Nga Keze Kozeta Zylo/
Ka qenë ëndërr e kahershme jona si TV dhe e shkollave shqipe “Alba Life” të sillnim një grup lab nga Shqipëria dhe kjo për arsyen e thjeshtë se deri më sot nuk ka qenë i ftuar ndonjë grup lab në Diasporë. Natyrisht nuk është e lehtë për angazhime të tille se marrin shumë energji, kohë, pasi dihet se si koha fluturon në Amerikë, por kur këto grupe sjellin histori, kulturë, traditë kombëtare sidomos për brezin e ri, ja vlen. Grupi “Thesaret Labe” erdhi si shqiponjë nga Atdheu ynë Shqipëria dhe u mirëpritën me duartrokitje kudo ku shkuan. Kështu në Shkollat Shqipe “Alba Life” në Brooklyn dhe në Bronx ata u mirëpritën me plot dashuri nga mësueset Fatlinda Gashi, Rozeta Daci, Kade Lajqi, Mehrije Shala, Helena Ujkaj, gjithë nxënësit dhe prindërit. Interpretimet e tyre brilante labe magjepsën publikun duke filluar me këngën për Kosovën martire me vargjet si:
Tungjatjeta moj Kosovë,
Vjen nga motër Labëria,
Të bekoi Zoti me dorë,
Kemi një gjak të dyja.
Polifonia popullore shqiptare është në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO. Me të drejtë Dr. Valbona Zylo Watkins në darkën e shtruar në shtëpinë tonë me grupin lab iu tha se për gjeneratat tona, fëmijët tanë, nxënësit e shkollave shqipe është shumë frymëzuese takimi me ju sepse ata i shikojnë direkt kostumet e traditës dhe dëgjojnë nga afër këngën e mahnitshme labe.
“Thesaret Labe” me anëtarë të grupit si: Viktor Aliu, Drejtor artistik dhe solist, Pëllumb Alia, poet dhe solist, Margarita Shehaj, solist, Adnand Aliu solist, Gëzim Aliu solist, Valter Aliu solist, Zylyftar Alia iso morën pjesë si të ftuar special në Festivalin e 31-t shqiptar të organizuar nga Qendra “Nënë Terezë” pranë Kishes “Zoja e Shkodrës” Harstedale, NY. Ishte një festival madhështor me skena dhe mjedise lluksoze në Purchase University.
Grupe, artistë të ndryshëm nga gjithë Amerika si dhe nxënësit e Shkollave Shqipe “Alba Life” ne NY, Ambasador i Kombit interpretuan denjësisht në Festivalin e 31-t që iu kushtua 115 Vjetorit të Kongresit të Manastirit organizuar nga Qendra “Nënë Tereza” pranë Kishës “Zoja e Shkodrës”.
Dukej si një bekim nga Kisha “Zoja e Shkodrës” ky institucion i shenjtë atdhetar!
Thesaret Labe ishin të ftuar në aktivitetin e mirëorganizuar me plot shqiptarë nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skënderbej” inc. ku në nderim të Ditës Flamurit u organizua promovimi i dy librave “Scanderbeg” dhe “Iskander Soldier of the Cross” me autor Halit Daci ushtarak shqiptar në pension. Në fund të performancës së tyre z. Mark Qehaja në emër të Bordit të Shoqatës “Skënderbej” vlerësoi me pllakën e mirënjohjes grupin “Thesaret Labe” me këtë motivacion: Në mirënjohje të kulturës, këngës labe dhe traditave folklorike të historisë kombëtare shqiptare. Kjo çertificatë jepet në Ditën e Flamurit dhe të promovimit të librave për Skënderbeun nga Bordi i Drejtorëve të Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” Inc.
Çfarë krenarie dhe emocioni kemi përjetuar gjithashtu në mjediset e nje medie prestigjioze si CTV, Staten Island, New York ku ishin të ftuar grupi lab në studio nga TV “Alba Life” me themelues dhe producent Qemal Zylo. Në këtë mbrëmje elegante, profesionale ishin të ftuar z. Amir Suka me bashkëshorten e tij simpatike Lumin. Z. Suka është drejtor i programit të TV “Alba Life”, i vlerësuar me katër çmime “Emmy” drejtori i kompanisë së mirenjohur “Alba Pro”, tri mësueset e dashura nga Staten Island si Entela Muda, Elona Shkreta dhe Anxhela Alushaj. Çmimi i dhënë nga TV dhe Shkollat Shqipe “Alba Life” u dha në një Institucion të rëndësishëm në media në Staten Island. Në këtë aktivitet elegant erdhi dhe përshëndeti patrioti dhe atdhetari i shquar Demë Balidemaj i cili gjithmonë ka mbështetur Diasporën dhe kauzën shqiptare.
Z. Viktor Aliu dhe gjithë anëtarët e grupit shprehën mirënjohjen e pakufishme për pritjen madhështore që i është bërë grupit lab në Diasporën Shqiptare Amerikane në New York dhe për këtë ndihemi shumë krenar. Ne vazhdoi z. Aliu kemi 80 këngë në repertorin tonë dhe këto i performojnë si brenda Shqipërisë ashtu dhe jashtë saj. Ne kemi qenë të ftuar në të gjitha komunat e Kosovës, ja pas Nju Jorkut do të vemi në komunën e Skënderaj. Po të më çash zemren time gjysma e saj është Kosovë.
Z. Qemal Zylo Themelues dhe President i vlerësoi me pllakë mirënjohjeje Thesaret Labe me këtë motivacion:
TV dhe Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, NY
iu jep Pllakë Mirënjohjeje Grupit “Thesaret Labe” Shqipëri, me anëtarë:
Viktor Aliu, Pëllumb Alia, Margarita Shehaj, Adnand Aliu, Gëzim Aliu, Valter Aliu, Zylyftar Alia.
Në mirënjohje të performancave të këngëve labe mbrojtur nga UNESCO në Festivalin e 31-t Shqiptar në Amerikë nga Kisha “Zoja e Shkodrës”, në Shkollat Shqipe “Alba Life” dhe në Ditën e Flamurit, NY.
Kjo çertificatë jepet në Staten Island Television, në studion e TV Alba Life.
Në fund të pranishmit trokëllitën gotën e verës me njeri tjetrin si vëllezër dhe motra shqiptare, sepse muzika është gjuha e shpirtit që sjellë paqe dhe carmatos luftrat.
Pas TV familja Zylo sipas zakonit i mirëpriti për darkë Thesaret Labe ku shpenzuam një kohë cilësore së bashku me shqiponjat e Labërisë së Tepelenës.
Natyrshëm ndamë gëzimin e këngës së bashku dhe kjo është dashuri dhe respekt për traditën kombëtare, pasi aty thellë gjejmë shpirtin tonë.
“Thesaret Labe” me këngë në buzë në TV, Shkollat Shqipe “Alba Life” dhe nëpër Diasporë, New York intepretuan “Polifoninë popullore shqiptare” që është në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit”.
15 Nëntor,
Staten Island, New York