• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Politikanët pasanik nuk ia dinë hallin fukarasë?!…

June 27, 2015 by dgreca

Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/

Këto ditë portale, gazeta, radio e televizione qofshin ato publike apo private ishin të mbushura me plotë të dhëna nga Agjencioni kosovar kundër korrupsionit. Është fjala për paraqitjen e pasurisë të politikanëve tanë dhe të gjithë ata që i lexuan apo i dëgjuan ato shifra marramendëse për kushtet e Kosovës, pa fije dyshimi kuptuan se ai kapital i kapërcente të gjithë kufijtë e mundshëm se ajo pasuri ka mundur të arrihet me djersë apo nga ato arsyetime të prejardhjes banale që janë dhënë në këtë agjencion.

Vlerësim paushall i pallatit me rreth një mijë metra katror

Pos që janë të paargumentuara prejardhjet e asaj pasurie milionëshe të politikanëve tanë tanë, të bie në sy edhe një vlerësim paushall dhe pa pikë ndërgjegje i pasurive qofshin ato të luajtshme apo të paluajtshme.Të thuhet e vlerësohet një shtëpi- pallat me rreth një mijë metra katror me vetëm 300 mijë euro në qendër të Prishtinës nga vetë paraqitësi, përkatësisht nga politikani ynë, kjo vërtetë është një marrëzi. Edhe sikur ky objekt familjar të ishte në periferi të qytetit, përkatësisht në ndonjë fshat, ky vlerësim do të  ishte joreal me vetë faktin se është shumë i madh, modern e luksoz. Nuk mund të di se si duhet të reagoj me këto vlerësime të objekteve moderne të banimit nga ana e agjencionit kundërkorropcion , mirëpo kjo gjë në opinion po kuptohet si një shaka që politikanet bëjnë ndaj shtetit dhe organeve, institucioneve dhe agjencive tjera shtetërore. Së këndejmi, nëse është në kompetencën e agjencionit, do të duhej të thuhej e konstatohet se vlerësimi i pasurive të paluajtshme, por edhe i atyre të luajtshme nuk përkon me çmimin real që tashpërtash e dikton tregu dhe kërkesa e njerëzve të interesuar për blerë objekte të ngjashme. Bile do të ishte me vend që ky agjencion të formon një komision profesional, i cili do të merrej me vlerësimin e pasurisë së paraqitur jo vetëm të politikanëve por edhe i të tjerëve që kanë pozita publike në gjithë territorin e Kosovës. Me këtë do të dihej realisht se në ç’shkallë ka arritur pasuria e atyre që para se të bëhen emër i njohur  në fusha të ndryshme, nuk kishte siç thotë një fjalë popullore as pulë para dere. Pavarësisht se, sidomos politikanët tanë, në vlerësimet e tyre paushalle nuk po e tregojnë as 30 përqindshin e pasurisë së tyre, kjo në opinion nuk pi ujë sepse ato po shihen e preken jo vetëm në kryeqendrën tonë , por gjithandej Kosovës. Këta politikan po mendojnë se këto arsyetime kalojnë aq lehtë të populli, i cili i komenton por në anën tjetër edhe i mallkon të gjithë ata që me djersën e të tjerëve janë bërë milionerë. Në opinion flitet, po ashtu, se në shpindë  të këtyre politikanëve pasurinë e kanë trash edhe disa bashkëpunëtorë të tyre të afërm apo edhe grupe të tjera të interesit klientilist, që nuk janë të obliguar ligjërisht për  të paraqitur pasurinë e tyre në këtë agjencion, i cili aq sa ka mundësi e kapacitete njerëzore e profesionale po mundohet të kryej punën e saj ashtu siç është e paraparë me ligj. Ndaj, edhe nuk është e çuditshme që bëhet gjithë ky turr e vrap për të marrë pushtet, apo më mirë për të thënë se ky interesim për të arritur në hierarkin më të lartë politike ka vetëm një qëllim:  pasurimi sa më i madh dhe i shpejt i tyre. Në këtë opinion timin nuk pretendoj të gjykoj e konstatoj se filan politikani nëpërmjet formave të ndryshme të paligjshme ka arritur që ta shtoj pasurinë e tij, por një gjë dihet se shumë nga ata këtë kapital kaq të madh nuk kanë mundur ta bëjnë në mënyrë të ndershme dhe me djersën e tyre. Një katund që shihet kallauz nuk do, thotë një fjalë popullore.

Së pari duhet të pastrohet oborri i vetiak

Askush nuk mund të mohoj një të vërtetë të madhe se korrupsioni dhe krimi i organizuar ka prekur pothuajse çdo pore të jetës dhe punës dhe se në këtë drejtim organet e institucionet përkatëse janë duke bërë shumë pak që këto dukuri të luftohen me ngulm. Dhe kritikat që bëhen nga qytetarët dhe shoqëria civile janë të drejta dhe për më shumë janë sinjale se qeveria dhe organet tjera kompetente duhet të ndërmarrin masa të shpejta e të ashpra për të eliminuar këto dukuri që e kanë zhvat kaq keq Kosovën dhe të ardhurat e saj që më vështirësi po krijohen nga një ekonomi e brishtë që po ngulfatet nga grupe të ndryshme klientiliste  të lidhura edhe me politikën. Mirëpo, është absurd i llojit të vetë që ata që kanë krijuar pasuri marramendëse të kritikojnë njeri- tjetrin për këtë situatë të nderë që është prezente dhe që padyshim në aspektin etikë nuk është e pranueshme sidomos nga opinioni publik. Populli e di, populli po e sheh për ditë atë pasuri që e keni krijuar dhe më kot mundoheni që gurin ta gjuani në anën e kundërt. Së pari duhet të sqaroni në mënyrë të detajuar se prej nga erdhi gjithë ajo pasuri e madhe aq më parë kur dihet se para lufte secili që iu njeh e ka të qartë se nuk ishit pasanik në këtë formë e përmbajtje me peshë milionëshe e më pastaj nëse zë vend arsyetimi se atë pasuri e keni arritur në mënyrë të pastër, sigurisht se edhe ju mund të hyni në “ vallen” e atyre që kritikojnë të tjerët që kanë krijuar aq shpejt të ndërtojnë pallate, të blejnë tokë e ara  me qindra hektar, të krijojnë biznese nëpërmjet të shpëlarjes së parave etj etj.

Vështirë do ta keni me fituar besimin e qytetarëve

Nisur nga krijimi i pasurisë milionëshe brenda natës nga disa politikan tanë dhe gjendjes mjaft të vështirë ekonomike në të cilën gjendet pjesa më e madhe e popullsisë, mendoj se këta politikan do ta kënë vështirë që në zgjedhjet e ardhshme të fitojnë besimin e qytetarëve. Kështu flitet në opinion, ndërkaq si qytetari do të shënoj në fletën e votimit mbetët të shihet. Ma merr mendja se tashmë populli po e sheh se në çfarë kahje po drejtohet e qeveriset vendi dhe në fund ai duhet të vlerësoj por edhe të vendos bindshëm se më të tillët nuk mund të mbetën në pushtet.

Dhe krejt në fund: Një Mbret ishte kanë ba marak shumë me ditë se çka po thotë populli për të. Mendoj shumë dhe në fund mori  vendim që vetë të dalë në mjedise të ndryshme dhe të marrë opinionet e qytetarëve. Mbreti  nuk doli me “ uniformen” e tij dhe gjithë atë salltanat që kishte por u bë “ tebdil” “ i maskuar”. Qytetarët , gjatë bisedës më Mbretin, i kishin thënë se tatimi është i lartë, gjendjen ekonomike e kanë të vështirë, sjellja e nëpunësve nuk është e mirë dhe se disa njerëz po pasurohen në mënyrë të dyshimtë. Me të marrë këto informacione, Mbreti kthehet në pallatin e tij dhe thonë se kishte bërë disa ndryshime pozitive. Ndërkaq, në rastin tonë as maskimi nuk bën punë sepse gjerat po shihen ashiqare e ato po i din e aq më keq po i krijojnë vetë politikanët, ndaj edhe nuk kanë nevojë të dalin e të bisedojnë me qytetarë, të cilët për ditë po ankohen për padrejtësi, për punësime familjare, për favorizime të pakufishme karrieriste, për korrupsion, për varfërinë që ka prekur dhimbshëm mijëra familje kosovare etj. Me demek politikanët tanë nuk ia dinë hallin fukarasë. Inshalla bëhet mirë. Gjakovari ka thënë: të gjitha t’i japi, po ymydiin  kurrë.

Filed Under: Analiza Tagged With: : Politikanët, fukarejte, pasanik, Xhavit Citaku

Ndriçim i veprimtarisë së pa kursyeshme të shqiptarëve në Suedi

June 22, 2015 by dgreca

Këtë përmbajtje e ka numri i katërt i librit ” Thesari kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi” i cili është përgatitur nga SHSHASH ” Papa Klementi i XI Albani”, që me sukses zhvillon veprimtarin e saj në këtë shtet të largët skandinav. Të katër numrat e botuar  deri me tash janë të çmuar dhe kanë vlera shkencore, thotë Prof. Fetah Bahtiri, kryetar i Këshillit Redaktues/

Shruan: Xhavit Çitaku/

Mërgata shqiptare është një thesar i çmuar i qytetërimit ilir, e cila me mençuri, me shkathtësi të mendjes dhe me një freski të shpirtit diti aq mirë që të lartësoj aq bukur kulturën, historinë e traditat shqiptare edhe në dhe të huaj. Komuniteti shqiptar në Suedi ishte jashtëzakonisht mirë i organizuar dhe dha kontribut të madh në sensibilizimin e situatës së rëndë në kohën e okupimit klasik nga Serbia, në grumbullimin e mjeteve në Fondin e Trepërqindshit, mbajtjen e familjeve në Kosovë, në shërimin e të sëmurëve dhe zgjidhjes së shumë vështirësive në të cilat gjendej populli i Kosovës dhe së fundi edhe me pushkë në dorë luftoi për çlirimin definitiv të Dardanisë.

I gjithë ky sukses i mërgatës shqiptare këto ditë u kurorëzua  me veprën voluminoze, përkatësisht të numrit të katërt i librit të SHSHASH “ Papa Klementi i XI Albani” me titull “ Thesari Kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi”, që doli këto ditë nga shtypi. Lidhur me këtë punë të madhe e të rëndësishme që është bërë nga kjo shoqatë e vyeshme në biseduam me prof. Fetah Bahtirin, kryetar i Këshillit redaktues, të këtij asosoacioni shqiptar. Ai me këtë rast  na tha: “ SHSHASH ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, e themeluar në vitin 2011, gjer më sot me një punë të përbashkët dhe me përkushtim kolektiv ka nxjerrur në dritë tre libra me rreth 2000 faqe. Librat mbajnë titullin ”Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi” dhe kanë numrat 1, 2 e 3. Këto ditë u botua edhe numri 4 i Thesarit kombëtar të kësaj mërgate i cili ka më shumë se 800 faqe.

Librat ”Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi” kanë për synim pikërisht ndriçimin e veprimtarisë së pakursyeshme të shqiptarëve të cilët në trollin e Suedisë u angazhuan me mish e me shpirt për të vënë gurë në themelin e shtetit që quhet Kosovë. Është planifikuar që ky ndriçim të bëhet me botimin e diku rreth 10 librave të këtillë me gjithsej 8000 – 10 000 faqe. Kjo do të arrihet leht për arsye se ka pasur shumë veprimtari, ka shumë angazhime dhe ka shumë materiale.

Shkrimet mbështeten në dokumentacionin orogjinal

Por, që çdo gjë të jetë në vendin e vet, shkrimet mbështeten në hulumtimin e dokumentacionit origjinal i cili si i tillë, i pandriçuar dhe i pabotuar gjer më tani– është burim, material shkencor dhe thesar i çmuar. Kështu, Thesarët kombëtar kryesisht u kushtohen kontributeve dhe sakrificave të bashkatdhetarëve tanë në shërbim të misionit për realizimin e pavarësisë së Kosovës. Duke realizuar këtë synim, gjer më tani në Thesarin kombëtar 1, 2 dhe 3 janë përfshirë shumë mjedise, shumë qytete e aktivitete, veprimtarë e aktivistë, me qindra dokumente, gazeta, artikuj, lista, intervista, etj. nga qytetet dhe komunat si: Borås, Båstad, Falun, Göteborg, Hyltebruk, Hässleholm, Laholm, Landskrona, Lundegård, Lättarp, Smedjebacken, Uddevalla, Ängelholm, Vetlanda, Jönköping-Råslätt, Överum, Gulspång, Norrköping, Svenshögen, Stockholm, Malmö, Jokkmokk, Marks, Dals-Ed, Falkenberg, Perstorp, Hultsfred etj.

Ndërkaq, nga territoret jashtë Suedisë që janë përfshirë në librat tanë “Thesar kombëtar” me tema janë prezentuar: Gjermania, Zvicra, Shqipëria, Kosova, SHBA, Ilirida, Rumania, Kroacia, Serbia etj. Pritet që lista të zgjerohet edhe me vende të tjera të Evropës e më gjerë. E tërë kjo punë do të realizohet me shkrimet të cilat gjërat i paraqesin e i sqarojnë vetëm me gjuhën e argumenteve. Zaten, edhe thesarët kombëtar të botuar gjer më tani i kanë këto karakteristika: janë thesar të vërtetë e të çmueshëm dhe kanë vlera shkencore.

Të përkujtoj se ky nuk është konstatim i imi, por këtë e kanë pohuar qartazi edhe të gjithë ata që i kanë pasur në dorë Thesarët tanë. Që mos të parafrazoj dhe mos të komentoj pa nevojë, për të parë se Thesarët tanë janë thesarë vërtetë të çmuar, do t´i citoj disa nga referuesit me rastin e promovimeve të Thesarëve tanë kombëtar që janë bërë në vende të ndryshme.

Vlerësime interesante e të çmueshme nga kritika

Për librat ”Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi” vlerësime interesante e të çmueshme kanë dhënë edhe shumë kritikë, institucione, politikanë, dijetarë, individë. I nderuari Daut Demaku u drejtohet me një ”LETËR E HAPUR TË GJITHË MËRGIMTARËVE”, për arsye se ai paska fituar një ”Frymëzim nga veprimtaria e Shoqatës së shkrimtarëve, artistëve dhe krijuesve shqiptarë “PAPA KLEMENTI XI ALBANI” në Suedi”. Ai ndër të tjera thekson me entuziazëm:

”Ky zjarr i mallit për atdhe krijon atdhe – dashurinë e madhe. Në atë shtet, që ka një numër të madh të mërgimtarëve, aty është edhe atdhedashuria e vërtetë. Prandaj, më dëgjoni mirë: mërgimtarët dhe vetëm mërgimtarët kanë dashuri dhe fuqi që ta bëjnë atdheun shtet me prestigj të lartë, ku edhe të tjerët do TË DËSHIRONIN TË JENË SHQIPTARË.

Pikë për pikë sikur mërgata suedeze që e bëri Suedinë – Suedi!”

Në kontekst me këtë, Daut Demaku na drejtohet:

”… lus të gjithë mërgimtarët që të na ndihmojnë t’i shkëpusim prangat e robërisë shpirtërore!…

Të gjithëve, prandaj, ju lus të merrni shembull Shoqatën e shkrimtarëve, artistëve dhe krijuesve shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi. Sepse, prej të gjitha veprimeve të mrekullueshme, që i ka bërë kjo Shoqatë e mbarë dhe e mençur, brenda saj është edhe një segment, që meriton jo vetëm nderimin, por edhe përkuljen deri në tokë, sepse nxori në dritë përvojën e mërgatës suedeze – atyre njerëzve të mençur që jetonin në Amerikë – dhe – marrëveshja e atyre mërgimtarëve e bëri Suedinë – Suedi, shtetin më të respektuar në kontinentin e vjetër, por edhe në botë. Atdheu juaj ka nevojë për vetëdijësim, për mbjellje të dijes së mirë në tokën tuaj, për një vetarsimim që garanton ndërtimin e individit dhe të shtetit me prestigj…” – është porosia e të urtit Daut Demaku.

E pse edhe mërgimtarët shqiptarë që jetojnë e veprojnë në Suedi, mos ta bëjnë Kosovën shtet!?

Prof. Dr. Shefkije Islamaj: Ju sot nuk shikoheni vetëm si potencial ekonomik, por edhe si potencial politik dhe intelektual. Veprimtaria juaj në të mirë të gjuhës e të shkollës shqipe, në të mirë të përgatitjes së brezit të ri, të fëmijëve tanë, përmes aktiviteteve të shumta njohëse, edukuese, letrare, muzikore, sportive, ka jehonën edhe në Kosovë. Përmes medieve elektronike, teknologjive të reja informatike, gjithë kjo veprimtari e juaja bëhet shumë frymëzuese për të gjithë ata që ia duan të mirën Shqipërisë e Kosovës, që ia duan të mirën shqiptarëve kudo janë ata…

Çka përmban libri?

Ky libër, ashtu si edhe i pari, për nga përmbajtja është tejet i pasur dhe i larmishëm. Më tepër se një përmbledhje shkrimesh tematikash të ndryshme dhe dokumentesh e shkresash të shumta, libri është një paraqitje shumëplanëshe e veprimtarisë shumë të gjerë që ka zhvilluar kjo Shoqatë në harkun njëvjeçar në fushën e artit letrar, në veprimtaritë krijuese në përgjithësi, në veprimtaritë arsimore e kulturore, në veprimtaritë shënuese e kremtuese, në veprimtaritë shkencore, në aktivitetet sportive, përfshirë këtu edhe vizitat e bëra jashtë atdheut nga anëtarë të kësaj shoqate dhe vizitat e autoriteteve shqiptare në qytetet ku jetojnë shqiptarët në Suedi…

Ç’është në të vërtetë ky libër?

Shkurt: ky libër është shprehje e ndërkomunikimit shqiptar, është shprehje e përpjekjes dhe e përvojës së pasur të komunitetit tonë në Suedi, është shprehje e frymëzimit, është shprehje e një vetëdijeje të lartë kolektive për përkatësinë.

Çka na zbulon tjetër ky libër?

Ky libër zbulon edhe raportin e shqiptarëve me suedezët me shtetin suedez, zbulon pozitën e tyre, interesat e këtij komuniteti, shfrytëzimin e potencialit vetjak dhe shfrytëzimin e mundësive që ofron një shtet demokratik si Suedia…

…Libri Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi 2, pra është një tregim i veçantë, një tregim që do të vazhdojë për shqiptarët e Suedisë, sepse ata vazhdojnë të jenë transmetues të vlerave njerëzore, qytetëruese, kulturore e letrare në vendin ku jetojnë, sepse ata do të vazhdojnë të shpalosin pasuritë shpirtërore, mendore, intelektuale në një hapësirë humane, në një shoqëri shumëkulturore, të hapur e demokratike, për të gjithë pa dallim, sepse ata do të vazhdojnë të na flasin shqip përmes librave si ky.

Prof. Dr. Adem Zejnullahu: Shoqata e Shkrimtarëve Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Suedi: Papa Klementi XI Albani, me angazhimin e saj, në të mirë të zhvillimit të gjuhës, të shkollës shqipe, të kultivimit dhe të ruajtjes së traditës sonë

etnokulturore, të transmetimit të saj nëpër media e aktivitete të ndryshme kulturore e artistike, si dhe të botimit të shumë veprave, të autorëve të ndryshëm, që ngërthejnë krijimtarinë shpirtërore, ka luajtur dhe po luan një rol shumë të rëndësishëm për popullin tonë në përgjithësi e në veçanti për këtë mërgatë.

Thesari Kombëtar 2, të cilin po e promovojmë sot ngjason me Visaret e Kombit, Kalendarin Kombëtar etj., të cilat botoheshin dikur, e që luajtën një rol të rëndësishëm, në pasqyrimin e traditës sonë kulturore, me botimin e materialeve të ndryshme nga fusha e gjuhës, historisë, folklorit etj.

Në fund duhet thënë edhe këtë se Shoqata e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Suedi Papa Klementi XI Albani, sipas veprës 2 është duke bërë një punë të jashtëzakonshme në pasqyrimin e hollësishëm të jetës dhe të veprimtarisë së kësaj mërgate, por kërkon edhe një sistemim e vlerësim më kritik në përgatitjen më cilësore me kritere të caktuara botuese e shkencore. Pa dyshim, ky botim i punuar me përkushtim e vullnet të madh të udhëheqjes së saj, e cila zhvillon një veprimtari kaq të dendur e të rëndësishme për popullin dhe atdheun tonë të mahnit, andaj e falënderojmë nga zemra duke i dëshiruar suksese të reja edhe në të ardhmen!

Prof. Salih Zogiani: Me qëllim të ruajtjes së gjuhës dhe traditës, në mungesë të përkrahjes institucionale të diplomacisë së shtetit shqiptar, mërgimtarët tonë në Suedi, të bashkuar, u angazhuan në organizimin e jetës shoqërore. Formuan Shoqatën “Papa Klementi XI Albani”, e cila tani e konsoliduar, veprimtarinë e vet e ka shtrirë në shumë fusha të jetës shoqërore në diasporë, përmes aktiviteteve kulturo-arsimore. E filluan me sensibilizimin e opinionit suedez e më gjerë, me mbledhjen e ndihmave, të cilat vazhdojnë ende, ndihma këto që bënë të mundur që populli i Kosovës të mos gjunjëzohej asnjëherë.

Prof. Hysni Syla: Libri “Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi” 3, dëshmon se shqiptarët që jetojnë sot në Suedi dhe në vendet e ndryshme të Evropës dhe të botës, numri i të cilëve, siç dihet, është shumë i madh, janë të organizuar në forma të ndryshme dhe po përpiqen për të ruajtur gjuhën shqipe, e cila, sipas Ismail Kadaresë, është njëra ndër më të rëndësishmet në Evropë.

Padyshim se mërgata shqiptare në Amerikë ka qenë dhe është më e fuqishmja. Por rrugës së saj dhe me sukses është duke shkuar edhe mërgata shqiptare në Suedi, e cila është shumë aktive dhe po arrin suksese të lakmueshme.

Ramadan Haxhijaj: Republika e Kosovës tani shtet i njohur nga shumë shtete të botës, ka dërguar ambasadorë dhe do të dërgojë edhe të tjerë. Por ju them se, Ju ishit, Ju jeni dhe Ju do të jeni ambasadorë jo të politikës, por ambasadorë shpirtëror të denjë që e keni përfaqësuar Kosovën me lot, me djersë dhe gjak.

Te mërgata shqiptare rreh fort zemra për atdheun

Bedri Tahiri, shkrimtar: E veҫanta e kёsaj Shoqate ёshtё se i ka vu vetes pёr obligim qё pёr ҫdo vit tё nxjerr nё dritё edhe njё libёr voluminoz tё quajtur Thesar Kombёtar. Njё titull mjaft i qёlluar e domethёnё: thes+ari= thesari. Kjo shoqatë ka për qëllim që ta kultivojë e ruaj gjuhën dhe kulturën shqiptare në mërgim. Përmes aktiviteteve të ndryshme ajo synon që të nxisë të gjithë ata që janë të prirë të merren me shkrime që ta gjejnë veten në vendin ku jetojnë dhe të veprojnë në formë të organizuar në mënyrë që të krijojnë vlera e vepra më të mira letrare, artistike dhe kombëtare. Shqiptarёt qё jetojnё nё Suedi dje kanё qenё pёrkrahёsit e tё gjitha ndihmave pёr Kosovёn e sidomos tё luftёs sё lavdishme tё UҪK-sё dhe sot paraqesin potencial tё pazёvendёsueshёm ekonomik, politik e intelektual… Ne sot po e pёrurojmё vёllimin e tretё tё librit ”Thesar Kombëtar i Mёrgatёs Shqiptare nё Suedi 3”. Libri ngërthen në vete në mënyrë të dokumentuar aktivitetet e zhvilluara nga komuniteti shqiptar në Suedi në dobi të çështjes kombëtare. Lёnda aq e pasur dhe e larmishme, me njё pёrkushtim tё pashoq tё redaksisё sё zgjeruar, individёve e grupeve punuese, ёshtё mbarёshtruar mirё e mbarё brenda 750 faqesh, duke u konceptuar nё tetё kapituj tematik e pёrmbajtёsor.

Mr. Fadil Gecaj: Edhe përurimi i sotëm i librit “ Thesari Kombëtar 3” është një promovim i vlerave, që është fryt i punës së palodhshme të SHSHASH “ Papa Klementi i XI Albani” në Suedi. Vërtetë veprat e tyre janë një thesar i çmuar, të cilat shumëkush do të dëshironte t’i këtë në bibliotekat e tyre. Këtë libër, sikur edhe dy të mëparshmit, e karakterizon puna kolektive, apo më mirë me thënë puna ekipore, e cila kërkon shumë përkushtim, disiplinë e respektim të mendimit të njeri- tjetrit.

Prof. Dr. Mehmet Rukiqi: Vepra “ Thesari Kombëtar i Mërgatës Shqiptare 1 “, në Suedi, është një ndër dhuratat më të çmuara, për 100 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe të ngritjes së Flamurit Kombëtar, për herë të dytë, në Vlorë, më 28 nëntor 1912…

… Shoqëria “Papa Klementi XI Albani” është besnikërisht duke e ndjekur traditën tonë historike të mërgatës shqiptare që fillon me “Besa Besën” në Boston, në krye me Fan Nolin në vitin1907 deri te shoqëria “Vatra” në Amerikë dhe pa fije dyshimi që do ta vazhdojë rrugën e vet besnikërisht në të ardhmen sikurse shoqatat simotra të lartëpërmendura.

Prof. Zekë Murseli: Na gëzon fakti se në këto ditë vere tubohemi për vlera, për krijime që vërtetë janë një thesar i kombit tonë.

Gazmend Boletini, stërnip i Isa Boletinit: Ajo që më së shumti me pëlqen në librat “ Thesari Kombëtar” është se aty nuk ka shkrime me ngjyra politike, por në to hidhet dritë për humanitetin, aktivitetin në fushën e pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të shumë e shumë mërgimtarëve tanë në luftën çlirimtare.

Mursel Ibrahimi, ish kryetar i Komunës së Mitrovicës: … Kontribut në paqë, kontributë në luftë, kontribut financiar, kontribut shkencor dhe kontribut solidar. Ndaj këta njerëz tanë që gjithnjë ishin e janë të lidhur për atdheun meritojnë një lëvdatë shumë të madhe.

Viron Kona nga Shqipëria: “Te ju kam parë zemra, që rrahin fort për atdheun”.

FESTË ATDHËTARIZMI…

… 1. Kur përurohen vepra, me vlera të çmuara…

Më 30 tetor 2013, Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë të Suedisë, “Papa Klementi XI-Albani”, përuroi në sallën e Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit Tiranë, dy vepra voluminoze, “Thesar Kombëtar”1 dhe 2.

Ishte një manifestim entuziast, emocionues dhe mbresëlënës. Salla ishte e mbushur me njerëz të letërsisë, artit dhe kulturës, me gazetarë e studiues, mësues e nxënës, të rinj dhe të moshuar, plot e për-plot.

… 3. – Dy margaritarë më shumë, në gjerdanin e artë të kulturës…

… Ashtu si Tirana dhe Durrësi, i priti “Thesarë Kombëtarë” 1 e 2, Prishtina, disa muaj më parë. Kështu do të vepronte çdo qytet dhe krahinë, kështu do të vepronte e tërë Shqipëria, e tërë Kosova, mbarë trojet shqiptare dhe Diaspora, sepse ajo ishte festë e atdhetarizmit shqiptar.

Agim Bahtiri, kryetar i Mitrovicës: Ndjehem i nderuar që marrë pjesë në promovimin e një libri, që është fryt i punës të bashkatdhetarëve tanë në Suedi, të cilët me veprimtarinë e tyre të palodhshme po lënë gjurmë në kulturën tonë të përgjithshme kombëtare, por edhe në kulturën e shtetit ku jetojnë dhe veprojnë. Për kontributin dhe sakrificën e mërgatës shqiptare dhe veçanërisht për kontributin dhe sakrificën e shqiptarëve në Suedi, ne mitrovicasit jemi të njoftuar shumë mirë dhe për këtë arsye ju jemi mirënjohës përgjithmonë.

Halit Barani: Ky libër voluminoz, i ndarë në kapituj, pasqyron punën dhe veprimtarinë e palodhshme të intelektualëve shqiptarë në Suedi dhe kontributin e mërgatës shqiptare në të gjitha segmentet e jetës. Libri është i pasuruar me shumë faktografi nga puna e anëtarëve të Shoqatës “Papa Klementi XI-Albani” dhe takimi i tyre me miq nga të gjitha trevat shqiptare, ku kanë shkëmbyer përvojat e tyre, për të vazhduar më pas me poezi e prozë, anekdota dhe artikuj gazetash, nga autorë të ndryshëm. Në faqet e këtij libri një vend të rëndësishëm zënë personalitetet dhe familjet kontribuese…

Në këtë rast dua ta përmend kontributin dhe veprimtarinë e palodhshme të Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Papa Klementi XI-Albani” në Suedi. Kjo shoqatë nxori në dritë përvojën e mërgatës suedeze dhe që nga themelimi e deri më sot e ndau fatin dhe veprimin me popullin e vet në Kosovë dhe më gjerë.

Ish-Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli: I përgëzoj të gjithë anëtarët e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi,… të cilët për asnjë moment nuk kanë pushuar së angazhuari dhe nuk pushojnë së angazhuari në drejtim të krijimit të krijimtarisë së tyre, jo vetëm para opinionit ku ata jetojnë, por mbi të gjitha para opinionit në Kosovë.

Prof. Dr. Jusuf Osmani: Duke ditur se ”thesari kombetar ” është një vepër e një rëndësie të veçantë, vlera e saj është e shumëfishtë. Vlera e saj rritet edhe më shumë me kalimin e kohës, sepse kujtesa njerëzore – të predikuarit e tyre të cilat barten nga brezi në brez kanë rëndësi të madhe shoqërore dhe vlerë historike .

Prof. Ymer Berbati: Thesari 3 prej 757 faqesh ngërthen në vete një mal veprimtarish e aktivitetesh të shumanshme. Njeriu nuk do të ishte njeri po të mos ishte zbukurimi e fisnikërimi i ambientit dhe jetës së tij. Këtë veçanti krijuse e njerëzore, e prekim dhe e ndjejmë më shpirt gjatë leximit të këtij Thesari të mrekullushëm. Këtë material shoqata e krijuesve e ka mbledhur posi bleta nektarin dhe e ka vënë ne Kosheren e mjaltit të kulturës kombëtare.

Engjëll Berisha, Drejtori i Bibliotekës „Dr. Ibrahim Rugova“ në Gjakovë: Një përmbledhje e veprimtarisë së diasporës, nga një grup veprimtarësh në Suedi, në një libër me emërtimin ”Thesari Kombëtar”, me një gamë redaksie, dhe Kryesi e Shoqatës e udhëhequr nga veprimtari Hysen Ibrahimi, dhe grupi punues secili me punë specifike dhe voluminoze, paraqet një vepër e cila për mua më shumë i kontribuon kujtesës së një kombi, prej së cilës bëhet historia, kur dihet se truri i kombit shqiptar është i shpërndarë, ashtu siç është e shkapërderdhur qenësia e jonë në shumë shtete, në shumë kufij, në shumë kontinete dhe në shumë mënyra… Ky grup mërgimtarësh, kjo diasporë në Suedi, ashtu siç e thotë ky libër, ashtu siç mësohet nga shumë shkrime, ashtu siç e thonë të tjerët nga vende tjera të diasporës, është shumë i organizuar. Edhe pse, Kosova është e çliruar, shpirtin e tyre e okupon dashuria për vendin. Veprojnë njësoj, duke sjellur ndihma humanitare, duke u takuar për ta përshkruar jetën politike e ekonomike të vendit të lindjes, e për t´ia përkushtuar ndonjë tregim, poezi apo referim tjetër e që i shërben edhe letërsisë.

Prof. Halil Haxhosaj: Për veprën e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” me titull “Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi, 3” mund të flitet, shkruhet e studiohet edhe më tepër dhe më shumë, sepse kjo përveç se thesar kombëtar shqiptar, është edhe një monografi historike e të gjitha veprimtarive të shqiptarëve atje. Andaj këta shqiptarë të kësaj mërgate me siguri e duan mëmëdheun e tyre, Kosovën martire, tash “edhe më mirë”, edhe më shumë, edhe më ngrohtë! E kanë dashur, e duan dhe do ta duan! Edhe përgjithmonë, edhe përherë, edhe deri në pakufi…!!!

Besa Gaxherri: Kjo vepër flet për historinë kombëtare, për veprimtarinë e shumë atdhetarëve, artin, kulturën, ekonominë, poezinë por edhe për të ardhmen.

Azem Gashi nga Peja: Fjalët janë të varfëra për ta shprehur gjithë madhështinë e kësaj vepre, të këtij margaritari të çmuar që bëni ju atje në mërgim.

Nëse njeriu thellohet sado pak në këto vlerësime që u jepen Thesarëve tanë kombëtar, nuk mund të ngelë më anësh pa u emocionuar kur fare qartazi sheh se me të vërtetë janë krijuar thesare të çmuara shkencore të cilat do të lënë gjurmë shqiptare e atdhetare në Suedi me vlera të cilat do t´u shërbejnë edhe gjeneratave të ardhme.

Por, këtu duhet të theksohet edhe një çështje, edhe një fakt: përveç ndjenjës dhe dashurisë për atdheun e kombin, mundësinë për krijimin e Thesarëve kombëtar na e ka krijuar edhe shteti suedez, edhe populli mik suedez. Suedia neve na na ka ndihmuar, na ndihmon edhe sot dhe neve na sheh si ambasadorë të mirë të Shqiptarisë – të vendit të prejardhjes. Shi për këtë ne e falenderojm shumë këtë shtet”, përfundoi Prof. Fetah Bahtiri.

Filed Under: Mergata Tagged With: Shqiptaret en Suedi, Xhavit Citaku

Taktikat serbe rreth hetimit të vrasjes së vëllezërve Bytyqi

June 8, 2015 by dgreca

Organet serbe të hetuesisë dalin me versione “ ngreh e mos këput” pa bërë ndonjë hap serioz për zbardhjen e këtij krimi makabër/
Shkruan: Xhavit Çitaku/
Shikuar larg në historin serbe, ata janë mjaft të përgatitur për të ndërtuar hipoteka nga më të ndryshmet në mënyrë që të shpërlahen nga ndotësitë çnjerëzore që i kanë bërë e i bëjnë edhe sot e kësaj dite ndaj të tjerëve e sidomos kur janë në pyetje shqiptarët. Të bindur thellë se pa u zbuluar rrethanat dhe vrasësit e vëllezërve Yll, Mehmet dhe Agron Bytyqi marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe SHBA-ve nuk mund të bien në “ binar” të shëndosh, autoritet serbe, përkatësisht prokuroria e këtij shteti krijojnë skena të reja kinse janë në rrugë të mirë të hetimeve që po zhvillohen nga paslufta e deri me tash. Shpifin e çka nuk shpifin jo vetëm prokuroria por edhe pushtetarët e këtij shteti. Për të humbur gjurmët, apo më mirë më thënë për të mbrojtur vrasësit e vërtet të vëllezërve Bytyqi, këto ditë prokurori serb doli para opinionit me një “ margaritar” që askujt nuk mund t’ia mbush mendjen e posaçërisht SHBA-ve. Ky përfaqësues i organit hetues serb “ topin” tash e gjuan dhe e fajëson ish-ministrin e punëve të brendshme të Serbisë Vllajko Stoilkoviq, i cili bëri vetëvrasje në vitin 2002 para parlamentit ish-Jugosllav. Ky është një shembull tipik serbian që tregon se si i hetojnë krimet e luftës organet e prokurorisë. Pra, tash kinse kanë ardhur në përfundim se urdhërinë për të likuiduar këta tre shqiptaro- amerikan e kishte dhënë Stoilkoviq, i cili tashmë është i vdekur dhe i cili nuk mund të dëshmoj se si , kush dhe ku u vranë shqiptarët.
Një politik e tillë e shpifur e autoriteteve serbe ka vetëm një qëllim: prolongimi i mëtejmë e zbardhjes së këtij krimi, për të cilin edhe prokuroria, edhe organet e tjera policore e gjyqësore, por edhe pushtetarët e dinë mirë se kush janë urdhërdhënësit dhe autorët e vrasjes, me emër e mbiemër. Ata shëtisin lirshëm pa u brengos se do të prangosen ndonjëherë. Thënë me gjuhën e fakteve, organet serbe të hetuesisë dalin me versione “ ngreh e mos këput” pa bërë ndonjë hap serioz për zbardhjen e këtij krimi makabër.
Deklarata kontradiktore
Derisa prokurori serb hedh në dritë disa detaje fillestare, pas 16 vjetëve, se nga erdhi urdhëri për likuidim të shtetasve shqiptaro- amerikan, në anën tjetër ministri i punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daqiç pranon se ka presion nga Vashingtoni, mirëpo kur nuk ka fakte nuk mund të arrestohen njërzit në rrugë, deklaroj ai. Janë këto lojëra serbe që do të vazhdojnë deri sa t’iu shkon “ kungulli mbi ujë”.
Ndërkaq, kur është çështja tek shqiptarët këtu nuk ka “ pardon”, për ta u formuan e do të formohen gjyqe paralele dhe atë vetëm për vepra të supozuara dhe të shpifura, në rend të parë, nga shteti fqinj Serbia.
Dhe krejt në fund. Qeveria amerikane tashmë është dashur ta kuptoj këtë lojë serbiane dhe është ky pushtet sikurse edhe të gjithë të tjerët se nuk janë të interesuar që në bankën e të akuzuarëve të ulën ata që kryen krime të rënda kundër njerëzimit. Shembulli i Karagjiqit, të cilin nuk mund ta “ “gjenin” duke mbajtur mësim në universitet, është dëshmia më e mirë se sa janë të përkushtuar organet serbe për të arrestuar e dënuar ata që bënë krime.

Filed Under: Analiza Tagged With: taktika serbe, velelzerit Bytyqi, Xhavit Citaku

Eksperimentet ndërkombëtare të drejtësisë në Kosovë

June 3, 2015 by dgreca

Praktika gjyqësore e shqiptuar për të akuzuarin Sami Lushtaku nuk mund të jetë analoge bazuar me hetimet e zhvilluara dhe dëshmitë e ofruara/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Procesi gjyqësor në shkallën e parë për grupin e Drenicës përfundoi. Përfundoj “ pamëshirshëm “ dhe me fakte jo të bindshme që i kishte në shqyrtim trupi gjykues i EULEX-it. Pra, ndaj tyre u shqiptuan 65 vjet burg. Ndaj, edhe shtrohet pyetja se a e” mirituan” këtë dënim kaq të rëndë këta luftëtar të lirisë. Ka edhe shumëçka për të thënë e për të dyshuar se mos vallë është ky një proces i montuar politik i porositur nga “kuzhinat” e Beogradit që shpifin e hartojnë skenar të rrezikshëm kundër shqiptarëve e sidomos ndaj ushtarëve e eprorëve të UÇK-së. I gjithë opinioni jo vetëm i brendshëm, por edhe ai ndërkombëtar e di se ende qëndrojnë akuzat e ngritura nga gjykatat serbe për udhëheqësit e ushtrisë çlirimtare, akuza këto që janë shpërndar në të gjitha institucionet e drejtësisë ndërkombëtare dhe të organeve tjera ndjekëse.
“ Trillimi” rreth praktikës gjyqësore
Në sistemin e drejtësisë, përkatësisht në fushën e gjyqësisë janë të parapara në rastet e rralla edhe praktika gjyqësore, ashtu siç po arsyetohet EULEX-i për rastin e Sami Lushtakut, kryetar aktual i komunës së Skenderajt. Mirëpo, për t’u bërë kjo gjë rasti duhet të hetohet e argumentohet me fakte përmbajtësore në shumë dimensione që ofron drejtësia “ moderne”, të cilat me në fund do të mund t’ua mbushin mendjen jo vetëm gjyqtarit por edhe opinionit të gjerë. Do të thotë se rasti konkret është hetuar aq shumë sa që janë hequr të gjitha dilemat se vrasja është kryer nga i akuzuari. Edhe EULEX-i kishte angazhuar hetues të shumtë dhe asnjë prej tyre nuk ka mundur të nxjerr e të gjejë fakte nga banorët e atyre tri fshatrave të Drenicës, në mesin e të cilave pretendohet se është kryer vepra. Posaçërisht hetuesit nuk kanë mundur të argumentojnë se në këto fshatra është vrarë bashkëfshatari i tyre në vendin e supozuar nga EULEX-i. Së këndejmi, një praktikë gjyqësore e marrë parasysh nga trupi gjykues i EULEX-it ndaj Sami Lushtakut, komandant i Zonës së Drenicës në kohën e luftës çlirimtare, nuk ka mundur të aplikohet sepse nuk është analog karshi gjithë procedurës hetimore që është zhvilluar dhe u paraqitën në seancën gjyqësore. Pra, nuk mund të aplikohet një praktikë gjyqësore e bazuar vetëm në dëshmitë e një dëshmitari, i cili do të mund t’i hynte kësaj aventure kundër këtij eprori për çështje hakmarrëse, inati apo për çështje të tjera personale. Do të duhej të dëshmonin edhe përcjellësit e Sami Lushtakut, sepse si një komandant që ishte ai në asnjë rrethanë nuk ka mundur të ishte i vetëm gjatë rrugëtimit të tij dhe drejtimit të operacioneve luftarake në terren. Kjo gjë me sa e kam përcjell me vëmendje këtë proces gjyqësor nuk është bërë.
Përse më shumë po ndiçën ushtarët shqiptar se sa kriminelet serb
Është numër i madh i të vrarëve shqiptar gjatë luftës së pabarabartë të zhvilluar në Kosovë. Janë vrarë rreth 15 mijë shqiptarë. Të zhdukur edhe rreth dy mijë të tjerë. Edhe më keq: u përdhunuan rreth 20 mijë vajza e gra, shumë prej tyre u vranë e u masakruan në mënyrën më mizore. U dogjën e u shkatërruan me themel mbi 180 mijë shtëpi. U plagosen, u torturuan e ndoqën nga trojet e tyre mbi një milion shqiptarë. Për të gjitha këto krime të luftës dihet me emër e mbiemër se kush i ka krye e kush i ka urdhëruar të kryhen. Këtë gjë e dëshmojnë edhe pjesëmarrësit serb në ato krime, në atë tragjedi shqiptare, në atë skenar të kobshëm për shqiptarët. Edhe këta, pra, e drejtojnë gishtin kah ata që kanë kryer krime, i kanë paraqitur në prokurori të ndryshme serbe, por edhe i kanë njoftuar edhe organet e drejtësisë evropiane me emër e mbiemër se kush janë ata gjakpirës që kryen aq shumë krime në Kosovë. Mirëpo, për çudi askush nuk ndërmerr asgjë. Këto dëshmi nuk i merr parasysh askush. Organet gjyqësore e hetimore serbe jo se jo, por as ato evropiane e ndërkombëtare nuk po bëjnë asgjë, po e injorojnë këtë gjë. Më shumë po iu intereson, disave qarqeve, që para bankës së të akuzuarëve të dalin luftëtarët e lirisë së Kosovës se sa ata që kryen krime të rënda lufte në kosovë. Pra, kriminelet serb shëtisin të lirë, bile mbajnë edhe poste të rëndësishme në Serbi siç është rasti me eprorin e lartë të ushtrisë serbe Dikoviq, ndërsa ushtarët e UÇK-së tash po edhe në të ardhmen do të përballen me akuza të pa argumentuara sa e si i kërkon një sistem i mirëfillt i drejtësisë.
Nisur nga një pabarazi e tejdukshme që po ndodh pas luftës së zhvilluar në Kosovë në aspektin e ndjekjes së atyre që kryen krime, është e kuptueshme që edhe reagimi i qytetarëve është i arsyeshëm të cilët pyesin: si është e mundur që për luftëtarët e lirisë të formohen kaq shumë gjyqe paralele, ndërsa për kriminelet serb iu është besuar që me ta merren organet e atij shteti që ishte nxitësi i luftës dhe ushtria si dhe të gjitha grupet e ndryshme kriminale kryen gjenocid mbi popullatën shqiptare dhe popujt e tjerë në ish-Jugosllavi. Këto eksperimente të një sistemi të këtillë të drejtësisë mund të ndodhin vetëm në Kosovë e akund tjetër. Në emër të asaj se ju kemi ndihmuar për t’u çliruar nga okupuesi serb, kjo nuk do të duhej të ndodh. Tehu i aktivitetit do të duhet të orientohet shumë më tepër kah kapja e dënimi i atyre që vranë e masakruan qindra mijëra qytetarë të pafajshëm, që përdhunuan mijëra vajza e gra, që shkatërruan e pasurinë e qytetarëve, që shumë vështirë e patën të mëkëmben. Nuk pretendoj t’i mbroj ata që eventualisht kanë kryer ndonjë vepër të ndëshkueshme, por siç thotë një fjalë popullore “ katundi që shihet kallauz nuk do”.

Filed Under: Analiza Tagged With: - KOHA E KOSOVËS, Drejtesia, eksperimente nderkombetare, Xhavit Citaku

Mërgata shqiptare thesar i çmuar i qytetërimit ilir

June 1, 2015 by dgreca

Dy javë pas përfundimit të këtij sesioni shkencor botohet numri i katërt i “ Thesarit Kombëtar të mërgatës shqiptare në Suedi”, i cili ndriçon veprimtarinë e pakursyeshme të shqiptarëve në truallin e Suedisë për të vënë gurë në themelin e shtetit të Kosovës/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Rrugët e qytetit bregdetar Falkenberg në Suedinë e largët sot kishte një pamje pak më ndryshe se ditëve tjera sepse, pos komunitetit të këtushëm shqiptar, kishin ardhur mysafirë nga shumë shtete të Evropës e besa edhe nga Kosova dhe Shqipëria nënë për të marrë pjesë në sesionin shkencor të emërtuar “ Kontributi i mërgatës shqiptare në Suedi dhe i miqve sudez për shqiptarët dhe çështjen e Kosovës”, që organizohet për të katërtën herë me radhë nga SHSHASH “ Papa Klementi i XI Albani”, që më sukses vepron tash e disa vite në këtë vend t skandinav. Në fillim, siç e do rendi, u paraqitën fjalë përshëndetëse nga nikoqiri, kryetari i shoqatës, Hysen Ibrahimi dhe Mustafë Kabashi, i cili dha kontribut të madh në mbajtjen e këtij tubimi, ndërkaq në vazhdim me kumtesat e tyre u paraqitën Bedri Paci, Osman Ahmetxhekaj, Hysen Ibrahimi, Mone Juniku, nga Finlanda, Avdyl Uka, Rrahman Rrahmani, Sokol Demaku, Fahredin Berisha . Emërues i përbashkët i të gjitha temave të shtjelluara në këtë eveniment ishte se mërgata shqiptare është një thesar i çmuar i qytetërimit ilir, e cila me mençuri, me shkathtësi të mendjes dhe me një freski të shpirtit diti aq mirë që të lartësoj aq bukur kulturën, historinë e traditat shqiptare edhe në dhe të huaj. Thënë konkretisht, komuniteti shqiptar jo vetëm në skandinavi, por edhe gjithandej i vendosur në të gjitha kontinentet ishte jashtëzakonisht mirë të organizuar dhe dha kontribut të madh në sensibilizimin e situatës së rëndë në kohën e okupimit klasik nga Serbia, në grumbullimin e mjeteve në Fondin e Trepërqindshit, mbajtjen e familjeve në Kosovë, në shërimin e të sëmurëve dhe zgjidhjes së shumë vështirësive në të cilat gjendej populli i Kosovës dhe së fundi edhe me pushkë në dorë luftoi për çlirimin definitiv të Dardanisë. I gjithë ky sukses i mërgatës shqiptare në Suedi, siç tha Saranda Iseni, e cila si çdo herë madhështoi këtë eveinemnt me paraqitjen e saj të mrekullueshme, sot po kurorëzohet me veprën voluminoze, apo minienciklpoedinë, minierën apo shtyllën vertebrale siç poetët strugan e kanë quajtur librin “ Thesari Kombëtar i mërgatës shqiptare” në Suedi”.
Më detajisht rreth këtij libri të katërt me radh foli Fetah Bahtiri, Kryetar i Këshillit redaktues, i cili vuri në pah se deri me tash SHSHASH “ Papa Klemneti XI Albani” ka nxjerr në dritë tre libra me titull “ Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi”, ndërsa dy javë pas këtij sesioni shkencor do të botohet dhe numri i katërt, që do të këtë mbi 800 faqe. Këta libra kanë për synim pikërisht ndriçimin e veprimtarisë së pakursyeshme të shqiptarëve, të cilët në truallin e Suedisë u angazhuan me mish e me shpirt për të vënë gurë në themelin e shtetit që quhet Kosovë. Është planifikuar që ky ndriqim e kësaj veprimtarie të çmuar të bëhet me botimin e diku të rreth dhjetë librave të këtillë me gjithsej 8000- 10000 faqe. Shkrimet mbështeten në hulumtimin e dokumentacionit origjinal i cili si i tillë, i pandriçuar dhe i pabotuar deri me tash, është burim, material shkencor dhe thesar i çmuar, tha Fetah Bahtiri. Hysen Ibrahimi, kryetar i SHSHASH “ Papa Klementi i XI Albani” përkujtoj se mërgata shqiptare ka lënë e po lë gjurmë të thella në historiografinë shqiptare, të cilën gjë po e thonë intelektual, shkrimtar e gazetar, të inspiruar e entuziazmuar nga të dhënat që po i hasin në librat e botuar nga kjo shoqat. Pra, suksesi i madh që po arrihet në këtë shoqat është fryt i vullnetit të paparë të shkrimtarëve, krijuesve, veprimtarëve e sponsorëve shqiptar në Suedi të përkrahur fuqishëm edhe nga institucionet e shtetit të Suedisë, por edhe të Republikës së Kosovës.
Pavarësisht se në çfarë gjendje është atdheu, mërgimtarët e duan atë
Sulejman Dërmaku, krijues nga Kosova, tha se pavarësisht se në çÇgjendje është ndodhur e ndodhet atdheu, mërgimtarët e duan atë, e vlerësojnë, për të ëndërrojnë, madje edhe ëndërrat i shohin në atdhe, për të veprojnë, madje edhe sakrifikojnë. Sipas një urtie të lashtë, njeriu duhet të udhëtoj për t’ia ditur vlerën shtëpisë, për t’ia ditur ngrohtësinë vendlindjes, për t’ia ditur peshën atdheut. Kjo dukët ka mbetur aktuale sot e gjithë ditën. Sado që njeriun shkaqe e arsye të ndryshme të së përditshmes e shtyejnë drejt vendeve të tjera, drejt viseve më të bukura e më të pasura, megjithatë, sapo tÇi vizitoj ato, madje edhe kur krijon mirëqenie tek ato, ai bindet se rehatinë e shtëpisë, ngrohtësinë e familjes, afrinë e rrethit, qetsinë shpirtërore, aromën e vendlindjes, ndjenjen e sigurisë, madje edhe në atdheun e pasigurt, pavarësisht nga shkalla e tyre e zhvillimit, nuk i gjen dot në to. Përsiatjet e tilla të shtynë të konkludosh se atdhedashuria kulmore gëllin ndër mërgimtar, tha pos tjerash Dërmaku. Ndërkaq, Sali Zogiani tha fjalë miradije për aktivitetin e zhvilluar të mërgatës shqiptare në Suedi dhe vlerësoj lartë librat e botuar nga shoqata e shkrimtarëve, të cilat i quajti vepra enciklopedike me materiale të botuara publicistike, letrare nga të gjitha fushat e krijimtarisë, të cilat në radhë të parë i shërbëjnë kombit e atdheut, historisë, artit. Ai përkujtoj të pranishmit se edhe librin e tij të pestë me anekdota ia ka kushtuar mërgatës, të cilin e ka emërtuar “ Dojeni atdheun sa e duan mërgimtarët”.

Në këtë eveniment të rëndësishëm mori pjesë edhe Louise Wernersson, kryetar i komunës së Falkenbergut, i cili dha dhjetë mijë korona për mbajtjen e sesionit, si dhe tha fjalë miradije për komunitetin shqiptar që jeton në këtë mjedis, i cili është integruar shumë mirë në shoqërinë suedeze dhe është bërë faktor i rëndësishëm në shumë fusha të jetës e të punës. Kishin ardhur edhe Nikollë Lleshi, kryetar i shoqatës për miqësi Shqipëri- Itali, Sali Zogiani, Kosovë, Sulejman Dërmaku, Kosovë, Besnik Camaj, Zvicër, Drita Nikoliqi- Binaj, Vojvodinë, Imri Trena, Norvegji, Seveme Fetiqi, Gjermani, Elhame Gjyrevci, Danimarkë, Pashkë Prengu, përfaqësues i Komunës së Laçit- Kurbinë, Shqipëri, Stefan Nilsson, shkrimtar suedez. Të gjithë këta mysafir falënderuan për ftesën, përshëndetën mikëpritjen dhe i uruan suksese punimeve të këtij sesioni shkencor. Mone Juniku në kumtesën e saj të shkurtër preznetoj aktivitetin e madh mërgimtar që është zhvilluar në Finland fal punës ës palodhshme të veprimtarëve Murtez Miftari, Isa Pllana, Bahri Ibrahimi, Ragip Rrustemaj e shumë të tjerë që ishin themelues të Fondit të Trepërqindshit, të organizimit të mësimit plotësues në gjuhën amtare si dhe të shumë aktiviteteve të tjera të rëndësishme. Edhe një gjë nuk duhet harruar se ne si një popull filantrop në veçanti shprehim respekt për shtetin finlandez dhe suedez që mbështeten dhe inkurajuan veprimtarinë kaq humane dhe fisnike që zhvilluan mërgimtarët tanë, përfundoi ajo. Drita Nikoliqi- Binaj, nga Shqipëria, por që një kohë të gjatë jeton, krijon e vepron në Vojvodinë të Serbisë, tha se duke u nisur nga parimi për të ruajtur kulturën, traditën dhe gjuhën e ëmbël shqipe, në shqiptarët që jetojmë në Serbi mbarëm iniciativën për të formuar shoqatën e parë të titulluar “ Amëza e shqiptarëve në Serbi”. Imri Trena, kryetar i SHSHASH në Norvegji shkurtimisht u angazhua për të arriturat e komunitetit shqiptar në Norvegji në të gjitha fushat e punës dhe të jetës e posaçërisht në fokus të interesimit hëpërhë është organizimi i mësimit për fëmijët shqiptar. Në këtë sesion folen edhe Besnik Camaj, Zvicër e Seveme Fetiqi, Gjermani për punën e madhe që po bëjnë shoqatat e shkrimtarëve në këto dy vende, në të cilat është i koncentruar numri më i madh i mërgimtarëve tanë, por edhe i krijuesve.
Me mjaft interes nga të pranishmit u ndoq edhe një pjesë teatrale kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jasharit e luajtur me mjaft mjeshtri nga Saranda Iseni dhe Ahmet Ahmeti. Profesionalizmi i këtyre dy aktorëve ngjalli emocione tek të pranishmit dhe gjatë do të mbahet në kujtesën e tyre. Mbresa të mëdha tek të pranishmit lanë edhe vallët ritmike të interpretuara bukur nga vajzat e Shoqatës Kulturore, Dardanum Collegium, të Falkenbergut.
Për kontributin e dhënë dhe bashkëpunimin e shkëlqyer me SHSHKSH “ Papa Klementi XI Albani”, kryetari i saj Hysen Ibrahimi ndau shumë mirënjohje e falënderime.

Filed Under: Mergata Tagged With: Mergata Shqiptare, Xhavit Citaku

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 15
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT