Letër e Kol Tromarës drejtuar Mehmet Konicës, lidhur me miratimin e raportit vjetor nga kuvendi i “Vatrës”, zgjedhjet në organet drejtuese si dhe takimin e Nolit me Presidentin Wilson dhe ish Presidentin Roosvelt
Boston, më 30 korrik 1918
Raporti juaj vjetor u lexua para kuvendit të 7 korrikut të vitit 1918 dhe u prit me duartrokitje të stuhishme nga delegatët. Në mocionin e një grupi delegatësh u vendos që të shtypet dhe tu shpërndahet raporti juaj degëve të ndryshme të Federatës. Kuvendi shprehu unanimisht mirëbesimin te ju dhe te kolegu juaj dr. Turtulli. Dikasteri i ri u zgjodh si vijon: Mit’hat Frashëri, kryetar, n.q.s. ai merr lejen të vijë në Boston dhe të zërë postin e tij; n.q.s. kjo del e pamundur, ai do të emërohet delegat i “Vatrës” në Zvicër, me një pagë mujore prej 200 $. I nënshkruari u zgjodh kryetar i përkohshëm deri në mbërritjen e Mit’hat Beut dhe, në rast se ky i fundit nuk vjen, atëherë kryetar. Zoti Ndreko Stavri, sekretar i mëparshëm i “Diellit” u zgjodh sekretar i “Vatrës”, meqë z. Leon Kristo u tërhoq për arsye të vazhdimit të studimeve të tij në Universitetin e Harvardit. Dr. George Adhamudhi Frashëri u caktua delegat i “Vatrës” në Zvicër, pa pagesë. Rev. Fan Noli u caktua delegat i “Vatrës” në Amerikë, me konditë që caktimi i tij të marrë pëlqimin tuaj dhe të kolegut tuaj dr. Turtulli; At Noli premtoi të tërhiqej nga zyra e tij në qoftë se me këtë ai mund të qetësonte zotin Nuredin Vlora e Mihal Grameno me Co, me qëllim që të bashkohen me Federatën tonë, me kusht që të eliminohej Ismail Qemali. Një shumë prej 1200 $ në vit u caktua për sekretarin e delegacionit tonë në Zvicër.
Dr. Nikolla Kasneci nga Mansurabi i Egjiptit, mendohet të ketë hequr dorë e të jetë liruar nga posti i tij i delegatit të “Vatrës”, meqë nuk e pranoi atë post dhe të vinte në Londër gjatë vitit të kaluar. Ju lutem kini parasysh të gjitha ato që lidhen me këto vendime dhe dërgoni një miratim të përbashkët për zgjedhjen e Fan Nolit si kolegu juaj në Amerikë.
Fan Noli u takua me Presidentin Wilson në bordin e anijes “May flower” më 4 korrik, duke qenë i ftuar si përfaqësues i të gjithë shqiptarëve të Amerikës për të shoqëruar Presidentin në varrin e G. Washingtonit. Ai pati rastin të fliste më se njëherë me Presidentin rreth Shqipërisë. Presidenti Wilson e dëgjoi atë me dashamirësi e interes dhe i tha: “Unë do të jem një zë në Kongresin e ardhshëm të Paqes dhe do të përdor atë për të mirë të Shqipërisë”.
Më 25 korrik F. Noli pati një bisedë të gjatë me ish presidentin Roosvelt në Klubin Harward të New York-ut. Kolonel Roosvelt i dha këtë mesazh për shqiptarët: “Unë besoj se pavarësia e Shqipërisë mund të rivendoset nën proteksionin e garancinë e përbashkët të Amerikës, Anglisë, Francës. Unë do të jem i gëzuar sikur të bëja ndonjë gjë që është në dorën time për të arritur këtë rezultat”.
AQSH, F. Shoqëritë Shqiptare në SHBA, V. 1918, D. 14, fl. 2.