• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FISHTA: “Ka me pasë Shqipni! Do të bahet Shqipnija!”

October 13, 2020 by dgreca

FJALA E AT GJERGJ FISHTËS NË VARRIMIN E AVNI RUSTEMIT-

                        “Ka me pasë Shqipni! Do të bahet Shqipnija!”-

                                                Nga Frank Shkreli-

Unë nuk dëshiroj t’i bashkohem debatit të ditëve të fundit se kush është hero e kush është tradhëtar dhe as vlerësimeve se kush meriton të dekorohet e kush jo, pasi për këtë vendosin entet e caktuara shtetërore, sipas ligjit, kushtetutës dhe precedenteve të mëparshëme. 

Por debati i fundit në media dhe midis personaliteteve të larta politike dhe shtetërore të Shqipërisë mbi dekoratat e fundit të njoftuara nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta  — përfshir dekorimin, nga ana e tij, dhënë Avni Rrustemit – m’u kujtua fjalimi që At Gjergj Fishta kishte mbajtur në varrimin e Avni Rrustemit, (1 Maj 1924) pas vrasjes së tij – që konsiderohet si një prej vrajseve më të bujshme në historinë e Shqipërisë.  Ndërsa fjalimi i përmortshëm i At Gjergj Fishtës, në varrimin e Avni Rrustemit, konsiderohet si njëri prej fjalimeve më historike të oratorisë shqiptare, ndonëse ndoshta jo më i famshmi i Fishtës. Është një fjalim që ndoshta mund të kontribojë në këtë debat.

Shkrimtari dhe novelisti shqiptar Sterjo Spasse, në një shkrim të botuar në “Librin Përkujtimuer”, kushtuar At Gjergj Fishtës dhe botuar në vitin 1941 pas vdekjes së Poetit Kombëtar, nën përkujdesjen e At Benedikt Dema, Spasse ka vlerësuar zotësinë që ka pasur Fishta, që sipas tij, “të trondisi zemrën e të thithi me magjinë e fjalës.”  Dhe jep si “shembëll të gjallë” fjalimin e Gjergj Fishtës, “Fjala mbi varrin e Avni Rrustemit”, nga i cili, sipas tij, “Burojnë lotë e vrerë, ndërsa jeta e të vdekurit përjetësohet në dritë të idealit kombëtar.”

Është ky një fjalim ku shprehet zi për momentin e rastit por edhe për historinë e Shqipërisë së pushtuar ndër shekuj, por njëkohësisht pasqyron edhe qëndresën e shqiptarëve ndër shekuj si dhe luftërat dhe përpjekjet e tyre për liri, demokraci, përparim e zhvillim, si e gjithë Evropa, deri në ditët e sotme.  Dhe u ben thirrje shqiptarëve që, “Shoq me shoq, kurr mos me u xanë”.

Ja edhe fjalimi i plotë klasik i At Gjergj Fishtës mbajtur në varrimin e Avni Rrustemit në vitin 1924, e që ka mundësi të ndihmojë në debatet e tanishme, që po zhvillohen në Shqipëri mbi meritat, dekoratat, heronjtë dhe tradhtarët, por edhe për gjëndjen aktuale në të cilën ndodhet sot Shqipëria:

—————————————————————————————————

“E zeza mori Shqipni, se shum ké pa e randë ké psue rrymës s’asaj vistre të gjatë kavaljetesh, nepër të cilët pershkue âsht fati yt i mjeruem! Fort të bukur të fali Perendija, por – ofshe un i mjeri! – se tepër pa mëshirë e turp shemtuem të ká nieri.  Zbathë, zdeshë e lakuriquem, pa bukë e shujtë dhe e shame prej gjithkuej, sa me t’ardhë mârre me u quejt me emën tand, dikur aq të lumnueshem, nuk e di a kalue ká ndo’i faqe nieri, që ti la mos të jeshë anë gjak të ndo’i hasmit të mënîshem se në gjak të bivet tu, mizorisht çá e vrá ndermjet vedit.  Nepër ty, po, shunglluen ajri ato pyllnaje heshtash të gjakbâsvet Gal, kah idht të shporojshin parzmet e bijve tu: Nepër ty, po, u ndenë gardh ato shpata e shkallme të skryefortë, të cilat i pa dhimë pritshin krênat e bijve të tu; mbi ty, randoi pesha e pushtetsisë rromake që ty të ndrydhi fron e liri, e nepër ty u përshkue, mbasandej edhè ajo dhuna e përmnershme e Azisë, që të dërmoi të gjallët e jetës e as frymë nuk të la mâ me marrun, e ti u bane gazi eplla e dheut pa u gjetë kush kurr, që me të pajtue varrët, që me të ankue hallin tand të kobshëm. E vertetë që tjera ndoshta kombe e fise e vende, e tjera mote e mndorje të» historis s’tyne, kanë muejtë kshtu me psue si psue ké ti, e mjera moj Shqipni; po fis as komb, as vend nuk ká kund n’Europë, që, si ty, zemra gjak t’i két pikue! Mos tjetër të bijt e atyne kombeve, fiseve, vendeve, edhè m’atëherë kur i ndrydhte nji kambë e hueja, kanë mûejtë me dashtë Atdhenë e vet, kan mûejtë me urue per té.  Nder sa per bijt tuej – fat zeza moj Shqipni – po ishte faj me të dashtun ty, që aq të bukur të fali Perendija.
Jo, po, Zoja të ndritshme e Zotni vllazën shqiptarë, dashtnija ndaj Atdheut ktu në Shqipni po ishte nji faj, nji mkat, nji krim, nji delikt, nji xhinajet – e xhinajet i randë fort, edhè kjo kufomë e shkretë, e mjerueme që ktu po e kemi para sysh, na dishmon né si ndeshkohet faj i i Atdhedashnisë. Atdhedashnija, po, kjè njajo, që ia hangri kryet ktij djalit të mjer të martirizuem – i pat dalë, të ngratit, zani, se ky po e donte Shqipninë edhè i donte me gjith mend e me gjith zemër e me gjith fuqî të shpirtit të vet se për Shqipni jo gjaja, pse ksaj kurr s’i ka pasë lakmue, por s’i dhimbej jeta, të cilës s’i lakmonte për tjetër, veç për me i sherbye Shqipnis e me i u ba flî Atdheut. E pse kjo Atdhedashnî, e gjallë e të tanë zjarm, si furra zharitëse e nji diellit të djegagurit, kaq fort zu me i ndritë në báll, në ftyrë, e me i u kallë nder sy, sa per rreth tij, si hyj ma të vogjel për qark të nji diellit të shkelqyeshem, nisi me u mbledhë tok mosha shqiptare – shpresa e bardhë e Atdheut, e vuni besë – nji besë shqiptare se do të jetote, do të punote, do të vdiste per jetë e lulzim t’Atdheut. I vu ndokush shêj ksaj pune edhë nji të djelë mbas dite, ditën per diell, s’dij se për çfarë vorrit të mallkuem të Tiranës, po del nji kukuth, lugat i tmerrshem, i cili me armë të s’di se kuj, e vret dhe e len shakull mbi dhè.


Edhè kshtu sod, që lulet janë tue shpërthye mbi dhé, ky në ma të mirën lule të djemnîs së vet, lule po hin me u kalbë nen dhé. 

Pse? Pse pat dashtë Shqipninë! Kërcuna mori nana e vet, që ktij petriti të Lubohovës, dhanë i paska nji zemër bujare, fisnike; pse po zemra satrapit të tiranit ajo t’ia kishte dhanun, sod s’do ta kishte martue me tokë të zezë, por me ndo’i , zojë vashe shqiptare… I ziu more pedagogu i tij, që mbrenda ledhève të shkollës diku i paska të gjith ate njomsi ndjesie ndaj virtytit, burrnis, beses, njerzis, pse po ta kishte msue aty se me kalem e letër mund të shkelen popujt e mund të pihet gjaku i tyne, sod vorfnue s’do ta kishte Libohovën nji qytetas i ndershëm, Vlonën me nji birë në shpirt, Kosoven me nji mik, mbarë djemninë shqiptare me kampionin e vet aq të dashtun e të drashtun!


Flaka, po, i perpiftë njato kangë e letra, të cilat, tue fry neper flî t’ ambël të kësaj gjuhe hyjnore tonen, e ndezkan zhari zemren e tij ndaj Atdheut, edhè kshtu para kohe e çuekan në vorr. Oh! Po, të mos ta kishte dashtë ky djalë Shqipnin, sod nuk do të kishin shkrehë burrat e dheut prej shkambit të Pejes e deri në kulm të Kepit të Stiloz, per me derdhë lot mbi varrë të tij të pashërueshme; por kuk te carani i votrës së vet do të kishin kja varret – edhè kto të pashërueshme – të kombit shqiptar, që me të mdhej hapa po avitet kah prendimi i vet. Jo po; ky djalë po të kishte vu dorë e vjedhë nder pasuni të Shtetit, po të kishte rrëmbye tokët e hueja, po të kishte shnjerzue gjinden e huej e per qëllime të poshtërme politike të kishte djegë ndo’i malsî e rrenue ndo’i fshat, na sod ktu s’do ta kishim m’e pa, lamë me gjak, shtri mbi rrasë të vorrit, por gjetë do ta kishim me e pa tue u tallë fron më fron, sandalle më sandalle, kolltuk më kolltuk neper oda të shtrueme, e vesh më vesh me simahorë të ndo’i klikës së mshehtë, të ndytë, tue perpilue vistret e emnavet të njatyne atdhetarvet që do t’ u bajshin flî ambicjonit të poshterm të tyne.

Por Avni Rustemi kjè burrë, kjè trim, kjè besnik, kjè zemër bujar e Shqipninë e desht me gjith fuqinë e shpirtit të vet, prandej’ u la në gjak, prandej vdiq, shkoj, mbaroj.

Mbaroj thashë?  Më paska pasë rrshitë goja pahiri; pse Avni Rustemi s’ ka mbarue.  Edhè aj jeton nder né edhè ka për të jetue dèri sa në ndo’i skaj sado të vogel të Shqipnis ku të ndihet tue kumbue e ambla gjuha jonë shqiptare.  Burri i mirë s’des kurr. Fjalë drejta hyjneshë e historis, kjo,në nji fletë të historis shqiptare emnin e tij ka per ta shkrue me shkrola arit, shkrola të pa shlyeshme. Ka me dalë ndo’i poet i kombit, i cili ate emën ka per ta këndue mbi lirë të vet të hyjnueshme; e ate emen atëherë mësuesit nder shkolla kan per të ia u permendë nxansavet të censhëm: kapun në valle djemtë e vashat shqiptare neper brohori kan per ta kndue at emën; kan per ta kndue barijt e blegtorët nepër hije e mrrize të paqta të fushavet e të malevet tona, e mali e fusha e bregu e zalli kan me jehue nga ky emën e kshtû emni i Avni Rustemit, si ideali i tij, ka me mbetë i padekshëm në Shqipni. Âsht rrêjt, pra, tradhtari që thau të rijtë e tij, për në pastë mendue, me nji plumb pushke të pagueme Avniu do të mbarote. Avniu s’mbaron jo! Njajo flakë atdhedashtnije, e cila, si zjarmi kullon arin, mbrrîjti me e shlye njollen e fajnîs n’ate vepër që m’herë të parë, në sy të gjyqtarit frang do t’u dukte delikt i randë, ajo po, ká per ta ruejtë emnin e tij të padekshëm nder sa breznî, që rend mbas rendi do të vinë me gzue Shqipnin e lirë, e ky panagjyrë i madhnueshëm dishmon kjartas se un jam tue folë të vertetën. E njimend: o po kúr, pra, ditës së dekës të Gjergj Skanderbegut u pa nji verçallë ma i madhnueshëm, nji funeral ma i lulzueshem se ky i Avni Rustemit, -e të cilin pa nderlikim besimit, fisit a bajrakut, muer pjesë Shqipnia mbarë?


Ktú ké shkëlqesa të Këshillit të Naltë edhè dhespoten fort ndershem; ké – aballarë, hoxhallarë, priften, freten e misa Kuvendit Kushtetues; bajraktarë e beglerë, qytetas e fshatarë, pasanikë e të vorfen, pleq e të rij, burra e gra, djelm e varza që kan ra e ardhë ktu në Vlonë per të kjasue loden e vet mbi’ vorr të tij. Kta, po, rrëfejnë se emni i Avni Rustemit e ideali i tij do të rrojnë të padekshëm në Shqipni të lirë.


Stolis, pra, me rreze të nji emni të padekshëm e pajis me perdhimtime t’ambla të mbarë kombit shqiptar, mos u tut, Avni, tue u djerrë në vetmi të vorrit të errshëm, e kshtu me u dá prej nesh pergjithmonë. E vështirë, ndoshta, të vjen puna, që me u shkepë prej gjivet të prindvet tuej, por, qe, Shqipnija ka hapë gjitë e vet e të lypë per vedi. Nuk ké çka ban, do të hish në gjî të saj; pse ti, sod e mbrapa, nuk jé i kurrkujt tjetër veç se i Shqipnîs. Edhè Shqipnija në gjî të vet ka me i strukë kocat tuej, që mos t’i lendojë furia e thellimit a ndo’i fuqî tjetër kundërshtare, e ti në ate gjî ké me pushue si dikur, foshnje, pushove në gjîtë nanës sate zemër rrënueme: Jo, po, edhè Shqipnija âsht nana, e si nanë ka me ta mbajtë kujdesin, që mos ta trazojë kush gjumin e dekës në gjî të saj.


O ju male të Shqipnisë, lamtumirë po ju thotë Avni Rustemi, e nji amanet âsht tue ju lanë: që edhè sod e mbrapa t’ i rritni djelmë sokola, si dikur motit, me besë e me burrnî.   O ju fusha të Shqipnis, lamtumirë po ju thotë Avni Rustemi e nji amanet âsht tue ju lanë: që mos të jeni dorështrêjt ndaj kombit shqiptar, por t’i jepni bukë e shujtë e mos ta qitni ma Shqipnin me shkop e me strajcë me lypë buk dyerve të kombevet të hueja. Ju falet nderës dhe per lulet e bukura që keni dergue per ditën e vorrimit të tij.

O ju njerzë të Shtetit Shqiptar e misa të Kuvendit Kushtetues, lamtumirë po u thotë Avni Rustemi e nji amanet âsht tue ju lanë: që po kjé se âsht kush nder ju, që ndër dikasteret e nalt të shtetit ose në log të Kuvendit Kushtetues s’ka para sysh veç se punën e tagjîsë, ta mbushë strajcën pikë e për maje me gjak të shtetit edhè të shmanget në punë të vet, e mos të rrijë ma me luejt harushë mbî shpinë të nji popullit të ngratë, që as frymë nuk po mund të marrë prej lotëvet të gjakut.

O e bardhë shpresë e kombit – djelmëni shqiptare, lamtumirë po të thotë Avni Rustemi e amanet âsht tue të lanë:
Armët e mbushme mos me i dhanë
Shoq me shoq kurr mos me u xanë
Mos me u xanë as mos me u ngaë
Kurr ujët turbull mos me i raë
Fjalët per pajë kurr mos me i ndalë
Zemrës së frytë me i lanun dalë.


O zemërplasun prindët e tij, Avniu juej, qe, po ndahet pergjithmonë prej jush, edhè po ju lypë hallallin, per çka me fjalë a punë ka muejtë me ju pezmatue zemrën. Edhè ky ka kenë çilimi, ka kjenë i ri, e prandej ka mûejtë me gabue. E ty babë i mjerë, amanet âsht tue ta lanë, që kur të bajë motra me kja – qyqja motër per kaq vlla! – ta pajtojsh me fjalë t’ambla e të buta e mos ta lash, qyqen e natës, me i plasë zêmra prej dhimbjes për Avniun e vet.

Lirë e bekue po ju thotë të gjithve ju, që keni ba faqen e bardhë e ardhë m’e percjellë deri në ket vend pushimit të tij të mbramë. E ju, Zoja të ndritshme po ju truhet per çka keni ma per zemër, që t’ia shmangni mamen prej vorrit e mos të shofë gazep me sy.

Hajde, Avni, pra, tash me u da pergjithmonë. E sa për punë të Shqipnis mos ban merak: Un, që ti e din se nuk gënjej, po ta jap fjalën ktu mbi grykë të vorrit tand se ideali yt kombtar do të triumfojë e Shqipnija ka me perparue e lirë e lulzueme; pse në nji anë deka ka me herrë, ka me korrë, ka me shkmesë ket frrotë idiotash, egoistash, fanatikësh e farizejsh, nepër kthetrat e të cilvet sod fati i atdheut âsht tue u përshku; në tjetrën anë Perendija i amshueshëm ka me shndritë mendjen e ka me ndikue aq fort fuqî në zemër të moshës së re, që kjo, me punë, me ndigjesë ndaj ligjët e me nji atdhedashtnî të vertetë, ta mbajë Shqipnînë, ta bâjë me perparue e me lulëzue krahas me kombe të tjera të qytetnueme. Ka me pasë Shqipni! Do të bahet Shqipnija!”


(Rev. “Afrimi”, vjeti II, maj 1924.Vlorë)
Át Gjergj Fishta: “PROZA” vëllimi i dytë 1923-1940, Botime Françeskane, 

Shkodër, 2006, f.135-139.

Megjithë zhgënjimet e njëpasnjëshme të këtyre 30-viteve të fundit “post-komunizëm”, unë dua t’u besoj gjithnjë fjalëve të At Gjergj Fishtës të pothuaj 100-viteve më parë se, “Ka me pasë Shqipni! Do të bahet Shqipnija!” Por me një kusht: Nëqoftse më në fund, fillojmë të dëgjojmë fjalët e Gjergj Fishtës së Madh!

Frank Shkreli

Image result for varrimi i avni rustemit

                                    Ceremonia e varrimit të Avni Rustemit..

Filed Under: ESSE Tagged With: Fjalimi i At Fishtes, Frank shkreli, varri

NË KËRKIM TË VARRIT TË AT PANDO SINICËS

August 28, 2016 by dgreca

 

1 Fuati tek guri-Ka qënë një nga firmëtarët e Memorandumit,  që gjashtë klerikë orthodoksë shqiptaro-amerikanë, me në krye Nolin, i dërguan presidentit amerikan, Willson më 27 Nëntor 1918, për mos coptimin e trojeve shqiptare/

Nga Fuat Memelli -Boston/

1 guri i varrit

Prej  vitesh, kisha dashur të shkruaj për priftin patriot sinicar, At Pando Sinica. Informacionin e parë për atë e kam patur nga një fotografi si dhe pak rradhë poshtë fotos së tij, të cilat ndodheshin në muzeun e Sinicës në rrethin e Devollit. Pas viteve ’90, si shumë muze edhe ai i Sinicës, u dëmtua. Me ardhjen time në Amerikë pesë vjet më parë, dëshira për të rënë në gjurmët e tij, u shtua, pasi ai kishte jetuar në këtë vend. Për kontributin e tij, lexova edhe te gazetat shqiptare “Illyria” dhe “ Dielli” që dalin në Amerikë. Në këto gazeta mësova se At Pando Sinica, kishte qënë një nga firmëtarët e Memorandumit që gjashtë klerikë orthodokë shqiptaro-amerikanë, me në krye Nolin , i kishin dërguar presidentit amerikan, Willson, sekretarit të shtetit Lasing si dhe disa ambasadave të vendeve të fuqishme në nëntor të vitit 1918,  për mos coptimin e trojeve shiptare. Ky Memorandum, u dërgua disa ditë para mbledhjes së Konferencës së paqes në Paris,  si dhe para nisjes së delegacionit shqiptar në atë konferencë, e cila u zhvillua në janar të vitit 1919. Jo më kot Fan Noli, kishte zgjedhur edhe At Pandon, për të qënë një nga firmëtarët e kësaj letre të rëndësishme. Emri dhe veprimtaria kishtare e At Pando Sinicës, gjendet edhe në dy botime këtu në Amerikë: në librin e veprimtarisë të kishës shqiptare në Uster si dhe në botimin kushtuar Kishës Orthodokse Shqiptare në Amerikë, me rastin e 50 vjetorit të saj: 1908-1958, hartuar nga Fan Noli.

Për të rënë në gjurmët e varrit të tij, pyeta disa sinicarë që jetonin në Amerikë. Sinicari i vjetër , Sotir Guta dhe bashkëshortja e tij, Afroviti, të cilët jetojnë në Çikago, më thanë se ky fis në Sinicë e ka patur mbiemrin Kondemelo ndësa shtëpinë e kishte diku mbi xhade, pranë shtëpisë së Damove dhe afër kishës. Sipas tyre janë shpërngulur nga fshati në vitet e Luftës së Parë Botërore ose edhe më parë. Më tepër nuk dinin. Vetëm Hirësia e tij, Peshkop Ilia Ketri, me origjinë nga Sinica por  lindur e rritur në Amerikë e që jeton në Boston, më informoi se At Pandua kishte jetuar në qytetin e Usterit, i cili ndodhet rreth një orë larg Bostonit, e aty duhet ta kishte edhe varrin . Dhe unë nisa kërkimet për të gjetur varrin e At Pando Sinicës. Krahas misionit të gazetarit, i cili më nxiste për këtë punë, ishte edhe origjina ime e përbashkët me At Pandon , nga fshati Sinicë. Ky zë, sikur më thoshte: -Gjeje varrin e At Pandos ! Është një homazh për kontributin e tij në shërbim të fesë si dhe çështjes shqiptare.

Me Nolin“Trokitje” në Uster

Për të rënë në gjurmët e varrit të At Pandos, për herë të parë bisedova në telefon me dardharin, Petrit Skënde, i cili jeton në Uster.(Për ata që nuk e njohin atë ,dua të them se ai është një nga fizikantët më të mirë shqiptarë. Ka qënë nën drejtor i Institutit të Fizikës Bërthamore si dhe anëtar i Akademisë së Shkencave.) -Unë nuk kam informacion për personin që kërkon por do të rekomandoj një dardhar tjetër, Franklin Zdrulin, i cili gjithashtu jeton këtu dhe është i lidhur me kishën “Shën Mëria” në Uster. Kam besim se do t’ju ndihmojë, më tha Petriti. Fola me Franklinin dhe ai m’u përgjigj se At Pando Sinica ka qënë prift në kishën e Usterit.- Unë nuk ia di varrin, por do pyesim një person tjetër, korçarin , Lui Pero. Ai e di varrin dhe do na ndihmojë.

Më në fund…

Një ditë janari të këtij viti, u nisa për në Uster, bashkë më shokun tim , gjirokastritin , Kostandin Mosko. Kishim dy qëllime atë ditë: të shkonim të varri i At Pando Sinicës dhe të merrnim pjesë në promovimin e librit të Thanas Gjikës, për ardhjet e Shën Palit në Iliri. E nisëm me problemin e parë. Në Uster na priti Franklin Zdruli, të cilin gjej rastin ta falenderoj për ndihmesën e dhënë. -Shkojmë drejt e në vorreza, na tha ai, pasi aty na pret Lui. Pas disa minutash, mbritëm te vorrezat ku na priste Lui . U takuam dhe vazhduam rrugën në “qytetin” e të vdekurve.-Ja ku është varri i At Pando Sinicës, na tha Lui, kur u afruam.  Para 30 vjetësh ka qenë diku gjetkë por një grup besimtarësh mblodhëm të holla dhe e sollëm këtu ku janë varret e othodoksëve.  Ishte një varr i thjeshtë, siç janë shumica e varreve në Amerikë. Kur u afrova te varri, m’u duk sikur zbulova një të panjohur. U përkula dhe vendosa një tufë lule. M’u duk sikur ajo tufë lulesh, ishte në emer të gjithë sinicarëve. Te pllaka e varrit, ishte vendioisur muaji dhe viti i vdekjes (prill 1922) ndërsa ai i lindjes , jo. Por, vitin e lindjes na i jep Noli te libri kushtuar 50 vjetorit të kishës Orthodokse Shqiptare në Amerikë dhe është 1872. Noli përmend edhe fshatin e tij të lindjes, Sinicë. Bëra disa foto edhe me shoqëruesit e mi dhe pastaj ia lashë fjalën Luit, për të më thënë diçka për At Pandon.

Tre dollarë që lidhën një miqësi

-Familja ime ka një histori të largët që lidhet me At Pando Sinicën, nis të tregojë Lui Pero. Babai im kishte ardhur në Uster nga Shqipëria në moshën 16 vjeçare. Ishte pa përkrahje si shumë emigrantë  të tjerë. Duke shkuar në kishën e Usterit ku shërbente At Pandua, ishte njohur me ‘të. Një ditë At Pandua i thotë:-A vjen me mua në një qytet tjetër, se kam për të mbajtur një meshë?-Mirë , i përgjigjet  babai. Shkuan në qytetin përkatës dhe pas meshës, At Pandua i jep babait tre dollarë, që në atë kohë nuk ishin pak. Babaj u gëzua dhe e falenderoi. Miqësia e tyre vazhdoi deri sa At Pandua ndrroi jetë në vitin 1922.  Babai na thoshte shpesh se atij i vajti jeta mbarë në Amerikë, pas dhuratës prej tre dollarësh dhe bekimit që i bëri At Pandua. Filloi punë, krijoi familje, u bë me fëmijë, etj. At Pando Sinica si prift ka mbajtur gjallë shqiptarizmën dhe gjuhën shqipe. E kemi amanet nga babai që të kujdesemi për varrin e At Pando Sinicës e të vendosim lule. Unë dhe motra ime , Sherli, vijmë këtu dhe vendosim lule. Kaluam një ditë të ngjeshur e të ftohtë por unë ndihesha i kënaqur se kisha gjetur varrin e At Pandos dhe kisha marrë informacion më tepër për të.

Megjithatë, mendoj se ka vënd për të “gërmuar” përsëri për figurën e At Pando Sinicës. Shumë shqiptarë në emigracion, mernin si mbiemër emrin e fshatit ose të babait. Edhe At Pandua ka marrë si mbiemër atë të fshatit. Nuk dimë nëse ka shërbyer më parë si prift në ndonjë kishë tjetër, apo vetëm në Uster. Nuk dimë ka qënë i martuar apo jo, por të dhënat e deritanishme tregojnë se nuk ka patur fëmijë.

***

Vitin e kaluar, me rastin e 165 vjetorit të kishës së Shën Kollit në Sinicë,unë me ndihmën edhe të sinicarit Marijon Pano, përgatita disa dëshmi “Mirënjohje” për priftërinjtë që kishin shërbyer në këtë kishë, për disa besimtarë të përkushtuar si dhe për At Pando Sinicën e Peshkop Ilia Ketrin. Kur një ditë të ndërtohet muzeu i këtij fshati, emri i At Pando Sinicës, do të zerë aty një vend nderi .

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: Fuat Memelli, Kerkim, Pando Sinices, varri

Egjipti i lashtë nuk ”harron” kurrë të na habisë

March 5, 2015 by dgreca

ARKEOLOGJI – Zbulohet një varr 3 000-vjeçar me piktura me ngjyra në Luksor/
NJU JORK, 5 mars /– Egjipti i lashtë nuk ”harron” kurrë të na habisë.
Një varr 3000-vjeçar i mbushur me piktura me ngjyra u zbulua nga arkeologë amerikanë pranë Luksorit, në bregun perëndimor të Nilit, ja larg prej Luginës së Mbretërve.
Varri i përkiste një fisniku, Amenhotepit, i cili ruante Tempullin e Amunit, zoti më i fuqishëm në panteonin egjiptian.
Ministria egjiptiane e Antikitetit tha se varri daton në dinastinë XVIII të Mbretërisë së Re, më e famshmja e Egjiptit të lashtë, madje edhe e asaj të Tutankhamonit.

Filed Under: Histori Tagged With: 3000 vjecar, Egjipt, varri

“…VARRI I TIJË DY KONTINENTE…”

September 10, 2014 by dgreca

Nga Albert Z. Zholi/
Ishte ditë vjeshte, por dielli digjte si në gusht. Këmbët më cuan përpara një dyqani ëmbëlsirash. Në vitrinë më tërhoqi vëmendjen një portret i njohur, vendosur në një kornizë. E kisha për herë të parë nëpër faqet e librave të shkollës. Ashtu i lodhur sic isha, i pluhurosur e i leckosur , qëndroja para vitrinës dhe nuk ngopesha së pari. Ishte ajo fytyrë, ajo mjekër hijerëndë, ata sy fisnikë, ajo hundë si shqiponjë, ajo vështrim ëndërrimtar …Para meje ishte Ali Pasha …
-Ti qitas? ( cfarë shikon)- foli pronari i dyqanit, duke menduar se po lëpija, nga jashtë xhamit, ëmbëlsirat e tij.
-Pashanë e Janinës shikoj- iu përgjigja unë krenar e zëfortë, në ato dy fjalë të pashqitëshme…
Pronari më pa i cuditur, pastakj dic tha nëpër buzë e hyri brenda…” Këto i lexova tek një libër i pa botuar ende i Kzharkallit. Dhe brenda trurit nisën të lëviznin me jehonë, vjershat e këngët, historitë e gojëdhënat për Ali Pashë Tepelenën e Janinës… Që edhe pse kish vdekur më 5 shkurtin e 1822-shit po jetonte në dy jetë : Jetën e luftës e jetën e këngës… Dhe jeta e dytë e këngës, ishte më e madhërishmja, më e pavdekshmja. Por e vecanta e këtijë njeriu me dy jetë është se ai i kishte të gjitha nga dy: Dy gjuhë, dy vende, dy fe, dy pashallëqe, dy gra, dy djem, dy varre…
Kjo e vecantë për të gjithë njerëzit që kanë bërë histori , është përjetuar edhe në këngë
“… Ali Pasha me dy varre,
Në dy shtete, në dy qytete,
Varri I tij, dy kontinente …” Tepelena e lindi, Janina I mori kokën.
Të parën e shkeli këmbëzbathur, të dytën e bëri vetë …
“ Janinë, Janinë e shkretë,
Të pacë ndërtuar vetë,
S’të gëzova as unë as djemtë…”
Të rëntë zjarri të djegtë…”
Hija e tijë është e kudoshtrirë, sa gjithkush, duhet t’I hedhë me kujdes hapat, për të mos e shkelur…
Por ai është e njëherësh fshihet e bëhet I padukëshëm. Dhe në momente kur po populli ka ethe e zjarrëllëk shpirti e kërkon që të shfaqet me dy jetët njëherësh:
“…Ku je Ali Pashë ku je?
Mblidhi trimat ku i ke?!…

Filed Under: ESSE Tagged With: Albert Z. Zholi, dy kontinente, varri

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT