• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SKËNDERBEU, KY KOLOS I TË GJITHA KOHËRAVE

July 30, 2013 by dgreca

Nga Marjana Zeneli Bulku/

 Skënderbeu…ky kolos i të gjitha kohërave rishfaqet në ditët tona të mira si krenari kombëtare,por edhe në ditët tona enigmatike si shpresë, si modeli i nje lideri që sfidoi kundërshtarin jo vetëm me forcë,por edhe me strategji. Është pikërisht kjo ndjesi që lind dhe rilind tek une, kur historikisht shqiptarët bien dakort se vepra është ajo që lartëson heronjtë.Kur shqiptaret unanimisht pranojne se Ai është nje monument që ka vend te vecantë në historinë tonë të vjetër dhe të re,kur bota ,ky lëmsh i stërmadh përballe kontributesh të tilla heronjsh duket kaq e”vogël”,kur sheshe dhe muze botërore mbajne bustin e tij, shpatë,përkrenare ,,,vlera e Tij ridimensionohet duke na kultivuar krenarinë.

Nuk ka shqiptar nga ai me i vogli ne moshe e deri tek me i largëti në vendndodhje( të shpërndarë anembanëglobit ), që të mos njohë Heroin e madh që kombit të vogël i bëri emër duke kapërcyer kufinjtë që politika i caktonte shqiptarit duke ia bërë jetën si burg shekullor.

Dhe nuk është rastësi që folklori shqiptar ka vend të vecante për Heroin tonë kombëtar me vargjet legjendare dhe historike ka gdhendur përmasat e para të përmendores historike (ndoshta të vetmes) përballe të cilës shqiptarët unanimisht thonë :Faleminderit!

Kohët e vështira kërkojne Heronj të mëdhenj,prodhojnë heronj të mëdhenj që sfidave u përgjigjen me largpamësi e guxim për tu bërë më pas shembuj përjetësie!

Ky mendim më përshkon kur në bibliotekën e madhe shqip numëroj autorët që e shndërruan në Personazh Gjergj Kastriot Skënderbeun, që nga Barleti pothuaj bashkëkohës, deri tek N.Frashëri,Noli, Godo,K.Frashëri,,,dhe padyshim ky varg krijuesish është mjaft i gjatë, infinitivisht …

Ky mendim më përshkonte kur nxënësve shqiptarë u kërkoja të shkruanin për Laokoontin, Trojën, për Makbethin, Hamletin,etj…dhe përmasën e Heroit në ditët e sotme e konfiguronin me atë të një përmendoreje me ose pa kalë. Dhe në mendjen time ka një diskutim që nuk u shtrua kurrë me ta, për dhjetra arsye,por vetëm një dëshirë: Si ta gdhendim përmendoren e Lirisë dhe krenarisë duke e lexuar historinë me të gjitha dritëhijet e pa ptur frikë nga disidenca?! Një kënd botimesh për heroin, shkrime dhe esse për të, piktura e skica,inskenime, kërkime e reflektime ,debate dhe mendime ndryshe dhe kështu ”e sjellim heroin ”ne klasë,në shkollë,në muze,në librari në media…

Dikur tek Vatra këtu në SHBA në një promovim pata fatin të dëgjoj vargje kushtuar Skënderbeut ,të mrekullueshme si në konceptim, përkthim ,interpretim, por cfarë dua të vecoj është pikërisht fakti se autor i këtyre vargjeve ishte një amerikan(Ch.T. Erickson) që e donte dhe respektonte Shqipërine dhe shqipëtarët edhe falë heroit tonë kombëtar. Ja si shkruante ai ndër të tjera :

I flake tej nderet imperiale

dhe lavdinë ndër vite fituar

të mbroje folenë ë mëndit tënd trazuar,

si shqipe-shqipëtare gjoks zbuluar,

prej morisë së pafund të shigjetave i sulmuar. etj, etj.

Vargje që rrëfejnë historinë, dhe që dëshmojnë se për shumëkënd rruga për të njohur një popull kalon detyrimisht nga historia dhe ajo në asnje cast nuk duhet flakur e sulmuar,por duhet mbrojtur dhe ruajtur,për tu trashëguar e pasur ,e plotë.

Ndaj jo rastësisht m’u duk sikur pashë një tjetër përmendore fjale, gdhendur jo nga nje bashkëkombas,por një i huaj që njeh dhe don shqiptarët MIK i madh i tyre,mburojë sulmesh e goditjesh fqinjësh , një përmendore historike, që rrëfen hisorinë tonë, diku edhe në Amerikën e largët.

Kjo është vetëm jehona që shkakton historia,kur ajo shkruhet me vepra madhështore, nga njerëz që e duan vendin e tyre ,kjo është vetëm zanafilla nga ku nis studimi dhe rrëfimi për Shqipërinë dhe për shqiptarët,pikërisht aty ku lind krenaria kombëtare,,,historia e ka shtratin të sigurt dhe heronjtë parakalojnë me veprën që meriton memorie dhe nderim.

Nëpër histori nuk takon vetëm heronj, por edhe episodikë,enigmatikë, frikacakë,kolosë,endacake,,,,le ti gjykojmë ata mbi veprat,produktet dhe gjithcka shkakton trashëgimnia e tyre viteve që lartësojnë të mëdhenjtë ,bën të paharrueshëm KOLOSËT!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Bulku, ky hero, Marjana Zeneli, Skenderbeu

Gjergj Kastrioti lindi në djepin e bekuar të kombit

May 7, 2013 by dgreca

6 maj është dite e madhe e kombit shqiptar ,sepse ne djepin e saj po ne këtë dite ka lindur heroi, strategu dhe lideri i te gjitha kohërave i kombit shqiptar, Gjergj Kastrioti./
Nga Gjon KEKA/
Karakteri kombëtar i një populli është rezultati i përgjithshëm i aspiratave ,idealeve dhe praktikave që përbëjnë burimin e njëjtë dhe lëvizjet e mbikohshme. Ajo është e bazuar nga shkaqe të ndryshme, dhe natyra gjeografike e vendit, dhe posaçërisht jo më pak se veçoria e fisit dhe rrjedhën e ngjarjeve historike, të cilat kanë të ndikuara fuqishëm në rrjedhën e historisë dhe personalitet e liderët të cilët kanë lënë gjurmë si mjeshtër të mëdhenj të urtë dhe vizionar. Është fat i madh për një komb të përkund në djepin e saj bij të mëdhenj të virtytshëm dhe të rritët për ta drejtuar kombin e tij në vizionin e paraardhësve. Kështu edhe lindja e Gjergj Kastriotit i cili lindi në zemrën e kombit për të treguar kështu më pas dashurinë e madhe dhe vetsakrificën e tij heroike si dhe të lidershipit të shtetit të Arbrit pas kthimit të tij në atdheun atëror, pas marrjes penga nga barbarët turq.
Lindja e Gjergj Kastriotit më 6 maj 1405 përbën lindjen e një drite të fuqishme për tërë kombin shqiptar europian, lindjen e shpëtimtarit të kombit shqiptar, lindja e tij përbën faktin e madh të historisë së kombit shqiptar ,sepse i jep një kuptim heroik kombit dhe një frymë të pavdekësisë së vlerave shpirtërore e kombëtare të kombit shqiptar.
Me lindjen e tij lindi edhe periudha më e lavdishme e cila lirisht mund të quhet si periudha e “Kastriotëve të shenjët të Arbrit”, sepse ai riktheu frymën e gjallë dhe të fuqishme të kombit, ai vendosi themelet e fuqishme të shtetit të Arbrit i cili shtet kishte marrëdhënie diplomatike të lakmueshme dhe se po ky shtet ishte bërë edhe reference se si duhet të udhëhiqet ai sidomos nga princat dhe mbretër europian.
Gjergj Kastrioti është shembull i mbikohshëm i një politikani ,strategu dhe lidershipi sepse ishte pikërisht ai që posa zbriti në tokën e atësisë së tij në nëntorin e 1443 lidhi kontratën me popullin e tij, me fiset e tij më të gjithë duke i bërë kështu së bashku ai mbolli farën e unitetit të gjallë e shpirtit të besimit të përbashkët dhe të krenarisë në paraardhësit dhe rrënjët e lashta të kombit shqiptar europian.
Me lindjen e Gjergj Kastrioti lindi po ashtu për kombin shqiptar mjeshtëri i madh ,sepse posedonte urtësi dhe mjete të zgjuara politikë në qëndrimin e tij të drejtë dhe të palëkundur. A i është mjeshtër i madh sepse vendosi pikat thelbësore të qeverisjes së mirë dhe efikase të shtetit të Arbrit dhe e bëri atë të rrezatoj mbi qiellin e përgjithshëm të familjes europiane.
Pavarësisht rrethanave dhe luftës së pabarabartë si dhe mungesës së përkrahjes nga kombet tjera dhe princat e liderët europian ai vetë si një stuhi e madhe e kohës së tij i dhe një rëndësi të madhe epokës në të cilën fryma dhe trupi i tij luftuan kundër të keqes së ideologjisë sulltaniste si të brendshme ashtu edhe të jashtme.
Periudha e Kastriotit nuk është periudhë e thjeshtë në historinë e kombit shqiptar ,ajo është periudha burimore, periudha e zemrës së historisë së kombit shqiptar europian. Pa këtë periudhë në nuk mund ta kuptojmë lidhjen e fuqishme dhe rrjedhën e shpirtit dhe gjurmëve të paraardhësve të kombit shqiptar europian. Pra pikërisht jeta dhe shpirti i liderit dhe strategut e heroit të kombit shqiptar Gjergj Kastrioti është vula e së vërtetës së brendshme të kombit, dritë qartësia e plotë e burimit të shpirtit rrënjësor të kombit të lashtë dhe historisë së tij,tek ai ne shohim aktin historik sublim dhe të përsosur ,tek ai ne shohim kohën e tij të madhe ,kohën e shenjtë të kombit shqiptar dhe historisë së tij.
Kombi ynë fatmirësisht dhe në mënyrë si për nga hiri ashtu edhe për nga shpirti i tij rrënjësor e ka të lidhur fatin në mënyrë të pashmangshme me shpirtin e Gjergj Kastriotit dhe familjes së shenjët të Kastriotëve si dhe të jetës e periudhës së tyre të lavdishme në historinë e kombit shqiptar europian.
Ndërkaq në kuadër të kësaj më duhet të nënvizoj një gjë këtu se më “18 Dhjetor 1442 ai kishte parë një vegim se si dora e tij e djathtë po i mblidhet të gjitha fiset rreth vetes dhe një zë që i thërriste sipas urdhrit të kombit” ,ky urdhër nuk ishte urdhër i përkohshëm po i përjetshëm urdhri i ringjalljes dhe i kurorës së shtetit të Arbrit dhe tërë kombit shqiptar.
Jeta e tij e virtytshme, heroike, e besnikërisë ndaj rrënjëve si dhe suksesi i të madh i tij politik, ushtarak dhe në qeverisjen e Shtetit të Arbrit u panë se si ai pati sukses në Krujë në Lezhë dhe në të gjitha vendet ku ai zotëronte ,punonte fuqishëm në shërbim të Arbrit duke treguar një provë të madhe të kohës, shpirtërore dhe materiale atë të hirit të kombit si favor i madh i historisë së tij.
Prandaj me fjalë të tjera 6 maj është dite e madhe e kombit shqiptar ,sepse ne djepin e saj po ne këtë dite ka lindur heroi, strategu dhe lideri i te gjitha kohërave i kombit shqiptar, Gjergj Kastrioti. Kombi ynë mbanë bekimin e madhe ne këtë njeri sepse ishte i vetmi qe ruajti dhe eci rrugës se paraardhësve dhe ishte po ashtu i vetmi qe ringjalli shpirtin arbëror pas kthimit te tij ne nëntorin e 1443.
Po ashtu do të ishte e udhës sikur kombi shqiptar ta shpallte këtë ditë si ditën e gëzimit kombëtar dhe hirit të madh të tij pastaj si ditë të dritës së shpëtimit dhe ruajtjes së qenies së lashtë dhe të mbrojtjes së tërë familjes europiane.

Filed Under: Opinion Tagged With: Gjergj Kastrioti, Gjon kreka, Skenderbeu

KALENDAR HISTORIK- PERKUJTOJME KRYHEROIN E ARBERIT

January 16, 2013 by dgreca

545 vjetë MA PARË, VDIQ GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU/

Nga Fritz RADOVANI/

Shqiptarët nga i madhi Gjergj Kastrioti Skenderbeu, trashiguen Emnin Shqiptar, po edhe Flamurin me Shqiponjen dykrenare dhe identitetin e vet si Shtet Europjan. Ishte shpata dhe ajo perkrenare që perjetsuen në Trojet Ilire emnin Shqiptar. Ishin Shqiptarët që pa iu tutë syni nuk kanë kursye gjakun e vet, me shkrue Epopenë e Pavdekshme të Gjergj Kastriotit Skenderbeut…

          Janë edhe sot gurët e Kështjellave heroike Shqiptare të daltuem me tehun e shpatave të Atyne Burrave, që per Lirinë e Atdheut, vdiqën si me lé per Idealin e naltë: “Atdhé e Fé”!

Janë mburojet e pathyeshme ku u perplasen luftat ma të rrebta e ma mizore që ka njohë historia, per me thye dhe me mposhtë Trimin e pashoq të Kështjellës së Krujës sonë Heroike.

Janë Trojet tona të njomuna me gjakun e Atdhetarëve, të pathame edhe sot!

Janë gurrat e lumejëve dhe të prrojeve, e janë edhe shpellat e errta të maleve tona ku edhe sot gurgullojnë vijat e pashterrshme të Gjakut të Shqiptarëve, e prap sot, nuk thirren “kufijë” të Shqipnisë së Gjergj Kastriotit! Janë shtatoret e Trimit të Krujës, të ngrituna nder Shtetet ma të njohuna të globit, e prap ka nga tradhëtarët tanë që kerkojnë me e mohue e ndryshue historinë!

Janë pasuesit e Atij Burri që me shpaten e vet, i tha otomanëve: “Ndal…e jo, ma ndej!”, dhe, po prap… mbi gjurmët e Tij, Shqiptarët vazhduen luften per mbrojtjen e Lirisë së trojeve tona, e kur ua kerkoi Atdheu per Até dhane edhe jeten. E ku janë Varret e Tyne të bekueme!?

Ku janë Emnat e bashkluftarëve të asaj historie Shqiptare plot lavdi e dafina?!

Jo bré, kështu! Të mos e shuejmë Gjakun e Tyne me “harresë”, apo me një “vrasje” të dytë edhe ma mizore se e para! Per ké dha jeten Gjergj Kastrioti?! Per ké dha jeten Dedë Gjo’ Luli?!…Per ké dha jeten Shqiptari i Hotit, Grudës, Dardanisë, Maqedonisë, Çamërisë, Vorio Epirit..?! E Shteti Shqiptar, prej kujt mori jetë?! – Askush nuk di me tregue! Per ké dha jeten Prekë Cali!? Per ké dha jeten Trimi i Hotit Gjelosh Luli?! E Zalli i Kirit pranë Rrëmajit “heshtë” ku endè, gurtë e tij janë të skuqun…nga një Gjak i freskët dhe i paster i derdhun në mengjesin e një epoke gjakatare, të ardhun naten per hanë e groposë nga sherbëtorët e sllavokomunizmit, gjithnjë të etshëm dhe t’uritun si ujqit e para pesëqindvjetëve, që erdhën nga pyjet e Kaukazit…

Ku janë bré, trojet e harrueme të Atyne Trimave që në vitin 1911 trandën Stambollin, e sot Emnat e Tyne nuk i gjenë as nder librat e shkollave fillore?! Kush mundet me mohue Emnat e Atdhetarëve tanë që gati mbas 500 vjetësh, i thanë turqëve e malazezëve “shporruni këndej” në Hot dhe në Memorandumin e Gerçës, e sot këta Emna nuk permenden fare tue fillue nga Ded Gjon Luli i Traboinit të Hotit, Palok Traboini, Sokol Baci i Grudës,  Dedë Nika Bajraktar i Grudës, Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit, Col Dedi i Selcës Këlmendit, Tomë Nika i Shkrelit, Lul Rrapuka i Vuklit të Këlmendit, Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit, Gjeto Marku i Hotit, Martin Preka i Shkrelit, Mehmet Shpendi, i pari i Djelmënisë së Shalës, Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi Toplanas, Bash Bajrami, Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia. (Marrë nga Revista L.E.K.A. 1937).

Mohohen veprat e Don Nikollë Kaçorrit, Luigj Gurakuqit, Avni Rrustemit, Bajram Currit e të sa e sa Herojë dhe Heroinave Shqiptare, që nderuen me veprat e veta emnin e Kastriotit…

***

Me daten 17 Janar 1468, Gjergj Kastrioti vdiq në Lezhë. Mendohet se asht varrosë në Kishen Katedrale të Shen Kollit, që ishte ma e madhja e atij vend e rindertueme prej Tij.

Besniku i Tij Imzot Pal Engjëlli, nga historianët tregohet se ndodhej në Romë, ku me të mërrijtun lajmi i vdekjes së Prijsit të Arbënisë atje,  Gjergj Kastriotit, u nis për Shqipni… “per me marrë nga e veja dhe i biri i Skenderbeut të drejten e mbrojtjes, me garnizone venedikase, të Krujes dhe të kështjellave të tjera.” (Fan. S. Noli, “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” fq. 148)

Ma vonë iku dhe e veja Donika e Gjoni, në mbretninë e Napolit mos me u kthye ma!

Në vitin 1478, “dhjetë vjet më vonë, kur pushtuan Lezhen, turqit hapën dhe varrin e tij, që të merrnin copëra të kockave të tija, si hajmali…” (F.S.Noli, po aty, fq. 148)

Sebeliku na informon se “valle vajzash shqiptare, midis buçitjes së betejës dhe zhurmës së armëve barbare, mblidheshin rregullisht çdo tetë ditë mbi kështjellat, ku kishte mbretëruar Skenderbeu, për t’i kënduar hymne Herojt të tyre të vdekur.” (F.S.Noli, fq. 149)

***

Iku Imzot Pal Engjëlli, iku e veja Donika dhe i biri Gjon Kastrioti, ikën gjeneralë, klerikë e laikë nga Arbënia, ikën e vazhdojnë me ikë… Kam lexue dhe jam interesue edhe per shkrime që nuk njihen endè në Shqipni, të dijetarëve dhe shkencëtarëve Fan S. Noli, At Athanas Gegaj, At Marin Sirdani, Milan Shufflay, At Zef Valentini S.J., At Gjergj Fishta, At Justin Rrota, At Daniel Gjeçaj, Prof. Zef Mirdita, Prof. Aurel Plasari e deri tek At Konrrad Gjolaj, dhe nuk kam mujtë me gjetë të shkrueme: “Tue dijtë të gjithë çka kam permendë ma siper se kur turqit do të pushtonin Lezhen, puna e parë e tyne do t’ ishte me shkatrrue kulm e themel Kishen Katedrale të Shen Kollit, si asht e mujtun që askush nuk shpjegon se çka u mendue dhe si asht veprue me Eshtnat e Heroit tonë Gjergj Kastrioti, per mos me i lanë me u dhunue nga turqit?!”

E prap…vazhdoj me mendue!

Emni i Gjergj Kastriotit asht Emni ma i shejtë dhe ma i bekuemi per çdo Shqiptar!

Ai vazhdon me kenë i gjallë edhe sot në boten e perjetëshme t’ Atdheut të vet, në boten e pavdekshme të Shpirtit Atdhetar Shqiptar.

 

Melbourne, 6 Janar 2013.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, Gjergj Kastrioti, perkujtojme kryeheroin, Skenderbeu

AK I KERKON PRESIDENTIT HEQJEN E URDHERIT “SKENDERBEU” JANULLATOSIT

December 18, 2012 by dgreca

100 Vjetori i Pavarësisë shënoi pa asnjë mëdyshje një nga ditët më të bekuara në historinë e popullit shqiptarë. I madh e i vogël në Shqipëri, në të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarë si dhe shqiptarët e diasporës tonë kudo në botë, kremtuan të gëzuar e të mallëngjyer përvjetorin e lavdishëm të pavarësisë së Shqipërisë.

Në këtë 100 vjetor, do të ishte shumë e udhës të ishin dekoruar figura të shquara patriotike të cilat dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, duke ndalur përkohësisht vlerësimet e njerëzve nga fusha të tjera si ato të shkencës, sportit, artit e kulturës. Konstatojmë me keqardhje se janë mënjanuar dhe sigurisht harruar jo pa qëllim, klerikë të lartë të besimit ortodoks, veprimtarë të palodhur të Kishës Autoqefale Shqiptare.

U harruan ata që u përleshën me hierarkët më të lartë të Kishës greke, vetëm për të mbajtur të gjallë e të pavarur Kishën Autoqefale Shqiptare. Askush nuk u kujtua nga administrata e lartë, nga institucionet e kulturës në Shqipëri, aq më pak nga Kisha aktuale pseudo-autoqefale të nderojë ata që themeluan Kishën Ortodokse Shqiptare.

Nuk u kujtua njeri në këtë 100 vjetor për Fan Nolin, Visarion Xhuvanin, Papakristo Negovanin, Kristofor Kisin e sa, e sa të tjerë që ishin jo vetëm klerikë të shquar të besimit ortodoks në Shqipëri, por patriotë e luftëtarë të çështjes kombëtare shqiptare.

Duke parë e krahasuar se çfarë kanë bërë drejtuesit aktuale të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë e sidomos këto vitet e fundit, na vijnë nder mend ngjarjet e turpshme të ndodhura në Këlcyrë, Bularat, Himarë, Boboshticë, Kosinë e të tjerë. Në të gjitha këto ngjarje për fat të keq, ka qenë e dukshme edhe dora e drejtuesve grekë të Kishës aktuale Autoqefale të Shqipërisë. Me politikën që kanë ndjekur liderët e saj, lehtësisht bie në sy, mbështetja që ato i kanë dhënë politikës së shtetit grek si dhe pretendimeve të tij territoriale ndaj Shqipërisë.

Natyrisht, rolin kryesor në këtë aktivitet antishqiptar e ka luajtur Anastas Janullatosi, lideri uzurpator i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Për dy dekada me radhë, ai punoi për interesat e Greqisë, duke vazhduar me besnikëri rrugën e Kozma Etolianit, i cili më shumë se 100 vjet më parë i kushtoi jetën e vet helenizimit të Epirit, hapjes së shkollave dhe kishave greke në territore të mbushura historikisht me shqiptarë.

Si për ironi të fatit ardhja e këtij njeriu në krye të Kishës sonë u bë në kundërshtim të hapur me interesat e Shqipërisë e të besimtarëve ortodokse shqiptare. U veprua haptas në kundërshtim me statuset e hartuara në Kongresin e Beratit të vitit 1922 si dhe në Kongresin e Korçës të vitit 1929. Si për çudi u harrua vendimi i Patriarkanës së Stambollit i marrë në vitin 1936, ku shprehimisht thuhet se “Çdo komb ka të drejtë të ketë kishën e tij të pavarur dhe Kryepeshkopin e racës së vet”.

Të gjitha këto na çojnë në konkluzionin se ka ardhur koha t’i themi besimtarëve ortodoksë të Shqipërisë brenda dhe jashtë territorit ku jetojnë të zgjedhin në krye të Kishës sonë ortodokse, një prift shqiptar, një patriot që ta dojë me shpirt popullin dhe vendin e vet.

Ka ardhur koha që t’i themi Anastas Janullatosit “largohu nga Shqipëria me paqe”. Mbylli vitet e fundit të jetës tënde sa më larg këtij vendi e këtij populli, i cili për hatër të së vërtetës duhet thënë që të ka parë qysh ditën e parë që erdhe në Shqipëri si një çiban të rrezikshëm, i cili në emër të fesë e të ortodoksisë shqiptare punoi për interesat e shtetit e të Kishës greke.

Të bindur se aktiviteti i Janullatosit nuk i ka shërbyer interesave të Shqipërisë e të shqiptarëve kërkojmë nga ju, i nderuari President i Republikës, z.Bujar Nishani, t’i hiqet atij dekorata “Urdhri i lartë Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, që i është dhënë tre vite më parë.

Për këto arsye iu adresojmë zyrtarisht kërkesën për dekorimin e tre themeluesve të kishës autoqefale shqiptare Fan Noli, Visarion Xhuvanin, Papakristo Negovanin, Kristofor Kisin dhe njëkohësisht kërkojmë heqjen e “Urdhrit të lartë Gjergj Kastriot Skënderbeu” për kryepeshkopin Anastas Janullatos për shkak të veprimtarive të tij antikushtetuese në një shtet laik si Shqipëria ku feja është e ndarë nga shteti”

Aleanca Kuq e Zi shpreh besimin se në funksionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë ju do të ushtroni kompetencën në mbështetje dhe zbatim të Kushtetutës për të ruajtur vlerat dhe parimet laike të shtetit juridik në Shqipëri.(Kjo eshte letra qe AK I dergoi presidentit Nishani)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ak, hiq urdherin, Janullayosit, presidentit, Skenderbeu

SKËNDERBEU I FSHEHUR NËPËR ARKIVAT GREKE

November 9, 2012 by dgreca

Nga Arben LLALLA*/

 Historia e popullit shqiptar është shumë e pasur me shkrime, libra, broshura që flasin për lavdinë e kombit tonë në luftë për ekzistencë. Ato janë të fshehura nëpër arkivat e ndryshme të botës. Viteve të fundit fal punës së palodhur të disa studiuesve shqiptar dhe të huaj kanë dalë në dritë gjëra të rëndësishme që lidhen me historinë e kombit shqiptar, por ende ka gjëra që nuk janë zbuluar dhe flenë diku nëpër bodrumet e shumë bibliotekave apo Institucionet e ndryshme në Itali, Austri, Francë, Turqi, Greqi etj.

Arkivat greke fshehin shumë dokumenta historike që lidhen me shqiptarët. Për mendimin tim nëpër arkivat shtetërore, kishat, manastiret, bibliotekat private mund të gjenden gjëra me vlera të larta për shqiptarët si në fushën e gjuhësisë ashtu edhe atë historike. Por ende asnjë studiues shqiptar nuk ka mundur të futet nëpër arkivat e shtetit grek sepse Greqia është kujdesur për konservimin e tyre për tu mbuluar nga pluhuri i harresës. Disa studiues kanë kërkuar dokumenta historike që i përkasin fillimeve të shek. XX, por revolucioni kulturor i rilindjes së vetëdijes shqiptare ka nisur në fillimet e shek. XIX. Me plot gojë mund të thuhet lirisht se ka shumë dokumenta historike, gjuhësore e kulturore që janë botuar në gjuhën shqipe dhe greke në fillimet dhe nga mesi i viteve 1800 në Greqi. Por siç dhamë më lart Greqia është kujdesur që këto gjëra me vlera të larta për kombin shqiptar të mos dalin në dritë.

Figura e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve Gjergj Kastrioti duke qenë një figurë madhështore që e kanë zili ende sot. Disa studiues po krijon turbullira tek që më shumë do të thosha që janë kopjac të këqij se sa studiues serioz. Të cilët duke shpikur apo hedhur dyshime mbi origjinën e tij shqiptare kërkojnë tu dëgjohet pak emrin nëpër media të ndryshme. Që Skënderbeu ishte shqiptarë nga babai dhe nëna e tij këtë nuk e luan as topi, por ende në shekullin e XXI ka njerëz që duke parë madhështinë, krenarinë dhe trimërinë e këtij njeriu të madh dua ta “përvetësojnë” qoftë edhe për pak çaste.

Në të vërtetë asnjë njeri nuk ka faj kur lexon vepra jo të trajtuara mirë, që më shumë i kanë shërbyer politikave ditore se sa historisë së vërtetë. Grekët e shekullit XIX duke mësuar për trimëritë Skënderbeut frymëzoheshin dhe luftonin kundër Osmanëve për të fituar pavarësisë. Ka shumë shembuj për heronjtë e Kryengritjes grek të 1821 që ishin shqiptar ose siç i thërrasin grekët arvanitas mbanin me krenari shenjën e Bricjapit që dikur e ka mbajtur Leka i Madh, Pirrua i Epirit dhe Skënderbeu.

Gjatë kërkimeve të mia nëpër disa biblioteka private dhe shtetërore gjeta shumë libra në gjuhën greke që flasin për historinë e kombin tonë të botuara në shek.XIX. Disa prej këtyre librave përmenden tek-tek si bibliografi e shfrytëzuar, por që nuk na janë sjellë të plota në botime. Edhe pse kërkimet e mia ka qenë private, të pa deklaruara munda të gjejë dhe të marrë gjëra me vlera të mëdha për kombin tonë. Emocione të forta ndjeva kur gjeta katër libra origjinalë në gjuhën greke që flisnin për trimëritë e Gjergj Kastriotit- Skënderbe. Edhe pse në këto libra bëheshin përpjekje për të faktuar që familja Kastrioti kishte origjinë greke ato kanë vlera sepse shkruhet për atë burrë që mbrojti pushtimin e Europës nga Osmanët. Që botërisht njihet dhe është vërtetuar shkencërisht që ishte shqiptar 24 karat. Grekët pretendimet e tyre për ta “Privatizuar” Skënderbeun më shumë i bazojnë tek emrat dhe mbiemrat e familjes Kastrioti që sipas tyre kanë kuptimësinë në gjuhën greke. Duhet të dimë se në shekujt e mëparshëm njerëzit e kombeve të ndryshëm emrat dhe mbiemrat i kishin fetarë. Në qoftë se do të mendojmë me logjikën e paditurisë që pretendojnë grekët atëherë do të themi se ish-Kryetari i Kubës Fidel Kastro është grek sepse ai mbiemrin e ka grek KASTRO (kala, kështjellë). Po të mendojmë me këtë logjikë të thjeshtë unë do të them se deputetët grek kanë mbiemra të kuptimësisë në gjuhën shqipe, sllavisht, turqisht dhe shumë pak greqisht. Pa folur që qytetet e greke kanë emërtime që zbërthehen në gjuhën shqipe. Edhe shumë emra të fesë ortodokse janë në gjuhën shqipe me disa ditë lutjesh fetare. Por kjo është temë më vete që duhet të shikohet.

Në qoftë se për një çast të mendojmë që Skënderbeu ishte grek. Atëherë pse Skënderbeu nuk luftoi për çlirimin e Greqisë? Pse Greqia e djeshme dhe e sotme nuk ka një bust të Skënderbeut për ta lartësuar figurën e tij?

Ish-sekretari në ministrin e jashtme italiane në vitet 1930 De Martiko do të shprehej për grekët: “Grekët janë të aftë, që të marrin një zezak të vërtetë amerikan, të zi si qymyri, dhe pasi ta punojnë gjashtë muaj me të, ta kthejnë përsëri në Amerikë me besimin e plotë tek vetja e tij se ai është pasardhës i drejtëpërdrejtë i Themistokliut”.

Pra tezat fëminore e studiuesve grek, sllavë dhe të disa studiuesve të djeshëm dhe të sotëm për origjinën greke apo sllave të familjes së Kastriotëve bien poshtë si teza të pavërteta të cilat nuk mbështeten tek shkenca, por tek politikat ditore.

Si përfundim Skënderbeu lindi shqiptar dhe vdiq shqiptar. Ai, ishte trashëgimtar i mbajtjes së shenjës së Bricjapit që e kishte mbajtur Leka i Madh dhe Pirrua i Epirit.

Skënderbeu lindi ortodoks, u bë me dhunë mysliman, përqafojë me dëshirë fenë katolike dhe vdiq UNIT. Shumë kush do të habitet me këtë përfundimin tim fetar të Skënderbeut UNIT. Por sot e kësaj dite shqiptarët(arbëreshët) që mërguan në Itali mbas vdekjes së tij besojnë ende në besimin fetar UNIT. Unitët janë për bashkimin e dy kishave kristjane, atë katolike dhe ortodokse. Arbëreshët në Itali falen në kishën e ritin ortodoks, por në vartësi të Vatikanit katolik. Në qytetin e Elbasanit, brenda në kalanë e vjetër ka qenë dhe është ende sot një kishë e rriti UNIT. Në fillim të viteve 1990 prifti i parë që shërbente në këtë Kishë ishte arbëresh.

Më 1439 në Sinodin e Florencës u bë bashkimi i Kishave të Romës dhe të Kostandinopojës. Më vonë kjo marrëveshje u nënshkrua edhe nga ortodoksë dhe katolikë të tjerë për bashkim në Romë dhe Brest në vitet 1595-1596. Kështu arbëreshët në Itali mbeten besnikë të besimit UNIT. Këtë na e dëshmon edhe arvanitasi i ndjeri Aristidh Kola. Studiuesi Aristidh Kola në librin e tij “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, shkruan: “Ndërkohë që të gjithë europjanët shkruanin për Skënderbenë, kronistët bizantinë ose e injoronin krejtësisht ose e përmendin diku dhe me një ftohtësi të madhe. Shkaku nuk është vdekja e tij e palavdishme, as fakti se ishte shqiptar dhe jo grek. Nuk është as lavdia dhe as kombësia kriteri i këtyre kronistëve. Është dallimi i besimit fetar të Skënderbeut, që nuk është i krishterë ortodoks, por katolik apo për të qenë më të saktë, ishte “UNIT”. Unitët ishin për bashkimin e dy kishave”.

 *Historian

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, greke, i fshehur, ne arkivat, Skenderbeu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12

Artikujt e fundit

  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”
  • Zhvillimi e përdorimi i Gjuhës Shqipe në diasporë
  • Diaspora, kapitali kombëtar që ende nuk dimë ta vlerësojmë
  • HOMAZH E NDERIM PËR TË GJITHË ATA QË NDIHMUAN TË BËHEJ SHQIPËRIA
  • FEDERATA VATRA DHE RIKRIJIMI I SHTETIT SHQIPTAR 1920-1921
  • Kolë Idromeno, “parganjoti” që u bë artist i madh në Shkodër
  • KRIJIMTARIA POETIKE E DRITËRO AGOLLIT
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1914) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME PRENK BIB DODËN NË DURRËS RRETH “AKSIONIT TË TIJ USHTARAK” PËR TË SHPËTUAR PRINC VIDIN
  • Ja pse Venezuela e Maduros nuk është viktimë, dhe pse SHBA po vepron ?
  • Rizza Milla: Radio “Zëri i Shqiptarëve” në Chicago, 3 dekada në shërbim të komunitetit dhe çështjes kombëtare
  • Promovohet filmi dokumentar “Shaban Murati-diplomati antitabu”
  • SHKRIMTARËT, LEXUESIT, KRITIKA…
  • REZISTENCA ANTIFASHISTE SHQIPTARE NË KONTEKSTIN E KOMBEVE TË BASHKUARA KUNDËR NAZIZMIT GJERMAN NË LUFTËN E DYTË BOTËRORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT