• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT, SKËNDERBEU DHE VIVALDI

February 21, 2018 by dgreca

1-skenderbeu1 Vivaldi2

Nga Xhevair Lleshi/

Venecia e ndritshme dhe kompozitori i madh! Shqiptarët me Vivaldin kishin gërshetuar rrugët e tyre në kohën kur ai ishte në kulmin e sukseseve të krijimtarisë së tij, meqë gjeti kohë t’i kushtonte një vepër muzikore heroit të fqinjëve matanë Adriatikut, Skënderbeut. Madje disa historianë të muzikës flasin edhe për një vepër tjetër frymëzuar nga luftërat e Skënderbeut, e që qëllon të jetë Pranvera, pra njëra nga pjesët e veprës më të njohur të tij, Le quattro stagioni. Padyshim që shqiptarët dhe Skënderbeu ishin me fat që Vivaldi u kujtua për ta, sepse dyshoj që në atë kohë të kishte ndonjë instrument tjetër në trojet arbërore, përveç ndoshta lahutës e ndonjë fyelli. Vivaldi për pak kohë shkoi edhe në Romë për të luajtur në sallonet private të Papa Benediktit XIII, ndërsa më vonë ai u shpërngul në Vjenë. Fillimisht thuhet se atje pati sukses, por megjithatë vite më pas vdiq në mjerim e varfëri, në moshën 63 vjeç. Fatkeqësisht ai mbeti në harresë për një kohë të gjatë, madje gjer në vitet 1920-të kur rastësisht u rigjetën veprat e tij…

Se ka dhe pjekuri të krijimtarisë, dhe kjo është natyrshëm freski, si pranvera dhe Skënderbeu, edhe pse kjo qëlloi të jetë fatale për Vivaldin si artist. Kur interpretohej pjesa Pranvera që nënkuptonte Skënderbeun, pikërisht kjo përpjekje e vazhdueshme që bënte për të ruajtur freskinë e shpëtoi nga pllakati që krijon një hero i madh evropian si Skënderbeu, duke e sjellë figurën racionale në natyrshmërinë e karakterit, por gjithnjë me një besueshmëri emocionale. Dhe të mbetet në mend çdo notë muzikore, çdo tingull, sepse kompozitori po ngjizte diçka të rrallë, fenomenale, duke u bërë në një farë mënyre shpëtimtar i tij. Ai e zhveshi Skënderbeun nga shtampa, i dha individualitet, natyrshmëri, e bëri të afërt, njerëzor thjesht me tingujt muzikorë. Mos vallë e dua thjesht për këtë? Jo, kurrë!…

 

Tiranë, më 20.02.2018

Filed Under: ESSE Tagged With: shqiptaret, Skenderbeu, Vivaldi, Xhevair Lleshi

5 MARS 2018, HEROI KOMBETAR NE PATERSON UNIVERSITY, NJ

February 19, 2018 by dgreca

HEROI KOMBETAR GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU NE UNIVERSITETIN PATERSON NE NJU XHERSI/
2Poster JPG
Me 5 Mars 2018, fale bashkepunimit te Departamentit te Gjuheve dhe Kultures te William Paterson University ne Nju Xhersi dhe Qendres Nderkombetare Kulturore”Arbnori” ne Tirane,do te perkujtohet 550 vjetori i Heroit tone Kombetar Gjergj Kastrioti Skenderbeu.
Shihni hollesite ne Flayer duke klikuar mbi te dhe behuni pjese e veprimtarise.
Veprimtaria organizohet me 5 Mars 2018, ora 7.00 pm-9.00 pm ne Atrium Lobby, William Paterson University,
300 Pompton Road, Wayne, NJ 07470-2103.
Per me shume información ju mund te kontaktoni me Dr. Bruce Williams ne William University Paterson:973-720-3654

Filed Under: Emigracion Tagged With: QNK Arbnori, Skenderbeu, Tirane, William Paterson University

MBROJTJA E SKENDERBEUT NE PARIS

February 11, 2018 by dgreca

Kur studenti Edmond Tupja mbronte në Paris Skënderbeun dhe prishte një mbledhje shkencore…/

1 skenderbNga Nga Fotaq Andrea/1 ok skenderb

Jemi në vitin 1970. “Shoqëria franceze e Historisë Moderne” bën bilancin e punës së kryer nën kryesinë e Prof. Lucien Genet. Që në seancën e saj të parë të 6 dhjetorit ka ftuar orientalistin grek Evangelos Zakhos Papazahariu të mbajë kumtesën “Skënderbeu apo peripecitë e një miti nacional”. Në atë mbledhje shkencore hijerëndë, në kërthizë të Parisit, me profesorë gjithë tituj e grada, merrte pjesë edhe një student i ri shqiptar, Edmond Tupja..1 Scopa.Çuditërisht, prej kohësh i është mëshuar fort idesë së “mitit” për figurën historike të Heroit kombëtar shqiptar. Dhe kjo nga “studiues” të angazhuar në synime të caktuara, por të zhveshur nga objektiviteti shkencor dhe të prirë kokë e këmbë drejt një subjektiviteti që përkëdhel, as më shumë e as më pak, egon e tyre në emër të gjoja ideve origjinale, mendimeve personale, gjykimeve të veçanta që veç ata dinë të japin! Sepse veç ata na qenkan në gjendje të zhbirilojnë “mite” e të na bëjnë catharsis për të ndarë “të rremen” nga e “vërteta”, “të keqen” nga “e mira”, apo në gjuhën popullore “shapin nga sheqeri”. Mirëpo, lepuri fle gjetkë, në folenë e bastardimit shkencor e të denigrimit, dhe tjetër kund e kanë hallin, sado thërrasin e bërtasin për gjoja vlerësim shkencor “me mend e me vend”. Por le t’ia lëmë më mirë fjalën Z.Papazahariu, profesor i Universitetit të Athinës, tek mban speech-in e vet në Paris, botuar në “Bulletin de la Société d’Histoire Moderne”, nr. 2, 1971, dhe mbështetur në këto pesë drejtime, nga A në E:

  1. Skënderbeu, simbol kombëtar;
  2. Historia e tij;
  3. Legjenda e tij;
  4. Si ai bëhet simbol kombëtar i shqiptarëve;
  5. Rikthimi i Skënderbeut.

1 dok skend

 Duke dashur t’i kundërvihet atmosferës së kohës pas Kuvendit II të studimeve albanologjike (janar 1968) mbajtur në Tiranë me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut me pjesëmarrje të gjerë studiuesish të huaj, prof. E. Zakhos Papazahariu hyn drejt e në thelbin e kumtesës së vet kur thotë:“Është fati i tij [i Skënderbeut], shndërruar në mënyrë të veçantë në simbol që na intereson” në një kohë kur “…miti i tij mbahet fort me një vazhdimësi të çuditshme deri në rënien e Perandorisë së tyre [të Otomanëve]!”

 

1 Scopa

Me fjalë të tjera, shndërrimin e figurës së Skënderbeut në simbol të përhershëm kombëtar të shqiptarëve, profesori grek e quan thjesht “mit”, që sipas tij u dashka zhbërë! Edhe pse ai detyrohet të pranojë se shqiptarët “me një simbol aq të lashtë dhe aq të njohur sa ç’është Skënderbeu, arritën me anë të forcës të kalisin një ndërgjegje nacionale”, përsëri, ai e sheh “paradoksin e simbolit Skënderbe në aventurën e mitit të tij gjatë pesë shekujve dhe në përligjjen e plotë të mitit nga vetë shteti komunist…”! Në fakt, kemi këtu një amalgamë vërtet të çuditshme dhe diabolike nga Papazahariu, i cili lodhet më kot ta lidhë figurën e Skënderbeut me regjimin komunist, kur fjala është për dy gjëra krejt të ndryshme dhe pa lidhje organike: sepse Skënderbeu është dhe mbetet simbol historik i përjetshëm i shqiptarëve, është pjesë koherente e vetëdijes së tyre kombëtare, dhe dashuria e tyre për të nuk njeh kufij ideologjikë e politikë, ndërkohë që regjimi komunist e diktatorial, si çdo diktaturë kalimtare dhe e përkohshme është i destinuar thjesht të zhduket, siç u zhduk! “Oburrani!” – duket sikur thërret historiani grek, një rrugë e dy punë: të dënojmë regjimin komunist, e të shembim edhe simbolin e përjetshëm kombëtar të shqiptarëve në emër të “mitit të Skënderbeut”! Ja qëllimi i errët i prof. Papazahariut qepur me pe të bardhë.

Më poshtë, në pikën B – Historia e Skënderbeut, kumtuesi grek jep me penelata të shpejta një pasqyrë të perandorisë osmane, si superfuqi e kohës, karakterizuar, siç thotë, nga “stil i ri shtetëror, sistem koherent e i plotë dhe shumë më modern nga tërë ata që ekzistonin në atë kohë”. Çfarë lajkash të pacipa, për një perandori agresore që fuqinë e saj e mbështeste thjesht në forcën numerike të skllevërve e të ushtarëve shumëkombësh e shumëmilionësh që hidhte në luftë! Dhe menjëherë pas kësaj, autori grek veç kur zë e deformon me dashje, kokë e këmbë, krejt faktet historike kokëforta që kanë të bëjnë me Heroin tonë Kombëtar dhe epopenë kastriotine, dhe konkretisht:

  1. Deformon çështjen e dhënies peng të Skënderbeut me një marifet prej pelivani kur shprehet: “I dhënë në moshën 9 apo 18 vjeçare tek Otomanët nga i ati i tij Jean [Gjon] Kastrioti si peng, na thuhet, [nënvizimi ynë], për të garantuar ndershmërinë e tij ndaj tyre, ai [Skënderbeu] frekuentoi gjatë 15 vjetëve Oborrin e Andrinopojës…”. Mjaftojnë këtu vetëm këto dy fjalë – “na thuhet” – nën penën e tij, për të hedhur hije dyshimi që Skënderbeu nuk qenka dhënë peng te sulltani! Dhe menjëherë ai del në konkluzionin se “… shumë fisnikë të popujve të krishterë të Ballkanit i dërgonin vullnetarisht bijtë e tyre në oborrin e Andrinopojës për të përqafuar këtë karrierë të re. Me sa duket, i tillë është rasti edhe për bijtë e klaneve princërore apo e kryetarëve të fiseve të Albanumit”(nënvizimet tonat). Ja pra dredhia, ja djallëzia: sipas profesorit grek, që na paska bërë një zbulim të hatashëm, Skënderbeu u dërgua vullnetarisht dhe me shumë dëshirë nga i ati Gjoni tek turqit, për të bërë karrierë ushtarake! Mendojmë se nuk ia vlen të zgjatemi me komente, por thjesht po kujtojmë këtu se aleancat martesore me pleksje gjaku në atë kohë, kishin bërë e do binin Oborri mbretëror serb me Oborrin sulltanor të Andrinopojës e Kostandinopojës (pa folur për Bizantin në rënie!), ndërkohë që shqiptarët e epokës kastriotine i shihnin agresorët osmanë si armiq dhe as që bëhej fjalë për krushqi me ta e për karrierë ushtarake nën hijen e tyre !… Përkundrazi, shqiptarët të vinin damkën e tradhtarit e të renegatit po të bëje aleancë me armikun!
  2. I cilëson shqiptarët si xhandarë të Perandorisë osmane në shërbim të skllavërisë të bujkut serb e ballkanik dhe më keq akoma si mercenarë të Venedikut, si post-roje pritash, cuba, piratë etj. që “ndërronin padronë si të donin e kur të donin, falë famës së mirë që kishin në tregjet e mercenariatit” (!) Po ashtu, i sheh ushtritë osmane mbushur dëng me “malësorë të Albanumit… [që] u shquan për nga numri në gjirin e ushtrisë osmane dhe në gjirin e trupës së jeniçerëve” (!) Pra, nuk ka më blozë!

Në fakt, dihet, dhe është meritë e tyre historike, që shqiptarët bënë emër të mirë (sidomos pas vdekjes së Skënderbeut) jo vetëm si luftëtarë të zotë të angazhuar në çështjen kombëtare, por edhe si luftëtarë me pagesë apo si mercenarë në Perëndim, nën frymën e kohës, ashtu sikurse shquheshin edhe mercenarët zviceranë, kroatë, spanjollë apo gjermanikë në ushtritë e oborreve mbretërore të Europës. Dihet po ashtu që ishin shqiptarët ata që themeluan kalorësinë e lehtë franceze dhe, më tej, kalorësinë e lehtë europiane me Gjergj e Nikolla Bastën. Dhe kjo, sepse ata dinin mbi të gjitha të bënin luftën moderne të kohës në mënyrë cilësore dhe jo sasiore, ndërkohë që perandoria osmane përdorte mish skllevërish për top duke çuar miliona njerëz në satër! Edhe më tej, shqiptarët dinin mbi të gjitha se ç’do të thoshte të ishe “fier comme un albanois – krenar si shqiptar”, sipas proverbit francez të kohës, tek mbanin mbi krye kryelartë kapelën shqiptare në pararojë dhe në shesh të luftës! E në këtë rast, i themi profesorit grek të mos harrojë se vetë grekët në ato kohëra lufte, për të shpëtuar kokën para masakrave turke, kërkonin rrugëve të Selanikut, Artës e kudo në qytete kapelën e lartë shqiptare për ta vënë mbi krye që të hiqeshin si shqiptarë e të shpëtonin kokën! Nga ana tjetër, nëse shqiptarët u dalluan si luftëtarë në artin e luftës moderne të kohës, profesori grek duhet ta dijë që po aq shqiptarët u shquan edhe në fillimet e Rilindjes italiane e europiane të Arteve të Bukura, Humanizmit dhe Letrave, me korifej të tillë si piktorët me famë botërore Francesk Albani, Mark Bazajti, Viktor Karpaçi, filozofët Leonik Tomeu, Mikel Maruli, Marin Beçikemi e sidomos me familjen e madhe Albani që dha disa kardinalë edhe vetë papa Klementin XI.

E vërteta e thjeshtë është se shqiptarët, siç bënë bëma në Perëndimin europian, u lartuan edhe në Lindje, nga Kostandinopoja në Janinë, Misir, Kajro, Misolongji, Tripoli e Tripolitza, e gjer në Urale, malet Çarçan dhe rrugëve të Dehlit në Indi! Dhe sa për emra shqiptarësh të shquar në Orient, ata njihen tashmë jo vetëm në fushën e artit të luftës, por edhe të kulturës, Letrave, historisë, enciklopedisë, administrimit shtetëror etj.etj.

Mirëpo, tjetërkund e ka hallin profesori orientalist grek në kumtesën e tij: do se s’bën (dhe këtu ai nuk është aspak origjinal, nuk është as i pari, as i fundit) që t’i qisë shqiptarët barbarë, të egër, tribalë, me kanune çnjerëzore, pa komb e kombësi, por me një “Albanitie” që, sipas tij na qenkësh thjesht nocion gjeografik, duke na përmendur madje edhe Bismarkun për të mbështetur argumentimin e tij! O temporal o mores!

  1. Vazhdon orientalisti grek të deformojë faktet historike tek shpik tezën se Skënderbeu në moshën 33 vjeçare “u dërgua, thotë ai, si kapiten në “vilajetin” e Krujës (1438) për të qeverisur zotërimet e babait të tij. Dhe këtu, vijon greku, ai [Skënderbeu] realizon projektin e tij të guximshëm: të krijojë një ushtri të përhershme me luftëtarë nga të malit të tij të lindjes dhe të bëjë luftën për hesap të vet” (!) Ipse dixit, thotë latini – E tha mu kështu profesori e ia vuri vulën! Apo, ia bëri topin! – siç thoshte ime gjyshe. Po ja që zotëria e tij e paska lexuar mbrapshtë Barlecin e të tjerë, dhe harron, i nderuari profesor, që Skënderbeu u arratis me 300 trimat e tij nga ushtria osmane, me një qëllim e mision të lartë (e jo për hesap të vet!): për të themeluar shtetin e parë të Arbrit nëpërmjet bashkimit dhe aleancave të fisnikëve të mëdhenj shqiptarë që me Lidhjen e Lezhës! Dhe që pikërisht, për këtë arsye madhore, duke i bërë qëndresë heroike 25 vjeçare Perandorisë më të madhe të kohës, Skënderbeu është dhe mbetet Heroi kombëtar i shqiptarëve dhe shembull heroizmi e frymëzimi në botë!
  2. Pa e mbështetur kumtesën e vet në dokumente, pa cituar studiues seriozë, Z. Zakhos Papazahariu parapëlqen të servirë konkluzionet e tij se Skënderbeu “në krye të malësorëve të vet bëri luftë ndaj të gjithëve, duke u përplasur me Lindjen e me Perëndimin, me Venedikun e me osmanët”. E nxjerr dhe e nxin kështu qëllimisht figurën historike të Skënderbeut si “sherrxhi”, duke anashkaluar tërësisht politikat dhe synimet imperialiste të kohës, si dhe aleancat e Skënderbeut me Papatin, i cili e vlerësoi, siç dihet, aq lart Heroin tonë me titullin e nderuar “Atlet i Krishtit”. Dhe nuk do vonojë të vijë konkluzioni i profesorit se “as shtetet e Lindjes, as shtetet e Perëndimit nuk e panë me sy të mirë nismën e tij [Skënderbeut]” dhe se “Skënderbeu … nuk mundi të çlirohet nga dara e Orientit dhe e Perëndimit”. E në këtë rast, profesori grek, nisur nga motoja “shpif, shpif se diçka do mbetet”, konkludon se edhe fundi i Skënderbeut s’ka si të ishte i lavdishëm me pushtimin e Shqipërisë, kur shqiptarët, që tashmë ai i quan “arnavutë”, do të vazhdonin të bënin “ligjin e cubit” në gadishullin ballkanik! Argumente dhe paragjykim më zi sterr ndaj shqiptarëve zor se gjen!…

Lidhur me pikën C, legjenda e Skënderbeut, ai pohon se është letërsia perëndimore ajo që rroku figurën e Skënderbeut për bëmat e tij duke e bërë këtë, citojmë autorin, “një hero në përmasën e legjendave perëndimore” dhe se, nga ana tjetër, ishin “shkrimtarët e Rilindjes [ata që] këmbëngulën së tepërmi për temën “Skënderbeu, mbrojtës i lirisë”. Këtej lind, kërkon të na mbushë mendjen profesori grek, edhe miti për Skënderbeun, sepse nocioni i lirisë te heroi shqiptar, “nocion tribal” siç e quan ai, “përputhet, me vullnetin e qyteteve italiane për të mos u përfshirë në gjirin e shteteve të gjera dhe të centralizuara…”. Duke u hequr kësisoj se po çmitizon figurën emblemë të shqiptarëve, ai në fakt nuk bën gjë tjetër veçse e deformon atë krejtësisht, e minimizon dhe orvatet ta asgjësojë aq sa të mundë, duke e konsideruar si figurë të tejkaluar, madje edhe të përfunduar në kohë. Por, nuk kanë munguar as dje, as sot të ashtuquajturit studiues që përpiqen ta paraqesin Skënderbeun një princ të vogël të një shteti të vogël, tek orvaten t’i bien malit me grusht përpara vlerësimit absolut të figurës së Skënderbeut nga korifej të mendimit njerëzor, emra të shquar të Historisë, Letrave dhe Artit ushtarak.

I pakënaqur me kaq, Zakhos Papazahariu shkon edhe më tej në “çmitizimin” e tij absurd. Citon me ironi “artikullin” (nuk thotë studimin!) e prof. Androkli Kostallarit, i cili vinte bukur në dukje se, ndërsa më 1881 bibliografi Petrovitch hartonte bibliografinë për Skënderbeun me 185 vepra historike e letrare, më 1968, prof. Kostallari nxirrte në pah që bibliografia për Skënderbeun e tejkalonte tashmë shifrën e 1000 librave e studimeve për Heroin shqiptar. Kur sot, bibliografët e figurës së Skënderbeut (siç e thotë gjithë krenari Krenar Zejno, ky botues modern, sa krijues e serioz) numërojnë mbi 2000 vepra e studime kushtuar figurës së Heroit tonë (po aq sa për N. Bonapartin!) Pa folur këtu për Artet e Bukura ku monumentet e Kastriotit të Madh zbukurojnë sheshet e Europës dhe Amerikës dhe figura e tij emblematike është dhënë në tablo nga piktorë me famë botërore. E dëshmon këtë edhe Album-Antologjia jonë e përmasave të mëdha enciklopedike “Skënderbeu, 1413-2017” me mbi 200 autorë dhe rreth 1000 ilustrime, që pret të botohet për publikun e gjerë në Vitin Skënderbeu.

Pikërisht, tërë këtë jehonë, tërë këtë madhështi europiane e botërore të Skënderbeut tonë, tërë këtë vlerësim objektiv historik e shkencor që i bënë e bëjnë figurës së tij mendimtarë të mëdhenj, Z. Papazahariu na e quan thjesht “mit”, që ai e do dhe e kërkon doemos drejt shuarjes e në asgjësim, gjoja në emër të “së vërtetës shkencore”! Por, nëse ka mit në figurën e Skënderbeut, kjo duhet kërkuar jo në legjendat me krijimtari të bukur popullore, jo në vetëdijen kombëtare të shqiptarëve që krenohen me të drejtë për figurën e tij si rrallëkush te kombet e tjerë, por në ato mangësi, në ato të pavërteta shkencore, në ato mbufatje dhe deformime me dashje apo pa dashje të figurës së tij historike, kur sot, historiografia shqiptare e botërore përherë e më shumë po fokusohen te figura e tij si burrë shteti dhe prijës i një populli liridashës.

Tek ndjek me këmbëngulje linjën e vet antishqiptare, edhe në pikat 4 dhe 5, Si u bë Skënderbeu simboli kombëtar i shqiptarëve, dhe Rikthimi i Skënderbeut, gjithë meraku i Z. Papazahariu është si e si të zhdukë e asgjësojë, aq sa të mundë, vetë bazën historike të vlerësimit të figurës së Skënderbeut, duke u hallakatur për këtë në sofizma e ekzotizma të mjera, gjer edhe të llojit “bektashi” që “ushqyen” gjoja Ali Pashë Tepelenën në veprimet dhe bëmat e tij (në parantezë, duket sikur Aliu i Tepelenit i ka mbetur Papa-Ziut halë në fyt!) …

Si mbaroi kështu ekspozenë e tij dhe si u duartrokit nga të pranishmit, në seancën “diskutime”, Z. Papazahariu hyn në dialog të stërzgjatë me Z. Portal, ku bie dukshëm në sy meraku i tyre në gjoja “idealizimin artificial” të figurës së Skënderbeut, nisur sipas tyre, nga “prapamendime a motive politike, ideologjike e fetare” që e bëjnë “Historinë të jetë subjektive”! Krejt diskutimi, gjoja “i lirë”, shfaqet inkoherent dhe pa shtyllë kurrizore, me kapërcime nga coq à l’âne (nga gjeli te magjari), ku kumtuesi grek orvatet të shpalosë në mënyrë konfuze e të pasaktë erudicionin e vet…

Dhe pikërisht, në një nga këto çaste euforike për studiuesin grek, që dukej sikur kish kapur qiellin me dorë nga suksesi, ngrihet dhe ndërhyn një djalosh shqiptar, shtat-hedhur, i hajthëm dhe elegant, i biri dhe nipi i dy Skënderëve, studenti Edmond Tupja. Dhe bën, në mënyrë modeste, të përkorë, një ndërhyrje, një koment të shpejtë tek e sheh fatin epik dhe faktin historik të shqiptarëve te “qëndresa e tyre e gjatë ndaj turqve”, te “skllavërimi dhe shtypja e përgjakshme që këta ushtruan mbi Shqipërinë dhe shqiptarët pas vdekjes së Skënderbeut” dhe te “arsyeja ekonomike e shndërrimit të 60 % të shqiptarëve nga katolikë në myslimanë”… Konkluzioni dilte vetë, nuk kish më bukur: ja pse, Zotërinj, Skënderbeu është dhe mbetet simbol i vetëdijes kombëtare shqiptare!

Pas fjalëve të djaloshit Tupja, me efektin e një bombe,  Z. Papazahariu nis atëherë të përtypë fjalët, të hidhet e të përdridhet, se nuk janë thjesht arsyet ekonomike dhe taksat motivet e shtypjes, të vuajtjes dhe qëndresës historike shqiptare; se nuk janë skllavëria dhe osmanët fatkeqësia e popujve ballkanikë (sic!) Se shqiptarët kanë gëzuar liri, sidomos ata të malit (sic)! Se kanë gëzuar privilegje… “Mos ua hedhim fajin osmanëve!” – përfundon greku me një thirrje dëshpëruese…

  1. Tupja, edhe një herë të dytë merr fjalën dhe vë në dukje se “skllavëria osmane ishte sistem social në dy rrafshe, në atë shtetëror, midis Perandorisë osmane dhe popullit shqiptar të skllavëruar, dhe në atë lokal, në vetë gjirin e shoqërisë shqiptare të kohës”…

– Jo, nuk jam dakord! e kundërshton Z. Papazahariu dhe nis e i merret goja:  – Problemi i skllavërisë, vijon ai rrëmujshëm, nuk shtrohet  midis shqiptarëve dhe osmanëve, duke qenë se shqiptarët janë edhe osmanë… Malësorët nuk janë skllevër… Në fund të fundit otomanët nuk përbëjnë një etni, as komb… Otomanët ishin kompani ushtarake … Midis tyre kishte një shumicë shqiptarësh … (!)

Ohoh! ç’kakofoni “argumentesh” e konkuzionesh absurde në gojën e një studiuesi “kompetent” të orientalistikës për t’i qepur gojën djaloshit Tupja, që rri dhe gozhdon me vështrim të rreptë Profesorin grek ftuar në Paris të ligjërojë!…

– E deklaroj mbledhjen të mbyllur! – nxiton të thotë Kryetari, pasi falënderon edhe një herë  Zotërinë e tij Papazahariu për speech-in e shkëlqyer antishqiptar që ai mbajti në prani kokash shkencore!…

(P.S. Artikullin tonë e shoqërojmë me ilustrime të figurës së Skënderbeut që ndodhen në muzeumet e Greqisë, vepra të piktorëve grekë që dëshmojnë drejtpërdrejt dashurinë e popullit grek për figurën e Heroit kombëtar të shqiptarëve).

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Edmond Tupja, Fotaq Andrea, mbrojtja, Skenderbeu

SKËNDERBEU DHE MIZA E KALIT TË TIJ

February 7, 2018 by dgreca

1 valentino

Nga Valentin Lumaj,/

Michigan, 6 Shkurt 2018/

Brenda harkut kohor të një jave, komuniteti shqiptar ne Michigan priti dy mysafirë të pazakontë, që vinin për herë të parë në Michigan, Gjergj Kastrioti-Skendërbeu the Pandeli Majko.

Ardhja e Gjergjit u paralajmërua bujshëm muaj më parë nëpërmjet idhtarëve të tij, individë të zellshëm në ide dhe praktika. 550 vite pas vdekjes, Skëndërbeu nga amshimi, i ushqeu shpirtërisht këta njerëz vullnetmirë, i frymëzoi, dhe i mblodhi rreth sofres së urtisë. Skënderbeu bashkoi edhe një herë shqiptarët, “Princat” e të gjitha Shoqatave krahinore, të prirë nga kryetarët e kulteve fetare, dhe formuan edhe një herë në miniaturë Kuvendin e Lezhës. Pothuajse çdo të dielë qysh nga mesi i Tetorit u mblodhēn, diskutuan, debatuan, pregatitën dhe shtruan rrugën e ardhjes së Skënderbeut. Gjergji, në këtë udhëtim të gjatë një vjeçar ne trojet dhe zemrat arbnore, më së pari zbarkoi në Michigan, në Kishën e Zojës Pajtore të Shqiptarëve. Ai erdhi ashtu madhërishëm mbi kalë, me shpatën ngrehur si ngadhnjimtar, me përkrenaren kurorë si mbret i përjetshëm shqiptarëve.

Penat e arta të mendjeve më të ndritura te historisë, profesorë nga viset shqiptare, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Arbëreshë të Italisë, dhe nga diaspora, rikthyen te gjallë Skënderbeun ne Simpoziumin historik për nder te tij. Gjatë këtij vargu pafund ligjëratash, faktesh e zbulimesh te panjohura, njerëzit përcollën për shtatë orë me sy te fiksuar dhe mendje iluminare ligjëratat e tyre, ku Gjergji shfaqej herë si Pirroja Epirit, herë si Aleksandri i madh, por që ishte vetë Skanderbeg; IN PE RA TO RE.

Kjo ardhje, sa imagjinare po aq edhe reale e Mbretit të Epirit, pati një jehonë të gjerë në media televizive, rrjete sociale, në gojët e shqiptarëve, dhe u përhap në Shqiperinë amë e në vise të tjera. Kjo ringjallje dhe ardhje e parë e Skënerbeut, ishte ringjadhje edhe për ne. E njemë se kemi nevojë per një prinjës të tillë,  kuptuam se ai akoma jeton me ne, na frymezon, na bashkon  dhe na udhëheq.

Sapo Gjergji u largua dhe pa u shuar ekoja që la pas, në rrethe të ngushta u fol për një vizitë të Ministrit të Diasporës Pandi Majko. E pakuptimtë kjo ardhje fill pas ikjes së Skënderbeut. Ndoshta mendoi se Gjergji do t’i hapte rrugën, që ky ta kishte më të lehtë hyrjen. Megjithatë, ai kishte mundësi te vinte me Gjergjin, pasi ftesën e kishte qysh muaj përpara, si ai, edhe ministrja e Kulturës. Le që nuk erdhën t’a nderojnë Gjergjin në Simpozium, por as edhe një përgjigje apo përshëndetje nuk denjuan të japin. Janë të vegjël ta kuptojnë se në fakt Skënderbeu dhe Simpoziumi do t’ju kishin bërë nder këtyre.

Pandi erdhi mbas “Kuvendit te Lezhës”, dhe i gjeti shqiptarët në Michigan akoma të bashkuar rreth Gjergjit. Por siç thotë malësori i vjetër “urtia mbas kuvendit dhe trimëria mbas luftës s’kane vlere”, po ashtu u hamendësua se kjo vizitë e Pandit do të ishte e pavlerë.

Ardhja e “Ministrit të shqiptarëve që jetojnë jashtë Atdheut”, duhej të ishte një lajm i madh dhe i gëzueshem. Shqiptarët  në Diasporë më në fund janë të përfaqësuar, dhe jo të harruar. Takimi duhej të ishte i gjerë dhe gjithpërfshirës, pasi ministri është i të gjithëve, si rregull. Në fund të fundit, Konsujt dhe Ambasadorët nuk kanë nevojë për ministra. Nevojë kishte familja Rranxburgaj për një vizitë, për një mbështetje të paktën morale, në një kohë kur Kisha zemërgjerë amerikane i ka hapur dyert, për t’a mbrojtur nga deportimi. Por Ministri i Diaspores nuk ka kohë as tagër që të dëgjojë dhe të ndjekë nga afër cilat janë problemet e shqiptarëve në emigracion. S’ka kohë sepse orari i ngjeshur i drekave dhe darkave nuk ja lejon. Nuk ka as tagër. Është ministri i gjysmës së popullsisë shqiptare. Nje mërgatë stërmadhe prej dy million e gjysëm shqiptarësh të deportuar nga vendi amë Shqipëria për 27 vite me rradhë. Një emigrim në kohë paqeje, me përmasa që i tejkalon shumë herë emigrimin e Shqiptarëve pas vdekjes së Skënderbeut dhe rënies së Krujës.

Pandi e di mirë se me 27 vite në politikë dhe administratë, është një përfaqësues i denjë i asaj klase apo kase politike shqiptare që pasi kanë sunduar dhunshëm Shqipërinë, nëpërmjet vjedhjes dhe blerjes së paskrupullt të vullnetit politik të popullit, kanë plaçkitur çdo gjë me vlerë, kanë futur ne vella-vrasje mijëra shqiptarë anë-e-kand, kanë kriminalizuar një jetë të tërë shoqërore nëpërmjet zhvatjes, rrushfetit, krimit ordiner dhe drogës. Sado që luan ëmbëlsisht rolin e të pastrit, nuk del doti i papërlyer. Dënimi vlen si për veprim ashtu edhe për mos veprim. Në qoftë se je me të vërtetë i pastër, atëherë mos prano që të të hedhin në Diasporë si peshqir për të fshirë njollat e gjakut dhe të krimit të shefit tënd.

Zoti ministër, këta shqiptarë që i ke në patronazh, pasi i deportoni me hir nga Shqiperia, dhe më pas deportohen me pahir nga Amerika, ku të shkojë shqiptari shkretë. Por veç xhepit tuaj, të shkretë mendja dhe shpirti juaj, jo ata. Pasuria e vërtete nuk futet ne xhep. Përmbas perdes së buzëqeshjes, fshihet dhimbja e përditshme dhe e përjetshme e ndërgjegjes tuaj, për ate çfare po ju shkaktoni shqiptarëve. Pasuri e vërtetë janë ata mijëra të rinj, të shkolluar, që enden rrugëve të Shqipërisë për një vend pune dhe s’e gjejnë. Pasuri jane elitat që digjen, pasuri është diaspora si pjesa më e virtytshme shqiptare. Jam viktima juaj zoti ministër, njëzet vite shkollim me një shpresë dhe një ëndërr për të qenë dikush nē atdheun tim dhe të Skënderbeut, që gjithmonë më rriti krenarinë me shumë se kockat. Ju dhe kasa shumëngjyrëshe politike, ma shuat ëndrrën dhe ma vratë shpresën përgjithmonë. Fillova dhe filluam nga hiçi një jetë të re në këtë vend që dikur për partinë tënde të origjinës, ishte nje armik i betuar, porse neve na doli një vend i bekuar, i cili na priti, na dha bukë e na dha flatra edhe një herë. Amerika dhe Skënderbeu ma ringjallën ëndërrën dhe shpresën se shumë shpejt,  demonët  do t’i kalojnë ferrit dhe bekimi do të derdhet mbi Shqiperinë tonë të lashtë. Unë e di se Juve e ndieni këtë. Prandaj keni frige nga Diaspora, Prandaj kërkon të futesh ne Diaspore si ujku me qime të bardhë, paçka se disa mendojnë se erdhi nëna dhia. Nuk keni tagër moral te na përfaqësoni Zoti minister. Kthehuni mbrapa ne strofullen tuaj dhe mos  i shko nga mbraba Skënderbeut si miza që i ka humbur kali.

Shenim: Shkrimi është në kuadrin politik dhe jo personal.

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: DHE MIZA E KALIT TË TIJ, Skenderbeu, Valentin Lumaj

Skënderbeu dhe Kanuni i Tij

January 24, 2018 by dgreca

1-anton-cefa

Nga Anton Çefa/

Kanuni përbën në vetvete tërësinë e normave të së drejtës zakonore, të  frymëzuara nga tiparet morale të shqiptarit. Populli ynë e ka formësuar që herët  ligjësinë shpirtërore të jetës me atë pasuri morale aq fisnike, aq të dalluar nga popujt e tjerë dhe aq të vlerësuar nga të huajt; atë ligjësi që i kishte themelet tek burrëria, nderi, besa, miqësia, dashuria e pakufishme për liri dhe atdhe dhe gatishmëria për t’u flijuar për to. Është kjo pajë shpirtërore që i ka frymëzuar dhe karakterizuar kanunet, mbi bazën e të cilave janë qeverisur dhe kanë organizuar jetën e tyre malet tona.

Kanunësia zakonore është një dëshmi e pakundërshtueshme e një rangu të lartë qytetërimi të një populli. “Nevoja e një ligji zakonor apo të shkruem, ka shkruar Ardian Ndreca, dallon popujt e qytetnuem prej atyne barbarë, mbasi popujt me ligje kanë ma tepër mundësi me mbijetue dhe me u imponue në rrjedhën e shekujve”. 1).

Kanuni është një përmbledhje ligjesh e normash të pashkruara, të trashëguara brez pas brezi, që pasqyrojnë  gjendjen ekonomiko-shoqërore të një shoqërie. Një përkufizim të qartë të Kanunit tonë na e ka dhënë përkthyesi në gjuhën anglishte dhe studiuesi i vëmendshëm i “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, Leonard Fox. “Kanuni, ka shkruar ai, është shprehja dhe pasqyrimi i karakterit shqiptar, një karakter i cili mishëron një moralitet të pakompromis të bazuar në drejtësi, nder, dhe respekt për veten dhe për të tjerët” 2). Shënojmë këtu se Kanuni i Lekë Dukagjinit është mbledhur dhe kodifikuar prej Atë Shtjefen Gjeçovit, dhe botuar mbas vdekjes së tij, në vitin 1933, në revistën “Hylli i Dritës”. Ndërsa Kanuni i Skënderbeut u mblodh, u kodifikua dhe u botua nga Dom Frano Illija në vitin 1993.

Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti –  Skënderbeu, bëri disa ligje kanunore të veçanta që i përshtateshin kohës dhe krahinës së tij, dhe që morën emrin “Kanuni i Skënderbeut”,  që është një dëshmi e gjallë e virtyteve tona etnike, dhe e shquan atë në jetësimin, ruajtjen dhe lartësimin e vlerave morale, që përftojnë personalitetin autentik e origjinal shqiptar.

Heroin tonë e ka karakterizuar gjithnjë urtia e maleve tona, jo vetëm në sjellje, por edhe në qëndrimet e veprimet e peshuara mirë, mbështetur në mënçurinë dhe përvojën e pasur jetësore si dhe në taktin e tij të përmbajtur. Me këto cilësi të larta  sa mendore sa morale, ai pati fituar edhe të drejtën për të bërë pleqërime sipas ligjeve të Kanunit, deri në atë shkallë sa që Kanunin e trojeve kastriote, të quajtur “Kanuni i Arbënisë”, tradita popullore e lidhi me emrin e Skënderbeut. Quhet edhe Kanuni i Arbënit, sepse Arbënì quhej principata e Kastriotëve.

Kanuni i Skënderbeut “shtrihej në Shqipërinë Qendrore ndër krahinat e Principatës së Kastriotëve e të ndikimit të tyre: Krujë, Mat, Dibër, Valm (Elbasan), prej lumejve Mat-Fand në veri e deri poshtë lumit Shkumbin (Librazhd) në jug, dhe prej Detit Adriatik në perëndim e deri në kufijtë më lindorë të Dibrës e të Ohrit në lindje.” 3).

Gojëdhëna tregon që Skënderbeu dhe Leka diskutonin normat kanunore dhe shpesh kishin edhe kontradikta. Në një rast, ata diskutuan çështjen e vlerës së njeriut lidhur me marrjen e gjakut. Skënderbeu i dha të drejtë Lekës, edhe pse kishte tjetër mendim, që “Çmimi i jetës së nierit asht nji, si për të mirin si për të keqin”, sepse “Sejcili mbahet i mirë dhe i thotë vedit: ‘Jam burrë’ e i thonë: ‘A je burrë!”… “Prandej gjaqet i la Leka si nja-nja: del i miri prej të keqit e i keqi prej të mirit. Shpirt për shpirt, se dukën e falë Zoti”4).

Gojëdhëna të tjera flasin gjithashtu për pleqërime në bazë të kanunit që Skënderbeu bante me Kokë Malçin, një plak i mënçur i Kurbinit, dhe me pleq të tjerë. Heroi ynë këshillohej me të dhe pleq të tjerë të urtë jo vetëm për çështje kanuni, por edhe për çështje lufte.

*   *   *

Edhe pse jashtë teme, më vjen mbarë të shtoj këtu këto rreshta: Aq i madh qe autoriteti i Skënderbeut, aq e madhe qe dashuria e respekti për të, sa kur Lekë Dukagjini, një nga më të pabindurit prej princërve, që kishte luftuar me Skënderbeun për jetë a vdekje, jep lajmin e vdekjes së Skënderbeut dhe, duke e vajtuar me gjamë, e quan “Prindi e zoti i Arbërit”:

“Tundu shkundu Shqipëri

Ejani zonja e bujarë,

ju të varfëra dhe ushtarë,

eni qani me pikëllim

sot ju mbetet pa prind

Pa babanë që ju këshillonte

………………………..

Prindi, zot i Shqipërisë

Qëmenatë sot na vdiq

Skënderbeu s’është më”. 5).

Pak burra shteti e strategë lufte kanë fituar nga popujt e tyre titullin e lartë të “Babait të Kombit”. George Washingtonit amerikanët i kanë dhënë një atribut të tillë. Ndërsa përsa i përket vlerësimeve me përmasa botërore, për Heroin tonë mund të perifrazojmë me përafërsi fjalët që ka thënë për Linkolnin Stephen S. Wise: “Qe verdikt  apo profeci, njëlloj është – Skënderbeu nuk është i Shqipërisë, ai i takon botës; ai nuk i takon kohës sonë, por kohëve; por edhe pse ai i takon të gjitha kohëve dhe gjithë popujve, ai është yni, sepse ai qe shqiptar”. 6).

 Referenca:

  1. Ardian Ndreca, “Ndikimi i Kanunit në ruejtjen e identitetit shqiptar.”’, Hylli i Dritës”, nr. 1/ 2007, f. 42.
  2. Leonard Fox, Introdaction, in ‘Kanuni i Lekë Dukagjinit – The Code of Lekë Dukagjini’, Gjonlekaj Publishing Company, New York 1989, p. xix.

3).“Kanuni i Skanderbegut”. Mbledhë e kodifikue nga Dom Frano Illija; Editrce La Rosa”, f. 15.

4). Kanuni i Lekë Dukagjinit, kodifikuar nga Atë Shtjefen Gjeçovi, Gjonlekaj Publishing Company, NY, 1989, f. 169.

5). Akademi e Shkencave e RPS të Shqipërisë – Instituti i Kulturës Popullore, “Epika historike 1”.

6). William Safire, “Lend Me Your Ears – Great Speeches in History”, p. 185.

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa, dhe Kanuni i Tij, Skenderbeu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 12
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”
  • Zhvillimi e përdorimi i Gjuhës Shqipe në diasporë
  • Diaspora, kapitali kombëtar që ende nuk dimë ta vlerësojmë
  • HOMAZH E NDERIM PËR TË GJITHË ATA QË NDIHMUAN TË BËHEJ SHQIPËRIA
  • FEDERATA VATRA DHE RIKRIJIMI I SHTETIT SHQIPTAR 1920-1921
  • Kolë Idromeno, “parganjoti” që u bë artist i madh në Shkodër
  • KRIJIMTARIA POETIKE E DRITËRO AGOLLIT
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1914) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME PRENK BIB DODËN NË DURRËS RRETH “AKSIONIT TË TIJ USHTARAK” PËR TË SHPËTUAR PRINC VIDIN
  • Ja pse Venezuela e Maduros nuk është viktimë, dhe pse SHBA po vepron ?
  • Rizza Milla: Radio “Zëri i Shqiptarëve” në Chicago, 3 dekada në shërbim të komunitetit dhe çështjes kombëtare
  • Promovohet filmi dokumentar “Shaban Murati-diplomati antitabu”
  • SHKRIMTARËT, LEXUESIT, KRITIKA…
  • REZISTENCA ANTIFASHISTE SHQIPTARE NË KONTEKSTIN E KOMBEVE TË BASHKUARA KUNDËR NAZIZMIT GJERMAN NË LUFTËN E DYTË BOTËRORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT