
Oborri Mbretëror qëndron në krah të studentëve shqiptarë në ushtrimin e së drejtës së tyre për të protestuar.
Kemi ndjekur me kujdes të gjitha aktet e dhunës dhe denoncimet për keqtrajtimin e të rinjve dhe të miturve, si në rrugë, në furgonët e policisë, ashtu edhe në komisariate, dhe ndihemi të shqetësuar për sigurinë e tyre.
Çdo veprim është dokumentuar përmes videove dhe fotografive, ndaj institucionet përkatëse duhet të veprojnë në përputhje me ligjin dhe të sigurojnë që kushdo që ka abuzuar me detyrën të mbajë përgjegjësi.
I nxisim studentët t’i bëjnë të njohura shqetësimet e tyre edhe përtej kufijve të Shqipërisë, duke informuar komunitetin ndërkombëtar dhe duke përcjellë me vërtetësi dhe përgjegjësi atë që shohin dhe përjetojnë në terren. Zëri i tyre duhet të dëgjohet dhe realiteti të pasqyrohet me ndershmëri.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje Policisë së Shtetit të tregojë përmbajtje dhe profesionalizëm. Autoritetet kanë detyrimin të mbrojnë qytetarët, jo t’i intimidojnë apo të përshkallëzojnë tensionet përmes përdorimit të tepruar të forcës. Çdo sjellje e papërshtatshme duhet të bëhet objekt i llogaridhënies.
Protesta paqësore duhet të shoqërohet edhe me përgjegjësi. Dhuna dhe dëmtimi i pronës private janë të papranueshme dhe cenojnë legjitimitetin e çdo kauze të drejtë.
Oborri Mbretëror bën thirrje për qetësi, dialog dhe respektim të të drejtave themelore. Zëri i të rinjve shqiptarë duhet të dëgjohet dhe e ardhmja e tyre të mbrohet.
𝐎𝐛𝐨𝐫𝐫𝐢 𝐌𝐛𝐫𝐞𝐭𝐞̈𝐫𝐨𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫