Ministria e Jashtme Greke i ankohet Ministrise se Jashtme Shqiptare/
PERMET- Policia private rimerr godinën e Pallatit të Kulturës së Përmetit, që prej vitesh ishte shndërruar në kishë me emrin “Shën Maria e Pazarit” dhe që para disa ditësh iu rikthye Bashkisë së qytetit që fitoi betejën gjyqësore me Kishën mbi pronësinë e objektit.
Mësohet se pasi janë larguar besimtarët ortodoksë që hynë dje forcërisht në këtë ndërtesë, policia private ka vendosur sërish kontrollin e saj mbi këtë objekt të kthyer tashmë në një mollë të vërtetë sherri.
Mësohet se pas rimarrjes së godinës nga policia private kanë nisur përgatitjet për izolimin e dritareve të Pallatit të Kulturës me tulla.
MINISTRIA E JASHTME: HOMOLOGËT GREK TË SHQETËSUAR PËR SITUATËN
Ministria e Jashtme e Republikës së Shqipërisë reagoi sot në lidhje me konfliktin mbi pronësinë e Kishës Ortodokse në Përmet si dhe incidentin me konsullatën greke në Gjirokastër.
Ministria e Jashtme bën me dije se pala greke ka thirrur ambasadoren shqiptare në Athinë znj. Ermira Braho, për ti shprehur shqetësimin lidhur me ngjarjet. Nga ana e saj, diplomacia shquare ka kërkuar që ngjarjet të analizohen sipas fakteve me gjakftohtësi dhe vetëpërmbajtje dhe në kontekstin në të cilin ato ndodhin.
“Në mbrëmjen e datës 19 gusht, u thirr në mjediset e Ministrisë së Punëve të Jashtme greke zëvendës ambasadorja shqiptare në Athinë znj Ermira Braho. Gjatë takimit pala greke paraqiti shqetësimin lidhur me dy incidente, në Përmet si dhe goditjen me gurë të Konsullatës së Përgjithshme të Greqisë në Gjirokastër. Në vijim, diplomatja shqiptare në Athinë, ka sqaruar se te dhënat zyrtare flasin për situata të ndryshme. Sipas informacioneve zyrtare, në datën 19.08.2013, disa besimtarë ortodoks janë afruar tek godina e shtëpisë se kulturës në Përmet duke çarë rrethimin e forcave të policisë private, dhe pasi kanë hequr materialet rrethuese janë futur brenda në këtë objekt. Më tej, dy besimtarë ortodoks janë paraqitur të plagosur në Spitalin Civil të Përmetit. Autoritetet përkatëse shqiptare kanë marrë në pyetje shtetasit në fjalë, për të sqaruar rrethanat e plagosjes së tyre, por asnjë prej tyre nuk ka pranuar të shpjegojë asnjë rrethanë hetimi. Lidhur me sulmin me gurë të pretenduar, rezulton se në oborrin e Konsullatës ka rënë një gur i përmasave relativisht të vogla, që sipas hetimeve paraprake, mendohet se ka rënë si pasojë e fërkimit me gomën e ndonjë makine. Ministria e Punëve të Jashtme shqiptare kërkoi që ngjarjet të analizohen sipas fakteve me gjakftohtësi dhe vetëpërmbajtje dhe në kontekstin në të cilin ato ndodhin”, thuhet në deklaratën e shpërndarë për media të Ministrisë së Jashtme
NGJARJA DJE
Rreth orës 11:00 dy autobusë me afro 40 besimtarë dhe priftërinj ortodoksë nga qarku i Gjirokastrës kanë zbritur në Përmet dhe i janë drejtuar Shtëpisë së Kulturës për të rimarrë godinën. Fillimisht ata janë konfliktuar me rojet private që ruanin objektin, të cilët ushtruan dhunë ndaj tyre. Një prej policëve privatë ka hedhur sprajt me gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve ç’ka ndikoi në tensionimin e situatës dhe nisjen e konfrontimeve fizike. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje 2 priftërinj dhe 2 besimtarë janë parë të gjakosur. Ata janë Ilia Mavro nga Mursia dhe Stefan Koti nga Xara e Sarandës. Të dy të plagosur lehtë me thikë, Mavro në pjesën e ballit, i cili pasi ka marrë mjekimin ka dalë nga spitali, ndërsa Kotit iu bë qepje poshtë veshit. Të plagosurit pretenduan se ishin goditur nga policia private, por zyrtarisht kjo mbetet ende e pakonfirmuar.
KONFLIKTI
Godina dykatëshe, dikur krenaria e përmetarëve, ka heshtur së funksionuari në vitin 1997. Prej 16 vitesh objekti në fjalë është bërë “mollë sherri” midis Bashkisë së Përmetit dhe Kishës Orthodokse.Të dyja palët kanë pretenduar pronësinë, por Gjykata ka vendosur që kjo godinë t’i rikthehet bashkisë. Pallati i Kulturës u ndërtua 51 vjet më parë, në vitin 1962. Pas Luftës së Dytë Botërore, në truallin ky është ngritur Pallati i Kulturës dhe lulishtja e qytetit, jetonin në baraka 30 familje. Në vitin 1958 u shpërngulën, pasi sistemi komunist hartoi një plan rregullues. Në nëntor të vitit 1962 u inaugurua lulishtja e qytetit sëbashku me Pallatin e Kulturës. Gjykata Kushtetuese në vitin 2002 ka vendosur në favor të pushtetit vendor, por prej 11 vitesh ky objekt u përdor nga Kisha Ortodokse. Pallati i Kulturës funksionoi si objekt fetar prej 26 majit 1997, falë një vendimi të Komisionit të Pronave të rrethit të Përmetit. Pallati i Kulturës, me sipërfaqe rreth 6000 metra katror, figuron me Nr.pasurie 16/9, ndërsa Zyra e Përmbarimit ka tentuar 15 herë të ekzekutojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por fatkeqësisht janë penguar nga përfaqësuesit e Kishës. Pak ditë më parë përmbaruesit të mbështetur dhe nga policia private kanë ndërhyrë me forcë, duke larguar nga Pallati i Kulturës, ikona të Kishës, këmbana, si dhe materiale të tjera. Përmbaruesit kanë hequr kryqin nga godina e Pallatit të Kulturës dhe kanë vendosur atje flamurin sh- Flamuri i krishterë i vendosur brenda ambienteve të Pallatit të Kulturës në Përmet qiptar, duke zbatuar kështu vendimin e gjykatës. Për largimin e objekteve të kishës dhe priftërishve nga kjo godinë ka pasur edhe reagime të Athinës zyrtare.
( Kortezi/BalkanWeb)