• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Prendush Gjon Gega, humanist i komunitetit shqiptaro-amerikanë

October 30, 2014 by dgreca

Prendush Gjon Gega (Tetor 1916 – Tetor 2014), një mik dhe humanist i dashur i komunitetit shqiptaro-amerikanë/
Me datën 24 tetor 2014, pushoj së rrahuri në vendlindje, zemra e njeriut shumë të dashur të komunitetit shqiptaro-amerikanë Prendush Gjon Gega në moshën 98-vjeçare. Lajmi i vdekjes së tij, lëndoj shumë zemrat e bashkatdhetarëve të vet, që i deshti dhe e deshtën shumë njeriun e mirë për të gjithë. Ai mbylli sytë i rrethuar nga familja dhe farefisi i tij, me shumë nipa e mbësa, në krahët e djalit të tij Nikës në Dajç të Lezhës… Kujtojmë me nostalgji, se ai u rikthye në Atdheun e tij të dashur, i shoqëruar nga unë, mbas përmbysjes së komunizmit në Shqipëri, pas 50 vjetve në emigracion: si në Kosovë, Belgjikë, Itali dhe SHBA.
Shkruan: Tomë Mrijaj/
Miqësia e hershme dhe e ngushtë, midis pukjanit të mirënjohur Prendush Gjon Gegës dhe shkodranit të famshëm, shkrimtarit Ernest Koliqi, zë fill qysh në Itali.
Ish Ministri i Arsimit të Shqipërisë, profesori i shquar dhe prozatori brilant Ernest Koliqi (1903-1975), në revistën “Shejzat”, tribunë e mendimit pluralist të intelektualëve shqiptarë në emigracion, përmend si shembull model, në një artikull vlerësues, Prendush Gjon Gegën, këtë burr fisnik, me zemër të bardhë dhe shumë humanist, me të gjithë emigrantët politikë shqiptarë, pa dallim feje dhe krahine, të cilët, ishin vendosur në Itali, nën përkujdesin e Qeverisë Italiane dhe organizatave bamirëse ndërkombëtare, në mbrojtje të popujve të robëruar nga rregjimet diktatoriale komuniste…
Kushdo, që e ka njohur nga afër dhe i ka kërkuar ndihmë, gjatë periudhës së vështirë të arratisjes dhe vendosjes së emigraconit politik shqiptarë në ish Jugosllavi dhe më pas në Belgjikë, Itali etj., dhe deri në SHBA, ka ndjerë bujarinë dhe kontributin e madh të njeriut të palodhur shpirtmirë Prendush Gjon Gegës.
Plot një shekull jetë dhe nga këto 50 vjet Prendushi do t’i kaloj në emigracion dhe pjesën më të madhe në ShBA. Të gjithë e thërrisnin në shenjë respekti si baci ose Prendush Gjon Gega i Pukës, në Kosovë, Itali dhe New York.
Ai gjithnjë kishte mall për vendlindjen dhe familjen e tij, që e la në Shqipëri. Pukjani Gega, ishte i ri në moshë, kur u arratis bashkë me pjesëtarë të tjerë të familjes dhe katundit të tij, si pasojë e përndjekjeve të sistemit antishqiptar komunist, që instalohet dhunshëm në vendin e shqiponjave.
Ai la emër të mirë kudo që shkoj, takoj njerëz në nevoj, duke mos kërkuar asnjëherë shpërblim nga askush, por Zoti, të cilin e besonte me shpirt, ia shpërblej njeriut të mirë, duke i falë atij jetëgjatësi deri në 100 vjeç… dhe sot e ka në krahët e Tij në jetën e amshuar…

Kalvari i arratisjes nga regjimi i hienave komuniste

98 vite më parë në Bugjon të Pukës çiftin e ri Gjonin dhe Dilen, i gëzoj Zoti me një djalë të bukur, të cilin e pagëzuan me emrin Prendush. Ai u rrit i lumtur, me një dashuri të madhe dhe përkujdesje të veçantë nga prindërit. Kjo familje do të zgjerohet më vonë edhe me katër djem të tjetër njeri mbas tjetrit: Gjinin, Smajlin, Nduen dhe Pjetrin.
Sikurse shumë miq, bashkëvendas dhe antikomunistë të tjerë asokohe, që luftonin dhe kundërshtonin hapur rregjimin barbar komunist, Prendush Gjon Gega, me dy vëllezërit e tij Gjinin dhe Nduen, lanë me lot dhe dhimbje në shpirt vendlindjen e të parëve të tyre, familjen, fëmijët e vegjël, drejt një rruge plot shpresë, në drejtim të botës Perëndimore. Por jo gjithçka do të shkojë, sipas mendimit dhe ëndrrave të tyre.
Ata për shumë muaj enden nëpër malet e thepisura të malësive të Veriut të Shqipërisë, në ditët me borë dhe ngrica, duke mos pasur me vete as ushqime dhe veshmbathje të mjaftueshme.
Nga ana e tjetër, komunistët (Forcat Speciale të Ndjekjes së Sigurimit, shënimi im T.M.), mendonin se ata kishin kaluar kufirin, por në fakt, sikurse më ka treguar shumë herë Prendushi dhe miqtë e tij, ata gjendeshin në malet e Shqipërisë…
Forcat e Ndjekjes të Tiranës së kuqe zyrtare, asokohe kishin lëshuar urdhër arrestimi dhe ofruar shperblime me të holla, për çdo përson që jepte informacione, se ku ndodheshin njerëzit e arratisur nga Puka.
Menjëherë hafijet e ndjekjes, sapo ishin njoftuar nga spiunët trathtarë, se vëllezërit Gega kishin dalur në male, për të luftuar komunizmin, rregjimi në shenjë hakmarrje kishte arrestuar familjet e tyre, të cilët, i dërgojnë me makine pa rroba dhe mjete të tjera të nevoshme për jetesë, në burgjet dhe kampet e përqendrimit, ku, kaluan vuajtje plot kalvare të mundimshme, që zgjatën deri me rrëzimin e komunizmit, në vitin 1990…
Kështu, sapo Prendushi me vëllezër dhe të afërm të tjerë nga Bugjoni i Pukës mbërrijnë në ish Jugosllavi, UDB-ja jugosllave, për një kohë të gjatë, i marrin në pyetje nga frika se ata mund të sjellin trazira nacionaliste në Kosovë e gjetkë.
Prendushi, një ditë largohet nga Kosova dhe me familjen e të vëllait vendoset në Belgjikë dhe mbas disa vitëve kalon në kampet e refugjatëve ndërkombëtare në Itali.
Këtu, ai falë ndershmërisë dhe sinçeritetit, vlerësohet shumë nga eprorët, që merreshin me çështje të emigracionit, të cilët, i besojnë detyrën e ndihmësit, për ndihmën e pare, që ai duhet t’u jepte emigrantëve shqiptarë, që vinin çdo ditë në këto kampe. Ai, pa asnjë interes dhe me ndërshmeri të lartë kryente detyrën e besuar, duke ndihmuar me mijëra emigrantë bashkëvendas, pa dallim feje dhe krahine.
Në disa kampe të refugjatëve politikë, ku, bënin pjesë edhe shqiptarët në Itali, Prendushi iu gjend pranë njerëzve në nevoj, familjeve dhe individëve, që kishin marrë udhën e vështirë të emigracionit, për një jetë më të mirë dhe larg dhunës dhe shfarosjeve politike komunisto-ateiste në Shqipëri dhe Kosovë.
Sëbashku me klerikun e nderuar Dom Prek Ndrevashaj, famullitar, i komunitetit shqiptar në Itali dhe sëfundi deri sa kaloi në jetën e amshuar, ishte si famullitar i Kishës Katolike Shqiptare “Zoja Pajtore” në Detroit, Michigan, Prendushi ndihmoj me dhjetra emigrantë bashkëatdhetarë, për të plotësuar dokumentet, për të ardhur në Tokën e Bekuar të SHBA-së.

Njohja me njeriun e mirë Prendush Gjon Gega

“Burra të ndershëm si Prendush Gjon Gega i Pukës, janë krenari për ne. Ai nuk mungon asnji të diele të vij në Kishë, që të marrë pjesë me plot zemër në meshën e shenjt dhe ndihmon me shumë bujari nga zemra të gjithë pa dallim feje e krahine. Prendushi, respekton shumë traditën e familjes dhe zonës nga ka ardh në New York, sëbashku me të afërmit e tij… Me bujari, ka ndihmue financiarisht edhe revistat kulturore fetare e sidomos revisten “Drita” në Ferizaj të Kosovës…”

Dr. Mons Zef Oroshi (1912-1989)
“Jeta Katholike Shqiptare” (1966), New York

Aktivistin e palodhur të komunitetit tonë këtu në New York Prendush Gjon Gegën e njoha 30 vjet më parë, ku, nga ajo ditë mbetëm miq të pandarë..
Për mua, ka qenë i paharruar takimi i parë, ku, zhvilluam një bisede tepër të ngrohtë dhe shumë miqsore, me këtë njeri të ndershëm dhe shumë të veçantë, me një botë shpirtërore të madhe atdhedashurie dhe përkushtim fetarë, si model dhe shembull, për të gjithë komunitetin shqiptaro-amerikanë.
Mbaj mend, nga kujtimet e kumbarës së fëmijëve të mi Mons Oroshit, se Prendushi, ishte i pari që në fillim të çdo viti (më 1 janar), paguante hakun në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës” e i kushtonte sëpakut një ditë punë falas, për kujdesin e kopshtit të luleve në oborrin e Kishës sonë.
Gjatë netëve të gjatë të dimërit, në shtëpinë e tij, qëndronte me orë të tëra, duke bashkëbiseduar me miqtë e shumtë, midis të cilëve, ishin: juristi Kapidani i Mirditës Ndue Gjomarku, të cilin e kishte njohur qysh në Itali, kur ishte emigrant; mikun e tij të dashur Dr. Mons Zef Oroshi (1912-1989), aktivistin e shquar dhe personalitetin e madh të çështjes shqiptare Dom Anton Kçirën, dhe shumë miq të tjerë nga Mirdita, Puka, Shkodra dhe trojet etnike shqiptare, sidomos gjatë përkujtimit të festës fetare të Shën Sebastjanit (Sh’Masjanit), të cilin e lute sipas traditës në vendlindje çdo vit më datën 19 janar…
Ai ishte shumë i gëzuar, që shtëpia e tij ishte e mbushur plot me miq, njësoj sikur të ishte në Bugjon të Pukës. Atë natë të madhe dhe shenjte, Prendushi, qëndronte deri në orët e vona të natës, duke u shërbyer dhe biseduar ngrohtësisht me miqtë e tij. Aty trajtoheshin tema të ndryshme të së kaluarës në vendlindje dhe familjet e tyre, në burgjet e tmerrshme të vdekjes dhe kujtimet në kampet e përqendrimit, ku, endeshin pjesëtarët e shumtë të familjeve të tyre, një plagë e hapur, që rridhte gjak e dhimbje, për çdo emigrant shqiptarë…
Shumë herë, kur meshtarët e huaj dhe shqiptarë, që gjendeshin në emigracon, vizitonin Kishën Shqiptare në New York dhe meshtarin e përkushtuar, shkrimtarin dhe përkthyesin Dr. Mons. Zef Oroshin, pukjani Gega, gjithashtu bisedonte me orë të tëra me italianin e shqiptarizuar tërësisht, meshtarin enciklopedist At Giacomo Gardini S.J., (që në Shkodër njihej me emërin Jak, të cilin rregjimi komunist i diktatorit Enver Hoxha e futi në burg për dhjetë vjet 1945-1955, shënimi im T.M.). Ai e kishte njohur At Jakun qysh në kampet e refugjatëve në Itali, kur meshtarët italinë dhe shqiptarë përkujtonin persekutimin komunist të Klerit Katolik në Shqipëri…
Gjithashtu Prendushi, ishte mik me studiuesin e shquar të figurës poliedrike të At Gjergj Fishtës O.F.M., kapelanin apo klerikun e komunitetit shqiptar në Itali At Danjel Gjeçaj O.F.M., Dom Prek Ndrevashaj, dhe miqtë e tjerë të tij, si: Kapidanin e Mirditës Gjonin e Markagjonit, ish Ministrin e Punëve të Brendshme të Shqipërisë Kolë Bibë Mirakajn, Prof. Kal Gurakuqin, Prof. Martin Camaj, Prof. Rexhep Krasniqin, Prof. Zef Nekën, Kryetarin e Lidhjes së Prizrenit Ing. Xhafer Devën, Abaz Kupin, Kolë Bajraktarin, Gjelosh Balajn me vëllezër, Fran Sokolin, vëllezërit Gjon dhe Zef Çupin, Llesh Markadodën, Dodë Gegën, Mark Zogun, parashutistin antikomunist Kolë Çunin, Kolonel Xhemal Laçin, Met Bajraktarin, Imam Isa Hoxhën, Musli Mulosmanin, Fran Kolën, Ndue Ademin me vëllezër, Dedë Ndrecën, Pjetër Tushën, vëllezërit Lazër e Gjokë Berishën, Engjell Zagredën, Ndoc Popajn (babain e meshtarit të nderuar Dom Pjetër Popaj), Shtjefen Gazivodën, Gjeto Curanajn e shumë e shumë të tjerë.
Prendushi, ishte vetë historia e krahinës nga ai vinte. Fliste me shumë respekt, për histori të mbushur me ngjarje, personazhe të moçme, të cilët, i kishte dëgjuar dhe mësuar nga gjyshi dhe babai i tij Gjoni. Ishte fëmija i parë dhe babai Gjon e mbante afër dhe e trajtonte si shok dhe vëlla, mbasi kishte parë tek ai njeriun e zgjuar, gjakftohtë, fjalëmbël, bujar dhe fisnik në shpirt etj. Këto cilësi pozitive, ai i trashëgoi nga prindërit e tij, që ishin të nderuar dhe respektuar në të gjithë krahinën e Pukës.
Portreti i tij fizik dhe shpirtëror, ishte i veçantë, në të gjithë shqiptarët e emigracionit në New York asokohe. Ai ishte i pashëm, me një shikim të butë, ku, në sytë e tij lexohej butësia dhe vuajtjet e popullit të tij.
Ishte i gjatë si lisat e bjeshkëve të Pukës nga ku ai lindi e u rrit, krenar për historinë e familjes së tij. Kurdo, që njerëzit shkonin për të biseduar me te, ai kishte një mirësjellje të veçantë, i qetë për nga natyra, shumë i matur për nga dituria, i sprovuar burrërisht nga dallgët e jetës plot halle dhe mbijetesë, në oqeanin e pafund të emigracionit, i vendosur në karakterin e fortë të tij, zemërgjerë për nga shpirti, fisnik dhe bujar me të gjithë në çdo kohë dhe rrethanë.
Prendushi, ishte një atdhetar dhe fetar i përkushtuar.

Kosova vendlindja e dytë e tij

Kosova, ishte bërë vendlindja e dytë e tij. Aty kaloi një pjesë të mirë të kohës i rrethuar me dashuri dhe respekt nga të gjithë vendasit në Dumnicë të Llapit (Komuna e Podujevës). Gjithnjë sillte kujtime dhe mbresa nga ato treva, që ende jetonin nën shtypjen dhe shfrytëzimin e kolonizatorëve shumë shekullorë serb.
Një natë dimëri, gjatë përkujtimit të përvitshëm të festës së Sh’Masjanit, këtu në New York, Prendushit, i drejtoheshin pyetje nga miqtë e shumtë, në sofrën e madhe në shtëpinë e tij.
Një nga miqtë i bri një pyetje interesante, duke e ditur se Prendushi, do të përshkruante ngjarjen me një humor të hollë, karakteristikë e sitlit të tij, gjatë rrëfimeve reale historike.
“I dashtun Prendush, na trego të lutem, çfarë të ndodhi kur kalove nepër aren e serbit në stinën e dimërit me dëborë!?”
Ai, me një humor të spikatur, nisi të tregoj ngjarjen, që i kishte ndodhur asokohe. “Ishte një dimër i ashpër me dëborë e ngrica dhe bënte shumë ftohtë. Unë, mendova të gjej një rrugë më të shkurtër, për të dalë në rrugën krysore, që të qonte drejt qytetit. Një kojshi, duke qeshur më tha: O lum miku, mos kalo në atë anë se asht ara e shkaut…”
Prendushi, sërisht duke buzëqeshur i përgjigjet menjëherë: “Jo! Kjo asht toka e jonë!”
Shkau, duke e ditur shumë mirë gjuhën shqipe, ka shkuar menjëherë të raportojë në Policinë e vendit.
Mbas disa ditëve, në shtëpi të Prendushit vjen një letër, ku, thuhej se ai duhet të paraqitej urgjentisht në Gjykatën e Qarkut. Ai në ditën e caktuar paraqitet në gjykatë, në orën 9:00 të mëngjesit. Tërë ditën kishte pritur në koridor dhe nga ora 3:00 pasdite, Shefi i UDB-së Nazmi Kursani e kishte marrë në pyetje. Ai me nervozizem i është drejtuar Prendushit, duke i thënë: “A ke ardh këtu për ta shpëtue kokën a për të nda kufijtë!? Kësaj radhe po të lë të lirë të shkosh në shtëpi. Nëse ban nji gabim edhe ma të vogël do të kthejmë tek ai gjelati i juaj (është fjala për diktatorin Enver Hoxha, shenimi T.M.) ose do të lësh kockat në burgjet tona…”
Të tillë episode historike ka pasur shumë gjatë jetës së tij Prendush Gjon Gega, ku, mund të shkruhen libra të tërë me kujtime… Shumë miq të tij këto ngjarje reale i kanë marrë si humor, në netët e gjatë të dimrit…
I paharruari Prendush Gjon Gega, me nderime dhe respekt të madh u përcoll me dhimbje, këto ditë për në banesën e fundit, i rrethuar nga qindar miq, shokë dhe dashamirë të shumtë nga vendlindja, Shkodra, Lezha dhe ShBA.

Filed Under: Histori Tagged With: humanist i komunitetit, Prendush Gjon Gega, shqiptaro-amerikane, Tom mrijaj

MESAZHET E SESIONIT SHKENCOR PER RIPUSHTIMIN JUGOSLLAV TE TROJEVE SHQIPTARE

September 5, 2014 by dgreca

Përfundoi me sukses punimet Sesioni i XII “Trojet e Arbërit” dhe homazh respekti për mjedologun e shquar Prof. Dr. Mentor Quku/
Nga Tomë Mrijaj/
Është kënaqsi për mua të bëj përmbylljen e Sesionit XII Shkencorë me teme: “Ripushtimi jugosllav i Kosovës e i viseve të tjera (1944) dhe qëndresa shqiptare”, i cili, përfundoi me sukses punimet këtu në Gjakovën heroike ndër shekuj, të trimave të lirisë, si: Bajram Curri, Sulejman Vokshi, prifti antiosman Pader Gjon Nikoll Kazazi, Haki Taha, Zef Gjidoda, Mehmet Agë Berisha, Mehmet Agë Rashkoci etj.
Përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës, për vetëvendosje, në Konferencën e Bujanit në janar 1944 nuk u morën parasysh nga lojërat politike të komunistëve jugosllavo-shqiptarë te shtetit amë.
Më 1945, forcat komuniste shqiptare hynë në Dardani, duke ndjekur trupat gjermane në tërheqje, por nuk i kushtuan vëmendje çështjes shqiptare dhe lejuan rianeksimin e saj nga Serbia, asokohe e cila e shpalli Kosovën si provincë autonome brenda Federatës Jugosllave.
Qëndresa e armatosur shqiptare e tradhtuar në të dy anët, nuk arriti t’i bëjë ballë forcave pushtuese serbe; 44 fshatra u shkatërruan dhe 20.000 civilë u vranë. Ndërkaq, politika e re komuniste e Jugosllavisë, ndonëse në retorikë dhe në propagandë u tregua e butë ndaj popullsisë shqiptare, në praktikë lejoi vazhdimin e po të njëjtës politikë fashiste, që zbatohej para luftës…
Sikurse në takimet e tjera të organizuar nga Shoqata e Intelektualëve Mbarëshqiptarë “Trojet e Arbrit”, edhe kësaj radhë sot (më 9 gusht 2014), në Hotel “Europa” në Gjakovë, i përfundoi me sukses punimet Sesioni XII Shkencor, kushtuar ripushtimit jugosllav të Kosovës dhe të trojeve tjera etnike prej vitit 1944 dhe përmes ligjeratave, me fakte dhe argumente historike, ku, doli në pah qëndresa heroike e popullit shqiptar.
Në këtë sesion shkencor, 85 ligjëruesit nga trojet etnike shqiptare dhe diaspora, përmes fakteve dhe argumentimit të mirëfillta shkencore, kanë hedhur dritë mbi zhvillimet e rëndësishme të historisë sonë kombëtare dhe pasojat, që solli ripushtimi sllav.
Ne, përmes Sesionit në fjalë, rikujtuam me pak fjalë kontributin e madh të dhënë nga veprimtarët e ndjerë të Shoqatës, që sot nuk gjinden në mesin tonë, përmes kujtesës së mbajtur nga studiuesi Nue Oroshi (nënkryetar i shoqatës “Trojet e Arbërit”), për katër veprimtarët e ndjerë: Mark Avdyli, Hajriz Demaku, Dr. Pjetër Pepa dhe mjedologun e shquar Prof. Dr. Mentor Quku, të cilët u ndanë nga jeta, pak kohë më parë.
* * *
Shkencëtari i shquar i mjedologjisë Prof. Dr. Mentor Quku, bën pjesë në plejadën e albanologëve cilësore, të studiuesve më të mëdhenj të kohës sonë në Trojet e Arbërit, emërin e të cilit e gëzon edhe Shoqata e jonë. Kjo është humbja më e madhe si për kombin tonë, dhe Shoqatën, mbasi ai ishte edhe sekretari më aktiv i Shoqatës për shumë vite.
Gjatë kohës që trupi i të ndjerit Prof. Dr. Mentor Qukut, po përcillej, me nderimet më të mëdha nga Prefektura e qytetit të Shkodrës, i rrethuar nga qindra miq dhe bashkëpunëtorë të artit dhe kulturës, e veçanta e kësaj përcjellje (për në banesën e fundit), do të mbahet mend, për faktin se meshtari, bashkëpunëtori dhe miku i tij i ngushtë studiuesi Dr. Don Nikë Ukgjini, kishte dhënë urdhër, që gjatë ceremonisë së varritmit, të bien kumbonët e Kishës, në shenjë respekti dhe mirënjohje, për punën e madhe për albanologjinë dhe në veçanti për zbardhjen e figurës shumë dimensionale të poetit të ëmbëlsisë Dom Ndre Mjedës.
Mjeda-Quku, janë dy nyje lidhëse të atdhetarizmit të djeshëm dhe sotshëm. Edhe pse Prof. Quku, nuk pati fatin dhe nderin e ëndërruar të ishte nxënës i shkollës së Mjedës, përmes shpalosjes dhe dhurimit të sotshëm të jetës e veprës së klerikut-shkrimtar, mund të them me bindje të plotë, se studiuesi i shkencës së letrave historike dhe albanologjike, mjedologu Prof. Dr. Mentor Quku, është një nxënës dhe deshmues i shpirtit të poetit Dom Ndre Mjeda.
Nëse Mjeda, ishte edukuar në dashurinë për Atdheun nga vatrat e shqiparizmës së kulluar Kuvendi Françeskan dhe Jezuit në qytetin e Shkodrës, Quku bashkëkohor, është i mëkuar nga prindërit dhe të afërmit e tij, që ishin pinjoll të denjë të rrymës së pastër të nacionalzimit brez mbas brezi.
Ky argument bindës, buron nga leximi i serisë së ciklit 14 vëllimësh të monografisë shumëplanëshe: “MJEDA”, hartuar me kujdes dhe pasion, kushtuar njërës ndër figurat madhore dhe personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe lëmive të tjera të klerikut katolik, patriotit të zjarrtë amtar Dom Ndre Mjeda, është një arritje e denjë respekti dhe nderimi, në të gjithë historinë e veprave shqipe të shkruar deri me sot, me karakter thellësisht analitik e cilësisht hulumtues, bashkëkohor, studimor, që ka mundur të na japë studiuesi shkodran, eurditi Prof. Dr. Mentor Quku.

Libri i parë i serialit Mjeda-1 Rinia (1866-1888), i kushtohet rinisë së Ndre Mjedës dhe aktivitetit të hershëm letrar e gjuhësor të tij. Në tre kapitujt e parë, të këtij libri autori skrupuloz Prof. Quku, me një përkujdesje profesionisti, i jep rëndësi të dorës së parë gjenezës dhe botës së brendshme të Ndre Mjedës, fëmijërisë, familjes, mjedisit dhe shkollës. Një kapitull qëndror është poezia Vaji i bylbylit, si dhe problemeve shumë të diskutueshme: frymëzimit e mënyrës së të shprehurit poetik të Mjedës.
Mjeda-2 Albanologu (1888-1899) Pjesa e parë e librit, nga jetëshkruesi Prof. Dr. Quku, është konceptuar si prolog, që i kushtohet albanologut zëmadh Ndre Mjedës, sot i lënë në harresë. Me interes janë kërkimet që bën Quku, për të gjetur Fjalorin Etimologjik të gjuhës shqipe.
Mjeda-3 libri i parë Alfabeti (1899-1912). Ky vëllim ka si objekt periudhën e kthimit të Mjedës në atdhe deri në Shpalljen e Pavarësisë dhe i kushtohet ndihmesës së Mjedës për alfabetin e gjuhës shqipe. Kongresin e Manastirit, autori e quan prelud i Shpalljes së Pavarësisë, kuvendin më të rëndësishëm të kohëve moderne, ku u realizua ëndrra e shumë brezave të shqiptarëve, pajtimi dhe bashkimi politik i tyre.
Mjeda-3 libri i dytë Liria (1899-1912). Prof. Mentor Quku hedh dritë mbi veprën e poetit gjatë jetës së tij në vende të ndryshme, ku e solli puna të shërbente si famullitar, administrator, sekretar, mësues. Tek kundron me andje këtë vepër, sheh se albanologu Prof. Quku, jep të dhëna interesante për projektet e Mjedës për të bërë kërkime në arkivat, muzeumet dhe bibliotekat e Romës, Vjenës për dokumente me rëndësi për historinë e Shqipërisë.
Mjeda-4 Identitet. Vepra e re ndriçon me dokumenta e analiza të hollësishme jetën e Dom Ndre Mjedës, në mes të Shpalljes së Pavarësisë së Shtetit shqiptar dhe Shpalljes së Republikës së Parë shqiptare. Libri tenton të theksojë përpjekjet e shqiptarëve, për të formatuar identitetin kombëtar dhe të personazhit kryesor të librit, Dom Ndre Mjedës, për të ruajtur identitetin personal. Pikërisht për këtë Mjeda u përqëndrua në studimin e gjuhës shqipe, historisë, etnologjisë, folklorit, mitologjisë. Autori, preferon të sqarojë disa nga dilemat, të krijojë dilema, t’i hapë dhe t’i nxisë ato, duke i ftuar studiuesit, që të përfshihen në diskutime, të ndërmarrin gjurmime në arkiva, biblioteka e muzeume.
Mjeda-5 Gjuhëtari. Kjo fazë do të karakterizohet nga një intensitet i lartë i angazhimeve të tij të shumta. Një ndër projektet e tij të vjetra, ishte ngritja e një akademie letrare shqiptare. Mbas përfundimit të ciklit të akademive të kohëve të kaluara, që ai krijoi ose punoi, (Shoqëria Agimi) ai i rizgjoi planet e tij, duke themeluar në Shkodër Shoqërinë Letrare Shën Jeronimi. Ardhja e Mjedës si profesor i gjuhës shqipe, në Seminarin e Jezuitëve, korrespondon me fillimet e revistës “Leka”, si edhe me afrimin e Mjedës pranë saj.
Mjeda-7 Bashkëkohësit. Tek ky vëllim, autori Prof. Quku, përmes gojës së bashkëkohësve të Mjedës, hyn thellë në zemrën e ngjarjeve dhe të jetës së poetit, për të ia paraqitur publikut lexues në mënyrë që gjithçka të shfaqej në vërtetësinë, e me dritë-hijet e veta. E gjithë seria e botuar, dallohet për risi, në metodën krijuese të punës, si dhe për dritën e re, në të cilën paraqitet autori i shquar i traditës sonë, Ndre Mjeda.
Së fundi, theksoj, se seria ose kolana “Mjeda”, u drejtohet studiuesve, studentëve, intelektualëve, por edhe lexuesve të thjeshtë të pasionuar mbas Ndre Mjedës, i cili, mbetet më klasiku, njëherësh, edhe më moderni i autorëve tanë të traditës.
Me Mjedën Prof. Dr. Quku, hyri me dinjitet në elitën e studiuesve më të mirë, duke zënë një vend nderi në krye të kësaj elite dhe sëbashkë me Rilindasin e Madh-Mjeda, pavdeksoi edhe vetën e tij.
* * * * *
Larmia tematike, qasja origjinale dhe shtrirja problemore në tërë hapësirën etnike shqiptare, kanë qenë tiparet dalluesve të kumtesave të sesionit historik.
Një vend të dalluar në punimet e këtij sesioni, ishte portretizimi i figurave të rezistencës sonë antikomuniste mbarëkombëtare, por edhe i familjeve të tyre, kontribut ky që për një gjysmë shekulli nuk u vlerësua drejt nga historiografia shqiptare.
Sikurse u përmend gjatë ligjeratave, u vu theksi në shumë drejtime, mbi kontributin e gruas shqiptare, në lëvizjet antikomunsite, por edhe burgosjet e tortuarat, që u bënë vijueshmërisht nga qeveritë komuniste asokohe.
Me shumë ineteres u ndoqën nga të gjithë ju të pranishëm, përshkrimi i figurave të lënë në harrese, nën dritën e fakteve dhe analizave historike, si për martirët e Atdheut: Marie Shllaku, Kartarina Josipi etj. Nuk u la anash as kontributi i klerit dhe përjekjet, që ai bëri për të ruajtur identitetin tonë kombëtar, përballë së keqes që po i kanosej vendit, si edhe puna e madhe, që është bërë në mërgim nga shoqatat dhe organizatat e emigracionit të të gjitha periudhave për çështjen shqiptare.
Vetë titulli i Shoqatës “Trojet e Arbërit”, nuk e la anash edhe përfshirjen e çështjes çame, që në ligjeratën historike, u trajtua nga studiuesi i Institutit të Studimeve Çame zoti Ahmet Mehmeti.
Gjatë punimeve të sesionit pati referate, që u vlerësuan edhe për kontributin në qartësimin e nocioneve shkencore, kur flitet për këtë periudhë, si dhe për informacionet e panjohura më parë, që për publikun e gjerë do të jenë me interes.
Sot, sikurse patë edhe ju, ishin të pranishëm përfaqësues të më se 10 subjekteve politike, shoqatave dhe organizatave të ndryshme, si dhe të ftuar të shumtë, në mesin e tyre anëtarë të familjeve atdhetare, që kanë kontribuar për çështjen kombëtare.
Na nderoi me pjesëmarrjen e tij ish Kryeministri i Kosovës zoti Ramush Haradinaj, i cili, përshëndeti punën e madhe gjithkombëtare, që ka bërë për këto 12 vite Shoqata e “Trojet e Arbërit”.
Tashmë edhe ju jeni njohur me disa propozime konkrete, që Prof. dr. Muhamet Shatri, Kryetar i Shoqatës “Trojet e Arbrit”, paraqiti si propozime, drejtuar institucioneve shtetërore në vend. Shoqata jonë ka kërkuar:
1. Instituti Albanologjik i Prishtinës, të marrë emërin në nderim të figurën së shquar të albanologut Prof. Anton Çetta.
2. Instituti i Gjeografisë të marrë emërin e gjeografit të parë shqiptar Profesor Ahmet Gashi.
Ne, duke parë rrethanat kohore dhe gjendjen e sotme të popullit shqiptar, në të gjthë trojet etnike, si Shoqatë përmes n/Kryetarit Mr.sc. Nue Oroshi, kemi hartuar një Memorandum, drejtuar shteteve mike perëndimore, ku, kërkojmë bashkimin e kombit shqiptar në një shtet të përbashkët, sikurse njihet sot si Shqipëria natyrale…
Në mbyllje, më lejoni të falënderoj nga zemra dy bashkëpunëtorët dhe miqtë e mi, themeluesit e Shoqatës “Trojet e Arbërit” Prof. Dr. Muhamet Shatri dhe historianin dhe politikanin bashkëkohorë, studiuesin Nue Oroshi, i cili, me sukseset e tij po na nderon në politikën gjermane, ku shpesh bën të pranishme çeshtjen e mbarëshqiptare…
Kam nderin, kënaqsinë dhe privilegjin e veçantë, që sot këtu para jush, të falëderoj nga thellësia e zemrës time të gjithë studiuesit seriozë të 12 simpoziumeve shkencore historike, që me punën e palodhur, keni zbardhur dhe ofruar për herë të parë ngjarje, data dhe figura të shquara të çështjes mbarëshqiptare dje dhe sot, të lënë padrejtësissht nën pluhurin e harresës…
Përfitoj nga rasti, që në emër të Shoqatës Mbarëshqiptare “Trojet e Arbërit”, të falënderoj, atdhetarin e flaktë, njeriun e sakrificave të mëdha, burrin e pamposhtur të burgjeve dhe torturave çnjerëzore të ish Jugosllavisë, zotëri Sabri Novosellën, të cilit Zoti i dha jetë dhe mundësira, që të ndihmoj vijueshmërisht me frymë atdhedashurie aktivitetet patriotike, kudo dhe kurëdo, që e paraqet nevoja.
Sot para jush, po japim lajmin e gëzuar, se radhët e Shoqatës tonë, çdo ditë po shtohen me elementë të rinj, intelektualë dhe studiues të talentuar, që do taçojnë edhe më përpara punën e nisur nga ne të gjithë këtu në këtë sallë.
Të tillë vajza të talentuara plot energji, në fushën e historisë janë studiueset e reja: Mire Prenaj dhe historiania më e re zonjusha Leonora Laçi, njëherazi edhe Sekretare e Shoqatës.
Sikurse tashmë e dini, se Shoqata “Trojet e Arbërit”, sot në dekadën e dytë me 11 libra voluminoze të botuara, s’do të ketë të ndalur deri në realizmin e qëllimit final, që është ëndrra shekullore e çdo shqiptari, Bashkimin e Trojeve Tona në një Shtet të Vetëm…
Mirë u takofshim në Simpozimin e ardhshëm!
Zoti i bekoftë popullin dhe trojet shqiptare!

Filed Under: Histori Tagged With: JUGOSLLAV TE TROJEVE SHQIPTARE, MESAZHET E SESIONIT, SHKENCOR PER RIPUSHTIMIN, Tom mrijaj

Ipeshkvi i Kosovës Imzot Mark Sopi (1938-2006),një vijues i denjë i traditës për Fe e Atdhe

August 22, 2014 by dgreca

Nga Tomë Mrijaj*/New York/
Përhapja e krishtërimit në Kosovë, në territorin e Ipeshkvisë Shkup-Prizren, zë fill në kohën apostolike, kur dihen udhëtimet apostolike dhe predikimet e Shën Palit apostull, veçanërisht në qytetet e Evropës Juglindore, përmes rrugëve të njohura të komunikacionit e të tregtisë në botën ilire-romako-greke, siç ishin: Heraklea, Linkestris, Nikea, Stobi, Scupi, Ulpiana…
Në Koncilin Ekumenik të Nicesë (Nicaenum viti 325 mbas Krishtit) i gjejmë ipeshkvijtë e Dardanisë: Budin nga Stobi (Budius Stubiensis – tani Pusto Gradsko) dhe Dakën e Dardanisë (Dacus Dardaniae), metropolit i provincave të Dardanisë deri në Naissus (Nishin e sotëm në Serbi) dhe Veles (në Maqedoni, sikurse shkruan studiuesi Dr. Don Shan Zefi.
Kisha katolike shqiptare në Kosovë, si institucion i organizuar (ndër të parët në Evropë), gjatë shekujve, ka ndikuar, në mënyrë vendimtare, për të ruajtur identitetin tonë kombëtarë, kulturorë dhe fetarë.
Kësisoj nga gjiri i Kishës, kanë dalë klerikë dhe prelatë të merituar kishtarë, shkrimtarë dhe veprimtarë të mëdhenj, të cilët, kanë rrezikuar jetën për t’u çliruar nga zgjedha e huaj, si: Pjetër Budi, Llukë e Pjetër Bogdani, T. Raspasori, G. Krasniqi, Shtjefen Gjeçovi, Gjon Nikollë Kazazi, Don Ndue Bytyçi, Dr. Don Gaspër Gjini etj.
Studiuesi bashkëkohorë Prof. Isak Ahmeti, ndër të tjera vlerëson, se: “Klerikët dhe prelatët e Kosovës, jo vetëm, që përhapën fjalën e Krishtit në gjuhën shqipe, por kur e kërkoj detyra e Atdheut, si: Don Gjon Bisaku, Don Shtjefen Kurti, dhe Don Luigj Gashi e ngritën me ndërgjegje të plotë zërin e tyre të fuqishëm, për të drejtat e shqiptarëve, deri te Lidhja e Kombeve në Gjenevë (5 maj 1930).”
Të freskët nga nëna histori, kemi edhe kujtimin e paharruar të shumë klerikëve të tjerë të tokës së Dardanisë, si: At Lorenc Mazreku O.F.M., Don Anton Zogaj, At Pal Dodaj O.F.M., At Klement Miraj O.F.M., At Bonaventure Gjeçaj O.F.M., Dom Mikel Tarabulluzi, At Luigj Palaj O.F.M., Imzot Nikë Prela, Imzot Mark Sopi dhe shumë të tjerë, që ende jetojnë dhe veprojnë me përkushtim për Fe e Atdhe, sikurse janë: Don Anton Kçira, Dr. Don Lush Gjergji, Dr. Don Shan Zefi, Dr. Don Nikë Ukgjini, Dr. Don Prekë Lazri etj.

Trualli i begatë, ku lindi e u rrit me dashuri për Fe-Atdhe-Përparim Imzot Mark Sopi
“Nëse Kisha nuk ka fryte, do të thotë se nuk jeton, se nuk ka dashuri; nëse s’ka të rinj, të gatshëm t’i kushtohen plotësisht Zotit, do të thotë se në atë Kishë, ka diçka që s’shkon”.

E Lumja Nënë Tereza (1910-1997)

Treva e Karadakut, ndër shekuj ka nxjerrë martirë të Fesë dhe Atdheut. Studiues dhe hulumtues të shumtë, i kanë kushtuar shumë rëndësi studimeve dhe veprave të shkruara, mbi kalvarin e gjatë të vuajtjeve të shqiptarëve të thjeshtë, por të pathyeshëm, për idealet e tyre të shqiptarisë dhe besimit katolik, në katër katunde të Malësisë së Karadakut, si: Stubllës, Vërnakollës, Binçës dhe Terziajve.
Sot të gjithë e dimë rrugën e mundimshme të popullit shqiptar, i cili, është keqtrajtuar barbarisht nga Perandoria mizore Otomane, duke i dëbuar nga trojet e veta stërgjyshore.
Këtë mbijetësë ndër shekuj të shqiptarëve e dëshmojnë edhe arkivat ndërkombëtare si në: Vienë, Paris, Romë, Vatikan, Stamboll, Selanik, Raguzë, etj., dhe arkivat e Kosovës, në: Prizren, Letnicë, Stubëll etj.
Vetëm nga familja Sopi, kanë dalur kohët e fundit një numër i madh meshtarësh, që ia kanë përkushtuar jetën e tyre Zotit dhe grigjës së Tij.
Hulumtuesi bashkëkohorë Marjan Sebaj Sopi, shkruan: “Kjo bashkësi famullitare, ka dhënë shumë thirrje meshtarake dhe rregulltare. Rrugën e dashurisë dhe flijimit, për të mirë të vëllait dhe motrës e ndjekën njëri mbas tjetrit edhe shumë të tjerë, si i ndjeri Ipeshkvi Imzot Mark Sopi (1938-2006), Don Damjan Kurti (1937-2014), i cili shërbeu në Durrës, Don Franë Sopi (Pejë), Don Viktor Sopi (Ferizaj dhe drejtor i Caritas-it kombëtar të Kosovës), Don Lenc Sopi (Klinë), Don Lush Sopi (Novosellë), Dr. Don Mikel Sopi, Don Marjan Marku (Zvicër), Don Tomë Pjetri (Mali Zi), Don David Andreiq (Kroaci), Don Igzidor Llukiqi (Selezian, Prishtinë), Don Herbert Berisha (Durrës, Shqipëri) At Shtjefen Doda, jezuit (Kroaci).
Po ashtu, nga kjo famulli kanë marrë thirrjen shenjte rreth 30 murgesha, prej të cilave 14 janë “Bijat e Dashurisë Hyjnore”, 3 françeskane, 3 të Shën Filip Nerit, 2 të Shën Vinçencit dhe 2 baziliane, të cilat shërbejnë nëpër të gjitha viset shqiptare dhe në shumë shtete tjera evropiane. Madje edhe jashtë kontinentit si në Amerikë e gjetiu.”
Sipas burimeve të pasura historike, mësojmë se meshtari i parë nga ky fshat, ishte biri i kësaj famullie (Binçë, treva e Karadakut), i persekutuar në Anadoll (Turqi). Të njëjtin persekutim nga otomanët e përjetuan asokohe krahas meshtarit katolik Don Mark Sopi (1838-1888) edhe disa motra nderi nga familja Sopi, të cilat, shërbyen dhe shkrinë jetën e tyre në shërbim të Zotit, anë e mbarë botës.
Nga hulumtimet historike, mësojmë se ato ishin rregulltare të motrave të Shën Vinçencit, si: Motër Juliana Sopi (1866-1891), Motër Suzana Sopi (1868), Motër Dominika Sopi, (1864-1890), Motër Agata Sopi (1875-1924), Motër Elizabeta Sopi (1878-1967), Motër Elizabeta Sopi (1878-1940), Motër Marta (Magdalena) Sopi(1888-1969).
Fatkeqësisht, deri më tani, fati i motrave të nderit, pra jeta dhe veprimtaria e tyre është ende e pazbardhur.
Fëmija i brishtë, që në ditën e pagëzimit do të marrë emërin e dashur Mark, lindi në Binçë, komuna e Vitisë së Kosovës, më 26 shkurt 1938, në një familje të madhe patriarkale, fetare e bujare, pasardhëse e “Martirëve të Karadakut (1846-1848)”.
Është interesant fakti, se ripërtritja e brezave në fe dhe atdhe, ka përputhje dhe përsëritet në familjen Sopi, me të njëjtin emër dhe shërbim plot devocion meshtarak edhe mbas 100 vjetëve. Kështu, paraardhësi i kësaj familje Don Mark Sopi i Parë, lindi në vitin 1838, ndërsa pasardhësi i tij, me të njëjtin emër dhe mbiemër Don Mark Sopi i Ri, do të lind mbas 1 shekulli, në vitin 1938 dhe ka të njëjtin vit lindje me paraardhësin po meshtarë të familjes së madhe Sopi…
Familja e tij, vogëlushin e brishtë Markun, qysh nga fëmijëria dhe më vonë në rini e kishin edukuar dhe frymëzuar nën dritën e atdhedashurisë dhe respektit të thellë për fenë e të parëve krenarë të krishterë.
Pas shkollimit fillestar në Viti, gjimnazin klasik e kreu në Pazin të Kroacisë, pastaj studimet filozofike e teologjike në Zagreb e në Romë.
Don Marku i Ri, shugurohet meshtar më 29 qershor 1968 në Romë (Itali). Ai me gëzim dhe përkushtim thotë meshën e parë në vendlindje (Binçë).
Duke hulumtuar faqet e ndritura të historisë së lavdishme të Kishës katolike në Dardani, shohim se Don Dedë Ramaj (famullitari i Stubllës në Binçë), në fjalën e rastit gjatë drekës përgëzuese të shugrumit të të riut si meshtarë asokohe, kishte thënë:
“Mos harro biri i kujt je! Ju sëpari, jeni i biri Zotit, pastaj i Kishës sonë martire, pasardhës i atyre prelatëve të shquar martir, i bashkësisë famullitare e i familjes tuaj shumë të nderuar…
Duke nderuar të parët tanë, ju keni një shembull të shkëlqyer të meshtarit të parë pararendës nga ky fshat, i cili, barbarisht (për bindjet e tij fetare dhe atdhetare), është persekutuar në Anadoll (Turqi). Kështu, Don Mark Sopi (1838-1888), kishte të nëjtin emër dhe mbiemër, sikurse e mbani ju sot, në nder të pararendësit tuaj. I dashtun Don Mark Sopi i Ri, ju e mbani me nder dhe krenari sot këtë emër të lavdishëm.”
Dhe ashtu ndodhi. Mbas shumë dekadave, do të shohim, se Imzot Sopi e mbajti dhe e vijoi me nder rrugën e lavdishme të Kishës sonë ndër shekuj.
Ai, nisi të punonte me pasion dhe dashuri të veçantë, në përkushtim të grigjës dhe shtëpisë së Zotit, duke e përhapur pa u lodhur Fjalën e Hyjit, në çdo zemër shqiptari.
Don Mark Sopi, për pesë vjet shërbeu si famullitar në Ferizaj dhe njëkohsisht si sekretar i Ipeshkvit Shkup-Prizren Imzot Nikë Prelës (1918-1996).
Mbas themelimit të revistës kulturore-fetare “DRITA” (1970) në Ferizaj, Dom Marku, iu bashkua me zemër intelektualëve të rinj shqiptarë, për rizgjimin e ndërgjegjës së vetëdijës kulturore të popullit shqiptar.
Më vonë, në vitin 1981, në kohën e demonstratave të shqiptarëve në Kosovë, mes miqve dhe shokëve, ngriti zërin në mbrojtje të minatorëve të Trepçës.
Në vitin 1974, ai u emërua famullitar në fshatin Zllakuqan, pranë Kishën së Shën Gjon Pagëzuesit të vendlidjes time në Klinë.
Prej vitit 1974 deri në vitin 1991, në Zllakuqan e në rrethinë, bëri shërbime të shumëfishta, ndër të cilat duhet theksuar organizimin e jetës baritore, ndërtimin e kishave, kapelave, meremetimin e kishës amë në Zllakuqan, përgatitjen për themelimin e dy famullive kishtare të reja: në Klinës dhe Budisalc.
Si aktiv ishte pjesëmarrës e prijës shpirtëror edhe në pajtimet e gjaqeve, gjatë viteve 1990, bamirës dhe i dhembshur, për të mjerë dhe të varfër, këshilltar për të pasigurtët, ngushëllues për të pikëlluarit, udhëheqës për të pavendosurit, me një fjalë vëlla apo gjithçka.
Ajo që bie në sy, është se (në fshatin Zllakuqan), gjatë 17 vjetëve, që ishte famullitar, sikurse me kujtohet mua Imzot Sopi, ishte një meshtar elegant, i hijshëm, fjalëpak e punë shumë, një njeri i thjeshtë, i dashur, bujarë, mikpritës, dëgjonte dhe respektonte mendimin e të gjithëve, pa paragjykime dhe shumë komunikues e fjalë ëmbël, me njerëzit në çdo kohë dhe rrethanë.
Edhe populli pa dallim feje, krahine dhe ideje e ka dashur dhe respektuar gjithnjë si një atdhetar të përkushtuar dhe meshtarë, me një kulturë të gjerë dhe të thellë, për shumë tema dhe çështje të trojeve etnike.
Imzot Sopi, kishte një pasion dhe dhunti të veçantë për publicistikën bashkëkohore, si bashkëpunëtor i zellshëm në shumë organe të shtypit fetarë dhe kulturorë, në të gjithë trojet shqiptare dhe diasporë.
Kudo dhe shpesh, mund të lexosh në larminë e faqeve të gazetave dhe revistave artikuj interesant, me nënshkrimin e tij. E tillë është edhe revista fetaro-kulturore “Drita”, që botohet edhe sot.
Kur ai filloi misionin si meshtarë në Durrës, themeloi dhe drejtoj në qytetin e lashtë bregdetarë të Durrësit revistën kulturore-fetare “Vegime Drite”.
I veçantë me stilin e shkrimeve të tij dhe shumë pikant në temat e larmishme që trajtoi, mbeti Ipeshkëvi ynë edhe në botimin e vëllimeve të bukura narrative, me titull kuptimplotë: “Baca Kolë dhe famullitari” (1995), apo përkujdesi i treguar, në botimin e veprave të autorëve të tjerë, si: “Martirët e Karadakut” (1996), “Koncilët ekumenike” (2000), “Shën Luçia” (2001) etj.
Shkëlqësia e Tij Imzot Mark Sopi, fill pas rënies së diktaturës komuniste më mizore në Shqipëri, sëbashku me Don Damjan Kurtin, shkuan në Durrës si misionar, për të ndihmuar dhe shërbyer në Kishën e përsekutuar egërsisht nga gjenocidi komunisto-ateist, duke qenë më pranë popullit të lodhur nga vuajtjet, për të përcjellë me kujdes, durim dhe dashuri Fjalën Zotit.
Shqipëria, asokohe po dilte nga nata e gjatë e sketerrës komuniste. Për më tepër, atdheu ynë amë, kishte nevoj për gjithçka, por mbi të gjitha për ngrohtësinë e Fjalës së Zotit, duke dëshmuar kështu dashurinë vëllazërore dhe përkushtimin shembullor ndaj misionin të Tij të dyanshëm: atdhetarë dhe meshtarak.
Më 23 nëntor 1995 Imzot Mark Sopi, u emërua Ipeshkëv i Kosovës. Shugurimin ipeshkvnor e merr nga Papa Gjon Pali II, sëbashku me 13 ipeshkvij të tjerë nga mbarë bota.
Këtë post të lartë ai e trashëgoi nga Ipeshkëvi Imzot Nikë Prela. Për shkak të rrethanave, që ekzistonin në atë kohë në Kosovë, Imzot Mark Sopi, është shuguruar në Romë, në janar të vitit 1996, post ky në të cilin ai ka shërbyer për dhjetë vjet me radhë.
Imzot Mark Sopi e mori udhëheqjen e Kishës katolike në Kosovë me seli në Prizren më 18 shkurt 1996 dhe e udhëhoqi me devocion shembullor deri në kalimin e tij në amshim, më 11 janar 2006.
Duhet kujtuar, se Imzot Mark Sopi e drejtoj Kishës katolike të Kosovës, para luftës së vitit 1999 me guxim, duke u ndeshur mes shumë rreziqeve, pasigurie, duke mbrojtur me stoicizëm të gjithë komunitetin katolik dhe popullin shqiptar pa dallim feje, krahine, ideje nga rrebeshet e dhunës çnjerëzore serbo-sllave.
Para, gjatë e pas luftës në Kosovë, Imzot Mark Sopi si bari i grigjës së vet dhe gjithë shqiptarëve pa dallim, të cilët nuk kishin mbrojtje, përkrahje, liri, dinjitet, gjatë dhjetë viteve si kryebari u gjend kudo, ku lypej dhe kërkohej, sidomos në takime me vendorët dhe ndërkombtarët. Ai ishte gjithnjë i gatshëm për të dëgjuar, kërkuar dhe punuar për të mirën e popullit të tij.
Më konkretisht, Imzot Sopi, ishte shumë aktiv për çështjen e Kosovës, në përputhje me idetë dhe qëllimin e mirë të miqve të mëdhenj të popullit tonë.
Kështu administrata e Presidentit George W. Bush, me kohë kishte planifikuar të punoj me diplomacinë e huaj në mënyrë aktive, për dhënien e statusit të Kosovës, ashtu sikurse shkruante edhe gazeta prestigjioze amerikane “Washington Post” e datës 17 maj 2005.
Për t’u njohur më mirë më problemt e brendshme të shtetit të ri të Kosovës, Mons Sopi, ftohet në Amerikë, sëbashku me biografin e shquar të Të Lumes Nënë Tereza Dr. Don Lush Gjergjin, (në Washington D.C., më 18 Maj 2005, shënimi im T.M.), për të dëshmuar para Kongresit Amerikan.
Ai, do të theksoj:
“Ne, do të bazohemi në realitetin kosovar në veçanti, duke i treguar botës, se ata që duan të njohin të vërtetën tonë, duhej ta dine, se në Kosovë nuk ka vetëm shqiptarë muslimanë, ortodoks serb e malazias, por ka edhe katolikë. Kisha Katolike, ka Ipeshkvinë e vet, meshtarët, murgeshat dhe besimtarët.
Dihet se Atdheu im, ka një popullsi me moshë të re, që arrin deri në 60%, të cilët janë nën moshën 30 vjeçare. Ata kanë nevoj sot për një të ardhme më të mirë dhe të sigurtë. Proceset demokratike në Kosovë, duhet të shpejtohen, duke hartuar ligje, që i vlejnë më së miri vendit tonë.
Pavarësia, është mënyra më e mirë për popullin tim. Ajo nuk kërcënon askend, por do të sjell paqe, për të gjithë Ballkanin. Kjo do të sjellë një kontribut të rëndësishëm, për të gjithë fqinjët dhe rajonin.
Ne, jemi pjesë përbërese e kompleksit Ballkanik dhe pa u shëruar kjo plagë e konflikteve të shteteve tona, me siguri Gadishulli ynë, nuk do të marrë frymë lehtësisht.
Edhe pse në Kosovë, përqindja më e madhe e besimtarëve është islame, kjo asnjëherë nuk na ka penguar dje dhe sot dhe se nuk do të na pengojë as në të ardhmen, sepse kemi shumë gjëra të përbashkëta, mbasi jemi një popull, me një gjak dhe gjuhë, kemi një histori, një traditë etj., por edhe synimet i kemi të njëjta.
Ne, si Kishë Katolike, me meshtarët dhe murgeshat sëbashku, me popullin pa dallim feje dhe krahine, kemi hapur dyert e kishave dhe kuvendeve, ku, kemi strehuar, ushqyer, mjekuar etj., duke i ardhur në ndihmë çdo ditë njerëzve në nevoj.
Ne e kemi ndarë vuajtjen me popullin martir të Kosovës.”
Ndodhesha në vendlindje, për të marrë pjesë si kordinator dhe kumtues, në Simpoziumin e radhës “E Djathta Shqiptare në Mbrojtje të Shqipërisë Etnike” në Kosovë.
Asokohe Imzot Sopi, më fton të takohemi në zyrën e tij. Zakonisht, në udhëtimet e mia të shpeshta në vendlindje, jam takuar gjithnjë me Imzot Sopin dhe kemi shkëmbyer biseda, me tematikë të ndryshme për Kosovën. E njëjta gjë, ka ndodhur edhe kur Ipeshkvi i Kosovës Mons Sopi, ka ardhur në New York, si mik i veçantë në shtëpinë time.
Ky ishte një takim special nga takimet e tjera. Ai, më ftoi në një bisedë, ku, më pas më tregoi edhe shkakun e ftesës së tij. Gjatë bisedës më tha:
“Sa të mbërrini në Amerikë, ju lutem i thoni Don Anton Kçirës, që brenda mundesive të përgatisë disa takime në Departamentin e Shtetit, me kongresistë dhe senator amerikanë, që e kanë ndihmuar nga afër gjithnjë çështjen shqiptare.
I dashtur Tomë, mendoj, se po bëhet një padrejtësi, duke u munduar të përbaltet lufta dhe krahu ushtarak i popullit të Kosovës, bijtë e së cilës mbrojtën me vendosmëri pragun e derës… Një prej luftëtarëve tanë trima dhe liridashës është Kryeministri dhe komandanti i UÇK-së Ramush Haradinaj…”
Mbas disa kohe, vjen në Amerikë Ipeshkvi i Kosovës Imzot Mark Sopi, i cili, sëbashku me patriotin e palodhur të çështjes kombëtare Don Anton Kçirën takohen me disa nga senator dhe kongresistë amerikanë për çështjen Haradinaj…
Falë punës së madhe dhe të palodhur të Imzot Sopit, Kisha Katolike në Kosovë, u bë gjithnjë më e njohur dhe e pranishme në hapësirat kosovare, sidomos përmes Karitasit, në ndihmë për njerëzit, që ishin goditur nga lufta, duke u ndihmuar në ndërtimin e shtëpive të djegura, shkollave të rrënuara, spitaleve të shkatërruara, rrugëve etj.
Po kështu Ipeshkvi ynë, ishte gjithnjë në kërkim të mundësive të reja, për përfshirjen e Kishës katolike në çështjet shoqërore, kulturore dhe arsimore.
Imzot Sopi, gëzonte autoritet e përkrahje, si në qarqet e larta shtetërore dhe ato kishtare. Ai punoi me përkushtim tërë jetën e tij, për t’i treguar mbarë botës, vlerat dhe vuajtjet e popullit të vet, duke ndihmuar për të mirën e dobinë e kishës dhe popullit shqiptar.
Sot në respekt të misionit të tij dhe dashurisë së madhe për Fe e Atdhe në Kosovë, një grup rinor mban emërin Shoqata Rinore “Imzot Mark Sopi”.
Gjatë ceremonisë së vënies së gurthemelit të Katedrales Katolike “Nënë Tereza” në Prishtinë, më 26 gusht, Presidenti Rugova, tha: “Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurthemelin e një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptare dhe Nënës së mbarë Njerëzimit: Të Lumturës Nënë Tereza, që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin, duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”.
Gurthemeli i Katedrales u vendos, për nder të 95-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës nga ana e Presidentit Dr. Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Washington-it Shkëlqësia e Tij Theodore Edgar McCarrick, në oborrin e gjimnazit.
Katedralja nisi të ndërtohet, në përkujtim të 600-vjetorit të lindjes së kryeheroit kombëtar Gjergj Kastriotit.
Mons Sopi, ishte një personalitet i madh, që në historinë më të re të Kosovës do të mbahet mend si një burrë i shquar i kombit shqiptar.
E tërë jeta e tij, ishte e përkushtuar Zotit dhe popullit të tij, punoi shumë dhe me përkushtim për Fe e Atdhe, në një kohë shumë të vështirë, apo kohë pa kohë, në të cilën gjindej populli i Kosovës.
Me kontributin dhe punën shumë të suksesëshme, që dha në Ipeshkvinë e Kosovës, të cilën e drejtoi me aftësi dhe përkushtim shembullor dhe për jetësimin e shtetit të ri, Imzot Mark Sopi, u bë personalitet shumë i dashur për të gjithë popullin dhe më gjerë.
Prelati i lartë kishtar shqiptarë, nuk duronte torturat e pushtetit serbë mbi popullin, ku në predikimet e tij në meshë të shenjtë alarmonte institucionet ndërkombëtare, për dhunën sistematike, që ushtronte Serbia mbi Kosovën.
Ai nga Katedralja e Prizrenit, shumë herë u është drejtuar botës së qytetëruar, se shqiptarët nuk ka kush t’i mbroj nga ushtria e egër serbe, që nuk respekton shpirtin e popullit autokton, i cili, është ndër trojet më të vjetra në kontinentin e Evropës.
Mbas një lodhje të gjatë në punët e shumta fetare dhe atdhetare, një ditë pushon se rrahuri zemra e prelatit të lartë të Kishës kaotlike në Kosovë Imzot Mark Sopit.
Kështu më 14 janar Katedralja e Prizrenit dhe oborri i saj ishin mbushur përplot me besimtarë, që kishin ardhur ta përcjellin bariun e mësuesin shpirtërorë për në banesën e përjetshme.
Pas meshës së dritës të gjithë të bashkuar në lutje, për shpirtin e të ndjerit e duke ngushëlluar njëri-tjetrin, u nisën drejt qendrës së qytetit të Prizrenit, për të vazhduar në fshatin e lindjes së tij në Binçë, ku, dhe u bë varrimi i prelatit.
Me rastin e ndërrimit të jetës të Imzot Mark Sopi, një zyrtar i huaj në Kosovë, z. Lari Rosin përveç fjalëve ngushëlluese që i shprehu familjes Sopi dhe Kishës Katolike e mbarë popullit të Kosovës, tha:
“Popull i nderuar ju keni humbur një lider të zgjuar shpirtërorë, dhe ne kemi humbur një këshilltar të zgjuar, për çështjen e Kosovës…
Ne, çmojmë shumë kontributin e tij, që ka dhënë për Kosovën dhe për Kishën Katolike shqiptare, e kryesisht për jetësimin e planit për Katedralen e Kosovës “Nëna Tereza” në Prishtinë.”
Me dashurinë, ndaj popullit dhe me aftësinë e madhe të treguar, Mons Mark Sopi ishte mik i madh i Presidentit Dr. Ibrahim Rugovës, dhe shumë burrave tjerë të njohur ndërkombëtarë.
Ai gjithmonë për zemër, kishte popullin shqiptarë të Kosovës, të cilin e kishte parë nën dhunë e torturime, ku me tërë fuqinë e tij intelektuale e fetare e kishte ndihmuar me shumë sukses, që tani i tërë populli, me një purkushtim të veqantë e respekton kontributin e tij të pamohueshëm dhe e radhitë ndër burrat më të mdhenj të kombit tonë.

Literatura:

1. Tomë Mrijaj, “Mons Dr. Zef oroshi Një jetë e shkrirë për Fe e Atdhe”, Monografi, New York, 2009
2. Luigj Sopi Luzi: “Përkujtojmë Imzot Mark Sopin”.
3. Marjan Sebaj SOPI, “Të ndjekim shembulline këtyre burrave që vet Zoti i ka dërguar në popullin tonë…”
4. Dr. Don Shan Zefi, “Kisha Katolike në Kosovë, një e vërtetë, që nuk mund të mohohet!”.
5. Prof. Isak Ahmeti, “Historia e Kishes katolike shqiptare ne Kosove”.
6. Dr. Don Gjergj Gjergji Gashi, “Martirët e Karadakut 1846-1848”
7. Marjan Sebaj-Sopi, “Binça, oazë e thirrjeve të shenjta!”
* E dergoi per Diellin autori Tom Mrijaj. Dielli po e riboton edhe pse eshte ky shkrim ne website te tjere.

Filed Under: ESSE Tagged With: Imzot Mark Sopi (1938-2006), Ipeshkvi i Kosovës, një vijues i denjë i traditës, për Fe e Atdhe, Tom mrijaj

Në përkujtim të bashkëatdhetarit Ndue Tunë Jakaj (1957-2014)

March 12, 2014 by dgreca

Ditën e marte, më 11 mars 2014, në Spitalin ‘Saint Johns’, Detroit (Michigan), pushoi së rrahuri zemra e atdhetarit Ndue Jakajt, në moshën 57-vjeçare, duke lënë mbrapa zonjën e tij, dy djem dhe katër vajza./
 nga Tomë Mrijaj/
Në vitin 1957, lindi fëmiu i parë, që do të pagëzohet me respekt në shenjë përkujtimi, me emërin e gjyshit Ndue, në familjen e Jakajve të Ranocit në Kosovë. Ky ishte një gëzim i papërshkruar, për çiftin e ri Tunën e nënën Gjyle, axhallarët: Martinin e Tomën dhe mbarë familjen e madhe të Jakajve.
Ky ishte një lajm shumë i mirëseardhur në Kullën e madhe shumë të mirënjohur të Jakajve, i cili, u përhap sipas zakoneve dhe traditave shqiptare, me krisma pushkësh dhe jehonë shtëpi më shtëpi dhe mal në mal.
Ndoshta, për lexuesit, është mirë të përshkruhet se nga cila familje lindi dhe u rrit ky bir i denjë i Kosovës, i cili, për shumë vite jetoi dhe punoi në Detroit të SHBA-së.
Pse ai, u detyrua të lërë Atdheun e lindjes dhe të marrë udhët e mërgimit të largët në SHBA?!
Vrasjet dhe torturat e njëpanjëshme të ushtruar vijueshmërisht nga kolonizatorët pushtues serbo-malazias- çetnikë, që e goditën familjen e madhe të Jakajve asokohe e gjen vdekjen edhe patrioti i palodhur Pjetër Jaku (1898-1945), i cili, u pushkatua nga pushteti sllavo-komunist në Kullën e Popit në Burim (Istog) në janarin e ftohtë të vitit 1945, me shumë burra të zgjedhur të Kosovës martire.
Familja e madhe e Jakajve, mbeti nën drejtimin e vëllaut të Pjetrit, Ndue Jakut (1896-1948), i cili, vdiq nga torturat çnjerëzore tre vite më vonë…
Për Nduen, filluan ditë të vështira, angazhimi për drejtimin e familjes së madhe dhe gjakmarrja (hakmarrja) për vëllain Pjetrin, i cili, ishte asgjesuar me urdhërin e çetnikut kriminel Radosh Tashiqit, që ishte shumë afër me fshatin Ranoc, ku, jetonte familja Jakaj dhe Koshi, që ishte katundi i ngjitur me Ranocin, ku, ishte kryeçetniku Radosh Toshiqi.
Në fillim të vitit 1945, shumë burra trima të Lugut të Drinit, rrokën pushkët, kundër pushtetit sllavo-komunist, me në krye legjendën e trimërisë patriotin e madh Ndue Përlleshin, i cili, la detyrën e kryetarit të komunës në Budisalcë dhe me vëllezërit e tij Zefin e Hilin e me shumë të tjerë, rrokën pushkët dhe u nisën drejt maleve të lirisë, për të luftuar kundër çetnikëve serbë.
Pjesëtarët e familjes Jakaj, ishin miq me luftëtarin e lirisë Ndue Përlleshin. Kushëriri i parë i Ndout Pren Perlleshi, kishte martuar vajzën e Ndue Jakut, Marqen.
I vëllai i Pjetrit, Ndue Jakaj, u kishte hapur dyert e kullës së njohur antarëve të lirisë të çetave nacionaliste dhe gjithnjë ishte i gatshëm, për t’i furnizuar me armë, veshmbathje, ushqime dhe gjëra të tjera të nevojshme.
Në të njëjtën kohë, kishte ndërhyrë tek miqtë e tij të shumtë, që t’ua hapnin me bujari dyert e shtëpive dhe t’u ndihmonin sa të kenë mundësi çetave vullnetare nacionaliste shqiptare, që kishin rrokur pushkët, për çlirimin e vendit nga pushtuesit serbo-komunist.
Një mbrëmje në kullën e Jakajve, ku, ishte strehuar luftëtari i lirisë antikomunisti Ndue Përlleshi (1908-1949) me çetën e tij, ishte diskutuar çështja e hakmarrjes. Dhe vetë Ndue Jaku, me antarë të tjerë e kishte vënë në shënjestër Radosh Toshiqin si armikun më të madh të familjes dhe krahinës së tij në Lugun e Drinit.
Nuk kaloi shumë kohë e çeta e Ndue Përlleshit, në orët e vona të mbasditës, në katundin Kojavç e vret Radosh Toshiqin, i cili, ishte duke u kthyer nga komuna e Burimit. Në gjoks i lë të vrarit një letër, ndër të cilat, kishte shkruar fjalët: “U ban shum t’fala Pjetër Jakut me shok.”
Historia e shkurtër e vuajtjeve dhe kalvarit
Për familjen e Jakajve, historia e kalvarit të vuajtjeve dhe mundimeve, nuk përfundon me vdekjen e parakohshme të nacionalistit Ndue Jaku. Por kalvari i gjatë e ka zanafillën e vet tek punët e detyrueshme dhe plot mundime, pa pagesë, që u detyruan me dhunë të bëjnë pjesëtarët e kësaj familje.
Në kushte shumë të këqija, në ambientet e punëve të rënda, në mes pyjeve të dendura të Bjeshkëve të Burimit në Rakosh (për prodhimin e lëndëve drusore), humbi jetën në mënyrë tragjike djali i dytë i Ndue Jakut, Gjergji, kur nuk kishte mbushur më shumë se 17 vjeç.
Vdekja në moshë të re e Gjergj Jakut (1932-1949) e shtoi edhe më shumë dhimbjen në familjen Jakaj.
Gjatë periudhës së sundimit të rrëgjimit sllavo-komunist, shumë meshkuj të familjes së madhe patriarkale të Kullës së Jakajve, u detyruan, që për të siguruar mbijetesën e familjes së tyre, të punojnë me orare të zgjatura dhe pagesa të vogla, në shumë vende të ish-Jugosllavisë.
Një nga pjesëtarët më aktiv dhe njëherësh i dhënë shumë mbas historisë së familjes së vet, me dokumente dhe fotografi origjinale,është djali i vogël i Ndue Jakut, nacionalisti dhe anëtar ende sot i Organizatës Nacionaliste Mbarëshqiptare “Balli Kombëtar” në emigracion Tomë Jaku, ndër të tjera kujton:
“Shteti i ri i sapokrijuar mbas vitit 1944, me emërin artificial Jugosllavi, më mori me dhunë njerëzit më të dashur të familjes, që më munguan shumë në jetën time. Të paharruar mbetën për mua babai dhe vëllai Gjergji.
Largimi nga ai vend, ku, përjetova vetëm kujtime të ithta, për mua ishte një rilindje e re.
Me ardhjen time në SHBA, në vitin 1969, menjëherë u radhita në radhët e Ballit Kombëtar, ku, në mënyrë aktive, përmes demonstratave dhe ndihmave financiare e luftova si munda dhe dita atë regjim gjakatar.
Regjimi sllavo-komunist, na privoi nga gjërat më të shtrenjta në jetë, që për mua janë: Prindërit e Atdheu.
Lirimi i Kosovës më 1999, për mua dhe gjithë shqiptarët atdhedashës, është ëndrra e jonë shekullore, që e paguam shumë shtrenjtë me gjakun tonë.
Atje kemi familjet dhe varrezat e të dashurve tanë. Jam shumë i lumtur, që erdhi kjo ditë, t’a shohim Kosovën tonë të lirë.
Ata, që ranë për lirinë e Kosovës pushofshin të qetë, në atë tokë shumë të dëshiruar për çdo shqiptar.”
Historia Kullës së Jakajve
Kulla e Jakajve në këtë krahinë, është një pikë strategjike dhe e lakmuar shpesh, për pozicionin e saj të favorshëm gjegrafik.
Nga lartësia e saj, mund të shikosh në qetësi një pjesë të madhe të Lugut të Drinit. Ajo që të tërheq, për t’a kundruar me kujdes dhe ëndje peisazhin alpin dhe kullën historike, ndërtuar mes kodrave të mbuluar me pemë drufrutore, është se një pjesë e tokave të reja, që janë të qendisura nga gjelbërimi, ku, dora e njerëzve të palodhur, i ka kthyer këto shpate të thepisura në toka bujqësore pjellore.
Në pjesën lindore të Kullës tipike shqiptare (ndërtuar shumë dekada më parë me material guri të latuar dhe tulla të kohës), dikur gjendeshin lisat e gjatë, që i jepnin mjedisit gjeografik klimë të shëndetshme, me verë të nxehtë dhe dimër, mbuluar nga dëbora deri me ardhjen e stinës së pranverës.
Kurse në pjesën jugperëndimore trevën e rrethojnë tokat pjellore (arat) dhe një burim i vogël, që quhet Ranavica, e cila buron nga Malet e Palevës dhe në katundin Zllakuqan bashkohet me lumin Drini i Bardhë.
Në këtë kodër me lartësi mesatare, sot kulla hijeshon mes harlisjes së pemëve të gjata, që në tabanin e tyre janë të veshur me gjelberimin e kullotave alpine, ku, blegërojnë bagëtitë e imta të banorëve të katundit Ranoc.
Kjo kullë në shekullin e kaluar, ka qenë dëshmitare e pandërprerë e historisë, ngjarjeve të njëpasnjëshme, që e kanë shoqëruar të gjithë krahinën e shquar, për qëndresën historike, kundër ushtrive mizore turke dhe ish-kolonizatorëve serbë.
Freskia e ndërtesës alpine, ndërtuar nga të parët e Jakajve, edhe sot ruan konturet e stilit të vjetër alpin, megjithëse ajo është ndërtuar në shekullit XX.
Frengjitë dhe dritaret e ajrosjes, gjenden në të dy katet e saj, duke i dhënë një emër të mirë në të gjithë krahinën e Lugut të Drinit.
Nga burimet e hershme historike të kohës, shohim se kjo kullë, ka qenë përherë një derë bujare, për miqtë dhe vizitorët e shumtë të krahinës dhe përtej saj. Aty kanë gjetur streh, mirëpritje dhe bujari fisnike shqiptare bijtë më të mirë të çetave nacionaliste, që me pushkë në dorë i kanë dol zot fateve të Atdheut.
Dera e njohur e familjes
së madhe të Jakajve
Nga kujtimet e të parëve në odat e moçme të burrave dhe nga ato që më ka treguar im atë Nikollë Pren Mrijaj (1911-1999), mësojmë se Kulla e Jakajve, ka qenë e përbërë nga shumë antarë, një familje tipike shqiptare, që asokohe në histori janë quajtur familje patriarkale.
Ata sëbashku kanë jetuar në të dy katet e kullës, dhe meshkujt e shumtë, janë marrë me administrimin e saj, punët e bujqësisë dhe blegtorisë, kullotjen e dhenve dhe bagëtive të tjera në male dhe stane, gjatë stinës së verës në kullotat e pasura.
Ndërsa vajzat dhe gratë si amvise të mira, kanë mbushë ujë me pagure në burimet e afërta, kanë gatuar dhe sistemuar shtëpinë sapo djemtë janë nisur në punë. Shpesh djemtë dhe burrat e familjes, kanë shkuar në qytet, për të bërë tregti dhe blerë sendet e nevojshme për kullën, kanë marrë pjesë në gëzimet dhe hidherimet e miqve dhe dashamirësve të tyre.
Mikëpritja, kjo traditë e moçme shekullore e shqiptarëve, është përcjellë brez mbas brezi edhe në derën e madhe të Kullës së Jakajve. Aty kanë gjetur bujarinë, besën, burrërinë, traditat dhe zakonet shqiptare shumë njerëz të shquar të Kosovës, të cilët, janë pritur dhe përcjellë sipas zakonit nga familja e Jakajve.
Ardhja e dhunshme
e komunistëve në pushtet
Duhet thënë, se në periudhën historike të viteve 1944-1950, kur lëvizjet kundërkomuniste dhe kundërsllave ishin të vazhdueshme nëpër male, me mbi 50 çeta nacionaliste, që vepronin asokohe në Kosovë, vala e reprezaljeve shfarosëse ose shkombëtarizuese të pushtetarëve të rinj sllavo-komunistë ishte e pamëshirshme, ndaj luftëtarëve dhe familjeve të tyre që me sakrifica i mbështenin ato nëpër male.
Ardhja e çetnikëve të kriminelit të famshëm kundërshqiptar Drazha Mihajloviç, mbi të cilin rëndojnë krimet çnjerëzore, kundër popullsisë së pafajshme shqiptare në Kosovë, e bëri më të fortë rezistencën e nacionalistëve dhe kundërkomunistëve shqiptarë.
Çdo ditë kishte vrasje dhe krime, që çetnikët e përbindshëm sllav bënin mbi familjet shqiptare, në Lugun e Drinit, duke mbërritur edhe në Kullën e Jakajve të Ranocit.
Çetnikët serbë, me ardhjen e pushtetit të tyre komunist i rruan mjekërrat e në ballë vuan yllin komunist të diktatorëve të Rusisë bolshevike.
Një nga ngjarjet më të shëmtuara dhe krimeve kundër njerëzimit, ka mbetur e shënuar në analet e historisë dimri i vitit 1944 dhe fillimi i vitit 1945, kur në muajin janar çetnikët, iu vërsulën shtëpive shqiptare dhe nxorën prej atyre qindra burra më të mirë të vendit dhe i pushkatuan në Kullën e Popit në Burim (Istog).
Nga familja e Jakajve, u pushkatua pa gjyq kryetari i familjes Pjetër Jaku, i cili, qysh herët me shumë burra të shquar të Lugut të Drinit, kishte rënë në sy të çetnikut kriminel Radosh Toshiçi.
Familja Jakaj e posaçërisht Ndue Jaku i Ri (i cili, u nda nga kjo jetë këto ditë), kishte shumë mall për vendlindjen e tij  Kosovën. Ai qëndroi larg vendlindjes vetëm fizikisht, kurse me mend dhe zemër gjithnjë jetonte me Kosovën e dashur, për të cilën, ai bëri aq sa mundi me gjithë shpirt.
Këtë e dëshmojnë edhe ndihmat e pakursyer, që dhanë herë mbas here gjatë fushatës fondmbledhëse, për lirinë e Kosovës familja Jakaj.
Këtë vit, me inisiativën e axhës së tyre Tomë Ndue Jakaj, ata sëbashku dhanë një ndihmë financiare bujare, për ndërtimin e Altarit të Kishës Katolike ‘Shën Gjon Pagëzuesit’, në Zllakuqan të Lugut të Drinit.
Në të ardhmen, rrugën e ndërshme të të atit, do t’a vazhdojnë ndërshmerisht djemtë dhe vajzat e tij, me shumë nipa dhe mbesa.
Pushoftë në paqë!

Filed Under: Featured Tagged With: nderroi jete, Ndue Ttun Jakaj, Tom mrijaj

Pren Nikollë Mrijaj (1889-1923)-Pinjoll i shquar i shkollës së famshme austriake

November 26, 2013 by dgreca

Tomë Mrijaj, New York/

          Viti 1889, ishte viti i gëzimit të papërshkruar në familjen e madhe Mrijaj, mbasi lindja e një mashkulli për rrethanat e kohës, ishte një pushkë më tepër, për t’ju përballuar synimeve pushtuese të fqinjëve grabiqarë…

I ati Prenit, Nikollë Mrijaj (1838-1907), për shkak të rrethaneve të kohës, ishte martuar në moshën 40-vjeçare. Ardhja në jetë e fëmijës së pare, ndryshoi shumë jetën e tij të mëparshëm (si kaçak), duke u endur për shumë vite me radhë me pushkë në dorë, mes malëve, në mbrojtje të trojeve shqiptare.

Preni i vogël, kishte një përkujdesje të veçantë nga familja dhe në veçanti nga babai Nikollë, që e donte si sytë e ballit.

Vitet kalojnë shumë shpejt dhe foshnja, fillon të rritet, mes një ambjenti plot tradita të pastra shqiptare, që respektonte dhe nderonte Kanunin e Lekë Dukagjinit, doket, zakonet, kulturën e mëparshme dhe bashkëkohore të kohës.

Dihet, se askohe në vendin tonë kishin hyrë dhe qëndronin trupat Austro-Hungareze.

Si bashkëpunëtorë i ngushtë Nikolla, njihte shumë prej ushtarakëve dhe ishte njeriu shumë i dashur i tyre.

Preni, sapo kishte mbushur 12 vjeç. Ushtarakët e lartë austro-hungarez, sipas kërkesës së të atit e marrin në Austri, ku, qëndroi për shtatë vite. Ai fillon mësimet në shkollën e ciklit të ulët dhe më pas vijon studimet e shkollës së mesme. I riu nga Kosova, Pren Nikollë Mrijaj, bie në kontakte dhe ushqehet me një kulturë të famshme e të mirënjohur në gjithë botën, muzikën klasike, shkrimtarët, personalitetet e larta të artit dhe kulturës, për historinë, traditën, zakonet, gjuhën e bukur gjermane, filozofët, qysh nga lashtësia, kontributin dhe respektin, që kanë pasur shumë përsonalitete austro-hungareze për shqiptarët etj.

Kështu, në moshën 19-vjeçare, intelektuali i ri kthehet në vendlindje, i paisur gjerësisht me një horizont të thellë kulturorë perëndimorë, falë edhe zotërimit shumë mirë të disa gjuhëve të huaja, si: gjermanisht, italisht, latinisht, frengjishten, të cilat mësoheshin në programet e shkollave të të gjithë niveleve në Austri.

Në historinë e krahinës së Lugut të Drinit dhe më gjerë asokohe, ka mbetur i skalitur emëri dhe vepra e intelektualit të parë Pren Nikollë Mrijaj. Ai, është shquar si një njeri zemërgjerë, i thjeshtë dhe modest, fjalëpak e punë shumë, karizmatik, me të gjithë njërëzit, që e kanë njohur apo kanë punuar me te, në shumë nivele të pushtetit lokal askohe në krahinë.

Ajo që bie në sy është fakti, se intelektuali Pren Mrijaj, kishte një aftësi të veçantë në komunikimin me njërëzit, pavarësisht nivelit të shkollës apo kulturës së tyre, sepse ai nderonte dhe respektonte me dinjitet personalitetin e çdo individi.

Të gjithë ata, që e kanë njohur, thonë se ishte i veçantë në mënyrën se si i zgjidhte me urtësi, zgjuarësi dhe durim problemet apo shqetsimet e bashkëvendasve sa herë që i shkonin në zyrë, për të qarë hallet e tyre të shumëta.

Zyrtari i lartë Mrijaj, asnjëherë nuk premtonte për gjerat, që nuk mund t’i bënte dhe nuk ishin në kopetencën e tij, edukatë dhe kulturë kjo e marrë nga administratat më të përparuara të Europës Perendimore dhe në veçanti ato të Austro-Hungarisë.

Preni, i cili, i donte dhe respektonte bashkëfshatarët e vet, shënonte me kujdes në bllokun e ankesave çdo shqetësim të vendasve dhe shumë shpejt me pjekuri u jepte përgjigje zgjidhjes së halleve të shumta, që kishin banorët, e zonës, për të cilët, ai punonte me përkushtim si funksionari më i lartë askohe në krahinë.

Duke iu rikthyer temës së përshkrimit të biografisë së Prenit, theksoj, se ai me t’u kthyer nga pushimet verore në vitin 1907, i vritet i ati (Nikolla), pabesisht nga disa armiq shekullorë turq e sllav.

Një dhimbje e madhe kishte rënë për familjen e mirënjohur Mrijaj dhe në tërë krahinën. Ishte një moment delikat dhe tepër i ndjeshëm, mbasi, të gjithë sëbashku, duhet t’a kthejnë dhimbjen në forcë dhe të ruajnë gjakftohtësinë, për humbjen e madhe, që i ndodhi familjes.

Duhet thënë, se akohe situata  e re e krijuar nga vrasja e babait të tij të dashur (që kishte bërë shumë për djalin e vet Prenin), për intelektualin e ri do të fillonte një jetë e re me urrejtje. E dhimbshme ishte kjo vdekje e parakohshme e babait. Ky ishte fat i keq, që i ra si plumb derës së familjes Mrijaj.

Gjatë atij viti, sipas traditës asokohe, kur dikush vdiste apo vritej, dyert e shtëpisë ishin të hapura, gjatë tërë viti për miqtë, që vinin gjithnjë, për të ngushëlluar pjesëtarët e familjes.

Për herë të parë i riu Preni, mundi që të njihte shumë të afërm dhe miq të të atit, që kishin ardhur për të ndarë dhimbjen me te, duke qenë kësisoj një kohë e mirë njohje me të gjithë miqtë.

Ai u takua në dhomën e pritjes dhe zhvilloi biseda të ndryshme me shumë prej tyre, si: Kapidani i Mirditës Markagjoni, i cili, kishte ardhur i shoqëruar nga një numër i madh krerësh dhe bajraktarësh nga trevat e Shqipërisë së Veriut dhe Mirditës.

Gjatë bisedave në odën e burrave,  Preni, mësoi shumë për historinë e familjes, dëshmuar nga tregimet e kujtimet e miqve dhe dashamirëve të familjes së madhe Mrijaj, duke filluar me babain e tij Nikollën, gjyshin Markun dhe katragjyshin Çunin.

Gjithashtu kjo fatkeqsi, shërbeu si një shkollë e madhe historie, për të mësuar me detaje për ngjarje të ndryshme, si: kryengritjet liridashëse, kundër pushtuesve shumë shekullorë turq e sllav të hershme të trevës, figurat e shquara të atdhedashurisë ndër shekuj, respektin dhe nderimin, që kishin përherë vendasit, për të parët e familjes së tij, ku, të moçmit i rikujtonin dhe ia thonin me shumë respekt Prenit…

Nuk kanë kaluar as 12 muaj nga tragjedia në familje, Preni, falë respektit dhe admirimit, që kishin vendasit për te, në moshën fare të re (kur nuk i kishte mbushur as 20 vjeç) emërohet si Kryetar i Komunës së Zllakuqanit.

Edhe pse i ri në moshë, ai kishte përgatitjet e duhura si intelektual i formuar dhe edukuar, me kulturë të thellë perëndimore. Por nga ana e tjetër, ai kishte dhe shkollën e jetës të marrë drejtpërdrejtë nga banorët vendas, në takimet e lira të përditshme, në odat e burrave më në zë të kohës, duke e gërshetuar atë me shkollën me tradita familjare, dhënë në mënyrë të vijueshme nga babai i tij Nikolla, që ishte e mbeti një ndër burrat më të shquar të asaj kohe.

Ngjarjet historike të atyre vitëve, zhvilloheshin me shumë shpejtësi. Eshtë fakt, se trojet etnike shqiptare dhe në tërësi i gjithë Gadishulli i Ballkanit, jetonte natën e gjatë të pushtimit të egër të Perandorisë Otomane, që si pushtuese u kishte mohur çdo të drejtë popujve dhe më së shumti popullit shqiptar, mbi të cilin ra shpata e përsekutimit dhe asgjësimit në shumë drejtime.

Për t’i bërë ballë shtypjes së shumanshme asimiluese, fillojnë të dalin në skenën politike lëvizjet kundërturke, të cilat, në vite të mëvonshme vijnë dhe shtohen. Gjatë përpjekjeve për liri, pavarësi dhe frenim të asimilimit të shqiptarëve, ishin vënë në ballë të kryengritjeve drejtuesit e shumë komunave dhe në veçanti fjala e urtë dhe largpamëse e përfaqsuesve të klerit katolik, që me ndërgjegje atdhedashurie, nxiste popullin dhe patriotët e vërtetë, për t’u ngritur në këmbë me pushkë në dorë, dhe dalë zot fateve të brishta të Atdheut.

Në këtë gjendje u gjend edhe kryeari më i ri në historinë e Kosovës, intelektuali i shquar e i vendosur atdhetari sypatrembur Pren Nikollë Mrijaj.

Ai, qysh në ditët e para të punës si Kryetar i Komunës në Zllakuqan, u lidh shumë ngushtë më klerin katolik vendas dhe më gjërë, duke e ditur, se fjala e klerikëve katolikë, ka peshë dhe respekt në popull.

Kësisoj, sikurse flasin edhe burimet historike dhe dokumentet e kohës së Rilindjes Kombëtare (të cilat, për fat të mire, kanë nisur të botohen, në shumë libra biografik dhe historik në Kosovë), aty për më shumë, shohim se Kryetari i ri, krijoi lidhje më të ngushta dhe bashkëpunim të vijueshëm me aktivistin e palodhur atdhetar të Rilindjes Kombëtare në Kosovë, meshtarin Pader Engjell Palaj O.F.M. (1870-), që asokohe vepronte në Kishën e Shën Gjon Pagëzuesit në Zllakuqan.

Ishte koha e rizgjimit të ndërgjegjës kombëtare për liri, kundër pushtuesve turq, që po vihej re përmes përfaqsuesve kombëtar shqiptarë, në fund të shekullit XIX dhe fillim i shek.XX.

Veprimtaria e përbashkët e klerikut Pader Palaj me Kryetarin e ri të Komunës në Zllakuqan Pren Mrijaj, ishte e spikatur dhe dallohej në shumë drejtime. Të dy patriotët, bisedonin shpesh, për bashkëpunim, në të mirë të krahinës së Lugut të Drinit dhe më gjerë, mbasi të dy idealistët, kishin idenë dhe qëllimin e mirë, për të bërë ndërgjegjësimin dhe mobilizimin e forcave kryengritëse kundërturke.

Kështu, gazeta “Vardar”, që botohej në qytetin e Shkupit, e cila mban datën 18 Janar 1909, ndër të tjera citon, se: “Në marsin e këtij viti (1909), At Engjëll Palaj, në bashkëpunim me krerët e vendit dhe Kryetarin e Kominës në Zllakuqan etj., kishin formuar një çetë luftarake antiturke në Budisalcë të Dukagjinit, nën komandën e patriotëve Zef Gjidodës, Zefit të Vogël, Pjetër Qelit etj., të cilëve, u ishin bashkuar me armë në dorë rreth 400 luftëtarë shqiptarë nga Lugu i Drinit, ku, të gjithë ishin të besimit katolikë.”

Nga ana e tjetër, Kryetari Mrijaj, si të gjithë bashkvedasit, kishte kërkuar me këmbngulje, t’i bashkohet me armë në dorë çetës nacionaliste kundërturke. Kjo vinte edhe nga fakti tjetër, se babai i tij Nikolla, ishte vrarë dy vjet më parë nga forcat turko-sllave.

Rilindasi klerik Pader Engjëlli, me të marrë vesht këmbnguljen e Kryetarit, për t’iu bashkuar çetës liridashëse e bindi atë, që të mos shkonte, sepse vendi dhe Komuna kishte nevoj për kujdesin e tij, mbasi ai ishte i vetmi personalitet i shkolluar në Perendim.

Kështu nga familja Mrijaj, iu bashkuan çetës vullnetarisht me armë në dorë dy antarë të saj Preka dhe Lleshi, çetë e cila më vonë me udhëzimet e fratit Padër Engjellit, iu bashkua Çetës së Isa Boletinit, Sadik Ramës dhe Bajram Currit.

Një tjetër bashkëpunëtor i ngushtë i Krytarit të Komunës së Zllakuqanit, ishte këshilltari përparimtar, me vizion përëndimor kleriku katolik Pader Lorenc Mazreku O.F.M. (1872-1944).

Në kundërshtim me politikën ç’kombëtarizuese të Perandorisë Turke dhe Mbretërisë Serbo-Sllave në trojet tona, treshja arsimdashëse e shquar e klerikëve të kohës, si: Pader Shtjefen Gjeçovi O.F.M., Pader Engjëll Palaj O.F.M. dhe Pader Lorenc Mazreku O.F.M., me guxim dhe vendosmëri, hapën shkollën e parë shqipe, në vitin 1907 në Zllakuqan të Lugut të Drinit.

Të njëjtën miqësi intelektuali Mrijaj e vijoi edhe më meshtarët e tjerë franceskanë, që shërbyen gjatë atyre vitëve në Kishën e Shën Gjon Pagëzuesit në Zllakuqan. Këtu po veçoi dy vëllezërit shkodranë Pader Pashk Prela O.F.M. (1877-) dhe Pader Marjan Prela (1887-).

Kulturdashësi Pader Pashku, i erdhi në ndihmë popullit të Zllakuqanit, në ato vite të vështira 1916-1919. Kështu, në vitin 1918, shkolla shqipe e Zllakuqanit (që ishte hapur në vitin 1916 nga Qeveria Austriake, shënimi im T.M.), mbyllet nga rregjimi kolonizator serb dhe përndiqet mësuesi i saj Ndue Vorfi…

Pren Nikollë Mrijaj, gjatë kohës që po kryente me përkushtim detyrën e Kryetarit të Komunës, ka qenë dëshmitar i gjallë i atyre ngjarjeve të ithta të periudhës së vitëve 1918-1919, kur ushtria dhe xhandarmaria serbo-malaziase ua vuri zjarrin shtëpive dhe pasurive të banorëve të Lugut të Drinit, ku, familjet e kësaj famullie, që mundën të shpëtonin, u detyruan t’i braktisin me dhimbje në shpirt vatrat e të parëve të tyre dhe të vendosën në rrethin e Gjakovës, tek miqtë dhe njerëzit e afërm të tyre.

Faktet dëshmojnë, se ato ditë në Zllakuqan, ka pasur shtatë të vrarë dhe shumë të plagosur, ku, midis tyre ishin tri gra dhe katër burra. Edhe në fshatrat e tjera, të Lugut të Drinit, kishte të vrarë, të plagosur, të djegur dhe plaçkitur.

Nga burimet historike dhe dokumentet e familjes Mrijaj, që ruhen prej shumë vitësh, gjatë masakrave dhe plaçkitjeve sllave, është vrarë barbarisht në Livadhet e familjes së saj në Leskoc edhe vjehrra e Kryetarit të Komunës Pren Mrijaj, një bij fisnike e familjes së mirënjohur të Selitëve të Leskocit. Ajo, atë ditë, për fatin e saj të ithtë, u gjend pranë familjes së saj për vizitë…

Duke pare, se gjendja në Zllakuqan dhe rrethina po përkeqësohej gjithnjë e më shumë (nga ndërhyrjet e forcave sllave), Pader Pashk Prelaj O.F.M. e kishte porositur Kryetarin e Komunës, që me shpejtësi urgjente, të bashkoi disa burra të Lugut të Drinit dhe të udhëtonin brenda natës për në Shkodër.

Delegacioni i armatosur lugdrinas, i kryesuar nga vetë Kryetari i Komunës Pren Mrijaj, (mbasi, zotëronte disa gjuhë të huaja) e kishte më të lehtë për të informuar direkt diplomatet. Ata,  që të gjithë ishin të veshur me kostume kombëtare dhe të hipur mbi kuaj shale.

Përfaqësuesit e krahinës zhvilluan bisedime informuese me Konsullatat e huaja (dihet, se Shkodra asokohe kishte mbi 7 Konsullata të huaja, shënimi im T.M.), që ndodheshin aty, duke ua përshkruar situatën e rëndë, që po përjetonte Lugu i Drinit ato ditë të dhimbshme nga largimi biblik i popullatës vendase nga shtëpitë dhe pronat e të parëve të tyre.

Hartimi me shkrim i një informacioni të hollësishëm nga qarqet e larta kishtare, mbi gjendjen aktuale dhe bisedat e drejtperdrejtë të bëra nga vetë kryesuesi i delegacionit lugdrinas kryetari Mrijaj, ndikoi në ndërprerjen e këtij terrori të pashembullt deri asokohe.

Në kulmin e zhvillimit të shpejtë të ngjarjeve, sikurse thonë edhe burimet historike të kohës, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Qeverisë Jugosllave. Kjo vinte nga fakti, se përfaqsuesit e klerit katolik dhe delegacioni i përzgjedhur shqiptar lugdrinas, i kryesuar nga kryetari, kishte bërë një punë shumë të mirë, në informimin e diplomatëve të huaj, të cilët kishin ndërhyrë menjëherë në rrugë diplomatike.

Nga ana e tjetër, në kampin shovinist të Qeverisë jugosllave, shohim se kryesia e saj nga zemërimi i zhurmës së madhe, që kishin bërë shqiptarët të bashkuar, nxorri urdhëresën (dekretin), që e gjithë popullata e kësaj treve, që kishin braktisur nga dhuna vatrat e tyre të djegura, të rikthehen në pronat e tyre, brenda një afati të caktuar…

Kjo urdhëresë, ishte një thikë me dy mprese. Kështu, nëse shikohet me kujdes dekreti i lëshuar nga qarqet jugosllave, del se ata e kishin kushtëzuar rikthimin e shqiptarëve në vatrat e tyre të braktisura me një periudhë kohore shumë të shkurtër, nga inati i diplomacive të huaja, pse ata nuk e lejuan realizmin e planit të serbëve, që synonte shkombëtarizimin me shpërngulje të detyrueshme nga vatrat stërgjyshore.

Kjo ishte një fitore dhe sukses i madh, falë meritës së klerit katolik vendas dhe delegacionit lugdrinas, që veproi urgjentisht, për zgjidhjen e çështjes së mprehtë shqiptare.

Në odat e lugdrinasve, u fliste shumë here, për mbresat e delegacionit të Lugut të Drinit, i cili, u takua me përfaqësitë e konsullatave të huaja të akredituar në qytetin e lashtë me histori dhe kulturë të Shkodrës. Gojë më gojë, janë ruajtur kujtimet, të cilat, kanë mbërritur të freskëta deri në ditët tona.

Kështu tregojnë, se si delegacioni nga Kosova, kishte ra në sy të mirë tek banorët e qytetit të Shkodrës, për veshjet e tyre karakteristike, me  larushmëri dhe stil të spikatur tradicionalë popullorë të trevës së pasur të Lugut të Drinit. Kuajt e përfaqsuesve shqiptarë, ishin të gjithë të zgjedhur dhe me shala shumë luksoze (të shtrenjta), me pasqyra e tufa të stolisura, që asokohe ishin karakteristikë e rrallë për udhëtime të gjata.

Midis kujtimeve të shumta, tregohet, se si një burrë i njohur dhe autoritativ nga Thethi i Shalës, i quajtur Sadri Luka, iu afrua me buzëqeshje burrave të delegacionit dhe mbasi i përshënd një nga një, me këmbëngulje i fton të shkojnë në konakun e tij në Theth.

Ai, iu drejtua të porsaardhurve, se sot jeni të gjithë miq tek unë, sepse jeni të lodhur nga udhëtimi i gjatë dhe keni sërisht rrugë për të bërë. Mbas pritjes miqsore dhe shlodhjes, njërëzit  e mi, mund t’ju përcjellin deri në vendin, ku ju doni të shkoni. Për t’ua bërë me të lehtë udhëtimin, njerëzit e mi, mund t’ju drejtojnë në rrugën me të shkurtër për në Kosovë.

Mbas një udhëtimi të gjatë, bjeshkëve të thepisura, të harlisur nga lisat e gjatë të pyjeve pambarim, të gjithë mbërrijnë në kullën e njohur të Sadri Lukës në katundin Theth të Shalës (Krahina e Dukagjinit), ku, i zoti i shtëpisë me familjarët, u bëjnë një pritje me bujari tradicionale tipike shqiptare e spikatur tek malësorët e trevave tona shqiptare.

Atë natë, në shtepinë e madhe Luka, kishte shumë miq dhe dashamirë, që kishin ardhur për t’u përshëndetur me delegacionin nga Lugu i Drinit. U bë vërtetë një sofër e madhe e përbashkët vëllazërore, sikurse e kanë traditë e zakon malet tona. Këto banorë fisnikë, ndër shekuj, kanë ruajtur dhe mbajnë ende sot, të gjallë gjithnjë virtytet më të mira të mikpritjes shqiptare.

Në mëngjez, i zoti i shtëpisë Sadri Luka, u drejtohet mysafirëve, me fjalët: “Më ka bërë përshtypje, se ky më i riu, që ju prin juve, pothuajse gjatë gjithë kohës mbrëmë nuk ka folur fare.”

Një antarë i delegacionit, që ishte më afër të zotit të shtëpisë, i drejtohet Sadriut, se: “Ky djali i ri, që ju ka bërë përshtypje mbrëmë, është Kryetari i Komunës sonë në Lug të Drinit, dhe është i vëtmi njeri i shkolluar jashtë shtetit në Austri. Ai, është ndera dhe krenaria e jonë.”

Ndër të tjerë e merr fjalën edhe Kryetari i Komunës Pren Nikollë Mrijaj, i cili, i drejtohet të zotit të shtëpisë: “Ju falënderojmë, në emër të gjithë delegacionit! Për të mirë të ardhshim. Në konakun tuaj, ne e kushdo që të vijë, të rrisim nderin shumë për mikpritjen. Dhasht Zoti, që sofra të tilla kjo familje bujare të shtroi gjithmonë, për të mirën e kombit.”

Mbas disa vitëve, në familjen Mrijaj, kishte ardhur për t’a vizituar me urdhërin e të zotit të shtëpisë Can Tahiri. Mjerisht Pren Nikollë Mrijaj, kishte vdekur vite më parë (1923). Cani, porositë e Sadriut ia kishte përcjellë djalit të Pren Nikollës, Nikollë Pren Mrijës dhe antarëve të tjerë të familjes.

Ai ndër të tjera, u thotë: “Fjalë pak, por i matur ishte Pren Mrijaj në shtëpinë tonë, të cilat asokohe i kishin lënë mbresa shumë të zotit të shtëpisë tonë Sadriut, i cili, më tha që t’ju them, se dëshiron që në mësin tonë të lidhim miqësi me familjen tuaj mes martesash.”

Sikurse thuhej asokohe, Cani kishte qëndruar mëse një javë si mik në shtëpinë tonë, ku, ishte vizituar nga shumë miq të familjes, të cilëve u kishte lënë përshtypje, sjellja dhe zgjuarësia e atij burri të përgatitur mirë me traditat e malësorit të malësive tona kreshnike.

Pas largimit të At Pashk Prelës, në Kishën e Zllakuqanit, në fund të vitit 1921, vjen vëllai i tij At Marjan Prela, i lindur në Shkodër. Ashtu sikurse vëllai i tij, Pader Pashku dhe Pader Marjani, u përshtatën shumë mirë në një vend, ku, më parë kishte shërbyer i vëllai i Pader Pashkut.

 

Miqësia e të vëllait e lidhi shumë shpejt me Kryetarin e Komunës së Zllakuqanit Pren Nikollë Mrijën.

Në fillim të vitit 1923, Kryetari, mbeti në histori, duke vënë gurthemelin e Kishës së re të Shën Gjon Pagëzuesit në katund.

Në vitin 1924, filloi puna për ndërtimin e Kishës së re të lartpëmendur.

E dhimbshme, por jeta ka të papritura, për të cilat çdo njeri duhet t’i përballoj me vetëdije. Ateherë, kur çdo gjë po shkonte shumë mirë në Komunë, në familje dhe brenda komunitetit të miqve dhe afërmve të Kryetarit enërgjik dhe të palodhur Pren Nikollë Mrijaj, trupi i tij përfshihet nga një dhimbje apendisiti (zorra qorre), e cila duke plasur e goditi rëndë në organizëm…

I pranishëm në frymarrjen e fundit sëbashku me familjarët, ishte edhe françeskani Pader Marjan Prela, i cili, vdekjen e tij e priti me shumë hidhërim.

Pren Nikollë Mrijaj, ka mbajtur gjithnjë lidhje të ngushta miqësie dhe bashkëpunimi me Kapidanin e Mirditës Marka Gjonin dhe Zef Ndocin, të cilët shumë herë kishin bujtur në konakun tonë.

Këto lidhje shumëshekullore miqësie dhe bashkëpunimi, për çështjen kombëtare, Preni i Ri, i vijoi pandërprerje, duke i qëndruar besnik rrugës shembullore të të atit…

Të bijtë e Pren Nikollë Mrijës, Nikolla dhe Ndreca, janë shtuar me shumë familje të reja, duke e zgjeruar pemën gjenealogjike të fisit Mrijaj.

Të sipërmendurit, deri në ditët tona janë shtuar me mbi 100 antarë vetëm, në një periudhë kohore prej disa dekadash, të cilët jetojnë dhe punojnë me familje në vendlinjde në Kosovë, Europë dhe SHBA.

Filed Under: Histori Tagged With: Pren Nikoll Mrijaj, Tom mrijaj

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT