesjetare dhe Rilindjen Angleze

Duke përdorur gjuhën e ligjit, Princesha Izabel e Bavarisë kishte ngritur një “gjykatë të dashurisë” në Parisin e viteve 1400. Festivali Bavarez i Shën Valentinit u themelua më 6 janar, në bazë të “Kartës së gjykatës së dashurisë”. Gjykata trajtonte kontrata dashurie, tradhti dhe dhunën kundër gruas. Gjyqtarët ishin të përzgjedhur nga femrat në bazë të leximit të një poezie. Nuk ka fakte të mjaftueshme historike për të vërtetuar këtë festival, ndaj shumë studiues mendojnë se ka mundësi të jetë një histori e trilluar nga princesha. Provat më të hershme të Shën Valentinit janë në shekullin XV me një poezi të shkruar nga Çarli, Duka e Orleansit për gruan e tij. Në atë kohë Duka po mbahej i mbyllur në Kullën e Londrës, i zënë rob në betejën e Agincourt, të vitit 1415. Një tjetër rast ku përmendet Valentini është në letrat e Margarit Breus për burrin e saj të ardhshëm Xhon Paston. Ajo i shkruan “Valentini im i dashur dhe i mirë”. Shën Valentini përmendet me trishtim edhe nga Ofelia në veprën “Hamleti” (1600-1601).

“Nesër është Dita e Shën Valentinit,

Shumë herët në mëngjes…

Do të vij në dritaren tënde të të lutem,

Të më bësh Valentinin tënd”.

— Uilliam Shekspir, Hamleti, Akti IV, Skena 5

Xhon Don përdori legjendën e martesës së zogjve, si hapje të fjalimit për nder të martesës së Elizabetës, vajzës së Xhejmsit I të Anglisë me Frederikun V në Ditën e Shën Valentinit. Poema moderne që përmend Shën Valentinin janë vargjet e Geimër Xhurton.

“Trëndafilat janë të kuq, vjollcat blu,

Mjalti është i ëmbël dhe ti gjithashtu.

Ti je e imja dashuri dhe unë i yti jam;

Kërkova Valentinin tim

Dhe fati më solli tek ti”.

Shën Valentini në periudhën moderne

Në 1797-n, një botues britanik nxori në treg librin “Manuali i Shën Valentinit për djemtë”. Në të kishte vargje romantike për djemtë, që s’mund t’i krijonin vetë ato. Botuesi vazhdoi më tej duke prodhuar kartolina të gatshme për Shën Valentinin. Në këtë mënyrë u bë e mundur dërgimi për herë të parë i kartolinave anonime, ku u shfaqën edhe vargje të lira, ndryshe nga epoka Viktoriane. Letrat e Shën Valentinit u bënë të famshme në Angli në fillim të shekullit XIX, kur filluan të prodhoheshin në fabrika. Letra në atë kohë mbështillej me shirita dhe dantellë.

Rizbulimi i Shën Valentinit u bë në vitin 1840 nga një shkrimtar amerikan i revistës së përmuajshme “Grahm”, ku përmendej se Shën Valentini ishte bërë një festë kombëtare. Në Shtetet e Bashkuara prodhimet e para masive të kartolinave të Shën Valentinit u bënë në vitin 1847, nga Ester Howland. Babai i saj drejtonte një librari të madhe, vajza e tij, e nxitur nga festa angleze e Shën Valentinit, mendoi që të bënte të njëjtën gjë edhe në Amerikë. Kështu nisi të merrte materialin e nevojshëm të letrës së përdorur dhe shiritat zbukurues. Që prej vitit 2001, Shoqata e Kartolinave ka vendosur të akordojë çmimin “Ester Howland” për personin që shquhet si vizionar në fushën e krijimit të kartolinave.

Ëmbëlsirat e Shën Valentinit

Në Britani është llogaritur se çdo vit, pothuajse gjysma e popullsisë shpenzon 1.3 miliard paund për Ditën e Shën Valentinit duke blerë kartolina, lule, çokollata apo dhurata të tjera. Numri i kartolinave të dërguara mendohet se arrin deri në 25 milionë. Në gjysmën e dytë të shekullit XX, praktika e dërgimit të kartolinave ndryshoi rrënjësisht mënyrën e të bërit dhurata. Nisën të dhuroheshin trëndafila dhe çokollata të paketuara në kuti në formë zemre. Në vitin 1980, industria e diamanteve filloi të reklamonte Shën Valentinin si ditën e duhur për të dhuruar stoli të çmuara. Në ShBA u vlerësua se rreth 190 milionë kartolina dërgoheshin çdo vit. Gjysma e tyre u dhurohej pjesëtarëve të familjes, duke përfshirë edhe dërgimin e kartolinave shokëve dhe shoqeve të shkollës apo edhe mësueseve, të cilat llogariten të jenë personat që marrin më shumë urime, duke e çuar kështu numrin e kartolinave të dhuruara deri në 1 miliard.

Me fillimin e mijëvjeçarit të ri dhe me përhapjen e jashtëzakonshme të internetit, po krijohen tradita të reja. Miliona njerëz tashmë përdorin mjetet dixhitale si kartolinat elektronike, ftesat e dashurisë apo kartolinat e printueshme. Në vitin 2010, është vlerësuar se janë dërguar rreth 15 milionë kartolina elektronike.

Shën Valentini nëpër botë.

Në Europë, Shën Valentini festohet duke dërguar kartolina, lule, çokollata dhe dhurata të tjera. Në Danimarkë dhe Norvegji, Shën Valentini nuk festohet me përmasa të mëdha, por ka nga ata që e festojnë thjesht duke ngrënë një darkë me partnerin e tyre. Në Suedi, Shën Valentini quhet “Dita e Zemrave” dhe ka filluar në vitin 1960 e nxitur nga kompanitë e luleve. Nuk është një festë zyrtare, por njihet për shitjet e mëdha të kozmetikës dhe luleve. Në Finlandë dhe Estoni, Dita e Shën Valentinit quhet “Dita e miqve” dhe festohet më tepër në aspektin miqësor dhe jo në atë të romancës. Në Amerikën Latine, Shën Valentini njihet si “Dita e dashurisë dhe miqësisë” dhe festohet duke shprehur mirënjohje te personat e dashur.

Në Korenë Jugore dhe Japoni, femrat i dhurojnë çokollata meshkujve më 14 shkurt dhe meshkujt u dhurojnë atyre ëmbëlsira pa çokollatë më 14 mars, një ditë feste e quajtur “Dita e Bardhë”. Në “Ditën e Zezë”, e cila festohet më 15 prill, personat që nuk kanë marrë asnjë dhuratë, festojnë ditën e beqarëve, duke ngrënë një pjatë me makarona të zeza. Në Kinë, burrat u dhurojnë çokollata dhe lule grave që dashurojnë. Dita e Shën Valentinit nuk festohet më 14 shkurt, pasi është shumë pranë Vitit të Ri Kinez. Shën Valentini në Kinë festohet ditën e shtatë të muajit të shtatë, në festivalin “Qixi”. Sipas legjendës, në këtë ditë u lejua një bari të martohej me një shërbëtore. Në Indinë e lashtë, kjo festë bëhej në përmbajtje të një tradite të vjetër të adhurimit të perëndisë së dashurisë Kamadeva, duke gdhendur monumente me skena dashurie apo duke shkruar librin e famshëm të artit të dashurisë “Kamasutra”. Në ditët e sotme, besimi islamik dhe ai hindu propagandon të shmangen festa të tilla si Shën Valentini, pasi cilësohen si tradita të huaja që ndikojnë në humbjen e kulturës vendase. Në Iran, ekziston një festival dashurie i quajtur “Esfandegan”, i cili vjen si traditë e kulturës perse dhe që duket se nuk ka të bëjë me Shën Valentinin e sotëm. Në Izrael, tradita e lashtë e Tu B’Av është kthyer në ekuivalentin e Shën Valentinit. Festohet në ditën e 15 të muajit gusht. Mesa duket, në vendin çifut ka lindur një festë e re e ngjashme me Shën Valentinin, ku festohet dashuria dhe propozohet për martesë. Në Arabinë Saudite, në vitin 2011, u ndaluan shitjet e dhuratave të Shën Valentinit, duke e cilësuar atë si një festë kristiane. E njëjta gjë ndodh edhe me Pakistanin, Iranin dhe Malajzinë, ku komuniteti mysliman e nxit shoqërinë të mos e pranojë dhe festojë Shën Valentinin, sepse sipas tyre është e papërshtatshme për myslimanët.

Kuriozitete

Femrat blejnë rreth 85 për qind të dhuratave për Shën Valentin.

Mësuesit marrin më shumë kartolina për Shën Valentinin, ndjekur nga fëmijët, nënat, gratë, të dashurat dhe kafshët.

Dhurata më e bukur e Shën Valentinit është Taxh Mahali, e ndërtuar prej perandorit mysliman Shah Xhahan, për nder të gruas së tij të vdekur.

Çdo Shën Valentin, në Verona të Italisë, në ballkonin e Zhulietës dërgohen një mijë letra dashurie.

220.000 mijë propozime për martesë bëhen zakonisht çdo Shën Valentin.

Në Amerikë, 64 për qind e meshkujve nuk bëjnë plane për Shën Valentin me të dashurat e tyre jashtë martesës.

Rreth 110 milionë trëndafila të kuq dhe një miliard çokollata shiten dhe dërgohen gjatë tri ditëve para festimit të Shën Valentinit.(Kortezi Shqip)

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Histori dhe kuriozitete, Shen Valentini

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT