-Partia Demokratike e Kosovës thekson nevojën për normalizimin e plotë të situatës politike dhe krijimin e kushteve për funksionimin e institucioneve të vendit, në pajtim me Kushtëtutën, ligjet dhe normat demokratike/
PRISHTINË, 13 Janar 2016-B.Jashari/ Partia Demokratike e Kosovës bën thirrje për dialog brenda institucioneve të vendit. Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt, në të cilën u diskutua për zhvillimet e fundit në vend. Mbledhja e nisur ditën e djeshme ka vazhduar edhe sot dhe ka përfunduar pak më parë, bëjnë të ditur në këto momente burime nga PDK.
Ndërsa, komunikata e sapodërguar, thekson se pas debatit dhe diskutimeve, Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, doli më këto qëndrime:
-Partia Demokratike e Kosovës thekson nevojën për normalizimin e plotë të situatës politike dhe krijimin e kushteve për funksionimin e institucioneve të vendit, në pajtim me Kushtëtutën, ligjet dhe normat demokratike.
-Partia Demokratike e Kosovës shpreh besimin se zgjidhja e situatës aktuale duhet të bëhet përmes dialogut politik në institucionet e Kosovës dhe i bën thirrje gjithë spektrit politik për dialog institucional ndërpartiak, pa përjashtim.
-Partia Demokratike e Kosovës do të fuqizojë partneritetin ndërkombëtar, në funksion të forcimit të shtetit, si dhe për zbatimin e Marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje më ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
-Partia Demokratike e Kosovës e konsideron me prioritet të veçantë angazhimin për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit dhe proceset e integrimit euro-atlantik.
-Partia e Demokratike e Kosovës angazhohet që sa më parë të krijohen Forcat e Armatosura të Kosovës.
-Partia Demokratike e Kosovës angazhohet për implementimin e programit të Qeverisë dhe fuqizimin e partneritetit qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe partnerët e tjerë të koalicionit qeverisës, në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve tanë.
-Partia Demokratike e Kosovës do të respektojë marrëveshjen politike me partnerët e koalicionit dhe në pajtim me procedurat kushtetuese do të nominojë kandidatin për President të Republikës së Kosovës, që do të zgjedhet në Kuvendin e Kosovës, sipas afateve kushtetuese.
-Partia Demokratike e Kosovës kundërshton aktet e dhunës të ushtruara ndaj institucioneve shtetërore dhe organeve të rendit, si dhe fton qytetarët që të distancohen nga të gjitha aktet e dhunës.
-Partia Demokratike e Kosovës do të zhvillojë aktivitete më të gjera dhe më intensive në terren me të gjitha strukturat e saj, e përkushtuar për të treguar se rruga e vetme e forcimit të sovranitetit, zhvillimit ekonomik dhe fuqizimit të shtetit tonë është respektimi i institucioneve legjitime, thellimi i partneritetit me SHBA-në dhe BE-në, bashkëpunimi me fqinjtë dhe shtetet e tjera demokratike të botës, si dhe integrimi i shtetit tonë në strukturat euro-atlantike.(Foto nga Behlul Jashari: Selia e Partise Demokratike ne Prishtine)