• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2012

HARMONIA FETARE, MESAZHI I SHQIPTAREVE PER KOMBET E TJERA

December 22, 2012 by dgreca

Shqiptarët janë në komb i vogël, por shkëlqejnë shumë. Ata kanë një mesazh për të gjitha kombet e tjera, respektin absolut për besimin e njëri-tjetrit.”

Kryeministri Berisha dha  një pritje koktej me rastin e festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, me përfaqësuesit e komuniteteve fetare dhe përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri.

Në pritje ishin të pranishëm drejtuesit e bashkësive fetare në vend: Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Angelo Massafra, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastasi Presidenti i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, Pastor Fitor Muça, Zëvendskryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Baba Edmond Brahimaj, si dhe përfaqësues të bashkësive fetare nga Kosova dhe Mali i Zi.

Fjala e Kryeministrit Berisha në pritje.

“Është një rast i veçantë për mua të përulem me nderimin më të thellë para veprës së ndritur të këtyre burrave, të cilët me përkushtimin e tyre, me vetëmohimin e tyre, me besimin e tyre të pakufishëm tek Zoti dhe në shërbim të tij, kanë bërë që shqiptarët të festojnë sot, krenarë para Zotit, Krishtlindjet, një nga ngjarjet më të mëdha të njerëzimit të të gjitha kohërave, lindjen e burrit dhe Hyjit, i cili me mendimin, me trashëgiminë, por edhe me sakrificën e tij sublime në shërbim të Zotit dhe të njeriut, ndikoi aq fuqishëm në moralin njerëzor, në moralin e qytetërimit perëndimor.

Ndaj dhe urimin e parë e kam për ju, mirënjohjen më të thellë për veprën tuaj të ndritur, e kam për të gjithë besimtarët të krishterë shqiptarë dhe të gjithë besimtarët e Zotit në Shqipëri, besimtarët ortodoksë, katolikë, myslimanë dhe të gjithë ata që i luten Zotit dhe i besojnë atij, iu uroj Krishtlindjet gëzuar! Uroj nga zemra që t’i festojmë ato gjithnjë e më mirë.

Këto krishtlindje i festojmë në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, i kremtojmë gjithashtu pas një rilindje të vërtetet të besimeve fetare, të cilat u rrënuan nga një ideologji çnjerëzorë. I kremtojmë të lirë dhe unë jam i bindur se ka shumë arsye që të besojmë që Krishtlindjet e tjera do të na gjejnë më mirë, më të bashkuar, më të begatë, më të sigurt dhe më përpara në projektin tonë të madh të bashkimit njëri me tjetrin, të bashkimit me Europën, të ndërtimit të Shqipërisë Europiane.

Një përshëndetje të përzemërt dua t’u jap ambasadorëve, duke filluar së pari me Nuncin Apostolik, përfaqësuesin e Selisë së Shenjtë dhe të Atit të Shenjtë në Shqipëri, këtij Aleati të përjetshëm të shqiptarëve, mbështetësit të vendosur të çështjeve të drejta të tyre. Ju uroj ju shkëlqesi ambasadorë, familjeve tuaja, kombeve tuaja, Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri! Uroj prosperitet, paqe, stabilitet dhe të ardhme gjithnjë e më të ndritur për kombet tuaja të mëdha, mirëkuptim, paqe dhe harmoni për të gjithë.

Ky vit i lëshon vendin një viti tjetër të madh në historinë e njerëzimit, vitit të ediktit të Milanos, në të cilin dy perandorë, – rastësi apo jo, le ta gjykojnë historianët – dekretuan së bashku lirinë fetare. Edikti i Milanos është një nga aktet më të mëdha në historinë e njerëzimit, pas lindjes dhe ringjalljes së Krishtit. Ky akt i hapi rrugën paqes, mirëkuptimit, respektit reciprok, të njerëzve me besime të ndryshme dhe iu dha qytetarëve lirinë të përzgjedhin besimin që duan.

Shqiptarët në këtë horizont janë një komb i vogël, por shkëlqejnë shumë. Një komb, të cilit linja e Teodosit i ra në të gjithë gjatësinë e tij. Kisha u nda, por kombi mbeti unik. Më vonë sërish linja të tjera ranë mbi të, tani jo linja e Teodosit, por linjat e Huntingtonit, përsëri kombi mbetet unik. Ata kanë një mesazh për të gjitha kombet e tjera, respektin absolut për besimin e njëri-tjetrit.

Ndaj le të përpiqemi së bashku ta shndërrojmë 2013, në një vit harmonie, paqeje, mirëkuptimi me njëri-tjetrin, me fqinjët, me vende të tjera.

Edhe njëherë ju uroj Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri! Ju falënderoj me mirënjohje që erdhët sot, këtu, dhe më dhatë mundësinë të uroj secilin prej jush. Gëzuar!”

…

Filed Under: Kronike Tagged With: Berisha, Harmonia Fetare, per festat, Pritje

500 VJET NËN TURQI E 50 VJET KOMUNIZEM…

December 22, 2012 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 Viti 2012 po mbyllet! Sejcili në mënyren e vet e festoi festen e 100 vjetorit të Pavarsisë! Çdo Shqiptar atë ditë me 28 Nandor, e ngriti goten dhe uroj “per shumë mot festen e Flamurit”! Atë ditë mu kujtue një ngjarje e ngjame në Shkoder rreth 80 vjet perpara në një darsem, ku ishin thirrë rreth 120 vetë në një nga shtëpijat e njohuna e në za të atij qyteti. Çifti i rij i jepte një knaqësi me pashinë e tyne të gjithë darsmorëve. Kohë e bukur me diell nën hijen e pemëve, me rreshtat e tavolinave të shtrueme me sofrabeza të bukur të punueme nga duertë e arta të grave të njohuna të Shkodres per këte mjeshtri. Sejcili i veshun ma bukur se tjetri. Nuk mungonte muzika që ndigjohej prej larg me tingujt e vet të muzikantave të njohun aso kohe. Porsa hynte njeriu tek dera e oborrit, djelmë të rij të shoqnonin simbas zakonit. Nuk diskutohet fare pija apo bolleku i mezeve dhe frutave mbi tavolina. Sejcili shoqnon japrakun apo pilafin me kangen e vet… Dikund në ndonjë grup ndigjohet e qeshuna me za të naltë nga komikët e shperndamë, që mbajnë me kujdes gzimin dhe harenë nder kater anët e asaj darsme aq të kandshme për të gjithë. Nuk ka ma mundësi as Pjeter Gjini me qendrue në vendin e vet, po me kitarrë fillon bejtat e Tij… Qeshen të gjithë darsmorët e besa edhe disa kalimtarë, që ndalojnë me ndigjue humorin e Tij… Pihen edhe kafet e dyta dhe ndokush fillon me u çue, mbasi edhe koha ka ecë, afrohet mesnata. Kanë ardhë me diell e po çohen me hanë… Tek dera para se me dalë asht një burrë që mbasi i pershndetë të gjithë darsmorët, u len në dorë me porosi të plakut të shtëpisë sejcilit nga 1 napolon ar. Nuk ishte zakon po ngjau edhe kjo që nuk pritej nga asnjeni! Mbas pak ditësh plakut që ua dha edhe nga 1 naplon darsmorëve, filluen me i ardhë lajme pakënaqësije… “Pse mue që më ka mik tash 100 vjet më dha 1 napolon, sa atij që nuk ka as dhjetë vjetë që i ka shkelë prakun e derës?!”…

Kështu, ne Shqiptarëve, na ngjet në darsem po edhe në raste vdekje edhe pse sot askush nuk të jep “1 napolonin ar”…tek dera e oborrit. Pa marrë këthesen e rrugicës fillon me u diskutue “edhe ke kishte vue në krye të vendit!?”, e sa e sa vrejtje rreth veshjeve e buzqeshjeve…

Kanë kalue 100 vjet që asht shpallë Pavarsia e Shqipnisë! Jam i sigurtë se edhe në diten e Festes së Madhe të 28 Nandorit 2012, ka pasë kënaqësi e sa të duesh pakënaqësi! Shkodranët e vjeter edhe në kjoftë se heshtin në zemer kanë të ndryem një “mulla” të mbushun me pakënaqësi.

Mund të pyesin dikush, po nga kush janë të zemruem? – Kryesisht, nga mosardhja e Erdogan që pritej me kenë në Tiranë! Ai me siguri asht zemrue se festa nuk duhej festue me një tortë, po aty duhej t’ ishte një kazan i madh me hallvë të ngrohët dhe mandej, shih apo afrohej njeri me u perlue me te… Sillen armët e Perkrenaria e Gjergj Kastriotit prej Vjene, dhe as nuk vehet të pakten një heshtë apo gjyle turke, me të cilat u perdhosen sa kështjella njenambastjetres. Vehet mu në qender të Tiranës libri i Mesharit, dhe as nuk i bije nder mend kujt me vue aty afer të pakten “një hû”, në shenjë kujtimi per të gjithë Ata Klerikë Katolik Shqiptar që turqit i ngulen nder ta, kur nuk pranuene me mohue Fenë e të Parëve! Në fund të fundit “hûni” nuk simbolizon terrorin turk, mbasi ai “hû” nuk iu nda asnjëherë Klerikëve tanë, as mbas 1912 e deri në 1989.

Prap, njëfarë njerzije u tregue jo vetem nga qeveritarët e Tiranës, por edhe nder disa prej ligjeratave të “thata” (per mos me perdorë gjuhen e shkodranëve), ku me një pafëtyrësi që nuk mund të merret me mend, e papame deri sot në asnjë tubim pervjetori, “nuk zehet me gojë fare Gjenocidi 50 vjeçar i Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, kunder Atdhetarëve dhe Klerit Katolik Shqiptar, i pashembullt në të gjitha vendet komuniste të Europës Lindore!”. Mohohet haptas dhe paturpësisht Gjaku i derdhun i 66 Klerikëve dhe vuejtjet e pakrahasueshme nder hetuesitë dhe  kampet e shfarosjes të 132 Klerikëve Katolik Shqiptar, që u vranë e vujten per Atdheun e Tyne!

“Harrohet” Dedë Gjo’ Luli! Ikë i kercnuem per vrasje Don Nikollë Kaçorri dhe këthehet me sharabajkë, vritet At Shtjefen Gjeçovi, varet Don Gjon Gazulli, vitet ndjekin njenitjetrin që nga 1913…Fillojnë vrasjet me Prekë Calin e 118 Burra të Kelmendit në 1945, zhduken nga anadollaku Enver Hoxha të gjithë Klerikët Katolik Shqiptarë, që menduen e punuen gjithë jeten per Shqipninë Europjane, e bashkë me Ta, dhe të gjithë Ata Atdhetarë Muslimanë Shqiptar tue fillue nga Muzafer Pipa, Fahri Rusi etj…Me urdhën të agjentit Bosjes e të Moskës Ramiz Alisë, shkatrrohen të gjitha Kishat Katolike bashkë me Kishen e Vaut të Dejes, ku asht kunorzue Gjergj Kastrioti, të gjitha deri në vitin 1967 dhe askush nuk i zenë me gojë…

E vrasësit shkatrrimtarë t’ Atdheut janë sot “Heronjë”…të 100 vjetorit Pavarsisë…

***

“Populli Shqiptar festoi me madhështi festen e 28 Nentorit 2012..” njoftojnë TVSH, dhe gazetat e mbarë Shqiptarëve të Globit… – Per cilin “Popull Shqiptar” bahet fjalë ?

Si bahen “100 vjetë” Pavarsi Kombtare ?! Po Shqiptarët tjerë ku janë ?

E shitësit e Trojeve Shqiptare vazhdojnë me u nderue në shtreten topash…

Ua ka thanë 70 vjet ma perpara At Anton Harapi: “Nuk asht numri as pasunia që e ban superioritetin kulturor e kombëtar, por personalitetet që me cilësitë e nalta morale e me zotësi ditunore janë ata, që bajnë pikën e gravitetit në një popull…

A sot, a kurrë, të mobilizohemi për Fé e Atdhé! Ja, ky asht besimi, e kjo asht Shqipnia që po na zhduket ndër duer… Nuk shpeton jo sot, as Xhamia pa Kishën, as Kisha pa Xhaminë, por as njena as tjetra pa Shqipninë.” (“Nderim per bindjet e të tjerëve”, Korrik 1944).

E fjalët e Tij të daltueme në fletët e Historisë së Shqipnisë mos harroni se i di Europa, Anglia, Amerika, Turqia, Rusia, Serbia, Greqia; i di edhe Franca e Italia; e para të gjithë këtyne i di Austria e Gjermania; po, i dijnë edhe të gjithë armiqtë e tradhëtarët e Popullit Shqiptar, per të cilët Historia e Shqipnisë: “një ditë” do të thotë edhe ajo Fjalen e vet!

 

Melbourne, Dhjetor 2012.

Filed Under: Opinion Tagged With: 50 vjet ne Komunizem, 500 vjet ne Turqi

KRONIKË NGA DEGA E VATRES NE JACKSONVILLE

December 22, 2012 by dgreca

Nga Gjergj Lacuku/

Me 28 Nëntor dega e Shoqatës “Vatra” në Jacksonville, Florida , organizoj kremtimin e 100 vjetorit të Pavarësisë, jubileu që edhe sheshin “Times Square” e veshi kuq e zi. E veçanta e kësaj mbrëmje ishte ngritja simbolike e flamurit , ku nën tingujt e Himnit Kombëtar , 92 vjeçari Asllan Hysaj nga Shkodra , si Shqiptari më i moshuar në Jacksonville, ngriti nalt Flamurin Kuq e Zi. Fjalën përshëndetse mandej e mori kryetari i degës “Vatra” , Z. Adriatik Spahiu, i cili ndër të tjera vuri theksin në mirëkuptimin dhe tolerancën qytetare ndërmjet shqiptarve për të mirën e Kombit. Festimi i 100 vjetorit u shoqnua edhe nga folës të tjerë si avokati Ardian Gjoka, Besim Hasani dhe artisti Shkodran, Aleksandër Ruçi, që me humorin e tij e bani këtë mbramje edhe ma t’kandshme. Përveç muzikës , kangës e valleve , mbramja festive u shoqnue edhe me poezi të poetve ma të mëdhaj të  kombit Shqiptar . Ato u sollën këtu nga recitimet e vet të pranishmëve. Kështu Naim Frashërin  na e solli përmetari Dr . Ali Lushnja ,mandej At Gjergj Fishtën na e solli shkodrani Enrik Baba, Gjirokastrën e përfaqsoj Juli Pollo nën interpretimim e poezisë së Çajupit “Mëmëdheut”.Një moment mallëngjyes ishte recitimi i poezisë së Bilal Xhaferit “Baladë Çame” nga 86 vjeçari , z. Rexhep Cano , tuj pasë parasysh çështjen Çame si nji plag e hapun në trupin e Atdheut. Poezinë kushtue Kosovës nga poeti e filozofi Arshi Pipa, e recitoj Teuta Agovi me origjinë Kosovare. Poetin Asdreni nëpërmjet “Himni i Flamurit” e solli patrioti nga Korça, z. Xhezmi Çuko. Me poezinë e Pashko Vasës ” O moj Shqypni”, recitusja Matilda Moja na kujtoj edhe nji herë se feja e Shqiptarit asht Shqiptarija. Z. Vebi Musta përcolli një fragment të euriditit Faik bej Konica në lidhje me Flamurin tonë si nji ndër ma të vjetrit në Botë. Recitimi i poezive u mbyll nga Gjergj Lacuku me poezinë e Fishtës ” Atdheut” ku nuk harrohen vargjet e pavdekshme ;

Dersá t’mundem me ligjrue

E sá gjáll me frymë un jam,

Kurr Shqypni, s’kam me t’harrue,

Edhe n’vorr me t’përmendë kam.

Filed Under: Kronike Tagged With: Gjergj Lacuku, Jacksonville, kronike, nga Vatra

ENDE RRON SHPIRTI VATRAN NDËR SHQIPËTARËT E AMERIKËS

December 21, 2012 by dgreca

Mehmet Kadria, një vatran i kahmotshëm me shpirt, por i anëtarësuar së fundmi në Federatën Vatra, dhuroi për bibliotekën 500 libra, ndërsa nga kursimet e tij, 2 mijë dollarë. Një  shembull që tregon se pasuria e shpirtit vlen më shumë se pasuritë financiare! Ky Mehmet Kadria, që as nuk e ka një punë të përhershme prej 6 vitesh, por dhuron nga shpirti bujar, u jep një leksion edhe biznesmenëve  shqiptarë dorështërnguar për çështjen Kombëtare.

Nga Dalip Greca

Mehmet Kadria, një shqiptar i devotshëm dhe patriot nga Kosova, më befasoi tek më mori në telefon me 20 nëntor dhe më tha se do të donte që të vizitonte Vatrën dhe se do të sillte disa libra, pasuria më e çmuar e jetës së tij.Më përmendi dhe për pak kurisme që i kishte vënë mënjanë dhe se ato i kishte për Vatrën, kështjellën e Kombit në SHBA, siç e vlerësoi ai. Shprehja e tij se”Vatrës i duhen më shumë se mua” më tingëlloi sikur e dëgjoja për të parën herë. I thashë se ishte i mirëpritur për librat, ndërsa kursimet, t’i mbante për hallet e familjes.

Këmbëngulja e tij ishte e asaj forme që nuk pranonte kundërshtim.”E kam vendosur, më falni për vonesën, duhej të kisha ardhë më parë në Vatrën shqiptare!”

Rasti m’u duk i veçantë dhe njoftova kryesinë e Vatrës që të ishte e pranishme në kohëmbërritjen e tij. Dhe ai erdhi, ashtu siç e njohin të gjithë, i qeshur, a thua se nuk mërzitet kurrë ky burrë shpirtmirë. Kishte gjetur një mik që ia kishte transportuar librat me makinën e vet. Pas shkarkimit të librave, një bisede në zyrën e kryetarit, Mehmeti nxori zarfin me 1000 mijë dollarë.Edhe pse të gjithë e kundërshtuam, ai nuk e mblodhi dorën e zgjatur bujarisht.

Pas krmetimit të 100 vjetorit të Pavarësisë Mehmet Kadria  më telefonoi sërish. Më tha se kishte gati dhe 200 libra për të sjellë në bibliotekë e Vatrës  dhe më pyeti nëse ishte e mundshme të vinte të shtunën në fundjavë. E prita të shtunën. Kishte marrë një taksi me pagesë për të sjellë librat. Me gjithë këmbënguljen time nuk pranoi që t’ia paguante vatra shpenzimet e rrugës nga Bruklini në Bronx.

Pasi vendosëm librat në raft, Mehmeti nxori nga xhepi një zarf.

-Ç’ëshët ai zarf?-, e pyeta.

Me zë të butë, Mehmeti nis e më spjegon:- Kompania ku kam punuar, por që e humba punën para 6 vitesh, çdo prag Krishtlindjesh më dërgon ndonjë dhuratë, dhuruar nga banorët e pallateve që jetojnë aty. Këtë vit, Zoti i Madh, e rriti dhuratën, e bëri 3 mijë dollarë. I mbajta 2 mijë për vete, dhe 1 mijë po i dorëzoj në Vatër. Kush do ta mbaj gjalle Vatrën po nuk e mbajtëm ne shqiptaret?

Kundërshtimi im ishte i pafuqishëm përballë vendosmërisë së tij.(Më të plotë lexojeni në Diellin e printuar)

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, Mehmet kadria, shpirti vatran

BASHKËQEVERISJA NUK ËSHTË ZGJIDHJE E PROBLEMEVE TË SHQIPTARËVE NĒ MAL TĒ ZI

December 21, 2012 by dgreca

Nga Xheladin Zeneli/

Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi të datës 14 Tetor të këtij viti, subjektet shqiptare që fituan nga një mandat ishin, Koalicioni “Për Bashkim” (i cili përbëhet nga Forca e Re Demokratike, Iniciativa Qytetare – Tuz dhe Lëvizja Perspektiva) dhe “Koalicioni Shqiptar” (i cili përbëhet nga Lidhja Demokratike, Partia Demokratike dhe Alternativa Shqiptare).

Pak ditë pas zgjedhjeve, me 30 Tetor 2012 dy Kualicionet shqiptare,bashkë me Partinë Boshnjake dhe Iniciativën Kroate ,në kuadër të partive të pakicave,nënshkruan Marrëveshjen për formimin e shumicës parlamentare me Kualicionin “Mali i Zi Europian” të Millo Gjukanoviqit, çka do të thotë se arritën marrëveshjen për qeverisje të përbashkët në mandatin e ardhshëm.

Në disa mandate të mëparshëme, partner i qeverisë nga rradhët e partive politike shqiptare ishte Unioni Demokratik i Shqiptarëve.

Me këtë rast,sikurse n’a imponohet pyetja se a është bashkëqeverisja domosdoshmërisht,zgjidhje e problemeve të shqiptarëve në Mal të Zi ?  Mendoi se në këto rrethana politike,pjesëmarrja e shqiptarëve në Qeveri, mund të mos luaj rolin e duhur  në raport me avancimin e mirëfilltë të pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi,për disa arsy:

 

1. Nga përvoja e së kaluarës, mund  të nxjerrim konkludime se bashkëpunimi  (kualicioni) disavjeçar i partisë në pushtet (PDS) me subjektin politik shqiptar (UDSH) nuk ka dhanë rezulltatet e pritura në aspektin e përmirësimit të pozitës së shqiptarëve, por përkundrazi, pikërisht gjatë kësaj periudhe bashkëpunimi,janë aprovuar disa ligje që degradojnë dukshëm statusin e shqiptarēve nē Mal të Zi. Nga ky këndvështrim, lind pyetja se përse supozohet se një kualicion tjetër i shqiptarëve me qeverinë,do të jetë në interes të shqiptarëve dhe do të ndryshonte diçka pozitivisht në aspektin e statusit të tyre!?

2. Në mandatin e tanishëm të  bashkëqeverisjes në mes të partisë në pushtet dhe dy kualicioneve shqiptare, më shumë përfiton partia në pushtet, duke ngritur imazhin e vet para faktorit të jashtëm dhe atij të  brendshëm , si Qeveri gjithëpërfshirëse, pra si Qeveri e cila në përbërjen e vet ka edhe popujt pakicë, respektivisht përfaqësuesit e partive dominuese shqiptare;

3. Me pjesëmarrjen e shqiptarëve në bashkëqeverisje,zhduket zëri i tyre kundërshtar (opozitar) me rastin e kërkesave dhe të drejtave të tyre.Në të vērtetë,përfitimi i disa posteve në qeveri,nuk është gjë tjetër veç shkëmbim për heshtje lidhur me gjendjen dhe problemet reale  të shqiptarëve në Mal të Zi;

4. Në shumicën e rasteve,postet që iu ndahen shqiptarëve kanë karakter formal dhe si të tilla nuk kanë fuqi vendim-marrëse sidomos për çështjet që kanë të bëjnë me pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi.Si gjithëherë,në këtë shtet politika udhëhiqet nga qendra dhe vendimet merrën vetëm nga pozita e mbrojtjes së interesit të partisë në pushtet ; dhe

5.  Ishin vetë këto subjekte politike shqiptare që deri deri sa ishin në opozitë,kohë pas kohe kritikonin partinë pjesëmarrëse të atëhershme në pushtet( UDSH-në) për bashkëqeverisje me PDS-në e Gjukanoviqit.Në fakt,ato disa herë kërkuan tërheqjen e UDSH-së nga pushteti qendror.Pjesëmarrja e kualicioneve fituese shqiptare në mandatin e tanishëm të Qeverisë së Malit tē Zi, është kundër parimeve dhe qëndrimeve të tyre të mëparshme, pra si e tillë është  joparimore dhe kontradiktore.

 

Sa janë efektive marrëveshjet politike me Qeverinë?

Gatishmëria e  kualicioneve  fituese shqiptare ,të dalë nga zgjedhjet e 14 Tetorit të këtij viti ,për t’u bashkangjitur kualicionit qeveritar,dëshmoi përsëri se subjektet politike shqiptare, në përgjithësi, si prioritet të tyre kryesor kanë ate që të jenë pjesë e qeverisjes qendrore në Podgoricë.

Është me rëndësi të potencohet që kësaj rradhe, partia fituese në nivel qendror në Mal të Zi ( PDS-i) mund të kishte formuar shumicën parlamentare edhe pa ndihmën e partive (kualicioneve) shqiptare. Prandaj,kualicionet shqiptare sikurse u ngutën të bëjnë negociata me partinë në pushtet,duke mos patur fuqi negocuese. Kjo ndikoi që Platforma për veprim të përbashkët politik që u nënshkrua me këte rast në mes të

partive(kualicioneve) të pakicave dhe PDS -it të Gjukanoviqit, në përbërjen e fjalorit të vet të kenë një gjuhë të përgjithësuar dhe ofron shumë pak në aspektin konkret të realizimit të kërkesave të shqiptarëve. Për shembull,kërkesa për statusin e Komunës së Tuzit-Malësisë, me presion të Partisë Boshnjake,fillimisht u hoq nga Platforma e përbashkët politike dhe u zëvëndsua me termin “decentralizim”,fjalë që nënkupton bartjen e kompetencave nga pushteti qendror (në këte rast, nga Podgorica) deri te komunat lokale dhe ngritja e shkallës qeverisëse të tyre dhe një terminologji e tillë, domosdoshmërisht nuk nënkupton realizimin e Komunës së Tuzit.

Më vonë, në Aneks marrëveshjen mbi veprimin e përbashkët politik në mes  Qeverisë se re të Malit të Zi dhe partisë Forca e Re Demokratike (të cilën kjo e fundit e bën publike me 3 Dhjetor 2012), në kontekstin e Komunës së Tuzit,thuhet se “është vërtetuar që së bashku do të bëhen përpjekje në përshpejtimin e procesit të themelimit të Komunës së Tuzit-Malësisë”. Pra, problemi është ku thuhet se “do të bëhën  përpjekje…”. A nuk është bërë përpjekje tash në 20 vitet e fundit që të realizohet Komuna e Malësisë, por pa rezulltate?Pra,gjuha e përdorur në Aneks Platformë nuk e obligon palën tjetër (PSD-në) që medeomos dhe seriozisht të merret me realizimin e çështjes së Komunës.

Përkujtojmë lexuesit se në vitin 1997,gjithashtu u arrit një marrëveshje e ngjajshme në mes të faktorit të atëhershëm politik shqiptar dhe Qeverisë malazeze e cila u quajt  ” Marrëveshja mbi parimet minimale për zhvillimin e infastrukturës demokratike në Mal të Zi”, me përbërje prej pesë pikash ku në mes të tjerash pika 1(c) bën fjalë për organizimin teritorial të Malit të Zi në kuptimin e themelimit të komunave të reja dhe “decentralizimin e pushtetit”, përsëri pa përmendur konkretisht me emër Komunën e Malësisë!? Që nga ajo kohë disa vendbanime me popullsi sllave themeluan Komunat e veta kurse Malësia që nga viti 2006 është Komunë e ashtuquajtur urbane e Podgoricës,çka do të thotë entitet me të drejta dhe ingjerenca të cunguara.

Nga përvoja e së kaluarës politike mund të nxirrën mësime se fjalori i paqartë dhe jo konkret me rastin e përpilimit dhe nënshkrimit të marrëveshjeve dhe dokumenteve të tjera politike me palën qeveritare,len hapësirë për manipulime dhe keq-interpretime të ndryshme.  Gjithashtu, me rastin e nënshkrimeve të dokumenteve të ndryshme me Qeverinë e Malit të Zi, duke përfshirë edhe Marrëveshjen për formimin e shumicës parlamentare, do të ishte e udhës që të bëhen në prezencën e palës së tretë,mundësisht asaj ndërkombëtare me qëllim të përfitimit të garancisë së implementimit të tyre.

Megjithate,në arenën politike, katër vitet e ardhshme do të jenë sprovë e aftësisë së dy kualicioneve shqiptare si subjekte të reja bashkëqeverisëse,në aspektin e ballafaqimit me sfidat e përmirësimit të pozitës së  shqiptarëve në Mal të Zi.

New York

21 Dhjetor 2012

Filed Under: Featured Tagged With: bashkeqeverisja, ne Mal te zi, xheladin Zeneli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 43
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT