Presidentja në detyrë e Kosovës Vjosa Osmani akordon urdhrin “Shotë Galica” për 8 gra/
-Urdhri “Shotë Galica” u ndahet personave, të cilët kanë avokuar, kanë bërë vepra trimërie apo akte guximi për barazinë gjinore/
PRISHTINË, 8 Mars 2021- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ U.d. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ka dekoruar me urdhrin “Shotë Galica”, tetë gra, të cilat me aktivitetin e tyre kanë dhënë kontribut në avokimin dhe avancimin e barazisë gjinore si dhe në kauzën e përpjekjet për drejtësi.
Sipas u.d. Presidentes Osmani, secila nga këto gra e organizata, shquhen për guximin në kërkim të të drejtës së tyre, mbrojtjes së integritetit dhe të të vërtetës. Ajo ka thënë se vetëm duke pasur gra të guximshme e barazi gjinore, shoqëritë si kjo e jona mund të avancohen. Ajo ka theksuar se këto gra dhe shoqata përbëjnë modelin e aktivisteve që fatin e tyre personal e kanë shndërruar në kauzë për të mirën e përgjithshme, duke u përpjekur për të ngadhënjyer e vërteta dhe duke u bërë prijetare në avancimin e barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut në përgjithësi.
Urdhri “Shotë Galica” u ndahet personave, të cilët kanë avokuar, kanë bërë vepra trimërie apo akte guximi për barazinë gjinore.
Të dekoruarat janë:
Vasfije Krasniqi – një heroinë e vërtetë e ditëve tona. Gruaja e cila dhimbjen e shndërroi në guxim dhe shembull se si mund dhe duhet të sfidohen stereotipet e paragjykimet shoqërore. Gruaja e cila foli publikisht për tmerrin e përjetuar gjatë luftës së fundit dhe dhunimin seksual nga forcat serbe dhe meritorja për trasimin e rrugës për të gjitha gratë e mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Për guximin e treguar në luftën e saj për drejtësi, znj. Vasfije Krasniqi dekorohet me urdhrin presidencial “Shotë Galica”.
Shyhrete Tahiri – Sylejmani – gruaja që ndoqi hap pas hapi rrugën deri në sjelljen e drejtësisë për padrejtësinë që i është bërë asaj dhe shumë grave e vajzave të Kosovës. E mbijetuar e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë, Shyhrete Tahiri – Sylejmani dekorohet për guximin e saj që publikisht të kërkojë dënimin e përdhunuesve. Znj. Shyhrete Tahiri- Sylejmani dekorohet me urdhrin presidencial “Shotë Galica” për ngritjen e zërit të saj që ndihmoi të fuqizohet zëri i shumë vajzave e grave të tjera anë e mbanë vendit tonë.
Shehrije Balaj – gruaja e parë që dëshmoi në Beograd kundër forcave serbe që e përdhunuan atë gjatë luftës në Kosovës. Ndonëse vdiq në vitin 2018, ajo mbetet heroinë e ditëve të sotme. Për guximin e saj, znj. Shehrije Bala dekorohet me urdhrin presidencial “Shotë Galica”.
Marte Tunaj – është ndër gratë e para në Kosovë që ka dëshmuar për dhunimin e kryer gjatë kohës së luftës nga forcat serbe. Në momentet më të vështira të luftës së UÇK-së, ajo iu përgjigj organizmit të tij dhe dha kontribut të jashtëzakonshëm. Ajo nuk jeton më, por vepra e saj është e pavdekshme. Për shembullin e dhënë dhe guximin, znj. Marte Tunaj dekorohet me urdhrin presidencial “Shotë Galica”.
Shoqata “Thirrjet e nënave” – Shoqate e cila për vite tashmë merret me procesin e zbardhjes se fatit te personave të pagjetur e të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Thirrja e nënave mbetet thirrja më e kumbueshme në vendin tonë për drejtësi. E nënat e Gjakovës nuk u dorëzuan kurrë dhe nuk do të dorëzohen derisa drejtësia të vje në vend. Për qëndresën, vendosmërinë e punën e palodhshme ndër vite, shoqata “Thirrjet e Nënave”, dekorohet me urdhrin “Shotë Galica”.
Shpresa Loshaj – një pishtare e vërtetë, një guximtare e pashoq, një luftëtare për gjithpërfshirje e aktivizëm në përpjekjet për mbrojtjen e lumenjve të Kosovës. Për punën e saj të palodhshme, për mosluhatjen në qëndrimet e saja, si dhe për guximin për të sfiduar padrejtësitë, si dhe për guximin e treguar në mbrojtjen e pasurive natyrore të Kosovës, znj. Shpresa Loshaj dekorohet sot me urdhrin “Shotë Galica”.
Arjeta Musliu – gruaja që vendosi që dhembjen e saj ta kthejë në forcë, duke hapur kështu qendrën këshilluese ‘Ri-Jeta’, që tu dal në ndihmë të gjithë të rinjve që përballen me përdorimin e substancave narkotike. Arjeta është shembull se si sfidat e jetës shndërrohen në motiv për të ndihmuar të tjerët në nevojë, dhe si dhimbja vet mund të na ndihmojë të lehtësojmë dhimbjen e të tjerëve. Për përkrahjen e qindra familjeve, prindërve e në veçanti nënave, znj. Arjeta Musliu dekorohet sot me urdhrin “Shotë Galica”.
Fahrije Hoti – Ajo është themeluesja e ndërmarrjes “Krusha”, në të cilën janë të punësuara pesëdhjetë gra, shumica e të cilave kanë mbetur të veja nga lufta e fundit në Kosovë. Themelimi i shoqatës “Gratë e veja” në vitin 2003 për përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur ishte hapi i parë. Dy vite më vonë, Fahrija filloi një iniciativë vetjake për konservimin e ushqimeve dimërore. Kjo iniciativë në vitin 2010 u shndërrua në ndërmarrjen e njohur “Krusha”. Znj. Fahrije Hoti dekorohet me urdhrin presidencial “Shotë Galica” si gruaja që nuk u ndal kurrë së besuari dhe së guxuari përkundër të gjitha paragjykimeve.