• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Thaçi : Kosova do ta themelojë Gjykatën Speciale

June 29, 2015 by dgreca

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, tha për gazetën austriake Der Standard se institucionet e Kosovës edhe pas vendimit janë të përkushtuara që të themelojnë Gjykatën Speciale.“Ka pasur shumë akuza për situata të paqëna dhe shpifje kundër luftës së drejtë të popullit të Kosovës për pavarësi. Ne jemi të vendosur për të pastruar emrin dhe trashëgiminë tonë. Gjykata Speciale është instrumenti ynë për t’i mbyllur një herë e përgjithmonë të gjitha spekulimet dhe akuzat që janë drejtuar ndaj shtetit të Kosovës dhe ndaj atyre që na mbështetën”, ka thënë Thaçi për Der Standard.

Ai shpreh bindjen se Gjykata Speciale do të themelohet nga institucionet e Kosovës. Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës, sipas Thaçit, tani janë duke punuar për të tejkaluar këto detaje dhe për të miratuar draft-ligjin e prezantuar, i cili do t’i hapë rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.

Kurse, i pyetur për mosvotimin e deputetëve të PDK-së herën e kaluar, Thaçi u shpreh se në PDK respektohet çdo opinion dhe vendim i deputetëve, por se do të vazhdojnë të flasin me deputetët për t’iu ofruar informacione dhe garanci shtesë në çështjet që ata po i kundërshtojnë.

“Ne do të sigurohemi që sa më shpejt projektligji të miratohet në Kuvend. Po ashtu do të evitojmë dhe parandalojmë çdo ndikim nga politika ditore”, tha Thaçi për Der Standard, transmeton KosovaPress.

E përditshmja austriake, Thaçin e ka pyetur edhe për dialogun me Serbinë, për të cilin ai ka thënë se Kosova është një shembull i bashkëpunimit në një rajon që ka vuajtur mjaft gjatë nga luftërat dhe konfliktet.

“Në këtë raund të dialogut, ne presim që të nënshkruajmë marrëveshje për telekomin, energjinë dhe Asociacionin e Komunave”, nenvizoi Thaçi, duke shtuar se asociacioni do të mbështesë komunat me shumicë të komunitetit serb që të koordinohen dhe të bashkëpunojnë mes vete.

Thaçi tha se “asociacioni do të krijohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Ligjet tona tashmë i refe rohen të gjitha dokumenteve kryesore, konventave, përfshirë edhe Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale”.

Për këtë të përditshme, ai është shprehur se interesi i Kosovës është përsëri i njëjtë me interesin e bashkësisë ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje, e cila do të akomodojë komunitetet, por edhe për të siguruar, ruajtur dhe fuqizuar paqen dhe stabilitetin.

Ndërkaq, i pyetur për rolin e Austrisë në fushën e telekomunikacionit gjatë bisedimeve me palën serbe, zëvendëskryeministri Thaçi theksoi se pret që të finalizohet tash kjo marrëveshje dhe më në fund Kosova të marr kodin e vet telefonik.

“Austria ka luajtur një rol të rëndësishëm këtu, duke aplikuar në ITU për kod shtetëror, i cili do të përdoret nga Kosova. Austria ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë gjithë këtyre viteve”, u shpreh Thaçi, raporton Der Standard.

Këto marrëveshje, sipas zëvendëskryeministrit Thaçi, janë duke ndihmuar për të ndërtuar besimin dhe për të nxitur pajtimin mes dy shteteve dhe popujve, të Kosovës dhe Serbisë. /KosovaPress/

Filed Under: Interviste Tagged With: do te themelohet, GJYKATA SPECIALE, kosova, Thaci

Besnikëria deri në vdekje ndaj Sasha Mijallkovit dhe…

May 25, 2015 by dgreca

*Më 22 maj 2015, në intervistën për Klan Kosova, Menduh Thaçi u përpoq të shfajësohet nga implikimi i tij në Masakrën e Kumanovës. Megjithatë, jo brejtja e ndërgjegjes por ndërdija e tradhtoi keq Menduh Thaçin i cili zbuloi disa elemente domethënëse për këtë situatë./
*Besnikëria deri në vdekje ndaj Sasha Mijallkovit dhe politika vdekjeprurëse ndaj Kosovës/
Nga Bardhyl MAHMUTI/
Reagimet e shumta për heshtjen e dy udhëheqësve të partive politike shqiptare që kanë qenë, herë njëra e herë tjetra, në pushtetet antishqiptare të Maqedonisë bëri që më në fund t’i drejtohen opinionit publik shqiptar lidhur me Masakra e Kumanovës.
Pas dy intervistave televizive të Kryetarit të BDI-së në Alsat M dhe TV Klan, për të cilat dhashë një pjesë të qëndrimeve të mia në artikullin «Besa kanunore dhe përgjegjësia institucionale, opinionit publik shqiptar iu drejtua edhe Kryetari i PDSH-së.
Më 22 maj, në intervistën për Klan Kosova, Menduh Thaçi u përpoq të shfajësohet nga implikimi i tij në këtë tragjedi. Megjithatë, jo brejtja e ndërgjegjes por ndërdija e tradhtoi keq Menduh Thaçin i cili zbuloi disa elemente domethënëse për këtë situatë. E shoh të rëndësishme t’u kthehem këtyre elementeve që mbetën pa u sqaruar për teleshikuesin e kësaj interviste.
Elementi kyç në këtë intervistë ishte lënia në heshtje e faktit se publikimi i përgjimeve të telefonatave në Maqedoni nxori në shesh BETIMIN e Menduh Thaçit se Sasha Mijallkovit do t’i qëndroj besnik deri në vdekje! Por, Menduh Thaçi sqaroi se raporti i besueshmërisë ndaj Sasha Mijallkovit ishte për shkak të pozitës kyçe që kishte ky person në strukturat e VMRO-së dhe pushtetit të Maqedonisë. Sikur Menduh Thaçi të ishte një qytetar i thjeshtë i Maqedonisë askush nuk do t’ia kontestonte të drejtën që t’i betohej kujt të ketë qejf dhe t’i qëndrojë besnik sa të ketë qejf. Por, është skandaloze në aspektin kombëtar kur një udhëheqës partie, që kërkon vota prej qytetarëve shqiptarë për të realizuar aspiratat e tyre politike, në vend të betimit se do t’u qëndrojë besnik premtimeve të dhëna para elektoratit shqiptar i betohet shefit të aparatit represiv të shtetit që shtyp shqiptarët. Edhe më keq se kaq. Përderisa Menduh Thaçi i betohet Sasha Mijallkovit se do t’i qëndrojë besnik deri në vdekje, në intervistën për TV Klan Kosova, Kryetari i PDSH-së përmendi qëndrimet e tij në raport me Kosovën dhe udhëheqësin e AAK-së, Ramush Haradinajn. Në këto raporte Menduh Thaçi theksoi se “besueshmëria e tij është vdekjeprurëse”. Nuk ishte një llapsus! Ai e përsëriti dy herë se “besueshmëria e tij ndaj Kosovës dhe Ramush Haradinajt është vdekjeprurëse”. Madje herën e dytë ai shtoi se kjo “besueshmëri vdekjeprurëse është në kuptimin pozitiv”!
Teleshikuesve të vëmendshëm u imponohet të shikojnë se a mundet të ketë mbiemri «vdekjeprurës» edhe kuptim pozitiv! Definicioni i këtij mbiemri përfshin personat dhe aktet “që sjellin vdekjen, që janë shumë të rrezikshëm, që janë shumë të dëmshëm… që sjellin shkatërrim, shkatërrimtar, asgjësues… Politikë vdekjeprurëse. Pasoja vdekjeprurëse…” . Shkurt, në asnjë rast, në asnjë formë dhe në asnjë kuptim figurativ mbiemri «vdekjeprurës» nuk ka kuptim pozitiv.
Ajo që është pozitive në këtë intervistë del nga nëndija e Menduh Thaçit: besnik deri në vdekje ndaj Sasha Mijallkovit ndërsa besnikëria ndaj Kosovës dhe Ramush Haradinajt është vdekjeprurëse!
A thua ndërdija e tij nxori në shesh edhe atë që Menduh Thaçi u mundua ta lërë në heshtje gjatë intervistës?!
Nuk mund të harrohen faktet se gjatë pushtetit diktatorial të VMRO-së dhe PDSH-së 2006-2008 forcat policore dhe ushtarake maqedonase ndërmorën aksione vdekjeprurëse për të terrorizuar Malësinë e Karadakut në përgjithësi, ndërsa fshatarët e Tanushës në veçanti;
Nuk mund të harrohen faktet se në aksione vdekjeprurëse u vranë shqiptarë në fshatin Vaksincë, në Haraçinë, në Shkup, në Rrafshin e Pollogut …
Nuk mund të harrohen faktet se në aksione vdekjeprurëse të masakrës në fshatin Brodec të Malësisë së Tetovës gjatë operacioneve ushtarako-policore maqedonase, u vranë, u plagosën dhe u arrestuan me dhjetëra shqiptarë;
Nuk harrohen fjalimet e Zv. Ministrit të Punëve të Brendshme (anëtarë i PDSH-së) dhe deputetëve të PDSH-së në Parlamentin e Maqedonisë kur mburreshin se kishin qenë “shumë efikas në aksionet vdekjeprurëse në Brodec kundër kosovarëve që kishin ardhur të destabilizonin Maqedoninë!”
Bombardimet e Malësisë së Tetovës dhe Masakra e Brodecit ishte paralajmërim se pushteti terrorist i Maqedonisë nuk zgjedh mjete për të terrorizuar shqiptarët.
Në Kumanovë u përsërit, në një shkallë më tragjike, Masakra e Brodecit dhe ajo që kemi parë nga politika vdekjeprurëse e deriatëhershme. Kush ka pasur gisht në këtë masakër e dinë Sasha Mijallkovi dhe argatët e tij. Shpresojmë se njerëzit që i kanë shpëtuar kësaj masakre do të hedhin dritë për të ndriçuar këtë krim të shëmtuar. Kam bindjen e plotë se një ditë do të ndriçohen krimet e diktaturave “multietnike” në Maqedoni.
Por, nuk duhet të harrojmë se Çështja shqiptare në përgjithësi dhe ajo e shqiptarëve të Maqedonisë në veçanti kanë bartur mbi kurrizin e vet pasojat e betimeve për t’i qëndruar besnik deri në vdekje armiqve të popullit shqiptar siç i ka bartur edhe pasojat e politikës vdekjeprurëse antishqiptare.
Njerëzit e tillë nuk largohen vullnetarisht nga politika sepse, deri sa të jenë gjallë, ata janë betuar të jenë besnik ndaj armiqve tanë. Unë nuk ua dëshiroj vdekjen. Por, ata që dëshirojnë të çlirohen nga barra e njerëzve të tillë këtë gjë mund ta arrijnë përmes mobilizimit politik dhe votës për opsion tjetër. Veprimi i këtillë i votuesve shqiptarë në Maqedoni do t’i çlironte edhe njerëzit e tillë sepse do t’ua bënte të pavlefshëm betimin: nuk do t’i duheshin as Sasha Mijallkovit dhe pasardhësve të tij!

P.S.Në ditët në vijim do të trajtoj aspekte tjera të këtyre tri intervistave.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmuti, Besnikeria ndaj Sasha Mijallkovit, Thaci

Për çfarë tjetër mund të flasin shqiptarët?

April 11, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Çuditërisht Europën apo edhe kontinentin këtej, nuk i shqetëson aspak tryezat e dy qeverive shqiptare. Si ajo e para pak muajve në Prizëren. Dhe po si ajo e para pak ditëve në Tiranë. Konkretisht më 23 mars 2015. Madje me një reliev mural alla i pallatit sekretarial të Kinës së largët. Me moton …një tokë-një popull-një ëndërr. Kur kësaj radhe qeveria e Kosovës manifestohej me një Kryeministër të ri, zotin Mustafa. Por i shqetëson një bisedë pas një nominimi me titullin qytetar nderi në një qytet po shqiptar, si Ulqini i Malit të Zi. Fjala e tyre e lirë në një botë të lirë. Dhe nuk e di pse gjithkund cilësohen si deklarata. Kur ajo ishte një intervistë, një bisedë për dy njerëz që lauroheshin për paqen. Aq më tepër që njëri nga këta, Hashim Thaçi, ish komandant lufte, ish Kryeministër i Kosovës. Mund dhe ka arsye dy herë më shumë se çdo Kryeministër të dehet me lirinë e jetës. Çuditërisht nga ana tjetër nuk kuptojë as vërshimin e qortimeve që po i bëhet Kryeministrit tonë, vetëm pse foli për një ëndërr njerëzore me emrin Shqipëri. Pyetja ime është fare e thjeshtë: Për çfarë tjetër mund të flasin shqiptarët? Të përfaqësuar në dy shtete. Shqiptarë të ndarë. Për çfarë ? Mirë se i ka mbytyr urrejtja për njëri-tjetrin, grindjet, e janë plot forcë inati. Që as e respektojnë nji fije shoqi-shoqin. Për çfarë? Kur ulen e bisedojnë si burra shteti.? Si burra shtetesh. Në një muzg shqiptar në shtet të huaj. Të flasin për Tibetin, për pavarsinë e tij nga Kina.? Të flasin për afrimin e ditës së djeshme atë mes Amerikës pragmatiste dhe Kubës së rrënuar nga demagogjia e një gjenerali kufomë? I cili në moshën e tretë u kujtua t’i lejojë vetes sadisfaksionet e Amerikës. Uniformat e bejsbollit etj? Për çfarë duhet të flasin shqiptarët? Për luftën politike midis Erdoganit dhe Fetullah Gylenit? Për Isisin.? Për luftën civile të Sirisë? Për fundin pa demokracinë e ëndërruar të Pranverës Arabe? Për fatin e dëshpëruar të Greqisë me nivelin më të lartë të diskriminit rracor.? Për Serbinë që po rron me dhjamin e ish Jugosllavisë.? Për Maqedoninë që vjedh haptas kulturë e emra, statuja e heronjë sa nga Bullgaria e sa nga Greqia e sa e sa nga Shqipëria? Për kë të flasin shqiptarët? Për veten e tyre do flasin, për ëndrrat e tyre. Dhe mirë bën që folën? Detyrimet nuk janë të përjetshme, aq sa të bëhet vasal dhe i tërhequr hundësh një popull i vjetër. Çuditërisht thonë për Edi Ramën se i ka hyp vetja në qejf. Se kujton se është edhe Kryeministër i Kosovës. E quajnë nacionalist. Çuditërisht analistët e krahut të tij. Se tani u mësuam me atë avazin që opozita dhe gazaterët opozitarë, atë punë kanë. Të kundërshtojnë. Avaz modern ky i demokracisë së re. Po për kë pra duhe të flasin shqiptarët? Për gjermanët. Vetëm gjermanët kanë të drejtë të bashkohen? Shqiptarët jo.
Unë do thosha që, përpara se ta qortojmë Edi Ramën. Duke menduar se po bëjmë këshilluesin e duhur drejt Europës. Por jo vetëm Edi Ramën, por mbarë spektrin politik shqiptar. Do të ishte më e udhës që tu kujtojmë atyre më shpesh të metat, në marrëdhëniet reale nga e përditshmja shqiptare. Karshi kundërshtarit dhe aleancave me gjobëvënie. Përshëmbull është e pa hijshme kur liderët e politikës në vendin amë, këshillojnë për bashkëpunim, për marrëdhënie korrekte me kundërshtarin etj. Liderët shqiptarë në Kosovë dhe Maqedoni. Kur këta vetë në dheun amë, janë marrë vesh në raste me pikatore. Edhe pse vendi ka shkuar në gjëndje të jashtëzakonshme. Edhe pse Italia sillte kamionë me ushqime e të tjera gjëra. Këtu duhen qortuar në masë, të gjithë. Pa përjashtim. Për mbartjen dhe rritjen e borxhit. Për sforcot doganore midis shteteve shqiptare. Për ekipet kombëtare. E plot të tjera. Sepse nëse do ishin të sheshuara këto, do kishm ego tjetër për Europën. Neve nuk na mungon aftësia. Nuk na mungojnë energjitë. Puna është se i harxhojmë kundër njëri-tjetrit. Ndaj kemi frikë të flasim. Ndaj ngelëm tërë jetën duke bërë detyra shtëpie.
Si Edi Rama, si Hashim Thaçi kanë të drejtë. Nuk jemi ne, por Europa që ka nevojë për ne. Në një farë mënyre apo një tjetër, shqiptarët janë faktor i gjallë. Normale që do flasin për fatin e tyre.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, mund të flasin, Mustafa, Për çfarë tjetër, Rama, Thaci

Arrihet marrëveshja LDK-PDK, Shpërbëhet blloku

November 19, 2014 by dgreca

Me ndihmën e ambasadores Amerikane,u arrit marrëveshja LDK-PDK; Isa Mustafa Kryeministër/
Isa Mustafa do të udhëheqë me ekzekutivin në koalicionin në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Marrëveshja për koalicion në mes të PDK’së dhe LDK’së u arrit sonte me ndërmjetësimin e Ambasadores amerikane Tracy Ann Jacobson dhe Presidentes Atifete Jahjaga.
* * *
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka pritur sonte në një takim të përbashkët me kërkesën e tyre kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, zotëri Hashim Thaçi dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, zotëri Isa Mustafa, në kuadër të përpjekjeve për krijimin e institucioneve të Kosovës. Në takim, me ftesën e Presidentes Jahjaga, mori pjesë edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson.
Në takimin e zhvilluar në Zyrën e Presidentes, me nismën e dy liderëve, zotëri Thaçi dhe zotëri Mustafa u pajtuan në parim për ndërtimin e koalicionit ndërpartiak ndërmjet Partisë Demokratike e Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të ndërtuar institucionet e Republikës së Kosovës, konform Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Të dy liderët politikë theksuan përkushtimin e tyre për përmbylljen e shpejtë të procesit të ndërtimit të institucioneve në bazë të Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe parimeve kushtetuese që ruajnë karakterin shumetnik të Republikës së Kosovës, përmbushin obligimet ndërkombëtare të rendit dhe ligjit dhe forcimit të rrugës euroatlantike të vendit tonë.
Presidentja Jahjaga si faktor i unitetit dhe garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve të Kosovës do të vazhdojë të luaj rolin lehtësues në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës në këtë proces.
Këshilli i LDK autorizoi negociatat me PDK-në për krijimin e qeverisë!
Votat u ndanë në këtë mënyrë: 65 vota pro koalicionit, 7 kundër, 5 abstenime/
Isa Mustafa deklaroi, se nuk hyjnë në qeveri me asnjë palë, parti, nëse nuk i jepet posti i Kryeministrit LDK-së! “Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, autorizoi kryetarin e LDK-së dhe kryesinë e LDK-së, që të kontaktojë dhe të bisedojë me tërë spektrin politikë të Kosovës lidhur me qeverisjen e ardhshme dhe natyrisht ti shter të gjitha mundësitë që koalicioni paszgjedhor i përberë nga LDK, AAK dhe Nisma e më vonë edhe nga Vetëvendosja, të arrijë që të fitojë shumicën në pushtet, mirëpo të mos kufizohet vetëm në këtë, por me prioritet maksimal të këtij koalicioni, sepse kemi krijuar mirëbesim dhe kemi krijuar një disponim politikë për ndryshime të domosdoshme të cilat duhet të bëhen në vend”, tha Mustafa.
Ne do të bisedojmë me të gjithë, sot nuk kemi marr vendim, por kemi marr vendim që të bisedojmë sepse në këtë fazë është e domosdoshme që të gjithë ne të bisedojmë mes vete dhe të gjejmë rrugë dhe alternativat më të mira që të konstituohen edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, por edhe qeveria sa më shpejt.
Ne propozojmë që javën e ardhshme të fillojë kjo procedurë në mënyrë që të mos prolongohet më tepër.
“Nominimi im për kryeministër nga partia është bërë para tetë muajve”, tha Mustafa.
“Diskutuam për qeverisjen e vendit mbi parimet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese, parimet e përmendura nga Presidentja dhe nga faktori ndërkombëtarë”, tha ai.
“Do të bisedojmë me të gjithë, nuk kemi marrë vendim për koalicione”, tha ai.
Mustafa tha se me askë nuk do të vihet në diskutim asnjëherë posti i kryeministrit. “Nominimi im për kryeministër ka qenë para tetë muajsh, ky nominim prapë është konfirmuar në Këshillin e Përgjithshëm, është konfirmuar disponimi edhe sot dhe LDK nuk pranon të hyjë në asnjë variant të qeverisjes së vendit nëse LDK-ja nuk do të jetë në krye të qeverisjes së vendit. Do të thotë ky është kushti i cili u vu nga Këshilli i Përgjithshëm, dhe s’do të bëjmë me askë debate dhe diskutime lidhur me postin e Kryeministrit. Ne do të ofrojmë dhe do të japim ofertën tonë që është ofertë e qeverisjes së mirë të vendit, ofertë e zhvillimit ekonomik, por që nënkupton se përgjegjësinë e merr LDK, vetëm nëse e merr përgjegjësin e qeverisjes së vendit”.
***
Pas një debati të gjatë afër katër orësh, të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, mes tensioneve dhe pakënaqësive më në fund ka dominuar ideja që pavarësisht të gjithave, vendimi më i mirë është ai që çon në krijimin e institucioneve, duke negociar me të gjitha partitë që e mundësojnë këtë, që i bie, se nga sonte janë të hapura negociatat
Sapo përfundoi mbledhja dhe Këshilli Drejtues e autorizoi LDK-në për negociata me PDK-në për krijimin e qeverisë!
Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës ende nuk ka marrë marrë vendim se si do të veprojë, ti thotë lamtumirë bllokut, apo që ta merrë në konsideratë mundësinë që të nis negociatat me PDK-në, për të formuar qeverinë e Kosovës, dhe për ti dhënë fund bllokut.
Zyrtarë të LDK kanë thënë se çështja më e nxehtë është ideja e koalicionit të mundshëm me PDK-në, përderisa shumica e anëtarëve të Këshillit kanë diskutuar në frymën se janë kundër koalicionit me PDK-në.
***
Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së po e vazhdon mbledhjen, në një debat mjaft të nxehtë. Fatmir Sejdiu, ish presidenti i vendit i pari e ka lëshuar mbledhjen, duke refuzuar të votojë çfarëdo vendimi, pasi beson se kryesisë së LDK-së i ka kaluar legjitimiteti.
Sapo ka nisur mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës ku pritet të vendoset se çfarë qëndrimi do të mbajë ky subjekt përballë situatës aktuale politike në vend.
Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të sqarojë pozicionin e saj rreth marrëveshjes me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA’n si dhe të marrë qëndrim rreth nominimit të Isa Mustafës për Kryeministër si një pozicion të ri të këtij subjekti përballë situatës aktuale.
Sot në orën 16:00 vetëvendos LDK-ja
Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mblidhet sot në ora 16:00 për të marrë vendim se a do të vazhdojë kjo parti të mbetet pjesë e koalicionit LAN sipas Marrëveshjes së 10 qershorit, apo të largohet prej tij.
Këtij takimi i ka paraprirë takimi i djeshëm i Kryesisë së Partisë dhe i kryetarëve të degëve të LDK-së.
LDK ka shprehur qëndrimin e saj, se në pamundësi për të implementuar Marrëveshjen e 10 qershorit të nënshkruar nga Isa Mustafa, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, si partia më e madhe e koalicionit LAN i takon që të marrë postin e kryeministrit.
Nga ana tjetër, AAK-ja, të cilës me Marrëveshjen e 10 qershorit iu nda ky post, kundërshton një gjë të tillë dhe ka bërë të qartë se kushdo që nuk e zbaton këtë marrëveshje, do të jetë fajtori për prishjen e Bllokut.
Por dje, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri tha se kur është nënshkruar marrëveshja më 10 qershor, LDK-ja ka bërë me dije edhe AAK-së edhe Nismas, që nëse kjo marrëveshje nuk do të implementohet në tërësi, atëherë është e nevojshme të bëhet një marrëveshje e re.
Gjykata Kushtetuese ia revokoi Isa Mustafës zgjedhjen si kryeparlamentar, duke marrë vendim, se PDK-ja, si partia fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit, ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kryeparlamentarit.
Pas insistimit pesë mujor të Bllokut, se atyre u takon edhe kryeparlamentari, pasi që thirreshin në pikën 127 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, liderët e LDK-së, AAK-së dhe Nismas, iu bindën vendimit të gjykatës.
Por, menjëherë pas këtij vendimi, LDK-së iu shtua apetiti për postin që sipas marrëveshjes së 10 qershorit, i takonte liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Këtu filli përplasja.
Përderisa, zyrtarët e AAK-së insistojnë se marrëveshja duhej të zbatohej, zyrtarët e LDK-së në anën tjetër këmbëngulin se marrëveshja duhet rishqyrtuar dhe se i nominuar për kryeministër nga koalicioni LAN duhet të jetë lideri i tyre, Isa Mustafa.(Kortezi Bota Sot)

Filed Under: Politike, Rajon Tagged With: Ambasadorja amerikane, Isa Mustafa, Marreveshje LDK, PDK, Thaci

RAMUSH HARADINAJ, KRYEMINISTER,THAÇI NE OPOZITE?

June 10, 2014 by dgreca

Burime të Gazetës Express thonë se tashmë është nënshkruar marrëveshja mes Isa Mustafës, Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt.
“Marrëvshja thotë: Ramushi bëhet Kryeministër, LDK merr Presidentin dhe kreun e Kuvendit, Nisma Zëvendëskryeministrin”, tha burim i Gazetës Express.
Arrihet marrëveshja mes opozitës që Ramush Haradinaj të jetë Kryeministër? – Burime të Gazetës Express ne Kosove bëjnë me dije se liderët e partive opozitare janë marrë vesh që Ramush Haradinaj të jetë Kryeministër i ardhshëm.
“LDK, AAK dhe Nisma janë marrë vesh që mos të hyjnë në një qeveri me PDK’në. Dhe, Mustafa dhe Limaj pajtohen që posti i Kryeministrit t’i takojë Ramush Haradinajt në një qeveri të përbashkët”, ka thënë një burim i gazetës.
Me këtë marrëveshje, Hashim Thaçi del në opozitë.

Filed Under: Featured Tagged With: Kryeminister, NE OPOZITE?, Ramush Haradinaj, Thaci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 22
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT