• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një Hero i Madh, kapiten i parë i shekullit të tij

January 23, 2018 by dgreca

1-fotaqi

Viti Skënderbeu- Nga Fotaq Andrea, “Skënderbeu, Album-Antologji, 1413-2017”/

 1 sifoni skenderbe1 Joanot Martorell 16701 Skenderbeu Portret

Skënderbeu, një Hero i Madh, kapiten i parë i shekullit të tij, dëshmi e energjisë së një populli heroik/

 DUPONCET, Jean Nicolas/

Një Hero/

Nga parathënia e veprës “Exploits héroiques de Scanderbeg, roi d’Albanie” [Bëmat heroike të Skënderbeut, mbret i Shqipërisë] Paris, 1714./

 Në çastin kur vëmendja e Europës është përqendruar mbi Orient, nuk është pa interes të kthejmë vështrimin mbi luftërat e mëdha të shekullit XV. Perandoria osmane, sot aq e dobësuar, sa nuk i ka mbetur veçse  marrja në mbrojtje nga Fuqitë e mëdha të Perëndimit, shpaloste atëherë krejt forcën e një kombi ngadhënjyes dhe kërcënonte të pushtonte krishtërimin. Ndër të gjitha ata që i bënë qëndresë përpjekjeve të muslimanëve u dallua heroi, historinë e të cilit e jep këtu Ati Duponcet: histori e çuditshme dhe aq e jashtëzakonshme sa autorit i është dashur të përligjë vërtetësinë e burimeve nga ka vjelur të dhënat. Dhe këtu po japim të shkurtuar parathënien e Atit Duponcet.

Para tij, Ati Causin, jezuit, e kishte vendosur Skënderbeun ndër heronjtë e tij të krishterë, dhe Z. Campion, e kishte renditur ndër njerëzit më të shquar të tij. Por vepra e të parit nuk ishte veçse një lavd që i nënkupton faktet heroike të atij Shqiptari të ndritur, pa i paraqitur ato, kurse nderimi që i bën i dyti, edhe pse më historik, është një shkurtore e këtyre fakteve që vetëm sa janë dhënë përciptazi, si të ishin prekur në sipërfaqe dhe, si te njëri, si te tjetri, nuk do mund të kënaqej një lexues që kërkon të dijë më në thellësi e të ketë një njohje më të plotë të historisë.

Për të paraqitur sa më mirë pamjen, tiparet, shtatin e një njeriu, që ende nuk e kemi parë, nuk është e mjaftueshme të hidhet vështrimi mbi portretin e tij të përmbledhur, nëse nuk do ta shihnim të pikturuar në përmasa të mëdha dhe krejt të natyrshme; po ashtu, për të patur një mendim të drejtë për një luftëtar të lavdishëm, që nuk e njohim veç nga emri e nga fama, duhet ta ndjekim atë hap pas hapi, si të themi, në krejt rrjedhën e jetës, duke njohur hollësitë dhe rrethanat e krejt aksioneve që ndërmori. Por këtu paraqitet vështirësia për mbledhjen e dëshmive të denja për t’u besuar dhe për t’i ruajtur historisë karakterin e vet thelbësor të vërtetësisë. Ati Duponcet beson se e ka hasur këtë karakter në rrëfimin e një historiani bashkëkohës të quajtur Marin Barlet.[…]

Libri i Barletit duhet parë si e vetmja vepër që ne kemi për këtë subjekt të dorës së parë. Mund të shprehim ndoshta çudi se, teksa Skënderbeu ndërmori një luftë aq të gjatë, dhe me aq shkëlqim e  ngadhënjim, si ka mundësi të gjendet vetëm një autor i kombit të tij që të jetë përkujdesur për të na mësuar rreth personalitetit që kishte. Kësaj vërejtjeje, Ati Duponcet i përgjigjet se pak kohë pas vdekjes së këtij princi, turqit u bënë zotër të krejt Shqipërisë, se ata të pabesë ishin armiq të Letrave, sikundër e dinë të gjithë, se ndaluan fenë e krishterë dhe i detyruan shqiptarët të merrnin doket dhe zakonet e tyre; sepse, në të kundërt, kush do donte të aspironte në fe të mëparshme, do duhej të përballej me ta veç me armë. Në këtë mënyrë, duke qenë krejt Shqipëria e nënshtruar nga turqit, kush do guxonte të shkruante historinë e një princi që kishte arritur tërë atë lavdi në luftë kundër tyre, me tërë ato beteja në të cilat i kishte mposhtur?

Po prapë, Ati Duponcet bëri kujdes të mos ndjekë hap pas hapi a të përkthejë veprën e Barletit. Ai e pa atë si memorie, nga e cila mori çka ishte e vlefshme, duke i dhënë një formë më të këndshme, duke hequr digresione të kota e duke vendosur kudo rend e qartësi.

Duke iu përgjigjur më pas kritikave për ekzagjerim që i janë drejtuar Barletit nga Z. Sponde, peshkop i Pamiersit, Ati Duponcet kujton bukur në këtë rast një letër të papa Kaliksit III për Skënderbeun. Në atë letër, datuar më 15 qershor 1457, papa i shpreh atij mirënjohjen plot lavd, se i bëri ballë pothuaj i vetëm krejt fuqisë së turqve dhe se gëzohet bashkë me të për famën e madhe që ka krijuar me një vijimësi fitoresh të arritura ndaj të pabesëve.

Në një bref tjetër apostolik, dërguar më 11 shtator të atij viti, për të rigjallëruar Skënder-beun drejt aksionesh të reja, ai vazhdon t’i thurë lavdi, duke iu lutur që të mos kursejë asgjë, që të shkëlqejë edhe më shumë e nëse mundet, të shtojë famën e arritur: “Sepse, vijon ai, nuk ka asnjë në krejt kristianizmin që të mos dijë se çfarë keni bërë ju, që të mos ju ngrejë gjer në qiell me lëvdatat që ju takojnë dhe që të mos flasë për ju si një atlet i vërtetë dhe gjeneral mbrojtës i emrit të krishterë“.

Vlen të theksohet se qëkurse u dërguan këto dy Brefe apostolike, Skënderbeu përsëri do të shkëlqente me arritjen e shumë fitoreve, në mbrojtje të Krujës, duke e detyruar dy herë Mehmetin të heqë dorë nga rrethimi i qytetit, krahas aksionesh të tjera të shumta, edhe më të ndritura e më të denja për t’u admiruar nga ato për të cilat flet këtu Kaliksi. Kur të shqyrtojmë se ç’fjalë zgjedh një Papë, armik i çdo ekza-gjerimi e i çdo lajkatarie, për të cilësuar Skënderbeun, që ende ishte, të themi, në mesin e karrierës së tij, a mundet atëherë të hedhim hije dyshimi për autorin e jetëshkrimit të tij, duke pretenduar se ai paska treguar zell të tepruar për lavdinë e heroit që na përshkruan dhe për atdheun e tij, dhe se na i paska tejkaluar kufijtë e së vërtetës? […]

 [Përfundimi]

[…] Atë çka Mehmeti ndërmori në vitet e fundit të jetës së tij, [pushtimi i Kalabrisë më 1481], një objektiv që i dukej ende i largët, ai do ta kishte realizuar kohë më parë, po të mos kishte hasur rrugës Skënderbeun si një pengesë e pamposhtur ndaj synimeve të veta. Tek rrëzoi fronin e perandorëve të Orientit, i fryrë nga një sukses aq i madh dhe përherë po aq ambicioz sa dhe plot guxim e mendjemadhësi, ai, në rastin më të parë, do t’i kishte kthyer armët dhe përpjekjet kundër perandorisë së Perëndimit dhe rrënimi i kësaj perandorie do të sillte me vete rrënimin e krishtërimit. Ishte kësisoj vetë Providenca ajo që dha goditjen e saj tek i kundërvuri atij Skënderbeun, si dikur kur ajo i kundërvuri Juda Makabeun qafirit Antiok, për të ndalur ngadhënjimin e tij dhe për të shpëtuar besnikët nga mjerimet e tmerrshme që i kërcënonin. Ja ç’thotë Shkrimi i Shenjtë për këtë hero të popullit Çifut: “Që mblodhi tërë ata që ishin të gatshëm për të vdekur dhe që nën drejtimin e tij, luftëtarët do luftonin për mbrojtjen e Izraelit; që ai ngriti lart dhe përforcoi lavdinë e kombit të tij; që vrumbulliste e ndeshej si luan; që i ndiqte ngado armiqtë e Perëndisë e të popullit të tij dhe që tmerri nga emri i tij i bënte armiqtë të merrnin arratinë; që bëmat e tij kreshnike ishin gëzimi i Jakovit, inati dhe zhgënjimi i mbretërve të pabesë”. E gjithë kjo i përshtatet aq bukur Skënderbeut, sa askush nuk do mund ta përshkruante nën këto tipare, po të mos kishim mundësi të ngrinim vështrimin lart, drejt njeriut të shenjtë për të cilin na flet Shkrimi, apo sikur të mos e hasnim këtë lavd në ndonjë libër më pak të shenjtë. Kujtimi i Juda Makabeut, shton Shkrimi i Shenjtë duhet të bekohet përjetësisht; mendoj se kështu duhet të jetë edhe për kujtimin e Skënderbeut dhe se të gjithë ata që do të lëçisin këtë vepër, nuk do të harrojnë kurrë kujtimin e një njeriu aq të famshëm sa ishte gjallë në Europë e në Azi, për shumësinë e fitoreve që korri mbi muhamedanët, armiq të betuar të Jezu-Krishtit dhe të Kishës së tij, aq i rekomandueshëm për tërë Krishtërimin. 

In sœculum memoria ejus in benedictione . [Qoftë përjetë i bekuar kujtimi i tij].

PAPADOPULO-Vretos Andrea (1800-1876).

 “Compendio dell’Istoria di Georgio Castriotto,… ” [Kompedium për Historinë e Gjergj Kastriotit], Napoli, 1820, Parathënie, f. 1, VIII, IX.

 Heroi i Shqipërisë meriton emrin “I Madh”, mposhti dy perandorët më të fuqishëm.

Në ka luftëtar që meriton me të drejtë emrin “I Madh”, ky është pikërisht Heroi i Shqipërisë, Skënderbeu, që brenda një territori të ngushtë dhe me një grusht ushtarësh, shumë-shumë tre, pesëmbëdhjetë a tridhjetë mijë vetë, përherë ngadhënjeu mbi armata prej njëqind a dyqind mijë turqish.[…] Akti më i shquar që ngriti lavdinë e Skënderbeut është se mposhti dy perandorët më të fuqishëm tek të cilët turqit u mbështetën për të vendosur sundimin e tyre në Europë, për të bërë pushtime në shkallë të gjerë, si dhe për të ushtruar ndikimin e tyre në çështjet politike të të Krishterëve. Trimëria nuk është e vetmja meritë e Heroit Shqiptar; ai ishte i kujdesshëm, bujar, i dashur dhe zotëronte ato cilësi popullore që i vinte në zbatim në çastet më të vështira e të pashpresa, duke i bërë me fletë edhe ata që shfaqeshin më të dëshpëruar.

PAPADOPULO-Vretos Andrea

 CHARTON, Edouard (1807-1890).

 Skënderbeu, kapiten i parë i shekullit të tij.

Historia e luftërave që ndërmorën të krishterët gjatë shekujve XIV e XV, për t’iu kundërvënë pushtuesve turq në Europë, ndonëse e pasur në guxim e vetëmohim, nuk shfaq asnjë emër që të kujtojë tipin e heronjve të kohëve të lashta po aq mirë sa emri i Skënderbeut, princit të Shqipërisë. Prijës i shteteve të vogla që ndodhen para portave të islamizmit ngadhënjyes, i ndodhur përballë valës së fuqishme të goditjeve të para, ai shfaqi mbi të gjitha gjeninë dhe energjinë e karakterit të tij kur mjetet dhe burimet i kishte të pamjaftueshme në zotërimet e veta. Kreshnikëritë e tij, të kremtuara edhe në ditët tona në këngët popullore të Epirit ishin në Europë për një kohë të gjatë objekt i një admirimi të njëzëshëm.

Pavarësisht nga cilësitë e shkëlqyera që i dhanë famë si kapiten i parë i shekullit të tij,  Skënderbeu njihej si njeri i jashtëzakontë për nga vullneti me të cilin duronte vështirësitë e luftës, për nga guximi dhe forca e krahut. Biografët e tij përmendin shumë shembuj me dema, derra, njerëz të prerë me një të rënë të shpatës dhe përllogarisin gjer në tre mijë vetë numrin e kundërshtarëve që ai vrau me dorën e tij. Sa jepte sinjalin e betejës, Skënderbeu lëshohej me tërbim kundër armikut, e përvishte krahun e djathtë për të dhënë më mirë goditjet. Edhe pse përherë i pari në sulm, gjatë gjithë jetës, ai nuk mori veçse një plagë të lehtë. Admirimi që të krishterët kishin për kampionin e Krishtit, nuk ishte më i paktë tek turqit; sepse kur Shqipëria – që krahu i Skënderbeut nuk e mbronte më -, u dynd nga ushtritë osmane, kundërshtarët e tij muhamedanë u dyndën drejt vendit ku preheshin eshtrat e heroit të krishterë për të marrë në heshtje dhe me nderim fetar, ndonjë copëz nga këto eshtra, të bindur se një shkëndijë trimërie e Skënderbeut do t’i sillte lumturinë zotëruesit të këtyre relikteve të çmuara.

 GRUP AUTORËSH  (1837). 

 Nouvelles annales des voyages et des sciences géographiques” [Analet e reja për udhëpërshkrimet dhe shkencat gjeografike], vëll. 3,Paris 1837, f. 94-96.

 Mbrojtja e Skënderbeut provoi çka mund të bëjë energjia e një populli.

Gjithçka i nënshtrohej fuqisë së Mehmetit II dhe tërë princërit që ai sulmoi, u gjunjëzuan; vetëm njëri i bëri ballë dhe në të shumtën e rasteve ngadhënjeu dukshëm. Mbrojtja e tij e arrirë, dhe po aq e admirueshme provoi çka mund të bëjë energjia e një populli, qoftë edhe i paktë në numër kur, i ndihur nga përparësia e terrenit, udhëhiqet nga një njeri sa i vendosur, po aq edhe trim e i guximshëm. Dhe kuptohet lehtë këtu se bëhet fjalë për Gjergj Kastriotin, princin e Shqipërisë, që u pavdekësua me emrin Skanderbeg dhe që luftoi me sukses osmanët e tërbuar që në kohën e Muradit II, kur ishin të vendosur për të shkatërruar dinastitë e krishtera. Z. Hammer, vlerësues i ndershëm për gjithçka që ka të drejtë të mbetet në Histori, e ngre lart figurën e këtij luftëtari; dhe ja si shprehet: “Ky njeri, me të drejtë i famshëm, lartohet në Histori, i madh për gjithë luftërat që zhvilloi dhe për urrejtjen ndaj otomanëve, si dhe për mbrojtjen heroike të vendit të tij për të jetuar i pavarur, duke i përkushtuar jetën e vet. Nuk mund të mos i biem pas me admirim përgjatë tërë asaj karriere të bukur njëzet e pesëvjeçare në luftërat që ndërmori gjatë fundit

të mbretërimit të Muradit II dhe gjysmës  së parë të mbretërimit të pasuesit të tij Mehmeti II.”

  1. Hammer flet me hollësi për aksionet e Skanderbegut dhe lexohet me endje të veçantë rrëfimi i tij për të, duke shkaktuar kënaqësi të vërtetë tek përjeton nga afër tërë ato skena dobësie e poshtërsie, aq të shumta në radhët e të krishterëve të asaj periudhe. Shpesh Skanderbegu hasi në tradhtarë edhe në radhët e njerëzve që shërbenin nën urdhrat e tij. Providenca deshte që ai t’u shpëtonte tërë grackave.[…] Më 1461, Mehmeti II, i dëshpëruar që nuk po e mposhtte dot, i ofroi paqen, duke i njohur zotërimin e lirë të Shqipërisë dhe Epirit, me kusht megjithatë që ai t’i dërgonte peng të birin. Skënderbeu nuk e pranoi kushtin, duke arsyetuar se i biri ishte tepër i ri.

Ai përmblidhte në vetvete, thotë Z. Hammer, krejt virtytet e kapitenëve të mëdhenj.

SISMONDE de Sismondi (1773-1842).

“Histoire des républiques italiennes du Moyen Age”, [Histori e republikave italiane të Mesjetës], vëll. 6, Paris 1840, f. 389-395.

Europianët nuk e mbrojtën Skënderbeun, ishin të hallakatur nga luftërat midis tyre.

Si mori nën kontroll gjithçka që kishte qenë në pronësi të t’et, Skanderbeg thirri një kuvend të princërve epirotë të barabartë me të, jo në shtetet e tij apo të tyre, por në Alessio (Lyssus), qytet që ndodhet midis Krojës dhe Skutarit dhe që i përkiste venedikasve. Emrat e këtyre princërve epirotë që përgjatë shumë shekujve kishin ruajtur të drejtën të mbronin shtetasit e tyre dhe t’i udhëhiqnin në luftë, në vend që të qeverisnin vasalët e lidhur me familjet e tyre, rrallë shfqen në Histori; dhe lufta e Skënderbeut është flaka e fundit që do t’i ndriçojë. Binte në sy në kuvendin e Alessios Arianit Topia, që qeveriste vendin pranë grykës së Cattaro-s [Kotorit]; Andre Topia, fisniku i maleve të Kimerës [Himarës], që asnjëherë nuk kanë pësuar zgjedhën e muslimanëve; Muzakajt, aleatë të Kastriotëve; Dukagjinët, që banojnë në brigjet e lumit Lodrino [Drinit]; Lekë Zakaria, fisniku i Daniës; Pjetër Spani, fisniku i Drivastit [Drishtit], familja e të cilit pretendonte se rridhte nga Theodosi i Madh; Lekë Dushmani, Etjen [Stefan] Cernoviçi, fisniku i Malit të Zi, si dhe shumë princër të tjerë, që në atë kuvend ishin vënë nën urdhrat e komandantëve të Skutarit, Alessios dhe të qyteteve e kështjellave të tjera venedikase.

Ky kuvend vendosi, në emër të mbarë Shqipërisë, të vazhdohej lufta që Kastrioti u kish bërë deri atë çast turqve me forcat e pakta të feudeve të veta; e emëroi atë gjeneral të krejt Epirit, i premtoi e i dha ndihmë në të holla, që i çuan të ardhurat e tij në dyqind mijë florinte si dhe i ngriti në këmbë një ushtri prej tetë mijë kalorësish dhe shtatë mijë këmbësorësh.

Latinët [Europianët], jo që nuk krijuan një kryqëzatë për të mbrojtur Skënderbeun, por ishte përkundrazi, ky Hero që u thirr në Itali nga Papa Piu II për të mbrojtur Ferdinandin dhe për të dëshmuar në këtë mënyrë mirënjohjen për birin e atij Alfonsi nga i cili kishte marrë mirësira.

Lufta midis Skënderbeut dhe krejt fuqisë turke kishte vijuar gjatë nëntëmbëdhjetë vjetëve; dhe italianët, spektatorë moskokëçarës të kësaj lufte të madhe, e duartrokisnin Heroin, pa i dhënë ndihmë për tërë ato fitore të tij. Vetë ishin të hallakatur nga luftërat midis tyre dhe as që mendonin për rrezikun që po i kanoste nga aq afër.

Filed Under: Histori Tagged With: Fotaq Andrea, një Hero i Madh, Skenderbeu

Skenderbeu i lavdisë së përjetshme, mbijetesa e një kombi

January 21, 2018 by dgreca

pastedImage-2Reflektim, persiatje në 550 vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot – Skenderbeut (6 maj 1405 – 17 janar, 1468)/

2Sadik-Elshani

NGA SADIK ELSHANI*/Viti 2018 është shpallur Viti I Skenderbeut në tëre botën shqiptare, sepse shënojmë 550 vjetorin e ndarjes së tij fizike nga kjo botë, por shënojmë edhe 575 vjetorin e kthimit të tij në Kruje më 28 nëntor të vitit 1443, për të shënura kështu periudhën më të lavdishme të historisë sonë kombëtare. Është ky 28 nëntor që përshkoi harkun pesëshekullor të historisë sonë e që do të vazhdojë sat ë rrojë edhe kombi ynë. Më 17 janar të vitit të largët 1468, Skenderbeu, Heroi ynë Kombëtar i mbylli sytë përgjithmonë për të kaluar në botën e lavdisë së përjetshme. Historia e një vendi, kombi është jetëshkrimi, bëmat e njerëzve të tij të mëdhenj. Skenderbeu me bëmat e tij e shkroi kapitullin më të ndritur, më të lavdishëm të historisë sonë kombëtare. U hapi shqiptarëve dyert e historisë botërore, i futi në faqet më të lavdishme të saj. Nga largësia shumëshekullore, në atë errësirë shumëshekullore, Skenderbeu përherë i ndricoi rrugën popullit tonë. Ishte dhe gjithmonë mbeti ylli ynë polar që na orientonte, na drejtonte, na tregonte rrugën e drejtë. U bë flamur, burim frymëzimi për të gjitha brezat e shqiptarëve, mishërim, personifikim i vlerave tona të larta kombëtare e njerëzore: trimërisë, burrërisë, nderit, besës. Skenderbeu simbolizon bashkimin kombëtar, qëndresën, synimet e popullit tonë për liri e pavarësi. Gjuha shqipe, flamuri Kuq e Zi, Skenderbeu, përbëjnë trkandshin e barabartë kombëtar, AND-në e kombit tonë. Hapi i parë i rëndësishëm që Skenderbeu ndërmori pasi y kthye ne Krujë më 28 nëntor të vitit 1443, ishte përpjekja e tij për t’i bërë së bashku të gjithë princat shqiptarë në Kuvendin e Lezhës më 2 mars të vitit1444, i njohur në histori si Besëlidhja e Lezhës. Ai si një strateg ushtarak i pashoq, nga më të mëdhenjtë që ka njohur historia e njerëzimit, e dinte mirë se bashkimi bën fuqinë. Tani janë bërë legjendare shtatë thuprat e Skenderbeut. Pastaj ai  lidhi miqësi e aleanca me shumë vende të tjera, fuqi të asaj kohe. Kjo ëshë ajo formula magjike e Skenderbeut që duhet ta zbatojmë edhe sot për të ndërtuar një vend të fortë e të qëndrueshëm, të respektuar nga të gjithë.

Për 25 vite Skenderbeu i bëri ballë the e shpartalloi ushtrinë turke që ishte shumë herë më e madhe dhe më e pajisur se ushtria e Skenderbeut. Por Skenderbeu me shkathtësitë luftarake perdorte taktika, bënte  manovrime që i fuste ushtarët turq në kurthe për t’i shpartalluar më lehtë. Qëndresa e Skenderbeut në Shqipëri ia ndali hovin pushtues ushtrisë otomane dhe në njëfarë mënyre e shpëtoi qytetërimin europian.

Poetët dhe shkrimtarët e Periudhës së Rilindjes sonë Kombëtare e ngritën lart figurën e Skenderbeut për t’ia ngjallë ndjenjat atdhetare shqiptarëve, për t’iu dhnë zemër për ta ringjallur kohën e lavdishme të Skenderbeut, për t’u treguar shqiptarëve se edhe pse jemi popull i vogël, mund ta çlirojmë dhe ta mbrojmë vendin tonë. Dikur këtë e ka bërë Skendrbeu. Edhe nga varri Skenderbeu u printe shqiptarëve: “Një zë i lartë që dolli nga varri i Skenderbeut/Kërkoni ju shqiptarë lirinë e Mëmëdheut”, janë vargjet e një kënge të krijuar nga populli.

Dita e kthimit të Skenderbeut në Krujë më 28 nëntor të vitit 1443 u bë një ditë që e përshkoi tërë historinë tonë, ditë që jo rastësisht përkon edhe me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, pikërisht më 28 nëntor të vitit 1912. Edhe zgjimi, ringjallja atdhetare e shqiptarëve të Kosovës lidhet me emrin e Skenderbeut. Ishte pikërisht manifestimi madhështor i shënimit të 500 vjetorit të vdekjes së Skendrbeut në Kosovë që i dha hov lëvizjes për liri e pavarësi. Keto ngjarje po ndodhnin vetëm dy vite pas rënjes së Rankoviqit, ministrit famëkeq të Punëve të Brëndshme të Jugosllavisë. Atë vit mori hov edhe botimi i një vargu të veprave letrare e historike, ndër të tjera: “Historia e Skenderbeut” e Marin Barletit, “Historia e Skenderbeut” e Nolit, “Bashkëluftëtarët e Skenderbeut” e Ali Hashorvës. Këto libra dhe shumë të tjera ngjallnin ndjenjat, krenarinë kombëtare që kulmuan me demonstratat e studentëve ne Prishtinë në nëntor të viti 1968. Dhe 40 vite më vonë, më 17 shkurt të vitit 2008 Kosova u shpall shtet i pavarur. Të gjitha rrjedhat, ngjarjet historike që kanë ndodhur më vonë, burimin e kanë te ajo periudhë e lavdishme, te bëmat e Skenderbeut. Skendrbeu ishte oksigjeni që e mbajti gjallë frymemarrjen e një populli që po lëngonte nën pushtimin shumëshekullor Otoman, e mbajti gjallë shpirtin, shpresën, ëndrrën e popullit tonë për liri e pavarësi.

Nuk ka shembull në historinë e kombeve tjera (me ndonjë përjashtim të rrallë) që një figurë si Skenderbeu që ka 550 e vite që nuk është në këëtë botë e të jetë mjaft i pranishëm edhe sot në jetën tonë të përditshme. Skenderbeu më tepër se një emër, një njeri, është një vizion, është një epokë, është mbijetesa e një kombi. Skenderbeu nuk simbolizon vetëm forcën e muskujve, por edhe mencurinë, zgjarësinë, urtësinë, intelektin. Ishte një figure interesante që frymëzonte, që ka gëzuar adhurimin e figuarave të njohura jo vetëm të kohës së tij, por edhe kohërave të mëvonshme dhe vazhdon edhe ne ditët tona. Shkrimtarë e filozofë i kushtuan vepra, poetët i thuren vjersha e poema, piktorët ia pikturonin portretin, kompozitorët i thurën vepra muzikore, opera (Vivaldi).

Në kohën e Skendrbeut ishte Europa ajo që i kishte drejtuar sytë kah Shqipëria, shpresat për mbriojtjen e saj i kishte mbështetur te Skenderbeu. Shqipëria e kohës së Skenderbeut i ofronte Europës vlera të larta morale, qëndresë, mbrojtje. Edhe sot Shqipëria duhet të shkojë në Europë duke i ofruar asaj vlerat tona kombëtare e njerëzore dhe jo duke iu lutur, duke iu përkulur, duke i kërkuar lëmoshë asaj. Kjo është ajo porosia e madhe e Periudhës së Lavdishme të Skenderbeut që vjen në ditët tona. Kur shqiptarët e ndjekin shembullin, rrugën e Skenderbeut, atëherë janë në rrugë të drejtë, rrugë të mbarë. Skenderbeu na ka treguar se edhe një vend sado i vogel qoftë, kur udhëhiqet nga një udhëheqës këmbëngulës, largpamës me dinjitet e karakter të fortë, atëherë edhe ai vend mund të bëhet një vend i rëndësishëm që gëzon autoritet në arenën ndërkombëtare. Gazetari dhe publicisti Virgjil Kule e ka quajtur Skenderbeun “Kryqtari i fundit”, por ai është edhe kalorësi i përhershëm i lirisë që gjithmonë frymëzon, ngjallë shpresat e popujve liridashës.

Në një shkrim për Shekspirin lexova edhe këto fjalë: “…Atëherë pse t’i ngritet përmendore Shekspirit? Une përgjigjem, jo për lavdinë (famën) e Shekspirit, por për nderin e Anglisë”. Kjo vlen edhe për Skenderbeun. 550 vite më parë Skenderbeu e mbylli me lavdi e dinjitet kapitullin e jetës së tij mbi këtë toke dhe me bemat e tij i ka siguruar vetes vendin e përjetshëm në faqet më të ndriyura të historisë së Shqipërisë dhae asaj botërore. Prandaj, Skenderbeu nuk ka nevojë për përmendoret e shqiptarëve, por shqiptarët kanë nevojë për përmendoret e Skenderbeut. Dhe përmendorja më e madhe që shqiptarët mund t’i ngrenë Skenderbeut është: Ndërtimi i një shteti të fortë, të qëndrueshëm, funkcional e demokratik, me shqiptarë të bashkuar, anëtar i denjë i familjes europiane – si dikur në kohën e Skenderbeut.

Kur e shoh gjithë këtë anarki, plogështi që i ka kapluar dy shtetet shqiptare, udhëheqësit e pavendosur e të korruptuar, më vjen të bërtas deri ne kup të qiellit: Zgjohu, o Gjergji ynë! Ku je, o Skenderbe?

Lavdi e përjetshme Heroit tonë Kombëtar, Kryezotit të shqiptarëve, Gjergj Kastriot – Skenderbeut!

Sadik Elshani është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filadelfia, janar, 2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Sadik Elshani, mbijetesa e një kombi, Skenderbeu

SKËNDERBEU NUK ËSHTË PERSONAZH MITIK POR HISTORIK

January 18, 2018 by dgreca

1 fxharra1 Mhilli moderator

NGA FAHRI XHARRA*/

“…Ditën e 31 majit 1999, në kulmin e bombardimeve të NATO-s, shënimi i  ditës merret me një polemikë midis shqiptarësh në gazetën “Illyria” të NjuJorkut. Shkak është shkrimi “Skënderbeu e kishte nënën sllave” (me autor Fatos Lubonjën),botuar pak ditë më parë në “Courrier International” të Parisit. Autori shqiptar i shkrimit fajësohet me një gjuhë tejet të  ashpër, për qëndrim antishqiptar e njëherësh antieuropian. Pra, është 31 maj i vitit të fundit të mijëvjeçarit të dytë. Shprehja “ora e keqe”, më shumë se metaforë, është përcaktim i saktë i kohës për Kosovën. Ajo mezi po merr  frymë nën masakrën serbe, një nga më të egrat e shekullit. NATO-ja është  duke bombarduar Serbinë, për shkak të shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarët po paguajnë taksën. Shkurt, për ndëshkimin e Serbisë, NATO-ja ka vënë aviatorët dhe avionët më modernë të saj, kurse Kosova ka vënë gjënë më të vjetër në botë, në kësi rastesh: gjakun. Liria e kërkon se s’bën  këtë  karburant të vjetër, dhe shqiptarët e dinë këtë. Hakmarrja serbe është në  kulmin e saj: grirje  foshnjash, përdhunime vajzash e grash, djegie shtëpish, vrasje verbazi, shpërngulje, tmerr…”

Retë e zeza valojnë mbi qiellin tonë, kjo nuk është hera e parë. Ato re janë të përcjellura me vetëtima e bubullima, s’është hera e parë. Kemi kaluar ne si komb, kohëra edhe më të turbullta. I kemi bërë ballë tradhtive nga më të ndryshmet. Tradhtitë nga vetë individët e vendit tonë, të tokave shqiptare, janë të njohura. Njëra nga poshtërsitë më perfide është mohimi i vetvetes, mohimi i të kaluarës sonë, mohimi i të mëdhenjve tanë. Nga qarqet më antishqiptare, nga kuzhinat e tyre po përgatitën meny të ndryshme me anën e të cilave po mundohen të na krijojnë historinë tonë pa heronj. Si duket, programet vijnë të gatshme, bile edhe në gjuhën shqipe, se si të mohohet e tërë e kaluara e jonë. Olsijazexhitë, nexhmedinspahitë, fatoslubonjat, rexhepqosët, fatlumsadikëtnuk po kanë të ndalur në mohimin e çdo çkaje shqiptare. E duan popullin tonë pa histori, pa heronj, pa ardhmëri.

Kombi ynë, ka një figure historike si Skenderbeu, qe ju mungon kombeve te tjerë, sidomos atyre qe kërkojnë te na zhbëjnë. Pikërisht për ketë, ne emër te demitizimit te figurave historike, po ngrihet një stuhi propagande nga te huaj dhe shqiptare te shitur kundër tij. Ata kane përpunuar nje strategji qe ta shpallin Skenderbeun, te paktën jo shqiptar, dhe ne pamundësi te kesaj, ta shpallin atë si një kryengritës, qe luftoi kundër turqve për hakmarrje personale.

Retë e zeza, vijnë e do të shkojnë përkundër zhurmës shurdhuese që e kanë, përkundër dritës friguese qe e lëshojnë. S`do të ketë mohim të së kaluarës sonë. Skënderbeu, kalorësi i Europës dhe i Shqiptarisë do të jetë krye kreje mbi të gjithë shqiptarët pa dallim feje apo bindje politike. Krenaria shqiptare në të njejtën kohë edhe krenarja Europiane, përkundër asaj që i pengon  aziatët, flamuri i tij do të valojë edhe në shekujt e ardhshëm të ardhmërisë sonë. Nëse Skënderbeu i ka tmerruar mehmetfatihët ne kohën e tyre, po i tmerron edhe sot fatihët e rinj, që duan t’i shtrijnë rrënjët e tyre të thara edhe një herë në këtë tokë të përgjakur.  Pra mallkua qoftë aj bir shqiptari, që dhuratën historike të perëndisë, Skënderbeun, që nuk e ka në gji, dhe si hajmali mbrojtëse t`a përcjellë gjithë jetën.Iu themi të gjithëve, larg duart nga historia e jonë, largë duart nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Dy te shiturit F. Lubonja dhe sidomos A. Klosi, mundohen ti heqin atij dimensionin gjigant historik dhe kur munden dhe përkatësinë shqiptare, duke e ditur qe është ky hero, emri i te cilit na rreshton te paktën te barabarte mes europianeve te tjerë.Shkruani për heroin shqiptar Skënderbeun , mos e lini te zvogëlohet dhe te cenohet figura e tij nga këta individë te shitur.Ardian Klosi( i ndjere) dhe Fatos Lubonja janë  me te vërtete mohuesit me te madhej. Duan te jene Evropian dhe intelektual, kur vete Evropa i ka ngritur monumente dhe buste këtij njeriu legjendar, sado qe mund te ketë pasur ato probleme qe ka ç’do udhëheqës qe duhet te mbaj vendin, aq me tepër ne balle te një bajlozi te madh siç ishte Turqia. Nuk kam pare asnjë shtet te Evropës apo te botes, te mundohet kaq shume sa mohuesit te ulin te vetmit heronj qe te paktën njihen me dokumentacione, apo ti bëjnë ata sikur nuk janë Shqiptare. Ne jemi ata te çilet ngremë lapidare dhe varreza te huajve dhe leme dëshmoret tanë tek plehrat vetëm te mbushin xhepat e tyre. Tani po e vërtetojnë edhe pseudo-injorantet te cilët duan te bëjnë te njeten gjë me figura te cilat i nderon je bote e tere.

Figura mbikohore e Gjergj Kastriotit duhet shikuar në tri aspekte; e para në atë të një figure të civilizimit të përbashkët të familjes europiane, e dyta të ruajtjes dhe shpalosjes së identitetit të plotë të shpirtit kombëtar, kulturor e europian dhe se fundi të mbrojtjes së vlerave rrënjësore të shpirtit, identitetit dhe kulturës së përgjithshme si të kombit shqiptar europian ashtu edhe të përbashkësisë së plotë të familjes europiane.

Gjergj Kastrioti është simbol i civilizimit europian të kombit shqiptar, ai nuk ka kufij të panjohur gjeografik as vend që nuk ka dijeni për këtë hero dhe figurë stoike të kombit shqiptar europian, madje ka shtete dhe kombe europiane e botërore që jo vetëm kanë respekt të thellë shpirtëror, por edhe e duan si pjesë të civilizimit të tyre europian. Në këtë kontekst mendoj se Gjergj Kastrioti së pari është bir i madh i kombit shqiptar europian, së dyti është një ndër bijtë më të vlerësuar të historisë së Europës së bashkuar dhe së treti është një figurë e mbarë botës së civilizuar dhe posaçërisht e vlerave universale të familjes europiane.

Nga lufta e drejtë 25-vjeçare e popullit shqiptar për t’u çliruar nga pushtuesit osman, të udhëhequr nga komandanti legjendar Gjergj Kastrioti, lindi dhe u ndërtua periudha më historike e këtij populli. Pa këtë periudhë, shqiptarët do të ishin pa histori dhe johistorikë. Pra, ky bir i madh i Arbërisë na bëri me histori, na dha emër. Si çdo luftë në histori, edhe lufta çlirimtare e shqiptarëve në shekullin XV, e udhëhequr nga ngadhënjimtari i betejës së Torviollit dhe të Albulenës, e kishte çmimin e vet. Princi i famshëm i fisit të

Kastriotëve, për herë të parë në histori, arriti të bëjë bashkimin politikshtetëror të popullit shqiptar. Figura e Tij sintetizon një epokë të tërë të historisë kombëtare shqiptare – luftën njëshekullore kundër pushtuesit osman (1380-1479), për mbrojtjen e tokës, të lirisë dhe të pavarësisë së vet.

Në mes të shekullit XIX do të duken agimet e para të pranverës shqiptare. Do të lind Rilindja Kombëtare. Pa periudhën skënderbeane, nuk do të kishim as Rilindje. Pa këto dy epoka të lavdishme të historisë së popullit shqiptar, nuk do ta kishim as Vlorën e 1912-ës të Ismail Qemalit. Me fjalë të tjera, nuk do të kishim liri, pavarësi, dinjitet dhe as shtet shqiptar. Qëndresa epike e këtij mjeshtri të artit luftarak zuri vend në kujtesën historike të çdo shqiptari. Vepra kolosale e këtij vigani paraqet ndërgjegjen kombëtare të popullit shqiptar.

Skënderbeu nuk ka bërë luftë fetare .. Skenderbeu nuk ishte një kryqëzator, por ai bënte luftë çlirimtare kombëtare. Mos të harrojmë se kryeheroi ynë është rritur si mysliman dhe ne nuk shohim se ai e urrente këtë fe, por se për të ishte jetike që luftën nuk mund ta bënte kundër turqve ndërsa ende mbante fenë e tyre të sjellë në vendin e shqiponjave.

Nëno moj – i drejtohem Shqipërisë,  ky  sistemi komunist i të kaluarës së turpshme i paska përgatitur do bijë dhe bija tuaja që në çdo kohë të vjellin vrerë mbi ty . Ti nuk e di nënë e dashur , që në atë mbledhjen  e Katovicës me Gorbaçovin (Servet Pëllumbi: Ramiz Alia zbatoi “Katovicën”, 28 Prill 2015 mapo.al ) Ramiz Alija i kishte  sjellur do rregulla që duhet t`i përmbahen ata që e duan shkatërrimin e Shqiperisë. E sheh moj nëno që Katovica i kishte përgatitur edhe Fatos Lubonjën ,edhe Ardian Klosin e tani së fundi po del në shesh një dobiç i ri nga “zbatimi i Katovicës “   Nëno, shihe se çka shkruan shtypi i Shqipërisë: “Skënderbeu ka qenë më shumë i krishterë se shqiptar”, kështu është shprehur publicisti Mustafa Nano, gjatë një takimi me nxënës, me të cilët ka diskutuar ndër të tjera edhe për çështje që lidhen me identitetin e shqiptarëve dhe fqinjërinë me serbët e grekët, tema të nxitura nga libri i tij më i fundit, “Sandviç; Kuku për ty, Nëna Shqipëri  kur Mustafa Nano i thotë botës:  “Ne sot themi që Skënderbeu ka qenë shqiptar dhe ka qenë i joni, ndërkohë që ai ka qenë më shumë i krishterë se shqiptar kur u bë i famshëm, madje ai nënën e ka pasur sllave. Etnia nuk ka qenë shumë e rëndësishme atëherë dhe martesat mes shqiptarëve dhe serbeve bëheshin pa problem.

Mustafa Nanos dhe të gjithë atyre që  e pretendojnë një “eliminim“ të Skënderbeut nga historia, iu kisha kujtuar librin: “Skenderbeg u pesmama” botuar në Pançevë (Serbi ) me 1883, ku Skënderbeut i këndohet si shqiptar e jo si katolik apo ortodoks:

‘Nese mendon Epirin ta robërosh,

Skenderbeun gjallë ta zesh

Merr 50 mijë ushtarë

Sepse ti nuk e di cka janë shqiptarët

Njeri do tu u hidhet njëqindve

Skenderbeu do tu hidhet njëmijëve’

(Këtë këngë popullore serbe e shkëputa nga  nga libri i serbëve : “Skenderbeu në këngë“, faqe 11

Tani nje shkrim qe ia pata drejtuar Oliver shmitit , te porositurit nga qaret me ekstreme te Beogradit per zhberjen e histories shqiptare  ….

SKËNDE RBEU NUK ËSHTË PERSONAZH MITIK POR HISTORIK

A ka qenë Skënderbeu vërtetë një “atlet i krishtërimit” apo një aventurier e një hakmarrës? Deri vonë, askush nuk guxonte ta vinte këtë në dyshim për Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Disa vite më parë, historiani Oliver Jens Schmitt, në një vepër të tij kushtuar Gjergj Kastriotit, ndër të tjera servirte edhe një dokument, sipas të cilit lufta e tij kundër Sulltanit s’ishte gjë tjetër veçse hakmarrje personale ndaj vrasjes së të atit. Në këtë 100-vjetor të pavarësisë, revista “Përpjekja” i ka kushtuar një numër të veçantë pikërisht Skënderbeut. “

Mrekulli dhe mrekulli shqiptare, dhe vetëm shqiptarët dijnë të bëjnë këso mrekullira”. Askush nuk paska guxuar ta vë në dyshim meritën e Skënderbeut! Dhe ja që tani na doli njëfarë dr. Schmitti i cili pa kurrfarë fytyre po e studion në mënyrën më “serioze”dhe më “drejtkallxuese” se si paska arritur Skënderbeu që “të prishë rehatinë” e tij personale prej Begu dhe përkundër të

gjitha të mirave që i kishte dhe që e rrethonin, t`i kujtohej se ka për të “larë një borxh” sipas Kanunit. Skënderbeut si “fytyrë mitike” që ishte, dhe po “vërtetohet” nga drejtkallzuesit e historisë, i duhej patjetër që “të mbronte” fytyrën e Kastriotëve dhe në mënyrën më aventuriere të hakmerret.

Që patjetër të na groposin krenarinë tonë të vjedhur, “Historianit” që flet rrjedhshëm shqip dhe serbisht, dhe që na mahnitë me aftësitë e tij zbërthyese të dokumenteve (të përzgjedhura sipas dëshirës së tij dhe të komentuara sipas qëllimit të tij), i japim vend në foltoret tona dhe në hapësirën tonë që përditë e më tepër po na mjergullohet. Pa u harruar për të përmendur dhe “falenderuar”, është edhe ndihma e shqiptarëve të llojit të Artan Putos dhe atij të Fatos Lubonjës, të cilët me një mohim kombëtar ia çelin dyert e shëmtimit të historisë sonë nga paçavurët e llojit të dr. Shmittit. Hajde ku është katandisur populli shqiptar që lejon paçavure të tilla,si të jashtme ashtu edhe të brendshme! O bobo, e ç`na zuri të papërgatitur kjo kohë e dreqit të mallkuar!

Studiuesi gjerman H. A. Barnatzik shkruante se që nga viti 1444 gjer më 1468, u zhvilluan 24 beteja të përgjakshme, në të cilat Skënderbeu, heroi gjenial i shqiptarëve, arriti t’i zmbrapste turqit, të cilët pa dyshim,do të kishin vërshuar në të gjithë Evropën. Po, po, shkruante dhe nuk hamendej të na “mbushë’ mendjen se heroi ynë ishte shqiptar i vërtetë dhe se “i paskësh premtuar babait të tij Gjonit, se do t`ia nxjerrë hakun”.

Hajde Schmitt hajde, edhe ju ndjekësit e tij! Po Papa Nikolla V, bashkëkohës i Gjergj Kastriotit, e konsideronte si “mit” kryetrimin shqiptar kur i dha titullin “Atlet i Krishterimit”?!

Ç`është miti? Një rrëfim i trilluar për diçka që nuk ka qenë kurrë dhe nuk është e vërtetë, është përrallë, legjendë; diçka që lakohet sipas dëshirës së treguesit duke ia veshur një petk të rrejshëm dhe përrallor. Skënderbeu nuk ishte Willhelm Teli, legjenda e të cilit fillon në shekullin e 15 -të, në kohën e themelimit të Federatës së vjetër të Zvicrës. Telli ishte figura qendrore e patriotizmit zvicerian (Wikipedia). Skënderbeu nuk ishte as Robin Hudi i folklorit anglez, i njohur si njeri i shpatës dhe shigjetës “i cili iu merrte të pasurve dhe iu jepte të varfërve.” Pra dr. Schmitti duhet të bindet që po gabon rëndë e edhe më shumë duhet që ndjekësit e tij të mos bëhen “përrallë me tupan” si ç`thonë në  Gjakovë, me teoritë, zbërthimet, mbërthimet e tyre sa qesharake aq edhe të pakapshme për kohën e sotme.

Doktori po m`a kujton shkrimtarin  gjerman Karl May-in (1842 – 1912) i cili me Winnetun dhe Old Shattelandin e tij gjuhet mbi popullin tonë për t`i bërë romanet e tij më interesante me fantazinë e pakontrolluara dhe ofenduese. Karl Mayi nuk dinte shqip, e vërtetuar se kurrë s`kishte qenë në anët tona; por ti i mosrespektuari doktor Farkëtari (Schmitt), pse na farkëton trillime që nuk zënë vend kurrë. Kur Karl Friedrich Mayi shkruante, ne nuk guxonim të shkonim në shkolla shqipe po nga ata porositësit e tu; por sot, përkundër asaj që i ke gjetur disa ndjekës besnikë, të kotë e ke. Por sidoqoftë, prapëne na duhet të merremi me ty.

“Patjetër që serbët i shqetëson fakti se shqiptarët janë një nga popujt më të vjetër të Europes, pasardhës të pellazgëve dhe të ilirëve mitikë.  Patjetër i shqetëson fakti se Shqipëria ka stof katolik europiano-perëndimore shprehur më së miri në figurat me famë botërore si Gjergj Kastrioti i cili jo më kot u quajt “atlet i krishtërimit” sepse për 25 vjet ndaloi përparimin e hordhive turke drejt perëndimi) dhe të ShenjtesGonxhe Bojaxhiu-Nënë Terezës (e cila u shndërrua në nënë e paqes, e mirësisë, e humanizmit për botën mbarë) dhe jo oriental dhe bizantin sikurse janë serbët. Patjetër që nuk u shkon për shtati serbëve identiteti katolik europian i shqiptarëve, që janë ura lidhëse vertikale e Shqipërisë me Europën Perëndimore e cila nuk u ndërpre asnjëherë, sepse ky stof katolik i shqiptarëve dhe kontributi i tyre për kulturën e përbashkët europiane me shpatë para 5 shekujsh me humanizëm në epokën moderne, e bën teorinë e tyre të pabesueshme dhe banale.” (P.Sh)

Për hakmarrje personale, Skënderbeu mund të vriste vetë Sulltanin dhe e kishte këtë mundësi sepse kishte hyrje të lirë tek ai si Gjeneral i lartë, por nuk e bëri këtë sepse Gjergj Kastrioti u shty nga një motiv më sublim se sa ai personal. U shty nga atdhedashuria dhe patriotizmi, prandaj serbët i shqetëson ky fakt dhe duan përmes Schmitt ta sulmojnë figurën eSkënderbeut sepse nuk e kanë një të tillë për veten e tyre. Një popull që e ka filluar formimin e shtetit nga shqiptarët (Karagjorgjeviqët), një popull që shkrimleximin e ka nga shqiptarët (Vuk Karaxhiqi), si munden të të bindin për njollosjen e Skënderbeut, të po atij Skënderbeu që me shekuj janë munduar ta përvehtësonin?

O ti zotëri i një makinerie mirë të koordinuar antishqiptare! Njëzet e pesë vite lufte të pandërprerë nuk mund të quhet hakmarrje aventuriere private. Por kjo është një ide “a la Karl May”! Një ide që nuk pi ujë në analet e historisë. Por qëllimet janë të tjera: Si të gjithë të huajt që shkruajnë me keqdashje për historinë e Shqipërisë, ai kërkon të eliminojë Skënderbeun si personalitet qendror i historisë së Shqipërisë. Nuk është e vështirë që të kuptohet se përse bëhet kjo gjë. Por mohimi i kombit shqiptar është qëllimi i tyre dhe i të gjithë atyre që qëndrojnë prapa.

Heroi ynë kombëtar dhe shqipëtarët e tij, ia kanë dhënë realisht dhe historikisht përgjigjen Otomanizmit, Europës dhe sigurisht edhe sot (apo nesër) Oliver Schmittit apo oliverëve të nesërm. Shpirti i madh i një populli për liri, Skënderbeu, e thotë vetë: “Lirinë nuk jua solla unë, atë e gjeta këtu midis Jush”. Pra, kjo është dëshmi e qartë historike… psikologjia e vetë fjalëve të Tij. Shpirti i rezistencës që gjeti mes bashkatdhetarëve të vet.

Apo jo z. Oliver Shmitt?

“Shqiptarët janë e vetmja rracë në Ballkan, që tregon të vërtetën historike”, thoshte Edith Durham, e juve nuk iu mbush mendjen? Pra, mos ta zgjasim se edhe vetë jeni të bindur se Gjergj Kastrioti- Skënderbeu (1405- 1468) personifikon një epokë të tërë të historisë kombëtare të shqiptarëve, që mori emrin e tij: luftën më se njëshekullore të tyre kundër vërshimit osman (fundi i shek. XIV – fillimi i shek. XVI) për mbrojtjen e tokës, të pasurisë e të lirisë. “Nën udhëheqjen e tij lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë të lartë e të organizuar, shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të vendit dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare të tyre. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Ai e kuptoi,më qartë se kushdo tjetër, detyrën që shtronte çasti historik: nevojën e bashkimit politik si kusht kryesor për të realizuar mbrojtjen e interesave të të gjitha shtresave shoqërore, të pasura e të varfëra, të kërcënuara tashmë prej pushtuesve osmanë në çështjet jetike”.

*Per arsye shendetsore, autori nuk mundi te udhetonte. Moderatori Mhill Velaj e lexoi në Simpoziumin me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu organizuar nga Kisha Zoja e Shkodrës dhe Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, NUK ËSHTË PERSONAZH MITIK, POR HISTORIK, Skenderbeu

Speciale-Shtarorja e Skëndërbeut në Kosovë në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë

January 17, 2018 by dgreca

-Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut, axhenda e 17 janarit 2018 në  Kosovë/

1 Ramushi Skenderbeu1 Udheheqja1 Shtatorja me policeOLYMPUS DIGITAL CAMERA1 Ramushi skend nxens

-Kryeministri Haradinaj: Me nderim përulemi para gjithë të rënëve për liri/

-Monumenti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Prishtinë si në Krujë, vepër e skulptorit Janaq Paço. Raportime të 28 Nëntorit 2001 dhe të vitit 2012/

 SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI /

PRISHTINË, 17 Janar 2018/ Në Kosovë vijojnë po sot aktivitetet e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, të shpallur në 28 Nëntor 2017 në Vlorë, në 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, pas mbledhjes së katërt një ditë më parë të dy qeverive, në Korçë. Në orën 10:00 u bën homazhe në Prishtinë te Shtatorja e Heroit Kombatër Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, e cila është ngritur në 28 Nëntor të vitit 2001 në një ditë feste të madhe të Pavarësisë së Shqipërisë, të tretën në Kosovën e lirë.Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga kabineti qeveritar dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, bënë homazhe te shtatorja e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, në sheshin me emrin e tij në Prishtinë.Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se ky nderim është pjesë e aktiviteteve të përbashkëta të dy qeverive, Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës për Vitin Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

 “Në këtë ditë kujtojmë gjithë veprën e madhe, luftën e madhe dhe gjithë të arriturat e heroit tonë, të arritura, në të cilat edhe ne sot ndërtojmë të tashmen dhe e kemi të garantuar të ardhmen. Po ashtu, me pietet përulemi para gjithë të rënëve për liri. Sot kujtojmë me respekt heronjtë e Kosovës, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka”, tha kryeministri Haradinaj. Në ora 15:00  në Teatrin Kombëtar të Kosovës po mbahet Akademi kushtuar 550 vjetorit të Skënderbeut. Me këtë rast do të promovohet pulla postare e Postës së Kosovës dhe Postës së Maqedonisë. Në këtë ceremoni do të jetë i pranishëm edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.Në  Akademi do të nderohen edhe figurat e shquara të shqiptarëve, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, në 36-vjetorin e vrasjes së tyre.Në ora 18:00 në Prishtinë në ambiente hoteli (Swiss Diamond) në qendër të kryeqytetit hapet ekspozita 55 portrete për 550-vjetorin.Aktivitetet e organizuara të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, kanë nisur në 15 janar  në Biblioteka Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë me Orën e Madhe Letrare “Ora e Gjergjit”, ku morën pjesë artistë, shkrimtarë dhe personalitete tjera nga fusha e kulturës.Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 12 janarit 2018 formoi komisionin ndërministror për shënimin e 550 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Komisioni është i mandatuar t’i bëj të gjitha parapërgatitjet si dhe axhendën e shënimit të këtij jubileu.

SHTARORJA E GJERGJ KASTRIOTIT – SKËNDËRBEUT NË PRISHTINË NË 28 NËNTOR 2001-RUGOVA: DITË E MADHE PËR KOSOVËN­

Shtatorja e Heroit Kombatër Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, në Prishtinë, kopje e monumentit në Krujë – vepër e skulptorit Janaq Paço, është ngritur në 28 Nëntor të vitit 2001 në një ditë feste të madhe të Pavarësisë së Shqipërisë, të tretën në Kosovën e lirë, të cilën presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova e vlerësonte ditë të madhe për Kosovën.“Zonja dhe zotërinjë, qytetarë të nderuar të kryeqytetit, qytetarë të nderuar të Kosovës, mysafirë të nderuar nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Presheva, të nderuar miq ndërkombëtarë dhe përfaqësues diplomatikë në Prishtinë. Sot është një ditë e madhe për Kosovën, sepse po e përurojmë monumentin e Heroit Nacional të shqiptarëve në Prishtinë”, tha në fjalën përuruese Rugova, duke folur para mijëra shqiptarëve nga trojet etnike e diaspora.Ai vijoi se,  shumë gjenerata të mëparshme si dhe gjenerata jonë e kemi ëndërruar këtë ditë.“Gjeneratat e reja, fëmijët tanë do të rriten me Skënderbeun, do të rriten me Heroin e vet dhe me fat të rinjve të Kosovës”, theksoi Rugova.Më tej tha se, do të ndiehen edhe më të qetë edhe dëshmorët e shumë brezave dhe ata të luftës së fundit për liri dhe pavarësi të Kosovës.“Sot Kosova është e lirë, e bënë të lirë nipat dhe miqtë e Skënderbeut. Gjergj Kastrioti ndihet i lumtur për lirinë e Kosovës, të Dardanisë antike. Ndihet i lumtur, sepse miqtë e tij janë në Kosovë dhe me Kosovën, se Kosova dhe shqiptarët po bashkohen e integrohen në botën perëndimore, aty ku e kanë vendin. Në atë botë që e mbrojti me dinjitet dhe i hapi perspektiva për shekujt e rinj evropianë e perëndimorë, për prosperitetin e civilizimit njerëzor”, u shpreh Rugova. Shtoi se, shekuj me radhë Skënderbeu ishte simbol i lirisë dhe i pavarësisë për shqiptarët, ishte simbol i lirisë dhe i pavarësisë për Kosovën.“Poashtu, shekuj me radhë Skënderbeu ishte simbol i lirisë dhe pavarësisë për shumë popuj evropianë dhe të botës. Ishte simbol edhe për lirinë dhe pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai e vazhdon këtë mision edhe sot”, theksoi presidenti historik Rugova.Ai falënderoi profesor Mark Krasniqin për angazhimet për ta sjellë e ngitur në Prishtinë  monumentin-shtatoren e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe për ta vendosur në monument i kishte sjellur “një ari natyral të kristaleve të Kosovës”.“Me fat Prishtinë, me fat Kosovë, zoti e bekoftë Skënderbeun siç e ka bekuar. Zoti e bekoftë Kosovën, ju falenderit dhe urime për monumentin e Skënderbeut…Ju falendroj shumë juve qytetarë që keni ardhur ta ndani gëzimin së bashku këtu në Sheshin Skënderbe të kryeqytetit të Kosovës sonë të dashur. Me fat”, tha në përfundim të fjalës Ibrahim Rugova.Pastaj akademik Mark Krasniqi ia dorëzoi monumentin madhështor kryetarit të atëhershëm të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Salih Gashi, i cili u shpreh: “Më në fund erdhi edhe ky monument i shumëpritur dhe i lavdishëm për popullin tonë- ngritja e përmendores së Skënderbeut në Prishtinë”.Në festën e ngritjes së shtatores së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Prishtinë folën edhe Namik Dokle, kryetar i atëhershëm i Parlamentit të Shqipërisë dhe ish-kryeministri në ekzil i Kosovës, Bujar Bukoshi.

NË PRITJE TË ZBULIMIT TË MONUMENTIT TË SKËNDERBEUT NË PRISHTINË

 RISHTINË, 28 nëntor 2001 (QIK) – Asnjëherë në kryeqytetin e Kosovës nuk ka pasur më shumë njerëz në sheshin kryesor “Nëna Tereze” dhe nëpër të gjitha rrugët e rrugicat e Prishtinës. Me mijëra njerëz kishin ardhur nga të gjitha qytetet e Kosovës, nga territorët etnike shqiptare dhe nga diaspora.Asnjëherë nuk është ndjerë atmosferë më solemne dhe më madhështore se sa ditën e sotme – më 28 Nëntor. Qendra e qytetit ishte në shenjë të këtij solemniteti: aparatura e zërimit, bina solemne dhe njerëzit që poashtu, me një durim të mahnitshëm presin fillimin e manifestimit qendror – zbulimin dhe përurimin e monumentit të Skënderbeut në Prishtinë.

Mirëpo, edhe pas pritjes së gjatë dhe fillimit e mbarimit të Akademisë solemne në Teatrin kombëtar të Prishtinës, zbulimi i monumentit të Skënderbeut nuk u bë. Në vazhdim u komunikua se akti i zbulimit solemn do të bëhet në orën 15,00. Arsyetimi: shtatorja e Heroit tonë kombëtar, nuk kishte arritur në Prishtinë, edhe pse mbrëmë në measnët e kishte kaluar kufirin e Kosovës.

Një rrugëtim i shkurtër nga Prizreni në Prishtinë po zgjat si tepër shumë dhe me ngathtësi. Njerëzit filluan të hedhin pakënaqësitë e para si “punët tona janë kështu…” deri në shpresën se koha do të shkurtohet. Por sheshi “Nëna Tereze” nuk zbrazej, sikurse që nuk zbrazej dendësia e njerëzve përreth bazamenti të monumentit të Skënderbeut, që priste të vëhej në vendin e vet…

RAPORTIME TË VITIT 2012:

08/04/2012

KOSOVË/ SHTATORJA E SKËNDERBEUT NË PRISHTINË ZBRET PËRKOHËSISHT NGA “FRONI” PËR T’U NGRITUR MË LART

 PRISHTINË, 8 Prill /ATSH-Behlul Jashari/.-Shtatorja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Prishtinë është zbritur përkohësisht nga “froni” për t’u ngritur në të njëjtin vend dhe më lart në verë, në punimet e filluara këtë pranverë për ndërtimin e Sheshit të Pavarësisë Ibrahim Rugova në kryeqytetin eKosovës. Deri atëherë Shtatorja e Kryetrimit Skënderbeut hipur mbi kalin e tij është e vendosur e mbulur për të mos u dëmtuar në oborrin e një prej ndërtesave qeveritare, pranë Flamurit Kombëtar Shqiptar.
Ndërtimi i sheshit, sipas projektit, përfshin nivelizimin e sipërfaqes tek Shtatorja e Heroit Kombatër, Skënderbeut, e cila është ngritur në 28 nëntor të vitit 2001 në një ditë feste të madhe të Pavarësisë së Shqipërisë, të tretën në Kosovën e lirë. Projekti për ngritjen e Sheshit të Pavarësisë Ibrahim Rugova në Prishtinë, përballë selive të Kuvendit dhe të Qeverisë kosovare është përuruar pak ditë pas 17 Shkurtit historik 2008, të shpalljes së shtetit të Kosovës.Për lirimin e hapësirës  për sheshin fillimisht janë rrënuar disa objekte të vjetra, që kryesisht shfrytëzoheshin nga tregëtarët dhe zejtarët, e që nuk kishin ndonjë rëndësi të trashëgimisë kulturore e historike.

     Ndërsa, pranë sheshit pritet të rinovohet një ndërtesë  që dikur ishte hotel një kohë me emrin “Skënderbeu”, projektuar nga një arkitekt austriak  dhe ndërtuar në vitin 1927 dhe që paraqet vlerë të arkitekturës dhe kulturës evropiane të fillimshekullit XX.

     Sheshi i Pavarësisë Ibrahim Rugova do ketë 12 mijë 800 metra katrorë, ndërsa për ndërtimin e tij komuna e Prishtinës ka ndarë 4 milionë e 375 mijë euro.
Në hapësirën e sheshit do jenë edhe tre fontana, një prej të cilave te Shtatorja e Skënderbeut. Ndërtimi në qendër të Prishtinës i  sheshit me emrin e Presidentit historik, ideatorit e arkitektit të pavarësisë kosovare,  do përfundojë në këtë vit të festës së madhe të gjithë  kombit – 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

04/07/2012

PRISHTINË/ SKËNDERBEU PËRSËRI NË “FRON”

     PRISHTINË, 4 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është ngjitur përsëri në “fron” në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, gjatë punimeve që vazhdojnë për ndërtimin e Sheshit të Pavarësisë ‘Ibrahim Rugova’ në këtë vit të jubileut të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. “Froni” është i ri dhe është vendosur edhe më lart, edhe më afër ndërtesës kryesore të qeverisë së shtetit më të ri evropian.
Shtatorja e kryetrimit Skënderbe, hipur mbi kalin etij, është zbritur përkohësisht nga ‘froni’  në  pranverë, dhe deri tani qëndroi e vendosur  në oborrin e një prej ndërtesave qeveritare. Sipas projektit, ndërtimi i Sheshit përfshinte edhe nivelizimin e sipërfaqes tek Shtatorja eHeroit Kombëtar, Skënderbeut, e cila është ngritur në Prishtinë në 28 Nëntor të vitit 2001.
Projekti për ngritjen e Sheshit të Pavarësisë ‘Ibrahim Rugova’ në Prishtinë, përballë selive të Kuvendit dhe të Qeverisë kosovare, është përuruar pak ditë pas 17 Shkurtit historik 2008, të shpalljes së shtetit të Kosovës. Për lirimin e hapësirës së paraparë për sheshin fillimisht janë rrënuar disa objekte të vjetra, që kryesisht shfrytëzoheshin nga tregtarët dhe zejtarët, e që nuk kishin ndonjë rëndësi të trashëgimisë kulturore ehistorike. Ndërsa, pranë sheshit ka filluar të rinovohet një ndërtesë që dikur ishte hotel një kohë me emrin “Skënderbeu”, projektuar nga një arkitekt austriak dhe ndërtuar në vitin 1927, e cila paraqet vlerë të arkitekturës dhe kulturës evropiane të fillimshekullit XX.
Gjatë punimeve për ndërtimin e Sheshit të Pavarësisë ‘Ibrahim Rugova’,  që përfshinin edhe Sheshin Skënderbeu, janë zbuluar edhe gjetje arkeologjike, mes të cilave një krua i ndërtuar para mëse 500 viteve, i cili  pritet të konservohet dhe restaurohet.
Sheshi i Pavarësisë ‘Ibrahim Rugova’ do ketë 12 mijë 800 metra katrorë, ndërsa për ndërtimin e tij komuna ePrishtinës ka ndarë 4 milionë e 375 mijë euro./s.s./

VIDEO-MONUMENTI I SKËNDERBEUT NË PRISHTINË, FLET PRESIDENTI HISTORIK I KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA, 28 NËNTOR 2001:

https://www.youtube.com/watch?v=r8Ah6LuS5o4

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Skenderbeu, speciale, Viti i heroit Kombetar

Heroi Kombëtar shqiptar, Atlet i Krishtit..

November 18, 2017 by dgreca

“Skënderbeu,  Heroi Kombëtar shqiptar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës (1413-2017)/

20171118_125844

-Një libër i ri për Heroin Kombëtar në prag të shpalljes së “Vitit Skënderbeu – 2018”-Album – Antologji nga Fotaq Andrea”

Legjenda thotë – në gegërishten e bukur – se “Selim Pasha bâ atëherë me e nalë do kohë në pushim ushtërin në Lezhë, shkoi drejt e te vorri i Skanderbegut e bâni me e çilë. Trupi i tij ishte kênë zhgatrrue, por zemra ishte ené e pa prishëne e gufonte gjak të xetë. Me gëzim e mori Selim Pasha at zemër, e shtij në nji kuti të prarueme e me ‘i herë i-a nisi dhânti Sulltanit, i cili e vendosi në mâ të bukurën qelerë të pallatit të vet. Aty, thonë, se ruehet edhe tashti me kujdes të madh prej njaj roje…”.E tillë është legjenda e “zemrës së gjallë” të Skënderbeut ndër Malësorët tanë, ardhur e shkruar dhe e freskët nën penën e At Marin Sirdanit, tek e mblodhi nga goja e popullit në vitet ’40 të shekullit të kaluar. Në jehonë të Historisë, shekuj mbas shekujsh, këtë zemër të KryeHeroit tonë, kombi shqiptar e ka dashur dhe e ka pasur përherë të gjallë, si një domosdoshmëri jetike, e ka parë me sytë e mendjes të gulfojë e të përhapë pandërprerë “gjak të nxehtë” në krejt trupin dhe truallin kombëtar. Sepse Kujtesa historike e Kastriotit të Madh ishte për të ushqimi i përjetshëm shpirtëror, ishte simboli i qëndresës historike, vetë sumumi i vetëdijes sonë kombëtare.

Album-Antologjia “Skënderbeu, Heroi ynë Kombëtar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës”, që po botojmë me rastin e “Vitit Skënderbeu – 2018”,  është fryt i një pune shumëvjeçare, qëkurse nisëm të qëmtojmë me syrin e antologjistit, aty nga fundi i viteve ’90 i shekullit të kaluar, gjithçka historike me vlerë për Shqipërinë dhe Shqiptarët nën penën e autorëve të huaj. Kjo vepër, e pesta e llojit antologjik që kemi hartuar, synon ta rrokë figurën e Skënderbeut në tre dimensionet e tij madhore shfaqur që në vetë titullin e saj. Është një fluturim panoramik historik në rrjedhë të shekujve me dëshmi dhe dokumente për KryeTrimin tonë që na sjellin 202 autorë, kryesisht të huaj, përmes 920 ilustrimeve, në një diapazon të gjerë kohor që përfshin vitet 1414-2017.

Dhe prapë, vërejmë se pak kemi dhënë, sepse me dhembje e pohojmë që na është dashur të operojmë me bisturi të madhe, duke përzgjedhur nga mbushullia e lëndës tematike skënderbejane atë më të mirën, më tipiken, më origjinalen e më domethënësen që karakterizon figurën e tij, sidomos falë fjalës së autorëve të huaj të nderuar, të cilët kanë pasqyruar historikisht dhe me vërtetësi figurën e Skënderbeut, për të nxjerrë në pah cilësitë e tij të mahnitshme, në radhë të parë si “Mbrojtës i Njerëzimit dhe i Vendit të tij”, si “Mbrojtës i Krishtërimit”.

Të shumta dhe të shumëllojshme janë vlerësimet e tyre për “Shqiptarin e Madh”, cilësuar “Kampion i pathyeshëm i Kryqit”, “Aleksandri i Krishterë”, “Kapiten i parë i shekullit të tij”, “Hero atletik e homerik”, “Një nga shpëtimtarët e Europës”, “Meteor ndriçues dhe dramatik”, “Rrufeja e luftës”, “Bulevard i Krishtërimit”, “Pirrua dhe Aleksandri modern”, “Hero modern i Shqipërisë dhe Epirit”, etj., për të ardhur gjer te “pagëzimi” i Skënderbeut nga Papati “Ushtar dhe Atlet  i Krishtit”, “krye-engjëll betejash” që i vuri shpatullat vendit të tij dhe Krishtërimit duke “vonuar përparimin  e Perandorisë turke dhe duke përgatitur shembjen e saj” (sic!)

Pohime dhe vlerësime të tilla, si tituj të përjetshëm lavdiplotë për madhështinë e Gjergj Skënderbeut tonë, bëhen në këtë Album-Antologji – sipas rrjedhës së kohës – nga figura të shquara të fisnikërisë europiane dhe botërore, princër, kontë, dukë e markezë, nga emra të mirënjohur dhe personalitete të nderuara të Letrave, Filozofisë, Sociologjisë e Fesë, nga dijetarë e eruditë, që e peshojnë me kandar farmacisti vlerësimin që bëjnë, larg frymës panegjirike dhe elozheve artificiale. Sepse Bëma Kastriotine ishte një Realitet i Madh, burim frymëzimi për qëndresë të paepur, për luftë heroike të Goliatit të vogël kundër gjigandëve, një shembull vetmohimi dhe sakrifice në emër të Mbrojtjes së truallit amtar dhe të Fesë së krishterë. Nuk ka si të mos entuziazmohemi në këtë rast për vlerësimet e arta dekoratë që i bëhen Kastriotit tonë nga një Montaigne apo Voltaire, nga një Martin Luther, apo Ludvig Holberg në rangun e tyre si filozofë botërorë, nga historianë me peshë si Sismondi, Jules Michelet a Paolo Jovios, nga André Thevet, Jorga a Marinesku, për të shkuar më tej, te një strateg si James Wolfe a Charles King, te dijetari Elisée Reclus, Princi Manfredi, Konti Urfé, Mirabeau, etj. Dhe pas plejadës së autorëve të mirënjohur botërorë që kanë folur për KryeTrimin tonë me objektivitet të shëndoshë dhe vlerësim maksimal, s’na mbetet tjetër veç të shijojmë ëmbëlsinë dhe forcën e vargut poetik të Ronsard-it, poetit kombëtar francez, pasuar nga emra po aq të njohur poetësh dhe shkrimtarësh, si Chrétien Florient, Jamin Amadis, Gabielle Faerno, Luigi Groto, Marguerite Sarrochia, Edmund Spenser, D’Aubigné, William Temple, Thomas Whincop, Lamartine, Byron, Longfellow (poeti kombëtar amerikan), Clement Moore, Apollinaire, etj. etj. Dhe i shohim të tëra këto pena të ndritura në shkallë botërore të frymëzohen në radhë të parë nga vepra “Histori e Skënderbeut“ të francezit Jacques de Lavardin – vepër kjo e bazuar te Barleti ynë -, që nuk do vononte të përkthehej e botohej në gati krejt gjuhët e Europës.

Dhe jo vetëm kaq, por shpejt do shkëlqenin edhe portretet klasike për Heroin shqiptar, që do të zinin vend të nderuar në muzeumet, galeritë dhe kështjellat e Europës, përkrah portreteve të Njerëzve të Mëdhenj të Historisë Botërore. Të intriguar dhe frymëzuar nga madhështia e Veprës së Arbërorit të Madh që ndali, në krye të një populli të vogël heroik, për një çerek shekulli me radhë furinë e sulmit të Perandorisë osmane, konsideruar si superfuqi e kohës, – piktorë të famshëm të Rilindjes Europiane shpërthyen krejt fantazinë e tyre për të dhënë me gjenialitet Epopenë skënderbejane dhe sidomos për të na shfaqur portrete të Gjergj Kastriotit nga më të bukurat e më të papriturat, të cilat në shumicën e tyre janë bërë me porosi të drejtpërdrejtë koleksionistësh me emër që rendin të kishin kush e kush “Skënderbeun” e vet. Andaj nuk ka pse çuditemi kur shohim shumë portrete “realiste” të Skënderbeut të jenë vepër “Anonime” (në fakt, shumica e piktorëve të mëdhenj të Rilindjes Europiane e gjer te Rembrandi me shokë, nuk i firmosnin veprat e tyre, si një “rregull” i kohës!) Por njihet tashmë peneli i shquar i “plejadës klasike skënderbejane” – të Christofano dell Altissimo, Dominic Custos, Jorg Breu Plaku e i Riu, Jost Amman, Joanot Martorell, Klüpffel, W.Jongmann, Ladon, Barthold Pontanus, Balthasar, Stimmer, Anisson, Zucchi, P.Totti, Santarelli, Flanagan, etj. etj. Me stilin e tyre të hijeshisë klasike, me frymën e kohës dhe sidomos në përputhje me vetë përmbajtjen e “Historisë së Skënderbeut”, ata kanë realizuar portrete nga më të bukurat për Skënderbeun, duke u bërë kësisoj burim frymëzimi për breza të tërë piktorësh që kanë rrahur tematikën skënderbejane, sidomos për brezat e djeshëm dhe të sotëm të piktorëve shqiptarë.

Nga ana tjetër, admirojmë, si një mrekulli hyjnore, pikturat “e fantazuara” apo të hamendësuara për Gjergj Kastriotin, realizuar nga mjeshtër të mëdhenj si Giorgione, Guercino, Rembrand, të cilët e duan “Skënderbeun” e tyre krejt ndryshe nga të tjerët, pa kurrfarë paralelizmi me portretet që i njiheshin deri atëherë. Dhe shi këtu qëndron “teku” i penelit të tyre, forca e fantazisë, për të qenë origjinalë në mënyrë gjeniale, që dëshmon nga ana tjetër edhe nderimin më të madh për Skënderbeun, si një figurë extra, i pazakonshëm, i paarritshëm, përtej realitetit epokal. Luftëtar e luftarak i rreptë, Simbol i Lirisë, veshur në hekur dhe me helmetë aleksandrine në kokë, të stili Da Vinçi, “Skënderbeu” i Giorgiones, Gernicos, Pollaroli-t, Pellipario-s, etj. qëndron po aq bukur e krenar përballë “Skënderbeut” intelektual e humanist të Rembrandit, Jorg Breut, Galanti-t, etj. siç e shfaq në këtë vepër gjithë poeticitet edhe Lamartini i madh, sa Prijës i suksesshëm, sa Intelektual i klasit të parë, aq edhe Njeri i penës e i librit, me bibliotekë e kancelari të pasur, siç e dëshmojnë, krahas shpatave dhe përkrenares, edhe katër kodikët e tij si objekte fizike reale që po ia bëjmë këtu të njohura lexuesit tonë, vlera këto të paçmuara për bibliotekat botërore që i zotërojnë.

Album-Antologjia “Skënderbeu, Heroi ynë kombëtar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës” – edhe pse në masë të kufizuar -, mbështetet në themelin e Historiografinë shqiptare për epokën kastriotine, nisur me Barletin dhe pasuar nga autorë shqiptarë si Gjon Muzaka, Frang Bardhi, Dhimitër Frangu, për të arritur më pas te Faik Konica, Fan Noli, Mithat Frashëri, Athanas Gegaj dhe në ditët tona te Moikom Zeqo e Pëllumb Xhufi. Domosdo, gjatë hartimit të veprës kemi konsultuar një pjesë të mirë të autorëve shqiptarë, problematikën qendrore skënderbejane të ditëve tona, dhe si udhërrëfyes kemi pasur konkluzionet domethënëse të Nolit, At Valentinit dhe prof. Kristo Frashërit, për ta parë figurën e Skënderbeut me përmasë të fuqishme evropiane, në radhë të parë si Burrë Shteti, me diplomaci të zhvilluar, me aleanca e kontakte të shumta figurash historike, në rrafsh të brendshëm e të jashtëm, e mbi të gjitha si themelues gjenial i shtetit të parë të Arbërit, ardhur deri në ditët e sotme me dy shtetet shqiptare në Ballkan, Shqipëria dhe Kosova.

Është e njohur që historiani francez André Thevet, që në vitet ‘70 të shekullit XVI, kritikonte me të drejtë panegjerizmin e Barletit për Skënderbeun, fjalimet e tij të gjata e të improvizuara, duke shtruar nga ana tjetër me seriozitet çështjen e varrit të Skënderbeut, për ta vënë në pikëpyetje hapjen e tij nga osmanët dhe marrjen e eshtrave të Heroit për hajmali. Mitizimi i figurës së tij erdhi duke u rritur në rrjedhë të Historisë, aq sa në fillim të shekullit XX, Faik Konica me kritikë të rreptë shkencore shtroi ndër të parët nevojën e çmitizimit të Heroit, kur vërente bukur në veprën e Dom Ndoc Nikaj, “T’nodhunat e Shqypnis” një “Skënderbe” plot jetë e vërtetësi, “ndryshe nga Heroi i Barletit, Biemmi-së dhe Lavardin-it”, të cilët e kishin “vendosur atë tepër lart dhe tepër larg nesh”, një figurë që “mbetej e mjegulluar”, siç shprehej Konica. Kësaj çështjeje iu kthye edhe Fan Noli, duke vënë përfundimisht pikat mbi -i-, sepse, në fund të fundit, panegjerizmi i nisur nga Barleti ishte çështje krejt e dorës së dytë, apo siç shprehet Noli, “ishin çështje që u takojnë vogëlsirave, pa cenuar aspak vlerat madhore të Heroit”. Megjithatë, në ditët e sotme nuk mungon dukuria kur nisur gjoja nga “nevoja e çmitizimit”, goditet qëllimisht figura e Heroit për arsye tejet sektare, denigruese dhe poshtëruese nga një ekstremizëm i rrezikshëm regresiv, fetar e antikombëtar.

Nga ana tjetër, historiani Lavardin, mbështetur te punimet e Paolo Giovio-s, parashtron që në parathënien e “Historisë së tij të Skënderbeut”, tezën e helmimit të Skënderbeut, ashtu sikurse do të pasonte dhe do të vinte deri në ditët tona, me argumente të avancuara, edhe teza tjetër se “Historia e Skënderbeut” e Marin Barletit duhet të jetë vepër e Marin Biçikemit. Studjues të sotëm shqiptarë nuk kanë ngurruar t’i rrokin këto tema, të mbetura deri më sot “tabu”.

Sot, përpara Historiografisë shqiptare shtrohen, si një domosdoshmëri shkencore, mjaft çështje që kërkojnë zgjidhje me studime të thelluara. Është koha, për mendimin tonë, e mbajtjes së një Konference të re të Studimeve albanologjike në rrafsh kombëtar e ndërkombëtar, për të shmangur falsitetet dhe antivlerën frenuese, sidomos të viteve të fundit, dhe për të çelur perspektiva të reja shkencore edhe për vetë studimet skënderbejane, që lypset të fokusohen e thellohen më tej në çështje të tilla madhore si origjina dhe ndërtimi i plotë i pemës gjenealogjike të Familjes Kastrioti dhe e familjeve të mëdha fisnike shqiptare; çështja e ndërtimit të hartës së Shqipërisë, me topografinë e plotë të fushatave të Skënderbeut, ashtu siç u orvat ta bëjë deri në njëfarë mase Faik Konica; çështja e “çmitizimit të figurës së Skënderbeut, larg kuzhinave dhe gatesave politike, fetare, etnike etj; çështja portreteve më të hershme dhe origjinale të Heroit, mbi bazën e skicimeve në natyrë që i janë bërë, që nga medaljoni “Skënderbeu” i Pisanellos (rreth viteve 1450) deri te portreti i Fiocco-s (1465), ndërkohë që synohet të dalin në dritë portrete të Heroit tonë kombëtar edhe më të hershme.

Album-Antologjia “Skënderbeu” është mbi të gjitha fryt i një bashkëpunimi të ngushtë intelektual, profesional e vëllazëror me antikuarin dhe koleksionistin Dritan Muka me të cilin prej më shumë se një dekade kam këmbyer letërkëmbim të dendur në hulumtimin e Vlerës Madhore Historike Skënderbejane nëpër arkiva, biblioteka e antikuarë, duke gëzuar me shoshoq për çdo gjetje e zbulim të ri, dhe shpesh të zhgënjyer që “nuk arrinim dot, për arsyen e thjeshtë financiare, “të qëllonim në shenjë”. E falënderoj publikisht nga zemra mikun tim.

Por vend të veçantë, të shenjtë, të shtrenjtë, mendor e shpirtëror, ia rezervoj si përherë familjes sime, që pranon “harbimet” dhe “tekat” e mija, madje më mbështet fuqimisht e konkretisht në “izolimin” tim hulumtues e dërrmues, e megjithatë përherë ndjellës e miklues.

Në përfundim, nuk mund të rri pa përmendur takimin tim me të Madhin Mirush Kabashi në një lokal të Tiranës, për privilegjin që më bëri duke më recituar kokë më kokë, me atë zërin e tij melodioz à la Chopin apo Mendelssohn, vargjet e Çajupit “Dëshir’ e Skënderbeut ditën që vdiq”, dhe duke më mbajtur të ngrirë për minuta të tëra, me qimet e parakrahëve ngritur përpjetë nga emocioni, me zemrën që më rrihte fort, dhe që më cyti t’i hidhesha në qafë e ta shtrëngoja në gjoks. Edhe tani kam në veshë jehonën e fjalëve të tij çajupiane ; “O vëllezër Shqipëtarë! / U lutem të bëni mbarë, / Gjith’ bashk’ e të pandarë”.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Atlet i krishtit, Fotaq Andrea, liber i ri, Skenderbeu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 12
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”
  • Zhvillimi e përdorimi i Gjuhës Shqipe në diasporë
  • Diaspora, kapitali kombëtar që ende nuk dimë ta vlerësojmë
  • HOMAZH E NDERIM PËR TË GJITHË ATA QË NDIHMUAN TË BËHEJ SHQIPËRIA
  • FEDERATA VATRA DHE RIKRIJIMI I SHTETIT SHQIPTAR 1920-1921
  • Kolë Idromeno, “parganjoti” që u bë artist i madh në Shkodër
  • KRIJIMTARIA POETIKE E DRITËRO AGOLLIT
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1914) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME PRENK BIB DODËN NË DURRËS RRETH “AKSIONIT TË TIJ USHTARAK” PËR TË SHPËTUAR PRINC VIDIN
  • Ja pse Venezuela e Maduros nuk është viktimë, dhe pse SHBA po vepron ?
  • Rizza Milla: Radio “Zëri i Shqiptarëve” në Chicago, 3 dekada në shërbim të komunitetit dhe çështjes kombëtare
  • Promovohet filmi dokumentar “Shaban Murati-diplomati antitabu”
  • SHKRIMTARËT, LEXUESIT, KRITIKA…
  • REZISTENCA ANTIFASHISTE SHQIPTARE NË KONTEKSTIN E KOMBEVE TË BASHKUARA KUNDËR NAZIZMIT GJERMAN NË LUFTËN E DYTË BOTËRORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT