• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR NJË POETE “TROKET” NË HISTORI-“SHARRRAJT NË JETËN E KOMBIT”

July 17, 2013 by dgreca

–Monografi  nga Zyba Hysa/

Shkruan DRITA LLUSHI/

Vlorës/

Ç’jam për ty, e dashur Vlorë,/

Një pikë ujë në detin blu,/

Të më flakësh, se ke zor,/

Deti mbetet prapë ashtu…/

Kush prek Vlorën, zemëron Zotin,/

Lëndon palcën e kombit tonë,/

Vlorën… Vlorën të ma doni,/

Kombëtarisht, ne na bashkon.

Vlorë, moj, Vlorë…!

Zgjatmi duart të t’i puth,

Ato mbajnë vulën e kohës,

Mbajnë të shkruar historinë,

Në pëllëmbë të dorës…!

Vlorë, Vlorë, moj, Vlorë…!

Pasqyrë e stërmadhe,

Ku historia shqiptare shihet,

Nga përplasja e dallgëve,

Stërkala gjaku ngrihet

Toka i thith… vlaga,

Arome lirie”

E si mund të niste ndryshe ky libër monografik, veçse me këtë poezi kaq prekëse, e ringjallëse mbas çdo vargu? E si mund të niste ndryshe ky libër, veçse me këtë poezi që të zgjon ndjenjën atdhetare dhe admiruese për Vlorën e njerëzit e saj? Nje poeteshë e shkrimtare si Zyba Hysa, nuk  mund te mos i çelte portën e historisë: Të vërtetës!

Asaj të Vërtete që duhet ta dijë çdo njeri, që i thotë vetes shqiptar.E kemi  ndierë shpesh që shumë figura apo personalitete janë anashkaluar rrugës së gjatë të historisë, megjithëse mund të kenë qenë një gur i fortë themeli, një gjurmë, një fakt i rëndësishëm, një shtysë, një subjekt i fortë në zhvillimin e ngjarjeve të rëndësishme në  Historinë Shqiptare.Vetëm një artiste e aq më shumë një grua nuk mund të anashkalojë  të tilla gjëra, sepse s’do ndihej aspak e qetë shpirtërisht, qoftë me veten, qoftë me popullin, por mbi të gjitha me të vërtetën.

Ka periudha te caktuara kur një shkrimtare(ose shkrimtar) duhet  të  marrë në dorë “fatet” e fiseve apo njerëve të “harruar”, sepse  shpiti i saj është  aq i ndjeshëm, aq human, sa arti i duket i vogël, para faktit  historik të anashkaluar.

Një fakt që ndoshta historianët  e kanë harruar, na e “kujton” përmes kësaj monografie kaq të bukur autorja Zyba Hysa duke na  sjellë  në dije, familjen Sharra dhe burrat e saj; më mirë të them, na njeh me një  FIS të tërë :ATË  TË SHARRAJVE

“Hasan Sharra, Ceno Sharra, Muço Sharra, Musa Sharra, pra të

gjithë pinjollët e kësaj familje që jetuan dhe punuan për çështjen

Kombëtare në vigjilje të shpalljes së Pavarësisë, gjatë zhvillimit të

kuvendit, firmosjes së këtij akti nga më atdhetar, janë më shumë se një

firmëtar, ata janë të parët e „dasmës“ dhe firmëtarët, janë „krushqit“

që hodhën vallen me hapa të sigurta prej një melodie që kishte kohë

që dëgjohej përmes përpjekjeve të gjithë patriotëve dhe u hodh në

pentagramin e kohës për të lënë trashëgim brezave identitetin e

shtetit shqiptar, por për fat të keq, vallja nuk u hodh deri në fund, por

melodia është e shkruar me gjakun dhe mundin e gjithë patriotëve në

shekuj, me firmën e përfaqësuesve nga gjithë trojet etnike shqiptare, ajo ka veç një titull : Bashkimi Kombëtar”- shkruan autorja

 “Ata pra, nuk figurojnë në listën e atyre që firmosen pavaresine, por ata realizuan me sukses këtë akt historik,

se pa përkrahjen e familjeve të pasura të Vlorës e në veçanti, të

familjes Sharra, nuk do të ishte realizuar kurrë e sot nuk do kishim

100 vjetor të shpalljes së Pavarësisë”- vazhdon ajo.

 Një monografi mbresëlënëse, tërheqese, ku e verteta mbi Fisin e Sharrajve ndërthuret me mjaft elemente epikë dhe poetikë, me nje gjuhë të ndjeshme, prekëse, por dhe të guximëshme, që mbart një të vërtetë e cila në tregimin dhe trajtimin që autorja i bën, kthehet në një mal stoik vërtetësie.

Autorja na kalon nëpër monopate emrash, ngjarjesh, vitesh, periudhash, veprimtarish e para syve”shoh” vërtet,  gjithë ata burra, familje, me punën e veprimtarinë e tyre, shoh gjithë jetën e tyre të përditëshme e atdhetare të pashkruar por që pena e Zybasë, ia heq mantelin e harresës, dhe në ndërgjegjen time ndihem mirë, shumë mirë, që mësova diçka të re, nga rrëshqitja e penës së saj  mbi letër e shpalosja katërcipërisht e asaj  të vërtete ekzistenciale e mbuluar nga indiferenca e dekadave dhe viteve, por që gëlonte nga shpresa e dëshira se do vinte një ditë që…

E ja ku erdh’ kjo ditë.

Erdhi një shteg drite nga dora, mendja e shpirti i një gruaje, një nëne, një shkrimtareje.

Por si mund  të shkruajë një  grua për burrat e një fisi, pa përmendur dhe gratë?

Madje jo vetëm”përmendur”, por lartësuar në mënyrë të merituar.

Prapa  një  burri të fuqishem, të sukeseshëm  gjithnjë  qëndron një  grua e mirë.

Kjo vlén për të gjitha kohërat.

“Atdheu është një dashuri pa interes”- aludon me të drejtë autorja.

Te japësh dhe të mos presësh nga Ai ,një filozofi dashurie që duhet ta ketë çdo njeri vetëm me Atdheun.

Trajtimi që i bën autorja në veprën e saj jetës dhe veprimtarisë se Fisit  të Sharrajve ështe mjaft origjinale dhe nuk lë shteg për harresa, hamendësime apo keqkuptime. Ajo i  trajton në  një kohështrirje që i jep frymëmarrje dhe shikim gjithë jetës në periudha të largëta dhe historike, në periudhën e Pavarësisë, pas Çlirimit e deri në ditët e sotme, gjithë atyre njerëzve e burrave që bëne emër dhe e bënë  të njohur këtë Fis me veprimtarinë e tyre atdhedashëse, paçka se shumica patën një fund  të dhimbshëm.

E kështu, kemi të paraqitur  dhimbshëm e me realizem, kalvare gjyqesh, dënimesh, persekutimesh, që iu bë burrave të  Sharrajve nga regjimi Enverist.

Një punë hulumtuese, voluminoze, këmbëngulëse nga ana e saj, shfrytëzimi  i sa e sa revistave, gazetave, shkrimeve të ndryshme, tregojnë zellin dhe përkushtimin e saj në shkëlqimin dhe vënien në vend të emrit,  të këtij Fisi të madh e atdhetar.

Kush ka parasysh romanin “KËNETA” të Fatmir Gjatës, e bën përnjëherë lidhjen, dhe kujtesën se si Abdyl Sharra(një ndër personazhet  e romanit dhe njëkohësisht real) dënohet me vdekje, se gjoja sabotonte punimet  për tharjen e kënetës, duke inskenuar të ashtuquajtura prova famëkeqe dhe të gënjeshtëra.

Në Shtëpinë e Sharrajve u strehuan delegatët e  Kongresit Historik, dhe vetë Ismail Qemali. Shtëpia e tyre gjendej pikërisht në Sheshin e Flamurit.

Ilustrimi me foto i gjithë burrave të shquar të Sharrajve, veprimtaria e tyre e gjithanëshme, shtëpia e tyre, monumenti i Pavaresisë ne Vlore, fotot e Sharrajve me Ismail Qemalin, te paraqitura këto (foto)brez pas brezi, që nga ató bardh e zi, e deri tek atÓ me ngjyra, të emocionojnë dhe e bëjnë më të prekëshme këtë histori të shkruar me dashuri nga kjo grua.
Një dashuri për të vërtetën, një ndjenjë humane e saj që të zbardhë njëherë e mirë, atë që errësira njerëzore e kish hedhur skutave të viteve.

Ky libër përmban jetën atyre burrave që folën me vepra e jo me fjalë, që ditën të japin dhe falin dashuri e atdhetari pa kërkuar asgjë, dhe pse fundi i jetës së tyre qé  shpeshherë tragjik dhe i dhimbshëm.

Pasi mbaroj së  lexuari këtë monografi historike, pasi shoh çdo foto, ndihem mirë e njerëzishëm si shqiptare që jam, e me fat, që njoha këte Fis të madh jo vetëm në numur, por më  të madh në bëma dhe histori.
Pasardhesit e tyre duhet te ndihen krenarë me emrin e të parëvë, me veprën e gjakun e tyre, se pa tÓ, e pa veprimtarinë  e shumë e shumë atdhetarëve të tjerë shqiptarë nuk do ishim të lirë, nuk do të ndjenim të lirë dhe nuk do të shkruanim të lirë.

Shpresoj shumë, që shpirti i tyre, të ketë gjetur sado pak prehje nga kjo monografi e mrekullueshme, ku ndërthuret e vërteta dhe arti bashkë, të cilën vetëm një grua, nënë dhe poete mund ta paraqesë kaq denjësisht.

Padyshin që  Sharrajt e sotshëm duhet të ndihen të vlerësuar, tëqetë dhe mirë  që u shkruajt për até, që parardhësit  e tyre bënë për kombin dhe Atdheun.

* Drita Lushi

Korrik 2013 Shqipëri.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Drita Lushi, e Kombit, Sharrajt ne jeten, Vlora, Zyba Hysa

DEMOKRACI…!

July 13, 2013 by dgreca

… E dija që nuk do të vije aq shpejt, por është fatkeqësi po nuk erdhe tani…/

Shkruan: Zyba Hysen Hysa/

Çdo gjë lind kur vjen çasti, po kështu dhe demokracia, nëse do përpiqemi ta sjellim para kohe janë dy rreziqe; ose do të jetë shumë e brishtë dhe nuk do të rezistojë e është e destinuar të vdesë, ose me përkushtim të jashtëzakonshmen, do të mbijetojë, por nuk do të ketë fuqinë e duhur për të ecur e sigurt drejt konsolidimit të saj. Këtu e kam fjalën për ardhjen e demokracisë në një shoqëri që ecën normalisht në rrugën e zhvillimit ta saj, ndërsa për kushtet e zhvillimit të popullit tonë, të kombit tonë, ka një specifikë teje të veçantë, sepse si në asnjë vend tjetër të botës, nën vellon e saj janë future diktatura të egra si pjellë e rrezikshme e politikave antikombëtare të armiqve tanë shekullorë.

Historia jonë e këtyre 100 viteve shtet tregon se ka nxjerrë burra të mençur dhe patriot me vizione të qarta dhe strategji vizionare demokratike. Nuk do të thotë që të vije shekulli 21 dhe të vijë demokracia se duhet të vijë, por pikëpamjet demokratike kanë ekzistuar historikisht, se po të mos kenë ekzistuar, ato nuk do ishin bërë realitet në botë, kushtet në të cilën ndodhet një komb, apo një tjetër janë aq të ndryshme, saqë nganjëherë mendon se kurrë nuk do të arrihet demokracia, në një kohë që shtete tjera kanë me vite e vite që e gëzojnë, por kjo përplasje e vazhdueshme midis demokracisë dhe diktaturës vetvetiu ka sjellë kalbëzimin e njërës (diktaturës) dhe latimin e shkëlqimin e tjetrës (demokracisë). Shqipëria është shteti mëmë i kombit tonë dhe si i tillë, duhet të jetë shembull i një demokracie të vërtetë që edhe shqiptarët e jashtë kufirit të krenohen me të dhe të përpiqen që në sjelljet e tyre dhe në përpjekjet e tyre të ecin sipas këtij modeli për të bashkuar shpirtin tonë liridashës dhe kaq demokratik që e kemi dhuratë nga natyra, por që fatkeqësisht është keqpërdorur nga politika jonë e vjetër dhe “e re” shqiptare, që në vend të kryejë misionin e saj historik për t’u bërë shembull dhe dritë për gjithë shqiptarët, u kthye në një qendër internimi qarkuar me klon gjatë monizmit dhe në një vend pa vend për shqiptarët, të cilët ndjeheshin si qiraxhinj në shtëpinë e tyre, gjë që i bëri shumë dëm ëndrrës shekullore për bashkim, se shqiptari nga fati I një qeni të lidhur me zinxhirë në kohën e diktaturës, ku ushqehej me thërrmijat e të zot, pas viteve ’90 u kthye si një qen rrugaç, ku kushdo e qëllonte me shqelm, ku dhe vetë shteti e përndiqte dhe duke u endur nëpër botë po qen pa zot u shqelmua nga kushdo dhe u përbuz nga të gjithë e u frytëzua nga të gjithë pa fije mëshire, duke u detyruar të humbasë atë krenarinë e tij të ligjshme që na kishin dhuruar shekujt. Shkurt: Shtet që nuk di sa shtetas ka, shtet që nuk siguroj jetën e shtetasve të tij, shtet që nuk di sa shtetas ka, shtet që vjel taksa dhe këto i përdor për forcimin e pozitave të tij, jo për popullin, shtet që nuk mbështet intelektualët, krijuesit, shkencëtarët, patriotët… shtet që nuk të ngjall krenari kombëtare, ku nuk është shtet, por një grup banditësh që zoti e di se si do të përfundojë odiseja e këtij populli.

Të bësh të paditurin për të udhëhequr në mënyrë demokratike, është krim, se ne kemi demokratët tanë, Ismail Qemalin, ku dhe kundërshtarët politikë i përfshiu në qeveri për të mirën e kombit duke dhënë secili kontributin e tij, më pas kemi Fan Nolin e më pas kemi ata që vranë demokracinë përmes dhunës dhe mbollën dhunë, një dhunë që e pse vishet me vel demokracie, ajo vetëm çel filiza të rinj, që po nuk u pre vaditja me diktaturë do të krijojnë një pyll xhungle që nuk do mundemi të dalim më prej saj.

Kushtet historike në të cilën po kalon vendi ynë jemi në prag të krijimit të këtij pylli me filiza diktatorialë dhe mos o zot të vazhdojë kjo lloj politike, vendi ynë do të kthehet në një xhungël që zor se do jetë e zonja demokracia ta kapërcejë atë. Unë i besoj fatit dhe faktit, se kur humbasim shpresat, na realizohen dëshirat si me magji, kjo vërtet nuk është magji, por është rritja e forcave demokratike përballë forcave diktatoriale dhe është shansi që lehtësisht t’i vadisim filizat e diktaturës së re me mjaltin e demokracisë dhe të rriten lastarë të shëndetshëm për të përhapur sa më shumë oksigjen për vendin, për popullin, për kombin…

Duhet bërë çdo gjë me dashuri dhe me durim për të kaluar në këtë shndërrim paqësor derisa vetë diktatorët të shndërrohen pak nga pak në demokratë, jo duke i sharë e fyer, por duke udhëhequr me shembull demokratik, se edhe më i pabesi, kur e sheh që je besnik, fiton fisnikëri, se fajtorë nuk janë ata, por koha, koha e diktaturës nuk shkon pa i ngulur thonjtë mbi trupin tonë edhe pasi është rrëzuar. Rënia e diktaturës në vitin 1990 i ngjan një peme të rrëzuar nga stuhia, por që rrënjët i ka akoma në tokë, ajo frymoi gjatë tek ne edhe pas rrëzimit, se jetoi gjatë në pushtet. Ka ardhur koha e koha nuk pret… unë e ndjej se diçka e re, diçka që ka lindur nga toka e jo nga trungu i asaj peme po mbin, na mbetet ne të kujdesemi për të, se përplasja e vazhdueshme me diktaturën e ka forcuar si filiz, pak punë do, por do punë të vazhdueshme, ajo nuk kërkon më vetëmohim, nuk kërkon gjak, por vetëpohim, kërkon paqe. Mallkuar qoftë ai bir shqiptari që bëhet shkak edhe për një pikë gjak të derdhur, se gjaku i shqiptarëve del e tepron për të vaditur lirinë dhe demokracinë, sot duhet mendje dhe djersë, duhet dritë dhe paqe… ndaj dua ta mbyll me thënien e Adem Demacit “Libri për Vet Mohimin”, të cilin e përfundon me fjalët e tij himn për lirinë dhe demokracinë e vërtetë, të cilës i drejtohet “e dashur” : “Mirë bëre që s’erdhe, e dashur, se, po të vije, ka mundësi që ende do të mbeteshim , që ende do të ishim, së bashku, nën barrën e gabimeve të mia. Mirë bëre, e dashur, që nuk erdhe, se kështu, i vetmuar dhe pa lehtësime, m’u desh t’i mblidhja të gjitha forcat e mia;; kështu i vetmuar dhe pa përkrahje, m’u desh ta mblidhja tërë vendosmërinë time; kështu i vetmuar dhe pa ngushëllime m’u desh ta mblidhja krejt vullnetin tim dhe ta bëja mohimin e vetëmohimit tim. Prandaj e dashur, me mosardhjen tënde më ndihmove më shumë, se sa po të vije. Po të vije, ka rrezik që do të gjeje si Vet Mohim dhe kjo do të ishte një humbje kohe për të dy. Tani e dashur, të pres në kohën time – në kohën tonë…”

 

Filed Under: Komente Tagged With: Demokraci, koment, Zyba Hysa

Shpirti i Isuf Luzajt, endur mes rreshtave …

January 23, 2013 by dgreca

Në kuadër të 100 vjetorit të lindjes së tij (1913 – 2013)/

Nga Zyba Hysen Hysa/

Gjatë bisedave të ndryshme që kam bërë në lidhje me shkrimin e librit “Sharrajt në jetën e kombit”, ka dalë në pah edhe emri i Isuf Luzajt, si një ndër patriotët e devotshëm që veprimtarinë e tij në shërbim të çështjes kombëtare e ka nisur që në bangat e shkollës së mesme në Shkodër e më pastaj deri sa dha frymën e fundit.

Që kur më ra në dorë libri “Filozofia e bukurisë”, më pas “Përtej të mirës e të ligës”, “ Glorja e çmendjes”… të gjitha ato libra që kanë pasur fatin të botohen, nuk ka bisedë mes miqsh dhe krijuesish që të mos shpalos adhurimin tim për veprën e tij dhe me mundësitë e mia shpirtërore jam përpjekur që të ndikoj sado pak në institucionet shqiptare për të financuar në botimin e plotë të veprës (rreth 120 vepra) së të veçantit, që siç tha Z. Elaham Sharra në një bisedë se: “Isuf Luzaj, duke lëmë mënjanë politikën e të flasim të drejtën, nuk pati fatin e shumicës së shqiptarëve që ikin jashtë shtetit dhe ‘humbën’, ai bëri emër dhe këtë emër e bëri në Amerikë”

Shpesh në debate, shpalosen mendime të ndryshme për Isuf Luzajn. Më trondit ky fakt, ndaj mendoj se këto kanë qenë dhe janë qëllime dashakeqe të njerëzve antikombëtarë, që familjet patriote në Vlorë t’i vendosin përballë njëra – tjetrës, pra të krijojnë përçarje për të sunduar më lehtë. Unë nuk kam pse zgjatem për madhështinë e familjes Sharraj në kontributin për çështjen kombëtare, se diçka kam thënë (nuk kam arritur të them shumëçka, aq sa e meritojnë, kurrë nuk do të ketë penë ta përshkruajë), por një gjë shihet qartë, se në këtë familje, Isuf Luzaj hynte e dilte si në shtëpinë e kombit e ndaj dhe goditet kjo figurë me një “gur” që vret këtë bashkëpunim patriotik në Vlorë. Unë kurrë nuk do nxirrja nga goja ime, aq më pak nga mendja ime ndonjë fjalë ndryshe për shenjtërinë e veprimtarisë patriotike të Sharrajve, por nëse do hesht për Isuf Luzajn, do të thotë që unë jam shumë fytyrëshe, këtë nuk e pranoj kurrën e kurrës, ndaj duke folur hapur, duhet që të zbardhim hijet e së kaluarës, ato hije që na çuan në keqkuptime, mëri, vëllavrasje, përçarje deri në thelb.  Unë mendoj, që e kaluara jonë nuk ka qenë bardhë e zi, por nuk ka qenë edhe vetëm e bardhë, apo vetëm e zezë, se siç tha një ditë z. Shemsi Rrapaj se “Isufi, këtu në Vlorë, për fat të keq, interpretohet bardhë e zi, por nuk ka argumente për ato që fliten, Isufi është intelektual brilant i shkallës së lartë nga më të rrallët”

Të kesh ide ndryshe nga tjerët është më se normale e të kesh kundërshti për to nga të tjerët, përsëri është më se normale, por e rëndësishme është që këto ide të nxisin iniciativën individuale për t’i vënë në jetë, se siç thekson Isuf Luzaj në librin “Rindërtimi i tipareve shpirtërore” në faqen 52 “Janë burra vetëm ata që e lëvrojnë vetë vijën e ugarit të tyre” dhe më poshtë shton: “Poet ose filozof, apostul ose artist, ki besim në veten tënde dhe mos ndiq rrugë të huaja, mos e var vullnetin tënd prej vullnetesh të tjera, mos e lidh dhe mos u ngatërro me hije që errësojnë, as mos kërko mbrojtje nga të tjerët, sepse ajo mbrojtje të përul. Nga ata që dinë më shumë, mëso pa i imituar, nga ata që japin më shumë, largohu, mos kërko kurrë. Në qofsh i aftë të realizosh idealin tënd, nuk të nevojitet asnjë diçka potente; asgjë, askush nuk të bën të zotin për të realizuar ëndrrën tënde, duaj, duaj, me këmbëngulje, me të gjithë mendjen tënde e me të gjithë zemrën tënde…”

Të mendosh se Isuf Luzaj shkonte deri në antagonizëm me personat që e kundërshtonin në idetë që shpaloste ai, është absurde, por gjithashtu nuk e mendoj Isuf Luzajn të mos kishte kurajë të shpaloste idetë e tij dhe të luftonte për t’i vënë ato në jetë, por unë dal në përfundim se: Isuf Luzin pak e kuptuan e shumë pak e mbështetën, ai nuk ishte vetëm nacionalist që i përkiste vetëm organizatës së Ballit Kombëtar, se në fillim kjo organizatë u krijua mbarëkombëtare, më pas denigroi në parti politike e unë sikur kam qënë aty, e mendoj Isuf Luzajn, për kushtet në të cilat ishte vendi ynë, të ishte prijësi i popullit tonë, se idealet e tij i kapërcenin bindjet politike, ai ishte patriot dhe kërkonte bashkimin kombëtar. Një veteran, Serri Petanaj në opinionin e tij për Isuf Luzajn tha: “Unë e kam parë dhe dëgjuar vetë Isuf Luzaj, kur erdhi një herë në Llakatund, mblodhi popullin dhe u foli: “Të bashkohemi rreth  organizatës së Ballit Kombëtar, si e vetmja organizatë që do na çojë në marrjen e Kosovës dhe trojeve tjera etnike, se komunistet kanë rrugën ruso – serbe dhe kurrë nuk do na lejojnë të bashkojmë kombin tonë’. Unë isha rreth 12 – 13 vjeç, por nuk kisha dëgjuar njeri orator si ai, ai fliste pa letër dhe të bënte për vete me fjalët që thoshte”. Pra Ai është i gjithë shqiptarëve, ndaj atë nuk e përmendin as të majtët, as të djathtët e sotëm, se si të majtët, si të djathtët e pse e kanë të shkruar në kushtetutë që do të luftojnë për bashkimin tonë kombëtar, nuk kanë as më të voglën ide dhe nuk kanë asnjë projekt për këtë bashkim,nuk kanë trokitur në asnjë organizatë apo shtet në botë qw t’i paraqesin me shkrim platformën e Bashkimit tonë kombëtar, përveç se shfrytëzojnë ndjenjat kombëtare të popullit për të siguruar një kolltuk për vete. Ai ishte një njeri iluminist dhe si i tillë kurrë nuk mund të ishte tiran, diktator, ndaj e pse mund të ketë pasur mospërputhje idesh për realizimin e idealit të lartë që i vuri vetes për çështjen kombëtare, e pse mund të ketë pasur mospërputhje idesh, për të realizuar idealin e madh të Bashkimit tonë kombëtar, (kjo është normale), është absurde për mua,të besoj akuzave që dashakeqët i zhveshin nga vetja dhe kërkojnë t’ia veshin Isuf Luzajt, por sa ditët kalojnë, sa vitet rendin, Ishuf Luzaj po del më në dritë dhe lum ai që di të përfitojë nga veprat e tij dritë pa fikura, se kam lexuar disa libra tij dhe unë që shkruaj, di të njoh fisnikun nga krimineli, hajduti… se kriminelët shkruajnë vetëm për ato prapësi, ndërsa Ai flet për Kombin, për  te bukuren, te pastrën, për dritën, te mirën, për fisniken dhe nuk e bën njeriun absolut të keq, por me te mirat e te ligat e tij. Meritë është e atyre që mendojnë veprojnë dhe jetojnë përtej të mirës dhe të ligës.  Unë kurrë nuk do ta besoja se Isuf Luzajt do t’i shkonin për shtat epitetet e pabaza që i kanë vënë ndër vite. Mendoj se ka ardhur koha, që të mos merremi më me fjalët “e lopçarëve”, apo me të atyre që kurrë nuk e arritën dot lartësinë e tij për ta parë në sy, por i ka bezdisur hija e tij prej drite, prej një drite që sa vinte e shkëlqente më shumë, prej një drite që sa vite shkojnë, aq me shumë ndrit.

Isuf Luzaj dallohet edhe pas kaq vjetësh që ka ndërruar jetë e njihet përmes shkrimeve të tij, po kush mund ta shikojë e ta dallojë shpirtin e tij? Sigurisht ata që kanë sy të shohin përmes të vërtetës dhe të lexojnë edhe përmes rreshtave të krijimtarisë së tij, se në bardhësinë mes rreshtave shtrihet shpirti i tij prej një mendimtari, luftëtari, poeti dhe filozofi nga më të rrallët që ka pasur Shqipëria.

Të përmendësh Isuf Luzajn, është nder, është privilegj, është vlerë për atë që e përmend, se ai nuk ka nevojë për fjalët tona për t’u ndriçuar, se ai ndriçoi në një shtet aq të madh sa është Amerika, ne na duhet ta shfletomë e të mësojmë prej tij, se vepra e tij janë drita e së ardhmes sonë, janë udha e bashkimit tonë si komb.

Gjetja e së drejtës përherë dhemb, por nuk ka dhimbje më të bukur se ajo që shkakton zbulimi dhe thënia e së vërtetës, ajo ngjan me dhembjet e lindjes, që më pas nëna provon kënaqësinë më të bukur të jetës, kur merr foshnjën në prehër dhe e vendos për herë të parë në gji. Ndaj është e vështirë të kërkosh të vërtetën, ajo është një perlë që për fat të keq gjendet në thellësi, sa më shumë mundim, aq më shumë shkëlqim i falim jetës, kohës, shoqërisë, së ardhmes…

Shumë kanë shkruar për Isuf Luzajn, shumë më shumë do të shkruajnë, por të kërkosh deri fijet e rrënjëve të tij, do të thotë, se ke bërë pjesë të shpirtit dhe mendjes kauzën e tij, atë kauzë që e ushqeu me dritë shpirti dhe mendjeje, me luftë, sakrificë, vetmi, dhembje malli për familjen, plisat, gurët dhe drurët e këtij vendi që e rriti dhe që e ushqeu me një dashuri sublime, deri në antagonizëm të thellë mendimesh dhe veprimesh me antikombëtarët e sot duket si në dritë të diellit se cili kishte pasur të drejtë dhe se idealet e Isuf Luzajt për bashkimin e Kombit tonë, janë dhe sot e kësaj dite më se të ndritura, ndaj t’i njohim dhe të luftojmë për t’i vënë në jetë, ato që ai nuk mundi t’i realizonte prej përndjekjes nga diktatura komuniste.

Në një studim të kryer më 28 prill 2012 publikuar tek “Diaspora shqiptare, ndër të tjera shkruhet: “Ndoshta dikush do të hapë e të pasurojë në të ardhmen një bibliotekë, galeri apo muze, që do ta ketë zili edhe simotrat e trojeve shqiptare! Pale, kur të bashkëngjiten arkivat e bibliotekat e Vatrës, të dijetarëve Fan S. Noli e Faik Konica me shokë, të nobelistëve Nanë Tereza e Ferid Murati, të shkencëtarit e artistit fotograf me famë botërore Gjon Mili, kineastit Sten Dragoti, të studiuesit dhe autorëve të disa librave me vlera të veçanta, Prof. Petër Prifti e Xhevat Kallajxhi, Prof. Nikolla Cako, Prof. Isuf Luzaj, Prof. Rexhep Krasniqi, studiuesit e arkivistit të pasionuar Idriz Lamaj, koleksionistit Bekim Lajci e Sait Kryeziu, Nexhat Peshkopia, Hasan Dosti, Qerim Panariti, Gaqo Goga, Halim Begeja,Shaqir Gjoka, Dr. Nuci Kota, Tonon Mirakaj dhe nga shumë patriotë të tjerë, të bisnesmenëve bujarë të Atdheut të kahershëm e gjer te më i riu Richard Lukaj, vëllezërit Bitici, studio “Iliria”, të Shoqatave, institucioneve e individëve të shumtë. Gjithçka do të jetë e vlefshme dhe në përkushtim të rritjes shpirtërore, krenarisë e identitetit të gjithë popullit e Kombit Shqiptar”.

Siç e shohim, Isuf Luzaj nuk ka nevojë për vlerësimin që i bëj unë, apo dikush tjetër, ai është i vlerësuar dhe i vendosur në radhën e ndritur të kokave që i kanë dhënë këtij vendi mundin dhe mendjen, që i kanë falur Kombit shpirtin, si të vetmen pasuri të pavdekshme që ka njeriu e këtë shpirt ai e ka shpalosur mes rreshtave të librave dhe të bëmave në dobi të çështjes kombëtare. Ne na mbetet për detyrë ta njohim veprën dhe të frymëzohemi prej saj për të nxitur brenda vetes ide përparimtare që na zgjojnë dëshirën për veprim në dobi të çështjes kombëtare, për të cilën jetoi, punoi, luftoi dhe shkroi Prof. Dr. Isuf Luzaj. Kush nuk ka në gji mirësinë dhe dëlirësinë, se  siç thotë vetë Isuf Luzaj “Të fluturojmë lart, përtej të mirës dhe të ligës dhe të hyjmë në një sferë mbinjerëzore ideale në të cilën njeriu jeton i zhveshur nga të gjitha pasionet, veset dhe ethet e mishit dhe të gjakut…” (Përtej të mirës dhe të ligës),  nuk besoj se ka dritë të mjaftueshme për të dalluar veprën e Isuf Luzajt e aq më pak për ta bërë pronë të tij.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Isuf Luzaj, Zyba Hysa

UDHETIMI I PAHARRUAR-NJE LIBER KU SHPALOSET DASHURIA PER KOMBIN

November 12, 2012 by dgreca

Mendime rreth librit:  Ilir Ikonomi “Pavarësia –  Udhëtim i paharruar i Ismail Qemalit”/

 NGA ZYBA HYSEN HYSA/

Të shkruash me dashuri për kombin, do të thotë të përpiqesh të nxjerrësh në dritë të vërtetat e historisë, që brezat t’i njohin, të mësojnë dhe të nxjerrin mësime për të marrë në dorë frenat e ardhmërisë kombëtare, të shkruash me dashuri për kombin do të thotë që në paraqitjen e fakteve të drejta dhe të gabuara të ketë vërtetësi fisnike, jo egoiste, se edhe gabimet e historisë janë çelësi i suksesit të sotëm: atë që bëmë gabim dje, të përpiqemi t‘i rregullojmë sot, që nesër të mos ripërsëritet historia në dëmin e kombit tonë, të shkruash me dashuri për kombin do të thotë, të mos harrojmë as dhe një gur që kanë vendosur të parët tanë për zhvillim e përparim, se ai gurë ka ndihmuar në ndërtimin e kështjellës historike.

Këto i lexova dhe i pashë me sytë e mendjes, i bëra pjesë të qenies sime dhe më besoni, u ndjeva më krenare se kurrë për historinë dhe për figurat historike që në të kaluarën i njihnim bardhë e zi, pra:  ky patriot, ky tradhtar…

Në librin e Ilir Ikonomit futeshe me kureshtje dhe nuk dëshiroje të dilje pa i vjelë frytet e një periudhe të shkurtër kohore, por që fara kishte shekuj që ishte mbjellë, kishte mbirë, ishte rritur, kishte lulëzuar dhe ishin pjekur frytet dhe ai na e jap qartazi që këputja e këtyre fryteve erdhi jo lehtas, por përmes një rrugëtimi të gjatë e të rrezikshëm që bëri Ismail Qemali nga Stambolli, në Bukuresht, më pas në Vjenë e Budapest e përsëri në Vjenë drejt Triestes, në Durrës, Kavajë, Cermë, Divjakë, Libofshë, Fier, Novoselë, më në fund në Vlorë, ku nuk qe rastësi, apo fat i saj, por aty ishin patriotët më largpamës që përkrahën ideatorin Ismail Qemali në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Librin “Pavarësia –  Udhëtim i paharruar i Ismail Qemalit” të Ilir Ikonomit e përshkruan tej e tej fryma e dashurisë për aktorët politikë shqiptarë të 100 viteve para, secili prej tyre kishte mendimet dhe bindjet e tij për ardhmërinë e Shqipërisë, ai nuk ndërhyn që të nxijë, apo të zbardhë faktet, duke ngritur njërin e duke ulur tjetrin, kjo e bën librin të jetë shkruar me një kulturë të lartë e me një frymë të re demokratike për të përcjellë tek lexuesi erën njerëzore të perëndimit.

Të jetosh në Amerikë, nuk do të thotë se i ke të gjitha dhe vetëm luga të mjafton për të ngrënë “pilaf”, por Amerika është vendi që i lë hapsirë njeriut të shpalosë idetë, mendimet dhe rrugën e ke të hapur nëse idetë dhe mendimet tua i shërbejnë zhvillimit, pavarësisht nga kundërshtitë, fiton më e mira. Qenka e thonë që njeriu kur shkruan larg Atdheut, edhe momentet, apo veprimet  e gabuara i rrëfen me dashuri, këtë besoj e bën nga kultura e fituar në një shtet demokratik, siç është Amerika, si kusht vendimtar për të pasur një komb të bashkuar shpirtërisht, pavarësisht nga feja dhe bindjet politike.

Ky libër është edhe një “shkollë” për politikën e sotme kombëtare që të mos dëgjojmë më “Këtë e bëri keq …”,  Atë e bëri mirë…”, apo ky është tradhtar”, “Ai është patriot”…,  por në rrjedhën e historisë secili ka atë “gurin” e tij të vogël, apo të madh, por e rëndësishme është të themi se cili skaliti di të skalisë  “gur – qoshen:” që mban në këmbë kështjellën e historisë.

Nëpër rreshtat e librit të Ilir Ikonomit gjen hapësirë të lexosh edhe mes rreshtave e kjo hapësirë shkruan shumë për sytë e historianëve, politikanëve dhe intelektualëve të mirëfilltë, aty ka mesazhe të trishta dhe të gëzueshme, por unë dua t’u jap ngjyrë shprese, se vetëm duke shpresuar, nuk ndalim punën dhe luftën për të arritur qëllimet tona.

Dua të nxjerr në pah idenë e librit brilant, se kundërshtari politik, nuk është armiku yt, apo i kombit tënd, si dhe vazhdimi i kësaj ideje, se kur fiton njëri, duhet ta mbështesë edhe tjetri, pavarësisht se nuk fitoi ideja e tij, për çështjen kombëtare, lihen mënjanë mëritë dhe egoizmi personal, kjo i ndan diktatorët nga demokratët.

Jemi lodhur nga përplasjet politike “Non stop” 24 orë të politikanëve shqiptarë të sotëm, shpalosja e ideve dhe programeve fillon me fillimin e fushatës zgjedhore e mbaron me përfundimin e zgjedhjeve, më pas ka bashkëpunim, kjo është demokracia dhe kjo ishte rruga e Ismail Qemalit që e pse ishim me mendime dhe ide të ndryshme, por me një qëllim me Syrja bej Vlorën, ai e ftoi në Kuvendin e shpalljes së Pavarësisë. Kështu në faqe 218 thuhet: “Në qoftë se delegati i tij, Veli bej Këlcyra nuk do kishte mbërritur, vendin e tij ta zinte Syrja bej Vlora. Ndërkaq, i biri, Eqremi, ishte caktuar delegat i Vlorës. As Syrja bej Vlora dhe as Eqremi nuk ndodheshin në Vlorë, por ata nuk mund të liheshin jashtë listës, qoftë për shkak të emrit që kishin, qoftë për faktin se kishin qen nismëtarët e përpjekjes për thirrjen e kuvendit, paçka se u dështoi puna.”

Të dy ishin liderë të përpjekjeve për të krijuar një shtet shqiptar, të dy kërkonin mbështetjen e shteteve dashamirëse, por çelësi i suksesit të Ismail Qemalit qe se nuk i shkëputi lidhjet me patriotët shqiptarë, i dëgjonte dhe i vlerësonte, se ishte më e vështirë të mblidhje Kuvendin se sa të merrje mbështetjen e shteteve të huaja, se siç e thekson autori në faqen 216 – 217: “Ishte gjë e rrallë të shihje parinë shqiptare të mbledhur në një konak. E rrallë sepse shqiptarët ishin të ndarë në fise dhe klane, nderonin tri besime të ndryshme dhe nuk kishin gjuhë të njehsuar kombëtare… sepse shqiptari individualist dhe krenar, që nuk duron dot as hijen e vet, e kishte të vështirë të pranonte një shqiptar tjetër mbi krye… Megjithatë, kishte diçka të padukshme, që i bënte veriorët dhe jugorët të mblidheshim bashkë në këto rrethana të veçanta, kur po turrej e liga… Pra, sado të ndryshëm të ishin këta njerëz, si rrjedhojë e atij brumi të përbashkët ata nuk ishin shkrirë me kombe tjera, as nuk e kishin holluar gjakun. Ata ishin thjesht shqiptarë.”

Me politikën ndodh si me letërsinë, krijuesit rendin për të arrirë vlerat e klasikëve, politikanët duhet të rendin për të arrirë vlerat e kuvendeve, se vetëm ashtu do ketë demokraci, bashkim dhe zhvillim, jo bashkim kufijsh të diktuar, por të ardhur si rezultat i bashkimit shpirtëror, se “Bashkimi kombëtar nuk arrihet me klitha, apo metra katrorë flamujsh, ai bashkohet duke qenë bashkë shpirtërisht, mendërisht dhe financiarisht, çdo trumbetim, apo rrahje gjoksi, është kot, ai e dëmton bashkimin tonë, ndaj të gjithë duhet të regjistrohemi në “Shkollën e Ismail Qemalit” për të zgjidhur një herë e mirë çështjen tonë kombëtare…” , kam shkruar në librin tim të fundit “Sharrajt në jetën e kombit”. Dhe jam shumë e kënaqur që më ra në dorë libri “Pavarësia – Udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit” se vërtet leksionet e tij përbëjnë “Shkollën e Ismail Qemalit”, kjo më bën të besoj, se midis krijuesve ka fije mistike që bashkëveprojnë dhe ne na duket rastësi që ndodhin gjërat, por “një dorë”, që truri ynë nuk ka arritur ta dallojë i drejton mendjet dhe dalin vepra që lidhen njëra me tjetrën.

Nuk dua të zgjatem në këtë përsiatje, se nuk do kisha mbarim në nxjerrjen dhe përcjelljen e mesazheve me vlera aktuale, ku përfshihet edhe përmendja e ndërtimit të “Rrugës së Kombit” përgjatë udhëtimit serb për të gjetur një dalje në Adriatik dhe dëshira e tyre për ta pasur Shëngjinin port e sot kjo rrugë të çon në Shëngjin, ku qeveria jonë ia ka lënë Kosovës për të dalë në det për të transportuar mallrat…

Nuk dua të flas më shumë, lexuesi të mendojë vetë, se ky është fati ynë i madh sot, kemi shumë intelektualë, por për fat të keq pak flasin duke lexuar midis rreshtave. Kështu në faqen 102 thuhet: “Ishte mëngjesi i datës 9 nëntor 1912, kur në Prizrenin me borë një kolonel serb, i quajtur  Dimitrie Buliç, iu drejtua me këto fjalë ushtarëve të rinj: ‘Djema! Divizioni ynë i Shumadijes duhet të kryejë edhe një detyrë tjetër të vështirë, por të rëndësishme… Kemi pushtuar mjaft lugina pjellore dhe qytete të bukura, por tani na ka mbetur të dalim në Adriatikun serb për t’i hapur atdheut tonë një rrugë të lirë drejt botës…’ Ushtarët iu përgjigjën me thirrje dhe pllaja ushtoi. Batalionet e Shumadijes e nisën marshimin nga Prizreni. Kaluan nëpër krahinën e Lumës, pak a shumë në ato vise, që sot përshkohen nga Rruga e Kombit dhe ku udhëtarët modernë kanë një rast të mirë për të reflektuar mbi historinë…”

Libri “Pavarësia – Udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit” është shkruar me një stil shkencor – historik e letrar – publicistik, një stil që e bën autorin jo vetëm të qëmtojë, por aty – këtu edhe të japë mendimet e tij e pse jo të tërheqë vëmendjen pa fjalë. Kjo është një vepër që i ka munguar lexuesit shqiptar, ndaj leximi i tij do ketë shumë vlera, se do na sjellë pas 100 vjetësh, jetën dhe përpjekjet e patriotëve shqiptarë e në veçanti, të Ismail Qemalit deri në ditën e shpalljes së Pavarësisë e më pas. Ky është ndër librat e veçantë që janë botuar në këtë jubile të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, se krahas tjerave, ai na mahnit me përshkrimet e qyteteve, personazheve dhe na bën ta duam dhe të punojmë më shumë për këto troje të lara me gjak nga brezat deri në Bashkimin përfundimtar të Kombit tonë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Ilir Ikonomi, udhetim i paharruar, Zyba Hysa

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT