• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SONETE NGA URAN KOSTRECI

August 11, 2018 by dgreca

NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT/

1 Uran Kostreci1

MONOLOGU I SOKRATIT PARA VDEKJES/

-Pi helmin ! – më tha gjyqi në Athinë;/
Nuk pritën sa të vdisja e po më vdesin ;/
Te verbër qenë, u hapa sytë e s’dinë/
Se me të ikur un’ prap qorra mbesin./

Zbath unë u enda e mantel pata thesin;/
Të rinjtë i nxita t’marrin diturinë/
E të përftojnë ide. Tash :–Vdis!– thërresnin/
Se gjoja … mohoj zota e prish rininë,/

Virtyt , un predikova , më cdo rast ;
Thash , ligji i keq më mir’ se anarshia;
Për cmir , tani , më bëjn’ kurban me kast ,

Vec po t’ja mbath , mohoj bindjet e mia,
Ndaj më mirë un’ pi helmin këtë çast 
Dhe shpëton nderi e filozofia .

***

OFELIA

E hijshme, e dlirë e me një princ e vluar ,
Papritur iu shëmb ëndrra , e mbuloi zia…
Iu vra pa çelur gonxhe dashuria ,
E çarti jeta e vrazhdë e fati i truar .

Në shpirt kaos , gjith lule zbukuruar 
E vdekjen pa përfillur si fëmija , 
Me këngë u mbyt në lumë Ofelia :
Si mjellma n’ujë , vdiq duke kënduar !…

Me lulet për qefin e lumin varr,
N’reflekse uji , imazhi i saj mbeti 
Si një zambak i bardh , si nimfë deti…

Ndaj po pe buzë lumi uj ‘ llagar
Zambak fillkat kokë-ul si duke qarë,
Është Ofelia që desh princ Hamleti.

***

JAGUA

Me sy kallkan qesh Jago e kqyr tërthori…
Mynxyra ysht e kobe ndjell si shtrigë,
Sa herë sajon kurth , ndjen afsh gjaksori,
Drithron nga nepsi i gjahut … vepra e ligë.

Tinzar e shpifarak Jago mizori,
Për zonjën e Otellos thur intrigë,
E ky gruan e veten mbyt i gjori;
Me shpifje i vrau , të dy , Jagua , si shlligë.

Haré ndjen pasi i vret ! Bëhet me fletë…
Prej erës gjakut t’atyre , që çarti!
Kufomat shtrirë , e ngazëllejn vërtet

Dhe qesh kur vjen kortezhi ato t’i mbarti;
Gajaset me viktimat që vrau vetë;
E shijon krimin si një… vepër arti.

***

AVNI BEJKOVA

Një miku im, shok burgu i tim eti,
Një dit’ në kafene’ , më tha gazplotë:
–Sa rrashë e fjeta mbrëmë, u bë kiameti,
Më sulen komunistët goxha skotë,

Më lidhin me zinxhir, në bimcë, o Zot,
Prap’ më kllaposën -thashë-oh ç’më gjeti!
Nga ankthi u dirsa, frymë s’merrja dot…
U zgjova at çast… Shyqyr s’qe pe vërteti ! —

Buzqeshi , at’here , Avniu që tash nuk rron…
Sa her fliste për burgje e vojtje e tmerr,
Për dëshmor’ Balli e për Mit’hatin tonë, 

Sikur t’a dija , e lusja Avninë e ndjerë:
– Ti, që i Ballit je e gjallë ikonë ,
Për Ballin fol, na bën të gjithve nder.

***

 

 

Djaloshi i Trakteve Zalo Xhomaqi

 

Me laps në dorë isha n’tavolinë,
Kur m’u faneps i veshur me savan
Një djal’ meit i zbeht , shajni , shafran
E m’tha : – Për zogj bën vargje e për lëndinë?

“Oh , pena , ty , t’u thaft’ , mos gjetsh derman !
“Po mua pse s’ma thure elegjinë
“Që trakte hodha , e nxiva robërinë
“Dhe për atë me plumb kuqot më vranë?…

“Kur hymne , atbot , i thurnin tiranisë
“E komunizmit që bënte kërdi ,
“Un’ vetëm fillikat , bonjak , i ri,

“Tek pashë i hapej varri Shqipërisë,
“E ngrita zërin kundra mizorisë
“E për Atdheun tim u bëra fli…”

__________________________________

Shënim : -savan – qefin
-shajni – fantazmë
-bonjak – jetim

 

 

 

DASHURIA PER DETIN

 

O det që ngjyra ylberi llaps e shndrit
E sytë m’i lëbyr me vezullim ,
Shkëlqimi llamburitës më mahnit 
E sa her’ të sodit , ndjej drithërim…

Kur bregun puth , o det , me shushurimë
E si pasqyrë farfurin, dremit ,
Më gufon zëmra me aq përmallim,
Sa faqen… të t’lëmoj unë ëndërrit.

Po dhe kur shfryn , o det , nxin e gjëmon ,
Tërhuzesh lart e zbret për t’u vithisur;
Kur grryen veten thellë… bëhesh hon

A dallgët shtyn… si kalë i azdisur,
Ti, prapë, nostalgji , o det , më zgjon,
Se jam si ty dhe unë i çakërdisur .

***

PËRSIATJE

Njeriu në botë mysafir qëndron;
Një ditë… ikën ; thon’ për të : ndrroi jetë!
Ku vete ?.. S’di kush gjë ; as ay vetë! 
Ky ankth , për shekuj , njerzit i mundon.

Disa mbajn’ shpres’… mos vdekja i harron!
Disa me gjallje ndërtojn’ varrë e shkretë…
Ca trëmben , ca bëjn’ çmos të ngjajn ‘ të qetë;
Më lehtë e ka ay që Zot beson;

Ky ndjen që trupi e shpirti jan ‘ të ndarë; 
Ka bindje se bën pjesë shpirti i tija
Te shpirti , lart , i madh — Gjithvetëdija!

Beson që vdekja trupin do t’ia marrë,
Po shpirti vete, atje, ku qe më parë,
Më par’ se rob ta stiste Perëndia.

***

SHTËRNGATË VERE

Kjo stuhi sot , sjell ankth e drithërima.
Papritur qielli sterrë ndizet flakë
Dhe shndritja, fill në terr kthehet mbas pak
Nga gjarpërinjtë e zjarrtë shkrepëtima.

Si fshikull godet breshri, si dajak ;
Të trumbull prrenj plot trungje e rrapëllima
Si qen zinxhir këputur me ul’rima
Rrëzojn’ gardh e mullar e plep kavak.

Po shpejt furtuna stepet sapo agon
Ashtu siç ik fantazma kur sheh dritë,
Një çast , natyra e lodhur shtang , dremit,

Pikëlojn’ drizat , dheu avullon,
Sheh diellin , bari , e …shtriqet mugullon ,
Del bagëtia , zogu çuçurit.

***

MEDITIM

 

Në kafene jam ul e m’kap trishtimi…
Këtu mbas njëqind vjetësh përsëri 
Do vijn ‘ klientë plot në koh’ pushimi,
Po nuk jenë ata që shoh tani.

Dhe vajza që tash erdhi e kam përbri
Dhe vetëtin ajo si yll agimi ,
Asaj , mbas njëqind vjet oh , kushedi !
Harruar do t’i jetë edhe kujtimi…

Vizionë e zymtë un’ zboj i lemerisur :
Bjondinën kqyr … ajo buzqesh e shndrit !
E ëmbla çehre e saj më le shastisur,

Ndaj penën mbaj në dorë e sodit,
Në vargje hijeshin për t’ia skalisur 
Që gjall’ të ngelë ajo si perënditë.

***

Akt-akuzë për dashurinë

 

O magjiplote ndjenjë , fol , dëshmo ! 
Helm a ballsam je që lëmon e rreh ,
Që shëmb e ngjall e zgjedh’ në qafë mbreh? 
A nuk je ti , që kur manare do

Vë si karem një idhull…apo jo ?
Ti , josh me idhull ; zëmrën kap trofe’…
Rrëshqanthi e heq , me hashash mjaltë e deh…
Mizore dashuri , mos e moho ,

Ti , zëmrën herë e zhyt , herë e ngjit lart;
Ajo me idhull pran , ndjen lumturi , 
Kur nuk e sheh , ofshan… ka xhelozi,

Dyshon për cilido e flet përçart , 
Zëmr’ e plagosur shend e brengë mbart ;
Kush dashuron fatlum është e fatzi –

***

Nëna dhe Kuçka

 

Nëna dhe kuçka bëjnë berihaj,
Me gjyq luftojn’ për një fëmij’ të shkretë,
Secila thotë atë e polli vetë,
Be e rrufe… që bebi është i saj,

Po kur gjykatsi u shpreh… beben ta ndajë
Dhe gjysmë trupi secila të ketë,
-Dakord ! – tha kuçka. Po nëna e vërtetë ,
– Mos e vrit ! – klithi – lerja asaj ta mbajë;

Ashtu dhe komunistët kryen tradhtinë;
Me gjasme luft’ gjermanve.. urra-urra,
Vran’ djem shqiptarë, dogjnë, bën’ hata.

Kur Balli u lut bashkim për Shqipërinë,
Mukja dështoi, se kuqot prishnë ujdinë
Dysh kombin ndanë… u bënë ortak me shkjah.

 

***

 

VETËTIMA

Një natë u gjenda në një shkretëtirë
Ku rëra avuj ngrinte e shkrumb në erë,
Gjyryk gjoksi më shfrynte nxehtësirë
E djersa m’ digjte , nëpër trup , si serë.

Po , befas , filloi duke vetëtirë
E ndonjë pikë shi zuri të bjerë ,
Fryu fllad e ç’gaz kur llapsi qielli i nxirë
E llamburitja m’zgjoi në shpirt , pranverë!

Nga tërë ai vezullim ngela mahnitur ,
Magjinë e përshkënditjes admirova , 
E kqyrja vetëtimën sy-ngulitur

E nga përflakja e qiellit fërgëllova ,
M’i lbyri sytë një e shkrepëtitur
E ment më vrau … se e dashurova.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Jagua..., Monologu i Sokratit, Ofelia, Sonete, Uran Kostreci

URAN KOSTRECI ISHTE NE VATER

June 24, 2015 by dgreca

Poeti i dënuar i diktaturës komunsite, që bëri 20 vjet burg në Burrel dhe 5 vite në kampet e internimit, Uran Kostreci, vatran dhe mik i vatranëve, që kaloi rreth 8 vite në Vatër, tashmë i kthyer në Tiranë, ishte për një vizitë në SHBA.

Ndonëse shkaku i ardhjes ishte dasma e mbesës, vajzës së Hasanit, ai sërish ishte aktiv, duke mgritur zëri për të përndjekurit politik përmes një interviste në Zërin e Amerikës, ku u prononcua edhe për Hapjen e Dosjeve dhe mungesën e Ligjit të Lustracionit. Z. Kostreci gjatë kësaj vizite u takua dhe u cmall me miqtë dhe vizitoi Vatrën. Ai u takua me kryetarin e Vatrës dr. Gjon Bucaj, me vatranin e mocëm Zef Përndocaj, Zef Balaj, Muhamet Omari, editorin e Diellit dhe me shumë miq të tjerë vatranë.

Me këtë rast ne përzgjodhëm disa nga sonetet dhe epopenë e Karkalecave të poetit Uran Kostreci për kënaqësi të lexuesit të Diellit në online.

MEHDI FRASHËRI

Sa her’shoh historin,Mehdi e ndjej

Me,Ty, vulë e fytyrë mori shteti,

N’kufij t’Atdheut,misione të mëdhej

Imazhi i atdhetarit flaktë mbeti.

Për Paris e Gjenev’Shqipria gjeti

Avokat mbrojtës,Ty,o Mehdi bej,

Kryeminister ishe kur qe mbreti.

Kur msyu fashizmi,n’radio,ata shkërbej.

 

I nxive,faqe botës,vetëm Ti.

Nën Rajhun,kur pe kuqo e shkjah zuzarë

Po vrisnin shqipo e fshatrat bënin hi,

 

Atbot,mbi supe,e more,Ti,një barrë,

Po,medet,kuqot erdhën,o Mehdi,

E në syrgjyn u shove zëmër vrarë.

 

PETRO  ZHEJI

Sonet nga Uran Kostreci/

Një mik e tha e un besoj, Ti… fjete

Mbas aq brilant përkthimesh, korifè!

Mes mjegulle antike,o eremit më vete,

Ti,rolin mesianik të shqipes pe!

 

Të gjuhës ton’ gjenezë, ndofta, gjete;

Si  Zarathustra fjalën tënde e the

E do dëgjojmë, shpejt, mbase, tërmete

Për shqipen – çelsi i gjuhëve mbi dhè.

 

Sa shum’ ngjyrim e shpirt e fjalë ar

Ka fraza jote, sa frymzim e afsh:

Her’ si ujvarë e vrullshme ujë llagar

 

Dhe herë e qetë e butë si mëndafsh;

Ti, që u reke e aq ishe krenar

Për shqipen, Petro, atje, parajsën pafsh.

MONOLOGU I SOKRATIT PARA VDEKJES “Pi helmin!”

Pi helmin! – më tha gjyqi në Athinë.
Nuk pritën sat ë vdisja e po më vdesin…
Të verbër qënë, u hapa sytë e s’dinë
Që me të… ikur un’, prap’ qorra mbesin.
Zbath’ unë u enda e mantel pata thesin;
Për dije e pyesja, e nxitja rininë
Të ngjizte ide, mirpo tash “vdis”! thërresin
Ata që tallja për paditurinë.
Virtyt un’ predikova në çdo rast;
Thash’ ligji keq më mir’ se anarshia.
Kur thonë – un’ prish… të rinjtë-e bëjn’ me kast!
Veç po t’ia mbath, mohoj idetë e mia;
Ndaj helmin pi më mirë un’ këtë çast
Dhe shpëton shpirti e filozofia.

 

SA JE LARG
Sa je ti larg, ndjej ankth në shpirt, rrëmujë
As lule, as këngë, as qielli s’më pëlqen;
Kur nuk të shoh un’zverdh si gjeth pa ujë,
Më zbehet bota, dielli nuk shkëlqen.

Në vonon ti, e mbaj veten s’bëj bujë,
Por vuan zëmra, ngërçi… e mbërthen
Më lidhet gjuha, ofshaj, më priten gjunjë
E sa nuk brohoras kur shoh që vjen.

Me vrull un’portën çel, po shpirt çaprazi
Më shuhet kur ti heshtur hyn, ngadalë
E un’qejfprishur ndrydhem nga marazi.

Por sapo nis e flet të ëmbla fjalë
E të shkëlqejn’ si yje syt’ nga gazi,
Më qesh fytyra e zëmra ndizet valë.

 

AHMET ZOGU/

 

Kur flamuri u ngrit në Vlor’more pjesë/

E më njëzet ministër ishe Ahmet;/

Teksa fashisnje n’Mirdit një ngatrresë,/

N’Tiran’ra shteti e erdhe e ngrite vetë./

Të bënë atentat ; të bënë e grusht shtet;/

Prap’ erdhe e mes aq kurthesh të pabesë,/

Me ndalë at’kaos, vendose u shpalle mbret;/

Sakaq, Ti,rregull vure e ngjalle shpresë./

 

E ndonse intriga e kurthe plot përballe,

Udh’,shkolla e ura e ministri ndërtove,

Monedhën ngrite,ekonominë e ngjalle;

Dhe vizat hoqe e djem jashtë edukove.

Ti,afsh për komb,në shpirt,nxënsve u kalle.

Shtet bëre,o Zog,po sa shumë u qortove.

 

 

DEDE ABAZI

Me dhunë iu gjegje dhunës,Kryegjysh,

Ja nise,në tabut,Enver tiranit

Nj’a dy klerikë të verbuar sysh:

Jezitë kuqo yshtur prej shejtanit,

 

Që donin-taç e grua-ata këlyshë

Për me përdhosë altarë e bektashianit,

Po,Ti,me plumba ua preve atë yrysh,

I dole zot teqesë edhe vatanit.

 

Kur në Shqipri sundonte një pafe,

Që vriste e s’linte asnjë me fol një fjalë,

Ti,fole….me kobure,o Dede,

 

E krisma e saj na ngrohu zëmrat valë.

Ti,n’dorë I gjall tiranit nuk I re,

U bëre fli,Dede,te qofsha falë.

 

Shpërndarësi I trakteve

(Kushtuar nacionalistit ZALO XHOMAQI)

 

Me laps në dorë unë isha n’tavolinë

Kur m’u faneps i veshur me savan

Një djal meit i zbet,shajni,shafran

E m’tha:-Për zogj bën vargje e për lëndinë?

 

“O pena ty t’u thaft,mos gjetsh derman!

“Po mua pse s’ma thure,elegjinë,

“Që trakte hodha e nxiva robërinë

“E për atë me plumb kuqot më vranë.

 

“Kur hymne,atbot,I thurnin mizorisë

“E komunizmit,që bënte kërdi,

“Un’vetëm fillikat,bonjak,i ri,

 

“Tek pashë i hapej varri Shqipërisë,

“E ngrita zërin kundra tiranisë

“E për Atdheun tim u bëra fli.”

Uran Kostreci/ 

E P O P E J A  E  K A R K A L E C Ë V E/

OSE/

(Epopeja e Komunistëve)/

Karkalecët bëjnë sikur e luftojnë okupatorin Sqifter/

U mbush dynjaja/

Me karkalecë/

Ka mall njeriu/

Përdhe të ecë/

 

Kërcejn’ përpjetë

Të çajn’ turinjtë

Lëvrijnë sheshit

Më keq se minjtë;

 

Ca bark jeshilë

Kok’ kuqalashë

Me yll në ballë

Me këmb’ si mashë

 

Roitën sheshit

Plot zhurnë e bujë

Duke përhapur

Panik, rëmujë

 

Ne karkalecët

Më nuk durojmë

Pushtuesit, vetë

Do t’i luftojmë

 

Kërdi e zezë

Në qiell zhvillohej

Kur karkaleci

Posht’ trimërohej:

 

Si krimbi fshihej

Në skuta e bira

Zvarisej e zinte

Gjoja pusira.

 

Dhe një sqifter

Përdhe sa piqte,

I ngordhur fare

A shpirt tek hiqte,

 

Gjith’ karkalecët

I jepnin dërmën

Duke çukitur

Si korbat kërmën.

 

Kur karkaleci

Manovrat…nisi,

Fill Druzhe Tata

I degëdisi

 

Për te komshiu

Dy zabërhanë:

Druzhe Milpoçin

Edhe Dushmanë

 

Si “delegacia”

Demek në mal

Por me detyrë

Mision special.

 

Bajlozët shqahë

Sa prezantuan,

Gjith’ karkalecët

I kritikuan:

 

Qysh bët’, në Mufkë,

Ju bashk’punim

Tok me Shqiponja?

Ç’ qe ky gabim?

 

Nga Druzhe Tata

Urgjent kërkohet

Që Mbledhja e Mufkës

Të anullohet.

 

 

………………………………………………..

 

Marshallah “lufta”

Filloi së mbari

Enhaxhuzeja

Ish kumandari.

 

Ky frenat ende

Në dor’ pa marë

I shpalli Shkabat

Si trathëtarë:

 

-Për ne-tha-shokë,

ësht’ më beteri

Armik, Shqiponja

Dhe jo Sqifteri.

 

Sqifterat pakëz

Do t’i nangasim

Që shkak të kemi

E goj’ të flasim

 

Se për ta gjasme

I ndezëm zjarret

Ama Shqiponja

Do qitur faret.

Karkalecët propagandojnë idetë e Kërmanizmit

“Zëre me Popla”

Jallan gazetë

Përhapi lajmin

Poshtë e përpjetë:

 

“Ne karkalecët

Kemi vendosur

Ta vazhdojm’ luftën

E armatosur

 

Gjer në fitoren

Përfundimtare

Pushtuesin shporrim

O ngordhim fare.

 

Dhe kot nuk flasim

Të gjith’ ta dinë

Ne kemi busull

Goxha doktrinë:

 

Bash Kërmanizmin,

Një teori

Që vjen nga…kërmë

Dhe nga mani

 

Që nuk njeh skamje,

Fukarallëk

Por vetëm festë

Qejf e bollëk,

 

Vet’ Morrkësula

Për të ka shkruar

Alamet veprash

Që jan’ botuar

 

Ndër to m’e madhja

Ësht’ KAPISTALLI

Që s’e mbaroi

Dot për së gjalli,

 

Por Englenxheja

E pat bitisur

Libër i bukur

Për t’ englendisur.

 

Pra, mbas mësimit

Të Englenxhesë,

Të Morrkësulës

Dhe Axhuzesë

 

Ejani, shokë,

Me ne në çetë

Malit të lartë

Të shkojm’ përpjetë

 

Dhe përmbi kërma

Pastaj të ngremë

Sokakllafizmin

Që nam të lemë,

 

Sokakllafizmi

Ka ca…adhap

Se thot’ bej punë

Pa të të jap

 

Po Morrkësula

E la me gojë,

Sokakllafizmi

Pak do vazhdojë

 

Shpejt Kërmanizmi

Pas tija vjen,

Aty parajsën

E tokës gjen

At’her’ mbas mundit,

Sikush punon

Dhe mer shpërblim

Sa dëshiron

Shqiponja demaskon demagogjinë e karkalecëve

Jep-mer Shqiponja

Me përgjërim

-O, karkalecë,

Jeni gabim,

 

Sot, Axhuzeja

Ju flet në erë,

Por nesër sytë

Ka për t’ju nxjerë.

 

Sokakllafizmi

Ësht’ llaf sokaku

Dhe Kërmanizmi

Regjim bataku

 

E sa për luftë

Përçar’ siç jeni

Fuqi ta shporrim

Sqifterim, s’kemi

 

Dhe ne i biem

Por kur e gjejmë

Larg shum’ nga fshatrat

Që mos i lejmë

 

Pushtuesit rastin

Për t’u hakmarrë

Duke vra popull,

Duke vën’ zjarrë

 

Na dhimbset vëndi

E s’na ka hije

Të bëjm’ si juve

Atje n’ Borije

 

Vrat’një Sqifter

E vrap në prrua

Ia mbathët vetë

Po fshati u shua

 

Ju karkalecët

Në dëshironi,

Vërtet, pushtuesin

Që ta luftoni,

 

Bujrum t’i biem

Hëm ju, hëm ne

Jo përc… këtu

E përc…atje.

 

Do bëni luftë

Djalli ta hajë

Apo spektakël

E berihaj

 

Pastaj çne juve

Me Shkjahun mik

Kur hëm Sqifteri

Hëm Shkjahu, armik

 

Ai Druzhe Tata

Me Axhuzene

Përkundër nesh

Po ju ndësen:

 

Ne bjer’ Sqifterit

Bamb, dhè më dhè,

Ju tok me Druzhen

Na bini ne.

Karkalecët mashtjojnë popullin me profka

Enhaxhuzeja

Me grusht kanoset

Nxjer jargë e shkumbë

E hardalloset:

 

-Veç na zilia

Na kanë sharë

Po karkalecët

Kan’ për t’i parë

 

Ne do të bëjmë

Çka nuk ësht’ bërë

Sa do habitet

Një botë e tërë

 

Të gjith’ do marin

Model nga ne

Sistemi ynë

Do t’jet’ muze

 

Regjimi ynë

Do jet’ m’i miri

Do han’ të gjithë

Me lug’ floriri

 

Zengjin s’do ketë

As varfanjakë

As ti më shumë

As un’ më pak

 

Do sjellim qumësht

Me rubinetë,

Sa her’ të pihet

Shko e pi vetë

 

Sa her’ të hahet

Një gjellë e mirë

Byrek a qofte

A ëmbëlsirë,

Mos luaj vëndit,

Aty ku je,

Fët, shtyp një sustë,

Hazër e ke!

 

Krejt me korent

More jahu

Xherr…bjeri ziles,

Të vjen këtu

………………………………………………………………….

Premtime ditë,

Premtime natë,

Miletit mendja

Iu bë sallatë.

 

Ah, turmë zeza,

U çakërdise

Mbas karkalecit

U telendise….

 

Ca plaka trëmben,

I ha marazi

Se mos po vdesin

Më par’ nga gazi.

 

Thon’:-Kur do vemi?

Po qysh do hamë?

Ësht’ larg akoma?

Ja …ja…ku vamë.

 

Mom’ Tyryfylja

Me vithje t’ gjana

Thot’:-Karkalecët

I pastë nana,

 

Një sy do nxjer

Veç sa jam gjallë,

Të shof një syresh

Me yll në ballë.

 

U mbush dyniaja

Me karkalecë

Ka mall njeriu

Përdhe të ecë

 

Kërcejn’ përpjetë

Të çajn’ turinjtë

Lëvrijnë sheshit

Më keq se minjtë;

 

Ca bark jeshilë

Kok’ kuqalashë

Me yll në ballë

Me këmb’ si mashë

 

 

Kush u bashkua me karkalecët

 

Mbas karkalecit

Në mal po venë

Milet kam-kum…

Derven, dervenë

 

S’di qysh u poqën

Ruxhibihanë

Gjith’ malukatë,

Qen sallëhanë,

 

Se ndodh që Zoti

Si të nis qen,

Të kthen njeri

Po s’shëmbëllen.

 

Veç, ama, njerëz

Jan’ dhe ata

Se flasin, qeshin

E bëjn’ shaka

 

Ka midis tyre

Ca, që paratë,

Bixhoz i lanë

Pa turp, një natë;

 

Ca shoqëria

I pati zbuar,

Ca, në provime,

Pse qen’ rëzuar;

 

Një e la mikja

E malit krisi,

Se fort sevdaja

E leqendisi;

 

Një e pat bërë

Lanet i jati,

Se përdhunoi

Një vajzë fshati;

 

Dikë e zhvati

Një e përdalë

Pa lekë mbeti

Dhe… mori malë;

 

Një i grabiti,

Gjitonit, pelën,

Një vodhi meshë

Në kish’ të dielën.

 

Dhe kush bën turpe

Në vënd s’i rrihet

Ndrron shpesh banesë

Që të mos njihet.

 

Pat dhe fisnikë

Të varfëruar

Që asnjë ditë

S’patën punuar;

 

Apo tregtarë

Na trut’ lafitur

Që dolën malit

Në tym pa ditur,

 

Që hanin zhdëpshin

E buk’ kërkonin,

Florinj me thaës

E prapë ankonin.

 

Po e vërteta

Ama do thënë

Se pat dhe njerëz

Mjaft për të qënë:

 

Të rinj të zjarrtë

E të shkolluar

Nga heroizma

Të frymëzuar,

 

Që lanë librat

E morën malin

Veç për të drejtën,

Për idealin,

 

Por kur ta shohin

Ata qyqarë

Në çfar’ bataku

Jan’ duke shkarë,

 

Ca vrasin veten,

Ca degëdisen,

Ca vet’ prej shok’ve

Do dyfeqisen;

 

Dhe ca damkosur

Si tradhëtarë

Do kalben burgjesh,

Do hiqen zvarrë!

 

Po dhe ata

Që në mal s’vanë

Për karkalecin

Derdhën paranë.

 

Insekti i hurit

E i litarit,

Të gjithve u hodhi

Trutë e gomarit!

 

Djem verdhacukë

Të thatë cmingo,

Tërma-tëposhtë

Ven’ varavingo…

 

Me bluza t’ kuqe

E me galloshe

Afishe ngjitin

Në shtylla e qoshe:

 

Bëjn’ sikur fshihen,

Sikur…i ndjekin

E përmbi ballë

Një grusht…përpjekin!

 

Ky me sa duket

Është ishareti

Se shpejt do bëhet

Në bot’…qameti!

 

Le po …dhe vajza

Me zhapone

A me çitjane,

Me ferexhe:

 

Përditë mbushin…

Brekë e poturë

Me copa buke

Sa një kobure

 

Dhe venë i shpien

Andej përpjetë

Te karkalecët

Në mal…në çetë!

 

Enhaxhuzeja triumfon mbi shqiponjat

Syrgjyn poi kin

Shkabat zhgënjyer

Tamam si Krishti

Në kryq mberthyer.

 

Enhaxhuzeja,

Që u mëshye,

Fitues, ai,

Nga “lufta” u kthye!

 

Me ca pallaska

Ky kumandar,

Nga vrima doli

Si… flamurtar!

 

Milet kam-kum

Me lule fshesë,

Enhaxhzenë,

Ka dal’ ta presë!

 

-Të lumtë . o trim,

E bëre fora!

Bërtasin, ngjiren

Turmat e gjora

 

Bën Axhuzeja

Parakalime,

Flet për beteja

E mban fjalime.

 

Kalon rivistë

Me brir’ helmetë

Tundet e shkundet

Gjall’ Marsi vetë!

 

Që nga tribuna

Si një aktor

Përshëndet turmën,

Ja bën me dorë.

 

Plas brohoria

Si fishekzjarre

Kur i flet turmës

Pa letër fare:

 

Fituat, shokë,

Lirinë e plotë,

Tani ju jeni

Zotër në botë!

 

E arthme e lumtur,

O shokë, ju prêt

Gjithçka që shihni

Juve u përket.

 

Hedh valle turma

Plot brohori,

Përmjer nga gazi,

Bën kakërdhi…

 

 

Karkalecët i flakin maskat

 

Ato shqiponja

Që s’u larguan

Nga karkalecët

Keq e pësuan

 

Dhe kush me shkabat

Aleat qenë,

Në gjyq i shpien

Derven-dervenë

 

I heqin zvarrë

Tok i burgosin

Thell’ në qelira

Lëmsh i groposin

 

………………………………………

 

Po vjeshta iku,

U fryn’ prenjtë

I zbritën tufat,

Përposh, çobenjtë.

 

Lart nëpër male

Dëbor’ ka zënë,

S’gjejn’ karkalacët

Më për të ngrënë

 

Enhaxhuzeja

Urgjent në çetë

U mblodh me trima

Si ai vetë!

 

Aty lëshoi

Komunikatë:

Të dorëzojnë

Ushqim të thatë

 

Kallaballëku

Nga jan’ nga s’janë

Se karkalecët

Duan të hanë

 

Mbas direktivës

Reforma nisin

Ku gjejnë depo

I boshatisin.

 

Me të grabitur

Mizat e dheut,

Iu kthyen bletës

E krimbit plehut

 

Pa t’iu vërsulën

Dhe shpëndërive

Nëpër kotece

Rrëzë çative.

 

Nepër plevica

Nëpër hambarë,

Katonj, koçekë,

Shtëpi, qilarë.

 

Turmat e gjora

Nga kjo fushatë

U baterdisën,

Mben’ më të thatë!

 

Nga frika fshihet

Kudo miteti.

Afroi stihia,

U bë qameti!

 

Të zezat turma

S’din’ ku të shkojnë

Dje, brohorisnin,

Sot, veç mallkojnë.

 

Nëpër pallatet

E mbetur bosh

Ku njerëzia

U qitën osh…

 

Tash, karkalecë

Aty bëjnë pallë,

Me nipër, mbesa,

Me teze e hallë.

 

Kësmeti i tyre

Flen’ mbi kariollë,

Dyshek me pupla,

Çarçaf të hollë.

 

Në bulevarde

E nëpër piaca:

Sheh karkalecë

Zënë “allabraca”,

 

Me roba vishen,

I blejn’ pa lekë,

Me borsalina,

Bastun, qostekë.

 

Dhe karkaleckat

Na mbajn’ myhyre,

Bëjn’ tualete,

Vën’ manikyre.

 

Pra, karkalecët

Civilizohen

Tamam si njerëz

Po prezantohen.

 

Ja, karkalecja

Prej penxheresë,

Në boulevard,

Përposh, së resë

 

I lëshon zë:

Lulush, më qafsh!

Më mer ndë mapo

Çorap mëndafsh.

 

Nusja me çantë,

Me permanent

Që flet dhe fjalën

“Eveniment”!

 

Që porsi stapka

I ka kërcinjtë

Dhe qeska boshe…

I varen gjinjtë,

 

Si karkaleckë

U drithërua,

Shpejt me allatkë

Pak u freskua,

 

Pastaj e nxori

Gjuhën një kut

Dhe i tha vjehrrës:

Të sjell një mut!

 

Pra, karkalecët

Qytetërohen

Me njerëzinë

Përditë afrohen

 

Ndërsa njeriu

Për t’zezën e vet

Si karkaleci

Tash, hopthi…nget!

 

Prishja me Druzhe Tatën e pastaj edhe me Car Hasharinë

“Zëre me popla”

Me llafe blozë…

E shau, sot, Druzhen

Me gjith’bajlozë

 

Hy… në Djall vafshin

Shkjahët me morra!

S’kemi pun’ fare

Me ata horra.

 

Mik tjeter kemi:

Bash Sëkëlldinë,

Ariun e Stepës,

Car Staplajthinë

 

Po s’vajti gjatë

Pllakosi zia

U dha mandata:

Vdiq Staplajthia!

 

Mehumit, vëndin

Ia zu menj’herë

Car Hasharia

Larash i ndjerë:

 

Shulak nga shtati,

Me goxha mullë

Dhe pak si qose

Dhe kokë tullë.

 

 

Por gojë  ëmbël

E i sajdisur,

Qe flet qyfyre

Per t’u kërdisur!

 

Car Hasharia

Qeros dinak

Fshiu plerhat brënda

Pak e nga pak

 

Si ia spërndriti

Cdo cep shtepisë,

I hodhi sytë

Përtej avllisë,

 

Udhët e gjata,

Tha: Nuk përshkohen

Karrocës kuajt

Po t’mos i ndrrohen

 

Sheh, Axhuzeja,

Çarkun e ngritur,

Dhe sulmon Qosen

Si i bubitur…

 

E quan “klloun”,

“Deviator”

Dhe “renegat”

Dhe “tradhëtor

 

Qerosi mikun,

Që…i dul dore,

E shau “Judë”

Dhe…nevojtore!

 

 

Enhaxhuzeja kolektivizon fshatarët

 

Afroi behari

Po shkrin dëbora,

Fillojnë e dalin

Kafshët e gjora

 

Kullosin rrotull

Çik’ nga një çikë,

Sa ndjejnë zhurmë

Fshihen me frikë…

 

Po ja ku doli

Enhaxhuzeja

Prap’ me gënjeshtra

E profka t’ reja

 

Me ton të butë

Javash, me qokë

Llafosi ëmbël:

Të dashur shokë!

 

Pse kaqë shumë,

Or të bekuar,

Me karkalecin

Të zëmëruar!

 

Doemos lufta

Ka pas teprime,

Në vrull e sipër

U bën’ gabime

 

Ama, për juve

Jemi përpjekur

Mjaft karkalecë

Në luft’ kan’ vdekur

 

Pa pastaj neve

Një racë jemi

S’bën me shoshoqin

Inat të kemi!

 

Pa shih armiqtë

Si na rrethojnë

Na futin spica,

Na ngatrojnë

 

Pse mos punojmë

Gjith’ bashkarisht

Dhe ndajm’ fitimet

Vëllazërisht?

 

Do jenë depot

Plot e përplot…

Haj sa të duash

Veç a ha dot!

 

S’do ket’ rrezik

Për abuzime

Racion me peshë

I ndar’ me qime!

 

Nga muhabeti

Mjaltë e sheqer,

Ha tekun… turma

Prap’ dhe njëherë!

 

Ca bënë ankesa

Dhe kundërshtuan,

Por deshën, s’deshën…

U dorëzuan.

 

Disa rebelë

Që u tërhuzë

I zun’ me shqelma,

Ran’ hundë e buzë!

 

Mes ulërimash

U ngrit dollia…

U shpall me bujë

Dhe “Bashkësia”!

 

E ja ku dalin

Në pun’ një ditë

Kallaballëku

Vargan si dhitë.

 

Ca karkaleca

Na pas u shkonin,

U jepnin urdhër,

I komandonin.

 

Dhe kur argatët

Nga puna kthenin,

Çka kishin mbledhur

Depos ia lenin!

 

Vet’ karkalecët

Atyre u ndanin,

Sa “një sy mize”

Racion’ që hanin.

 

Po puna e rëndë

Nxori avaze

E ca argatë

Po bënin naze…

 

Ndaj u caktuan

Kudo kalecë

T’i detyronin

Ata mistrecë

 

Të ulnin kokën,

Të bënin punë

Në mos po ndryshe

T’u vinin drunë!

 

Se karkalecët

Jan’ shum’ të mirë,

Po duan bindje

Dhe urtësirë!

 

Enhaxhuzeja sundon me hafije dhe terror

Kur karkalecët,

Mirë u forcuan

Kallaballëkun

Keq e ngujuan.

 

Sapo llafosnin

Pësh-pësh dy veta,

Shpejt karkalecët

Me dy-tri çeta,

 

Si re e shiut

Mbi ta pllakosnin,

U nxirnin sytë

I handakosnin

 

E si me i kapur

Dyqind shejtanë,

Osh…i zvarisnin

Për në hapsanë!

 

Ish me agjenta

Një rrjet i tërë

Që s’linte skuta

E s’linte vërë

 

Pa future hundët,

Pa spiunuar

Se ç’farë ish folur,

Ç’qe biseduar…

 

Dhe kur hafije

Gjëkundi s’kishte,

Të bënin sytë

Se aty ishte!

 

U hoq besimi,

U hap paniku,

As miku njihej

Më, as armiku!

 

Për Axhuzenë

Ç’qen’ kundërshtarë,

Për gjuhe u varën

Nëpër litarë.

 

Ca i syrdisi

Për mysybet

Me gjith’ fëmijë

Oh, vajmedet!

 

Kur e zu gjaku

Desh Perëndia

U kthye hëngri

Dhe shok’t e tija!

 

Kurban i bëri

Me ustallëk

Nga dy-tre bashkë

Për kollajllëk!

 

I leu më parë

Me të pëgërr

Për qen i mbajti

I vrau për dërr

 

………………………………………………………………………

 

Enhaxhuzeja lidh miqësi me Kaf-Kuf-Cain

Sot karkaleci

Që lart në kodër

Dha sihariqin

Me dajre e lodër

 

“Në Filifistun

Me miq të ndritur:

Me Çin Ma Çinin

Shal’ shkalafitur,

 

Bëmë aleancë

Të fortë, andaj

Erdh’ prijsi i tyre,

Sot, Kaf-Kuf-Caj!”

 

…Ky Kaf-Kuf-Caj

Iverdh’ shafran

Mbi shal’t e holla

Si qime mban

 

Një trup gjilpërë

Me kok’ si rruzë

Që shtriq e shtrydh

Porsi meduzë

 

Dy tentakula

Si kambalec

Dhe e mer era

Ngado që ec!

 

Enhaxhuzeja

Rreth atij miku

Këndon e hidhet

Si top llastiku:

 

“Rroft’ Kaf-Kuf-Caj

Mik e baba

Që tre pashë emrin

Të-gjatë e ka!

 

Jo Hashari,

Por Kaf-Kuf-Caj

Të mbushet goja

Or mik vëllaj!

 

Por Kaf-Kuf-Caj

Me zor shqiptohet…

Për lehtësi:

Kaf-Kuf do thohet…

 

Kaf-Kuf! Kaf-Kuf!

I lumi unë

Për mik që zura

Në Fil’fistunë!”

 

 

Mileti vuan pasojat e kërmanizmit

 

Nga gazi i mikut

Bëhen reforma

Pun’ vullnetare,

Dhe ngrihen norma!

 

Në vënd të lekut

Mer medalione,

Flamurka yllka,

Emulacione!

 

Dhe karkalecët

Me përgjërime

Thon,: “Besa-besën

Keto vendime

 

Ësht’ masa vetë

Që i sajon…

Ajo jep urdhër,

Na komsndon…!”

 

Masa mbledh grushtet

Dhëmbët kërcet

Punon tër’ ditën,

Ofshan e s’flet

 

E fill mbas pune,

Mbas gjith’ sikletit

I bën dhe festë

Axhuze mbretit…

 

Me ca pankarta

Duke kuisur

Urra! Urra!

Me byth’të grisur!

 

T’i bësh xhelatit

Hymn, hosana,

Se të nxjer shpirtin

Më keq e ka!?

 

Ah,turmë e gjorë!

Të erdhën mëntë,

Tash, por ç’i do…

S’i hanë as qëntë!

 

Që karkaleci

Ish smundje e butë

Ta tha shqiponja

T’u thafshin trutë!

 

Por, ti, si Krishtin

E kryqëzove

Tash haje çorbën

Siç e gatove!

 

Haj fshikuj shpinës

E thaj kënetë,

E, lodrës, bjeri

Me barkun petë…!

 

Po thupra s’ndihet,

Se bie dajreja

Dajak e festë:

Rroft’ Axhuzeja!

 

 

Heqja e fesë nga karkalecët

 

Gojë më gojë

Përhapet llafi:

Do hiqët çallma

E kambillafi!

 

Trim karkaleci

Që mban fjalime

Nuk prêt nga turma

Të mar’ vendime

 

Por pyet: “Në ka

Ndonjë që thotë,

Se feja duhet

Të jet’ në botë,

 

Pse s’del ky gjarpër

Lubi, lugat?

Pse s’del t’ia shohim

Atë surrat?

 

Se me të dorën

Nuk do e ndyjë

Asnjë, por masa

Le ta pështyjë!”

 

Masa mbledh grushtet

Dhëmbët kërcet

Ul kokën struket,

Ofshan e s’flet!

 

Rrëzohen tyrbet

E minaretë,

Teqe e kishë

Me këmb’ përpjetë…

 

S,ka muezinë,

S’dëgjon kumbonë,

Mevlut a meshë,

Predk mbi amvonë.

 

Mom’ Tyryfylja

Duke u dridhur

Nga qielli ndjesë

Lyp duarlidhur:

 

“Zot, nxirrmi zytë!

Zot, më shurdho!

As të ndjej dua

E as të shoh…!”

 

Pastaj përlotur,

Me turmën shan

“Të hiqët feja,

Se feja s’ban!”

Revolucioni kulturor i karkalecëve

 

Sot prapë lodrës

I ra kasneci

Dhe lajmëroi

Se karkaleci

 

Do të thjeshtojë

Program e shkollë:

T’i bihet shkurtas,

Te pritet hollë!

 

“S’na duhen neve

Fillosofira,

Literaturë

Dhe historira!

 

Na duhen gjëra

Që hyjn’ në punë,

Në jetën tonë,

Jo ti…Jo unë…!

 

Për shëmbull foshnjës

I do mësuar

Qysh Axhuzeja,

Dje, ka luftuar…

 

Pastaj shkollari

Me pun’ të rritet…

Të hap qilizmë,

Që të stërvitet

 

Në ëshë i vogël…

Paçka mësohet,

Se, fundja, buka

Pa mund s’fitohet;

 

Do derdhur djersa

Pa e kursyer

Dhe karkalecit

I do shpërblyer,

 

Se, dje, në luftë,

Ka derdhur gjak

E, sot, per neve

Ka mjaft merak!

 

Merak se…s’dihet

A do të mundi

Revolucionit

T’i hyj’përfundi!

 

Emancipimi

Si do të kryhet?

Koncepti…krisi,

Por a do…thyet?

 

Mir’ veresie

Vazhdon aksioni,

Po pse s’po futet

Në gjak zakoni,

 

Që të punohet

Veç badjava,

Pun’ vullnetare,

Krejt…pa para?

 

Kur do të shkulet

Paragjykimi

Për të shijuar

Një çast gëzimi:

 

Bajram e pashkë

E plot ngatresa,

Gosti e saze

Nëpër martesa?

 

Kur to të ngulet

Koncepti i ri

Se angaria

Ësht’ nder, lavdi?

 

Kur, pra, shkollari

Do të mësoje

Për karkalecin

Veç të punojë?

 

Urdhër: Gra, plaka,

Qorra, sakatë,

Memecë, shurdhë

Hëm dit’, hëm natë

 

Kanal të çelin

Të bëjnë drithë

Të ven’ në punë,

Në pun’ të gjithë!!!”

 

 

Enhaxhuzeja bën “ligje”

 

Enhaxhuzeja

Gjith’ tru e mënd…

Për të bër’ ligje,

Thëret kuvënd!

 

Me karkaleca

Mbush plot një sallë

E mbi tribunë

Vet’ rri në ballë,

 

Sa po ta shihni.

Ky-do të thoni

Ësht’ ja Likurgu,

Ja Napoloni,

 

I kapardisur

Me do gjyslykë.

Mes dy antarve

Ulur si pykë…

Bash vetë i tretë

Si perusti:

Aj ligjëvënës,

Ata zhuri!

 

Ky zhgan juristësh

Kuvënd Sovran,

Kur u flet prijsi,

Veç iso mban…

 

Fill mbas çdo neni,

Amin! thërret,

Asnjë klauzolë

Gabim s’e qet!

Enhaxhuzeja prishet edhe me Kaf-Kuf-Cajin

Enhaxhuzeja

Me gjith’ suitë,

Kudo, fjalime

Mban dit’ për ditë.

 

E në çdo rast

Punë e pa punë,

Ai mbur mikun

Në Filfistunë:

 

Ësht’ miku im

Trim Kaf-Kuf-Caj

Le të më ngasë,

Kush, po t’ia mbajë!

 

Si Çin Ma Çini

Nuk gjen gjëkundi,

S’ka perëndi,

Atë, ta mundi!

 

Po a ra m’ sysh

A ogradisi

Me Çin Ma Çin

Miq’sia…krisi!

 

Enhaxhuzeja

Gjuh’ lapërdhar,

Tha: Çin Ma Çini

Qënka zuzar!

Na përmor Tata,

Na dhjeu Qerosi,

Tash, Kaf-Kuf-Caj

Na menderosi!

 

Ku vamë u mpleksëm

Djalli ta hajë

Në Filfistun

Me Kaf-Kuf-Caj,

 

Që pa sheqer

Pi çaj në vapë

Dhe llap orizin

E ha me stap!

 

Hy…def u bëftë,

Në Filfistun,

Shafran millet

Surrat majmun!

 

Tash, ters u kthye

E fatit rrota,

Se karkalecët

Filloi gjith’ bota

 

Në loj’ t’i vërë,

T’i telendisë,

Me turli fjalësh

T,i gomarisë!

 

Dhe Axhuzeja

Nis duke sharë…

Soj sorollop

Gjith’ botën mbarë

 

Nga themelia

Gjer maj’ çatisë

Ç’i mbante brënda

Pragu shtëpisë!

 

Dhe në duel

Gjith’ botën ftoi

Por kjo, siduket,

U trëmb…s’pranoi!

 

Enhaxhuzeja, ngelur fillikat, vendos ta shpallë veten fillosof

 

Sot, ra daullja,

A ça zurnaja,

Shungulloi ajri,

U shkul… dyniaja!

 

Ky karkaleci

Prap’ do jet’ mpeksur

Me miq-than’-njerzit

Dhe pa u feksur,

 

Sikush, për mikun,

Urim t’i japë,

Nxiton sa prishur,

Me të, s’ësht’ prapë!

 

Kollaballëku,

Në rrugë, shtohet…

Shoshoqin pyesin,

Nuk u durohet:

 

Ky është i vjetër,

Mik, a i vonë?

Ku djall e gjeti?

Emrin ç’ia thonë?

 

Tash, prap’ do lehur…

Do shfaqur gazi,

Firomë s’kemi…

Na dhëmb gurmazi!

 

Le…po na duhet

Frym’ për të sharë

Mikun, që patëm

Një jav’ më parë!

 

Po zhurma shuhet

Se maj’ ballkoni

Kërceu e hipi

Te mikrofoni

 

Një karkalec

Trup shapulitur,

Jeshil e buzësh

I jargavitur…

Mileti e priti

Me brohori:

Rroftë Axhuzeja

Dhe miku i ri!

Po karkaleci

Me zë të mprehtë,

S’na duhen miqtë,

Tha, jemi vetë!

Nuk na zë malli

Për rockodanë,

Nevojë s’kemi

Ne, ata kanë!

Ne kemi prijës

Enhaxhuzenë,

Një fillosof,

Që ndriti…dhenë!

 

Jehona e fjalës

Nuk qe fashitur

Kur turma klithi

Si e bubitur:

 

O lum e lum,

Të lumit ne

Për fillosofin

Enhaxhuze!

 

Mileti gajaset me taksiratin që e gjeti

 

Trim karkaleci.

Lart, ne ballkoni,

Sa mer fund zhurma

Dhe ovacioni,

 

Tha: Me tjer’ libra

Hiç mos ropati,

Se dija e botës

Këtu…ësht’ gati

 

E fësht…e nxjer

Nga ndënë sqetull,

Alamet libri

Si…koqe petull!

 

Me ngjyr’ të kuqe

Veshur kapaku,

Per qejf I lidhur…

Të zë meraku!

 

E hapin, njerzit,

Siç i ka hije,

Por sa lëxojnë,

Zalia u bie!

 

Më dysh…palosen,

Qeshin, gajasen…

E me sho-shoqin

Si qorr përplasen!

 

Ky paska rrjedhur..

Pa shih se ç’thotë…

Si ne nuk paska

Më mir’ në botë!

 

Qyqja, kërthisa!

Gajas një grua,

Vërtet e thotë

A qesh me mua?

 

-Ndër ne, veç, paska,

Thot’, barazi!

Lëxon…e shkrihet

Një djalë i ri.

 

Ca kukurisen

E gojën hapin…

Si peshk pa ujë,

Shpirt, mënt po japin!

 

Me ujë i ngjallën…

Nj’ a dy të mekur…

Por sa pan’ librin,

Top…ran’ të vdekur!

 

Një u ngjir gazit,

Thotë: Ujë, amani!

Sa bën të qeshë,

Leh…si qen stani!

 

Gajaset tjetri

E lemza e nget…

Klluq! kukuriset

Klluq! si gjeldet.

 

Një qeshte e barkun

Mbante me dorë…

Dha…dha… hoq bollkat,

Se u përmor…

 

Lart, oratori,

Jeshil, vramuz…

Vazhdon fjalimin

E gjat’ tërkuzë:

 

Ky vep’r e madhe

Ka si qëllim

Revolucionin,

Në bot’, zbatim!

 

-Hi! hi! qesh turma-

Ho! ho! ha! ha!

Ky dashka e botën

T’a bëj’ si na!

 

E libri i madh,

Që dheu…s’e nxë,

Shkon…fletë-fletë

Drejt…në ËC!

Burg Burrel 1971-1981

 

Populli e qan me…qurre Enaxhuzenë

 

Midis praverës

Tet’dhjetë e pesë,

Iu ndal firoma,

Enhaxhuzesë!

 

Medet! na vdiq

Axhuze-mbreti-

Dre, ç’far’ mynxyre!

Ku-ku, ç’na gjeti!

 

Qysh u vithis

U shëmb e ra

Gjithë ai div…

Si katana…!

 

Në arkivol,

Sot, xhenaze

Je shtrirë e dergjesh,

O Axhuze!

 

Sa gjatë e gjërë

Je bër’teslim,

Me shami lidhur

Buzët o trim!

 

Symbyllë, i verdhë,

Meit, shafran,

Me kostum veshur

E me kaftan

 

E sipër: lule,

Që qef i kishe

Kur t’i dhuronin

I gjall’ sa ishe!

 

Rreth teje, shokët,

Tuj’ angullirë

Kur vjen mileti

Jep lamtumirë.

 

Sokëllin salla,

Po dridhen…mure,

Kur disa gra

Të qajn’ me qurre…

 

U bie zalia,

I kap siniri

Për ty që ishe

Bandill m’i miri!

 

Qajnë e ca vajza

Me lotët…lumë

Që për së gjalli

I deshe shumë!

 

Tash, kujt t’ia hedhin

Çupat e shkreta,

Lart, në tribunë,

Ato buqeta?

Kush, paskëtaj,

Do t’i qafojë,

T’i jargavisë…

Pllaq-plluq! në gojë?

Me ato buzë

Mëlçi të trasha,

Kush do t’i puthë,

Tash, ato vasha?

Për cilin, turma,

Tash, do punojë,

Do hedhë valle,

Parakalojë?

Kush, në ballkone,

Podiume, piaca

A mes fshatarve,

Lart, në taraca,

Do ta trajtojë

Problemin, thellë,

Se ësht’ patatja

Hëm buk’, hëm gjellë?

 

Kush do iu thotë

Se bima, dheu

Kan’ dobi shumë

Nga glasa e plehu?

 

Kush do iu flasë

Për krunde e hime,

Për kokodashin

Bër’ me therrime?

 

Kush , në aksione,

Tani, rininë

Ka për ta nisur

Si bagëtinë

 

Të çel’ tarraca,

Të thaj’ batak

Me shami quresh

Në qaf’ si lak?

 

Sa i desh njerzit

Merhumi i gjorë…

I piqej buza

Për punëtorë!

 

I mblidhshin lotët…

Lëmsh…psherëtinte

Kur për fshatarin

Dollinë e ngrinte!

 

Me fund…e kthente!

I dhimbsej masa!

Sa i kish hije…

Kur thoshte: kllasa!

Qan karkaleci:

Të zeztë ne,

Qysh do të rrojmë

Pa Axhuze!

 

O kuje e zezë,

Ku-ku! ç’na gjeti!

Mbas berihajt

Qan dhe mileti;

Qan dhe mileti

Veshur me thes,

Që luste Zotin

Kur ..po na vdes!

Tash, që satrapi

E hodhi shtupën…

Qan njerëzia

Na kalli krupën!

Një pyeti mikun:

-Po, ti, pse qan

Sa ish ai gjallë

S’gjeje derman?

-S’mar vesh-tha tjetri-

Nuk di se si…

Por m’u përzjenë

Zorrë e mëlçi…

Ay merhum

Seç kish….diçka!

Ta mbushte… synë,

Qe shum’ kaba!

Pastaj mirë unë,

Po as më thua,

Ti, pse po qan

Me lotët…krua?

 

-E sheh tabutin-

Tha miku i mirë-

Sa ka si ky,

Si kjo…coftirë!

E po të ngordhin

Një e nga një

S’mbarohen kurrë,

O kokë gdhë!

Qaj …pse njëherësh

Nuk po gremisen!-

E të dy miqtë

Me lot…kërdisen.

F u n d

Shkruar ne Internim,  Kurtaj (Peqin) 1986

Filed Under: LETERSI, Vatra Tagged With: Epopeja e Karkalecave, Sonete, Uran Kostreci, vizite ne Vater

NE SOFREN E DIELLIT- URAN KOSTRECI-SONETE

January 29, 2013 by dgreca

  MIT’HAT FRASHËRI/

 Nga kreu i Dangëllis dalloj me mall/

Pullazë e Frashërllinjve  dhe teqenë/

Samin’ prej bronxi, Abdylë e Naim benë,/

Po, ti, Mit’hat, pse nuk je, aty, vallë?/

 Ti, Lumo, u prive  burrave të rrallë,/

Në Manastir, e bëre alfabenë;/

N’Europë, Ti, e mbrojte mëmëdhenë,/

Të gjuhës shqipe shpuzë, mbajte gjallë./

 

Ti, n’Vlor’ me Ismail  ngrite  flamurë;/

Makutve fqinjë, maskën, ua çore/

Dhe çamët  muhaxhir  në  mbrojtje i more./

 

I Ajkës  Kombit, prijs, o Lumo, o burrë,

Që nga  të kuqtë u shave, t’hodhën gurë,

Ti, ngel  profet. Medet, s’ke  një shtatore!

 

 

          SAFET BUTKA

 

N’Atdhe u ktheve o Safet  shkollari

Me dituri  europe i pajisur.

I mbolle dije  n’mendje çdo  shqiptari

E afsh për komb  çdo shpirti të molisur.

 

Kur hasmi u dynd,  revoltë u çove  i pari

Në burgje larg u pate degëdisur

Në krye  çetash, Safet  kumandari

Me armë n’dorë, qylaf  shkab- qëndisur,

 

I re pushtuesit, egër,  më çdo  ças,

Po skota  ku  Dushani  prijës qe

Të ra  me pushkë, o Safet, nga pas.

 

Ti, kur tradhtinë e të kuqve pe,

Një çast me ankth e brengë e plot  maras

The: – Jo vllavrasje! – e vetes tënde i re.

 

 

           ABAZ KUPI

 

Kur besa e lidh’ në Mukje, u shkel nga djaj,

Kjo tradhëti nga Bazi u dënua;

Të kuqtë Atdhen’ përçanë, e  krodhën në vaj,

Abazin  shanë e  vetë u fryn’ pallua.

 

Medet,  Kosova shkjaut iu dorëzua

Po kuqot festë  bënë  e berihaj.

Që n’Durrës, luftoi Bazi, u harrua.

Përmendej lufta, jo  kush i priu asaj.

 

Po trimat që ranë, atje, për lirinë,

Jetim, në varre, ngelën si mjeranë …

Ata me gjeneralin  kan’ lavdinë,

 

Siç ka  ky me ata që pas, i vanë.

Abazi më shtat’ prill nderoi  Shqiprinë.

Heronjve  u priu, plumb derdhi mbi dushmanë.

 

            LEF NOSI

 

Tek shoh, tani, shtatoren tënde ngritur

Përlotur them-Mirse na vjen, Lef  Nosi!

Po sikur po më dukesh i mërzitur!

Zemruar je me ne? Pash Zotin, mos!

 

Se ne, gjitmon, kush je e kemi ditur

Po ishim aq në hall e në kaos,

Sa gjallë gjer më sot qysh kemi mbritur;

T’i n’Vlorë flamurë e ngrite e bëre çmos

 

I mbrojte t’shenjtat firma:amanenë:

Le libra, arshiva, le filatelinë;

U rreke me Antonë e Mehdi benë

 

Ta nxirrje nga humnera Shqipërinë,

Po djajtë e kuq, o Lef, kokën ta prenë

E s’dijmë as kockat ku i ke, as hinë.

 

 

      NACIONALISTI I MERGUAR

 

Kur dimri  i pleqërisë … të mbërtheu,

E le  mërgatën  dhe si shpend  në erë

Drejt  çerdhes  fluturove  edhe njëherë …

Te vatra e lashtë të thërriste … dheu!

 

Sa  ja pe  malet, shpirti ngazëlleu;

Dikur  atje  për shkabën  me dy krerë

Luftove me Safetin  sy-sqifterë

Të sprapsje  atë yll që vendin  gjak e ngjeu.

 

Brengosur  Shqipërinë e vatrën gjete!

Po s’di pse flaka e vatrës të kujtoi

Kolonjën e qëmoçme e të sëmboi.

 

– Ah, Zot! – psher’tive e kokën e mbështete

   Te  shiltja, ne oxhaku e ashtu … mbete;

   At’çast një shkëndij’vatre… fluturoi.

 

 

 

 

        LUFTËTARI I LIRISË

           (Diversanti)

 

O, ti, ushtar i  lashtë që altar

Flamurin  pate e  faleshe  mbi të

Kur shum’kërthinj  gogsisnin në shullë!

Ti, që për komb u hodhe  shpesh në zjarr.

 

E predha “hëngre” si peshqesh qyqar,

Po lavde  kurrë s’lype  për këtë,

Si nuk  u tha,  o plak, për ty një gjë ?

Se për Atdheun’ kur dreqi … e pat marrë

 

Ti, pushkën  more e kaptove  kufinë.

Kaçak u fute  atje kur  ishte zi.

Në mal, në terr, në  borë e suferinë

 

U ndoqe  nga koshadhe e polici.

Mes plumbave e çave  shpesh  pusinë

Përzhitur flakësh, komit për Liri!

 

        KËNETA E VLOCISHTIT

 

Je thar’ nga  skllevër o kënetë e zezë

E shumë aty  u groposën gjallë!

Moçal  që katandise  në varrezë,

U mpikse  me gjak  robi  e me kokallë.

 

Ç’nur  paske, o Vloçisht, këtë  mëngjes

O fush’që pjell  panxhar, ndonëse  jo rrallë

Çukitin  kocka, plisave, ca  shpezë!

Po kur turistë vijnë, u thuhet  vallë

 

Që robër t’fjalës lirë at’moçalishte

Me thonj e thanë  uritur  e cullak;

Gjiht’baltë e duke hequr … osh  kërbishte

 

Llucë anash  hidhnin, zhytur  në batak;

Gjakosur nga shushunja e kallamishte,

Nga t’rojeve  goditje  me dajak! …

 

 

 

              PENËS

 

Kur  dielli u err n’agim të avenirit

Dhe jeta  varej mu në fije t’perit

Prej ftohmës, prej urisë, prej  zinxhirit;

Nën ankthin e kërbaçit  të kapterit

 

E të  hafijes  Judë  syvampirit;

Kur gjendesha  pa mbrojtje midis tmerrit

E mendja  ish  në pragun e delirit,

Veç pena më dha  forcë t’i bëj  ball ferrit.

 

S’më  la  në baltë! N’atë  burg  mizor,

Me penë e sfidova  tiraninë.

Midis betonit  akull në dhjetor

 

Sa mbyllte roja i kuq  me dryn  qelinë,

N’at varr të gjallësh, un’me laps në  dorë

I thurja komunizmit telendinë.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: nga Uran Kostreci, Sofra e Diellit, Sonete

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT