• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”

April 13, 2026 by s p

Sokol Paja/

Studimi i gazetarit Rafael Floqi “Noli dhe Konica nën dritën e ‘Diellit’” është një vepër e arrirë historiko-publicistike, e cila nxjerr në dritë, përmes shqyrtimeve dokumentare dhe bibliografike, dy nga figurat më të shquara, dominante dhe protagonistët absolutë të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Fan Noli dhe Faik Konica.

Ky studim mbart vlera historike, komunitare, mediatike, atdhetare dhe shoqërore, pasi përfshin një punë shumëvjeçare pasioni, përkushtimi dhe dedikimi ndaj këtyre kolosëve të kombit shqiptar. Në këtë studim serioz trajtohen në mënyrë të detajuar jo vetëm marrëdhëniet e ndërlikuara mes Nolit dhe Konicës, por edhe raportet e mërgatës shqiptare të Amerikës me atdheun.

Me një literaturë të pasur, gjuhë dhe stil të shkëlqyer, citime të bazuara në dokumente në disa gjuhë dhe dëshmi, informacion të imtësishëm dhe analizë të thelluar publicistiko-shkencore, si dhe me referenca nga burime amerikane dhe monitorim të kujdesshëm të artikujve të gazetës “Dielli”, autori dëshmon një punë hulumtuese disa-vjeçare, ndër më dinjitozet e botuara në dekadën e fundit mbi marrëdhënien e veçantë të miqve-“armiq” Fan Noli dhe Faik Konica, të parë në një prizëm paralel sa psikologjik aq dhe njerëzor dhe artistik.

Marrëdhënia ndërmjet Faik Konicës dhe Fan S. Nolit përbën në vetvete një nga raportet më të veçanta dhe më polemike të shekullit të kaluar dhe këndvështrimi i ri psikoanalitik është një zbulim dhe arritje në studimet historiko letrare dhe i veçantë në letërsinë dhe historinë shqipe dhe botërore, duke u nisur nga fakti tek përgjithësimi .

Rivalitet dhe afrim, ndarje dhe bashkime, aleanca dhe përçarje, polemika dhe akuza, ironi dhe sarkazëm, idealizëm dhe pragmatizëm, si dhe ambicie politike – të gjitha këto elemente ndërthuren në këtë libër. “Noli dhe Konica nën dritën e ‘Diellit’” ofron një analizë të shumëfishtë: historike, psikologjike, kulturore, letrare dhe mediatike.

Gazeta “Dielli” jo vetëm që pasqyron me detaje veprimtarinë e Nolit dhe Konicës në një prizëm krahasues, por mbi të gjitha dokumenton idetë, ndarjet dhe bashkimet, polemikat e zjarrta dhe konceptet mbi zhvillimin e Shqipërisë, si dhe rolin e Vatrës dhe të vetë “Diellit”.

Libri trajton në mënyrë të veçantë marrëdhënien dhe përplasjen e këtyre dy figurave kombëtare me Mbretin Zog, vizionet politike të Nolit dhe Konicës, konceptet e shtetndërtimit dhe shtetformimit, politikës, filozofisë, moralit, ndërgjegjes dhe zgjimit kombëtar. Noli dhe Konica, si dy figura të fuqishme të mendimit, frymëzimit dhe veprimit kombëtar, edhe pse larg Shqipërisë, themeluan një shkollë të kulturës, politikës, letërsisë, moralit publik dhe ndërgjegjes patriotike shqiptare.

Libri “Noli dhe Konica nën dritën e ‘Diellit’” na fton në thelb në një reflektim mbi amanetin moral, shpirtëror dhe kulturor të Nolit dhe Konicës, mbi rëndësinë e trashëgimisë dhe themeleve të “Diellit”, të Vatrës, të shtetit dhe të kombit shqiptar. Duke përshkruar konfliktin krijues dhe kundërshtues të këtyre kolosëve, vepra paraqet rolin e jashtëzakonshëm të Fan Nolit dhe Faik Konicës si dy pika referimi për historinë kombëtare, identitetin dhe kulturën shqiptare, ndërgjegjen atdhetare dhe veçanërisht trashëgiminë shqiptare në mërgatën e Amerikës.

Noli dhe Konica trajtohen imtësisht si subjekte superaktive mediatike, atdhetare, politike dhe kulturore, me ndikim të fuqishëm në shekullin e kaluar dhe, pa dyshim, edhe në shekullin që vjen. Konica si intelektual kritik dhe Noli si fenomen kulturor e politik patën një marrëdhënie që prodhoi përplasje, admirim, vlerësim, konkurrencë, bashkëpunim dhe kundërshti, të cilat përbëjnë boshtin themelor të këtij libri, të parë në prizmin psikologjik dhe historik e letrar.

Një meritë e veçantë e librit qëndron në faktin se dy figurat madhore të kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar, Noli dhe Konica, trajtohen edhe në dimensionin e tyre njerëzor, karakterial dhe shpirtëror.

Siç shprehet edhe vetë autori Rafael Floqi, Noli dhe Konica nuk ishin vetëm shkrimtarë apo politikanë; ata ishin arkitektë të një kombi që po dilte nga errësira osmane drejt dritës evropiane. Secilit i takoi një rol thelbësor: Nolit ndërtimi i frymës së kombit, Konicës ndërtimi i formës së tij.

Temat themelore të librit, ngjarjet në Vatër me Nolin dhe Konicën si protagonistë, polemikat përmes “Diellit”, marrëdhëniet e tyre me Mbretin Zog, zhvillimet politike në Shqipërinë e viteve ’20–’30, çështje të historisë, letërsisë, gjuhësisë dhe identitetit kombëtar, prirjet politike dhe mjeshtëritë individuale, periudha e regjimit diktatorial, si dhe veprimtaria dhe ndikimi i tyre kulturor e kombëtar, janë trajtuar nga gazetari Floqi me delikatesë, ndershmëri dhe elegancë, pa ngarkesë emocionale dhe me një distancë profesionale nga zjarri i përplasjeve të përjetshme.

Fan Noli dhe Faik Konica përbëjnë dy referenca të jashtë-zakonshme të kulturës shqiptare dhe të identitetit modern kombëtar. Studimi i gazetarit Rafael Floqi “Noli dhe Konica nën dritën e ‘Diellit’” është një kontribut i vyer historik jo vetëm për Federatën Vatra dhe gazetën Dielli, por për mbarë mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Opinion

VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT

April 12, 2026 by s p

Të dashur bashkombas të besimit Ortodoksë

Më lejoni që në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, të gazetës Dielli dhe në emër të familjes sime t’ju uroj përzemërsisht: Gëzuar dhe Përshumëvjet Pashkët.

Paqja e Zotit qoftë përherë me ju. Ngjallja e Krishtit simbolizon festën e jetës, festën e pavdeksisë. Pashka është një përtëritje shpirtërore e jetësore. Drita, e vërteta dhe jeta qoftë udhëheqja e juaj në çdo çast. Pashka na udhëheq drejtë një besimi më të fortë, mirësie, humanizmi, drejtësie e përshpirtshmërie.

Pashka na mëson se drita e mposhtë errësirën, mirësia e shkërmoq ligësinë, jeta është fitimtare mbi vdekjen, dhe parajsa fiton mbi ferrin.

Zoti dhashtë mirësi, bekim e mbarësi për familjet tuaja dhe atdheun tonë të shtrenjtë.

Zoti ju bekoftë të gjithëve.

Me respekt e gëzim

Kryetari i VATRËS

Dr. Elmi BERISHA

Filed Under: Opinion

Eliot Engel, in memoriam…

April 11, 2026 by s p

Harry Bajraktari/

Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se ka ndërruar jetë miku i madh i shqiptarëve, Kongresmeni amerikan Eliot Engel, zëri i shqiptarëve në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për më shumë se tri dekada. Ai është një mik i pazëvendësueshëm i kombit shqiptar, një nga më meritorët që sot e kemi Kosovën e lirë e të pavarur, si dhe Shqipërinë demokratike e pjesë të NATO-s 🇺🇸🇦🇱🇽🇰

Për mua personalisht, Eliot Engel ka qenë si vëlla i imi dhe miku im më besnik në betejat tona për Kosovën. Që nga dita e parë, në vitin 1989, kur trokita në derën e zyrës së tij për t’i folur për vuajtjet e popullit të Kosovës, ai hapi jo vetëm zyrën, por edhe zemrën e tij për popullin shqiptar.

Populli shqiptar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, në Luginë të Preshevës, Çamëri e diasporë do ta kujtojë përgjithmonë si një nga miqtë më të mëdhenj që kemi pasur ndonjëherë në Washington dhe New York. Ai ishte pranë nesh në ditët tona më të errëta dhe ishte pranë nesh edhe në ditët tona më të lumtura, kur Kosova shpalli pavarësinë dhe Shqipëria u bë pjesë e NATO-s.

Sot kombi shqiptar i përkulet me mirënjohje të pafund këtij njeriu të drejtë dhe fisnik. Historia jonë nuk mund të shkruhet pa emrin e Eliot Engel. Atë do ta kujtojmë si kongresmenin e shqiptarëve, mikun që nuk na tradhtoi kurrë, njeriun që foli për ne kur nuk kishim zë.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes Engel, bashkëshortes së tij Pat Engel, fëmijëve dhe të gjithë familjarëve e miqve të tij. Sot ndajmë dhimbjen me ta, por edhe krenarinë që kemi pasur fatin ta quajmë Eliot Engel mikun tonë.

Shpirti i tij u prehtë në paqe. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së Eliot Engel 🙏

Filed Under: Opinion

BLLACA SI INFRASTRUKTURË HISTORIKE E DHUNËS DHE NYJE E KUJTESËS KOLEKTIVE

April 10, 2026 by s p

(27 vite pas dëbimit me dhunë të shqiptarëve nga Kosova).

Bllaca nuk mbetet vetëm një hapësirë e vuajtjes, por shndërrohet në një pikë kthese në ndërgjegjësimin ndërkombëtar. Pamjet e krizës humanitare dhe përmasat e saj ndikuan drejtpërdrejt në vendimmarrjen e NATO’s për të ndërhyrë kundër Serbisë, duke e vendosur këtë hapësirë në qendër të procesit të ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Kështu, Bllaca fiton një dimension të dyfishtë: ajo është njëkohësisht një simbol i dhimbjes dhe një katalizator i ndërhyrjes ndërkombëtare.

Prof.dr Skender Asani

Bllaca, si një hapësirë që në shikim të parë duket periferike dhe thjesht gjeografike, në fakt përfaqëson një nyje të thellë historike ku ndërthuren infrastruktura, dhuna dhe kujtesa kolektive. Për ta kuptuar plotësisht këtë dimension, analiza duhet të rikthehet në fundin e shekullit XIX, në momentin kur ndërtimi i linjës hekurudhore Shkup Mitrovicë në vitin 1878, në kontekstin e transformimeve të mëdha që pasuan Kongresin e Berlinit, krijoi jo vetëm një korridor ekonomik dhe ushtarak, por edhe një mekanizëm të ri për menaxhimin e popullsive përmes lëvizjes së detyruar. Kjo infrastrukturë, që në teori i përkiste modernitetit dhe zhvillimit, në praktikë u shndërrua në një instrument të politikave të dhunës demografike.

Valët e para të të dëbuarve shqiptarë nga Sanxhaku i Nishit, të cilët u përballën me forma të organizuara të dhunës dhe spastrimit etnik, u transportuan pikërisht përmes kësaj linje hekurudhore në drejtimin Mitrovicë Shkup Selanik, për t’u zhvendosur më tej drejt Anadollit. Në këtë trajektore, Bllaca merr kuptimin e një hapësire tranziti, një pikë nevralgjike ku fillonte shkëputja përfundimtare nga territori i origjinës. Ky model nuk mbeti i izoluar në një moment të vetëm historik. Ai u riprodhua edhe pas Luftërave Ballkanike, duke krijuar një valë të dytë të shpërnguljes së detyruar, që dëshmon për një vazhdimësi strukturore të përdorimit të infrastrukturës si mjet i inxhinierisë demografike.

Në këtë kuptim, linja hekurudhore Shkup-Mitrovicë nuk mund të analizohet më si një objekt neutral teknik, por si një aparat i institucionalizuar i lëvizjes së kontrolluar, i cili në periudha të ndryshme historike është vënë në shërbim të projekteve politike të spastrimit dhe zhvendosjes. Kjo tezë gjen konfirmimin më dramatik gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur në mars të vitit 1943 mbi 7000 hebrenj u deportuan përmes kësaj rruge, duke kaluar nëpër Bllacë drejt kampit të shfarosjes Treblinka, në kuadër të politikave të zbatuara nga administrata fashiste bullgare në territoret e pushtuara. Ky episod e pozicionon Bllacën brenda një konteksti më të gjerë të topografisë së dhunës në Evropë, duke e ndërlidhur në mënyrë implicite me mekanizmat strukturorë të Holokaustit dhe duke e rikonfiguruar atë si një hapësirë ku infrastruktura, përtej funksionit të saj teknik, artikulohet si pjesë integrale e praktikave të dhunës së institucionalizuar. Në të njëjtën kohë, paralelisht me këtë logjikë represive të organizuar nga pushteti, në hapësirat malore përreth Bllacës u zhvillua një kundërveprim i heshtur humanitar, ku elementë të popullsisë shqiptare ndërhynin në mënyrë të fshehtë për të nxjerrë dhe orientuar hebrenjtë drejt rrugëve alternative të shpëtimit, duke i kanalizuar përmes rrjeteve ilegale në drejtim të territorit shqiptar, i perceptuar si një hapësirë e mundshme mbrojtjeje dhe mbijetese. Ky dualizëm ndërmjet infrastrukturës së dhunës së institucionalizuar dhe praktikave lokale të solidaritetit e bën Bllacën një pikë nyje ku përplasen dy logjika historike diametralisht të kundërta: ajo e shfarosjes së organizuar dhe ajo e shpëtimit të rrezikshëm, por etikisht të motivuar.

Rikthimi i kësaj logjike në fund të shekullit XX, gjatë Luftes se Kosovës, dëshmon për një përsëritje të frikshme të historisë. Në prillin e vitit 1999, Bllaca u shndërrua në një hapësirë të grumbullimit masiv të shqiptarëve të dëbuar me forcë nga Kosova, duke krijuar një situatë që sfidonte çdo normë të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Dëshmia e një të mbijetuari të Holokaustit, i cili e krahasoi këtë përvojë me deportimet e Luftës së Dytë Botërore, nuk është vetëm një figurë retorike, por një tregues i një strukture të përsëritur të dhunës së organizuar, ku transporti dhe zhvendosja bëhen instrumente të zhdukjes së identitetit dhe të pranisë territoriale.

Në këtë moment, Bllaca nuk mbetet vetëm një hapësirë e vuajtjes, por shndërrohet në një pikë kthese në ndërgjegjësimin ndërkombëtar. Pamjet e krizës humanitare dhe përmasat e saj ndikuan drejtpërdrejt në vendimmarrjen e NATO’s për të ndërhyrë kundër Serbisë, duke e vendosur këtë hapësirë në qendër të procesit të ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Kështu, Bllaca fiton një dimension të dyfishtë: ajo është njëkohësisht një simbol i dhimbjes dhe një katalizator i ndërhyrjes ndërkombëtare.

Nga një perspektivë teorike, kjo hapësirë mund të konceptohet si një zonë liminale, ku individët humbin statusin e tyre juridik dhe reduktohen në ekzistencë të zhveshur nga mbrojtja institucionale. Në këtë kuptim, ajo mund të krahasohet analitikisht me raste si Masakra e Srebrenicës, jo për të barazuar tragjeditë, por për të evidentuar një model të përsëritur të dështimit ndërkombëtar dhe reagimit të vonuar. Megjithatë, ajo që e bën Bllacën të veçantë është fakti se ajo përfaqëson një hapësirë ku kjo logjikë e dhunës është përsëritur në intervale të ndryshme historike, duke krijuar një sedimentim të traumës kolektive.

Në këtë kontekst, kërkesa për institucionalizimin e kujtesës në Bllacë nuk duhet të kuptohet si një projekt i thjeshtë memorial, por si një domosdoshmëri strukturore për ndërtimin e një kulture të qëndrueshme të kujtesës dhe drejtësisë. Strukturat ekzistuese përkujtimore, si memorialet dhe elementet simbolike, megjithëse të rëndësishme, mbeten të pamjaftueshme për të përballuar kompleksitetin e kësaj trashëgimie historike. Ato duhet të integrohen në një projekt më të gjerë institucional, i cili do të funksiononte si një qendër muzeale dhe kërkimore me kapacitete të plota shkencore dhe dokumentare, potencialisht në kuadër të Qendrës Memoriale “Bllaca 1999”.

Një institucion i tillë do të kishte për funksion jo vetëm ruajtjen e kujtesës, por edhe prodhimin e dijes, artikulimin juridik të krimeve dhe transmetimin e përvojës historike tek brezat e rinj dhe opinioni ndërkombëtar. Përfshirja e departamenteve të specializuara nga dokumentimi i krimeve dhe analiza juridike, deri te arkivimi dhe komunikimi medial do ta shndërronte këtë projekt në një platformë të mirëfilltë të diplomacisë së kujtesës.

Në planin politik, një iniciativë e tillë përbën një akt të rëndësishëm të afirmimit të sovranitetit narrativ për Kosovën, por njëkohësisht kërkon një bashkëpunim të strukturuar me Maqedonine e Veriut, duke qenë se Bllaca është një hapësirë me rëndësi të përbashkët historike dhe gjeografike. Ky bashkëpunim do të krijonte jo vetëm një model rajonal të menaxhimit të kujtesës, por edhe një platformë për integrimin e kësaj përvoje në rrjetet ndërkombëtare të studimeve mbi gjenocidin dhe të drejtat e njeriut.

Në përfundim, Bllaca duhet të kuptohet si një arkiv i gjallë i historisë, një hapësirë ku dhuna e organizuar ka lënë gjurmë të përsëritura dhe ku kujtesa kërkon formë institucionale për të mbijetuar. Nëse kjo kujtesë mbetet e fragmentuar dhe e paorganizuar, ajo rrezikon të zbehet dhe të relativizohet. Por nëse institucionalizohet në mënyrë të qëndrueshme dhe të mirëstrukturuar, ajo shndërrohet në një instrument të fuqishëm të së vërtetës, drejtësisë dhe ndërgjegjësimit ndërkombëtar. Në këtë kuptim, Bllaca nuk është vetëm një dëshmi e së kaluarës, por një themel mbi të cilin ndërtohet narrativa e ndërkombëtarizimit dhe vetë shtetformimi i Kosovës.

Filed Under: Opinion

27 Vjetori i Betejës së Koshares – Një epokë lavdie, sakrifice dhe bashkimi kombëtar

April 9, 2026 by s p

Dr. Elmi Berisha/

Në kalendarin e historisë sonë kombëtare, ka data që nuk janë thjesht përkujtimore, por janë gurë themeli mbi të cilët ndërtohet vetëdija jonë kolektive dhe identiteti ynë si komb. Njëra ndër këto data të shenjta është edhe përvjetori i Betejës së Koshares, një nga betejat më të lavdishme, më heroike dhe më përcaktuese të luftës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Sot, në 27-vjetorin e kësaj beteje madhështore, përulemi me nderimin më të thellë para kujtimit të dëshmorëve dhe luftëtarëve të saj, të cilët me gjakun e tyre shkruan një nga faqet më të ndritura të historisë sonë të re. Lavdi e përjetshme për bijtë dhe bijat më të denja të kombit, që u bënë themel i lirisë sonë!

Beteja e Koshares nuk ishte thjesht një përballje ushtarake. Ajo ishte një akt i lartë historik, një moment kthesë që simbolizoi thyerjen e kufirit padrejtësisht të vendosur ndërmjet shqiptarëve. Për herë të parë pas dekadash ndarjeje, kufiri shqiptaro-shqiptar u shemb me pushkë në dorë dhe me idealin e bashkimit në zemër. Ky akt nuk ishte vetëm strategjik, por thellësisht simbolik – ishte shpallje e vullnetit të një populli për të jetuar i lirë dhe i bashkuar në tokën e vet.

Në këtë betejë, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mbështetur nga bij të kombit nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga diaspora, dëshmuan se liria nuk është dhuratë, por sakrificë sublime. Ata përballuan një makineri të fuqishme ushtarake me guxim të pashoq, me vendosmëri të hekurt dhe me një besim të palëkundur në drejtësinë e kauzës së tyre. Emrat e tyre janë sot të gdhendur në përjetësi, në ndërgjegjen kombëtare dhe në historinë e lavdisë sonë.

Kjo betejë heroike ishte një dëshmi e fuqishme se kur kombi bashkohet rreth një ideali të drejtë, asnjë pengesë nuk është e pakapërcyeshme. Koshara u bë simbol i unitetit mbarëkombëtar, ku u bashkuan shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe diaspora, duke dëshmuar se ndarja politike nuk mund të shuajë kurrë ndjenjën e përbashkët kombëtare.

Për ne, si përfaqësues të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”, kjo datë ka një domethënie të veçantë. VATRA, që nga themelimi i saj, ka qenë gjithmonë në shërbim të çështjes kombëtare, duke mbështetur aspiratat për liri dhe pavarësi të popullit shqiptar. Diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara ka qenë një zë i fuqishëm në mbështetje të Kosovës, dhe Beteja e Koshares përfaqëson kulmin e sakrificës që kjo kauzë kërkoi.

Në këtë përvjetor, ne jo vetëm që kujtojmë dhe nderojmë, por edhe reflektojmë. Sakrifica e dëshmorëve të Koshares na obligon të ndërtojmë një shtet të drejtë, demokratik dhe të zhvilluar. Liria për të cilën ata dhanë jetën nuk është një arritje e përfunduar, por një përgjegjësi e përhershme për brezat që vijnë.

Kosharja është më shumë se histori, ajo është frymëzim. Ajo na kujton se liria fitohet me sakrificë, mbrohet me përkushtim dhe forcohet me unitet. Ajo është një thirrje për të mos harruar kurrë rrugën që kemi kaluar dhe çmimin që kemi paguar për të qenë të lirë.

Në një kohë kur bota përballet me sfida të reja dhe kur historia shpesh vihet në provë, ne duhet të qëndrojmë të palëkundur në vlerat për të cilat u luftua në Koshare: liri, dinjitet dhe bashkim kombëtar. Këto janë vlera universale që i japin kuptim sakrificës dhe që e bëjnë atë të pavdekshme.

Sot, ndërsa përkujtojmë këtë përvjetor të shenjtë, le të përsërisim me krenari dhe përulësi: Lavdi dëshmorëve të Betejës së Koshares! Lavdi luftëtarëve të lirisë! Lavdi popullit që nuk u dorëzua kurrë!

Kujtimi i Koshares do të jetojë përherë në zemrat tona, si një dritë që ndriçon rrugën e së ardhmes sonë dhe si një amanet që na obligon të jemi të denjë për sakrificën e atyre që ranë për liri.

Lavdi e përjetshme!

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA PUSTECI NË ULQIN – KUR SULMOHEN SIMBOLET, GJUHA DHE IDENTITETI SHQIPTAR
  • Prof. Agim GJAKOVA – Mjeshtri i Rrëfimit dhe Vjershëtorit të Paepur, midis të Mundshmes dhe të Pamundshmes!
  • Ç`po ndodh me bektashinjtë? Dhe ç`qëndrim duhet të mbajmë?
  • Shqipëria do të rihapë bastet por ‘fati’ po u buzëqesh operatorëve të huaj
  • VATRA TELEGRAM URIMI JOE DHE SHIRLEY DIOGUARDIT ME RASTIN E MARRJES SË SHTETËSISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • “Beyond the Runway”, stilistja Lejda Troci: “Pas çdo veshjeje është një histori, një dhimbje, një lot, një buzëqeshje”
  • NJOFTIM PËR REGJISTRIMET E VITIT TË 20-TË MËSIMOR AKADEMIK 2026–2027 TË SHKOLLAVE SHQIPE “ALBA LIFE”, NEW YORK DHE ONLINE
  • Rihapja e Shkollës Shqipe VATRA në 26 Shtator 2026
  • “Vilajeti i Kosovës (1877–1912): Rrethanat politike, shoqërore dhe kulturore”
  • “Sokol’s Garden”, një kopsht në hyrje të Parajsës
  • Ali Hashorva, gjirokastriti që ngriti shkollën shqipe përtej kufijve të Shqipërisë
  • MUÇO QULLI (1887–1915), GAZETARI E ATDHETARI QË E VURI DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • Më 24 gusht 1913 u botua numri i parë i gazetës “Përlindja e Shqipëniës”
  • MESAZHI I UNITETIT NË NJË KOHË PËRÇARJESH
  • MBAHET FESTIVALI FOLKLORIK MBARËKOMBËTAR “RAPSHA 2026” NË VITOJË TË TUZIT

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT