FONDACIONI “DOM SIMON FILIPAJ”-NJË DEKADË AKTIVITET HUMANITAR DHE ATDHETAR
-Me rastin e 10 vjetorit të themelimit/
Nga Xheladin Zeneli/
Kur flasim për virtytet shqiptare,gjithmonē mendohet në tre virtytet e njohura të popullit tonë të cilat janë: besa,mikëpritja dhe trimëria. Mirëpo , shpeshëherë harrojmë edhe një virtyt tjetër, po aq i shprehur tek shqiptarët sa edhe tre virtytet e para dhe poashtu i rëndësishëm .Ky virtyt është pra, bamirësia.Aq sa është e lashtë historia e shqiptarëve, po aq është e lashtë bujaria dhe bamirësia e tyre.Aq sa janë shqiptarēt të njohur për mikpritje, për fjalën e tyre të dhënë dhe për trimëri,po aq janë të njohur edhe për bamirësi. Në të vërtetë, bamirësia apo bujaria shkon krah për krah me mikpritjen. Këto virtyte humane,shqiptarët i kanë demonstruar gjatë gjithë historisë së vet.Ata kur kanë hapur dyert e shtëpisë së tyre për miqtë dhe për të panjohurit,ata njëkohësisht kanë ndarë me ato edhe kafshatën e gojës.Por jo vetëm këtë. Ata shpeshëherë kanë lënë vehten dhe familjen e tyre ndoshta të uritur vetëm për të ushqyer mikun e shtëpisë.Kurse, solidaretiti në mes bashkëkombësve të një gjaku e gjuhe, ka qenë dhe është një karakteristikë e veçantë ndër shqiptarët. Këto janë virtyte hyjnore që i njeh vetëm një popull me traditë e kulturë të lashtë dhe unike siç është populli ynë.Nuk është e rastit që nga gjiri i popullit tonë lindi humanistja më e madhe që njeh bota- Nënë Tereza.
Shumë bashkatdhetarë kur u larguan nga atdheu dhe emigruan në shtetet përendimore, bartën me vehte edhe virtytet e trashiguara nga baballarët dhe stërgjyshërit e tyre të cilat u bën pjesë e vlerave të tyre jetësore edhe në diasporë dhe asnjëherë nuk harruan nevojat dhe obligimet ndaj vendlindjes së tyre. Duke u nisur nga këto parime të traditës shqiptare,dy bashkatdhetarët tanë, z. Tomë Shkreli dhe z. Zef Gjokaj, me përkrahjen e një grupi të aktivistësh shqiptar nga Komuna e Ulqinit që jetojnë dhe veprojnë në Nju Jork me rrethe, dhjetë vite më parë, themeluan Fondacionin humanitar “Dom Simon Filipaj “. Fondacioni u themelu në Maj të vitit 2005 por aktivitetin e vet e filloi në Tetor të të njëjtit vit, dhe të Dielën, me 25 Tetor 2015, në lokalin “Maestro’s”, në Bronks( Nju Jork) do të festohet 10- vjetori i aktivitetit të tij.
Fondacioni mban emrin e meshtarit të shquar shqiptar Dom Simon Filipajt (1925-1999),i cili lindi në Kllezën ( Anë të Malit), dhe i cili ia kushtoi 40 vite të jetës së tij përkthimit të parë të Biblës në gjuhën shqipe .Për kontributin e dhënë për kishën katolike ndër shqiptarë, në vitin 1988 Selia e Shenjtë i dha Filipajt titullin e lartë “Imzot” (Monsinjor), ndërsa në vitin 1992 u shpall “Prelat Nderi” nga Papa Gjon Pali II. Për rolin e tij në dobi të kulturës shqiptare, në vitin 2004 , dekorohet ( pas vdekjes) nga presidenti i atëhershëm i Republikës së Shqipërisë, z.Alfred Moisiu me Urdhërin “Naim Frashëri” i Artë.
Fondacioni “Dom Simon Filipaj”, i cili kryesisht grumbullon rreth vehtes bashkatdhetarë me prejardhje nga rrethi i Ulqinit, që nga themelimi i vet,mbledh mjete financiare në kumunitetin shqiptar, mjete këto të cilat shpërndahen, kryesisht për familjet e rrezikuara shqiptare, pra për ato familje të cilët gjinden në gjendje më të vështirë ekonomike, por edhe për dedikime të tjera në forma të ndryshme të ndihmave financiare në vendlidje.E kam përcjellë aktivitetin e këtij Fondacioni që nga fillimi dhe mund të konstatoi se Fondacioni “Dom Simon Filipaj” , sa i përket aspektit humanitar, është një ndër fondacionet më konsistente në mbledhjen e fondeve në komunitetin shqiptar të New York-ut, duke organizuar për çdo vitë, që nga viti 1995, në muajin Tetor mbrëmje fondmledhëse ,ku mesatarisht,për çdo vit mblidhen rreth 25.000 dollarë. Kjo arrihet falë punës dhe dedikimit të aktivistëve të tij,por ajo që është më e rëndësishme,falë zemërgjerësisë së pjesëtarëve të kumunitetit të vet , të cilët përmes kontributeve dhe donacioneve të tyre, ndihmojnë drejtëpërsëdrejti,në sadopak përmirësimin e gjendjes së vështirë ekonomike të individëve dhe familjeve të caktuara ,kryesisht në Komunēn e Ulqinit. Donatorë apo kontribues të Fondacionit,nuk janë vetëm shqiptarët por edhe qytetarë amerikan. Z.William Lee Frost gjatë vitit 2009-2010 kontriboj dy herë me nga 5,000 dollarë, pra gjithësejt 10,000 dollarë, dhe Fondacioni i është mirënjohës për gjestin e tij bujar.
Fondacioni “Dom Simon Filipaj”, që nga themelimi i tij në vitin 2005 e deri më sot ka mbledhur më shumë se 250,000 dollarë.Përveç ndihmave ndaj familjeve me gjendje të vështirë ekonomike në Komunën e Ulqinit, ky Fondacion ka ndihmuar dhe vazhdon të ndihmojë, përmes bursave,shkollimin e dhjetra studentëve shqiptarë , shkollën për fëmijë me aftësi të kufizuara në Anë të Malit ,raste të individëve të sëmurë dhe lehtësimin e përballimeve të shpenzimeve të tyre mjekësore si dhe aktivietete të ndryshme kulturore, siç është “Pranvera në Anë të Malit “, botimin e librave dhe revista e të ndryshme , për disa vite me radhë ka ndihmuar financimin e revistës së Shkollës Fillore në Katërkollë- ” Shkëndia”, revistën ” Buzuku” , etj. Në vitin 2010, Fondacioni në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptaro-Amerikane ” Ana e Malit” realizuan aksionin e blerjes së autoambulancës në SHBA dhe dërgimin e saj në Qendren Shëndetësore në Ulqin për nevojat emergjente të banorëve të kësai komune, me vlerë rreth 25.000 dollarë. Në vitin 2012, gjithashtu u financu edhe një autoambulancë tjetër nga ana Fondacionit “Dom Simon Filipaj”,për të njëjtën qendër shëndetësore me shumën prej 23.000 euro.Në vitin 2009, Fondacioni në bashkëpunim me Shoqatën “Ana e Malit ”
në Nju Jork, sponzoruan aktivitetin e Dr.Ross ( nga SHBA) dhe ekipit te tij lidhur me realizimin e një kursi për trajnimin e përsonelit të Qendrës Shëndetësore në Ulqin, me qëllim të përmirësimit dhe avancimit të shërbimit përkatës, poaçërisht atij emergjent, për banorët e kësaj komune.Vitin e kaluar, Fondacioni financoi ngritjen e shtatorës së shqipëruesit të Biblës, Dom Simon Filipaj me shumën prej 36.000 dollarëve,inaugurimi i së cilës u bë në Shtator të vitit 2014 në Shën Gjergj të Ulqinit.
Në një situatë të tillë ekonomike në vendlindje ku bashkëvendasit tanë përballohen dita- ditës me vështirësi jetësore dhe ekonomike ,Fondacioni “Dom Simon Filipaj” në Nju Jork, me punën dhe veprimtarinë e vet , po shërben si rreze drite dhe ngjall shpresën dhe besimin tek ata ,se diku larg, përtej oqeanit, në SHBA, kanë ku të mbështeten në rast nevoje e vështirësie.
Me këtë rast ,përgëzojmë Fondacionin “Dom Simon Filipaj” në përvjetorin e dhjetë të themelimit të tij, duke i uruar edhe shumë përvjetore të tjerë dhe gjithënjë suksese në punën e rëndësishme dhe jetike që po bën, jo vetëm në misionin e tij bamirës ,duke përkrahur materialisht bashkëvendasit tanë, por duke shfaqur përkushtimin ndaj vendlidjes,njëherit po kryen edhe misionin atdhetar.
24 Tetor 2015
Nju Jork
SHQIPTARËT NË MAL TË ZI,NUK KANË FLAMUR TJETËR PËRVEÇ ATIJ KUQ E ZI
Nga Xheladin ZENELI/
Paraqitja me flamurin shqiptar e pjesëtarëve të Shoqatës së Bjeshkatarëve “Rumia” dhe pjesëtarëve të shoqatave të tjera,me rastin e ekspeditës së tyre tradicionale në malin e Rumisë, me 7 Qershor 2015, në rend të parë, nxiti reagimin e gazetës “Dan”,e njohur me reagimet e saja denegruese ndaj shqiptarëve.Një akt i paprecedent në etikën dhe normat e informimit bëri gazeta “Dan” kur lajmëroi organet policore në Mal të Zi dhe kërkoi nga ata që të hetohet “incidenti” i ngritjes së flamurit shqiptar në Rumi si dhe të hetohet ligjëshmëria e përdorimit të tij ( pra, flamurit shqiptar) në vende publike (!?) . Ky është një rast i paparë dhe i padëgjuar ndonjëherë i një shteti që e quan vehten “demokratik” ku një medium informativ vihet në shërbim të organeve policore dhe duke kërkuar intervenimin e policisë, tejkalon dukshëm kompetencat e veta dhe sjell në pikëpyetje ate se cili është misioni i vërtetë i këtij mediumi dhe për ke punon gazeta “Dan” !?.
Tani t’i kthehemi pak ligjëshmërisë së përdorimit të flamurit shqiptar në Mal të Zi.Kur gazeta “Dan” kërkon hetimin e ligjëshmërisë së (mos)përdorimit të flamurit shqiptar në vende publike,nga organet e sigurimit, ato arsyetohen me Ligjin për Rendin dhe Qetësinë , aprovuar nga Kuvendi i Malit të ZI, në vitin 2011,përkatësisht neni 23 i këtij Ligji i cili dënon përdorimin e flamurit apo simbolit kombëtar të një “shteti tjetër”,në vende publike,pa lejen e autoriteteve përkatëse.Ironia më e madhe është se ,sipas Ligjit famëkeq në fjalë, shpalosja e flamurit shqiptar ,në mënyrë paqësore, në majën e malit Rumi konsiderohet si “prishje e rendit dhe qetësisë ” (!?). Kurse djegja flamurit shqiptar në mes të sheshit të qytetit të Tivarit nga tifozët vendas e ekipit të hendbollit të Serbisë, (para fillimit të ndeshjes kundër Malit të Zi ),me 10 Qershor, nuk iu prishi qetësinë autoriteteve malazeze dhe as që nxiti ndonjë reagim të gazetës ” Dan”.
Thelbi i problemit qëndron në ate që Kuvendi i Malit të Zi ,i cili aprovon ligje të tilla absurde, konsideron flamurin kombëtar shqiptar si flamur i “shtetit të huaj”, dhe jo flamur i një popullate autoktone siç janë shqiptarët në këtë republikë. Ligji për Rendin dhe Qetësinë është Ligj antikushtetues dhe neni 23 i këtij Ligji duhet të anulohet. Vetë Kushtetuta e Malit të Zi, pjesa e saj ku bën fjalë për të Drejtat e Veçanta të Pakicave, respektivisht , për mbrojtjen e identitetit të tyre, (neni 79 ,alineja 2 ),thotë:
“Pjesëtarëve të popujve pakicë dhe të komuniteteve të tjera të pakicave nacionale u garantohen të drejtat dhe liritë,të cilat mund të përdorën individualisht dhe në bashkësi me të tjerët: në zgjedhjen, përdorimin dhe të shfaqurit publikisht të simboleve kombëtare dhe kremtimin e festave kombëtare”.
Një liri e kufizuar është një liri e mohuar
Që flamuri shqiptar nuk gëzon përdorimin e lirë dhe të plotë të tij në Mal të Zi, dëshmojnë jo vetëm ngjarjet e fundit : ajo në malin Rumi apo ndëhyrja policore me 1 Maj 2015 në Budvë ku nxënësve shqiptar iu ndalua përdorimi i flamurit të tyre kombëtar por edhe raste të tjera të mëparshme ku veçohet ai i vitit 2012 , me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë,atëherë kur në pragun e SHM ” Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin, u muar në polici nxënësi shqiptar i kësaj shkolle,vetëm sepse shpalosi flamurin e popullit të tij dhe këndoi këngën “Xhamadani vija,vija…”.
Edhe Ligji për zgjedhjen,përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve nacionale ( i vitit 2013),gjithashtu kufizon përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar në Mal të Zi.Neni 9 i këtij Ligji përcakton përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve nacionale “në njësitë e vetëqeverisjes lokale në të cilat pjesëtarët e popullit pakicë përbëjnë popullatën shumicë ,në ditët e festave nacionale të popullit pakicë,para objektit të vetëqeverisjes dhe administratës lokale,krahas simboleve shtetërore,shfaqen edhe simbolet nacionale të popullit pakicë e cila përbën mbi 15% të popullatës së kësaj vetëqeverisje lokale …” ( !?). Pra, një e drejtë e cila përkufizohet me përqindje nuk e është e drejtë e plotë por është e drejtë gjysmake dhe si e tillë nuk përmbush kriteriumet apo standardet e lirive të mirëfillta demokratike
Qeveria e Malit të Zi dhe organet e saja vendim-marrëse,si duket nuk e kanë të qartë apo së paku pretendojnë që të mos e kuptojnë faktin se flamuri shqiptar ,për shqiptarët në Mal të Zi,nuk mund të trajtohet si flamur i një” shteti tjetër” ,por flamuri i tyre kombëtar. Shqiptarët në Mal të Zi janë pjesë e ndarë e një populli i cli ka një gjak, një gjuhë ,një histori dhe NJË FLAMUR : flamurin kuq e zi me shqiponjën dykranare. Po ky flamur, është dhe do të jetë simboli i tyre i identifikimit kombëtar pa marrë parasysh se në cilin vend jetojnë ata dhe nga i cili shtet administrohen, pra duke përfshirë edhe shqiptarët në Mal të Zi.
S’ka dyshim se fobia ndaj flamurit dhe simboleve shqiptare është në rritje e sipër në Mal të Zi dhe kjo e ka burimin tek institucionet e shtetit të Malit të Zi siç është Qeveria dhe Kuvendi i tij ,të cilat aprovojnë dhe zbatojnë ligje antikushtetuese,antidemokratike dhe ligje kundër të drejtave të një populli i cili për nga gjuha,kultura,historia dhe për nga simbolet e tij kombëtare,është i veçantë dhe dallohet nga popujt e tjerë që jetojnë në Mal të Zi.
Me qëllim që në të ardhmen t’ju shmangët inskenimeve të panevojshëme të
” incidenteve me flamurin”, duhet që menjëherë të ndryshohen ligjet e lartëpërmendura në at mënyrë që t’ju mundësohet shqiptarëve në Mal të Zi e drejta elementare dhe e natyrshme e përdorimit të lirë dhe të pakufizuar të flamurit dhe simboleve të tyre të kombëtare.
Sepse një e drejtë e kufizuar është një e drejtë e mohuar.
Xheladin Zeneli
17 Qershor 2015
MALIT TE ZI NUK I INTERESON ZHVILLIMI I ULQINIT
NGA XHELADIN ZENELI/
Një ndër qytetet më të bukura bregdetare, me popullsi shumicë shqiptare, që sot gjindet nën administrimin e pushtetit të Malit të Zi, pra Ulqini, edhe përkundër bukurisë dhe resurseve të pasura natyrore që posedon ky qytet,megjithate, sot rradhitet në një ndër komunat më të pazhvilluara dhe qyteti më i pazhvilluar bregdetar në këtë shtet. Ashtu si edhe vitet e mëparshme, edhe viti 2014 që sapo kaloi, nuk solli ndonjë ngjarje apo lajm të rëndësishëm cili do do të ndikonte dukshëm në përmirësimin e jetës dhe standardit ekonomik të banorëve të kësaj
komune.Në të vërtetë viti i ri 2015 filloi me një të dhënë shqetësuese për të punësuarit e Ulqinit, publikuar nga Monstat-i ( Enti i Statistikës së Malit të Zi) i cili raportoi pagat mesatare e të punësuarëve në komunat e Malit të Zi për vitin e kaluar,ku të punësuarit e komunës së Ulqinit, kishin pagat më të ulta në krahasim me komunat e tjera.
Deri më tani janë përpiluar disa master plane për Ulqinin ku parashikohen ndërtime të hoteleve edhe me pesë yje, në përbërjen e të cilëve do të ishin në funksion me mijëra shtretër me akomodime luksose të standardeve përendimore. Por në realitet jo vetëm që asgjë nuk është realizuar nga këto plane, por ka ndodhur e kundërta, pra ka ardhur deri te degradimi drastik i ekonomisë, me theks të veçantë të industrisë hotelerike të komunës së Ulqinit.
Më kujtuhet kur gjatë viteve “80 -ta, të shekullit të kaluar flitej për egzistimin e një master plani të atëhershëm për Ulqinin , ku në mes tjerash parashikohej ndërtimi i një aeroporti lokal në fushën e Shtojit i cili kryesisht do të sherbente si lidhje ajrore për turistët që vizitojnë Ulqinin gjatë sezonit të verës. Tingëllon si ide e mirë por që fatkeqësisht edhe pas rreth tre dekadave, mbeti vetëm ide. A mos vallë dikush vertetë besoi se Mali i Zi do të ndërtonte një aeroport në një vendbanim me shumicë shqiptare, projekt ky i cili do të kishte ndikuar dukshëm në kunkurencën e një aeroporti tjetër i cili gjindet në një qytet tjetër bregdetar por me popullsi sllave, pra bëhet fjalë për aeroportin e qytetit të Tivatit !? Ky është vetëm një shembull i cili tregon se si pushteti malazez ushqen popullin me ëndërra të cilat nuk do të realizoheshin asnjëherë por që do t’i shërbenin atyre si farsë para opinionit se kinëse ky pushtet po mundohet për të ardhmen e këtij qyteti të lashtë .
Por krimi më i madh ndaj qytetit të Ulqinit është bërë me rrënimin e hoteleve të tij gjatë një periudhe disa vjeçare , me preteksin se në vendin e tyre do të ndërtohen hotele të reja nga investitorët privat. Hoteli ” Galeb” një ndër hotelet më të njohura dhe një ndër simbolet e hotelerisë së Ulqinit u ble nga një kompani private për të katërtën herë ( pasi që tre tenderët e mëparshëm dështuan),me 5 shtator 2006 dhe sipas

marrëveshjes punimet e para investuese do të duhej të fillonin në janar të vitit 2007. Por edhe pas shtatë viteve asgjë nuk lëvizë në këtë pikëpamje dhe në vendin ku dikur egzistonte hoteli në fjalë, gjithënjë vazhdon të shihet vetëm zbrazti. Rasti i hotelit Lido, në Plazhë të Madhe është i paprecedent.Investuesi nga Rusia,pasi që nënshkroi marrëveshtjen dhe u zotua për ndërtimin e hotelit të ri, rrënon të vjetrin, tërhiqet nga kontrata, largohet dhe shkon e ndërton një hotel të ri në qytetin Budva (!?).Një fenomen i ngjajshëm ndodh edhe me hotelet e tjerë që presin të ndërtohen apo të rinovohen: shpallet tenderi, paraqitet investuesi, zvarriteten punimet, anulohet marrëveshtja,terhiqet investuesi, paraqitet investuesi i ri dhe kështu me radhë. Këto ndodhin vetëm në Ulqin sepse në vendet e tjera bregdetare në Mal të Zi, zgjidhet çështja pronësore, jepet tenderi për privatizim dhe menjëherë fillojnë ndërtimet. Mjafton ti hedhni një shikim Tivarit, Kotorrit,Herceg Novit, e posaçërisht Budvës e cila po lulëzon me ndërtimin e hoteleve të ri dhe luksuse. Atëherë, përse tenderat, blerësit dhe investuesit e papërgjegjës dhe zvarritjet me pretekse të ndryshme,janë dukuri dhe paraqesin problem vetëm për hotelerinë dhe ekonominë e Ulqinit !? Lidhur me këtë askush deri më sot nuk ka dhënë një përgjigje bindëse apo të logjikshme.
Kur kësaj që u tha më lart i shtohet edhe fakti që komuna e Ulqinit tash më shumë se dy dekada vazhdon të dëmtohet ekonomikisht me Ligjin e ashtuquajtur i të Mirave Detare,përmes të cilit uzurpohet rreth 13% e territorit të kësaj komune nga ana e Podgoricës, me ç’rast nuk i lejohet qeverisë lokale që të administrojë me pjesën më të mirë të vijës së vet bregdetare . Gjithashtu, bregdeti i Ulqinit përbën 17.4 % e bregdetit të përgjithëshëm të Malit të Zi, por pjesa e territorit të kësaj komune që i takon territorit të të Mirave Detare është 57.32% , çka e pozicionon këtë komunë në garë të pabarabartë drejt përparimit ekonomik,me komunat e tjera në Mal të Zi.
Kështu që tani përfitohet një pasqyrë edhe më e qartë se e gjithë kjo çfarë po ndodh me Ulqinin,nuk është koincidencë,por një politikë e paramenduar që dirigjohet nga lart, pra nga Podgorica. Është qeveria qendrore,respektivisht ministria e turizmit si palë vendim-marrëse, e cila është përgjegjëse për zvarritjen apo dështimin e vazhdueshëm të kontratave me investuesit privat për ndërtimin e hoteleve të Ulqinit. Kurse parlamenti i Malit të Zi është përgjegjës për aprovimin e ligjeve të ndryshme që diskriminojnë këtë komunë dhe e vendosin ate në pozitë të pabarabartë me komunat e tjera në Mal të Zi.Përmendem këtu vetëm turizmin si një ndër pjesët më të rëndësishme të ekonomisë së këtij qyteti,por dëme të konsiderueshme kanë pësuar edhe fushat e tjera të ekonomisë së këtij mjedisi siç janë, prodhimtaria bujqësore,blektoria,prodhimi i kripës etj.
Tani shtrohet pyetja se,përse Malit të Zi nuk i intereson zhvillimi dhe përparimi ekonomik i Ulqinit ? A e shikon pushteti malazez zhvillimin potencial të Ulqinit si kërcnim ndaj qyteteve të tjera bregdetare në Mal të Zi si p.sh. Budva,Kotorri, Herceg Novi etj.? A ka mundësi që perparimi dhe zhvillimi ekonomik i Ulqinit do t’a shëndrronte këtë qytet në një fuqi ekonomike dhe financiare dhe si i tillë mund të bëhet edhe fuqi politike? Dhe një fuqi eventuale politike e një komune me shumicë shqiptare do të ishte kundër interesave dhe qëllimeve të Malit të ZI !?
Me keqardhje mund të konstatojmë se mos zhvillimi ekonomik nuk është karakteristikë vetëm e Komunës së Ulqinit por është dukuri egzistuese dhe shumë prezente edhe në trevat e tjera shqiptare, si në Malësi, Plavë – Guci, Krajë e Rozhajë. Dihen shumë mirë se cilat janë pasojat e mos zhvillimit të një qyteti, venbanimi apo
komune, në këtë rast të qytetit të Ulqinit dhe vendbanimeve të tjera shqiptare,pasoja këto që ndikojnë në rritjen e nivelit të papunësisë së banorëve,në pa perspektivën e të rinjëve për të ardhmen të cilët pastaj kërkojnë zgjidhje drejt rrugës së emigrimit apo shpërnguljes në botën e jashtme. Pushteti malazez, në raport me trevat e banuara me poppullsi shqiptare autoktone,gjithënjë vazhdon politikën e vet sipas parimit të njohur i cili thotë se mënyra më e mirë e sundimit të një populli( në këtë rast, të shqiptarëve) është që t’i varfërosh ata sa më shumë duke mos investuar në vendbanimet e tyre apo duke shkatërruar ate çka kanë dhe në këtë mënyrë duke realizuar qëllimin e tyre final në shpopullimin e trevave me popullsi shqiptare dhe kolonizimin e tyre me banorë të kombësisë sllave.
Paradoksi më i madh është se ata të cilët janë zgjedhur të përfaqësojnë intereset e shqiptarëve, nuk po e kryejnë detyrën e tyre si duhet dhe merren shumë me vetëvehten.Shembulli më i fundit i kësaj është ai i dy kualicioneve shqiptare në parlamentin e Malit të Zi, përfaqësuesit e të cilëve,tash disa muaj po konsumojnë kohë dhe energji të panevojshëme duke u marrur me debate dhe argumente të ndërsjellta lidhur me mandatin e deputetëve , me ç’rast vëmendja tërhiqet nga çështjet e mirëfillta dhe jetike të shqiptarëve në Mal të Zi të cilat kërkojnë këmbëngulje,fokus dhe angazhim të vazhdueshëm në zgjidhjen e tyre.
Njikohësisht, shpresojmë që me rastin e vizitës së zv.kryeministrit dhe ministrit të punëve të jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, Malit të Zi,të paralajmëruar me 15 Janar 2015, që temë e bisedimeve të tij me udhëheqësit malazez,të jetë edhe çështja e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe statusi i tyre i pabarabartë në këtë republikë.
RACIZMI SLLAVO-GREK NDAJ SHQIPTARËVE,KËRCNIM PËR PAQËN NË RAJON
Nga Xheladin ZENELI/New York/
Ne Foto: Djegia e Flamurit te NATO-s ne Stadiumin”Partizani” te Beogradit me 14 Tetor 2014 gjate ndeshjes Serbi-Shqiperi/
Ndeshja e fotbollit në mes Kombëtarës së Shqipërisë dhe asaj të Serbisë me 14 Tetor 2014 në stadiumin e Beogradit,që u ndërpre për shkak të dhunës së paparë që u demonstrua nga ana e palës serbe dhe
huliganëve të tyre, ishte vetëm fillimi i asaj dhune dhe urrejtjeje e cila do të vazhdojë edhe pas ndeshjes nga ana e pjesëtarëve të popujve apo vendeve që ne shqiptarët shpeshëherë i quajmë, vende ” fqinjë”.
Java pas ndeshjes, u karakterizu me thirrje dhe veprime antishqiptare si dhe deklarata me plot mllef dhe urrejtjeje të politikanëve zyrtarë ( pozitë dhe opozitë) të shteteve që patëm fatin e hidhur t’i kemi, gjeografikisht pranë nesh.
Kjo filloi me Serbinë,pra me vendin ku edhe u zhvillu ndeshja dhe me deklarimin e pushtetit zyrtar ,respektivisht të presidentit serb , Nikoliq se “Shqipëria nuk do të bëhet kurr shtet normal” ( !?) dhe i karakterizoi shqiptarët si ” ekstremist”. Pasuan djegjet dhe vandalizmi i objekteve afariste shqiptare në Sërbi,veçanarisht ndaj furrave të bukës,pronarë të të cilave kryesisht janë shqiptarët. Javën e kaluar u gjetë trupi i vrarë i një pronari furre në një vend afër Novi Sadit. Policia serbe nuk deklaroi përkatësinë kombëtare të pronarit të vrarë ,por që objekti afarist i tij,mban emërin në shqip” Liria”,tregon që edhe kjo vepër dhune, ishte drejtuar kundër shqiptarëve.Në ndeshjen e futbollit në mes Partizanit dhe Crvena
Zvezda ( të dy ekipe serbe) që u zhvillu me 18 Tetor 2014, në tribunat e stadiumit u djeg flamuri shqiptar nga spektatorët dhe u brohorit parrulla e njuhur fyese ” Kosova është Serbi”. Me 15 Tetor , pra një ditë pas ndeshjes që përfundoi me dhunë ndaj Kombëtarës Shqiptare, në një ndeshje basketbolli në Beograd në mes ekipit Crvena Zvezda të Sërbisë dhe Gallatasarajit të Turqisë ,gjatë tërë kohës së ndeshjes u ndigjuan thirrjet antishqiptare ” Vrisni,prisni që shqiptari mos të egzistojë”.
Vlen për tu theksuar fakti se thirrjet raciste në stadiumet e Sërbisë nuk janë thirrje të grupeve të izuluara apo të një numri të kufizuar të tifozave të sportit, por ajo çka është për tu shqetësuar, këto thirje vijnë njëzëri nga e gjithë auditoriumi ,pra nga mijëra spektatorë të tribunave sportive në Beograd,por edhe në qytetet e tjera të Sërbisë.
Kurse në Mal të Zi,si pasojë e urrejtjes ndaj shqiptarëve, me 16 Tetor u vandalizu Ambasada e Shqipërisë në Podgoricë . Sulmuesit ishin me kombësi sllavo-malazeze. Gjithashtu, derisa nxënësit shqiptarë të shkollës së mesme në Tuz, shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike që të shfaqin përkrahje për Ekipin Kombëtar të shtetit të tyre amë-Shqipërisë, ata u sulmuan fizikisht nga nxënësit e tjerë jo shqiptarë. Me këtë rast, Duhet theksuar se në Mal të Zi, kur është çështja për shqiptarët dhe të drejtat e tyre, ate çka mendon pozita ( pra, politika zyrtare) e shpreh në mënyrë të hapur opozita. Ditën e Martë, me 21 Tetor,në Nikshiq të Malit të ZI, në një ndeshje tjetër basketbolli ,në mes ekipit Sutjeska dhe ekipit
“Peja” nga “Kosova” u ndigjuan përsëri brohoritjet për vrasjen e shqiptarëve.
Në Maqedoni (IRJM) një ndër partit më të mëdha opozitare ka kërkoi që të dënohen tifozët shqiptarë të cilët, pas ndeshjes së futbollit Shqipëri- Sërbi festuan në Shkup e qytete të tjera . Siç bën me dije televizioni “Koha”, Policia e Tetovës ka shqiptuar denimet tifozëve shqiptarë me nga 200 euro për “prishjen e qetësisë publike” në sheshin e këtij qyteti.
Në Greqi, lojtarit të Kombëtarës së Shqipërisë, Andi Lila, i cili gjatë ndeshjes në Beograd, mbrojti dinjitetin e kombit të vet,i kërkohet llogari për incidentin nga ana e klubit të tij ” Pas Giannina”,dhe për sjelljen e tij, sulmohet në mënyrë të pamëshirshme nga mediumet dhe shtypi grek.
Këto janë vetëm disa akte që ndodhën vetëm brenda një jave pas ndeshjes së futbollit në mes Shqipërisë dhe Sërbisë dhe që vetëvetiu len të nënkuptojë se thelbi i problemit nuk qëndron te paraqitja e simboleve kombëtare shqiptare në stadiumet e ndryshme të garave sportive,duke përfshirë edhe dronin e lëshuar në stadiumin e Begradit me hartën e trevave shqiptare në Ballkan bashkë me dy figurat e shquara të Pavarësisë së Shqipërisë, por mënyra raciste dhe shoveniste e reagimit të shtetit serb, maqedonas, malazez dhe atij grek.
Shfaqja publike e simboleve kombëtare ,për shqiptarët do thotë jo vetëm krenari por kjo njëheri paraqet edhe sinonim i mbijetesës së tyre mijëvjeçare. Flamuri kuq e zi me shqiponjën dykrenare , gjatë tërë historisë së egzistencës së vet, gjithëmonë ka valvitur në vijën e frontit mbrojtës dhe jo në vijën e frontit të sulmit siç ishin flamujt e popujve sllav dhe grek. Nëse flamuri ynë apo simbolet tona ofendojnë ndonjërin nga ata popuj të cilët gjatë gjithë historisë n’a kanë luftuar, vrarë,dhunuar,poshtruar etj.
atëherë ky është problem i tyre dhe jo i shqiptarëve.
Europa duhet t’a kuptojë se shqiptarët janë të rrethuar me popuj racist të cilët kanë vetëm një qëllim: shfarosjen dhe zhdukjen e tyre kombëtare.
Faktet e qëndrueshme historike flasin në favor të asaj se si gjatë periudhave të ndryshme në të kaluarën, sllavët dhe grekët kanë qenë ata të cilët gjithëmonë kanë ushtruar dhunë e represion ndaj shqiptarëve
autokton. Dhe gjatë gjithë kësai kohe,nacionalizmi kombëtar i shqiptarëve shërbeu si mekanizëm mbrojtës dhe strategji e mbijetesës dhe ruajtjes së qënies së tyre kombëtare,të kërcnuar nga shovenizmat fqinjë.
Askush nuk pohon se jemi popull i përsosur dhe i pranojmë dobësitë tona, por asnjë nga këto dobësi nuk ka të bëjë me urrejtjen kombëtare të popujve të tjerë dhe e këtë e kemi dëshmuar disa herë me radhë në të kaluarën.Tek e fundit shqiptarët lindën humanistën më të njohur në botë, Nënë Terezën,shpëtuan hebrejët gjatë Luftës së Dytë Botërore, etj. kurse sërbët dhe malazezët “prodhuan” kriminel luftrash si Slobodan Millosheviqin dhe Rodovan Karaxhiqin ndërsa grekët neonacizmin.
Edhe përkundër të së kaluarës së hidhur të shqiptarëve me popujt e tyre fqinjë,ata megjithate janë treguar vazhdimisht të përmbajtur,tolerant dhe paqësor. Posaçërisht gjatë këtij shekulli, politika zyrtare e Shqipërisë kurse pas vitit 2008 edhe politika zyrtare e Kosovës, kanë shprehur gatishmëri dhe vullnet se dëshirojnë të zhvillojnë marrëdhënie të plota fqinjësore.Megjithate, pas ngjarjeve të fundit kur ndigjohen thirrjet tepër shqetësuese për eliminimin fizik të shqiptarëve nga pjesëtarët e popujve që
n’a rrethojnë, ato jo vëtëm që nuk i kotribojnë këtyre marrëdhënieve, por njikohësisht paraqesin kërcnim serioz për paqën në rajon.
Shpresoi që strukturat euro-atlantike , siç janë BE dhe NATO, anëtarë të së cilave pretendojnë që të bëhen Sërbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, janë duke mbajtur shënime lidhur me sjelljet e fundit antieurupiane të politikanëve dhe qytetarëve të shteteve të lartpërmendura, me qëllim që të
marrin masa dhe vendime të përshtatura dhe të ndikojnë në eliminimin e vlerave antinjerëzore që posedojnë shoqëritë e tyre.
Ndeshja fotbollistike në mes Shqipërisë dhe Sërbisë që u zhvillu me 14 Tetor, tejkaloi suazat e një ndeshje të incidentuar,dhe tani dual në sipërfaqe dukuria e urrejtjes patologjike e popujve sllav ndaj shqiptarëve.
Nesër( me 23 Tetor, 2014 ) merret vendimi lidhur me ndeshjen Shqipëri- Sërbi nga ana e UEFA-s. Nesër, vihet në sprovë një ndër parrullat e njohura të Organizatës së Futbollit Europian,e cila thotë: ” Thuej Jo
Racizmit”. Realizimi i kësaj parrulle në praktikë do të thotë dënimi i Kombëtarës së Sërbisë sepse vetëm në këtë mënyrë dërgohet mesazh i qartë të gjithë atyre që bëjnë thirrje raciste kundër shqiptarëve apo edhe kundër popujve të tjerë.
22 Tetor 2014