Të dashur vatranë;
Të nderuar bashkatdhetarë;
Sot është një ditë historike, përkujtojmë një ngjarje të lavdishme te shqiptarët e Amerikës, një ditë shumë të veçantë për Shqiptarët në Shtetet e Bashkuara, 111 vite më parë u lind shkëndija e parë patriotike, shpresa dhe dëshira e fuqishme e Shqiptarëve të Amerikës me në krye Fan Nolin e Faik Konicën me shumë intelektualë të tjerë të cilët krijuan Federatën Pan Shqiptare të Amerikës me emrin e ngrohtë “VATRA”. Vatër e shpirtit kombëtar, e historisë sonë të pasur, Vatër e vlerave patriotike, e identitetit dhe trashëgimisë së shkëlqyer shqiptare. Vatra e ruajti me nder dhe privilegj misionin e saj të shenjtë për ti shërbyer atdheut dhe çështjes kombëtare.
Apostujt themelues e formuan Vatrën me një qëllim të vetëm; për të bashkuar forcat intelektuale, fuqitë materiale dhe njerëzore kombëtare për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Mirënjohje përjetë patriotëve vatranë që kishin në çdo kohë në themel të veprimtarisë patriotike interesin kombëtar dhe të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Për 111 vite më radhë Vatra nuk ndaloi së punuari dhe asnjëherë nuk rreshti duke i dalë për Zot shqiptarëve të kudo ndodhur. Vatra ishte suporti kryesor në formimin e shtetit të parë shqiptar dhe vazhdoi me kontributin e saj në të gjitha proçeset e ndërtimit të shtetit shqiptar në 111 vite ekzistencë. Gjithashtu Vatra dha një kontribut tejet të vyer edhe në formimin e shtetit të ” Kosovës” që sot gëzon lirinë dhe pavarësinë e saj.
Në emër të Vatrës: Uroj nga zemra që progresi, vlerat dhe qëllimi i Vatrës të jetë një udhëtim i pandalshëm duke i shërbyer me përkushtim atdheut dhe interesave kombëtare shqiptare. Vatra ka lobuar dhe do vazhdojë ta bëjë me përpikmëri për të bashkuar shqiptarët në mërgatën e Amerikës.
Vatra sot i bashkon shqiptarët nga të gjitha trojet në tokën e premtuar të Amerikës. Vatra është fuqia më e madhe patriotike. Vatra është krenari kombëtare dhe identitare. Vatra e ngrohtë, zjarri i pa shuar i atdhedashurisë po mban gjallë shpirtin patriotik shqiptar përtej Atlantikut. Vatra përfaqëson sot patriotët e profesionistët shqiptarë më të shkëlqyer në mërgatën e Amerikës. Vatra po rritet çdo ditë. Vatra po ecën me krenari në rrugën e lavdishme të historisë së saj. Vatra është krenaria, historia dhe identiteti i shqiptarëve të Amerikës. Vatra është e shenjtë.
Për mua dhe çdo vatran është një privilegj i madh që të bashkërendojmë forcat për të kontribuar përjetë për çështjen kombëtare, atdheun e kombin.
Të bashkuar jemi edhe më të fortë.
Urime Vatër e shqiptarëve
Gëzuar përjetë e mot
Me nderim të veçantë
Kryetari
Elmi Berisha