Ambasador Flamur Gashi/
Biografia:
Eqrem Çabej lindi në Eskishehir-Turqi dhe vdiq në Romë – Itali.
Ishte i biri i Hysenit dhe Lisheshit. I ati ishte gjykatës i diplomuar në “Dar-ul-Hukuk” të Stambollit.
Shkollimin fillor e kreu në shkollën qytetëse në vitin 1921 në Gjirokastër, nga ishte edhe prejardhja e familjes. Për të vazhduar studimet u dërgua në Austri. Para se të hynte në ndonjë shkollë, iu desh të qëndronte një vit pranë familjes Reinmyler, në St. Pölten afër Vjenës, për të mësuar gjermanishten.
Gjimnazin e kreu në Klagenfurt (1923-1926), për shkollimin e lartë pati një fërkim me synimin që i ati i kishte vënë që të bëhej mjek. Por pas këmbënguljes për gjuhësinë, regjistrohet në Grac në vitin akademik 1927-1928 dhe pastaj kaloi në Vjenë (1930-1933), ku ndoqi mësimet te profesoret e njohur si, Paul Kretschmer, Karl Patsch, Nikolai Trubetzkoy dhe Norbert Jokl. Nën drejtimin e Joklit, Çabej filloi të kishte interes të madh për zhvillimin historik të Gjuhës Shqipe. Në vitin 1933, ai dorëzoi disertacionin e doktoraturës mbi Italoalbanische Studien (Studime Italo-Shqiptare)
Eqrem Çabej u kthye në Shqipëri ku edhe punoi si mësues gjimnazi dhe nëndrejtor i konviktit “Malet Tona” në Shkodër (1934), aty dha letërsi shqipe. Në vitin shkollor 1935-’36 Çabej u transferua në shkollën Normale të Elbasanit, edhe atje qendroi një vit. Që andej u transferua në Ministrinë e Arsimit për t´u marrë me drejtimin e arsimit të mesëm. Me sa kuptohet nga qëndrimi i tij, ai nuk e kishte mirëpritur një emërim të tillë. Me një lutje më datë 17. 12. 1936, drejtuar Ministrisë së Arsimit, ai kërkon që për arsye shëndetësore të transferohet nga ai dikaster e të riemërohet si profesor i letërsisë në liceun e Tiranës. Kërkesë që nuk i plotësohet, duke e emëruar në Shkollën e Plotësimit Ushtarak. Me “çështjen Çabej“ u mor më në fund edhe Këshilli i Ministrave të asaj kohe, i cili vendosi që Çabej, pas mbarimit të Shkollës së Plotësimit Ushtarak, të transferohej si profesor në Gjirokastër. Më 1938-’39 e gjejmë përsëri arsimtar, kësaj radhe në Gjirokastër, ku vazhdoi të jepte mësimin e letërsisë të bashkërenduar me elemente të gjuhës shqipe.
Në vitin shkollor 1939-’40 Eqrem Çabej u transferua në gjimnazin e Tiranës, ku u ngarkua me drejtimin e shkollës. Më 1940 dërgohet në Romë nga min. i Arsimit Ernest Koliqi për të punuar mbi Atlasin Gjuhësor Shqiptar, i cili nuk u krye për arsye të ndryshimeve politike përgjatë Luftës së Dytë Botërore. Në shtator të 1943 u emëruar min. i Arsimit në qeverinë e Rexhep Mitrovicës, post të cilin nuk e pranoi. Më 25 janar 1944 i pushkatohet vëllai, Selaudini, nënprefekt i Malësisë së Gjakovës. Në Shqipëri u kthye vetëm pas korrikut 1944.
Në 1947, ai u caktua anëtar i Institutit të Shkencave, instituti paraardhës i Universitetit të Tiranës. Nga 1952 deri më 1957, ai shërbeu si profesor i historisë së Shqipërisë dhe fonetikës historike. Në 1972, u bë anëtar themelues i Akademisë së Shkencave.
Veprimtaria shkencore:
Çabej u specializua në gjuhësinë krahasuese indo-evropiane. Veprimtarinë shkencore e shtjelloi në gjuhësi, por edhe jashtë saj, në folklor, etnografi dhe histori të letërsisë. Vend të rendësishem zenë studimet etimologjike dhe leksikologjike historike, dialektologjia e onomastikës si edhe kodifikimi i gjuhës letrare.
Eqrem Çabej ka dhënë një ndihmë të çmuar me një varg sqarimesh etimologjike gjatë hartimit të Fjalorit të gjuhës shqipe të botuar në Tiranë më 1980.
Tituj të veprave:
– Fonetika historike e gjuhës shqipe : Hyrje në historinë e gjuhës shqipe II – 2012
– Diana dhe Zana – 2011
– Elemente të gjuhësisë dhe literaturës shqipe 2009
– Hyrje në indoeuropianistikë – 2008
– Sonete – 2008
– Shqipja në kapërcyell – 2006
– Studime gjuhësore I-VIII. Rilindja, Prishtinë 1986
– Studime etimologjike në fushë të shqipes. Akademia e shkencave e RPS të Shqipërisë, Tiranë 1976-2006
I – 1976; II: A-B – 1982; III: C-D – 1987; IV: Dh-J – 1996; VI: N-Rr – 2002; VII: S-Zh – 2006; V: K-M – 2014. – ISBN 978-99956-35-20-6
– Hyrje në historinë e gjuhës shqipe. Fonetika historike e shqipes. Rilindja, Prishtinë 1970
– Meshari i Gjon Buzukut (1555). Botim kritik. Pjesa e parë. Universiteti Shtetëror i Tiranës, Tiranë 1968
– Hyrja në historinë e gjuhës shqipe. Pjesa e parë. Tiranë 1958
– Shqiptarët midis perëndimit dhe lindjes
– Fjalor i gjuhës shqipe i vitit 1954, (Bashkautorësi)
– Odiseu dhe Konstandini