– KFOR-i: Patrullimi me forcat serbe, i sinkronizuar–
Partia Demokratike e Kosovës dënon ashpër prezencën e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës.
Ky veprim i toleruar nga qeveria e Kosovës dhe KFOR është cenim i rëndë i sovrantitetit dhe sigurisë kombëtare. Është kërcënim i hapur ndaj tërësisë territorale dhe sigurisë së qytetarëve të Kosovës.
Provokimet e vazhdueshme të forcave ushtarake serbe në fshatrat e brezit kufitar dhe brenda territorit të Kosovës në sytë KFOR-it që e ka atë përgjegjësi, janë të papranueshme.
Nevoja e relaksimit dhe mirëkuptimit të raporteve mes fqinjëve, nuk e arsyeton veprimin e futjes së ushtrise serbe në territorin e Kosovës.
Eshtë e kundërta e atij qëllimi, është provokim dhe cënim i sovranitetit.
Në kohën kur udhëheqësit e lirisë, të shtetit dhe Kosova po goditen, pikërisht për luftën e drejtë kundër asaj ushtrie vrastare, nuk është momenti i eksperimenteve të tilla me simbolika që rikthejnë vetëm dhimbjen dhe terrorin për qytetarët e vendit.
Asnjë deklaratë, kurrë nuk është lëshuar nga ushtria dhe ndonjë lider institucional serb, kundër veprimeve gjenocidale të Serbisë mbi popullatën civile në Kosovë.
Veprimi i tillë me ushtri, pas gabimeve të qeverisë Kurti dhe Hoti, në futjen pa kontroll të konvojeve “mjekësore dhe humanitare” në emër të pandemisë, për paqen dhe të ardhmen e raporteve mes dy shteteve janë më shumë se gabim – rrezikim dhe rrënim i asaj çfarë është arritur deri më tani.
Ftojmë qeverinë e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare që të reagojnë me shpejtësi dhe veprime të drejtpërdrejta për t’i ndalur këto provokime të drejtpërdrejta ndaj sovranitetit të vendit dhe shmangin çfarëdo konflikti të mundshëm që mund t’i cënoj të arriturat e deritanishme.
***
KFOR-i: Patrullimi me forcat serbe, i sinkronizuar
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, i njohur me shkurtesën KFOR, thotë se më 7 gusht, në Komunën e Kamenicës kanë zhvilluar një patrullë të sinkronizuar me Forcat e Armatosura serbe, përgjatë vijës kufitare administrative, në afërsi të fshatit Hodovc.
“Që nga viti 2008, patrullimet e sinkronizuara zhvillohen në mënyrë rutinore së bashku nga KFOR-i dhe Forcat e Armatosura serbe përgjatë Vijës kufitare administrative për të ofruar siguri dhe për t’u siguruar që nuk ka aksidente. Në këtë drejtim, KFOR-i gjithashtu zhvillon patrulla të përbashkëta me Organizatat e Sigurisë së Kosovës në afërsi të Vijës kufitare administrative”, thuhet në një njoftim të KFOR-it.
Mediat në Kosovë më 7 gusht raportuan për hyrjen e forcave serbe në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.
Për këtë ngjarje, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se organet kompetente janë duke hartuar një raport të detajuar, duke shtuar se “veprimet tona do të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, si dhe të koordinuara me të gjithë mekanizmat e sigurisë në vend”.
KFOR-i thotë se në mënyrë rutinore kryen patrullime të tilla përgjatë vijës kufitare që shtrihet rreth 350 kilometra, por sipas këtij misioni, kjo vijë nuk është e shënjuar dhe e përcaktuar mirë.
“Vija kufitare administrative shtrihet rreth 350 kilometra dhe nuk është e shënjuar qartë apo e përcaktuar nga elemente të terrenit natyror dhe të identifikueshëm, siç janë lumenjtë ose vargmalet, por është shënuar vetëm në harta. Ndërsa kryejnë aktivitetet e tyre, patrullimet e sinkronizuara duhet t’i përshtatin itineraret e tyre në kufizimet e terrenit. Kjo nënkupton që patrullat e sinkronizuara të KFOR-it dhe Forcave të Armatosura serbe lëvizin përgjatë Vijës kufitare administrative me një shkallë përshtatjeje të imponuar nga terreni. Sidoqoftë, në asnjë moment elementet e Forcave të Armatosura Serbe të një patrulle të sinkronizuar nuk ndahen nga anëtarët e KFOR-it dhe ky ishte rasti edhe këtë herë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Policia e Kosovës thotë se nuk hasi në njësite të Ushtrisë së Serbisë
Lidhur me rastin në Komunën e Kamenicës, Policia e Kosovës, përmes një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, tha se njësitet policore në Karaçevë, nuk kanë hasur ndonjë njësi apo siç është thënë për ushtri të Serbisë.
“Pas raportimit të një informacioni nga Karaçeva e Kamenicës, njësitet policore kufitare kanë reaguar menjëherë duke shkuar dhe patrulluar te vendi ku është raportuar rasti. Njësitet policore nuk kanë hasur në atë lokacion ndonjë njësi apo siç është informuar për ushtri të Serbisë. Njësitet policore kanë bërë shikimin e vendit sipas koordinatave si dhe kanë bërë patrullime dhe vëzhgime në atë zonë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
***
Hoti thotë se për rastin në Karaçevë do të veprojnë sipas Kushtetutës…
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti thotë se organet përgjegjëse janë duke hartuar një raport lidhur me ngjarjen që ndodhi të premten, më 7 gusht, ku u raportua se xhandarmëria serbe hyri në territorin e Kosovës, përkatësisht në Komunën e Kamenicës.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se qytetarët e kësaj ane, nuk do të mbeten pa mbrojtjen e institucioneve të Kosovës.
“Veprimet tona do të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, si dhe të koordinuara me të gjithë mekanizmat e sigurisë në vend”, ka shkruar Hoti.
Më 7 gusht, në rrjetet sociale qarkulloi një video ku pretendohej se pjesëtarë të xhandarmërisë së Serbisë, kishin hyrë në fshatin Karaçevë, të Kamenicës.
Në një përgjigje me shkrim të Zyrës për informim të Policisë së Kosovës dërguar Radios Evropa e Lirë, thuhet se njësitet policore në Karaçevë, nuk kanë hasur ndonjë njësi apo siç është thënë për ushtri të Serbisë.
“Pas raportimit të një informacioni nga Karaçeva e Kamenicës, njësitet policore kufitare kanë reaguar menjëherë duke shkuar dhe patrulluar te vendi ku është raportuar rasti. Njësitet policore nuk kanë hasur në atë lokacion ndonjë njësi apo siç është informuar për ushtri të Serbisë. Njësitet policore kanë bërë shikimin e vendit sipas koordinatave si dhe kanë bërë patrullime dhe vëzhgime në atë zonë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës, bën të ditur se po ashtu është njoftuar edhe KFOR-i, lidhur me këtë rast, pasi që mandatin e sigurisë së zonës së kufirit me Serbinë, ende e ka KFOR-i.
Fshati Karaçevë ndodhet në afërsi të zonës kufitare me Serbinë.
AVDULLA HOTI NE FB: Lidhur me atë që ka ndodhur dje në Karaçevë, janë angazhuar të gjitha organet përkatëse për të vlerësuar rastin. Shpejt do të kem një raport të detajizuar. Qytetarët tanë në atë pjesë nuk do të jenë pa mbrojtje të institucioneve. Veprimet tona do të jenë në përputhje me kushtetutën dhe ligjin, si dhe të koordinuara me të gjithë mekanizmat e sigurisë në vend.
Kastrati: Të papranueshme patrullimet e KFOR-it me Ushtrinë serbe në Karaçevë
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, tha për Radion Evropa e Lirë se janë njoftuar nga KFOR-i se patrullimet e Ushtrisë serbe në fshatin Karaçevë, janë bërë në bashkëpunim me KFOR-in.
Megjithatë, edhe kjo formë e patrullimit, thotë Kastarti, është e papranueshme për Kosovën.
“Unë i jam drejtuar me një shkresë presidentit të Kosovë (Hashim Thaçi), kryeministrit (Avdullah Hoti), dhe ministrave të linjave lidhur me rastin në Karaçevë dhe pastaj kryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme (Agim Veliu) kanë kontaktuar me komandantin e përgjithshëm të KFOR-it (Michele Risi). Pastaj ata kanë kontaktuar edhe me mua dhe na kanë thënë që ka qenë një kontrolli përbashkët i KFOR-it me Ushtrinë e Serbisë, që këto kontrolle mendohet të jenë rreth vijës kufitare. Por, e vërteta është se dje kanë hyrë qindra metra brenda territorit të Kosovës në dy fshatra: Karaçevë e Epërme dhe Karaçevë e Poshtme”, thotë Kastrati.
Ai shtoi se edhe kjo formë e patrullimit me KFOR është e papranueshme dhe nuk duhet përsëritet më.
“Unë i kam kërkuar edhe KFOR-it që nuk duhet të përsëriten më këto gjëra dhe forcat serbe nuk duhet të hyjnë brenda territorit të Kosovës apo vendbanimeve ku frekuentohen nga qytetarët e moshave të ndryshme”, tha Kastrati për Radion Evropa e Lirë.
Megjithatë, misioni i KFOR-it thotë se në përputhje me mandatin që ka, do të vazhdojë të angazhohet me të gjitha palët për të forcuar bashkëpunimin, si me organet e sigurisë së Kosovës dhe po ashtu edhe me Forcat e Armatosura serbe.