Nga Fritz RADOVANI/
Ne Foto:Don Simon JUBANI (1927 – 2011)/
■Mbas ramjes së Murit të Berlinit dhe ngjarjeve në Rumani, edhe Shqipnia e mbetun e fundit në Europë filloi që me 14 Janar 1990, kur Rinia Shkodrane mendoi me rrëzue me forcë bustin e diktatorit Stalin, me dhanë shenjat e para se “edhe këtu komunizmi mori fund” me Demostraten e “heshtun” në Sheshin e Deshmorëve…
■Protesta e bame me arkivolin e djalit të vramë Pllum Pllumbaj, me rasen e varrimit të Tij nga Burrat e Malësisë tue fillue nga komiteti i PPSh e deri nder varrezat e Stom Golemit, trandi thëmelet e komitetit qendror, e bani me folë me vete Nexhmije e Ramiz, që as në anderr nuk e kishin pa një turmë Burrash, që ua shtini mneren.
■4 NANDOR 1990, ora 9.00 p. dr…Ishte Java e të vdekunve, që Shkodra nuk i harron…
Shoferi Mark Morana trokiti në deren e Don Simon Jubanit dhe i tha këto fjalë: “Don Simon, Populli asht mbledhë nder vorreza dhe po të pret per Meshë!..” Dhe, Don Simoni shkoi. Kjo ishte Mesha e Parë mbas “Revolucionit Kultural të 1967”, në Kishëzen e vogel të Vorrezave të Rrëmajit, e cila u pat djegë pak vite perpara nga sigurimi komunist…
Shkodra u dynd nder Varreza të Rrëmajit dhe filloi riparimin e Kapelës së djegun…
■Me daten 6 Nandor 1990, Don Simoni u thirrë në Degen e Mbrendshme të Shkodres nga kryetari Çapajev Taçi dhe shefi policisë Dilaver Papare, që e kercnuen per mos me thanë me daten 11 Nandor, Meshen që kishte njoftue Popullin e Shkodres me daten 4.
Don Simoni ishte pergjegjë: “Doni a nuk doni ju, unë Meshen me 11 do ta them!”…
Shkodra nuk këthehej ma mbrapa!
■Me daten 10 Nandor, katet e siperme të apartamenteve perballë Rrëmajit dhe tarracat e tyne ishin të mbushuna me tyta automatikësh dhe armatime. Po ashtu edhe vagonat e trenit që lidheshin me depon e hekurudhës, vlonin nga sampistët… po me 10 Nandor, nuk dij a i ka shkrue në kujtimet e veta sekretaria e PPSh, Maria Gjoni, vizitat e bame tek i Ndjeri Sander Troshani dhe disa familje të tjera në lagjen Ballabane, nga të cilët ajo kerkonte që me u angazhue nder disa gjipsa sigurimi të shtetit per me fotografue dhe me mbajtë shenime per njerzit që do të kalonin nga shkolla Pyjore, rruga Canej e andej nga rruga Skenderbeg…, per me marrë pjesë në Meshen e ditës së diele, ora 11.00 p.dr.
Besoj, nuk e ka harrue pergjegjen që mori ajo dhe shoqnuesi i saj nga Sander Troshani!
■Me daten 10, rreth orës 19 në darkë, më ka thirrë një klerikë që njihshe prej kohësh, Don Zef Hardhija (Simoni), dhe më ka “porositë mos me shkue të dielen në Meshë, mbasi do të rrezikojshe jeten…” I kam thanë: “Unë do të shkoj familjarisht!!”…
Dhe kam shkue e kam marrë pjesë në Meshen që tha Don Simon Jubani…
■Në darkë ka ardhë tek unë një person e më ka tregue zhvillimet e ngjarjeve mbas orës 22.00 të darkës së datës 10 Nandor 1990… Në komitetin e PPSh së Shkodres, ku ishte atë natë roje. “Shkonin e vinin njerëz të besimit të PPSh në komitet dhe takonin sekretarin e komitetit shokun Xhemal Dymylja. Bisedonin dhe merrnin urdhën si me veprue. Asht dhanë urdhen i premë nga Ramiz Alia që gjatë ceremonisë së Meshës, me veprue me armë dhe me ba gjakderdhje mbrenda varrezave, ku do të nderhyjnë edhe sampistët që ishin nder vagona. Po iku kush nga varrezat, nga tarracat e apartamenteve me goditë…
Fiks në ora 23.30 kur isha tue pi kafe me shokun Xhemal, ka ra telefoni i tij dhe, ai ka fillue me folë me shokun Ramiz Alia, të cilit i thonte gjithnjë: “Si urdhnon sh. Ramiz!”. ■Kur mbylli telefonin më tha këto fjalë: “Me urdhën të OKB, neser duhet me u sigurue qetsia e plotë nder Varrezat e Shkodres. Terhiqni të gjitha vendimet e marruna deri tashti, dhe siguroni të mos ngjasi ndonjë e papritun me armë, mbasi do të mbajmë pergjegjsi per veprimet e pakontrollueme… Tashti, më tha mue, merr ketë listë emnore dhe mi thirrë të gjithë këtu. Ai në telefonin e vet dhe unë me të timin, kemi thirrë rreth 150 vetë gjithë naten dhe kemi vazhdue me dhanë udhzime deri kah ora 9 para dreke të së dieles. Ishte fat i madh që nuk ngjau ndonjë akt i pakontrolluem.”
***
■Fjala e Ramiz Alisë në Byronë Politike të K.Q. PPSh, tregon haptas mendimi i tij per Klerin Katolik në vitin 1990: “Në Shkoder Vatikani ka agjenturat e veta…!”
■Don Simoni shkruen: “Spiunat e mbrendshem e të jashtem të paguem nga sigurimi per të më poshtnue e per të ulë rrolin vendimtar që Shkodra ka luejtë në të gjitha aspektet e jetës shoqnore këtu në Shqipninë tonë…, kanë shkrue dhe perhapë fjalen mbrenda dhe jashta Atdheut, se unë paskam kenë i autorizuem nga Ramiz Alia…”
Asht e vertetë se ka qarkullue kjo shpifje, po koha vertetoi se kush ishte Prifti Trim i Shkodres Don Simoni, që mbas vdekjes së Tij nuk la asnjë si veten Trim e të vendosun!
■Asht kenë nisiator per Lirinë e Fjalës dhe të Drejtat e Njeriut me pikpamje Europjane.
Mbas Vepres Madhshtore të Meshës së Parë, me 4 dhe 11 Nandor 1990, Don Simoni asht
i Pari Klerik Katolik Shqiptar, që asht thirrë në Vatikan me u takue me Papen Gjon Pali II, vizitë e cila, asht pasue nga disa Personalitete Botnore në Belgjikë, dy herë nga vetë Administrata Amerikane, Parlamenti Rus, Franca, Gjermania, Italia, Spanja, Stambolli, Kajro, Izraeli dhe shumë institucine jokristjane Botnore.
■Universiteti i San Franciskos në Kaliforni i ka akordue Don Simon Jubanit diplomen “Honoris Causa” si protagonist i “një Epoke të Re në Shqipni”.
Shteti i Miçiganit e ka nderue Don Simonin me një “Special Tribute”.
■Don Simon Jubani ka shkrue: “Ateizmi në Shqipni gjoja e kishte gjetë supernjeriun, Enver Hoxhen, dhe ky donte të fitonte me gjak e terror çka Kisha e kishte fitue me lutje, zotësi, mund e djersë. Dhe si të gjithë tiranët që skllavnuen Popullin e Perëndisë, edhe ky mori mallkimin e Popullit të Zotit, u shtyp si miza dhe perfundoi në koshin e plehut të historisë, e megjithkëte, salvuesit nuk kanë mësue nga historia!..
■Komunizmi na bani edhe ma të famshëm, se na shtoi numurin e Martirëve.”
Melbourne, 10 Nandor 2016.