• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

I Suksesshëm Festivali i 9-të Shqiptar në Waterbury,CT

June 19, 2014 by dgreca

Nga Arben DULO/ Waterbury/
Festivali i 9-të Shqiptar në Waterbury, CT përfundoi me sukses të Shtunën më 7 Qershor, 2014. Koha e bukur u përshtat më së miri me atmosferën festive dhe e veçoi këtë festival, duke e bërë atë festivalin më të suksesshëm për qëndrën e Komunitetit Shqiptar në 38 Raymond St, Waterbury, CT. Rreth 3000 pjesëmarrës provuan kuzhinën, kulturën, traditat, këngët dhe vallet Shqipare.
Atmosferën festive e bënë të mundur muzikantët dhe artistët e zonës së Waterbury-t dhe Connecticut si; DJs Enton Shahollari dhe Sajmon Gjyli. Në festival pati dhe koncerte live nga Hermes, Argjend Lloga, Grupi Rinia dhe Generation Brass.
Festivali nuk ishte i veçantë vetëm nga pjesëmarrja. Ketë vit për herë të parë në festival u mirëpritën dy kandidatë me origjinë Shqiptare. Peter Lumaj për Sekretar të Shtetit Connecticut dhe Karl Shehu për Senator të Shtetit Connecticut në Distriktin e 15të. Të dy kandidatët me origjinë Shqiptare së bashku me Tom Foley-n që kërkon të zgjidhet Guvernator i Shtetit Connecticut në Nendor të këtij viti, përshëndetën dhe uruan zhvillimin e mbarë të Festivalit të 9-të të Premten më 6 Qershor.
Të Shtunën më 7 Qershor cermoniali i Festivalit të 9-të u vazhdua me studentët Sergei Ivani, Tomor Dishnica,Renee Manelli,të cilët u nderuan me bursat vjetore të Komunitetit Shqiptaro-Amerikan, me nga $500 secili. Fryma e bujarisë dhe e bashkëpunimit në Festival u bë edhe më e bukur kur pjesmarrës dhe donatorë të festivalit bënë të mundur rritjen e fondit të ndihmës të ngritur prej vitesh nga Komuniteti Shqiptaro Amerikan në Waterbury, Connecticut.

Biznesmeni dhe filantropisti Shqiptaro-Amerikan Richard Lukaj e dyfishoi fondin e bursës studentore që këta të rinj përfituan, duke vlerësuar ruajtjen e vlerave të komunitetit dhe theksuar rëndësinë e edukimit dhe arsimimit të brezit të ri. Ai gjithashtu dhuroi $700 per programin “Wheels for Olsi”, të Albanian Student Association, iniciuar nga studentët Shqiptarë në Universitetin e Connecticut. Ky program është ngritur për të ndihmuar invalidin 25-vjeçar Olsi Alushaj nga Fieri, për të pasur një jetë sa më normale dhe pajisjen e tij me karrige të levizshme elektrike.
Bujaria e donatorëve dhe pjesëmarrësve vazhdoi ta bëjë atmosferën më festive kur familja Albert (familje që zotëron Albert Bro’s Metals Co. of Waterbury) dhuroi $1000 në fondin e burses studentore si mirënjohje të shumë e shumë Shqiptarëve të punësuar nga kompania e tyre.
Kryetari i Bashkisë në Waterbury Neal O’Leary vazhdoi kontributin e tij për studentët Shqiptarë. Në fëmijërinë e tij O’Leary pa shtëpinë e tij të shkatërruar nga zjarri. Ai gjithashtu pa se si Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në atë kohe ndihmoi fuqimisht ta rindërtojë atë shtëpi. Për të nderuar Komunitetin Shqiparo-Amerikan dhe prindërit e tij, Kryetari i Bashkisë O’Leary vazhdon të kontribojë në fondin e bursave studentore për studentët Shqiptarë. O’Leary ka kontribuar në fondin e bursave studentore për studentët Shqiptarë prej krijimit të këtij fondi tre vjet më parë.
Prezantueset Krisela Karaja dhe Ingrid Stringa udhëhoqën ceremoninë e cila gjithashtu përfshiu prezantimin e çertifikatave të bursave nga Senatorja e Shtetit, Connecticut Joan Hartley, dhe deklaratat e mirënjohjes për studentët fitues nga përfaqsuesja në Kongresin Amerikan Elizabeth Esty, Senatori i ShBA-së Chris Murphy, dhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Washington DC Gilbert Galanxhi.Programi festiv vazhdoi me vallet tradicionale Shqiptare me grupin “Vallet Tona” nga Worcester, MA.
Festivali vazhdoi deri në mesnatë duke prezantuar me sukses të plotë traditat dhe vlerat e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në Waterbury, Connecticut.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Arben Dulo, Festivali i 9-te, shqiptar, Waterbury

GJUKANOVIÇI NUK MUND TË SHKULË RRËNJËT DHE KUJTESËN HISTORIKE TË SHQIPTARËVE

May 12, 2014 by dgreca

Deklaratë e Unionit Artistik të Kombit Shqiptar-Tiranë/
Sjellja politike e Milo Gjukanoviçit, esktremizmi i tij ndaj shqiptarëve etnik që jetojnë në Mal të Zi, nacionalizmi donkishotesk e shovinist , tërësisht i papranueshëm në Evropën e shekullit të XXI e bëjnë liderin e Malit të Zi një figurë groteske e qesharake. Ai bëhet i tillë jo vetëm në sy të Brukselit, të Uashingtonit e Londrës, por akoma më shumë në sy të shqiptarëve nënshtetas të Malit të Zi dhe të mbarë kombit tonë, i cili i ndërgjegjshëm për të shkuarën e tij të lavdishme historike e ka të qartë e të sigurtë të ardhmen e tij si një komb që do të ketë një rol determinues për paqen, sigurinë e demokracinë në gadishullin tonë.
Meqenëse zoti Gjukanoviç është një nxënës mediokër i historisë së Ballkanit e të kombit shqiptar, në veçanti dëshiroj t’i kujtoj se aventura e tij për t’i përçarë shqiptarët në Malin e Zi, për t’iu mohuar atyre të drejtat që janë sanksionuar në Kartën e OKB dhe në Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut, reprezaljet e shtetit të tij policor ndaj bashkëkombësave tanë me akuza absurde për terrorizëm e irredentizëm do të dështojnë me turp.
Shqiptarët janë trashëgimtarë të drejtëpërdrejtë të Ilirëve e Arbnorëve, banorë prej mijëra vjetësh në trojet e tyre kur nuk kishte as Rusi, as Serbi e as Mal të Zi. Në antikitet ai që sot quhet Mali i Zi ishte Mbretëria Ilire e Ardianëve, e cila është qeverisur nga Agroni, Teuta dhe Genti.
Në këto troje lindi perandori i famshëm i Romës, Diokleciani. Ai pasi i dha shkëlqim dhe lavdi Perandorisë Romake dha dorëheqjen dhe i kaloi vitet e fundit të jetës në pallatin e tij në Dubrovnik. Shprehja e tij e famshme se “e gjeta Romën me baltë e qerpiç dhe e lashë atë të veshur me mermer” është treguesi sinjifikativ i dijenisë shqiptare dhe i aftësisë së tyre qytetare qeverisëse.
Shqiptarët e Malit të Zi janë të shquar historikisht për vokacionin e tyre perëndimor dhe kontributin e madh të dhënë në qytetrimin Europian. Që në shekullin e lll-të pas Krishtit, Shën Jeromini, i lindur në këto anë, u bë një ndër njerëzit më të famshëm e më të ditur të Perandorisë Romake, me përkthimin integral të Biblës nga greqishtja e vjetër, ai u bë një ndër intelektualët më të famshëm në histori.
Në Mesjetë, pas çlirimit nga pushtimi serb, dinastia e fuqishme arbërore e Balshajt sundonin jo vetëm Malin e Zi të sotëm, por shtriheshin në kufijtë e një perandorie dhe kontrollonin një territor njëqindmijë kilometër katrorë.
Pas rënjes së Balshajve principata e vogël e Zetës, siç quhej në atë kohë Mali i Zi i sotëm, u qeveris nga nipi i Gjergjit ll Balsha, nga Stefan Çernojeviçi. Nuk është rastësi që në Besëlidhjen e Princave Shqiptarë, që u mbajt në Lezhë më 2 mars 1444, Stefan Çernojeviçi erdhi në këtë Kuvend historik bashkë me dy djemtë e tij. Ai ishte martuar me princeshën Mara, motrën e Gjergj Kastriotit, por dhe vet ishte me gjuhë e gjak arbëror dhe pinjoll i dinastisë të ndritur të Balshajve.
Pas epopesë 25 vjeçare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut e pushtimit turk të Ballkanit, shqiptarët e Malit të Zi përfaqësues të fiseve të fuqishme të Vasajoviçëve, Kelmendasve, Pipërit, Kuçit e Palabardhit e mbajtën të pashuar zjarrin e luftës për liri. Ata jo vetëm nuk i ulën armët, por u bënë inicijator të kuvendeve mbarëballkanike dhe hartuan strategjinë e luftës çlirimtare.
Nga korriku deri në shtator të vitit 1614 u mbajt në Kuçin shqiptar, që ndodhet në Mal të Zi, Kuvendi i Kuçit i kryesuar nga prijësi i kësaj treve, Lala Drekali. Në këtë aleancë ballkanike antiosmane pati përfaqësues edhe nga Bosnja, Hercegovina, Maqedonia e Serbia. Kuvendi vendosi për fillimin e luftës çlirimtare sipas modelit të strategjisë fitimtare të Skënderbeut e shqiptarëve në shekullin e XV dhe kërkoj ndihmën e Papatit e të Mbretërisë së Spanjës.
Edhe në Kuvendin Ballkanik të Prokopit të vitit 1615 e atë të Beligradit të vitit 1620 krerët shqiptarë Lala Drekali, Gjeç Bardhi, Gjon Renësi e prelati Pjetër Budi, ishin jo vetëm truri e shpirti i këtyre ngjarjeve të mëdha, por edhe të ngarkuar si ambasadorë në Vatikan, Venedik, Spanjë e Francë për të siguruar armë e aleatë për luftën çlirimtare.
Për disa dekada me rradhë, këtu në Mal të Zi, qeverisën Bushatllinjtë.
Stërgjyshërit e Gjukanoviçit, një pakicë sllave që u vendos në Mal të Zi, jo vetëm nuk u treguan mirënjohës ndaj të zotëve të shtëpisë, pra shqiptarëve etnikë, por që nga dalja në skenë e Rusisë si fuqi europiane në kohën e Pjetrit të Madh e të Katerinës së Madhe me anë të popëve malazezë, me agjentë, para e dhunë, u munduan të shkombëtarizojnë shqiptarët vendas e t’i kthenin në besimin ortodoks për t’i asimiluar. Me krijimin e Principatës së Malit të Zi oreksi i shovinistëve të Knjaz Nikollës erdhi duke u shtuar.
Në memorien historike të shqiptarëve dhe mbarë Europës kanë ngelur përjetë betejat legjendare të ushtrisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e Plavës e Gucisë, të Hotit e Grudës, të Ulqinit e Tivarit, nga Gjukanoviçët e Malit të Zi të asaj kohe.
Nëse Ulqini i Agronit, Teutës e Balshajve më 25 nëntor 1880 ra në në kthetrat e përgjakshme malazeze kjo ndodhi jo për shkak të pazotësisë të tyre, të shqiptarëve, por u desh një ushtri turke prej 20.000 vetash dhe flota ushtarake e Fuqive të Mëdha për ta detyruar të dorëzohet qytetin krenar iliro–arbnor.
Gjatë një shekulli të pushtimit sllav shqiptarët pësuan një genocid e dhunë të egër, spastrim etnik dhe mohim të të drejtave elementare e njerëzore, mosnjohje të gjuhës e të kombësisë së tyre.
Në vitin 1913 në Plavë e Guci, në Tuz e Ulqin, me një akt të pashembullt barbarie çetnikët serbo–malazezë me bekimin e eprorëve të tyre, masakruan qindra burra shqiptarë pasi nuk pranuan të ktheheshin me forcë në besimin ortodoks sllav me qëllim për të fshirë nga kujtesa qëndresën heroike të shqiptarëve të udhëhequr nga Dedë Gjo’ Luli në vitin 1911 ku për herë të parë pas qindra vjetësh u ngrit flamuri i Skënderbeut në Deçiç.
Akoma më e tmerrshme ishte masakra që u projektua nga Beogradi e u zbatua jo rastësisht në Tivarin shqiptar kur brenda një nate u ekzekutuan me mijëra djemë të Kosovës . Kjo barbari të kujton kohën e Çengis Khanit e të Timur Lengut , Vlad Dragulës [hungulësi], Erik qimekuqit të Vikingëve, apo Ivanit të tmerrshëm të Rusisë.
Pas një gjysëm shekulli shqiptarët ranë nën diktaturën e Titos e të Millosheviçit, ku provuan genocid të paparë dhe torturat më çnjerëzore mesjetare duke iu vendosur kryqin e hekurt të skuqur në shpinë, fytyrë e zemër.
Shqiptarët e Malit të Zi janë qytetarët më të denjë në këtë republikë të vogël dhe artificiale. Ata me votën e tyre përcaktuan shkëputjen nga Serbia dhe i dhanë goditjen e fundit Sllobodan Millosheviçit. Falë lidhjeve të ngushta me SHBA-në për shkak të diasporës së madhe që kanë në këtë vend mik, janë faktorë themelor për të sotmen e të ardhmen e bashkimit të natyrshëm të trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm. Në shekuj shqiptarët nuk luftuan që tokat e tyre të qeveriseshin nën emblemën serbo-malazeze, por që në qiellin e kaltër mbi fortesat e tyre të fluturojë e lirë e krenare shqiponja Iliro-Arbërore dhe të valvitet flamuri i kombit të tyre. Ky është flamuri i Lekës së Madh, Pirros, Teutës , Balshajve, Gjergj Kastriotit, Nënë Terezës, Rugovës, Dedë Gjo’ Lulit e Ismail Qemalit, të cilin e mbrojtën simbolet e qëndresës shqiptare të shekullit të XX Adem Jashari, Ali Ahmeti e Ramush Haradinaj në betejat për liri në Kosovë e drejtësi në Hagë.
Unioni Artistik i Kombit Shqiptar , i bën thirrje Gjukanoviçit dhe frymëzuesëve të tij që të ndalë provokimet ndaj historisë dhe simboleve kombëtare shqiptare.
Të heqë dorë nga apartejdi, kolonizimi i trojeve shqiptare dhe përçarja e tyre.
Gjukanoviçi duhet ta mësojë mirë historinë e ta kuptojë se për shqiptarët nuk është më koha e Lidhjes së Prizrenit, e Luftës së Parë Ballkanike apo e diktaturës Titisto – Enveriane.
Kombi shqiptare prej 10 milionësh në Ballkan është i ndërgjegjshëm të kryejë mirë rolin që i ka caktuar historia e Mileniumit të ri (Mijëvjeçarit të Tretë) dhe të mbrojë me vendosmëri të drejtat e bashkatdhetarëve të tij e të zgjidhë përfundimisht çështjen shqiptare dhe bashkimin e tyre, atë që kombet tjera e kanë kryer me kohë.

Për Unionin Artistik të Kombit Shqiptar
Presidenti
Azgan HAKLAJ

Filed Under: Politike Tagged With: Gjukanovici, i Kombit, kujtesen historike, rrenjet, shqiptar, Unioni Artistik

Arbanasi në Zarë -fshati shqiptar në Kroaci!

May 12, 2014 by dgreca

Nga Fahri Xharra/
Në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar e shihja ne TV e Zagrebit ,Z. Hërvoje Macanoviç , i cili vazhdimisht fliste për kulturën e sportit por nuk e dija që ishte shqipëtar i fshatit Arbanasi afër Zarës . Në teatrot e Kosovës po në ato vite luhej drama “Nita “ e Josip Relës, po ashtu shqiptar nga Arbanasi. Na u bë e mundur që të dijmë që se në qytetin bregdetar të Dalmacisë , në Zarë jetonte një komunitet shqiptarësh, dhe ende flitnin shqip. Që kur ? gati që 300 vjet flitej edhe shqip , dhe nuk harrohej shqipja.
Po në vitet e 70-ta , shumica nga ne mesuam që … Prof .Idriz Ajeti në vitin 1958 e kishte mbrojtur disertacionin e doktoratës me temën: Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë..Dhe sot lexoj (në burimet kroate) që studjimin më të thellë të zhvillimit historik të të folmes se shqiptarëve të Zarës e kishte bër Prof. Idriz Ajeti duke e krahasuar deri në imtësi me të folmen shqipe të fshtrave shqiptare në Krajinë (Kroaci) ( shqiptarët e ardhur nga Zara në Krajinë, Burimet kroate )
Thuhet dhe është e shkruar që shqiptarët kishin ardhur këtu :“ Arbanasit e Zarës u zhvendosën nga vendlindja e tyre e rrethit të Liqenit të Shkodrës , në fshatin (e quajtur më vonë ) Arbanasi duke i falëmnderuar kryepeshkopit të atëherëshëm të Zarës Vicko Zmajeviç me qëllim edhe të ringjalljës së këtyre viseve të shkreta të rrethit të Zarës.(Burime kroate)
Vetvetiu të lindin pyetjet dhe sinçerisht të iu them që nuk e di përgjegjën . Pse mu rreth Zarës shkuan fshatarët e Shestanit dhe Briskut ? Ikën nga turku , këtë e dimë por a mos i kishin lidhjet e tyre me shqiptarët (arbanasët?) e shumë më të herëshëm të atyhit ? pastaj më lartë lexuam që «disa « nga ata më vonë u zhvendosën e Krajinë . Pse mu në Krajinë ? A mos u tërhoqën njëri nga tjetri, d.m.th. shqiptarët (ardhacakët) e rinj nga ata të moçëm. Mbetet për t`u hulumtuar, pse jo?
» Enjo Gërdoviç, kryetar i shoqatës së Shqiptarëve të Zarës (Tetor 2010) pati thënë – Ne duam që gjuha (e folmja ) e gjyshërve , etërve dhe para-ardhësve tanë por edhe asaj të Vicko Zmajeviçit të mbetet e gjallë edhe pas nesh(- Želimo da govor naših djedova, očeva i naših predaka, ali i nadbiskupa Vicka Zmajevića, ostane živ i poslije nas.) . Nuk duam që të jemi brezi i cili e ndërpreu traditën e të folmës sonë dhe për këte e kemi filluar një shkollë në të cilën fëmijtë tanë , gjuhën shqipe mund ta bartin fëmijve të tyre. Ai e spjegonte se si ishte fjala për dygjuhësi . Ai shtoi se Arbanasët e Zarës janë shtetas kroat të cilët e dinë mirë prejardhjen e tyre, dhe që janë nga viset e Kryepeshkopatës Katolike të Tivarit ( Brisku , Shestani etj) ( burimi: Arbanaški govor u Registru nematerijalne baštine RH .Anamarija Bilan , 2010 )
Në vitet e herëshme e dëgjonim edhe Gjani Marshanin duke kënduar , dhe shushuritej që është arbëresh i Zarës .Por më tepër, ne nga turma nuk guxonim të dinim.
Si zakonisht si popull i madh që jemi , nga ne dalin dhe rriten koka të mëdha që e trondisin vendin po aty të mërguar.
Nga një fshat, fshat i banuar dhe i gjallëruar nga shqiptarët e rrethit të gjerë të Shkodres -Arbanasi kanë bërë krenari në Kroaci :prof.dr.sc. Hrvoje Mazija, professor emeritus. Pavle Deshpali, dirigjent, kompozitor, Valter Deshpali ,profesot i muzikes ne Akademinë e Zagrebit: mons. Simeone Duca (Šime Duka)- një kohë edhe sekretar i arkivit të Vatikanit, dhe ndihmëtar i madh i Zarës dhe Arbanasit.: • Giuseppe–Pino Gjergja, lojtar dhe trajner i basketit.: Josip Gjergja politikan dhe diplomat kroat:këngëtarët, :Mladen Grdović,Tomislav Ivčić ,Vedran Ivčić .dr Ratimir Kalmeta ,( gjeografi i njohur kroat, dhe më i madhi i shkencave të gjeografisë kroate,gjuhëtar, pedagog dhe publicist)., Bozhidar Kalmeta ,(politikan kryetar i Zarës dhe minister në qeverinë kroate,) Bernard Kotlar kantautor,Hrvoje Macanović , babai i gazetarisë së sportit kroat, msgr. Ivan Prenđa – i 68 -ti kryepeshkop i kryepeshkopatës së Zarës ,Dushko Mateshiq . Ivica Mateshiq(Diplomat ushtarak në Romë, Prishtinë Shkup,) dr. Kruno Kërstiç ( sociolog, redaktor i enciklopedisë kroate, autor i fjalorit të folmes së shqiparëve të Zarës, dr. Aleksandar Stipčević – profesor emeritus , albanolog,dhe të tjerë e të tjerë nga jeta kulturore ,poliitike gjuhësore dhe katolike-fetare të Kroacisë. Herëve tjera do të njihemi më shumë për këta shqiptar të Kroacisë , që ende flasin shqip.

Filed Under: Komente Tagged With: Arbanasi në Zarë -fshati, Fahri Xharra, ne Kroaci, shqiptar

Asimilimi i irredentizmit dhe i separatizmit shqiptar në Maqedoni

January 17, 2014 by dgreca

Shkruan: Arben LLALLA*/

Këto ditë po flitet nga partitë politike shqiptare për sjelljen e Ligjit për të drejtat e ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politik në Maqedoni. Pas 24 viteve të pluralizmit të brishtë Maqedonia ndoshta është i vetmi shtet ish-komunist që nuk i ka shpërblyer ish-të burgosurit politik, në veçanti ata me kombësi shqiptare të cilët janë rreth 25.000. I gjithë procesi për të shpërblyer këtë kategori ka ngecur në vend pa filluar fare, kjo jo vetëm për faj të drejtuesve të shtetit që i përkasin etnisë sllave, por edhe të vetë të ish-të burgosurve politik shqiptar të cilët prej 20 vitesh i gjejmë në postet më të larta të Republikës së Maqedonisë. Prej kaq vitesh ish-të burgosur dhe të dëmtuarit politik shqiptar ankohen se asgjë gjë nuk është bërë për kompenzimin e viteve të burgut që kanë kryer. Por janë vetëm këta të ish-burgosur politik që dikur sistemi komunist i ish-Jugosllavisë dhe i Maqedonisë të pas viteve 1990 i burgosi si separatist dhe irredentistë janë asimiluar dhe janë ulur në njëjtën tryezë me dhunuesit, përdhunuesit dhe dëmtuesit e tyre duke u kujdesur për zhvillimin dhe forcimin e asaj që u dënuan dikur.

Sot, janë me qindra ish-të burgosur politik që drejtojnë postet më të larta të Republikës së Maqedonisë duke filluar nga ministra, deputet, drejtor ministrish, inspektor të policisë dhe të zbulimit dhe kundërzbulimit sllavë. Janë vetë këta shqiptar që u dënuan për aktivitetet e tyre kombëtare të 1968, 1981, e me radhë e deri tek lufta e 2001, që sot persekutojnë njeri-tjetrin, duke u nxjerrë pengesa ish-shokëve të tyre të një ideali. Kjo kategori po i shërben me zell të madh atyre që i gjykuan dhe i dënuan për të drejtat e njeriut, për gjuhën dhe flamurin shqiptar. Të duket qesharake kur shikon se një pjesë ish-të burgosurve politik janë dënuar përse kanë dashur gjuhën, arsimin dhe flamurin shqiptar dhe kanë votuar këto vitet e fundit me aq zell ligjet për mos përdorim e gjuhës dhe flamurit shqiptar ashtu siç i takon në të vërtetë. (Siç duket separatistët dhe irredentistët e dikurshëm u asimiluan, u integruan në atë që ata e luftonin dhe e kundërshtonin me aq forcë dhe krenari).

Prandaj mendoj që statusi i ish-të burgosurit dhe të dëmtuarit politik në Maqedoni asnjëherë nuk do të rregullohet me Ligj për vitet e burgut që kanë kryer në kohën e diktaturës komuniste në ish-Jugosllave, por edhe në Republikën e Maqedonisë të pas viteve 1990, sepse ata u dënuan për shkatërrimin e Jugosllavisë dhe bashkëngjitjen e tokave shqiptare që ndodheshin në atë Federatë me Shqipërinë. Më duket e jashtë logjikës që sot shteti sllavë të vlerësojë në të holla vitet e burgut të tyre. Nëse vërtetë do të ekzistonte dëshira e shtetit të Maqedonisë për t’i shpërblyer vitet e burgut dhe rehabilitimin me Ligj të kësaj kategoria, kjo gjë do të ishte bërë me kohë sepse po kalojnë shumë vite dhe një pjesë e mirë ish-të burgosur politik kanë vdekur dhe askush më nuk ua kujton as emrin atyre dhe jo më ti vlerësojë. Çdo gjë për fat të keq po harrohet, aktivitet e këtyre të burgosur politik po ç’vlerësohen nga vetë ish-të burgosurit politik që gjenden prej shumë vitesh në institucionet më të larta të Republikës së Maqedoni. Një pjesë e mirë të ish-të burgosurve janë asimiluar në kuptimin e plotë të fjalës për aktivitetet e tyre kombëtar të dikurshëm sepse ata po punojnë, jetojnë dhe po hanë në një tryezë me dhunuesit, përdhunuesit dhe gjykatësit e dikurshëm. Askush nuk mund të mohojë se sot s’ka asnjë ish-të burgosur politik ministër, deputet apo drejtues i lartë i ndonjë institucioni shtetëror në Maqedoni, por siç duket këta që gjenden në këto pozicione nuk janë burgosur për çështje kombëtare, por për diçka tjetër sepse do kishin bërë përpjekje të mëdha për të sjellë atë Ligj të shumëpritur në radhë të parë për të dëmshpërblyer vetveten e tyre.

E di që shumë ish-të burgosur politik do të preken për këto që kam shkruar, por e vërteta dhembë, më mirë të thuhet ashtu siç është se sa ta fshehim, të shtiremi sikur s’ka ndodhur asgjë nga këto sa kam thënë më lart. Prandaj është e udhës që në fillim të pastrojmë oborrin tonë të shtëpisë nga plehrat se sa ti kërkojmë fajet tek fqinji.

*Vërej: Ky shkrim është një homazh për ata ish-të burgosur politik që punuan një jetë të tërë për bashkimin kombëtar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Asimilimi i irridentizmit, maqedoni, separatizmit, shqiptar

VOLEJBOLLISTJA DHE TRAINERJA AJOLA BERISHA SJELL EMRIN E MIRE TE SHKOLLES SE VOLEJBOLLIT SHQIPTAR NE AMERIKE

January 6, 2014 by dgreca

Ajola Berisha , është sportistja shqiptare në Amerikë, e cila jo vetëm ka luajtur voljeboll, por edhe ka drejtuar si trajnere, një skuadër amerikane të femrave në volejboll . Madje, ajo ka qenë edhe sportistja, më e mirë e vitit 2000 – “Student-Athlete of the Year”, shpallur nga Universiteti Amerikan – në kryeqytetin e vendit Washington DC .Puna që ka bërë Ajola në skuadrën e femrave në volejboll ka lënë gjurmë edhe sot në kampus për të tre sezonet e saj si lojtare dhe dy sezonet si një trajnere asistente .

Berisha, së bashku me një grup vajzash të tjera nga Shqipëria, sollën një pasuri të veçantë profesionale, nga Shqipëria në Amerikë, nga shkolla e volejbollit të suksesshëm shqiptar. Ato sollën profesionalizmin kolegjial  në nivelin e klubeve, duke luajtur dhe dhënë përvojën e tyre volejbollit Amerikan. Në vitin 2007 ajo ka shërbyer si një trajnere për skuadrën”Metro American Volleyball Club” në Uashington , DC, ku ishte ajo që nxiti krijimin e programeve të zhvillimit të volejbollit.
Ajola Berisha është e diplomuar në Kolegjin e Universitetit Amerikan të Arteve dhe Shkencave në vitin 2001. Dhe si volejbolliste, ajo ka një meritë të veçantë për të ndihmuar skuadrën e saj Eagles për të udhëhequr dy kapionate dhe shpallur Kampione e Ligës CAA (1998 , 2000) dhe një pjesmarrje në Turneun e NCAA në 1998 .

Ajo u nderua dy herë, si sportistja më e mirë në Ligën amerikane të kolegjeve CAA Berisha, sipas kanalit më të madh sportiv në SHBA, ESPAN, ajo renditet e treta në historinë e volejbollit për Universitetin Amerikan me konficentin 4.01 (për sulmin) dhe e katërt në pozicionin që mbante në lojë me konficentin 2.61 (për mbrojtjen)

2 herë është përzgjedhur nga Shoqata e trajnerëve të Volejbollit Amerikan si All-American (ndër më te mirat për tërë Amerikën). Shpallur disa herë MVP (Most valuable Player) në turne të ndryshme, dhe më e fundit në 2009 kur u përzgjodhë në Ekipin e Argjendtë të CAA në celebrimet për 25 vjetorin e saj.

Para se t’i bashkohej skuadrës amerikane të volejbollit Eagles , Berisha ishte anëtar e ekipit të Tiranës në voljeboll dhe ekipit kombëtar shqiptar në vitin 1995-97 .  Një nga aktivitetet më të mëdha të karrierës saj në Shqipëri, kanë qenë pjesmarrja në lojrat e Mesdheut në Qershor te 1997 në Bari te Italisë. Atje ku dhe ajo ka spikatur, dhe është pikasur nga trajneri amerikan Barry Goldberg.

Ajola, cila ka qenë jeta e juaj në Shqipëri ?

Sportin e kam filluar në moshën 10-11 vjecare. Vijë nga një familje, që është marrë me sport, dhe nga e cila kam trashëguar gjatsinë, dhe talentin tim. Kombinimi i gjatsisë dhe i traditës së sportit më shtyu drejt angazhimit me të madh. Mu dha zgjedhja që do të bëja ndërmjet basketbollit dhe volejbollit dhe zgjodha këtë të fundit. Kam patur disa trajnerë gjatë formimit tim, duke kaluar nëpër ekipet zinxhir të atëhershme, por ai me të cilin kam punuar më gjatë, e me ka nxitur më shumë se çdokush tjetër, ka qenë Adrian Gorenca, për të cilin kam jashtë mase respekt, ose respekt Xhigaloz siç do shprehej vetë Profesori. Kishte një pasion të jashtzakonshëm për volejbollin, një mjeshtër i till, me një humor të pashtershëm që e bente akoma më të këndshme atë periudhë stërvitje, duke gërshetuar seriozitetin me një dozë humori. Kam qenë lojtare e Klubit Sportiv Tirana dhe gjithashtu jam aktivizuar me Ekipin tonë kombëtar të të rejave e të rriturave. Një nga aktivitetet më të mëdha të karrierës sime në Shqipëri, kanë qenë lojrat e Mesdheut në Qershor te 1997 në Bari te Italisë. Atje ku dhe u spikata nga trajneri im i mëpasshëm Barry Goldberg.

Kur erdhët në Amerikë, dhe përse ?

Isha në vit të parë të Institutit të Kulturës Fizike Vojo Kushi, dhe stërvitesha me Tiranën. Jeta ime konsistonte në shkollë, sport, dhe cfarë ngelej me shoqërinë e familjen naatyrisht. Një ditë ndërsa bëhesha gati për stervitje, më telefonon një shoqje e ekipit, Edis Bonati, duke më pyetur nëse kisha ndonjë interes të luaja në Amerikë. Pa e menduar gjatë, i përgjigjem Po, pse jo?! Dakort, do të të telefonojn nga Amerika më tha, fol me ta. Brenda disa minutash bie telefoni, ishte Arben Gjino, arbitër i mirnjohur i volejbollit në Shqipëri, i cili tashmë jetonte në Washington DC dhe punonte për American University. Atje ishte lidhur me Barryn – i cili ishte trajneri i ekipit të Volejbollit tek American Universitey, dhe, po kërkonin lojtare të talentuara për të ndihmuar në ecurinë e ekipit. Pasi u prezantua në telefon, pyetja e parë ishte nëse dija Anglisht. Fatkeqsisht, unë pata studiuar Frengjisht në shkollë, gjë e cila përbënte problem për tu pranuar në shkollë dhe për të patur mbarvajtje në të. Keshtu që më përshëndeti dhe aty perfundoi biseda jonë. Pas 2-3 minutash merr sërish: Po nuk di fare Anglisht ti? Sa kam filluar nje kurs privat- i përgjigjem- por s’mund të them se di, përvec se “my name is” dhe “how are you”. Gjino, mëpastaj më kaloi Barryn, trajnerin, në telefon dhe biseda konsistoi në pyetje elementare te Barrit dhe “yes”, “no understand” nga ana ime. Me ç’mësova me pas, Edisi,shoqja e ekipit, pat çuar një video të një nga ndeshjeve tona, dhe trajneri pat treguar interes. Kështu që në Qershor të 1997, erdhi vetë të na shihte live në lojrat e Mesdheut në Bari të Italisë në vitin 1997.

Diçka rreth karjerës suaj në Volebollin amerikan ?

Pas disa refuzimesh nga Ambasada në dhënien e vizës, dhe disa muajsh punë nga American University për ti gjetur “anën”, më së fundi në Janar të 1998 arrita në Washingon DC me vizë studentore e bursë të plotë dhe u bëra pjesë e ekipit Eagles (Shqiponjat) Të thuash fillimi ishte i vështirë, është pak. Cfarë ma bënte më të vështirë, pervec largësisë nga familja, ishte mungesa e komunikimit, mangësia në gjuhë. Fatmirsisht, Edis Bonati, pat ardhur disa muaj përpara dhe prezenca e saj ishte nji farë ndihme, për komunikimin në veçanti. Erdha si studente e transferuar, dhe kështu që luajta në vetem 3 kampjonate, atë te vitit 1998, 1999 dhe 2000. Këto vite American University, ka qenë pjesë e CAA (Colonial Athletic Association), që është një nga konferencat e Divizionit të parë e përbërë nga Universitet e Rajonit të Lindjes nga Masacusets e deri në Karolinën e Jugut. Në vitin 1998 dhe 2000 kemi fituar kampjonatin e ligës sonë dhe jam shpallur lojtarja e vitit, përzgjedhur në ekipin e parë të CAA, Studentja dhe Sportistja e vitit në vitin 2000 për American University, 2 herë jam përzgjedhur nga Shoqata e trajnerëve të Volejbollit Amerikan si All-American (ndër më te mirat për tërë Amerikën). Jam shpallur disa herë MVP (Most valuable Player) në turne të ndryshme, dhe më e fundit ne 2009 u përzgjodha në Ekipin e Argjendtë të CAA në celebrimet për 25 vjetorin e saj. Në vitin 1999, nuk luajta sezonin e plot, vetëm gjysmën pas një ndërhyrjeje që pata në kavilje.

A ka ndryshim volejbolli amerikan me atë në vendin tuaj, ashtu si futbolli bie fjala?

Në Shqipëri volejbolli është profesional, dhe atje kompensohesh për të luajtur, paguhesh. Ndërsa këtu, mund të luash vetëm kur je në universitet, kundrejt një burse, nëse e meriton. Flasim për volejbollin që luhet brenda, jo atë në plazh. Ndryshim tjetër është mënyra e organizimit. Në Shqipëri kaloje nëpër ekipe zinxhir që i kushtonin më tepër kohë anës teknike të volejbollit. Ndërsa këtu kur je në universitet ke pak kohë te merresh me teknikën se fillon direkt aktiviteti dhe koha është e ngjeshur. Kështu qe i kushtohet më tepër vëmendje përgatitjes fizike dhe taktikës së lojës. Këtu i kushtojnë vëmendje të veçantë dhe ndërtimit të karakterit, për të fituar besimin ndaj vetes.

Besojë se gjatë aktvizimit tuaj ne Ligën e Parë të Voljebollit në SHBA, keni luajtur edhe me vajza të tjera shqiptare, cili është mendimi i juaj ? 

Shumë lojtare cilësore, bashkmoshatare të miat, por dhe me mbrapa e kanë përfaqsuar denjësisht volejbollin Shqiptar këtu në Amerikë me fitoret që kane korrur, apo titujt që kanë fituar. Kjo shpjegon dhe rekrutimin e herë pas hershëm të lojtareve nga Shqipëria. Mund të permend Edis Bonati, Eneida Muzhaqi, Rubena Sukaj që kanë luajtur për American University dhe pjestarja më e re e tij Megi Dervishi. Këto janë vajzat që kan luajtur vetëm tek American Universiteti. Ndër te tjera mund të permend Alma Kovaci, Enkeleda Shkoza, Enkeleja Katiraj, Alma Qose, Arjola Prenga që kanë qenë dhe perfaqsuese të ekipit tonë kombëtar ndër vite. Shpresoj ti kem permendur të tëra vajzat, të cilat i njoh personalisht dhe me të cilat kemi ndarë eksperiencën këtu në Amerikë.

Oferta e një burse për të luajtur këtu, mendoj se është një rast për tu shfrytëzuar. Natyrisht në bazë të qëllimeve që ka gjithkush në jetë. Kemi patur raste gjatë rekrutimit, kur isha trajnere, që ishte më i rëndësishëm shpërblimi monetar sesa shkollimi dhe volejbolli në Amerikë, sikundër ka dhe nga ato vajza që kanë ngulmuar fort për të ardhur, e kanë parë si një mundësi për të shfrytëzuar. Amerika të ofron mundësi pa fund nëse je i zoti. Personalisht, do t’ja rekomandoja vajzave që ju jepet një mundësi e tille.

Cilat janë  momentet më të bukura si lojtare dhe trajnere ?

Jam e apasionuar pas volejbollit dhe kjo më shtyu që të bëja dhe trajneren për 2 vjet po tek American University. U bëra zëvendës trajnerja e Barry Goldberg 10 vjet pasi kisha mbaruar shkollën. Vija në një ekip me tradita, të përgatitur mirë, falë punës së palodhshme të Barryt. Dhe të dyja ato vite, 2010, 2011 u shpallëm kampione të Patriot League. Ishte kënaqesi e papërshkruar të punoje me këto vajza të reja, të asistoje në formimin e tyre, qoftë si lojtare po ashtu dhe si karaktere, dhe t’i shihje tek kurorëzoheshin, në fund të kampjonatit, me frytet e punës se tyre te palodhshme e sistematike. Unë vjet u shkëputa dhe leviza këtu në New York, por vazhdoj t’i ndjek, sepse, akoma është “ekipi im” dhe janë vajza të cilat i kam stërvituar ose rekrutuar vetë. Këtë vit dolën shkëlqyeshem. Jam shumë krenare për fitoret që korrën dhe vëndin që arritën në kampionatin Amerikan.

Janë të forta dhe të ndryshme emocionet e provuara si trajnere nga ato si lojtare. Kur je në fushë, dhe luan vetë, ke jo pak presion, por je aktive, e ke vet në dorë rezultatin. Ndërsa, kur je në stol duke ndjekur ekipin, tashmë e ke kryer punën, s’të ngelet shumë, përveçse ndonjë këshillë taktike apo teknike. Çastet më emocionuese, kan qenë ato të fitores së kampjonatit, ku është pasqyryuar puna e tërë vitit. Emocionet rriten dhe kur je në pozita jo të të favorshme gjatë ndeshjes, por që ja del mbanë gjithsesi.

Si lojtare ndër momentet më të bukura mund të veçoj pjesmarrjen ne lojrat e Mesdheut në 1997. Ishte një eksperiencë e re për mua, një ceremoni hapje madhështore, një fjalim i mbajtur nga Presidenti i Italisë Scalfaro, në një stadium të mbushur plot, e një publik që na uronte mirseardhjen me shumë entuziazëm. Parakaluam me kokën lart me flamurin Shqiptar që na printe, po ashtu dhe 21 kombet e tjera pjesëmarrëse.

Emocionet më të bukura janë në fushën e “betejës” kur shënon atë pikën e fundit të lojës apo kampjonatit. Po ashtu dhe rastet kur të vlerësohet puna e të nderojnë me çmime, ka emocionet e veta.

Ajola çfarë mendon ju për talentet shqiptare në volejboll këtu në SHBA ? a kemi të tilla dhe si duhet punuar për të zbuluar talentet tona…për ekipin tonë kombëtar pra të veshin fanelën kuqezi!

Për sa i perket talenteve të reja, që rritën këtu në SHBA, pak a shumë ato do të ndjekin modelin Amerikan. Të luajnë në ndonjë klub kundrejt një pagese dhe aktivizohen 3 herë në javë me të. Dhe nëse duan të luajnë ne Universitet, ju duhet t’i përkushtohen. Për ecurinë e tyre, dhe mënyrën se si funksionon këtu, ju bie barra përsipër vetë lojtareve, që të gjejnë klube më prestigjoze që i ofrojnë një përgatije të mirë dhe rrjedhimisht dhe  ecurinë e mëtejshme drejt luajtjes në Universitet, dhe fitimit të një burse, që nuk është e pakët. Dhe më pasë natyrisht si futbollistja e kombëtares së femrave Velaj – ato mund të luajnë edhe për kombëtaren e Shqipërisë

Si e vlersoni ju jetën kulturore e sportive të femrës shqiptare ne Amerikë ?

Eshtë pak e vështirë që ta shoh nga pikpamja e femrës “Shqiptare”, për faktin se jam shkëputur shumë herët nga Shqipëria. Por, mund të them se jeta me sportin është gjithnjë e larmishme. Udhëton nëpër vende të ndryshme, njihesh me kultura e njerëz te ndyshëm. Përvec kësaj ka dhe një sërë angazhimesh dhe aktivitetesh si për zgjerimin e horizontit për sportistët, po ashtu dhe në shërbim të komunitetit. Ka një ndërthurje të sportit me jetën shoqerore. Ushqehet ndjenja e të dhënit mbrapsht në komunitet, prandaj dhe organizohen aktivitete të ndryshme, ku njihen dhe vlersohen sportistët për kontributet e tyre dhe ndajnë eksperiencën me gjeneratën e re. Me një fjale, jeta kulturore nuk ngelet pas asaj sportive. Natyrisht, që kjo ka të bëjë dhe me mbështetjen që gëzon sporti përkatës nga Universiteti, dhe iniciativat e trajnerit vetë. Një gjë është e sigurtë që sportistët gëzojnë një admirim të veçantë këtu në Amerikë. !

A kishit ndonjë urim me rastin e Vitit të Ri 2014?

Jeta në emigrim nuk është e lehtë, prandaj dhe duhet te afrohemi disi më tepër dhe të ndërtojmë një komunitet të fortë, ku të mbështesim e përkrahim njëri tjetrin. Të ruajmë traditat tona te bukura por dhe të mbajmë mendje te hapur për ato të të tjerëve. Uroj gjithë bashkatdhetarët një vit të begatë! Të puojnë me kurajo dhe të mbajnë një zemër të hapur. Uroj të dëgjojmë sa më shumë histori suksesi në komunitetin tonë këtë vit.

Intervistoi: Beqir Sina/New York

 

Filed Under: Interviste, Sport Tagged With: Ajola Berisha, ne Amerike, shkolla e volejbollit, shqiptar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT