Nderohet pas vdekjes oficeri i RENEA-s, i cili u vra gjatë aksionit në Lazarat në qershor të këtij viti. Ibrahim Basha u nderua nga presidenti Nishani me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” me motivacionin: “Për merita dhe shërbime të veçanta në luftë me grupe të strukturuar kriminale për garantimin e rendit dhe sigurisë publike; për trimëri dhe kontribut të spikatur në operacionet luftarake në Afganistan dhe Irak, në mbrojtje të paqes dhe lirisë, në luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar”.
“Jeta e tij ishte e shkurtër, por ishte e jetuar me shumë intensitet, ishte e mbushur me ngjarje shpeshherë me rrezik real të jetës për të, por besoj se kishte një kryetemë, atë të luftës pa ndalim ndaj të keqes, qoftë ky një rrezik real terrorist në Irak dhe Afganistan apo dhe kunder krimit të organizuar dhe elementëve keqbërës këtu në Shqipëri”, vuri në dukje Presidenti Nishani. Ushtaraku Basha u ekzekutua nga një grup të rinjsh, të cilët i zunë pritë furgonit të policisë në brendësi të Lazaratit. Autorët janë arrestuar. Ata dëshmuan se e bënë këtë për hakmarrje ndaj aksionit të një viti më parë nga Forcat Renea e policia shqiptare kundër drogës. {Sh.K}