• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MESAZHET E SESIONIT SHKENCOR PER RIPUSHTIMIN JUGOSLLAV TE TROJEVE SHQIPTARE

September 5, 2014 by dgreca

Përfundoi me sukses punimet Sesioni i XII “Trojet e Arbërit” dhe homazh respekti për mjedologun e shquar Prof. Dr. Mentor Quku/
Nga Tomë Mrijaj/
Është kënaqsi për mua të bëj përmbylljen e Sesionit XII Shkencorë me teme: “Ripushtimi jugosllav i Kosovës e i viseve të tjera (1944) dhe qëndresa shqiptare”, i cili, përfundoi me sukses punimet këtu në Gjakovën heroike ndër shekuj, të trimave të lirisë, si: Bajram Curri, Sulejman Vokshi, prifti antiosman Pader Gjon Nikoll Kazazi, Haki Taha, Zef Gjidoda, Mehmet Agë Berisha, Mehmet Agë Rashkoci etj.
Përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës, për vetëvendosje, në Konferencën e Bujanit në janar 1944 nuk u morën parasysh nga lojërat politike të komunistëve jugosllavo-shqiptarë te shtetit amë.
Më 1945, forcat komuniste shqiptare hynë në Dardani, duke ndjekur trupat gjermane në tërheqje, por nuk i kushtuan vëmendje çështjes shqiptare dhe lejuan rianeksimin e saj nga Serbia, asokohe e cila e shpalli Kosovën si provincë autonome brenda Federatës Jugosllave.
Qëndresa e armatosur shqiptare e tradhtuar në të dy anët, nuk arriti t’i bëjë ballë forcave pushtuese serbe; 44 fshatra u shkatërruan dhe 20.000 civilë u vranë. Ndërkaq, politika e re komuniste e Jugosllavisë, ndonëse në retorikë dhe në propagandë u tregua e butë ndaj popullsisë shqiptare, në praktikë lejoi vazhdimin e po të njëjtës politikë fashiste, që zbatohej para luftës…
Sikurse në takimet e tjera të organizuar nga Shoqata e Intelektualëve Mbarëshqiptarë “Trojet e Arbrit”, edhe kësaj radhë sot (më 9 gusht 2014), në Hotel “Europa” në Gjakovë, i përfundoi me sukses punimet Sesioni XII Shkencor, kushtuar ripushtimit jugosllav të Kosovës dhe të trojeve tjera etnike prej vitit 1944 dhe përmes ligjeratave, me fakte dhe argumente historike, ku, doli në pah qëndresa heroike e popullit shqiptar.
Në këtë sesion shkencor, 85 ligjëruesit nga trojet etnike shqiptare dhe diaspora, përmes fakteve dhe argumentimit të mirëfillta shkencore, kanë hedhur dritë mbi zhvillimet e rëndësishme të historisë sonë kombëtare dhe pasojat, që solli ripushtimi sllav.
Ne, përmes Sesionit në fjalë, rikujtuam me pak fjalë kontributin e madh të dhënë nga veprimtarët e ndjerë të Shoqatës, që sot nuk gjinden në mesin tonë, përmes kujtesës së mbajtur nga studiuesi Nue Oroshi (nënkryetar i shoqatës “Trojet e Arbërit”), për katër veprimtarët e ndjerë: Mark Avdyli, Hajriz Demaku, Dr. Pjetër Pepa dhe mjedologun e shquar Prof. Dr. Mentor Quku, të cilët u ndanë nga jeta, pak kohë më parë.
* * *
Shkencëtari i shquar i mjedologjisë Prof. Dr. Mentor Quku, bën pjesë në plejadën e albanologëve cilësore, të studiuesve më të mëdhenj të kohës sonë në Trojet e Arbërit, emërin e të cilit e gëzon edhe Shoqata e jonë. Kjo është humbja më e madhe si për kombin tonë, dhe Shoqatën, mbasi ai ishte edhe sekretari më aktiv i Shoqatës për shumë vite.
Gjatë kohës që trupi i të ndjerit Prof. Dr. Mentor Qukut, po përcillej, me nderimet më të mëdha nga Prefektura e qytetit të Shkodrës, i rrethuar nga qindra miq dhe bashkëpunëtorë të artit dhe kulturës, e veçanta e kësaj përcjellje (për në banesën e fundit), do të mbahet mend, për faktin se meshtari, bashkëpunëtori dhe miku i tij i ngushtë studiuesi Dr. Don Nikë Ukgjini, kishte dhënë urdhër, që gjatë ceremonisë së varritmit, të bien kumbonët e Kishës, në shenjë respekti dhe mirënjohje, për punën e madhe për albanologjinë dhe në veçanti për zbardhjen e figurës shumë dimensionale të poetit të ëmbëlsisë Dom Ndre Mjedës.
Mjeda-Quku, janë dy nyje lidhëse të atdhetarizmit të djeshëm dhe sotshëm. Edhe pse Prof. Quku, nuk pati fatin dhe nderin e ëndërruar të ishte nxënës i shkollës së Mjedës, përmes shpalosjes dhe dhurimit të sotshëm të jetës e veprës së klerikut-shkrimtar, mund të them me bindje të plotë, se studiuesi i shkencës së letrave historike dhe albanologjike, mjedologu Prof. Dr. Mentor Quku, është një nxënës dhe deshmues i shpirtit të poetit Dom Ndre Mjeda.
Nëse Mjeda, ishte edukuar në dashurinë për Atdheun nga vatrat e shqiparizmës së kulluar Kuvendi Françeskan dhe Jezuit në qytetin e Shkodrës, Quku bashkëkohor, është i mëkuar nga prindërit dhe të afërmit e tij, që ishin pinjoll të denjë të rrymës së pastër të nacionalzimit brez mbas brezi.
Ky argument bindës, buron nga leximi i serisë së ciklit 14 vëllimësh të monografisë shumëplanëshe: “MJEDA”, hartuar me kujdes dhe pasion, kushtuar njërës ndër figurat madhore dhe personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe lëmive të tjera të klerikut katolik, patriotit të zjarrtë amtar Dom Ndre Mjeda, është një arritje e denjë respekti dhe nderimi, në të gjithë historinë e veprave shqipe të shkruar deri me sot, me karakter thellësisht analitik e cilësisht hulumtues, bashkëkohor, studimor, që ka mundur të na japë studiuesi shkodran, eurditi Prof. Dr. Mentor Quku.

Libri i parë i serialit Mjeda-1 Rinia (1866-1888), i kushtohet rinisë së Ndre Mjedës dhe aktivitetit të hershëm letrar e gjuhësor të tij. Në tre kapitujt e parë, të këtij libri autori skrupuloz Prof. Quku, me një përkujdesje profesionisti, i jep rëndësi të dorës së parë gjenezës dhe botës së brendshme të Ndre Mjedës, fëmijërisë, familjes, mjedisit dhe shkollës. Një kapitull qëndror është poezia Vaji i bylbylit, si dhe problemeve shumë të diskutueshme: frymëzimit e mënyrës së të shprehurit poetik të Mjedës.
Mjeda-2 Albanologu (1888-1899) Pjesa e parë e librit, nga jetëshkruesi Prof. Dr. Quku, është konceptuar si prolog, që i kushtohet albanologut zëmadh Ndre Mjedës, sot i lënë në harresë. Me interes janë kërkimet që bën Quku, për të gjetur Fjalorin Etimologjik të gjuhës shqipe.
Mjeda-3 libri i parë Alfabeti (1899-1912). Ky vëllim ka si objekt periudhën e kthimit të Mjedës në atdhe deri në Shpalljen e Pavarësisë dhe i kushtohet ndihmesës së Mjedës për alfabetin e gjuhës shqipe. Kongresin e Manastirit, autori e quan prelud i Shpalljes së Pavarësisë, kuvendin më të rëndësishëm të kohëve moderne, ku u realizua ëndrra e shumë brezave të shqiptarëve, pajtimi dhe bashkimi politik i tyre.
Mjeda-3 libri i dytë Liria (1899-1912). Prof. Mentor Quku hedh dritë mbi veprën e poetit gjatë jetës së tij në vende të ndryshme, ku e solli puna të shërbente si famullitar, administrator, sekretar, mësues. Tek kundron me andje këtë vepër, sheh se albanologu Prof. Quku, jep të dhëna interesante për projektet e Mjedës për të bërë kërkime në arkivat, muzeumet dhe bibliotekat e Romës, Vjenës për dokumente me rëndësi për historinë e Shqipërisë.
Mjeda-4 Identitet. Vepra e re ndriçon me dokumenta e analiza të hollësishme jetën e Dom Ndre Mjedës, në mes të Shpalljes së Pavarësisë së Shtetit shqiptar dhe Shpalljes së Republikës së Parë shqiptare. Libri tenton të theksojë përpjekjet e shqiptarëve, për të formatuar identitetin kombëtar dhe të personazhit kryesor të librit, Dom Ndre Mjedës, për të ruajtur identitetin personal. Pikërisht për këtë Mjeda u përqëndrua në studimin e gjuhës shqipe, historisë, etnologjisë, folklorit, mitologjisë. Autori, preferon të sqarojë disa nga dilemat, të krijojë dilema, t’i hapë dhe t’i nxisë ato, duke i ftuar studiuesit, që të përfshihen në diskutime, të ndërmarrin gjurmime në arkiva, biblioteka e muzeume.
Mjeda-5 Gjuhëtari. Kjo fazë do të karakterizohet nga një intensitet i lartë i angazhimeve të tij të shumta. Një ndër projektet e tij të vjetra, ishte ngritja e një akademie letrare shqiptare. Mbas përfundimit të ciklit të akademive të kohëve të kaluara, që ai krijoi ose punoi, (Shoqëria Agimi) ai i rizgjoi planet e tij, duke themeluar në Shkodër Shoqërinë Letrare Shën Jeronimi. Ardhja e Mjedës si profesor i gjuhës shqipe, në Seminarin e Jezuitëve, korrespondon me fillimet e revistës “Leka”, si edhe me afrimin e Mjedës pranë saj.
Mjeda-7 Bashkëkohësit. Tek ky vëllim, autori Prof. Quku, përmes gojës së bashkëkohësve të Mjedës, hyn thellë në zemrën e ngjarjeve dhe të jetës së poetit, për të ia paraqitur publikut lexues në mënyrë që gjithçka të shfaqej në vërtetësinë, e me dritë-hijet e veta. E gjithë seria e botuar, dallohet për risi, në metodën krijuese të punës, si dhe për dritën e re, në të cilën paraqitet autori i shquar i traditës sonë, Ndre Mjeda.
Së fundi, theksoj, se seria ose kolana “Mjeda”, u drejtohet studiuesve, studentëve, intelektualëve, por edhe lexuesve të thjeshtë të pasionuar mbas Ndre Mjedës, i cili, mbetet më klasiku, njëherësh, edhe më moderni i autorëve tanë të traditës.
Me Mjedën Prof. Dr. Quku, hyri me dinjitet në elitën e studiuesve më të mirë, duke zënë një vend nderi në krye të kësaj elite dhe sëbashkë me Rilindasin e Madh-Mjeda, pavdeksoi edhe vetën e tij.
* * * * *
Larmia tematike, qasja origjinale dhe shtrirja problemore në tërë hapësirën etnike shqiptare, kanë qenë tiparet dalluesve të kumtesave të sesionit historik.
Një vend të dalluar në punimet e këtij sesioni, ishte portretizimi i figurave të rezistencës sonë antikomuniste mbarëkombëtare, por edhe i familjeve të tyre, kontribut ky që për një gjysmë shekulli nuk u vlerësua drejt nga historiografia shqiptare.
Sikurse u përmend gjatë ligjeratave, u vu theksi në shumë drejtime, mbi kontributin e gruas shqiptare, në lëvizjet antikomunsite, por edhe burgosjet e tortuarat, që u bënë vijueshmërisht nga qeveritë komuniste asokohe.
Me shumë ineteres u ndoqën nga të gjithë ju të pranishëm, përshkrimi i figurave të lënë në harrese, nën dritën e fakteve dhe analizave historike, si për martirët e Atdheut: Marie Shllaku, Kartarina Josipi etj. Nuk u la anash as kontributi i klerit dhe përjekjet, që ai bëri për të ruajtur identitetin tonë kombëtar, përballë së keqes që po i kanosej vendit, si edhe puna e madhe, që është bërë në mërgim nga shoqatat dhe organizatat e emigracionit të të gjitha periudhave për çështjen shqiptare.
Vetë titulli i Shoqatës “Trojet e Arbërit”, nuk e la anash edhe përfshirjen e çështjes çame, që në ligjeratën historike, u trajtua nga studiuesi i Institutit të Studimeve Çame zoti Ahmet Mehmeti.
Gjatë punimeve të sesionit pati referate, që u vlerësuan edhe për kontributin në qartësimin e nocioneve shkencore, kur flitet për këtë periudhë, si dhe për informacionet e panjohura më parë, që për publikun e gjerë do të jenë me interes.
Sot, sikurse patë edhe ju, ishin të pranishëm përfaqësues të më se 10 subjekteve politike, shoqatave dhe organizatave të ndryshme, si dhe të ftuar të shumtë, në mesin e tyre anëtarë të familjeve atdhetare, që kanë kontribuar për çështjen kombëtare.
Na nderoi me pjesëmarrjen e tij ish Kryeministri i Kosovës zoti Ramush Haradinaj, i cili, përshëndeti punën e madhe gjithkombëtare, që ka bërë për këto 12 vite Shoqata e “Trojet e Arbërit”.
Tashmë edhe ju jeni njohur me disa propozime konkrete, që Prof. dr. Muhamet Shatri, Kryetar i Shoqatës “Trojet e Arbrit”, paraqiti si propozime, drejtuar institucioneve shtetërore në vend. Shoqata jonë ka kërkuar:
1. Instituti Albanologjik i Prishtinës, të marrë emërin në nderim të figurën së shquar të albanologut Prof. Anton Çetta.
2. Instituti i Gjeografisë të marrë emërin e gjeografit të parë shqiptar Profesor Ahmet Gashi.
Ne, duke parë rrethanat kohore dhe gjendjen e sotme të popullit shqiptar, në të gjthë trojet etnike, si Shoqatë përmes n/Kryetarit Mr.sc. Nue Oroshi, kemi hartuar një Memorandum, drejtuar shteteve mike perëndimore, ku, kërkojmë bashkimin e kombit shqiptar në një shtet të përbashkët, sikurse njihet sot si Shqipëria natyrale…
Në mbyllje, më lejoni të falënderoj nga zemra dy bashkëpunëtorët dhe miqtë e mi, themeluesit e Shoqatës “Trojet e Arbërit” Prof. Dr. Muhamet Shatri dhe historianin dhe politikanin bashkëkohorë, studiuesin Nue Oroshi, i cili, me sukseset e tij po na nderon në politikën gjermane, ku shpesh bën të pranishme çeshtjen e mbarëshqiptare…
Kam nderin, kënaqsinë dhe privilegjin e veçantë, që sot këtu para jush, të falëderoj nga thellësia e zemrës time të gjithë studiuesit seriozë të 12 simpoziumeve shkencore historike, që me punën e palodhur, keni zbardhur dhe ofruar për herë të parë ngjarje, data dhe figura të shquara të çështjes mbarëshqiptare dje dhe sot, të lënë padrejtësissht nën pluhurin e harresës…
Përfitoj nga rasti, që në emër të Shoqatës Mbarëshqiptare “Trojet e Arbërit”, të falënderoj, atdhetarin e flaktë, njeriun e sakrificave të mëdha, burrin e pamposhtur të burgjeve dhe torturave çnjerëzore të ish Jugosllavisë, zotëri Sabri Novosellën, të cilit Zoti i dha jetë dhe mundësira, që të ndihmoj vijueshmërisht me frymë atdhedashurie aktivitetet patriotike, kudo dhe kurëdo, që e paraqet nevoja.
Sot para jush, po japim lajmin e gëzuar, se radhët e Shoqatës tonë, çdo ditë po shtohen me elementë të rinj, intelektualë dhe studiues të talentuar, që do taçojnë edhe më përpara punën e nisur nga ne të gjithë këtu në këtë sallë.
Të tillë vajza të talentuara plot energji, në fushën e historisë janë studiueset e reja: Mire Prenaj dhe historiania më e re zonjusha Leonora Laçi, njëherazi edhe Sekretare e Shoqatës.
Sikurse tashmë e dini, se Shoqata “Trojet e Arbërit”, sot në dekadën e dytë me 11 libra voluminoze të botuara, s’do të ketë të ndalur deri në realizmin e qëllimit final, që është ëndrra shekullore e çdo shqiptari, Bashkimin e Trojeve Tona në një Shtet të Vetëm…
Mirë u takofshim në Simpozimin e ardhshëm!
Zoti i bekoftë popullin dhe trojet shqiptare!

Filed Under: Histori Tagged With: JUGOSLLAV TE TROJEVE SHQIPTARE, MESAZHET E SESIONIT, SHKENCOR PER RIPUSHTIMIN, Tom mrijaj

Artikujt e fundit

  • VATRA Boston mikpret Luan Ramën në një takim për kulturën dhe çështjet kombëtare
  • VOTA E GJAKUT …
  • “Çekani i mesnatës”, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth mbi operacionin e SHBA në Iran
  • “Parada Shqiptare 2025” – Shqiptarët e Amerikës u mikpriten në “shtëpinë” e kryetarit të Bashkisë së New York-ut Eric Adams
  • Shqiptarët e Amerikës, krenari kombëtare
  • Presidenti Trump i flet kombit – SHBA-të godasin 3 baza iraniane të programit bërthamor
  • “Godita e SHBA ndaj bazave bërthamore të Iranit, ndëshkim shembullor ndaj diktatorëve gjakatarë dhe mëndjeve terrorise”
  • Shqipja Futet në Komunikimet Zyrtare të Shkollave Publike në Nju Jork – Një tjetër arritje historike për arsimin dhe familjet shqiptare në Diasporë
  • EROTIKA E VIOLINÇELËS NGA BALLKANI NË DOWN TOWN NË CHICAGO
  • Kosova – shtet i pavarur, por pjesë e pandashme e Shqipërisë kombëtare
  • Albanian Parade in New York City
  • “Të dëgjojmë zërat e tyre dhe të luftojmë për të drejtat e tyre”
  • EDHE NJЁ VEPЁR ME PESHЁ TЁ MADHE STUDIMORE PЁR EPOSIN E KRESHNIKЁVE
  • Diplomacia e Fuqive të Mëdha dhe kompromisi austro-rus në lindjen e shtetit shqiptar
  • Ambalazhet plastike ushqimore dhe siguria e shëndetit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT