Kush është GFI Albania që kontrollon monopolin e markimit të naftës?/
Prokuroria shqiptare po bashkëpunon me institucionet e tjera në lidhje me informacionet që vjinë nga mediat botërore që edhe segmente të jetës shqiptare që janë të përfshirë në çështjet e shfrytëzimit apo shpërdorimit për qëllime të pasurimit të paligjshëm në parajsat fiskale, informon zyrtarisht organi hetimor.
Bashkëpunimi me institucionet e tjera ligjzbatuese konsiston në qartësimin e situatës mbi përfshirjen e mundshme në çështjen “Panama Papers” të kompanive ose shtetasve shqiptarë apo të huaj që operojnë në tregun financiar shqiptar”.
Deri tani mes 11 milionë dokumenteve të zbuluara nga “dosja Panama” janë 2 kompani nga Shqipëria, 3 përfitues dhe 22 aksionerë.Publike është bërë vetëm emri kompanisë që ka marrë markimin e naftës në Shqipëri, GFI.
“Panama Papers” – Skandali i parajsës fiskale, GFI Albania, kompania shqiptare që fshehu pasurinë/
GFI Technologies është një nga kompanitë shqiptare që figuron në megaskandalin e publikuar nga mediat ndërkomëbtare, ku liderë shtetesh, biznesmenë, sportitë dhe artistë kanë shmangur taksat dhe kanë pastruar para nëpërmjet firmës juridike panameze Mossack Fonseca.Kompania është regjistruar në Karaibe në ishullin Anguilla në maj të 2013 me qëllim investimin në sipërmarrjet shqiptare të teknologjisë së lartë.
Sipas të dhënave shqiptari Ismail Mulati (në media përflitet si Ismail Mulleti), një avokat izraelit Assaf Halkin dhe një firmë kanadeze me emrin Global Fluids International janë pronarë të kompanisë.
GFI Albania, kompani e specializuar në shënimin dhe monitorimin e hidrokarbureve, ndali punën e saj në Shqipëri më 10 dhjetor të 2015 për shkak të dështimit të autoritetit kontraktues në këtë rast Ministria e Financave për të përmbushur detyrimet e tyre kontraktuale.
Gjithsesi Halkin në raport është i lidhur ngushtë me një tjetër avokat të profilit të lartë në Izrael me emrin Dov Weisglass, i cili ka qenë edhe shefi i zyrës së kryeministrit Ariel Sharon.
Assaf Halkin rezulton partneri i tij në biznes, dhe së bashku kanë regjistruar katër kompani nëpërmjet kompanisë ligjore panameze.
Weisglass ishte pronar i vetëm një prej këtyre kompanive, Talaville Global, e cila është regjistruar në Ishujt e Virgjër Britanikë në maj të vitit 2012. Qëllimi i deklaruar i kësaj kompanie , sipas formularit të regjistrimit të kompanisë, është promovimi i marrëveshjeve të pasurive të patundshme në Evropën Lindore.
Shtatë muaj më vonë, të gjithë aksionet e Talaville global ishin lënë si kolateral për një kredi në banken Raiffeisen me qendër në Vjenë. Në përgjigje të një hetimi nga agjensia e lajmeve izraelite Haaretz,Weisglass dhe Halkin shpjeguan se kompania ishte regjistruar me qëllim marrjen e një kredie nga banka për të investuar në pronat evropiane.
Ata shtuan se veprimtaria e kompanisë është raportuar në organet tatimore në Izrael dhe taksat e kërkuara nga ky shtet janë paguar. Në megaskanalin që ka tronditur të gjithë botën, vendi ynë bën pjesë me 2 kompani, tre përfitues dhe 22 aksionerë.
Kush është GFI Albania që kontrollon monopolin e markimit të naftës?/
Kompania që ka marrë markimin e naftës në Shqipëri është një bashkim i përkohshëm i shoqërive “Global Fluids International” dhe “Petroleum Consulting Partners” A.G. Bashkimi i Kompanive u bë më 7 dhjetor të vitit 2010 dhe synimi ishte marrja e koncesionit.Disa muaj më vonë, pra më 24 gusht, Këshilli i Ministrave i dha lejen kompanisë për kryerjen e shërbimit të markimit dhe monitorimit të karburanteve në Republikën e Shqipërisë, teksa autoriteti kontraktues ishte Ministria e Financave.
Kompania mori në atë kohë bonus 6% të pikëve për rezultatin, teknik e financiar, në procedurën konkurruese përzgjedhëse (propozim i pa-kërkuar), i shoqërisë “Global Fluids International”, SA (GFI), për dhënien me koncesion të këtij shërbimi.
Megjithatë, kontrata përfundimtare nga qeveria shqiptare u miratua më 13 mars të vitit 2013. Marrëveshja u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Shoqata e Shoqërive te Hidrokarbureve, kërkesë e cila u hodh poshtë.
Në një raport të mëvonshëm, Autoriteti i Konkurrencës bënte me dije se për nënshkrimin e marrëveshjes së koncesionit nuk ishte marrë më parë opinioni i këtij institucioni.
GFI Albania do të merrte në fakt eksluzivitetin e markimit të karburanteve, çka do të thotë se në vend nuk do të vepronte asnjë kompani tjetër dhe rasti ishte monopol i pastër.
Në vendimin e vet nr. 359, datë 04.05.2015, Autoriteti i Konkurrencës vendosi që t’i rekomandonte kompanisë zbatimin me përpikëri të marrëveshjen si dhe “brenda një kohe të përshtatshme të realizojë analizën e plotë ex-post të rezultateve gjatë fazës së parë të monitorimit deri në fund të vitit 2014”.
GFI Albania është themeluar si kompani koncesionare për të zbatuar projektin kombëtar të Markimit të karburanteve dhe të Naftës Bruto, projekt në të cilin do të punësohen rreth 100 punonjës.
Teknologjia e projektit është e bazuar në sistemin Petromark, të zhvilluar nga Global Fluids International (GFI Petromark), një nga kompanitë lider në botë në sistemet e markimit të hidrokarbureve.
Petromark është një sistem markimi dhe identifikimi modern, i sofistikuar dhe plotësisht i integruar. Kompania ndërkombëtare GFI Petromark është krijuar në vitin 2001 dhe është e tëra në pronësi të Eurocontrol Technics Group Inc, një kompani kanadeze e regjistruar në bursën e Sipërmarrjeve në Toronto.
Në faqen e saj në internet, kompania shqiptare nuk bën me dije kush është pronari/ët e saj, por vetëm administratorët. Një prej këtyre administratorëve është nga Izraeli, gjeneral në pension i forcave speciale. Uzyel Ben Itzhak, i cili është gjithashtu një nga themeluesit e kompanisë Global Fluids International në vitin 2001 dhe Administrator i GFI Albania.