Lundrim drejt portit Woodrow Wilson. Pse? Pak shqiptarë e dinë se dikur në vitet 30’, porti i Shëngjinit mbante emrin e Presidentit Woodrow Wilson./
Nga Shefqet Kërcelli*/
Këtë e saktëson një kronikë e gazetës “Dielli”e shtatorit 1930. Sic shkruan editori i kësaj gazete, zoti Dalip Greca, kjo ka ndodhur në kohën e Mbretërisë shqiptare. Është e natyrshme që emri i presidentit amerikan Wilson ishte bërë shumë i dashur për Kombin shqiptar. Shqiptarët e kanë cilësuar presidentin amerikan Woodrow Wilson si shpëtuesin e pavarësisë së Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris. Merita për këtë i takon Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”. Vendimtar për ndërhyrjen e Vatrës ishte Komiteti i Miqve të Shqipërisë, në mënyrë të vecantë kontributi i drejtëpërdrejtë i Fan S. Nolit. Imzot Noli e takoi presidentin amerikan gjatë kremtimeve të festës së 4 korrikut 1918. Me kredencialet e Vatrës, Noli ishte pjesë e peligrinazhit historik që presidenti Wilson organizoi me 4 korrik 1918 në Mount Vernon, vendvarrimi i Presidentit të Parë të Amerikës, George Washington. Në peligrinazh merrnin pjesë përfaqësues të kombeve të ndryshme në SHBA. Këtu “Vatra” dërgoi Nolin, kryetarin e saj, për të përfaqësuar Shqipërinë. Duket se Noli ja doli që t’i përcillte presidentit Wilson mesazhin lutës për shpëtimin e Shqipërisë. Raporti i tij menjëherë pas takimit ju dha shpresë vatranëve dhe të gjithë shqiptarëve. Noli kumtoi menjëherë pas takimit, “Udhëtimi im këtu triumfoi. Fola dy herë me Presidentin Wilson, i cili më dha shpresa të mëdha për pavarësinë e Shqipërisë. Dua të sqaroj për lexuesit, se shqiptaro-amerikanët për këtë event të rëndësishëm nëpërmjet “Vatrës” dhuruan plot 150 mijë $, që me kursin e sotëm bëjnë plot 2 milion e 700 mijë $. E pra, deri këtu arrinte atdhedashuria e këtyre njerzve?! Në respekt të kësaj mbreti Zog dhe parlamenti i kohës, në shtator 1930 e emërtoi portin e Shëngjinit me emrin kuptimplotë, Porti “Woodrow Wilson”. Nuk di me cilin dekret qeveria komuniste e hoqi këtë emër, ndërkohë që historiografia e saj nuk e mohonte kontributin e Presidentit Wilson në Konferenëcën e Paqes në Paris në vitin 1920 dhe 14 pikat e famëshme të tij për popujt e robëruar. Një cështje thelbësore që duhet rishikuar sot nën dritën e së vërtetës për të vendosur pikat mbi “I”. Për anologji, theksojmë se ky është një koridor i rëndësishëm që mbas 70 vjetësh ndikoi në pavarësinë e Kosovës. Por dhe për ata analistë, menaxherë, pushtetarë, politikuej, patriotë e stërpatriotë që gjatë këtyre viteve e kanë emërtuar këtë port me gjithfarë emrash e interesash, duke anashkaluar këtë fakt të rëndësishëm…Ndaj mos shtriqemi thjesht në rërën e plazheve të kësaj zone e të rrekemi të gjejmë emra të tjerë, kur atë e kanë vendosur shqiptaro-amerikanët e viteve 30’, ajka e kombit shqiptar, një brez i papërsëritshëm i shqiptarëve.
Me “Lissusin” drejt Wilsonit shqiptar
Anija “Lissus” e mori këtë emër kuptimplotë pak ditë mbas 100 vjetorit të pavarësisë, pikërisht më 3 dhjetor 2012, kur u lëshua në thellësitë e Pashalimanit për të vazhduar qetësisht lundrimin drejt Adriatikut verior. Nga ajo ditë dhjetori “Lissusi” ka bërë me mijëra milje lundrim e patrullim në ujërat tona territoriale, duke kryer disa operacione kërkim-shpëtimi, ku mund të vecojmë atë për shëptimin e ekuipazhit të peshkatores “Katherina” në mars të vitit 2014, po ashtu dhe atë për shpëtimin e tragetit “Norman Atlantic” në dhjetor 2014. Detarët e shpëtuar nga këto fatkeqësi e kanë fiksuar në memorjen e tyre anijen “Lissus” si gjënë më të shtrenjtë. Për mbi dy dekada më ka qëlluar të lundroj me shumicën e anijeve të Forcës Detare. Natyrisht cdo anije vec karakteristikave të ndryshme teknike të dhuron profile të ndryshme detarësh, kurse dhe itinerare të tjera lundrimi, kordinata të panjohura, pamje, bukuri dhe relieve që të duken sikur i shikon për herë të parë. Kështu atë mëngjes të qetë gushti, mbasi përshkoj qetësisht hyrjen e portit të Durrësit, përshëndes policët e sigurisë të APD, vincierët, dokerët që mblidhen rreth Spiros, më të vjetrit dhe pjesëtarë të ekuipazheve të anijeve të bregëzuara nga moli “5” deri tek moli “0”, ku anije të Rojes Bregdetare qëndrojnë të gatshme për cdo emergjencë detare. Me kënaqësi i bëj nga një foto. Me ecën dita mbarë sa herë me “Cannonin” tim fokusoj këta njerëz. Hej! them me vete, janë këta njerëz që gdhijnë natën për të mbajtur gjallë transportin detar të vendit. Po sa të vlerësuar janë ata?! Gjithsesi unë kënaqem me faktin që shkruaj dy rreshta për këta njerëz të thjeshtë e punëtorë, që hapin trajstat e bukës dhe me plot gojë të thonë,-bujrum! Ec ta ndajmë një kafshatë bashkë! Këta njerëz me bujarinë dhe sinqeritetin e tyre, të japin zemër për të shkruar. Mbasi përshkoj molet e anijeve të pastrimit detar, antikontrabandës dhe policisë kufitare më shfaqet hijerëndë silueta e anijes “Lissus”. Bri tyre zhytësat e Sigurisë Portuale kishin bërë gati pajisjet dhe presin detyrën e ditës. Pamvarësisht qendrave të tyre të banimit, gjetjeve të rastësishme sa në Durrës, Tiranë apo rrethina, ekuipazhi i anijes “Lissus” kishte mbrritur thuajse që në muzg. Janë të përgjegjshëm për detyrën dhe zanatin këta marinarë. Kapiteni i anijes, Silvan Boni ka fjetur në anije. Ai e ka shtëpinë në Tiranë, kështu që udhëtoi një nate më parë. Pamvarësisht me origjinën e tyre beratase, familja Boni e do detin, duke i dhënë madje dy detarë. Më parë Aristoteli, vëllai i madh, drejtoi disa anije të Flotës Luftarake dhe më pas si kapiten në Flotën tregëtare lundroi dhe në oqeane. Silvani është një kapiten i zoti, modest në detyrën e tij, i apasionuar pas librave,vecanërisht atyre historiko-gjeografikë. Ai renditet në kapitenët e kompletuar për drejtimin e anijeve të klasit “Iliria”. Ndërsa në horizont shfaqen tragetet e parë që zgjojnë portin e Durrësit, komandant Silvani, jep Komandën:-ekuipazhi, nëpër vende për lundrim! Thuajse me sy mbyllur, pjesëtarët e anijes zunë vendet dhe zbatonin komandën e radhës. Brenda pak minutash Sokoli me Eltonin ngritën flamurin e anijes dhe hoqën cimat, ndërsa motoristët Fred Mara dhe Artan Kojtari që më parë i kishin ndezur motorët e fuqishëm “Caterpillar”. Anija u shkëput lehtësisht nga moli dhe rrëshqiti drejt kanalit hyrës të portit të Durrësit. Tashmë pamja e portit të Durrësit meriton vëmendje nga cdo fotograf me ndryshimet e bëra, pasi është përmirësuar infrastruktura dhe porti i peshkimit e ka zgjeruar sipërfaqen e tij. Në kursin e caktuar lemë kanalin, fenerët jeshil e të kuq, dhe marrim kursin për veri. Të përqëndruar në detyrat e tyre funksionale, djemve të “Lissusit” më tepër i tërheqin vemëndjen anijet e ndryshme që lundrojnë në ujërat tona, sepse relievin tonë bregdetar ata e dinë me sy mbyllur. Ata janë një ekuipazh me moshë mesatare relativisht të re, por me plot vite pune e dallgë deti në shpinë. Ndërsa në horizont shfaqeshin tragetet e linjës Durrës-Bari, në kanal filluan të hyjnë peshkatoret e para. Në radë ishin tre anije tregtare që me sa dukej prisnin radhën për tu përpunuar në port. Oficerët e rinj Myfiti dhe Fationi janë përqëndruar në harta dhe radarë, ndërsa inxhinjer Brikel Topi kontrollon në kompjuter punën e motorave. Me këtë ekuipazh nga Ura e Komandimit, Kapiten Silvani është i sigurt se lundrimi do shkojë i qetë, që e favorizojnë dhe kushtet atmosferike të kësaj dite. Të lundrosh nga gjiri i Durrësit deri në gjirin e Drinit në një gjatësi të vijës bregdtare 55.3 milje do hasësh më tepër dy trajta relievi, kryesisht kodra dhe ultësira. Nga Durrësi deri në rajonin e Porto-Romanos, vargu i kodrave të Durrësit është i valëzuar, me qafa të thella dhe maja konike, me lartësi max.186 m. Fundi i detit në largësinë 1 milje nga vija bregdetare është lym, kurse në afërsi të bregut shtrihen shkëmbinj të nënujshëm gurorëe në cekinat 1-2 kab. gjë që bën të rrezikshëm afrimin e anijeve në këtë rajon. Kalojmë tarversë portin e ri të Romanos, kepin e Palit, Gjirin e Lalzit dhe kepin e Rodonit.. Nga anija shquhen lehtësisht dhe pushuesit e shumtë që kanë pushtuar plazhet e kësaj vije bregdetare. Sapo futemi në gjirin e Drinit, një nga gjiret më të mëdha të Adriatikut Juglindor hasim të parën anije, të cilën djemtë e “Lissusit” e verifikuan, nga vinte, porti i regjistrimit, leja, e procedurat përkatëse ligjore. Ishte një jaht slloven i cili mbas qëndrimit në portin e Durrësit po i drejtohej brigjeve dalmate. Ndërkohë që Komandant Silvani merr detyrën për të dalë në derdhje të Bunës na duhen dhe 16 milje për të shkuar atje. Por detarët e anijes janë të qetë ashtu si valët e detit. Motorët “Caterpillar”punojnë sipas parametrave dhe aparaturat e drejtimit të anijes gjithashtu. Ata kanë erdhur nga shtëpia dhe janë të freskët në kryerjen e cdo detyre. Madje mbas cdo raportimi apo situate bëjnë dhe shaka. Motoristët Fredi dhe Tan kanë vite që shërbejnë në anije të ndryshme të Flotës duke krijuar një përvojë dhe eksperiencë brilante si motoristë. Madje Fredi, më i vjetri i ekuipazhit, e ka filluar karierën e ushtarakut si teknik aviacioni dhe në vitin 1997 ju bashkua radhëve të Forcës Detare. Në këto18 vite ka shërbyer si motorist e k/motorist në anije të ndryshme që nga Minaheqësja e Madhe e deri tek motovedetat e prodhimit italian e amerikan. Është e vështirë që këta njerëz të detit të flasin për hallet e tyre, por me sa pashë një merak e kishin, kohëqëndrimin në gradë, sepse ata janë thjesht specialistë të motorave, këtu mund të tregojnë aftësitë e gjenialitetin e tyre. Ata janë modestë në kërkesat e tyre, duan thjesht përmirësim e kushteve në anije. Ndërsa era filloi të ngrihej, nga kuverta e anijes sodismin brigjet e Gjirit të Drinit, të cilat janë përthyer në vite nga grykderdhja e lumenjve Mat dhe Drin, duke krijuar dhe këneta detare të cekta në lindje të gjirit. Zanati i detarit, mosha, patrullimet e vazhdueshme në këtë sezon veror, hallet familjare ishin copëza bisedash që shoqëronin lundrimin tonë. Kështu nuk e ndjemë kohën dhe në horizont u shfaq mali i Rencit, shpatet jugore të së cilit zbresin pjerët në det në perëndim të Shëngjinit. Tutje vargmalit të Rencit për në thellësi të bregdetit fillon ultësira e grykës së lumit Buna, e cila vjen në trajtë të një trekëndëshi me bazë shumë të gjerë dhe me kulm në rrjedhjen e Bunës, ku ndërpritet vargu i kodrave nga ky lumë. Kjo ultësirë vazhdon dhe në krahun e djathtë të bregdetit malazez, 5.1 milje në VP të grykës së Bunës, Kepi Gjeran. Kapiteni e drejtoi anijen “Lissus” për në kordinatat e caktuara të grykëderdhjes së këtij lumi, brenda ujërave tona territoriale. Përsëri nuk hasëm asnjë anije, si me radar e vrojtim optiko-pamor. Anija ndroi kurs dhe mori drejtimin e Shëngjinit. Vetëm pak milje më tutje shfaqen dy objekte të bardha, të cilave i afrohemi ngadalë dhe shohim emrat në bordet e tyre. Ishin dy anije peshkimi me emrin “Rozafa”, të bukura, të mbajtura mirë që gjuanin qetësisht në ujërat e lejuara. Kapiten Silvani e afron anijen dhe informohet nga kapitenët e “Rozafës” për kordinatat, portin e regjistrimit, numurin e identifikimit, sinjalin e thirjes, autorizimin për aktivitetin, numurin e ekuipazhit dhe gjendjen e anijes. Pasi u sigurua se cdo gjë në anije ishte korrekt me ligjin, “Lissusi” vazhdoi kursin e caktuar. Nga Buna deri në Shëngjin bregdeti shtrihet me një gjatësi 10.8 milje në drejtimin VP-P. Prej kepit të Shëngjinit deri në largësinë 3.2 milje në VP të tij, bregdeti është malor, me pjerrësi shumë të madhe. Lartësia e kësaj pjese të bregdetit këtu arrin deri në 510 m, pikërisht atje ku vargmali fillon ti largohet vijës bregdetare me drejtim për në VP. Thellësitë e rajonit Bunë-Shëngjin janë të mëdha, sidomos atje ku bregdeti është i lartë. Në rajonin malor barasthellësia 5 m e kalon 1 kabel larg vijës bregdetare. Dhe barasthellësitë 10 e 20 m këtu puqen me atë 5 m. Atje ku bregdeti është ultësirë barasthellësitë i largohen vijës bregdetare dhe arrijnë largësinë 2-4 kab. Rreziqe të nënujëshme nuk ka. Trualli i detit është lym, ndërsa rrëzës së bregut është rërë. Natyrisht cdokush që kalon atje do shohë me kureshtje “Rërën e hedhur”, pasi duket si një plazh i krijuar nga dora e dikujt, që ka hedhur rërë, por atë në fakt e ka krijuar nëna natyrë me kapriciot e saj. Më tepër këtë zonë e njihnin detarët me uniformë pasi cdo vit sipas programit zhvillonin qitje bregdetare me artilerinë e anijeve. Është një poligon i përsosur për këto lloj qitje. Por tashmë ishpoligoni natyror ja ka lënë vendin plazheve private dhe hoteleve lluksoze. Nga larg pamë vargun e makinave që rrëze kodrave nuk rreshtnin në dy krahët, që fliste për një frekuentim të mirë të këtyre plazheve të virgjëra. Ndërkohë të ndihmuar dhe nga era VP e përshkuam lehtësisht distancën prej afro 10 milje dhe u futëm në gjirin e Shëngjinit. Ky gji ndodhet ndërmjet grykës së lumit Drin dhe kepit të Shëngjinit, 3.2 milje në veri të derdhjes së këtij lumi. Bregu lindor i gjirit të Shëngjinit, është i ulët dhe më tepër kënetor. Në verë era mbizotëruese është ajo me drejtim Veriperëndim, që fillon nga ora 9-10 dhe zgjat deri në orën 22.00, kur fillon të fryjë era e Lindje–Verilindjes. Porti i Shëngjinit me kordinata, gjerësi 41o49’V, gjatësi 19o35’4 L, ndodhet brenda këtij gjiri të vogël, që futet në pjesën VL të Gjirit të Drinit, ndërmjet kepit të Shëngjinit nga Perëndimi dhe bregdetit në Verilindje. Hyrja për në port ngushtohet nga cekina që vazhdon nga Kepi i Shëngjinit për në lindje. Për hyrjen dhe daljen e anijeve në portin e Shëngjinit vite më parë është hapur kanali detar i këtij porti me përmasa 600 m-gjatësi, 60-80 m gjërësi dhe thellësi nga 7.0 m deri në 8.5 m, i cili tashmë mbrohet nga dy valëpritës, ai perëndimor dhe lindor, të ndërtuar pesë vitet e fundit. Kështu duke soditur natyrën e gjirit e plazhet e pushtura nga pushuesit i drejtohemi kanalit hyrës të rrethuar nga dallgëthyesit. Sinjalistika detare këtu është në rregull pasi djemtë tanë të hidrografisë i qëndrojnë gati këtyre pajisjeve. Ishte mesditë. Pamja që të afrohet është mbresëlënëse. Nga moli kryesor i portit, ngjitur është bregëzuar flotilja e peshkatoreve dhe pak metra më tutje baza detare e Shëngjini dhe kapiteneria e portit. Është një nga portet e vecanta në Adriatik e Mesdhe, ku në basenin e tij vendosen kaq afër anijet tregëtare, peshkatore dhe luftarake, një trekëndësh harmonik detar, me brinjë e madhësi të disa jardëve, ku detarët komunikojnë lehtësisht nga bordet e anijeve, madje mund të ndrrojnë cigare. Por ndërkohë djemtë e “Lissusit” me kujdes po e bregëzojnë anijen në një nga molet-tunele të bazës dhe unë po shihja veprimet e tyre tepër korrekte në kësi rastesh. Distancat ishin të vogla dhe cdo gabim të kushtonte përplasje me Minaheqësen ose betonin. Dy nënoficerë të bazës, Sokol Pjetrushi dhe Edmond Hysa shtrënguan me shpejtësi cimat e anijes me kapjunat e Minaheqëses. Mbasi siguruan anijen djemtë e “Lissusit”, ju drejtuan guzhinës për të ngrënë drekën dhe mëngjesin bashkë. U bashkova dhe unë me ta, bukë, djathë, krypë, domate e zemër të hapur. Një vakt i varfër për këta marinarë mbas atij lundrimi të gjatë. U përpoqëm të pushonim pak, na prisnin mjaft punë e detyra. Së pari mu desh të shtoja dicka për Historinë e Limanit dhe qytetit të Shëngjinit, krijimi i të cilëve ka kushtëzuar njëri-tjetrin. një studim me titull, “Roli i Shëngjinit në transportin detar të trevës Lezhë, Shkodër dhe Ulqin e më gjerë”, frut i kërkimeve të mia disavjecare.
Limani dhe porti i Shëngjinit është qytet port në bregdetin e Adriatikut, me një pozitë të favorëshme gjeografike e shumëllojshmëri të relievit, natyrës dhe klimës. Në një distancë të afërt me qytetin antik të Lezhës, {5 milje} dhe rreth 10 milje në juglindje të grykëderdhjes së Bunës, ky liman ka luajtur rol të rëndësishëm në trafikun detar të Adriatikut Verior, por dhe ngjarjet historike të Lezhës, Shkodrës, Ulqinit deri në bregdetin dalmat. Duke pasur formën e një gjysmë rrethi kontinental, limani u siguron mbrojtje perfekte anijeve nga kushtet e motit dhe një përpunim të sigurtë këtyre. Në këtë vend dhe në afërsi të vijës bregdetare gjatë mijëvjecarit të I-rë p.e.s jetonte fisi ilir i Ardianëve, të cilët merreshin kryesisht me peshkim, lundrim dhe blegtori. Gjiri i limanit i shërbente anijeve ilire si strehë e sigurtë nga stuhitë dhe piratët, njëkohësisht u siguronte pozicion të mirë për sulm nga cdo rrezik. Në vitin 385 p.e.s. dhe këtu si në disa pjesë të bregdetit u themelua koloni helene nën sundimin e Dionisit, tiranit të Sirakuzës. Kolonistët helenë e emërtuan Shëngjinin Nimfeion, dhe për herë të parë në burimet e shkruara del si Nymphaeum, që do të thotë, nimfë-nuse, ose vendi i zanave. Ky emërtim vazhdoi deri në periudhën e pushtimit romak. Emri i Shëngjinit në cdo etapë është një cilësim i huaj, fillimisht Helen dhe më pas i riti katolik. Në veprën e tij “Lufta civile”, perandori i famshëm Jul Cezari thotë se “disa nga anijet tona të kryesuara nga Mark Antoni, vazhduan lundrimin deri në limanin Nymphaem, 300 hapa larg Lissit”. Vendbanimi i lashtë me emrin Nimfeum është ngritur afërsisht në në të njëjtën kohë me Lissusin, Lezhën e sotme. Në Historinë e Popullit Shqiptar, {HPSH},Vëll. I-rë, f.76, thuhet,..Qendrat e para urbane në këto anë, Lisi, Skodra, Meteoni, Ulqini, Rizoni, etj. lindën vetëm në fundin e shek. IV-të-fillimi I shek.III-të p.e.s. Ndërkohë në periudhën e luftrave iliro-romake, limani mori një rol të vecantë, sepse kufiri jugor i lundrimit të anijeve ilire të Gentit dhe Teutës ishte rajoni i Shëngjinit. Po tek HPSH, Vëll. I-rë, f.117 thuhet, “Kushtet e paqes midis Romës e Teutës në vitin 228 p.e.s. sipas Polibit ishin, 1-Teuta detyrohej tu paguante romakëve një tribut. 2-të hiqte dorë nga pjesa më e madhe e Ilirisë duke mbajtur për vete vetëm pak vende dhe 3-të mos lundronte në jug të Lisit me më shumë se dy anije, por këto të paarmatosura”. Gjithashtu roli i Shëngjinit në trafikun detar dhe ekonominë e këtyre trevave lidhet me faktin se këta të huaj që u vendosën në këtë zonë shtuan shkëmbimin me fiset ilire e krahinat e tjera si Shkodër, Ulqin e së bashku me Lezhën u bë stacion i rrugëve tregtare dhe lidhjeve me zonat e brendshme. Kjo duket dhe në prerjen e monedhave nga Lissi në shek. III-të p.e.s. Ky rol vazhdoi dhe gjatë periudhës së pushtimit romak. Më pas kjo trevë ka rol dhe në përqafimin e fesë së krishterë, psh në f.201, të HPSH-1, thuhet,“Hershmërine e krishterimit shqiptar e provojne gjithashtu një sërë emras vendesh që u referohen martirëve të lindjes, kulti i të cilëve ka qenë i përhapur në shek.IV-VI. Në këtë kohë në toponamistikën e vendit futen mjaft emra të krishterë dhe emri Shengjin”. Nga shek. VII-XII-të, në veprimtarinë ekonomike e tregtare të Lissit, pati një ngadalësim, pasojë e ngjarjeve historike që u reflektua më shumë në shek. IX-X-të. Në shpatin e malit të Rencit, 250 m në perëndim të Balldrenit janë gjetur 12 copë monedha të prera në Liss, që i përkasin kësaj periudhe. Më pas në Shëngjin u rrit ndikimi i Venedikut, psh. në një dokument të vitit 1213 thuhet se, tregëtarë venecianë përshkonin me karvanë rrugët që lidhnin portet e Durrësit, Vlorës, Shëngjinit, etj. në viset e brendshme duke cuar e duke tërhequr mallra prej andej. Në mesjetë,{shekulli i XV-të} limani u emërtua Medua {Portus Medue} dhe administrativisht lidhej me Lezhën, ku bashkë me zonën bregdetare kishte 9 fshatra me 70 deri 100 familje. Në vitin 1318 Pjetër Viskonti, e përmend Shëngjinin me emrin Medua dhe thekson se ky liman njihej nga tregtarët e pellgut të Adriatikut. Në një dokument të vitit 1336 rekomandohej një anije raguziane, të mos futej në grykën e Drinit për në Lezhë, nqs kishte det të forte, por të vazhdonte lundrimin deri në gjirin e Medës, pasi ky ishte i mbrojtur nga stuhitë. Në vitin 1392 dhe Lissi ju dorëzua Republikës së Venedikut nga Progon Dukagjini. Në vitin 1367, Balshajt ishin në gjendje të kontrollonin lëvizjet tregëtare për në Adriatik. Në duart e tyre ndodheshin rrugët tregtare që zgjateshin prej bregdetit drejt viseve të brendshme. Më e rëndësishmja prej tyre ishte rruga që fillonte në pikën doganore të Dejës, ku bashkoheshin rrugët që vinin nga portet e Shëngjinit, të Ulqinit e të Tivarit, dhe vazhdonte nëpër luginën e Drinit për të arritur në rrafshin e Dukagjinit, nga ku degëzohej në qendër banimet kryesore të Kosovës…Në shek.XV-të, krahas përdorimit të emrit Medua, filloi të përdorej një emër i ri, San Giovani Di Medua, {Shën Gjini, Gjoni} i Medës. Kjo shtesë ka kuptim fetar, pasojë e ndikimit të botës kristiane. Ndërkohë Shëngjini nuk ngeli larg interesimit të Kastriotëve, të cilat, ishin shtrirë dhe në rajonin verior të bregdetit shqiptar. Që në fillim të shek.XV-të, krahas qendrës tregtare e doganore të Shufadasë, Gjon Kastrioti zotëroi bregdetin në Shëngjin, si dhe shtëpi në Ulqin. Në vitin 1410, Gjon Kastrioti arriti të siguronte banesë në Ulqin, por nuk u pranuan prej Venedikut kërkesat e tij të vitit 1417 për ti dhënë fshatit Barbullush dhe malin Medua{Shëngjinin}, ku dëshëronte të ngrinte një kështjellë. Më pas arriti ta merrte Shëngjinin. Në vitin 1478 Shëngjini ra në duart e osmanëve. Pamvarësisht se Shëngjini ju nënshtrua pushtimeve, flukseve e kulturave të ndryshme, ai vazhdoi të jetë sfidues në realizimin e lidhjeve ndërmjet Shkodrës, Ulqinit dhe Lezhës. Gradualisht u rrit më tej përpunimi i anijeve në Shëngjin dhe ndikimi i këtij limani në zhvillimet e Shkodrës, Ulqinit dhe Lezhës. Në etapën e fundit të mesjetës konsiderohej si “Porta kryesore e Dalmacisë dhe realizohej një eksport i madh i produkteve bujqësore”. Në vitin 1591, një udhëtar i huaj shkruan se “gjeti në këtë liman vetëm një barkë malazeze dhe dy zotërinj, Dede Surbin dhe Nikolla Grasan”. Me përmbytjen e Lezhës nga lumi Drin, dolën një sërë pengesa në zhvillimin e tregëtisë, po ashtu zhvillimi i ngadaltë i ngjarjeve mbas pushtimit osman, e bënë Shëngjinin një liman të përshtatshëm për anije të mëdha, shkruan hartografi Italian, Perest Coronelli. Kjo dhe për shkak të përdorimit të limanit të Kënallës, {tashmë lagunë}, sepse është shkëputur nga deti nga mbushjet me rërë. Në vitin 1688, emri Shëngjin vendoset dhe në hartat detare. Pamvarësisht nga pushtimi osman, përsëri shohim ndikimin venedikas në këtë liman, kështu në vitin 1720, Konsulli venecian Anton Duoda njoftonte, “askush nuk guxon të shkojë më në Berberi, {Tripoli}, se u shpall urdhëri që në brigjet e Tivarit, Valdanosit e Shëngjinit të Medues si dhe në grykën e Bunës, askush të mos guxojë të trazojë shtetasit venedikas, sepse i shkon koka…Ndërkaq tregu i brendshëm vazhdonte të ishte i ndarë në disa pjesë ndërkrahinore, si tregu i Shkodrës, Ulqinit, Tivarit, Lezhës, Obotit, ky asnjëri nuk gëzonte peshën specifike në raport me të tjerët. Rol parësor kishte Shkodra e lidhur ngushtë me Ulqinin, me një popullsi respektive, 40 mijë e 8 mijë banorë. Të dyja plotësonin njëra-tjetrën, pamvarësisht avantazheve dhe mangësive respektive. Gjithsesi përballë konkurrencës së tregëtisë evropiane fillojnë organizimet e ndërmarrjeve dhe shoqërive tregëtare. Kështu Lezha në gjysmën e dytë të shek.XIX, {viti 1830-1840}, kishte 110 dyqane. Kjo dhe për shkak të lidhjeve natyrore, lumi Buna me detin Adriatik e më gjere Shëngjin, Lezhë, Shkodër, me lidhje të dyfishta, tokësore e detaro-lumore, ku më e rëndësishme ishte Shkodra. Kjo qëndër e rëndësishme ekonomike e vendosur në mesin e një fushe, kishte në vartësi dhe tre skela të tjera të vogla si, Tivarin, Ulqinin dhe Shëngjinin. Mallrat ishin të ndryshme, psh. kripa, blihej në sasira të mëdha në kriporet e Kavajës, Vlorës e Santa Maura, dhe më pas transportohej me barka ulqinake në molet e Ulqinit, Tivarit e Shëngjinit, nga këtej me mjete të ndryshme e karvane në viset e tjera të Vilajetit të Shkodrës. Ndërkohë malësitë e rrethit të Lezhës e Mirditës, të mbuluara me pyje të dendura kishin sasi të mëdha druri ngjyrosës,{Skotane}, i cili eksportohej me anije franceze për në Marsejë e Ryan, nga moli i Shëngjinit, shkruan udhëtari Hecquard. Të tre molet, Ulqin, Tivar dhe Shëngjin kishin lidhje me portet mesdhetare gjatë shek.XIX-të. Natyrisht rol kryesor kishte limani i Ulqinit. Kështu në vitin 1818, Ulqini kishte 300 barka dhe 400 mjete lundruese, Shëngjini kishte shumë pak. Qendra kryesore ku strehohej kjo flotë ishte Valdanozi,{gjiri në veri të Ulqinit}, Porto Milena, Oboti, Shëngjini, etj. Shëngjini mori rëndësi kur në vitin 1858, pas përmbytjeve të mëdha, dega e lumit Drin u kthye në drejtim të Shkodrës. Në Shëngjin bregëzoheshin anije të mëdha ulqinake, austriake, greke, italiane, të cilat ngarkonin për në Tripoli, Tunizi, Aleksandri, portet italiane, etj. Kështu më 19 korrik 1855, në portin e Shëngjinit kishte 4 anije franceze që ngarkonin për në Marsejë. Deri para vitit 1878, porti i Shëngjinit kishte rol dytësor, por pas vendimeve famëkeqe të Kongresit të Berlinit më 1878, kur Tivari dhe Ulqini ju dhanë Malit të Zi, qendra e gravitetit kalon në Shëngjin dhe Durrës. Tregëtarët shkodranë u detyruan që krahas Obotit të përdornin dhe Shëngjinin, me 8-9 shtëpi. Ata ndërtuan pranë kësaj skele magazina dhe shtëpi të vogla përdhese, pra, një infrastrukturë minimale që mungonte. Gjithashtu në vitin 1879 skelën e Shëngjinit filluan ta preknin anijet e shoqërisë “Llojd” dhe të shoqërisë italiane “Pulja”. Roli i kësaj skele filloi të rritej. Ambasadori Francez Hekart thotë se 6 milje larg Lezhës arrihet në Shëngjin, një port i vogël që shërben si vendstrehim për anijet e Republikës së Venedikut. Praqitja e tij ishte e mirë, mund të merrte 30-40 anije për përpunim radhazi dhe mbrojtje nga erërat. Kjo skelë është kryeqendra e Lezhës dhe Mirditës dhe luan një rol të posacëm për eksport-importet e tyre. Në fillimet e shek. XX-të deri në fillimin e Luftës së I-rë Botërore u zvogëlua vëllimi i përpunimit të mallrave, pasi pësoi dëmë nga lufta. Porti i Shëngjinit e rimorri rolin e tij në vitet 1922 deri në vitin 1939. Në vitet 20’ në Shëngjin e ushtroi veprimtarinë e vet dhe shoqëria e peshkimit “Peshkaalba”, e cila veproi deri në vitin 1946. Në shtator të vitit 1930, nga mbreti Zog dhe parlamenti i kohës, porti i Shëngjinit u emerëtua “Porti Wilson”, në respekt të kontributit të vecantë të tij për mbrojtjen e Shqipërisë në Konferencën e Paqes, Paris 1920. Më 7 prill 1939 dhe këtu u organizua një rezistencë kundër trupave fashiste, të cilat më pas e përdoren si port ushtarak për nevojat e tyre. Në korrik të vitit 1944, pushtuesit nazistë e hodhën në erë portin. Porti i Shëngjinit në pjesën më të madhe të kohës ka shërbyer në transportin detar ndërkrahinor e me portet e huaja, herë pas here dhe për flotat ushtarake. Densiteti i zhvillimeve luftarake ka qenë relativisht i ulët në raport me qytetet e mëdha dhe për faktin se resurset ekonomike kanë qenë në brendësi të vendit. Kështu roli i tij ka qenë më pak tërheqës për pushtuesit e ndryshëm, për të përqëndruar forca e mjete për një kohë më të gjatë. Në më të shumtën e rasteve pothuajse nuk e ka ndërprerë asnjëherë aktivitetin duke ndikuar në zhvillimin e ngjarjeve të trevës Lezhë-Shkodër. Roli i limanit të Shëngjinit në këtë trevë lidhet me pozitën gjeografike dhe afërsinë me Ulqinin, Tivarin, Shkodrën dhe Lezhën. Në periudhat e sundimeve të huaja apo zhvillimeve luftarake dhe ky port ka pasur dëmtime dhe stanjacion, por gjithnjë ka mbijetuar. Zhvillimet më të mëdha i ka pasur mbas Kongresit të Berlinit dhe në ditët e sotme. Gjatë perudhës së diktaturës komuniste u kthye në një port të brendshëm dhe ndërpreu lidhjet me jashtë. Pra, porti i Shëngjinit shërbeu vetëm për anijet e transportit të brendshëm të mallrave. Ndërsa ndërmarja e peshkimit kishte një numur të madh anijesh peshkimi. Mbas vitit 1990 ky port mori funksionet e mëparëshme, duke u përmirësuar përpunimin e anijeve, infrastrukturëne pajisjet shkarkuese. Kështu në vitet e para porti i Shëngjinit realizoi 7% të eksport-importit të zonës Veriore, Verilindore dhe partnerët e huaj. Gjatë këtyre viteve janë bërë debate pa fund dhe janë shpalosur projekte të shumta zhvillimore për këtë port. I kam ndjekur me vëmendje këto debate herë politike, herë klienteliste, pa vizionin e së ardhmes, në më të shumtën e rasteve jo profesionale. Personalisht zhvillimin e Portit të Shëngjinit e shoh të integruar me tre portet e tjera të vendit, ku përparësi të ketë turizmi, peshkimi dhe transporti i pasagjerëve. Pamvarësisht pozicionit gjeografik më pëlqen një masterplan dhe pamje si Porti i Sarandës. Në përfundim theksoj se e gjithë kjo veprimtari e gjithanshme e transportit detar në portin e Shëngjinit ka formësuar një traditë të spikatur detarie në këtë trevë, duke krijuar breza të tërë detarësh që janë një nga pasuritë më të mëdha të Shëngjinit. Ndërkohë këtu janë frymëzuar shkrimëtarë dhe poetë duke na dhënë krijime të spikatura për detin. Psh. shkrimëtari i madh Dritëro Agolli në vitin 1961, në një festë me ekuipazhin e barkës “Bajram Curri” na ka dhënë poezinë më të bukur të titulluar “Varka në det”. {Antologji e Detarisë Shqiptare, vëll. I-rë, fq.417}.
Por në historinë moderne, Shëngjini trashëgoi dhe një pasuri tjetër, Bazën Ushtarako-Detare me një histori të lavdishme 46 vjecare…
Fillesat e bazës janë në mars të vitit 1962, kur disa metra në Veri të ishportit të vjetër, u vendos një bateri topash 85 m/m, me komandant Nebi Çelën, si e para mundësi për mbrojtjen e bregdetit shqiptar. Krahas baterisë ABD u vendos dhe një PSV, që bënte vëzhgimin e hapësirës detare, kujton veterani Fadil Dushku, (një detar i vjetër, mbi 40 vjet në det, banor i kësaj zone). Fadili me anijen “Erzeni”, krahas detyrës si anijeshenjë për baterinë Bregdetare, bënte patrullimin e rajonit detar nga Kepi i Rodonit në Bunë. Më pas i pari që bregëzoi KS në bankinën e thjeshtë të bazës Veriore, në prillin e 1969, ishte oficeri i ri tepelenas Astrit Muhaj, pastaj me rradhë Kastriot Bejko, Bilal Koçi, Met Karashabani, Ismet Bilali. Mbas ndërtimit të 2 moleve të rinj në v.1973 erdhën dhe 6 KS, duke formuar kështu 3 skuadrilje KS, me komandant Llesh Kiku, Skënder Dule dhe Hasan Onuzi. Detyra kryesore e ishbazës Shëngjin ishte ruajtja dhe mbrojtja e Gjirit të Drinit, në bashkëveprim me forcat e tjera gjitharmëshe, pa harruar zbatimin e detyrave të kohës së paqes, operacionet humanitare, etj. Në mars të vitit 1974, filloi aktivitetin BUD-i i Shëngjinit, i cili në krijimin e tij kishte këtë strukturë organizative:-RKS, GrAML, Grupin minavues, repartet speciale dhe ato logjistike. Bazë ishte Skuadrilja e dytë e KS me 6 KS tip kinez, me krah të nënujshëm të dislokuar në portin e Shëngjinit më datë 06.08.1969. Komandant i Bazës, u caktua Robert Bali, komisar Lutfi Gjika dhe Shef Shtabi Kristaq Çito. Komandant RKS, Aleko Dede dhe Komisar Bardhyl Shehu. Në grupin AML, u caktua Komandant Zisi Anastasi dhe komisar Skënder Dule, më parë Flamur Ganai. Duhet theksuar se në këtë bazë erdhën disa oficerë nga Durrësi e Vlora, të cilët kompletuan anijet dhe shtabet. RKS kishte tre KS të ardhura nga Durresi. Në v.1975 Gr.AML, u kompletua me 3 GJDV tip kinez dhe një katër kufiri. Grupi minavues kishte 6 anije peshkimi të modifikuara për marje minash. Komandant grupi ishte Hasan Onuzi. Baza është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit popullor me “Urdhërin e Shërbimit Ushtarak të Klasit të Parë”. Pjestar i bazës ishte dhe Fran Ivanaj “Hero i Popullit”, komandant i MP “Islam Mustafa” i cili nuk lejoi rrëmbimin e kësaj anije nga shovinistët Serbo-Malazez. Shokët e armës nuk e lanë vetëm. Dy KS i shkuan në ndihmë MP, por nuk arritën ta shpëtonin Franin, dhe nuk lejuan rrëmbimin e anijes. Gatishmëria e bazës ishte në atë nivel, aq sa sinjalisti roje i PSV-Shëngjinit që kryente detyrën dhe të kimistit roje, diktoi me aparaturat e zbulimit kimik renë radioaktive të shpërthimit të çentralit bërthamor të Çernobilit. Pra, ishte ky që diktoi e lajmëroi rrezikun e këtij rrezatimi, i pari në FA. Po ashtu radisti i një KS, kapi sinjalin e ndihmës që kërkonin alpinistët shqiptarë në malin e Korabit. Ata kërkonin ndihmë mbasi u rrezikohej jeta, anija komunikoi me MM, e cila dërgoi helikopterë, duke i shpëtuar jetën alpinistëve. Bashkë me Forcat e Xhenjos, efektivi detar i bazës me punë vetmohuese, nga viti 1972-1988, ndërtoi tunelet e bazës Shëngjin. Ai ka tre hyrje që komunikojnë me detin, të kompletuara me rrjetin elektrik. Në të mund të futej pothuajse gjithë formacioni i luftimit i bazës, konkretisht KS, silurat, minat, ofiçinat, etj. madje dhe drejtimi i operacioneve mund të bëhej nga tuneli. Polumbari i vjetër Shkëlqim Driza që ka punuar disa vite rresht në këto tunele, flet me respekt për punën e qindra xhenjerëve që në kushte të vështira, duke rrezikuar dhe jetën, punuan për hapjen e tyre. U realizuan shpime me sondë, shpërthime nën ujore, ndërtime bankine, godina, që kur i kujtoj tani më ngjethen mishtë si kemi shpëtuar, thotë ai. Shkëlqimi kujton me respekt Komandantin e batalionit Xhenjer Maks Milaqi, komisar Pajtimin, Ing.Vangjel Lena, si dhe Anijethelluesen “Rodoni”. Në vitet 1982-88, me punë e sakrifica vetmohuese u bë hapja e tre tuneleve dhe infrastrukturës tjetër të bazës. Kapiteni i paharruar dursak, i ndjeri Zija Biduli, ishte shembulli, frymëzimi dhe modeli i të gjithë efektivit që punoi në këtë bazë. Kapiten autoritar, fisnik, i respektuar nga të gjithë. Shembullin e tij e ndiqnin dhe më të rinjtë, si kapiten Lulëzim Hate, etj..Në fund të aksit Lezhë-Shëngjin, në krahun e djathtë fillon kurora e pishave të mbjella me kontributin e detarëve të kësaj baze, në fillim të viteve ‘80. Bazën nga viti 1974 deri në v.1978, e ka drejtuar Robert Bali, deri më 1979, Ndue Jaku, pastaj Pirro Kuçi, A.Mezini, Tom Kola, Astrit Bocaj, Adriatik Avllazagaj, Selim Allajbeu, Dalip Beja, Lekë Pashuku, Paulin Marku, Gjon Dedgjoni, Fran Lleshaj, Artan Pulaj, etj. Në këtë bazë kanë shërbyer kuadot e specialistët S.Dule, M.Qorduka, K.Dhima, S.Nako, A.Shalari, K.Çito, T.Kola B.Shehu, Sadulla Elezi, Ziso Anastasi, Naim Brozha, Asqeri Daja, Fatmir Deda, Adem Zyberi, Ibrahim Juba, M.Trebicka, T.Gerveni, Kujtim Bregu, Selim Allajbeu, Ligor Papaligori. Shkëlqim Celami, S.Çelmeta, Y.Pashollari, Kastriot Dosti, Skënder Haruni, Agim Molla, Jak Boçi, Avni Ponari, Adriatik Avllazagai, Kujtim Caka, Nuri Koçia, A.Shtjefni, Shyqyri Murra, Petrit Kola, Binak Cenaj, Kapllan Xhihani, Pandeli Cala, Akil Meta, Vlash Doda, Salvator Toma, etj. Mbas v.‘90, baza u reformua dhe u përshtat në përputhje me misionin e ri të FD, fillimisht si Distrikt Detar, pastaj vendbazim dhe aktualisht vendqendrim i FD. Dhe repartet Bregdetare të Tales, Kalasë e Rërës së Hedhur u bënë pjesë e këtij vendbazimi, ku kanë shërbyer me devotshmëri kuadrot:-Enver Kafeja, Ali Omeri, Tish Tuku, Lutfi Hasani, Pjetër Ndoci, Gjon Leci, Gjon Dedgjoni, etj.
Po cmund të jetë kjo bazë tani? Një kompleks Ushtarak-Historiko-Turistik. Pse JO?
Gjatë viteve të fundit efektivi i reduktuar i bazës është përpjekur për të ruajtur territorin e bazës por dhe zbatimin e detyrave në det. Me punë ata e kanë mirëmbajtur atë duke shpresuar në të ardhmen e saj. Krahas kësaj kapter Tonin Pepa bashkë me operatorët e Qëndrës së Vëzhgimit Detar, jep pandërprerje informacion mbi situatën detare në zonën veriore. Por s’mjafton me kaq sepse ky vendbazim ka dhe anije të gatshme të Rojes Bregdetare, të cilat në mëse 5 raste kanë ndihmuar anijet e peshkimit të rrezikuara në bashkëpunim me policinë kufitare. Në këto operacione kanë marrë pjesë disa kuadro si Kapiten i Rangut të III-të Rezart Bajollari, Kap.Lt. Ilirjan Asllani, Ervin Mucka, Aranit Demce, major Gjon Dedgjoni, n/oficerët Fran Lleshaj, Hilë Marku Sabri Idrizi, Skënder Elezi, Florian Tafaj, Shkëlzen Hoxha, Akustin Dragaqi, Selman Hamza, Hysen Peposhi, Agim Tahiri, Ilirjan Pali, etj. Komanda e Forcës Detare e ka parë domosdoshmëri mbajtjen e anijeve të gatshme në këtë bazë, pasi kontrollohet gjitha trafiku nga derdhja e Bunës deri në Rodon. Ndërkohë që nga viti në vit shtohet transporti, peshkimi, turizmi, gjë që kërkon rritjen e sigurisë detare. Ndaj anija “Lissus” e ka strehën e vet në këtë bazë. AP “Lissus” ka zhvilluar stërvitje bordimi, manovrim, furnizim në zonën e saj të përgjegjsisë. Ajo tashmë molet e bazës i ka si shtëpinë e vet. Cdo vizitë të saj qytetarët shëngjinas e shohin si forcim të pranisë së shtetit, ndaj shohin nga afër cdo hyrje dalje të saj dhe kanë dëshirë ta vizitojnë, ta prekin. “Lissusin” ata e shohin si qytetarin më të ri, një vlerë të shtuar të bazës dhe qytetit. Njëkohësisht ata mirëpresin dhe djemtë e kësaj anije simbol për zonën. Forca Detare zhvilloi vitin e kaluar një aktivitet mbresëlënës me detarët e Sarandës për të promovuar anijen “Butrinti”. Gjykoj se një aktivitet i tillë duhet zhvilluar dhe me anijen “Lissus” në Shëngjin. Banorët e saj e presin me padurim. Mjaft qytetarë kishin dëshirë të vizitonin “Lissusin”, e quanin si pjesë të tyre jo thjesht nga emri, por për faktin se Shëngjini për numur popullsie ka më shumë detarë. Por ndërsa shoh gatishmërinë e këtyre njerzve për gjithëshka që lidhet me detin, pamja që të afron infrastruktura e bazës le për të dëshëruar. Të them të drejtën e kam vizituar bazën për mbi dy dekada, por këtë rallë ndjeva trishtim. Ka disa vite që sipërfaqja e bazës është tkurur, duke i rrëmbyer nga një copë kush të mundet. Trajtimi i pronave ushtarake gjatë këtyre 25 viteve ka qenë një turbullirë ligjore dhe administrative. I vetmi ligj i mirë dhe VKM, ka qenë ai i vitit 1992, për të mundësuar strehimin e ushtarakëve në disa objekte ushtarake gjysëm të rënuar, zgjidhje emergjente. Por dhe kjo ishte gjysmake, pasi ata mund të privatizonin vetëm truallin e shtëpisë dhe për të dalë në rrugë duhet të fluturonin. Nga kjo kanë përfituar shumë pseudopronarë, që në kohën e sistemit monist kur kërkonin punë në adminstratë ose pranoheshin në parti, deklaronin se s’kemi një cm2 tokë. Tash me dëshmimtarë të blerë kanë përfituar vend e pa vend. Në trajtimin e pronave ushtarake nuk ka pasur vizion, projekte dhe masterplane transformuese për to nga lidershipi ynë politiko-ushtarak, gjë që i le vend spekulimeve. Janë hequr nga puna specialistë inxhinjerë e topografë që mund ti jepnin drejtim këtyre punëve. Nga mosshrytëzimi i tyre shteti shqiptar ka humbur dhe humbet miliona. Mjaft prej tyre mbas viteve ’90 mund të ishin bërë dhe baza të NATO-s, por politikuejtë tanë vazhduam avazin, hidhnin vickëla. Disa ushtarakë që i parashikuan këto zhvillime nuk i dëgjoi kush. Tani NATO ka avancuar për shkak të situatave, kushteve e strategjive të reja, ka shtete të tjera në lindje që i falin baza të tëra, ku e ku me tonat. Ndaj tani ne duhet të përpiqemi vetë për ti transformuar e për ti bërë ato atraktive, jemi të vonuar. Në rastin konkret Baza e Shëngjinit mund të kthehet në një Kompleks Ushtarak-Historik-Turistik. Ka pozicionin dhe kushtet më të përshtashme për këtë. Në fakt pata hedhur një ide 15 vite më parë për të bërë një muzeum të luftës së ftohtë në Vlorë, por këtu mund te realizohet më lehtë. Me nje grup pune të përbërë nga topografë, ekonomistë dhe historianë ushtarakë mund të realizohet një projekt tepër dobiprurës për shtetin shqiptar, duke përshtatur infrastrukturën e tij për këtë qëllim. Rifreskimi i infrastrukturës nuk mund të bëhet në mënyrë empirike, por mbi masterplane të rregullta gjeohartografike, ku të shpaloset e gjithë hapësira e marrë në studim, dokumente që shpalosin zhvillimin e saj në të ardhmen. Një masterplan i kësaj baze duhet të shtjellojë në pamje dhe shtrirje, planin afatgjatë të mjediseve, planin e vendosjes e përshtatjen e ambienteve për një kompleks të tillë. Ai është një studim i gjithanshëm që ka dorën e modelimit nga specialistët topografë, hartografë, urbanistë e historianë ushtarakë. Theksoj ushtarakë, se ne kemi pasur një elitë ushtarake që qëndronte e qëndron shumë më lart intelektualisht se zboristët e Mamurrasit. Nga një vëzhgim dhe përllogaritje e thjeshtë, duke pasur eksperiencën e muzeve të këtij lloji në vendet e NATO-s, unë i them opinionit se vetëm tre muajt e verës shteti shqiptar mund të futë në arkën e tij nga 40 milion lekë të reja në muaj, ndërsa muajt e tjerë 5 deri në 10. Përfitimet janë të shumta. Ne, në një mol mbajmë anijet e gatshme, “Lissusin”, “Archangelat”, etj. dhe hapësirat e tjera i shfrytëzojmë për muzeun dhe ambiente për turistët. Atje ke cfarë të tregosh. Dhe në ato kushte mjerane kishte interes. Pashë që nëpërmjet repartit, tokë shtetërore, kalonin mijëra makina në ditë për tek “Rëra e hedhur”. O zotëri, të kalosh traun e e repartit duhet të paguash një taksë, e jo të bësh karshillëk! Këta persona që tek hotelet lenë dhjetëra mijëra lekë, se kanë problem ti paguajnë shtetit 2-3 mijë lekë të vjetra. Pra, kjo është C-ja e famshme, kapitali fillestar, që ne e lëshojmë kot! Duke zbatuar politika të tilla ekonomike mund të riparohet krejt infrastruktura e bazës dhe të kompesohen dhe disa pronarë të ligjshëm atje. Me një Kompleks Ushtarak-Historik-Turistik mund të thithen mijëra turistë të huaj, njëherësh punësohen dhe dhjetra qytetarë të Shëngjinit. Nqs bëhet kjo, bashkë me përmirësimet në infrastrukturën e qytetit dhe masa të tjera në nivel lokal e rajonal, Shëngjini mund të konkurojë Ulqinin.
Mes detarëve të vjetër e të rinj
Vërtet ky qytet historik ka shumë pasuri natyrore, detare, ekonomike, por në të vërtetë pasuria më e cmuar e tij janë detarët e tij, që janë bërë të tillë mbasi kanë shërbyer në bazën ushtarake detare të Shëngjinit. Këta bij të detit i gjenje kudo në Shëngjin, në anijet luftarake, të peshkimit, tregtare, në forcat e sigurisë së portit, në sigurinë e hoteleve, menaxherë e pronarë lokalesh. Nqs para viteve ’90, baza i jepte frymëmarje qytetit, tani janë detarët shëngjinas që i japin frymëmarje këtij qyteti në të gjithë arteriet kryesore të këtij sezoni turistik. Ata përbëjnë shtresën më punëtore, profesionale dhe mikpritëse të këtij qyteti të vogël, duket se baza i ka shërbyer si shkolla më e mirë e jetës. Atë buzëmbrëmje gushti mbasi përshëndes rojen e postbllokut Pr-2 Ilirjan Pali, nën shoqërinë e kapiten Silvanit, shëtisim në rrugën kryesore të Shëngjinit, të mbushur me lokale të shumta. Në fakt unë desha të bashkoja një kapiten të vjetër dhe të ri. Në lokalin e Prel Stakaj, marinar i vjetër, na pristë kapiteni i vjetër Selim Allajbeu, ish komandant i bazës dhe poet. Bashkë me kapitenin e vjetër ishte dhe Kapllan Zhejani,{xhaxhi, si i thërasin të gjithë} një nga dashamirësit më të mirë të detarëve. Kapllani një qyetar i nderuar në Shëngjin e Flotë, ishte shoqëruar nga djali i tij i madh Melsi, tashmë emigrant në Angli me fëmijën e tij shqiptaro-angles, Majells. Biseda rrjedh natyrshëm për punën, shëndetin, detarinë, bazën, pushimet, etj. Ka një vecori tash në verë më thotë xhaxhi, lezhjanët shkojnë në Shirokë, shkodranët vijnë këtu. Ne hajm karas për krap, ata hajnë kancelat për peshkdeti. Duke dëgjuar këto biseda, me atë shqipen e thjeshtë Majëllsi i vogël i thotë Kapllanit, -o gjysh, unë do bëhëm kapiten shqiptar! Po! ja kthyem njëzëri. Madje që nesër do jesh mik tek anija “Lissus”. Me ndjesinë dhe ëmbëlsinë e këtyre fjalëve të djaloshit anglo-shqiptar Majells, vazhdojmë shëtitjen atë buzëmbrëmje. Pushues të shumtë shijonin jodin dhe kënaqësinë që të jep një natë shëngjinase. Me fjalët, sjelljen, veshjen dhe ecjen e tyre përpiqeshin të ishin vetvetja. Në fakt Shëngjini më tepër të afron rërën e vecantë dhe gatimen e prodhimeve të detit, sepse mundësitë e tjera për argëtim janë të kufizuara. Pamvarësisht kësaj në fytyrat e tyre shprehej kënaqësia që për pak ditë ishin në Shëngjin. Por koha e miqve të mi ishte e kufizuar dhe ndërsa Silvani shkoi në anije, Selimi me Kapllanin kishin miq në shtëpi. Kështu i uruam natën e mirë, njëri-tjetrit. Në shëtitoren “Wilson” po më prisnin përsëri miq të vjetër. U gëzova që emrin e portit “Wilson” tani e mbante shëtitorja kryesore. Detarë të tjerë do ishin pjesë e kësaj shëtitje në këtë mbrëmje të bukur. Qyteti ruan bukurinë e tij karakteristike në cdo stinë të vitit. Erërat e forta në dimër kombinohen me mikroklimat e natyrën e qytetit bregdetar verior. Kështu bashkë me kapitenët Skënder Haruni, Nazmi Shahini, Idriz Byku dhe Festim Zotaj, vazhduam ta shijonim atë mbrëmje gushti plot vapë. Skënderi ka shërbyer shumë vite si oficer në bazën e Shëngjinit, madje dhe familjen e ka pasur në këtë qytet deri vonë. Ai bashkë me këta detarë tani shërbejnë si oficerë lundrues në anijet tregtare “Koravi” dhe “Bergfjord” me pronar Mark Gjinin, {Pukjani}, të cilat po përpunoheshin në port. Atje me shërbim ishin dy marinarë me përvojë Mikail Suku dhe Agron Curri. Kapiteni kujton marinarët e bazës, kurorën me pisha në sistemin kodrinor të qytetit, e cila u mboll nga efektivi i bazës në vitin 1980. Por gjurmët e marinarëve të bazës së Shëngjinit ndjehen kudo, thotë ai. Para 40 viteve gjetëm një qytet me baraka të vogla ku strehoheshin peshkatarë të vjetër dhe barinj, por tepër mikpritës e miqësorë. Në disa dekada ngritën një qytet të bukur me detarë e banorë të arsimuar nga gjithë vendi. Ata kanë marë dhe kanë dhënë në këtë qytet ashtu si enët komunikuese. Ndërsa morën erën dhe valët e detit, dashurinë dhe miqësinë e malsorëve të Shëngjinit e rrethinave, i dhanë qytetit-port rininë e tyre, vlerat më të mira profesionale e qytetare, ndanë me komunitetin hallet, dijen dhe kulturën e fituar në vite, duke e formësuar në bërthamën e tij këtë qytet të vjetër. Mjaft detarë të bazës pamvarësisht se nga rrethe të tjera kanë zgjedhur të jetojnë në Shëngjin, ku janë integruar me aktivitetin e këtij qyteti. Mos haro të përmendësh një njeri human, peshkatarin e vjetër Ndrecë, thotë Skënderi, për më shumë gruaja e tij infermjere i ka shërbyer ditë e natë familjeve të detarëve. Me këto tregime të Skënderit, koha kaloi dhe akrepat po shënonin 24.00, kështu që u përshëndetëm bashkë dhe unë ju drejtova “Lissusit”, ndërsa ata anijes “Koravi”. Takime dhe vizita të tjera na prisnin të nesërmen. Kështu mbas disa orëve gjumë dhe kafes së mëngjesit me djemtë e “Lissusit” nën shoqërinë e një kuadri të vjetër të bazës rreshter Akostin Dragaci, bëhem përsëri pjesë e qytetit. Marinarë të tjerë na përshëndesin. E shoh që mbajnë gjallë shumë nga tradita e detarit dhe zakonet e shqiptarit. Sapo hymë në portin e vogël të qytetit, pamë që herët në mëngjes kishte filluar puna dhe ndihej zhurma e punonjësve të tij, shumica ish marinarë të bazës. Ata shërbejnë tashmë në kapitenerinë e portit, ekuipazhet e anijeve tregtare, peshkatore, rimorkiatorëve, policinë portuale, antikontrabandën detare, etj. Zanati i fituar në vite i ka ndihmuar të integrohen në vendet e punës që afron porti i Shëngjinit, por dhe institucionet detare të tij. Porti i Shëngjinit ka përmirësuar kapacitetet e tij përpunuese në sajë të disa projekteve të realizuara vitet e fundit. Atë mëngjes një anije po shkarkonte cimento rifuxho, disa peshkatore po kalonin skalierën e portit për gjuetinë e radhës, dhe njerzit mbas kafes së mëngjesit po i drejtoheshin punës së ditës. Kapitenët e portit Ilir Shahini, Gjin Nikolli e kolegë të tjera ishin në krye të detyrës. Por miq të detit dhe detarëve në Shëngjin tashmë janë dhe dashamirës të hershëm të detit që kanë krijuar dhe biznese të lidhur me të. Një nga këta është dhe zoti Gjergj Luca. E kam ndjekur Gjergjin shpesh herë në debatet televizive të zhvilluara për ceshtjet e peshkimit dhe më ka pëlqyer qetësia, mëncuria dhe profesionalizmi me të cilën ai ka diskutuar këto probleme të rëndësishme për pasurinë detare të vendit. Në fakt kontaktin e parë e bëmë me dy anije të kompanisë së tij që gjuanin në rajonin e lejuar për peshkim. Anije të reja, të bukura, delfinë të flotës sonë të peshkimit. Dëshira për të takuar këtë njeri na u shtua rastësisht, kur djemtë e anijes “Lissus” në mëngjes po ndiqnin një film të kaluar, ku baba i Gjergjit, Ndreka luante në një nga rolet e pakta si personazh pozitiv. Pa dyshim që ky artist i madh me nivelin artistik e origjinalitetin e interpretimeve të tij ka krijuar një galeri rolesh që do ruhen gjatë në memorien e shqiptarëve. Me përshtypjen e disa roleve të tij ju drejtova lokalit “Rozafa”, rreth 100 m nga postblloku i bazës, ku Gjergji, djali i Ndrekës menaxhonte punët e shumta të biznesit të tij. Është e vështirë që këtyre njerëzve ti marësh sadopak kohë të lirë. Dhe sikur një anije të kesh në det ke probleme, e jo më të drejtosh disa të tilla bashkë me aktivitete të tjera komplementare. Mu duk shumë i qetë psikologjikisht në raport me punën e tij si menaxher i një kompanie të fuqishme peshkatore, që se has tek bisnesmenët e tjerë. Detarë dhe pushues shijonin kafen e paradites në lokalin e tij. E shkëputa për disa minuta nga punët e tij të shumta për ti tërhequr disa mendime si qytetar që e ka lidhur jetën me Shëngjinin, detin dhe peshkimin. Me Shëngjinin më lidh jo vetëm aktiviteti por dhe dëshira ime e kahershme për detin, më thotë Gjergji. Vë re një përmirësim të situatës peshkimore këto vite, por prapë ka shumë për tu bërë. Është i domosdoshëm forcimi i ligjit në det, ashtu si po forcohet me pyjet, drogën, etj. Moszbatimi i ligjit, gjuetia e paligjshme me trata fundore, dinamit, e kanë varfëruar e masakruar peshkun në ujërat tona. Ndaj ka ardhur momenti që ne duhet të bëjmë një ndarje të plotë nga kjo situatë, duhet të përfshihen dënime me burg për shkelësit e ligjit. Po ashtu duhet përmirësuar kuadri ligjor i regjistrimit të anijeve, marja e matrikullit të detarit, mbas një ekperience në det, p.sh. 3 muaj, jo thjesht mbas kurseve të caktuara. Ngritja e një komisioni të vecantë testimi për të gjitha nivelet e detarëve deri tek kapiteni, ku mund të merret dhe mendimi i pronarëve të anijeve. Nuk e di cfarë po bëhet për ringritjen e shkollës së peshkimit, se ajo do jetë bazë për ekuipazhet e anijeve tona. Më mirë se ci njohin problemet e peshkimit këta njerëz që merren direkt me këtë aktivitet s’ka person tjetër. Peshkimi ka shumë halle e probleme, më shpjegon Gjergji, që nga legjislacioni, administrimi, riparimi i anijeve, ndaj është domosdoshmëri zhvillimi i një programi kombëtar për ruajtjen dhe administrimin e resurseve të peshkimit. Këto masa duhet të parandalojnë peshkimin e paligjshëm, krijimin e rezervave peshkimore, duke siguruar ruajtjen e zhvillimin e resurseve kombëtare të pasurisë ihtiologjike. Natyrisht për realizimin e këtij programi lypset një bashkëpunim efikas i gjithë institucioneve shtetërore me bisneset e subjektet private që ushtrojnë këtë veprimtari. Shëngjini me rrethinat e veta përbën dhe një zonë të rëndësishme turistike, ndaj para se të ndahesha i kërkova një mendim për këtë ceshtje zotit Luca. Ka nevojë për një mentalitet bashkëkohor, përmirësim të shërbimit, specialistë që të sjellin dicka të re në këtë sektor, thekson Gjergji. Ka cmime të larta në hotele e artikuj, në mjaft shërbime, gjë që i largon turistët. Në mjaft raste investimi i kryer nuk i përgjigjet me shërbimin profesional e cilësor. Është e njëjta situatë që përjetoi zona e Jugut, Saranda, para 4 vitesh. Sivjet atje po shkojnë më shumë njerëz, pra, kanë korigjuar shumë në cmime e cilësinë e shërbimit, se natyra është e ngjashme. Për turizmin në Shëngjin është domosdoshmëri përgatitja profesionale dhe kontrolli i shtetit për shërbimin dhe cmimet, se kjo situatë i le vend abuzitetit. Këtë duhet ta kuptojnë të gjithë ata që meren me këtë biznes. Në të gjitha këto zhvillime rol të vecantë ka dhe porti i Shëngjinit, i cili duhet ti paraprijë perspektivës së kësaj zone dhe të shndrrohet në një port jahtesh, peshkimi dhe tragetesh, që të bëjnë linjën më të afërt me Italinë. Për këtë ka studime dhe masterplane efikase. Dhe politika duhet të jetë më largpamëse, të mos verë kushte për biznesmenët, se këta njerëz janë pasuri e vendit, dhe ju intereson më tepër puna e tyre se politika. Këto më tha ato ditë të nxehta Gushti, qytetari dhe presidenti i kompanisë “Rozafa”, zoti Gjergj Luca. Me këto mendime vazhdova rrugën tek shëtitorja “Wilson” ku takova përsëri marinarë, shokë dhe miq që gjallërojnë në cdo stinë të vitit këtë shëtitore me emër domethënës. Më priste Kapiten Selimi, i cili e filloi karrierën në këtë bazë dhe e mbylli komandant i saj Ai shpesh bëhet pjesë e detarëve tanë në bazë dhe anijeve të Flotës. Kapiteni gjendet shpesh mes tyre, i këshëllon, tregon kujtime, por prezanton dhe poezitë e tij më të reja. Zoti Allajbeu ka botuar 4 vëllime me poezi dhe së afërmi do botojmë së bashku një buqetë letraro-artistike për detin. Këtë buqetë do ja dhurojmë detarëve shqiptarë më 25 dhjetor, në kuadrin e 90 vjetorit të krijimit të Flotës sonë Luftarake. U rikthyem përsëri në bazë dhe mbasi vizituam ambientet e saj u ulëm në zyrën e dikurshme të komandant Selimit ku muza e tij poetike na dhuroi këto vargje të bukura:
Lidhur fort me detin
Jeta zhurmë dallgësh dhe kaltërsi na u mbush,
Sytë me ujë të kripur i kemi larë,
Dhe, kur deti është sjellë ashpër me ne,
Prapë kemi thënë, deti s’ka të sharë.
Përkundrazi, jemi lidhur fort me të,
Lëndinave të kaltëra rrëshqasim pa gjumë,
Ballin stolisur me dritë yjesh,
Zemrën me buzëqeshjen e bardhë shkumë.
Ndodh që kthehemi “të vrarë” nga deti,
Sërish guxojmë për ditë të reja.
S’na shkon ndërmend ta braktisim kurrë,
Aty mbushemi me farë betejash.
Mbase kjo mund të ndodhte,
Me cdo njeri, ka të ngjarë,
Fola me zemrën e detarit plak,
Detin e kujton si dashurinë e parë….
Shpirti poetik i kapiten Selimit është i lidhur përjetsisht me detin, ndaj ai kalon një pjesë të kohës mes detarëve të bazës ku kaloi gjysmën e jetës. Kur u nisa për në shkollën e marinës në Vlorë, gjyshi im Shaqiri më tha, të qoftë udhë e mbarë o bir! deti është një gjë që e pastron veten, s’ka më mirë, ndaj bëhu pjesë e tij, kujton kapiteni. Por dhe ambienti që e rrethon kapitenin është i mbushur me tregime për detin. Vërtet ka plazh të bukur Shëngjini, por mbi të gjitha ka marinarë të zotë e bujarë. Madje në raport me numurin e popullsisë, numuri i marinarëve këtu është më i lartë se në cdo qytet tjetër bregdetar të vendit. Ata i gjen kudo dhe në kuptimin e mirë të fjalës krahas natyrës, relievit e klimës, marinarët janë një tjetër pasuri e zonës së Shëngjinit. Kuadrot dhe detarët që kanë shërbyer në bazë e jetojnë në këtë qytet, kanë dëshirën dhe merakun të shohin anije të mirmbajtura e marinarë me uniformë të bukur, një bazë të vogël që do e monitorojë hapësirën detare në bregdetin verior. Ata shpresojnë dhe besojnë në të ardhmen e vendbazimit Shëngjin, të portit e qytetit, me një histori të ndritur të kombit shqiptar. U ndava me miqte e mi detarë të Shëngjinit me premtimin se do shkruaj përsëri për ata.
Literatura
Qytetet mesjetare gjatë Rilindjes, Prof. Zija Shkodra.
Historia e Popullit Shqiptar, vëll. I-rë, Tiranë 2002.
Historia e Popullit Shqiptar, vëll. II-të, Tiranë 2002.
Antologjia e Detarisë Shqiptare, vëll. I-rë, Tiranë 2012.
Antologjia e Detarisë Shqiptare, Vëll. II-III-të, Tiranë , 2013.
Hecquard Hyacinthe,-Histoire et description de la Haute Albanie ou Gueguerie, Paris,1858.
Shënim: ky reportazh i zgjeruar do jetë pjesë e Vëllimit të IV-të të Antologjisë së Detarisë Shqiptare, e cila është në proces.
Shefqet Kërcelli, ishushtarak, studjues, historian, gazetar, operator. Bashkëpunëtor i “Dielli”-it në Shqipëri.