• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHPËTIM IDRIZI TRADHTOI ÇAMËT

April 6, 2015 by dgreca

Shkruan: Rasim Bebo-Addison Chikago/
Çamët kanë kritika të forta për kreun e partisë së tyre, Shpëtim Idrizi. Gjatë një mbledhje të Senatit Çam në Durrës, janë kërkuar zgjedhje për strukturat e PDIU-së, ndërsa në adresë të kreut të partisë janë hedhur shumë akuza, për mënyrën e keqe të drejtimit dhe vonesën në dorëzimin e Rezolutës Çame në Kuvend. Gjithashtu, çamët akuzojnë kryetarin e PDIU, Shpëtim Idrizi, se ka mashtruar në lidhje me punësimin e një studioje ligjore, që do të trajtojë çështjen çame në nivel ndërkombëtar në Britani dhe nga një senator në kongresin
Amerikan.
Përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje, sulmojnë kryetarin e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, se deri tani nuk ka bëre asgjë për këtë komunitet dhe shprehin shqetësimin se “përfaqësuesit çam në politikë, shitën detin me votat tona. “Shpëtim Idrizi shiti çështjen çame, u mor vetëm me targa e patenta dhe bëri PDIU-në si doganat.
Rezoluta Çame në Kuvend është tepër e vonuar”, thanë përfaqësuesit e komunitetit çam. Teksti i Rezolutës nuk është botuar akoma në “Fletoren Zyrtare. Pra, me këtë zvarritje të rezolutës, vazhdon talljen Shpëtim Idrizi. Aleanca Kuq e Zi i fton çamët të votojnë për këtë parti, duke e cilësuar pa parime koalicionin e PDIU-së me Ramën.
Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, firmosi pak ditë më parë marrëveshjen me kryeministrin Rama për përfshirje në qeveri, si dhe për zgjedhjet e 21 qershorit. Kjo ulje ne kolltukë të përbashkët me partinë e grekut Vangjel Dule, është një tradhti e hapur ndaj çështjes Çame.
Edhe Kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, e ka cilësuar koalicionin, pa parime dhe tradhti ndaj komunitetit çam. vendimin e PDIU-së për të hyrë në koalicion me Ramën. Në një deklarim për mediat, AK e ka cilësuar paradoks marrëveshjen e PDIU-së me PBDNJ, drejtuar nga Vangjel Dule.
Poshtërsia e Shpëtim Idrizit, ka arritur kulmin, kur kërkon kandidimin e Fatos Nanos për president, këtij, “mohuesi të kombit, këtij tradhtari të kombit, që më 2004 urdhëroi largimin e deputetëve socialit nga parlamenti, të mos votonin “Rezolutën Çame”. Shpëtim Idrizi, pjellë bastarde e Fatos Nanos, po bëhet një armik i Shqipërisë, më i keq se vetë greku, (shën im). Tani Shpëtim Idrizi bashkohet me Dulen, se tani është koha të propozohet Nano si president. Shpëtim Idrizi ka deklaruar konkretisht: “Në diskutimin tim kërkova që kandidat për President të jetë Fatos Nano, një figurë e spikatur, që ka marrë dakordësi dhe ka axhendë në BE … Do preferonim që si kandidat sa më konsensual i PS, të kandidoje liderin e saj historik”. (nga gazeta “DITA”)
Ja çfarë ka ndodhur këto ditë me komunitetin çam, me pasojat që kanë sjellë veprimet nervoze të kreut të PDIU-së Idrizi: “Të ashtuquajturit përfaqësuesit tanë, na premtuan Çamërinë, na thanë që do të shkonim së shpejti në Çamëri, madje u caktua edhe 27 Qershori i vitit të kaluar, që do të mblidheshim në Gumenicë, na premtuan që të moshuarit tanë s’do t’i ndalonte më njëri në kufi, madje na thanë, që të gjithë së bashku të organizuar me autobusë, do t’i çonin ata drejt e në Çamëri. Premtuan që këtë Vit të Ri do të ishte gati Memoriali i Varrezave të Kllogjërit dhe shtëpia e Hasan Tahsinit, e shumë fjalë e premtime të tjera si këto, veçse për konsum publik. Premtuan që progresi drejt Çamërisë do të ishte i pakthyeshëm dhe do të ishte i prekshëm për të gjithë.”
Plot 100 milionë lekë të reja, ose e thënë ndryshe, 1 milion dollarë fitoi më 13 Shtator një kompani e quajtur “Blumar” për ndërtimin e varrezave monumentale të çamëve në fshatin Kllogjer të Sarandës. Një investim i majmë, por i duhur, për komunën “Markat” e cila drejtohet nga PDIU. Por, sikurse zbuloi dhe vizita e zotit Idrizi, punimet për këto varreza kishin degraduar në një “punë rutinë” madje ende të papërfunduar edhe pse zoti Idrizi shkoi gjithë pompozitet dhe me “gërshërë në dorë” dy ditë më parë.” Gazeta “DITA” “I rikthehet sot çështjes së këtyre varrezave, pasi sikundër referojnë një sërë dokumentesh zyrtare, rezulton se zoti Idrizi dhe lidershipi i PDIU-së, ndonëse rrahin fort çështjen çame, por demagogjia kësaj here ka kaluar caqet e lakmisë së të gjallëve, lakmia është shtrirë edhe në territorin e të vdekurve, dhe martirëve të vdekur çame.”
Në 30 qershor 2012 në Qafë-Botë, të Kllogjërit, u zhvillua ceremonia e fillimit të ndërtimeve të varrezave të 2960 viktimave të Çamërisë. Në përurim të punimeve për ndërtimin e varrezave, përfaqësues të PDIU-së, Shpëtim Idrizi, Dashamir Tahiri dhe kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti mbollën një rrënjë ulliri, si guri i parë i themelimit të Çështjes Çame”. Këto varreza, ka thënë atëherë Idrizi, janë detyrimi moral për paraardhësit, prandaj ai i quajti këto varreza, “pikë kthese për Çështjen Çame”. Por siç dëshmon kjo foto e shpërndarë online nga të rinj të komunitetit çam, ajo rrënjë ulliri, e mbjellë për të përkujtuar gjenocidin grek ndaj popullsisë çame, është tharë. “Nga thatësira e harresës, e shpërfilljes, dhe fidani i ullirit të tharë është një gur varri i…pa varr!” – shkruajnë të rinjtë e Lëvizjes Çame dhe shtojnë: “67 vjet më parë, në tokën e tyre, Çamëri, u vranë rreth 3000 vetë, kryesisht gra, pleq e fëmijë, ndërsa rreth 2960 të tjerë vdiqën në kufirin e Çamërisë me Shqipërinë, në Kllogjër. Çfarë ka penguar deri më sot, që të vazhdohen punimet për ndërtimin e varrezave të viktimave të gjenocidit grek?… Dhe ku? Në tokën tonë. Ndërkohë, kur grekët, për të respektuar të vrarët e tyre, po bëjnë gjithçka në tokën tonë, zhvarrosin të parët tanë në Boboshticë e Kosinë dhe me kockat e tyre po rindërtojnë varreza të ushtarëve të tyre? Tharja e ullirit simbolik vetëm 6 muaj pas mbjelljes nga thatësira e harresës dhe e shpërfilljes, është plagë e rëndë e turpit që bie mbi udhëheqësit e PDIU-së”.
Senati Çam, një organizatë ombrellë, që grumbullon të gjithë komunitetin çam, është mbledhur më pas në Durrës, për të diskutuar situatën e krijuar në Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Ky senat vendosi: Mandatimin e “Lëvizjes Çame” për marrjen e të gjithave masave për përfaqësimin politik të komuniteti Çam në zgjedhjet e 23 Qershorit. Koordinimin e të gjithë aktorëve politik brenda komunitetit Çam, me një qëllim të vetëm: për tu përfaqësuar të bashkuar në zgjedhjet e ardhshme elektorale. Senati Çam është i bindur se mungesa e deritanishme e koordinimit mes përfaqësuesve të tij politik, ka rezultuar si hapa prapa në rrugën e zgjidhjes të çështjes çame. Me besimin se Lëvizja Çame ka pjekurin, energjinë dhe patriotizmin, për përfaqësimin dinjitoz të komunitetit çam dhe i kërkohet që në mënyrë të menjëhershme të angazhohet në plotësimin e detyrave të ngarkuara nga Senati.
Por tërhiqet Idrizi, dështon përballja televizive Dojaka-Idrizi që duhej të transmetohej në Ora News. Të premten në darkë, një panel gazetarësh dhe Pëllumb Xhufi, Artur Dojaka dhe Tahir Muhedini kanë diskutuar mbi çështjen çame dhe hapat politikë të pamjaftueshëm që po ndërmerren në këtë drejtim. Gjatë debatit televiziv ka pasur një kërkesë për përballje mes kreut të PDIU-së Idrizi dhe kreut të Lëvizjes Çame të mandatuar nga komuniteti për përfaqësim politik në 23 Qershor, Artur Dojaka. Ora News, pranë stafit të emisionit të Tares kanë konfirmuar për gazetën “DITA” se Idrizi është tërhequr nga përballja televizive.
Sipas Senatit Çam në Durrës , çështja e rezolutës çame është e vonuar. Ndërkohë ata akuzojnë kryetarin e PDIU, Shpëtim Idrizi se ka mashtruar në lidhje me punësimin e një studioje ligjore që do të trajtojë çështjen çame në nivel ndërkombëtar. Senati kërkon që brenda PDIU të ketë zgjedhje të reja për strukturat, duke akuzuar se kryetari Idrizi ka e ka shitur çështjen çame. Sipas tyre, Idrizi e ka kthyer PDIU-në si doganat dhe po merret vetëm me targa e patenta.
Kandidati çam për Fierin në takimin e Fierit, është shpallur kandidati për deputet i çamëve në këtë qark, që do përfaqësojë Lëvizjen Çame në zgjedhjet e ardhshme. Quhet Nimet Musaj. “Ju kujtohet studioja ligjore e huaj që do mbronte çështjen çame? Ku është tani? Shpëtim Idrizi e di, por edhe ne e dimë të vërtetën. Është mirë që ai ta sqarojë se përse keqpërdori emocionet e komunitetit çam për një çështje kaq të ndjeshme! – akuzuan të pranishmit në takimin e Fierit”. “Fokusim në 5 qarqet ku ka përqendrim të komunitetit çam dhe të hapur për koalicionet para dhe pas zgjedhore” – janë synimet politike të Lëvizjes Çame për 23 Qershorin. Deklaratat e para politike erdhën pasi Senati Çam e mandatoi Lëvizjen Çame të përfaqësonte politikisht komunitetin në 23 qershor.
“Duke pasur parasysh situatën e vështirë, konfuze dhe të përçarë në të cilën gjendet Komunitetin Çam aktualisht, duke pasur parasysh mungesën e rezultateve të prekshme nga përfaqësimi i deritanishëm politik, si mosparaqitja e Rezolutës për Çamërinë në kohën e duhur dhe vonesa e aprovimit të saj, dështimi i përpjekjeve të deritanishme për të filluar ndjekjen juridike ndërkombëtare të Çështjes Çame, mbetjen në minorancë dhe pas dore të komunitetit Çam në administratën shtetërore, mungesa e strukturave të mirëfillta politike, duke vërejtur me dhimbje mungesën fizike dhe shpirtërore të Shoqatës Çamëria, aktiviteteve dhe strukturave të saj: Senati Çam sot vendosi: Mandatimin e Lëvizjes Çame për marrjen e të gjithave masave për përfaqësimin politik të komuniteti Çam në zgjedhjet e 23 Qershorit. Koordinimin e të gjithë aktorëve politik brenda komunitetit Çam me një qëllim të vetëm: për tu përfaqësuar të bashkuar në zgjedhjet e ardhshme elektorale – thuhet në deklaratën e Senatit… Presim, duke ju uruar sukse dhe dalçi me faqe të bardhë për ÇAMËRINË ZONJË!

Rasim Bebo Addison Chikago prill 2015

Filed Under: Opinion Tagged With: rasim bebo, Shpetim Idrizi, TRADHTOI ÇAMËT

ÇAMERIA ESHTE SHQIPTARE

October 2, 2014 by dgreca

Asnjë komision nuk mund të ndryshojë historinë mijëravjeçare të kombit…
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar lidhur me debatin e ngritur nga pala greke për tekstet shkollore, duke e quajtur atë “artificial” dhe si problem të vetë Greqisë, e cila ka probleme të stabilitetit të brendshëm.
Në një reagim zyrtar, PDIU deklaron se historia mijëravjeçare e kombit shqiptar nuk mund të ndryshohet dhe se qeveria nuk mund të marrë në konsideratë pretendimet e palës greke.
“Nuk ka asnjë komision që mund të ndryshojë historinë mijëravjeçare të kombit tonë, pjesë e pandashme e së cilës është Çamëria, Kosova e çdo trevë tjetër kombëtare. Ne jemi të sigurtë se qeveria shqiptare nuk mund të marrë në konsideratë pretendime të tilla absurde të palës greke”, thuhet në deklaratë.
Megjithatë, në deklaratë theksohet se, në rast të ngritjes së një komisioni të përbashkët, PDIU dhe Shoqata “Çamëria” do të ushtrojnë trysni që debati të përqendrohet në nevojën e shkrimit të historisë së Çamërisë, edhe në tekstet shkollore greke, si një realitet i pamohueshëm historik.
Ndërsa heqja e emërtimeve të trojeve shqiptare në Greqi, sidomos i emërtimit Çamëri, nga pasaportat, dokumente shtetërore dhe tekstet historike konsiderohet e papranueshme. PDIU shprehet e vendosur që një përpjekje e tillë do të gjejë kundërshtinë e çdo shqiptari.
Reagimi vjen pasi deputetët e parlamentit grek kërkuan një interpelancë me ministrin e Arsimit, Andreas Loverdos, në lidhje me disa referime në tekstet shkollore shqiptare, për të cilat ata thonë se janë “propagandë antigreke, me anë të së cilës qeveria “Rama” synon pakicat e minoritetit grek në Shqipëri”.
Bëhet fjalë për librat shkollorë të gjeografisë për klasën e 9-të dhe klasën e 12-të, për të cilat deputetët grekë theksojnë se ka ende referime irredentiste për treva shqiptare brenda territorit grek.

Reagimi i plotë zyrtar i PDIU-së
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet reagon mbi stisjen e një debati artificial për çështjen e teksteve shkollore. Nuk ka asnjë komision që mund të ndryshojë historinë mijëravjeçare të kombit tonë, pjesë e pandashme e së cilës është Çamëria, Kosova e çdo trevë tjetër kombëtare. Ne jemi të sigurt se qeveria shqiptare nuk mund të marrë në konsideratë pretendime të tilla absurde të palës greke. Nëse të dyja palët do të ngrenë komision të përbashkët, PDIU dhe Shoqata “Çamëria” do të ushtrojë trysninë e nevojshme që debati të përqendrohet në nevojën e shkrimit të historisë së Çamërisë edhe në tekstet shkollore greke, si një e vërtetë dhe realitet i pamohueshëm historik.
Stuhia në gotë është produkt i tentativës greke për të zhvendosur vëmendjen e popullit tek armiku i jashtëm, në këtë rast shqiptarët dhe Shqipëria. Kjo, pasi Greqia ka probleme të stabilitetit të qeverisë sepse ditën e hënë votohet për votëbesimin e qeverisë, ndërkohë që në krye të vitit të ardhshëm duhet të zgjidhet presidenti me shumicë të cilësuar, që qeveria greke nuk e ka. Deputetët grekë harrojnë se jemi bashkë në NATO.
Filati, Paramithia, Gumenica, Margëlliçi, Parga, Preveza dhe akoma edhe Janina, edhe pse sot janë pjesë e shtetit grek, përbëjnë një pasuri historike, kulturore dhe aktuale të shqiptarëve në rajon. Heqja e këtyre emërtimeve, apo akoma më shumë i emërtimit Çamëri, nga pasaportat, apo aq më keq dokumente shtetërore, tekste historike etj., është e papranueshme dhe do të gjejë përballë kundërshtinë e çdo shqiptari, që ndjen në dejet e tij përkatësinë në kombin tonë të përbashkët. Çamëria, e njohur me këtë emërtim, nga dokumentet zyrtare greke së paku deri në vitin 1937, është banuar, banohet dhe do të banohet nga një shumicë shqiptare dhe këtë fakt historik dhe aktual nuk ka të drejtë askush ta mohojë apo ta fshehë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Cameria, ESHTE SHQIPTARE, PDIU, Shpetim Idrizi

FTESË PËR REFLEKTIM NDAJ TRAGJEDISË CAME

June 26, 2014 by dgreca

– Dihet botërisht se nga 100 udhëheqësit e luftës së pavarësisë greke, 90 prej ishin shqiptarë, arvanitas dhe çamë…Dua t’ju ftoj të reflektoni për atë se pse populli themelues i pavarësisë së kombit grek u shndërrua në popull armik për t’u përzënë nga toka e vet në mënyrë të përgjakshme ,si ndodhi në mënyrë përfundimtare 70 vjet më parë.
Dua të kuptojmë më mirë të gjithë bashkë pse kombi shqiptar humbi një bastion të ekzistencës së vet në trojet etnike.Kjo ftesë për reflektim nuk është ftesë për vajtim kolektiv. Është ftesë për të kuptuar më shumë rreth kësaj tragjedie dhe drejtesise qe ajo meriton.
NGA SHPËTIM IDRIZI
“Shumë kurajozë Kryetar Pronjo dhe Çapari dhe gjithë çamëve, ju përshëndes! Unë dhe atdheu ju falenderojmë. Dhe tani duke u bashkuar me ne për liri, konsideroheni si vëllezërit tanë- këto janë fjalët me të cilat udhëheqësi i revolucionit grek, Dh.Ipsilanti, u drejtohej figurave më të spikatura të Çamërisë gjatë Revolucionit grek.
Dihet botërisht se nga 100 udhëheqësit e luftës së pavarësisë greke, 90 prej ishin shqiptarë, arvanitas dhe çamë. Çfarë ka ndodhur që këto fjalë të Ipsilantit u shkelën me këmbë, u thye besa, dhe 70 vjet më parë, në margjinat e Konfliktit më të madh botëror të kohës, u konsumua një tragjedi me përmasa fatale për komunitetin çam të Greqisë?
Afro 2700 vetë u vranë në mënyrë makabre, afro 3000 të tjerë vdiqën nga uria, vapa dhe sëmundjet në tokën tonë. 50 mije të tjerë u përzunë. U shkul nga rrënjët, por vetëm fizikisht një pjesë e komunitetit shqiptar të Greqisë, pjesa myslimane e tij.
***
Sot kam dalë para jush, jo thjesht për një ritual të përvitshëm që në 2014, 70 vjet më vonë tingëllon më fort. Një ritual që e përsëris që nga koha kur jam bërë pjesë e këtij parlamenti, qoftë brenda PS-së, qoftë në krye të PDIU.
Jo, dua t’ju ftoj të reflektoni për atë se pse populli themelues i pavarësisë së kombit grek u shndërrua në popull armik për t’u përzënë nga toka e vet në mënyrë të përgjakshme ,si ndodhi në mënyrë përfundimtare 70 vjet më parë.
Dua të kuptojmë më mirë të gjithë bashkë pse kombi shqiptar humbi një bastion të ekzistencës së vet në trojet etnike.Kjo ftesë për reflektim nuk është ftesë për vajtim kolektiv. Është ftesë për të kuptuar më shumë rreth kësaj tragjedie dhe drejtesise qe ajo meriton. Vetëm pasi të keni kuptuar më shumë, atëherë do të jemi të zotë të gjejmë zgjidhje për të vënë në vend këtë padrejtësi historike.
Kjo gjë mund të bëhet në përputhje jo thjesht , mbi një bazë legale të cilën e ka miratuar ky Kuvend i nderuar, por mbi bazën e të gjithë dokumentave të së drejtës ndërkombëtare për minoritetet, për krimet e luftës, për të drejtat universale të pronës, të shtetësisë, etj.

Të dashur kolegë deputetë,
të dashur qytetarë të komunitetit çam dhe të gjithë Shqipërisë, që na ndiqni nga ekrani; Kur e nisa këtë fjalim 70 vjet pas tragjedisë së komunitetit tonë, ju referova një thënie të një heroi të pavarësisë greke, i cili ishte njeri nga ata të dhjetë që nuk ishin shqiptarë me gjak dhe me gjuhë.
Dua t’ju them disa prej refleksioneve të mia rreth asaj tragjedie të ndërtuar mbi pabesi, mbi urrejtje, mbi mungesë ndjenjash njerëzore, mbi mentalitet genocidal që mjerisht nuk ka qenë vetëm cilësi e segmenteve të kufizuara të shoqërisë së vendit fqinjë. Ka qenë cilësi e gjithë qeverisjeve greke, dhe që qeverisjet e sotme nuk e kanë përgënjeshtruar dot.
Komuniteti çam mysliman u përzu nga Greqia, u vra, u dhunua, ju shkatërrua baza e ekzistencës ekonomike, kulturore, sepse ai komunitet ishte komuniteti më i pasur i Greqisë së veriut. Ka boll prova historianësh grekë për këtë.
Janë prova të prekshme ligjet e shumta , që Greqia ka miratuar prej viteve 20 deri në ditët tona për ta zhbërë këtë të drejtë të shenjtë, të drejtën e pronës së shqiptarëve. Komuniteti shqiptar çam ka kontrolluar nëpërmjet zotërimit të pronave të veta të mëdha të trashëguara brez pas brezi, në trojet e veta etnike, një pjesë të rëndësishme të territorit të Greqisë.
A mundet që Greqia ta pranonte përfundimisht që brenda territorit të siguruar me luftëra të përgjakshme, me dredhi, me aleanca të shenjta dhe të pashenjta, të kontrollohej nga shqiptarët?
Jo, dhe jo. Mjerisht e ka bërë këtë me kosto gjaku të mijëra viktimave në kohë të ndryshme.
Ky territor nuk ka qenë dhe nuk është thjesht një vijim gjeografik i tokave të banuara nga shqiptarët, këtej dhe andej kufirit londinez të pjesëve të kombit. Ky territor nuk ka qenë thjesht pjesë e Epirit të banuar historikisht nga shumicë dërmuese shqiptare siç e pohojnë dhe historianët grekë.
Në këtë territor kanë lindur mitet më të rëndësishme të historisë së lashtë greke, madje të periudhës parahelenike. Në këtë territor gjendet Dodona, qyteti ku adhurohej Zeusi, perëndia e hershme, babai i zotave.lumi I Akeronit qe ne Mitologji lidh te kete bote me boten e pertejme. A mundej ta lejonte kontrollin nga shqiptarët të këtij territori shteti modern grek?
Ky shtet e ka ndërtuar kombin modern grek mbi mitin e vijimësisë midis grekëve të lashtë që lidhen me urën bizantine me grekët e sotëm dhe ekzistenca e shqiptarëve në trojet e veta e prish mitin e tyre.
Qeveritë greke nuk e kanë pranuar këtë kontroll të shqiptarëve siç e kemi parë dhe mjerisht kjo e ashtuquajtur vijimësi është mbështetur jo thjesht mbi manipulimin e historisë, por dhe me gjakun e mijëra viktimave të pafajshme shqiptare. Në këtë territor kanë lindur heronjtë më të rëndësishëm të pavarësisë greke, por që kanë patur vetëdije kombëtare shqiptare. Ndihmesa çame për Greqinë është e jashtëzakonshme.
Sot, në ditën e genocidit, deshëm t’ju rikujtonim grekëve trimat e Çamërisë, Marko Boçari, Islam Pronjo, Lule Çapari e shumë të tjerë, që bashkë me vëllezërit arvanitas Andrucët, Mjaulët, Bubulinët, Kanarët, Kriezotët, Shkurtanjotët etj. Ishin udhëheqësit kryesorë të kryengritjes në luftën për Pavarësinë Greke. Grekët në ato vite ishin pakicë dhe, me thënë të drejtën, as nuk e njihnin vehten si pasardhës të grekëve të lashtësisë.
A mundet ta pranonte për një kohë të gjatë Greqia këtë të vërtetë të madhe që kalon nga pohimi se heronjtë e pavarësisë ishin shqiptarë me gjak, me gjuhë, me vetëdije, e që banonin në trojet e tyre etnike?
Jo, Greqia nuk mund ta pranonte dhe për këtë shkak e ashtuquajtura shkencë greke, Kisha greke u vunë në funksion të spastrimit fizik të shqiptarëve që nuk ndërruan gjuhë dhe fe, dhe të manipulimit të historisë në katedrat botërore. Ja si shkruan studiuesi Aristidh Kola: “Përtej çdo dyshimi fuqia dhe pushteti i kleriket sundoi deri në ditët e sotme dhe çdo gjë që u krijua gjatë asaj kohe, vulosi dhe historinë e Greqisë dhe përbëjnë edhe burimin e fatëkeqësisë shumëvjeçare”. Dhe kjo ide bizantino-shoviniste vazhdon të zotërojë edhe sot.
Niko Stillo, studiues nga Preveza që jeton në Gjermani, shqiptar i qytetit më jugor të trojeve etnike, në librin e tij “Historia e Shenjtë e Arvanitëve”, tregon se “mitologjia greke me famë botërore ka në themel mitologjinë çame”. Trojet etnike të shqiptarëve çamë janë ndër viset më të bukura në botë, sepse aty kanë luajtur valle Zotat.
Në ato toka kanë lindur vallet më të bukura të botës, me të cilat mburret sot Greqia, folklori më i pasur i Europës dhe i njerëzimit. Ka dete të bukur, ka fusha të begata, ka male krenarë. Ka pasuri të mëdha natyrore. Sot në ato vise shkojnë e punojnë si argatë shqiptarët. Çdokush që kalon sot në Qafëbotë shikon se si të rinjtë çamë të Konispolit, Shalësit apo Vërvës, ndonëse të shkolluar, kalojnë përditë kufirin për në Sajadhë, shkojnë për të nxjerrë bukën e gojës, por duhet të dini se në mesjetë skela e Sajadhës ka qenë një port, ku prodhoheshin anije të mëdha.
Ne na bie barra t’ia kthejmë madhështinë e dikurshme Çamërisë sonë, që në trojet tona të mos shkojmë si shërbëtorë, por si pronarë të vërtetë, si zotër të vendit. Vitaliteti i madh i popullsisë çame, mund ta kthejë këtë zonë të barabartë me çdo zonë të ngjashme në Europë. Çamëria është si një ëndërr, një perlë e vërtetë, me resurse të jashtëzakonshme, me një mjedis të virgjër, me parametra klimaterikë të favorshëm për jetesë e turizëm, me gërshetim të ultësirave bregdetare dhe ato malore, me mjaft vende historike, me një vijë bregdetare të madhe.
Kjo zona ka rëndësi strategjike për shumë arsye. Dhe Greqia me forcën e vet, me aleancat e shenjta dhe të pashenjta, i ka shkulur shqiptarët nga trojet e veta. Një fjalë e mençur greke e Sofokliut thotë: Arsyetimet e drejta zënë më shumë vend sesa duart e forta.
Greqia deri tani ka përdorur duart e forta, sepse ka qenë një shtet më i fortë sesa ne në skenën ndërkombëtare. Greqia e ka imponuar të vërtetën e saj në rrafsh botëror, nëpërmjet forcës së vet të gjithanshme. Sipas të vërtetës greke, shqiptarët çamë nuk kishin vetëdije kombëtare.
Pra ata ikën në Turqi më 1923-in, sepse ndiheshin turq, thonë grekët. Ata ikën në Shqipëri në 1944 nga frika e ndëshkimit pse kishin bashkëpunuar me fashizmin, thotë një pjesë e historiografisë greke, sepse një pjesë tjetër, sot afirmon të kundërtën.
Dua t’ju them diçka që lidh vetëdijen me kokën. Vetëdija e njeriut gjendet e përqëndruar tek koka e tij. Njëjtë ndodh dhe me shoqëritë njerëzore, me komunitetet, sepse liderët e tyre, prijësit e tyre, janë bartësit, nxitësit, e kësaj vetëdije. Greqia në valë të ndryshme, i preu kokën komunitetit luftarak çam, që mjerisht nuk kishte përmasat e popullit të Kosovës që sot ja ka dalë mbanë.
Prijësit e këtij komuniteti janë vrarë në shekullin e 19, janë vrarë gjatë Luftës së parë botërore në Përroin e Selanjit, janë vrarë më vonë. Unë pyes: si mund të pretendohet që një popull pa kokë, pa prijës me autoritet moral, ekonomik, pa të rezistojë, të motivohet fuqishëm nga vetëdija kombëtare dhe të mos lejojë të shkulet nga tokat e veta? Do të ishte tjetër histori nëse në krye të komunitetit çam do ishin prijësit e vet të vrarë përgjakshëm. Grekët thonë se komuniteti ynë ka bashkëpunuar me pushtuesit italianë dhe gjermanë.
Ky është një mashtrim kriminal historik, sipas skemës së njohur në Ballkan, kur krimineli vesh rrobën e viktimës. Djemtë më të ndërgjegjshëm çamë formuan një nga formacionet e para të luftës kundër pushtuesit fashist, Çetën “Çamëria”. Kjo çetë luftarake, në shkurt të vitit 1943 u rrit në Batalionin “Çamëria”, që ka kryer luftime të ashpra kundër pushtuesit. Legjendare ka mbetur lufta 56-ditore në Konispol kundër forcave gjermane, në gusht-shtator 1943. Është e vetmja luftë frontale antigjermane në tokat shqiptare. Në saje të trimërisë së djemve dhe vajzave çame, gjermanët nuk mundën të shkelin Shqipërinë nga ana e Çamërisë, por u detyruan të kalojnë nga Tri Urat në Leskovik.
Dhe këta djem e vajza çame vazhduan luftën kundër pushtuesit në radhët e Divizionit të 6-të të Ushtrisë NÇ Shqiptare deri në dëbimin e tij. Njëkohësisht, mbi 500 djem të tjerë çamë u rreshtuan në radhët e ELAS-it, ku përbënin shumicën në Regjimentin 15, së bashku me maqedonasit e Greqisë, kundër pushtuesve nazistë. Kjo është e vërteta e të ashtuquajturit “bashkëpunim” me pushtuesit.
Nuk janë çamët fajtorë për “bashkëpunim” me pushtuesit, fajtorë për këtë ishin vetë grekët që nxorën nga gjiri i tyre, Ralisin, Zervën dhe gjithë ata aleatë të shumtë me nazifashistët, që u vunë nën urdhrin e tyre kundër popullit që i lindi. A mund të shpallet Greqia vend bashkëpunëtor pse 30 mijë grekë sipas vetë historianëve grekë bashkëpunuan me pushtuesit? Jo, dhe jo, dhe as ne nuk mund të pranojmë fajësim kolektiv.
Gjithë veprat kriminale të qeverive greke që prej Konferencës së Berlinit deri në ditët tona kanë qenë të programuara. Me doktrinë kishtare, me ligje grabitëse të pasurive, me shkatërrim ekonomik, të traditës, të kulturës, të fesë, me çfarosje masive, me manipulim të historisë. Epo atëherë dhe sipas ekspertëve më të mirë botërorë, ne mund të themi se mbi popullin shqiptar të Camërisë është bërë genocid. Është genocid kulturor dhe fetar ajo çfarë ka ndodhur dhe me komunitetin shqiptar çam ortodoks. Ai ndalohet të flasë gjuhën shqipe, të afirmojë kulturën e vet kombëtare, në viset tona ende sot mbretëron një regjim policor dhe ushtarak i posaçën, megjithëse Greqia është vend i NATO-s.
Të dashur kolegë deputetë,
siç ju thashë në fillim të këtij fjalimi që njëherë në vit është kaq i gjatë, unë u mundova t’ju tregoj pse ajo që kulmoi 70 vjet më parë me largimin e shqiptarëve të Çamërisë, ishte genocid. Epo nëse ishte genocid, pse vallë ne duhet të rrimë duarkryq? Si PDIU ne do donim që të mos ekzistonim si parti. Ne do donim që çështja çame të ishte zgjidhur nga partitë e mëdha.
Por kjo s’ka ndodhur mjerisht. Ndaj ne jemi krijuar, jemi rritur, jemi shumëfishuar, pikërisht pse kjo çështje nuk është zgjidhur, pikërisht pse ekziston kauza jonë. Cili është arsyetimi ynë i drejtë , që duhet të zërë vend më shumë sesa duart e forta të Greqisë, që për të thënë të vërtetën sot s’janë më aq të forta? Ne nuk jemi Shqipëria e Enver Hoxhës e cila e përfshirë në beteja ideologjike në të gjitha anët e kufirit, me Jugosllavinë, me Greqinë, me Bashkimin Sovjetik apo SHBA-të, kishte frikën e rrëzimit të regjimit të vet dhe sakrifikoi çështjen çame. Ne nuk jemi as Shqipëria e dobët e viteve 97 që kishte problem rimëkëmbjen e vet pas ngjarjeve të vitit 1997. Ne jemi Shqipëria anëtare e NATO-s.
Ne jemi Shqipëria që ka përmbushur disa standarte mbi bazën e të cilave ka marrë ftesën për statusin e kandidatit në BE. Ne madje jemi më të fortë sesa Shqipëria e dalë nga komunizmi, e cila i kërkonte Greqisë rikthimin e çamëve në tokat e të parëve. Ne jemi një Parlament që ka miratuar një ditë përkujtimore genocidi me ligj. Ne jemi një parlament i cili s’ka rëndësi sesi, ka miratuar një Rezolutë që e imponon qeverinë dhe shtetin të zgjidhë çështjen çame.
Në atë rezolutë të vitit 2004, të miratuar me presionin dhe gjakun e aktivistëve të shoqatës Camëria ka një bazë ligjore mbi të cilën duhet të punohet. Është gjithë kuadri europian i lirive dhe të drejtave të njeriut. Është Traktati i miqësisë, i cili ngrihet mbi themelet e reciprocitetit, për të drejtat e pronës, të drejtat e gjuhës, të drejtat kulturore, etj, të dy popujve në territoret respektive. Deri më tash ky Traktat është zbatuar vetëm nga ne.Vetëm në favor të grekëve. Le të dalë dikush, nëse ka guxim të më tregojë secili nen është zbatuar në favor të kombit shqiptar. A kemi lapidar për varret masive e viktimave të pafajshme çame, gra, pleq dhe fëmijë?
A kemi liri lëvizje për çamët, të rinj dhe të reja, për pleqtë në viset e tyre? A kemi të drejtë prone? A kemi ndjekje të kriminelëve të luftës? S’kemi asnjerën prej tyre.
E pra, ne nuk mund të pranojmë më që diskriminimi dhe dhunimi I të drejtave të njeriut të vazhdojë dhe sot e kësaj dite mbi shqiptarët e Çamërisë. Unë I bëj thirrje çdo deputeti me ndërgjegje kombëtare në këtë sallë që të most a lejojë më këtë e të reagojë. Por, unë po ju garantoj në emër të 5 deputetëve të PDIU-së që nuk do ta lejojmë më këtë duke filluar që nga kjo ditë. Ne për këtë jemi këtu në këtë parlament. Kemi heshtur kur ky parlament është kthyer në arenë përbaltjeje dhe denigrimi reciprok.E kemi pare kete me shume dhimbje se kauza jone kombetariste eshte perbashkuese.
Ne Ju duam bashke per te bere Pune te Mira per Shqiperine si kur jeni ne kale si kur jeni ne këmbë, por ne për çështjen kombëtare për çështjen çame e për t’I parë shqiptarët bashkë kudo që I ka vënë Zoti, nuk do të heshtim kurrë. Po ju garantoj për këtë që nga kjo séanceë. Ne jemi një parlament ku shumica e sotme në pushtet, propozoi një rezolutë, e cila e shpallte çështjen çame si çështje kryesore të diplomacisë sonë.
Ajo rezolutë, ashtu si dhe rezoluta e 2004-ës, pra dy rezoluta që PDIU-ja i vuri në lëvizje, I imponojnë qeverisë, të vijë të raportojë periodikisht se çfarë është bërë për zgjidhjen e çështjes çame.
A ka raportuar dikush? Nëse jo, kur do ta bëjë? Dikush mund të thotë se ngritja e kësaj çështje kërcënon integrimin. Jo, ne s’mund ta pranojmë këtë. Së pari ne besojmë fuqimisht se çdo hap i kombit drejt Europës, drejt Perëndimit, është hap drejt lirisë. Pse? Sepse sa më shumë që ne përfshihemi, aq më shumë zgjerohet hapësira e lirisë dhe e drejtësisë, aq më shumë marrëdhëniet midis kombeve themelohen mbi reciprocitet.
Perëndimi ka konflikte dhe mosmarrëveshje midis shteteve anëtare të bashkësisë së tij, por ato i zgjidh me rrugë juridike, me pajtim. Ndërkaq ne s’mund të pranojmë që Greqia të përfaqsojë në mënyrë ekskluzive perëndimin dhe aq më tepër të mbajë çelsat e hyrjes sonë në familjen europiane.
Të dashur deputetë,
Dinjiteti në marrëdhëniet dypalëshe shpërblen më shumë sesa servilizmi , intimidimi apo autocensura . E ka treguar deri më sot sjellja e kësaj mazhorance në marrdhëniet me fqinjin. Ne si PDIU e vlerësojmë në përgjithësi- me ndonjë vërejtje veçanërisht për çështjen e toponimeve, sjelljen e diplomacisë sonë ndaj Greqisë. Por sot ka ardhur koha për konkretësi. Sot ka ardhur koha për reciprocitet.
Ndërsa ju ftoj të ngrihemi të gjithë për një minutë heshtje, në nderim të viktimave të pafajshme të genocidit mbi popullsinë çame, unë ju ftoj të reflektoni rreth gjithë atyre hapave, që brenda konventave europiane i kontribuojnë drejtësisë. Një minutë heshtje i nderuar kryetar dhe të nderuar kolegë.
Një vit më vonë të dashur miq, unë s’do të mbaj një fjalim kaq të gjatë dhe sensibilizues, por do t’ju prezantoj bilancin e veprave të partisë sonë për të zgjidhur çështjen çame. Me qeverinë, me opozitën, apo dhe vetëm, ne do ta përmbushim amanetin e të parëve tanë.
Atyre që vdiqën tragjikisht, apo atyre që duan të jetojnë edhe pak sa të shohin dheun e tyre për herë të fundit. Une smund te mos luftoj per Tja permbushur babait Tim kete amanet . Ashtu sic gjysherit e mi nuk munden.
Rrofte Çamëria!
Rrofte Shqipëria!
* Fjala e kryetarit të PDIU-së, zotit Shpëtim Idrizi, në seancën përkujtimore me rastin e 70 vjetorit të genocidit grek mbi Camërinë
26 qershor 2014

Filed Under: Editorial Tagged With: FTESË, PËR REFLEKTIM NDAJ, Shpetim Idrizi, TRAGJEDISË CAME

“Java e Çamërisë”, në Prishtinë e Tiranë

June 23, 2014 by dgreca

Deputeti Shpëtimi Idrizi në Prishtinë:“Ne po e ndjejmë nga këtu që kombi sot rreh njësoj, frymon njësoj”, tha ndër të tjera Idrizi./
Komuna e Prishtinës pati nderin që sot të nis Javën e Çamërisë, në 70 vjetorin e gjenocidit dhe diskriminimit të shqiptarëve të Çamërisë. Sivjet, për herë të parë, ky aktivitet filloi njëkohësisht në Prishtinë dhe Tiranë, duke synuar kështu vetëdijesimin e të gjithë kombit për çështjen çame.
Komuna e Prishtinës, së bashku me delegacionin nga Shqipëria të përbërë nga Shpëtim Idrizi, Aqif Rakipi, Tahir Muhedini, Omer Mamo dhe Dashamir Tahiri, bëri hapjen e kësaj jave.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se çështja çame mbetet një nga padrejtësitë më të mëdha jo vetëm në kombin shqiptar por në gjithë Evropën. “Duhet ta bëjmë vetëdijesimin e të gjithë kombit për këtë padrejtësi kaq të madhe që i është bërë shqiptarëve. Kam kënaqësinë që sot pritëm si pesë deputetë të Republikës së Shqipërisë, që ta shënojmë së bashku fillimin e kësaj jave, që të gjithë qytetarëve të Prishtinës e Kosovës t’ua kujtojmë këtë çështje aq të rëndësishme”, tha Ahmeti.
Ai shtoi që gjenocidi i 70-100 viteve më parë ka vazhduar edhe pas vitit 1944 kur janë dëbuar të gati të gjithë shqiptarët nga Çamëria por tash jemi më të fortë se kurrë në ngritjen e kësaj çështjeje. “Sheshet e Prishtinës sot janë të mbushur me flamuj kombëtar, si dhe me flamujt e simbolikës së kësaj jave, “Unë e dua Çamërinë”, shprehje kjo që e thotë çdo shqiptar sot”, tha në fund Ahmeti.
Deputeti nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Shpëtim Idrizi falënderoi Kryetarin Ahmeti dhe përmes tij të gjithë qytetarët e Kosovës për organizimin e parë institucional në Prishtinës për shënimin e Javës së Çamërisë.
“Çamëria është pjesë shumë e rëndësishme e gjymtyrës së kombit shqiptar. Është 9.500 kilometra në katror, me histori e kulturë, e që ka pësuar një nga gjenocidet më të mëdha që njeh historia. Ky gjenocid ka filluar që nga lënia jashtë e trojeve shqiptare të Kosovës dhe Çamërisë, dhe ka njohur një valë shpërnguljes. Si valë e fundit është masakra e Luftës së Dytë Botërore, ku brenda një jave, 20% e popullsisë është vrarë është masakruar dhe pjesa tjetër është dëbuar drejt Shqipërisë së sotme”, shpjegoi deputeti Idrizi, duke shtuar se kjo javë jo vetëm se do të përkujtojë ata shqiptarë që dhanë jetën vetëm pse ishin shqiptarë, por mbi të gjitha do të tregojë që harta e kombit shqiptar duhet të plotësohet edhe me Kosovën edhe me Çamërinë.
“Ne po e ndjejmë nga këtu që kombi sot rreh njësoj, frymon njësoj”, tha ndër të tjera Idrizi.

Filed Under: Kronike Tagged With: java came, Prishtine, Shpend Ahmeti, Shpetim Idrizi, Tirane

Shpetim Idrizi dhe delegacioni i PDIU u takuan me Çamët e Turqisë

February 21, 2014 by dgreca

Kryetari i PDIU’se z. Shpetim Idrizi me Delegacionin e Tij Vizituan 4 dite me rradhe Çamët dhe Të Gjithë Shqiptarët Në Izmir dhe zonën Ege të Turqisë. Ne Delegacionin e Kryetarit te PDIU’se z. IDRIZI ishin Kryetari i Nderit te PDIU’se zTahir Muhedini , Kryetari i PDIU’se per Tiranen z. Galip Taho , sekretari i PDIU’se Ilir Dizdari. Per dite me rradhe me nje program shume te pasur te bere me Presidentin e CENTER OF BESA STRATEGY Sokol Brahaj, nga kryetari dhe anetaret e Shoqates Shqiptare Çameria te Izmirit dhe Deputeti i Parlamentit Turk shqiptari me origjine nga Drenica e Kosoves z. Rifat Sait bene takime me zyrtare te larte, me politkane, biznesmene, aktiviste te çeshtjes Çame dhe Mbarekombetare, Akademike miq e shoke ku fokusimi i vizites ishte takimi me Shqiptaret Çame ne dhjetra lagje dhe fshatra te Izmirit dhe perreth tij.

Vizita e Z. IDRIZI gjate aktiviteteve 4 ditore ne Izmir eshte ndjekur me interes te madh nga mediat turke ku ne çdo akivitet pjesmarrja e medias turke ishte i madh, me shume se 7 kanale televizive dhe me shume se 15 gazeta ku ketu duhet te nenvizoj dhe 3 intervistat drejtpersedrejti ne studiot televizive.
Ne saje te z.IDRIZI u formuan lidhjet me komunitetin shqiptar Çam me numer te madh shqiptar ne bote i cili eshte ne turqi perseri pas nje shekulli, kjo lidhje me shqiptaret Çame te harruar nga shteti nene ne nje mbledhje madheshtore dhe nje pjesmarrje teper e larte diten e shtune te dates 15 shkurt ishte kulmi i vizites ne izmir te patriotit te madh Shpëtim Idrizi qe po puno gjithnje ne te gjithe boten ku ka shqiptar per mbrojtjen e identitetit shqiptar dhe te drejtave te tyre.(BS)

Filed Under: Featured Tagged With: Camet, PDIU, Shpetim Idrizi, Turqi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT