-VV:Policia ka arrestuar mbi 90 aktivistë deri me tash,disa prej tyre janë të lenduar/
-AAK: Arrestimi i deputeteve eshte i papranueshem/
PRISHTINË, 28 Nëntor 2015-B.Jashari/ Është arrestuar sonte Albin Kurti, lideri parë që nga themelimi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe aktivistë të tjerë të kësij subjekti opozitar, në selinë e së cilës ka hyrë Policia Speciale e Kosovës.
Në manifestimin e opozitës sot në Prishtinë deputeteti i VV Albin Kurti foli për “bashkimin kombëtar të shqiptarëve të pazëvendësueshëm”. Ai mori pjesë në manifestim përkundër fletë arrestit për të dhe një deputeteje, Albulena Haxhiut, dhe një deputeti tjetër Faton Topallit – të VV, derisa me të njëjtin fletë arrest vetëm një deputete Donika Kada Bujupi e AAK ishte e arrestuar. Për të katër deputetët opozitarë janë shpallur fletë arreste pas hedhjes së gazit lotësjellës në seancat e Kuvendit të Kosovës e jashtë tij, në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë, mes të cilave ajo për asociacionin e komunave me shumicë serbe, si dhe kundër marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Në manifestimin e sotëm vleresohet se ishin mbi 10 mijë qytetarë, e sipas organizatorëve 35 mijë.
Policia e Kosovës deklaroi sonte se, “ka poseduar informacione lidhur me pjesëmarrjen e personit të kërkuar me fletë arrest të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, mirëpo bazuar në vlerësimet e situatës, dhe me qëllim të mos eskalimit të situatës gjatë manifestimit nuk ka ndërmarrë veprime për ndalimin e tij, por që këto veprime do të ndërmerren nga Policia ashtu siç parashihet me fletë arrest”.
“Policia e Kosovës bazuar në planifikimet e saja ka pasur të angazhuar zyrtarë policorë të mjaftueshëm për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, mbarëvajtjen e qetë të manifestimit, i cili ka filluar rreth orës 14:00 dhe, falë edhe pjekurisë dhe kulturës së lartë të qytetarëve, manifestimi ka përfunduar rreth orës 14:50 në mënyrë të qetë pa incidente”, thekson deklarata e Policisë së Kosovës.
LVV ka shkruar në ‘facebook’: Policia po thyen zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje! Kjo është mënyra se si qeveria po ua uron qytetarëve 28 Nëntorin!”.
Më pas ka shkruar edhe se: “Policia ka arrestuar dhunshëm dhjetëra aktivistë në zyret e Lëvizjes Vetevendosje! Kjo polici e cila është vënë në mbrojtje të ‘Zajednices’ vazhdon t’i mbajë te bllokuara zyret tona. Rezistenca e aktivistëve në rrugë po vazhdon dhe ‘Zajednica’ nuk do te kalojë”.
Sipas VV, Policia ka arrestuar mbi 90 aktivistë deri me tash. Disa prej tyre janë të lenduar rëndë nga dhuna brutale policore.
“Dënojmë arrestimin e tyre të padrejtë dhe kërkojmë lirimin e tyre të menjëhershëm”, shprehet VV.
AAK: ARRESTIMI I DEPUTETEVE ESHTE I PAPRANUESHEM
AAK pak më parë dërgoi këtë deklaratë: Mbajtja në paraburgim e deputetës Donika Kadaj-Bujupi si dhe arrestimi sot i deputetit Albin Kurti, si dhe shumë aktivistëve të tjerë të VV-së, brenda selisë, është i papranueshëm dhe nuk ndikon në qetësimin e situatës. Tubimi i sotëm madhështor në Prishtinë, ishte një manifestim qytetar i kundërshtimit të dy marrëveshjeve, që përfundoi pa asnjë incident.Ngjarjet e mëpastajme po bëhën me qëllim të zbehjes së një kundërshtimi kaq popullor.AAK, kundërshton aksionet e pushtetit për përndjekjen e Opozitës dhe kërkon nga krerët institucionalë, që të mos e instrumentalizojnë policinë e shtetit për qëllime politike.Deputetët duhet të jenë të lirë dhe ata nuk mund të arrestohen për shkak të veprimtarisë së tyre politike, prandaj kërkojmë lirimin e mënjëhershëm të tyre, përfundon deklarata e AAK.
AAK: JEMI NË SHËRBIM TË INTERESAVE TË SHTETIT
AAK falëndërontë gjithë qytetarët e Kosovës, që sot me prezencën dhe me zërin e tyre e bënë madhështr tubimin e sotëm në Prishtinë.Falendërojmë të gjithë ata që mundësuan mbarëvajtjen e këtij tubimi. Jemi të përcaktuar që gjithmonë të jemi zëri qytetar, në mbrojtje të shtetit dhe në kundërshtim të dy marrëveshjeve të dëmshme për vendin.Sot kemi dëshmuar se jemi evropianë dhe se jemi të përcaktuar që me mjete demokratike ta ndryshojmë gjendjen e rëndë në vend.Ky është përcaktimi i ynë dhe, përtej interesave partiake dhe nën udhëheqjen e Haradinajt, do të vihemi në shërbim të shtetit.Njëkohësisht falëndërojmë policinë e shtetit, e cila sot e kreu me profesionalizëm detyrën e vetë, thekson deklarata e AAK.
NISMA: SOT KOSOVA I THA JO ZAJEDNICËS, JO DEMARKACIONIT
Nisma për Kosovën falënderon anëtarët, simpatizantët dhe gjithë shqiptarët që sot me prezencen e tyrë manifestuan në mënyrë paqësore për Republikën.
Nisma për Kosovën vlerëson se ky manifestim masiv që u mbajt sot në Prishtinë, nën organizimin e opozitës së bashkuar, ishte mesazhi më i mirë që ju dha koalicionit qeverisës, që të reflektoj rreth marrëveshjeve të dëmshme për vendin.
Sot Kosova i tha Jo Zajednicës, Jo Demarkacionit, përfundon deklarata e Nisma për Kosovën.
***
Policia e Kosovës: Informacione shtesë lidhur me zhvillimet pas manifestimit
Prishtinë, 28 Nëntor 2015, ora 16:45
Policia e Kosovës bazuar në detyrat dhe autorizimet ligjore ka vazhduar me monitorimin e situatës dhe realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore, duke përfshirë edhe obligimet ligjore drejt zbatimit të Urdhër Arresteve të lëshuara nga organet e drejtësisë.Referuar zhvillimeve dhe lëvizjes së disa personave, duke përfshirë edhe personin e kërkuar me Urdhër Arrest drejt selis së subjektit politik Vetëvendosje, Policia e Kosovës është detyruar të ndërmarr masat e nevojshme ligjore për sigurimin e lokacionit dhe ndalimit të personave të kërkuar.Një grup prej disa personave kanë qëndruar para selis duke protestuar dhe duke penguar zyrtarët policor në realizimin e detyrave dhe obligimeve ligjore, ku gjatë veprimeve policore janë arrestuar disa prej tyre të cilët kanë penguar dhe sulmuar zyrtarët policor.Bazuar në dyshimet e bazuara se personi i kërkuar me Urdhër Arrest (z.Kurti) dhe persona të tjerë gjendet brenda në objektin e selisë së Vetëvendosjes, njësitet relevante policore në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent janë detyruar të veprojnë brenda në objekt për të realizuar dhe zbatuar Urdhër Arrestet.Njësitet relevante policore pas intervenimit brenda në objekt kanë hasur në rezistencë të disa personave të dhunshëm të cilët kanë qenë brenda në objekt, e të cilët kanë hedhur mjete të ndryshme të forta drejt zyrtarëve policor, duke përfshirë shkopinj, karrige, tavolina, mjete të metalta dhe sprej, ku si pasojë e saj dy polic dhe dy persona tjerë kanë pësuar lëndime.Zyrtaret policor bazuar në situatën dhe veprimet e dhunshme të shfaqura nga personat brenda në objekt, kanë vepruar konform autorizimeve ligjore dhe kanë arrestuar disa persona të cilët janë shoqëruar në stacione policore për procedura të mëtutjeshme.Njësitet relevante policore të cilat ishin në kërkim të personit të kërkuar me Urdhër Arrest (z.Kurti), kanë arritur ta lokalizojnë dhe të njëjtin ta shoqërojnë për në organet e drejtësisë, ashtu siç parashihet me Urdhër Arrest.Policia e Kosovës me qëllim të realizimit të gjitha veprimeve policore, ka angazhuar të gjitha njësitet relevante policore për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të kryer vend shikimet e vendit të ngjarjes.Të gjitha veprimet e mëtutjeshme policore do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent, duke përfshirë edhe veprimet lidhur me shoqërimin e deritanishëm (16:45) të tetëdhjetë e shtatë (87) personave në stacione policore.Policia e Kosovës bazuar në planifikimet e saja vazhdon me ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend.