• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2012

HUMANIZEM

November 23, 2012 by dgreca

Nga Mimoza Dajçi/

Duke u ndalur tek data 22 Nëntor, datë që shënon Ditën e Falenderimeve në SHBA, çdo individ, familje apo rreth shoqëror, që e ndjen për detyrë të dhuroj një falenderim; në rradhë të parë i dërgon nga zemra një falenderim Zotit, prindërve e njerëzve që u janë gjendur pranë në ditët më të vështira të jetës.

Për të festuar sa më mirë këtë ditë, e për të patur në sofër gatimin tradicional të gjelit të detit, kishte menduar si çdo vit edhe Konsulli i Distriktit 80 – të në Bronx, Z. Mark Gjonaj, i cili këtë fundjavë shpërndau për banorët në Bronx qindra gjela deti. Kjo mirësi e tij e familjes Gjonaj, tregon gjithnjë e më shumë personalitetin e zemrën e madhe të tij. Humanizmi i Z. Gjonaj nuk është thjesht një rastësi, por një burim njerëzor e human nga origjina e familjes së tij, si një familje bujare e mikëpritëse për këdo që është në hall e në nevojë.

Marku e familja e tij nuk gëzojnë kurrë vetëm asnjë festë, por ata çdo herë do të festojnë sëbashku me të gjithë komunitetet përqark Bronx-it. Markun do ta gjesh kudo e pranë cilitdo që ka një problem në familje përsa i përket urisë, strehimit, punësimit, shëndetit etj.  Zgjedhja e fitorja e tij në këtë post të rëndësishëm është njëherësh edhe një dhuratë që i gjithë komuniteti i dhuroi atij në Ditën e Falenderimeve, sepse Marku e meriton plotësisht votën e mirënjohjen e seicilit nga ne.

Në këtë ditë, të cilën amerikanët e vlerësojnë shumë dhe e festojnë në mënyra të ndryshme, por kryesisht familjare, edhe “The Eastwood Manor” Restorant në Bronx, një restorant prestigjoz e me një histori të suksesshme 52 vjeçare, kishte organizuar një drekë falas për njerëzit me të ardhura të pakta, si dhe për ata individë që ishin në marrëdhënie pune, e nuk kishin mundësi të angazhoheshin për një kohë të gjatë me gatimin e gjelit të detit nëpër shtëpitë e tyre.

Pronari i këtij Restoranti, William Mayer, thotë për shtypin shqiptar se: “ Ky është viti i dytë që ne organizojmë drekë për Ditën e Falenderimeve dhe ndihem shumë i gëzuar e i lumtur kur shikoj këtu njerëz nga komunitete e mosha të ndryshme që kanë mundësi të shijonë së bashku si në një famlje të madhe ushqimin tonë tradicional për këtë festë të bukur”. “Unë – vijoi ai – për të patur sa më shumë pjesëmarrje kërkova ndihmë edhe nga organizata të ndryshme jo qeveritare që veprojnë në Bronx, kryesisht nga Znj. Johnnie Goff, e cila është edhe Kryetare e  Komisionit të Edukimit e Politikave në Bronx. Fakti që sot ka pjesëmarrje të madhe tregon se ky bashkëpunim funksion shumë mirë, e ndjehem krenar për mirësinë që po dhurojmë sot tek banorët tanë”.

Ishte kënaqësi për të gjithë të pranishmit kur shikonin se në rolin e kamarierit u vu vetë pronari i restorantit Z. William Mayer. Me një gëzim e buzëqeshje në fytyrë, ai mori përsipër këtë rol dhe e kreu shumë mirë,  çka për të gjithë solli edhe një satisfaksion të veçantë. Me ushqime, e pije të bollshme, si dhe muzikë e vallëzime tradicionale amerikane kaloi kjo ditë e falenderimeve në Eastwood Manor në Bronx.

Por me gëzim e hare, ushqime e ëmbëlsira nga më të ndryshmet u servir kjo ditë edhe në Qëndrën Kristiane Ramah në Bronx. Të gjithë kishin përveshur mëngët e me përparëse të bardhë pregatisnin pjatat që nëpër tryezat e zbukuruara me lule të freskëta mos të mungonte asgjë, e të gjithë të ishin të kënaqur në këtë gosti familjare.

Në krye të këtyre pregatitjeve ishte Misionerja e kësaj Qendre Sister Clair Francis si dhe gazetari Christofer James, të cilët jo vetëm gjetën kohë të më gostistisnin, por edhe të flisnin e dilnin në foto me mua.  Sipas tyre kjo festë shënonte vitin e pestë në fletën e kalendarit vjetor, e me padurim prisnin per ta festuar edhe në vitet e ardhshme.

Ndihesha vërtetë e privilegjuar që pata rast të isha pjesë e këtyre festimeve në familjen e madhe amerikane në Bronx. Zoti i bekoftë të gjithë këta njerëz të mirë e bujarë që shpresojmë të kemi më shumë edhe në komunitetin tonë, si dhe shpresoj që Dita e Falenderimve të ligjerohet edhe në Shqipëri, pasi kemi më shumë nevojë për të njohur mirësinë e tjetrit e për të thënë faleminderit.

22 Nentor 2012

New York

Filed Under: Kronike Tagged With: Mimoza Dajci, ne Diten e Falenderimeve

A “GABOI” IMZOT LUIGJ BUMÇI, NË VITIN 1920 ?

November 23, 2012 by dgreca

Në 100 vjetorin e Pavarsisë… /

 Kisha me thanë se jo vetem “gaboi” Ai vetë, po bani me “gabue” edhe Papen…/Nga Fritz RADOVANI-Melburn/

FOTO: Imzot LUIGJ BUMÇI (1872 – 1945)/ Edhe pse pjesa ma e madhe e Shqiptarëve, bashkë me Trojet e veta, kishte mbetë jashtë asaj copë tokë që në vitin 1912 i kishin vue emnin “Shqipni”, prapseprap nuk munguen të gjitha perpjekjet e Atdhetarëve tanë per me mujtë me i bashkue edhe ata Troje, që mund të bashkonin, e që fqinjët, padrejtësisht, kerkonin me i mbajtë me paturpësi nen sundimin e tyne barbar. Mbas vitit 1912 Shqipnia e Pavarun nga Turqia nuk mërrijti me u shkundë nga balta e mentalitetit të anadollakëve, që shikonin Atdhetarët tue vrapue në Vlonë me ngulë shtizen e Flamurit, se në pelhuren e kuqe të Tij ua vriste synin Shqipja Dykrenare e Gjergj Kastriotit…Një pjesë e mirë  nuk vonoi me tregue ftyren e vet të vertetë pa kalue as viti nga 28 Nandori 1912, edhe pse dukeshin të gëzuem e të qeshun, ma shumë ishin të piklluem dhe të ngerdheshun nga ajo ngjarje e madhe historike. Zemra e tyne “e plasun” ishte e vetmja që dinte sa e dhimbëshme ishte ndamja nga osmanllinjtë …Kur ata mujten me kuptue se nuk janë n’ anderr, ashtu si i mbytuni kapet per shkumbë…ua mësyen komshijëve “dashamirës”, që asnjëherë nuk  janë kursye me na shtue mundimet e coptimet kur ua dhanë rasa, kjoftë edhe me na qitë fare, gja që po e vazhdojnë dhe sot! E pse jo!? – Asnjëherë nuk i munguen as mjetet, as agjentët dhe as tradhëtarët tanë!

            Kur Dedë Gjo’Luli i Hotit i mësoi Lidhjes së Prizrenit sesi fitohet Liria, e pa kalue viti u mblodhën në Gerçë me i thanë Europës se “nuk mjaftohemi me kaq!”, ishin malazezët që bash Atë Dedë kerkuen me e fshi me farë e me fis e që as nuk u kursyen me kerkue varjen në litar të At Mati Prennushit, që po i rrinte në krah Dedës, dhe nuk po i dhimbsej as jeta per me mbledhë Atdhetarët Shqiptarë në qelen e vet. Në fillim të muejt Qershor 1911, me datën 10 u nënshkrue Memorandumi i Gerçës, i cili njoftonte haptas Turgut Pashën, se: “Malësorët janë të vendosun për mos me ulë armët derisa, të pranohen nga qeveria turke të 12 pikat e këtij Memorandumi…” (Doc. Public Record Office Foreign Office,  – P.R.O. F.O. 371. 1230. Fq. 450.)

            Të gjithë këta Burra që nenshkruene “Memorandumin e Gerçës”(1911), nuk besoj se i keni lexue ndonjëherë në libra “historie”…tue fillue nga i Madhi Dedë Gjo’ Luli i Traboinit të Hotit, Sokol Baci i Grudës, Dedë Nika Bajraktar i Grudës, Gjeto Marku i Hotit, Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit, Tomë Nika i Shkrelit, Col Dedi i Selcës Kelmendit, Lul Rrapuka i Vuklit të Kelmendit, Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit, Mehmet Shpendi, i pari i Djelmnisë së Shalës, Martin Preka i Shkrelit, Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi i Toplanës, Bash Bajrami Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia. (Marrë nga Revista L.E.K.A. Shkoder, 1937)

Kur Don Nikollë Kaçorri u nis per Vlonë, as Mirditen, as Durrësin  Ai nuk i la jashtë kufinjëve, se aty ishte Preng Previzi me shokë, por mori me vete një Luigj Gurakuq mbas të cilit vrapoi Isa Boletini me 300 Trima me u gjetë ku ishin Burrat e Dheut e “mos t’mi presin kush në besë!”. Iu sillnin rreth një tavolinës Ata Burra “tue mendue mos të na zemroheshin osmanllinjtë!..” derisa Luigji nxori patllaken e u tha: “Pa u ngritë sot Flamuri, asnjë nuk dalim të gjallë nga kjo shtëpi!” Flamuri u ngrit në Vlonën e Shqipnisë Mosmvarëme me 28 Nandor 1912. E edhe sot ka firma që nuk di kush me i lexue se nuk kishte as kater vjet që At Gjergj Fishta u kishte mësue Shqiptarëve me cilat shkronja duhet të shkojmë të Lirë drejtë Qytetnimit Europjan. …Pak ma andej Drinit Prifti Don Ndre Mjeda i tregonte “atyne” që nuk po donin me dijtë se ka Shqipni: “Lirinë e keni ju, na hekra kemi…”

Një tjeter Burrë germonte gropa me hy Ai vetë i gjallë në dhé, aqsa nuk i dukej as koka kur kerkonte “monedha Ilire e rrasa të dhênme me shkrojla të vjetra”, me ua mbushë mendjen dijetarëve të Athinës e të Romës se At Shtjefen Gjeçovi “po ua tregon edhe ju ku ishte dikur Shqipnia e Ilirëve të vjeter e pak ma andej Dardania e Tij!” Dikund nder shpella, një tjeter Atdhetar, e ndiente veten ma rahat tue fjetë me krye të mbështetun nder gurë, se nder jastekë puplash e me faqe të zezë…Merrte e jepte me disa Freten cigare aty në Gjuhadolin e Shkodres e kur shtrihej me pushue në shtëpinë e tyne, Ai aty kishte shtratin e vet të drrasave, që nuk guxonte me fjetë tjeter kush perveç Bajram Beg Currit…Shkodres së rrethueme nga malazezët iu desht edhe një vit me vuejtë nga urija dhe vrasjet barbare të armëve që kerkonin dhunimin me gjak të Lirisë! E kur një qytet ngopej me çorbë kelkazash… mbas gardhiqeve nuk mungonin kusarët me armët e “faluna”, shkembye me “copa” Trojesh Shqiptare, per me sjellë një robni të ré në këte vend ku pa kalue viti 1912…nga kaçubat e ferrave shekullore mbinë farat e këqija të xhonturqëve me do Esad Pasha e Zogolla, Haxhi Llesha e Qamila, Enver Hoxha e Hoxhë Alia, Mehmet Sheha e një hu pleha… që per me vjedhë e me sundue tue vra e pré Shqiptarë ishin kenë të vetmit!

Do të flas me dokumenta të tjerë e jo të shkrueme në organët fetare të Shkodres, për me tregue të vërtetën që pasqyrojnë ata në lidhje me qendrimin e premë antiturk dhe antisllav të Klerit Katolik të asaj kohë në të gjitha trevat Shqiptare, mbasi për fat sot, kjo dokumentohet me qendrimin e zotni Count de Salis, i cili i tregon zotni Edward Grey, Ministër i Jashtëm britanik, dhe shprehimisht shkruen: “Cetinë, 28 Janar 1913,… Malësorët kanë vendosë me ndërpre dhe mos me pasë ma punë me Malin e Zi” (Doc. 4391, fq. 184. P.R.O.F.O. 371, 1758.).

            Takimi i Imzot Bumçit në Podgoricë, kur Ai organizoi krenët e Malësisë nën drejtimin e Dedë Gjo’Lulit me u takue me ministrin turk, mbetët ndër perlat e historisë së pashkrueme të Veriut, ku porsa ministri u thotë malësorëve se kam ardhë me urdhën të mbretit me ju pa, në çast i përgjegjet Deda: “S’na ka pase marrë malli për ty!” E, Imz. Bumçi, shpjegon sesi ju desht me e përkthye se nuk kishte kah me ia mbajtë…Të gjitha këto veprime arrijnë me detyrue Austrinë me deklarue në Konferencë të Ambasadorve, me 7 Janar 1913 për çeshtjen e  madhe të Shkodres, se: “…Banorët e këtij qyteti, si përsa i përket origjinës etnike, ashtu edhe nga pikëpamja e besimit, nuk kishin asnjë afersi me Malin e Zi.” ( P.R.O.F.O. 371. 1757 fq.222.)

            Në këte moment kritik, ashtu si edhe tjera herë asht edhe Miss Mary Edith Durham, që me përkushtimin e Saj ndaj Shqipnisë, do t’i bajë të kjartë qarqeve angleze dhe ndërkombëtare se: “…egzistonte në qarqet katolike austriake vendosmëni për mos me lejue që Shkodra dhe hinterlandi i saj, të bahen respektivisht një qytet apo rajon malazez ose serb.” (po aty 371. 1758, fq. 447. Mr. Nevinson, Podgorica. 26. 02. 1913. M.E.Durham.).

            Në vitin 1919, me vendim të Qeverisë së Durrësit, Imzot Luigj Bumçi emnohet Kryetar i delegacionit Shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris. Materiali i z.Valentina Duka, paraqitë në librin “Krishtërimi ndër Shqiptarë” në vitin 2000, më ndihmon me përcaktue me saktësi një nga ata momente kyqe të historisë ku Imzot Bumçi, me aftësitë e një gjeniut, arrin me shpëtue nga kthetrat greke Korçën dhe Gjinokastrën, ndonse edhe për këte pseudohistorianët “heshtin”…

Korça e Gjinokastra vazhdonin me kenë jashta vizave e disa blloqeve të çimentos të quejtuna “piramida” kufini… Shkruhen e shkarraviten libra nga “dr. prof. e akademikë” e edhe pse Imzot Luigj Bumçi ka vdekë në shtrat në vitin 1945…siç thonte At Pjeter Mëshkalla: “Ti nuk vdiqe po plase!”, edhe pse vdekja e shpetoi nga plumbi komunist, prapseprap edhe vepra e Tij “nuk duhen zanë me gojë” me që edhe Ky ishte Klerik Katolik Shqiptar, ndonse Kryqin e mbante nën pallto, por kur e nxorri mbi pallto më duket se edhe aty “gaboi”…

Imz. Bumçi takohet me disa përfaqësues shtetësh tue fillue nga Shtetet e Bashkueme të Amerikës, Anglisë, Austro – Hungarisë, Rusisë, Italisë, Gjermanisë, Francës, Serbisë, Greqisë dhe sa e sa të tjerë, me të cilët komunikoi direkt pa përkthyes, mbasi zotnonte disa gjuhë të hueja, dhe arrin me i bindë ata, se çeshtja Shqiptare nuk asht një problem i thjeshtë vetëm i Ballkanit, por asht problem kryesor për ruejtjen e paqës në mbarë Europën.

            Imzot Bumçi porsa filloi detyrën e Kryetarit të Delegacionit Shqiptar në Paris, ishte i pari që protestoi tek Presidenti Willson për krimet që po kryenin serbët mbi popullsinë Shqiptare të Pejës, Gjakovës, Plavës, Gucisë dhe i dorëzoi Atij listën me emnat e viktimave në krahinën e Rugovës. Ai ishte i pari politikan Shqiptar që mendoi se trupat amerkane janë ata që mundën me shpejtue çlirimin e Tokave Shqiptare të Kosovës nga Serbia, prandej edhe i kërkoi Presidentit Willson hymjen e trupave amerikane në këte zonë. Imzot Bumçi ishte i pari strateg “profet”, që parashikoi pikërisht até që do të ngjante në Kosovë gati 80 vjet ma vonë, në vitin 1999.

 Imz. Bumçi, mbasi vëren një mungesë të madhe sinqeriteti nga delegati italian në Paris Ministër i Jashtëm i Italisë, me të cilin u takue me datën 26 tetor 1919 për marrveshjen “Titoni – Venizellos” mes Italisë dhe Greqisë, në dam të tokave Shqiptare, Imz. Bumçi u takue edhe me delegatin francez dhe amerikan, tue nxjerrë nga këta bisedime një aksiomë filozofike që mund të shpikej vetëm nga koka e Imz. Bumçit: Me datën 29 Dhetor 1919 Ai arrinë në Vatikan dhe në ditët e para të Janarit 1920, u takue me Papen Benedikti XV, të cilit i tha: “Tash pra Shejtni, të  gjithë Misat e Dergatës Shqiptare që janë në Paris e që shumica asht myslimane, më kanë çue këtu përpara Shejtnisë s’Uej e të gjithë për njëgoje Ju lutën që me fuqinë Tuej morale e me influencën e madhe që keni në Botën mbarë, të na jepni ndihmën Tuej të vlefshme si kur dini Ju vetë, që na të pështojmë dy provincat Shqiptare, Korça e Gjinokastra, të cilat janë në rrezik prej akordit Titoni – Venizellos.” (V. Duka. Po aty, Fq. 300)

            Papa i shpjegoi Imz. Bumçit se Vatikani nuk kishte marrdhanje të mira me Francën dhe Italinë, por do të takohej urgjentisht me ambasadorët anglez dhe amerikan në Vatikan, të cilëve Ai do t’u kërkonte me qendrue në përkrahje të Popullit Shqiptar…dhe, e mbajti premtimin!

            Me 17 Dhetor 1920, me rastin e pranimit të Shqipnisë në Lidhje të Kombëve, ambasadori i Indisë, tha: “Kur në Botë zhvillohen ende lufta ndërfetare, në Shqipni myslimanët, katolikët e ortodoksët jetojnë në harmoni dhe asht fakt i shkelqyeshëm për një vend me shumicën dërmuese të popullsisë myslimane, me pasë këtu Përfaqësues një të krishtenë, madje dhe një Prift.”

Ndërsa Luigj Gurakuqi jep formulën e bazës së bashpunimit ndërmjet elementave fetar të ndryshem, të cilët duhet të kenë si bazë Njësinë e Atdheut. Vetëm atëherë kur Shqiptarët ditën me ruejtë të pastër dhe të fortë cilësinë e tyne të parë, që i dallonte edhe në Ballkan: Tolerancën Fetare, vetëm atëherë, kishte Unitet Kombëtar!

Jeta e përditëshme e Imzot Bumçit asht historia e përshkueme prej Tij në çdo çast që ka kalue në të gjitha fitorët dhe humbjet e Populli Shqiptar. Ai ishte një dijetar i madh i psikologjisë sonë, por edhe një depërtues i thellë në mbrendinë e shpirtit t’anmiqëve të Kombit tonë.

Ai njihte Mikun, por dinte edhe sesi me u ruejtë nga anmiku shekullor. Ja porosia e Tij:

“Pikë së pari duhet pra të kemi bashkim të plotë, urtësi të madhe, durim e nderim për njenitjetrin. Duhet të shuejmë hidhënimet e mënitë që na ndajnë, të respektojmë mendimet e shokëve tonë e të mos ftohim e të ashpërsojmë mardhanjet në mes të Shqiptarëve prej çdo krahinash e prej çdo Fenash që të jenë. Për të mirën e Atdheut, duhet sot që ma i madhi të bahet ma i vogël përpara të tjerve.

Udha politike tjetër që duhet të mbajmë asht kjo: Të mundohemi të përfitojmë nga interesat e kundërshtarve të njenit e të tjetrit e të përpiqemi të fitojmë besimin e miqve e nderimin e anmiqve.” (po aty, fq. 301.)

***

Qendrimi që po mbahet ndaj Këtyne Atdhetarëve Shqiptarë prej gati 70 vjetësh dhe prap sot në prag të këtij 100 vjetori të Pavarsisë sonë kombëtare, nga të gjithë qeveritarët tanë, pseudoprofesorë e doktorë historianë, deri tek akademikët e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipnisë, që me “heshtjen” apo perçmimin ndaj veprave të Tyne të mëdha per Liri, Pavarsi dhe Shqipni Europjane, vetem pse Këta ishin Shqiptarë Katolikë, besoj lexues të nderuem, se ua bajnë kjartë edhe Ju, se cila asht arsyeja që më shtynë me thanë se:

“Gaboi, e gaboi randë” Imzot Luigj Bumçi, gabuen Don Nikollë Kaçorri, At Gjergj Fishta, At Mati Prennushi e Gjelosh Luli, dhe ma shumë se të gjithë Këta Burra, Luigj Gurakuqi, ndonse Ky e pagoi me jeten e vet, po edhe me themelin e Shtëpisë së Tij, ku gjithmonë rreth atij oxhaku mendoi e punoi per Shqipninë e Pavarun dhe të Perparueme Europjane, nen Flamurin e të Madhit Gjergj Kastrioti!

 

Melbourne, 2012.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: Fritz radovani, Imzot Luigj Bumci, Papa

NJE DITE E SHENUAR- FLAMURIN DUHET TA NGREJNE DUAR TE PANJOLLOSURA ME GJAKUN E KETIJ POPULLI…

November 23, 2012 by dgreca

Në prag të 100 vjetorit/

NGA RESHAT KRIPA/

Nëntori erdhi. Për datën më të shënuar të tij, 28 nëntorin, në periudhën e sundimit komunist  flitej fare pak, sa për të mos harruar se ekzistonte edhe një datë e tillë. Madje, një datë tjetër, 29 nëntori, dita e vendosjes së diktaturës komuniste, i bënte hije kësaj date historike.Nëntori i vitit 1991. Po afronte dita e shenjtë  e  flamurit. Por ajo  nuk ishte si ditët e  tjerat.  Ishte festa e parë e flamurit në liri. Në ato ditë në zemrat e qytetarëve sundonte një shqetësim i madh,  cili flamur do të ngrihej, ai me yllin e komunizmit që sundoi vendin për gjysmë shekulli, apo flamuri pa yll i Ismail Qemalit? Kuvendi i Shqipërisë  ende nuk e kishte vendosur heqjen e yllit nga flamuri.Diskutime te mëdha zhvilloheshin nëpër tryezat e bisedimeve. Mendimet përplaseshin  njëri me tjetrin.  Një pjesë fanatikësh, që u kishte mbetur ora në vitin 1945,  mbronin tezën se duhej ngritur flamuri me yll, ndërsa pjesa tjetër, më e madhja, të kundërtën. Miti i komunizmit kishte filluar të shembej, por komunistët ishin ende në fuqi. Ata ishin të gatshëm të përdornin çdo lloj forme për të ruajtur pushtetin e tyre. Këtë e kishin treguar   disa   muaj   më   parë  në  qytetin  demokrat  të Shkodrës, ku kishin vrarë katër martirë.

            A do të pranonte qyteti turpin që në shtizë të ngrihej flamuri i urryer i tradhtisë së madhe? Këtë shqetësim e ndjente pothuajse i gjithë populli, por më tepër  e ndienin ata që  i  provuan  mbi  shpatullat  e  tyre gjëmbat vdekjeprurës të atij ylli, të përndjekurit politikë.

Mbledhja e Kryesisë së Degës së Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të Rrethit. Merrnin pjesë të gjithë anëtarët e kryesisë dhe disa të ftuar të tjerë. Nga Tirana kishte ardhur, si i dërguar nga Shoqata Kombëtare,  Viktor Dosti.

Ai hodhi i pari mendimin se ditën e flamurit duhej të ngrihej me çdo kusht ai pa yll. Një gjë të tillë duhej ta realizonin të përndjekurit politikë, ata që ishin  sakrifikuar  më  shumë  se kushdo për atë flamur. Të gjithë e miratuan. Shoqata iu drejtua partive politike dhe shoqatave opozitare për veprim të përbashkët, Partisë Demokratike, Partisë Republikane, Bashkimit të Sindikatave të Pavarura dhe Shoqatës “Çamëria“. Ato e përshëndetën një vendim të tillë.

Pas dy ditësh u bë takimi i përbashkët i  tyre.  Të gjithë ranë dakord që t’i drejtonin një  peticion Komitetit Ekzekutiv Pluralist të Rrethit, ku partitë opozitare ishin në pakicë. Në atë peticion me një ton ultimativ, kërkohej ngritja e flamurit pa yll. Duke pasur shumicën në   këtë    komitet,  socialistët  refuzuan.   Të   njëjtin   qendrim   mbajti   edhe Byroja e Rrethit e   Partisë Socialiste.

            Por të përndjekurit politikë nuk u tërhoqën nga kjo pengesë. Më 26 Nëntor me një mesazh, të cilin e transmetoi edhe Radiotelevizioni  “Zëri i Amerikës“, ata deklaronin se nuk do të lejonin ngritjen e flamurit me yll dhe i bënin thirrje gjithë qytetarëve të merrnin pjesë në manifestimin e madh të pavarësisë.

27 Nëntor  –  prologu   i   ndeshjes   së   madhe.  Në  shtizën  e  flamurit,  me  urdhër  të kryetarit socialist të Komitetit Ekzekutiv Pluralist, për të provuar vendosmërinë e të përndjekurve  politikë, u  vendos flamuri me yll. Por llogaritë ishin bërë gabim. Qyteti kishte djem të gjallë që nuk mund të pajtoheshin me një veprim të tillë. Xhemal Mustafaraj, një ish i burgosur politik, së bashku me të lindurin në internim, Fadil Ndreu, duke hipur mbi shpinat e shokëve të tyre,  u ngjitën në shtizën e flamurit, grisën yllin, e dogjën  dhe ngritën lart flamurin pa njollën e turpit  Një turmë e madhe i shoqëronte me brohoritje. Në mbrëmje vonë, Komiteti   Ekzekutiv Pluralist  u  detyrua  të pranojë ngritjen e flamurit pa yll

Po atë mbrëmje, në mbledhjen e grupit të shoqatave  dhe partive politike opozitare, diskutohej se kush duhej ta ngrinte flamurin. Mendimet ishin të ndryshme. Një i burgosur politik tha se atë duhej ta ngrinte njëri prej të rinjve që grisën yllin. Një tjetër propozoi që të ngrihej nga një prej përfaqësuesve të vjetër nacionalistë të shoqatës. Së fundi  u ngrit dentist Avdulla Iljazi, një demokrat i orëve të para, dhe propozoi:

– Unë mendoj se duhet të ngrihet prej një djaloshi të ri, një trashëgimtari të një prej familjeve më të njohura me traditat kombëtare, një pasardhësi të familjeve që e ngritën në Vlorë më 1912.

Dikush propozoi që ky të ishte Altini, 17 vjeçar,biri i Burim Kokoshit, ish i burgosur politikë dhe nipi i njërit nga nënshkruesit e Aktit të Pavarësise, Qazim Kokoshit, vdekur në burgun komunist.

Atëherë   u   ngrit më i vjetri i grupit, Kryetari i Degës së Shoqatës së të Përndjekurve Politikë për Vlorën, Hysni Alimerko  dhe  shprehu  mendimin  e rrezikut që paraqiste një vendim  i tillë. Sigurimi i Shtetit ishte ende në veprim. Ngjarjet e muajve të fundit e kishin treguar këtë. Nuk mund të rrezikohej jeta e një djali, aq më tepër që ai ishte i vetmi i familjes së tij.

Heshtja   mbuloi  fjalët  e  Hysniut.  Të  gjithë  prisnin vendimin e Burimit. Vetëm ai e kishte këtë të drejtë. Burimi u ngrit  dhe me një zë të vendosur tha:

            – Në rast se për djalin tim është vendosur të  shkojë te Zoti,  kjo  është dita më e bukur!

Askush nuk pati kurajo ta kundërshtojë. Gjithë pjesëmarrësit u shpërndanë për   të  kryer  detyrat  e caktuara.

28 Nëntor –  Në të gjitha fasadat e godinave binin në sy flamurë pa yll që ishin ngritur në të gjitha pikat dominuese të qytetit. Në sheshin historik filluan të grumbullohen njerëzit. Në duart e tyre shumica mbanin flamurë të vegjël, gjithashtu pa yll.

 Ora 10.00.  Kryetari socialist  i  Komitetit  Ekzekutiv Pluralist, i shoqëruar nga përfaqësues të tjerë të atij komiteti u drejtua për të kryer ceremoninë e ngritjes së flamurit. Pompoziteti i tij ishte i jashtëzakonshëm. Para portës së lulishtes qendrore, një grup i madh njerëzizh u preu rrugën. Shumica ishin  ish të dënuar politikë. Një pjese prej tyre diktatura u kishte rrëmbyer njerëzit më të dashur. Të tjerët i kishte syrgjynosur në burgjet dhe kampet e tmerrshme. Midis pjesëmarrësve edhe një dërgatë e të përndjekurve të Beratit me në krye kryetarin e tyre, Fatos Zdrava. Bashkë me ta edhe demokratë të tjerë që ishin ngritur kundër kësaj  diktature.  Në krye kryesia e degës së shoqatës.  Aty,   në   këmbët   e obeliskut mbi të cilin ngrihej shtiza e  flamurit, u zhvillua dialogu i mëposhtëm:

– Zoti Kryetar! Në emër të të përndjekurve politikë dhe popullit të këtij  qyteti,  ju  nuk  do ta  ngrini flamurin.

            -Kushdo ta ngrejë atëherë?

            – Atë do ta ngrenë duart e atyre që nuk janë njollosur me gjakun e këtij populli.

            Kryetari shtriu përpara duart dhe foli:

–          Duart e mia  nuk janë të  përgjakura. Unë nuk kam vrarë njeri.

            Kjo përgjigje u ngjalli shumë kujtime të paharruara të pranishmëve. Para syve u dolën ngjarjet e viteve të gjata të diktaturës. U dolën fytyrat e mijëra të rënëve për liri dhe demokraci.

– Edhe në qoftë se nuk keni vrarë, i keni shërbyer asaj partie që vrau një komb të tërë.  Ndaj duart e atyre që kanë ngritur flamurin e komunizmit, nuk do të ngrenë flamurin e Ismail Qemalit! Ky flamur është i yni.

Kryetari u detyrua të tërhiqej.

Ndërkaq,   ndërsa   qëndra   e   zërit   transmetonte Himnin   e  Flamurit   duart  e  njoma   dhe  të  pastra  të Altinit ngrinin lart flamurin kombëtar.

            Sheshi filloi të buçiste nga duartrokitjet dhe brohoritjet. Kudo ndiheshin përqafime, urime. Këngët patriotike pushtuan sheshin. Një vizitë në varrin e Plakut të Pavarësisë dhe një mori kurorash dhe lulesh zbukuruan atë varr historik. Pastaj jashtë çdo zyrtarizmi, në podiumin para përmendores së  Pavarësisë hipën ata që për pesëdhjetë vjet e kishin të ndaluar të flisnin dhe të mendonin ndryshe. Ata nuk i caktoi njeri për të dalë aty. Dolën   me   dëshirën   e   tyre   për   të  shprehur  atë  që mendonin prej vitesh. Në Sheshin Historik të Flamurit gjëmuan zërat e tyre:

            – Dita e 28 nëntorit, dita e shenjtë e flamurit,  festa jonë kombëtare erdhi. Këtë vit kjo festë ka diçka të veçantë. Për herë të parë pas dyzeteshtatë vitesh robërie komuniste, në qytetin tonë po valëvitet krenar flamuri kombëtar, pa yllin e urryer të sistemit totalitar komunist.

            Duçja i vuri flamurit tonë spatën e fashizmit, Enver Hoxha yllin sllav të komunizmit. Por këtë radhë po valon flamuri i Ismail Qemalit, ai flamur që u bë simbol i nderit dhe trimërisë, i qëndresës dhe vetëmohimit. Po valvitet flamuri i kuq me shqiponjën e zezë dykrenore në mes dhe jo flamuri i komunizmit me yllin e urryer.         

            Në sytë e pjesëmarrësve shiheshin gjurma lotësh. Ishin lotët e lirisë, të asaj lirie që kishin vite që e ëndërronin. Zëri vazhdonte të buçiste:

            – Ka kohë  që  nga  vatrat  tona  ka  ikur  gazi  dhe hareja. Vendin e tyre e kanë zënë brengat dhe lotët. Regjimi e katandisi vendin në një gjendje të tillë që asnjë   mendje   e  shëndoshë  nuk  mund  ta  përfytyrojë. Njerëzit janë pa punë, pa bukë, pa strehë, pa mbrojtje.

            Kasta e përmbysur përpiqet me të gjitha mjetet, që ende janë në dorën e saj, të fusë vendin në një rrugë pa krye. Në krye të kësaj kaste qëndron Presidenti i vendit, hija e diktatorit të përmbysur. Dora e tij është ndjerë kudo. Është ndjerë gjatë viteve të sundimit komunist.   Është   ndjerë   në   dhjetorin   e   kaluar,   kur  urdhëronte goditjen e studentëve. Është ndjerë  në  shkurt  kur rrëzohej shtatorja e  diktatorit.

– Qindra flamuj kuq e zi pa yllin e kuq të komunizmit  po valëviten në këtë ditë të shënuar  përmbi të gjitha po ushtojnë vargjet e himnit tonë kombëtar,  të harruara qëllimisht nga regjimi i kaluar:

 

                                                Se Zoti vetë e tha me gojë,

                                                Që kombet shuhen përmbi dhe,

                                                Por Shqipëria do të rrojë,

                                                Për të, për të jetojmë ne!

 

Fjalët u shoqëruan me brohoritje të mëdha. Së fundi një vizitë e përbashkët në Muzeun e Pavarësisë, pranë bregut të detit.

            Kështu u mbyll kjo ditë e shkëlqyer historike që për  pjesëmarrësit e saj do të  mbetet  një

nga ditët më të paharruara të jetës së tyre

 

Filed Under: Histori Tagged With: e popullit, Flamurin, me gjakun, reshat kripa, ta ngrene duar, te panjollosura

PRESIDENTI OBAMA,URIM PER 100 VJETORIN E PAVARESISE SE SHQIPERISE

November 23, 2012 by dgreca

Presidenti i SHBA-së, Barack Obama uron shqiptarët për 100-vjetorin e pavarësisë. Kreu i Shtëpisë së Bardhë i ka dërguar një mesazh urimi kreut të shtetit shqiptar, Bujar Nishani duke rikonfirmuar në këtë ngjarje të rëndësishme përkushtimin për të thelluar edhe më tej marrëdhëniet mes dy vendeve në vitet e ardhshme.

Në mesazh, Presidenti Obama shprehet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të përkushtuara për të ndihmuar Shqipërinë në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe në ndërmarrjen e reformave të nevojshme për të arritur integrimin e saj të plotë në bashkësinë euro-atlantike.

SHBA-të, vlerësojnë mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj misionit të NATO-s në Afganistan ku ushtarakët shqiptarë shërbejnë me trimëri krah për krah me aleatët dhe partnerët e ISAF-it.

Dy vendet tona, shkruan presidenti ndajnë një lidhje të ngushtë që nisi me mbërritjen e emigrantëve të parë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara dhe ka vazhduar të lulëzojë përgjatë dy dekadave të fundit pas vendosjes së demokracisë në Republikën e Shqipërisë.

“Fjalimi historik i Sekretares së Shtetit Klinton në Parlamentin shqiptar shënoi një tjetër gur të rëndësishëm kilometrik në marrëdhënien tonë. Në këtë ditë festimi, populli amerikan bashkohet me ju, duke ju uruar më të mirën në përpjekjet tuaj të ardhshme për ndërtimin e një Shqipërie demokratike dhe të begatë!”, përfundon mesazhin e urimit kreu i Shtëpisë së Bardhë.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: 100 vjetorin, Obama, uron Nishanin

FOTO E DITES- KUQ E ZI

November 23, 2012 by dgreca

Këto Ditë shumë qytete shqiptare, jo vetëm në dy shtetet e njohur zyrtarisht, janë veshur kuq e zi. Shkodra përcolli një flamur gjigand nga shkollat e qytetit në Kalanë e Rozafës,ndërkohë që i gjithë qyteti i ka veshur kuq e zi rrugët dhe shtepitë, Prizreni veshi kuq e zi jo vetëm rrugët e shtëpitë, por edhe fasadat e urave dhe i ka ngjitë Flamujtë deri në Kala; Tirana e përfshirë në përurime shtatoresh, ka hedhur mbi vete qilimin kuq e zi, Vlora e Flamurit, po bëhet gati për Ditën e Madhe të Pavarësisë, për të pritur të gjitha trojet etnike.

Për të ilustruar këtë informacion të shkurtër, nën okielion”Foto Ditë” ne zgjodhëm fotografinë e djemëve të prishtinës ët veshur Kuq e Zi.(Dielli)

Filed Under: Kulture Tagged With: Kuq e zi, Prishtina, Prizreni, shqiperia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT