-Nga e diela e deri të mërkurën (26 shkurt – 01 mars 2018) presidenti i Komisionit të BE-së, Jean Claude Juncker, do të vizitojë Ballkanin Perëndimor./
-MESAZHI:Presidenti i Komisionit Europian Juncker: Ju vazhdoni reformat, ne vazhdojmë mbështetjen për të ardhmen tuaj europiane./
Nga Brukseli, Bernd Riegert/
Me këtë turne rrufe në Maqedoni, Shqipëri, Serbi, Mal të Zi, Bosnjë-Herzegovinë dhe Kosovë, Junckeri synon të “japë kurajë”, siç e quan ai. Në strategjinë e prezantuar para do kohe ai kishte përmendur për herë të parë një datë për anëtarësim të mundshëm në BE, konkretisht vitin 2025. Por kjo datë nuk do të thotë se pas shtatë vjetësh të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen anëtare të BE-së. “Kjo është vetëm një datë inkurajuese”, tha Junckeri para vizitës.Gjashtë qeverive të antarëve potencialë të BE-së duhet t‘u kërkohet që të bëjnë më shumë reforma, të bëjnë më shumë për shtetin ligjor, të luftojnë korrupsionin, të garantojnë lirinë e medias, të nxisin ekonominë dhe të zgjidhin konfliktet me njëri-tjetrin.Vetëm nëse kjo do të bëhet në masën e duhur dhe nëse plotësohen disa kritere, do të ketë anëtarësime, thonë burime nga zyra e Juncker-it në Komisionin e BE-së. Vullneti i BE-së për antarësim ekziston dhe këto vende kanë një perspektivë të vërtetë.
Shqipëria dhe Maqedonia mund të fillojnë negociatat
Pak para se presidenti i Komisionit të niset për Ballkan, komisioneri i BE-së, Johannes Hahn, ka thënë se Shqipëria dhe Maqedonia së shpejti mund të fillojnë negociatat formale të anëtarësimit. Në verë, tha Hahn, do të caktohet një datë konkrete. Deri tani negociata formale kanë filluar vetëm me Serbinë dhe Malin e Zi, dhe Mali i Zi, i cili është anëtar i NATO-s ka bërë përparimet më të mëdha.
“Këtu kemi të bëjmë me 18 milionë njerëz në gjashtë shtete të rajonit që ndodhen ende në situata delikate. Prandaj është në interes të BE-së, që t’i ndihmojë këto shtete dhe këta njerëz e t’u japë një perspektivë”, pat thënë Johannes Hahn gjatë perzantimit të strategjisë më të fundit për Ballkanin.
Probleme të pazgjidhura nga e kaluara
Gjatë udhëtimit të tij në Ballkan, kryetari i Komisionit, Jean-Claude Juncker, do të haset me një sërë konfliktesh të pazgjidhura ndërmjet shteteve. Atë më të madhin e ka për momentin Kosova, e cila nuk njihet nga të gjitha shtetet e BE-së dhe para së gjithash nga Serbia. Para se Serbia ose Kosova të bëhen dikur anëtare të BE-së, ky problem duhet të zgjidhet.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përpiqet që t’i parapërgatisë shtetasit e vet se në fund duhet ta njohin Kosovën. “Për ta parë veten në Europë, na duhet të paguajmë një çmim nga e kaluara”, tha Vuçiçi gjatë vizitës së tij në Komisionin Europian, dy javë më parë. Bashkimi Europian përpiqet prej katër vjetësh të arrijë një pajtim ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, deri tani pa sukses bindës. Junckeri do të ndërmarrë një përpjekje të re për ndërmjetësim në udhëtimin e tij në Ballkan, thonë qarqe diplomatike nga Brukseli.
Jo vetëm pasojat e luftës së Kosovës, por edhe pasojat e luftrave civile në ish-Jugosllavi do të merren me presidentin e Komisionit të BE-së. Kroacia, tashmë anëtare e BE-së, dhe Serbia kanë disa llogari të hapura për shkak të reparacioneve të luftës. Bosnja-Hercegovina vazhdon të jetë e ndarë etnikisht mes kroatëve, serbëve dhe myslimanëve dhe thuajse e paaftë për të funksionuar. Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, gjatë një vizite në Bruksel, tha se ekzistojnë „interesa të përbashkëta” mes Kroacisë dhe Serbisë për të bashkëpunuar ekonomikisht dhe politkisht në kuadër të BE-së. Por, sipas tij, ka shumë çështje të hapura në lidhje me reparacionet e dëmeve të luftës.
Juncker do të sqarojë dhe do të kërkojë durim
“Ne mund të ndikojmë këtu duke sqarur dhe duke ua bërë të qartë se problemet duhet të zgjidhen, përndryshe vetëm sa humbim kohë”, tha Jean-Claude Juncker disa ditë para nisjes në Ballkan. Veç kësaj në Europë duhet durim, tha Juncker. „Marrëveshja e reparacioneve të luftës ndërmjet Gjermanisë dhe Luksemburgut u arrit vetëm pas 45 vjetësh”, tha Junckeri, i cili më parë ka qenë kryeministër i Luksemburgut.
Nga vera, ose nga fillimi i vjeshtës Komisioni i BE-së do të publikojë itineraret konkrete për secilin prej gjashtë vendeve që synojnë anëtarësimin në BE. Itinerearet do të marrin parasysh rrethanat në secilin vend, tha një zëdhënës i Komisionit të BE-së. Më parë kryetarja e radhës së BE-së, Bullgaria, e pati ftuar BE-në Sofje për një samit mbi Ballkanin Perëndimor. Bullgarët duan t’u japin patjetër një hov të ri negociatave me shtetet e tyre fqinje në Ballkan. Ndërsa Gjermania dhe vendet e tjera perëndimore në BE kanë shumë rezerva. Kancelarja federale, Angela Merkel, për shembull, nuk e ka përmendur kurrë vitin 2025 si datë të mundshme për anëtarësim.
Shefi i komisionit të BE-së, Juncker, e ka thënë vazhdimisht se sa kohë që ai është në detyrë, pra deri në shtator të vitit 2019, nuk do të ketë zgjerim. Për këtë refuzim kategorik ai është kritikuar nga miqtë e Ballkanit si shkurajues. Tani Juncker po kalon në një kurs më pozitiv, por anëtarësimin konkret prapëseprapë preferon t‘ua lërë pasuesve të tij, në vitin 2025 e më pas.
***
Presidenti i Komisionit Europian Juncker: Ju vazhdoni reformat, ne vazhdojmë mbështetjen për të ardhmen tuaj europiane./
Nga Ruci/
Presidenti i Komisionit Europian Juncker: Ju vazhdoni reformat, ne vazhdojmë mbështetjen për të ardhmen tuaj europiane.
Me këtë mesazh Presidenti i Komisionit Europian (KE), Jean Claude Juncker nis të dielën ( 25 shkurt 2018) me Shkupin dhe Tiranën, turin e tij në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor (BP). Si turi ashtu edhe dhe mesazhi janë paralajmëruar nga vetë Juncker, në fillim të këtij muaji, në fjalën e tij më 6 shkurt, kur KE shpalli strategjinë “Një perspektivë e besueshme zgjerimi dhe rritje e angazhimit të BE në Ballkanin Perëndimor”.
“Do të udhëtoj në sejcilin prej vendeve të Ballkanit Perëndimor në fund të muajit me një mesazh të qartë: vazhdoni reformat, ne do të vazhdojmë mbështetjen për të ardhmen tuaj europiane” paralajmëroi Juncker në fjalën e tij të rastit.
Vijim i reformave të brendshme – motori i progresit drejt BE
Në prag të vizitës së Juncker në Tiranë, komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn tha, se Shqipëria dhe Maqedonia mund të fillojnë së shpejti negociatat zyrtare të anëtarësimit pasi KE do të rekomandojë„ndoshta deri në verë që vendet anëtare të BE të fillojnë negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë” mbështetur në reformat e rëndësishme,të cilat i kanë kualifikuar këto vende për hapjen e negociatave. Në këtë kontekst reforma në drejtësi në Shqipëri ka marrë vlerësim të posaҁëm nga BE dhe sidomos kryerja e vettingut të gjykatësve dhe prokurorëve. Por Shqipëria ka përpara shumë reformat ë tjera, të mëdha, të brendshme, sidomos në sigurimin e shtetit të së drejtës dhe standardeve ekonomike.
Në diskutimin publik ” Rigjallërimi i angazhimit Europian me Ballkanin Perëndimor” të zhvilluar ditët e fundit në Tiranë nga Këshilli Europian për Çështjet e Jashtme, me nismën e Institutit Shqiptar të Medias, Carl Bild, bashkëkryetar i Bordit të këtij Këshillli dhe ish-kryemnistër dhe ministër i Jashtëm i Suedisë theksoi, se “Dera e BE për BP është e hapur, jo sot, jo nesër por kur të përmbushen kriteret dhe të arrihen standardet e BE. Ai vuri në dukje se BP ka nevojë për investime që të zhvillohet ekonomikisht dhe të ecë drejt BE në arritjen e standardeve të BE. Sipas vlerësimit të Komisionit Europian,„ asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor aktualisht nuk mund të konsiderohet një ekonomi tregu funksionale dhe as të ketë kapacitet për të përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut në BE. Pavarësisht nga të gjitha përparimet në kryerjen e reformave, mbeten shumë çështje strukturore, të cilat ndikojnë në tregjet e punës dhe veçanërisht në mundësitë e punësimit për të rinjtë “. Për KE situata është e errët edhe për sa i përket lidhjes së shtetit me krimin e organizuar, korrupsionin në administratën publike, ngatërrimin e fortë të interesave publike me ato private, kontrollin e mediave.
Priorite mbrojtja dhe siguria
Vizita e Juncker në Tiranë dhe pesë kryeqytetet e tjera të vendeve të BP pritet të tregojë sesi BE do të mbështesë transformimin e rajonit për t’iu kundërvënë ndikimit të Kinës me investimet e saj strategjike, Rusisë apo Turqisë edhe pse vazhdon të jetë donatori dhe investitori më i rëndësishëm në rajon. Po kështu edhe partneri më i rëndësishëm politik, edhe partneri më i madh tregtar me një vëllim tregtar vjetor prej rreth 43 miliardë eurosh. Kjo nuk mjafton që rajoni të arrijë standardet e BE para se të bëhet pjesë e tij. Për ta mbështetur në transformimin që duhet që rajoni të “hyjë në derën e hapur të BE”, BE në strategjinë e re ka përcaktuar gjashtë fusha specifike: sundimin e ligjit, sigurinë, migracionin, zhvillimin social-ekonomik, lidhjen mes rajonit në transport dhe energji, axhendën digjitale, pajtimin dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Për të ofruar në Strategjinë e Ballkanit Perëndimor dhe për të mbështetur një tranzicion të qetë përpara anëtarësimit, financimi adekuat është i domosdoshëm. Por në prag të turit ballkanik të Juncker në Ballkanin Perëndimor, të premten ( 23.02.2018) Këshilli Europian, i drejtuar nga Donald Tusk mori vendimin që fondet më të shumta të BE të përdoren për mbrojtjen, sigurinë dhe frenimin e migracionit illegal. A do të sigurohen fonde për të mbështetur transformimin e BP kur BE ka prioritetet të tjera? Fondet për transformimin e Ballkanit mbeten në krye të faktorëve që e japin besueshmëri në angazhimin e ri të BE ndaj BP.