
Tiranë më 4 Mars 2022
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë në solidaritet të plotë me gazetarët dhe familjet e tyre ukrainas të cilët përballen me gjendjen e luftës në vendin e tyre. Në takimin që kryetari i UGSH, gazetari Aleksandër Çipa pati me ambasadorin e Republikës së Ukrainës në Tiranë, Shkëlqesinë e Tij, zotin Volodymyr Shkurov në selinë e Ambasadësë, pasditen e së enjtes, i shprehu diplomatit solidaritetin dhe ndjenjat e forta të mbështetjes dhe përkrahjes për popullin e Ukrainës dhe në veçanti për komunitetin e mediave dhe gazetarëve të vendit të tij. Ai i shprehu zotit Ambasador gadishmërinë që organizata e gazetarëve shqiptarë të mund të kontribuojë me ndihma dhe strehim të disa familjeve të gazetarëve që janë larguar dhe po largohen nga vatrat e tyre nëpër vende të ndryshme europiane, përfshi edhe Shqipërinë.Në takimin e mbrëmshëm ndër të tjera u fol për gjendjen dhe shqetësimin e krejt vendeve europiane prej kësaj lufte dhe pasojave në përshkallëzim të saj. Ambasadori e falenderoi drejtuesin e UGSH për ndjenjat e ngrohta vëllazërore dhe mbështetjen pa kushte që gazetarët shqiptarë po u ofrojnë kolegëve të tyre ukrainas.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë