PRISHTINË, 6 Nëntor 2015/ Qeveria e Republikës së Kosovës e dënon ashpër sulmin ndaj ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, të kryer të premten nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Veprimet e tilla të dhunshme, rrezikojnë shëndetin dhe dinjitetin e përfaqësuesve të institucioneve legjitime të Kosovës dhe kanë për synim të frenojnë progresin dhe proceset integruese evropiane të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e dërguar.
Theksohet se, “ky akt i ulët, i kryer në ditët kur Republika e Kosovës, pas nënshkrimit të MSA-së është në prag të anëtarësimit në UNESCO dhe pret liberalizimin e vizave, dëshmon përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të penguar dhe pamundësuar realizimin e interesave madhore të Kosovës, duke përfshirë edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së”.
Qeveria e Republikës së Kosovës, i bën thirrje përfaqësuesve të tjerë opozitarë që të distancohen dhe të mos bëhen pjesë e kësaj agjende antishtetërore, dhe që së bashku me të gjithë qytetarët e Kosovës, të jenë pjesë e angazhimeve për zhvillim ekonomik, sundim të rendit dhe ligjit, integrim në struktura euroatlantike dhe fuqizim të subjektivitetit ndërkombëtar, në partneritet të përhershëm me SHBA-të dhe vendet e BE-së.
“Qeveria e Kosovës, po ashtu, fton organet kompetente që të marrin masa në parandalimin dhe ndjekjen e kryerësve të akteve të tilla të dhunshme dhe të ulëta”, përfundon deklarata.
“Vezë edhe për Hajredin Kuçin”, thekson Lëvizja Vetëvendosje në njoftimin e saj duke shtuar se “është ministër në një qeveri që po na e sjell ‘Zajednicën’ dhe po i fal territoret”./b.j/